Me brohoritjet “Kosova është zemra e Serbisë” dhe “Nuk do të na e merrni Kosovën” është pritur në Loznicë të Serbisë, eurodeputetja dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Carmon, pak pasi ajo kritikoi Raportin e Komisionit Evropian për përparimin e Serbisë.
Përkrahësit e Partisë Përparimtare Serbe e pritën Von Cramonin në Gornje Nedelice dhe me rastin e mbërritjes së përfaqësueses së Partisë së Gjelbër gjermane dhe të Parlamentit Evropian, kanë bërtitur: “Kosova është zemra e Serbisë” dhe “Nuk do të na e merrni Kosovën”, ndërsa pasi që ajo në anglishte i pyeti nëse duan që të diskutonin lidhur me ndonjë gjë me të, ata iu përgjigjën: “Jo, me ju… këtu serbisht, këtu flitet vetëm serbisht”.
Më herët gjatë ditës, Von Cramon kritikoi Komisionin Evropian duke thënë se i ka bërë dhuratë presidentit serb Aleksandar Vuçiq para zgjedhjeve të reja në Serbi.
“Është nënshkruar nga komisioneri hungarez (Komisioneri Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi) dhe siç thashë më herët, ka një tendencë për t’i dhënë diçka presidentit serb para zgjedhjeve, gjë që është normale dhe në rregull, por kjo nuk është punë e Komisionit”, u ka thënë ajo gazetarëve dhe vlerësoi se raporti ka tutje shumë pika kritike. “Nëse keni vërejtje kritike për situatën aktuale, si mund të keni më në fund një ide për hapjen e kapitujve. Ne duhet ta diskutojmë këtë në javët në vijim. Unë shoh shumë shenja skepticizmi te kolegët e mi në Parlament”.
Von Cramon ka shtuar se është i papranueshëm qëndrimi i autoriteteve serbe ndaj mediave që nuk janë në favor të qeverisë, por edhe ndaj kujtdo që ka qëndrim të ndryshëm. Po ashtu ajo ka deklaruar se nuk pret përparim për dialogun Kosovë-Serbi para zgjedhjeve në Serbi.
koha