Ministri i Jashtëm grek Níkos Kotziás dhe një delegacion grek, shoqëruar nga një mision i madh me gazetarë, niset sot pasdite për në Shkup, drejtpërdrejt me avion, pas dymbëdhjetë vjetësh, në Aeroportin e Shkupit pas ndryshimit të emrit të tij, për një vizitë historike në vendin fqinj.
Z.Kotziás do të ketë një darkë pune me homologun e tij të Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Nikola Dimitrov, ndërsa të Premten do të ketë një ditë takimesh dhe necociatash maratonë si me udhëheqjen politike të vendit dhe me opozitën.
Fillimisht, kreu i diplomacisë greke do të fillojë kontaktet e tij me z.Dimitrov. Pas takimit do të bëhet informimi i gazetarëve grekë dhe vendit fqinj, në një konferencë të përbashkët për shtyp të të dy ministrave.
Ministri i Jashtëm i Greqisë më pas do të takohet me kryeministrin e vendit Zoran Zaev dhe zëvendës kryeministrin, përgjegjës për marrëdhëniet me BE-në, Bujar Osmani. Do të ketë takime me kryetarin e Parlamentit të këtij vendi, Talat Xhaferi, kryetarin e partisë shqiptare BDI-së, Ali Ahmetin si dhe me udhëheqësin e partisë kryesore të opozitës, Kristian Mickovski.
Kjo vizitë e ministrit të Jashtëm grek pritet të japë një pamje të parë të ecurisë së negociatave për gjetjen e një zgjidhje të pranueshme nga të dy palët në çështjen e emrit të Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë që është në zhvillim, pasi pala greke tashmë ka dërguar propozimin e saj në Shkup, në vazhdim të marrëveshjes mes dy kryeministrave që u vendos në Davos.
Megjithatë, pamja pritet të pasqyrohet më qartë pas një javë, në kuadrin e takimit të planifikuar për javën e ardhshme në Vjenë, të të dy ministrave të Jashtëm, Níkos Kotziás dhe Nikola Dimitrov me të dërguarin e posaçëm të OKB-së, z.Matthew Nimetz. (ert)