Pandemia dhe vështirësitë e shkollimit në distancë

shkolla onlineNë mbarë Shtetet e Bashkuara ka filluar një vit i ri shkollor. Për shumë njerëz, kjo do të thotë shkollim në distancë me mësimdhënie të përditshme në internet. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Deana Mitchell ka folur me nxënës dhe prindër për të mësuar si po e përballojnë sfidën e arsimit në epokën e COVID-it.

Për shumë njerëz, shkollimi përmes kompjuterit do të thotë ndërprerje interneti dhe lidhje të këqija. Në ditën e parë të shkollës, shumica e nxënësve në rrethin më të madh arsimor në Teksas, Distriktin e Pavarur Shkollor të Hjustonit, nuk mundën të hynin në sisteme. “ItsLearning” është një sistem arsimi në distancë që përdor mjetet e Microsoft Office.

“Mësuesit dhe studentët ishin shumë të irrituar sepse nuk hynin dot në klasat e tyre (virtuale). Telefonat celularë të mësuesve, postat elektronike, telefonat e shkollës, natyrisht u mbingarkuan sepse të gjithë po përpiqeshin të kontaktonin për të njoftuar se nuk kishin qasje”, thotë Dr. Claudia Morales, Drejtore e Zhvillimit Profesional, në Federatën e Mësuesve të Hjustonit.

Nga fundi i javës, shumë probleme ishin zgjidhur. Por studentët në të gjithë vendin janë duke përjetuar një rrugëtim të vështirë me mësimin në distancë, që shpesh çon në zhgënjim.

Azucena Itule Ramos po hyn në vitin e saj të tretë në shkollën e mesme, në Berkeley, Kaliforni – një vit kritik për nxënësit që synojnë të shkojnë në kolegj. Ajo shpreson të shkojë në Universitetin prestigjioz Brown dhe ndjen presionin për të dalë me rezultate të mira edhe gjatë pandemisë. Ajo po mëson përmes aplikacionit të takimeve me video Zoom, 3 orë çdo mëngjes, të pasuara nga disa orë detyrash shtëpie.

“Shumë herë sytë më dhembin në fund të ditës, veçanërisht me orën e biologjisë, e cila zhvillohet dy herë më shpejt dhe më duhet të bëj vetë gjashtë orë detyra pas shkollës”, thotë ajo.

Një nga mësueset e saj përballet me probleme teknike.

“Nuk hyn dot në Zoom dhe ajo nuk di si ta ndreqë, ose p.sh. fjalëkalimi mund të mos funksionojë dhe mbetesh jashtë klasës. Dhe ajo thotë gjithnjë se nuk di çfarë të them dhe se detyrat ende duhen bërë. Por unë nuk di çfarë të bëj nëse nuk funksionon sistemi”, thotë Azucena.

Ndjekja e mësimit në distancë nuk është gjë e re. Disa amerikanë mësuan të pikturonin nga një shfaqje televizive e viteve 1980 ku paraqitej artisti Bob Ross. Brezi i mijëvjeçarit u rrit duke mësuar nga YouTube. Por mësimdhënia në distancë e një klase të tërë paraqet sfida unike që vetëm një numër i kufizuar institucionesh e ka kapërcyer plotësisht.

Salman Khan krijoi Akademinë Khan në 2004, një faqe në internet për arsimin në distancë që përmban kurse në një larmi të gjerë temash në më shumë se 40 gjuhë – të gjitha falas. Sot, Khan Academy ka më shumë se 100 milionë përdorues në të gjithë botën, nga parashkollorët te studentët e kolegjit.

“Drejtoritë arsimore po përpiqen të transplantojnë atë që bëjnë në botën fizike dhe ta vendosin në një video-konferencë. Është një fillim, por unë mendoj se jemi duke gabuar kur përpiqemi të bëjmë më shumë se ç’duhet”, thotë zoti Khan.

Mësuesit ndihen të mbingarkuar sepse duhet të bëjnë gjithçka që bënin më parë, por tani kanë edhe dimensionin e shtuar se si ta virtualizojnë atë. Akademia Khan ka udhëzues për mësuesit se si të japin mësim më mirë në internet dhe t’i mbajnë studentët të angazhuar.

“Situata katastrofike është nëse 20 deri në 30 për qind e fëmijëve thjesht shkëputen. Dhe jo vetëm që nuk mësojnë, ata atrofizohen dhe thjesht shkëputen nga të mësuarit në përgjithësi”, thotë zoti Khan.

Mësuesit dhe shkollat, kur është e mundur, duhet të jenë në gjendje të krijojnë gjëra zbavitëse. Sepse nëse fëmijët nuk ndihen të mbështetur emocionalisht dhe mendërisht tani, pjesa akademike do të jetë shumë më e vështirë.

Për të përfituar sa më shumë nga mësimi në internet, thotë zoti Khan, bëni pushime të shpeshta. Kur bie interneti, largohuni – dhe, siç kërkohet shpesh gjatë një pandemie, merrni frymë thellë.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>