Rreth një million njerëz kanë humbur jetën nga COVID-19 në shkallë globale. Kjo humbje tragjike ka krijuar edhe një mundësi të rëndësishme për mjekët e shkencëtarët. Viktimat u ofrojnë mjekëve mundësinë për të kuptuar sëmundjen dhe trajtimet kundër saj, duke krijuar një shans unik në këtë periudhë krize globale:
Shtimi i ritmit të infektimeve në shumë vende të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Evropën ndërkohë që afron stina e ftohtë në hemisferën e veriut pritet të sjellë edhe shtim të viktimave.
Por, sipas statistikave, ritmet e vdekshmërisë po bien dhe njerëzit që infektohen tani kanë shanse më të mira të mbijetojnë krahasuar me muajt e parë të pandemisë.
Provat klinike kanë treguar se disa ilaçe japin efekt në mjekimin e COVID-19 dhe mjekët po mësojnë përditë e më shumë për praktikat më të mira të kujdesit për të sëmurët.
Për shembull, mjekët e dinë tani se pacientët duhen të qëndronte shtrirë barkas për të lehtësuar frymëmarrjen. Një tjetër ndryshim i madh, që nga fillimi i pandemisë, ka qenë përdorimi i steroideve.
Martin Landray është profesor në Departamentin e Shëndetësisë në Universitetin e Oksforit. Ai thotë se fillimisht ekspertët ishin kundër mjekimit me steroide:
“Tani e dimë se tek pacientët në aspiratorë mund të ulet vdekshmëria deri në 33% me një mjekim të thjeshtë, me kosto të ulët. Dimë gjithashtu se ilaçi antiviral remdisivir redukton kohën e qëndrimit në spital, megjithëse ende nuk është vërtetuar nëse rrit shanset për të mbijetuar”.
Në Angli studiuesit kanë raportuar rënie të vdekshmërisë që nga piku i epidemisë në prill. Një nga arsyet, thonë ata, është ndryshimi i grupit të popullatës që po preket nga sëmundja. Tani numri më i madh i infeksioneve të reja shfaqet në të rinj, të cilët kanë ritme më të ulëta vdekshmërie se pacientët e moshuar.
Mjekët gjatë muajve kanë arritur të bëjnë teste në shkallë të gjerë për të mësuar ndikimin e ilaçeve ekzistuese kundër COVID-it.
“Dimë se hidroksiklorokuina, megjithë bujën e madhe dhe entuziazmin, nuk jep rezultat për përmirësimin e pacientëve në spitale. Dimë që mjekime të tjera si lopinovir që përdoret tek pacientët me HIV, nuk funksionon tek pacientët me COVID,” thotë profesor Landray.
Shkenca ende nuk ka dhënë një përgjigje përfundimtare për plazmën konvaleshente të marrë nga ish-pacientë me COVID, të cilët kanë antitrupa kundër sëmundjes.
“Plazma konvaleshente është përdorur tek më shumë se 100,000 pacientë në SHBA, por jo si pjesë e një studimi të randomizuar, pra rezultati nuk ka si të krahasohet statistikisht. Pra nëse pacientët kanë shfaqur përmirësim, është e pamundur të vërtetohet nëse kjo u arrit falë plazmës konvaleshente, apo do të kishte ndodhur edhe pa të,” thotë prof. Landray.
Shpresa përfundimtare do të jetë zhvillimi i një vaksine kundër koronavirusit. Por ky është proces i komplikuar dhe kërkon kohë. Deri në atë moment, thotë Dr. Jesse Goodman, profesor në Universitetin Georgetown, çdo gjë e re që shkenca mëson për këtë virus është një fitore e rëndësishme:
“COVID-i do të vazhdojë të jetë sfidë për ne. Pozitivja është se tani kemi identifikuar mënyra për ta zbutur ndikimin. Dimë se maskat ulin rrezikun e infektimit si për personin që vë maskë, ashtu edhe për të tjerët. Duhet të vazhdojmë të përhapim në mënyrë konsistente mesazhe për shëndetin publik,” thotë Dr. Goodman.
Ekspertët këshillojnë se zyrtarët dhe publiku duhet të fillojnë ta trajtojnë koronavirusin jo si pandemi, por si një sfidë e pranishme ndaj shëndetit, me të cilën popullata duhet të mësojë të përballet në mënyrë të vazhdueshme duke ndjekur praktikat që këshillojnë mjekët.
voa