Në Maqedoni, një gjykatë apeli la në fuqi të premten vendimin e një gjykate më të ulët për ish-kryeministrin Nikola Gruevski, që e dënoi atë me dy vjet burg për caktimin e fituesit të një tenderi për blerjen e një makine të blinduar Benz Mercedes.
Gruevski u dënua në muajin maj. Ai u akuzua se kishte përdorur ndikimin e tij mbi një anëtar të komisionit të tenderit duke diktuar kompaninë e makinave prej së cilës do të bëhej blerja. Më pas sipas prokurorëve ai kishte marrë një ryshfet nga biznesmeni.
Kjo është çështja e parë ndër pesë të tilla kundër ish-kryeministrit Gruevski, të ngritura nga një prokuror i posaçëm i emëruar për të hetuar akuzat për korrupsion ndaj qeverisë së mëparshme, si pjesë e një marrëveshjeje ndërmjet partive politike e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Në vendimin e gjykatës të premten thuhej se kërkesa për apelim e ish-kryeministrit ishte “e pabazë”. Fillimi i afatit të burgut do të varet nga urdhri i gjykatës.
Nikola Gruevski duke folur për gazetarët e cilësoi vendimin “një persekutim klasik politik”. Maqedonia u përfshi nga trazirat politike në vitin 2015, kur partitë e opozitës akuzuan kryeministrin dhe shefin e zbulimit për orkestrimin e përgjimit të më shumë se 20 mijë njerëzve.
Zoti Gruevski, ish-kreu i partisë nacionaliste VMRO-DPMNE, dha dorëheqjen si kryeministër në vitin 2016 pas 10 vitesh në pushtet. Largimi i tij dhe zgjedhjet e reja ishin pjesë e një marrëveshjeje mes BE-së me VMRO-DPMNE-në dhe partitë opozitare në Maqedoni. (voa)