Drejtori i policisë për rajonin e veriut të Kosovës, Nenad Gjuriç, tha të mërkurën se vartësit e tij nuk do të zbatojnë vendimin e qeverisë për lëshimin e letrave paralajmëruese për qytetarët që përdorin makinat me targa të lëshuara nga Serbia, ndërsa akuzoi drejtorinë e policisë në Prishtinë për trysni ndaj pjesëtarëve serbë të policisë.
Komentet e tij pasuan një takim me udhëheqësit e Listës Serbe, subjektit kryesor të serbëve të Kosovës dhe kryetarët e katër komunave me shumcië serbe në veriun e vendit.
“Policët nga rajoni i veriut nuk mund ta zbatojnë atë vendim sepse është politik dhe këmbëngulës në radhë të parë kundër komunitetit serb të cilit edhe vet i përkasim”, tha ai, ndërsa akuzoi drejtorinë e përgjithshme të policisë së Kosovës për dërgimin e njësive policore nga Prishtina për t’u bërë trysni pjesëtarëve serbë të policisë në veriun e Kosovës për të zbatuar vendimin e qeverisë.
“Duam të theksojmë se patrullat e lartpërmendura janë dërguar nga Prishtina në veri pa dijeninë dhe miratimin e drejtorit Rajonal të Policisë. Ky veprim dëmton dhe zhvlerëson drejtpërdrejt rolin e drejtorisë sonë rajonale, e cila është këtu para së gjithash për të mbrojtur dhe për t’u shërbyer njerëzve që jetojnë dhe punojnë në veriun e Kosovës, pa dallim përkatësie kombëatre e besimi. Ne këkrojmë pajtueshmëri të plotë me Marrëveshjen e Brukselit, sipas së cilës përgjegjësite tona janë të përcaktuara qartë”, tha drejtori i policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Kosovës, Nenad Gjuriç.
Nuk pati ndonjë reagim nga Drejtoria e Policisë së Kosovës apo ministria e Brendshme rreth këtyre deklarimeve.
Të martën autoritetet filluan zbatimin e vendimit të qeverisë qendrore në Prishtinë për të paralajmëruar qytetarët serbë në veriun e Kosovës për afatet e përcaktuara për ndërrimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës që duhet të përmbyllet në muajin prill të vitit të ardhshëm.
Por, Beogradi zyrtar dhe përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës nuk pajtohen me vendimin e qeverisë së Kosovës për t’i zëvendësuar targat e lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës, RKS.
Zëvendës kryetari i Listës Serbe, Igor Simiç akuzoi të mërkurën autoritetet në Prishtinë për siç tha veprime që mund të çojnë në destabilizimin e situatës në veriun e Kosovës.
“Do të përsëris atë që e thamë qartë para disa ditësh. Vendosja e gjobës së parë për cilindo qytetar për posedim të targave të autoriteteve të Republikës së Serbisë në këto zona do të jetë shkak për një reagim të ashpër dhe të fortë. Rezistencë me të gjitha mjetet demokratike. Çfarë do të vijë më pas? Nuk mund të parashikojmë në këtë moment, por ajo që di është se do të jemi të bashkuar, dhe të tregojmë edhe një herë vendosmërinë tonë për të qëndruar dhe mbijetuar në vatrat tona shekullore“, tha zoti Simiç.
Të mërkurën policia e Kosovës tha se gjatë natës në komunën e Zubin Potokut në veri është djegur makina e një pjesëtari të komunitetit serb i cili kishte bërë zëvendësimin e targave të lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës.
Kjo nxiti reagimin e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, i cili dënoi dëmtimin e pronave të qytetarëve serbë në veri që kanë konvertuar targat e tyre, ndërsa përsëriti kërkesën e Shteteve të Bashkuara që qeveria e Kosovës të shtyjë afatin e zbatimit të vendimit për konvertimin e targave të makinave.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar nga Kosova që të shtyjë për dhjetë muaj zbatimin e vendimit për konvertimin e targave të makinave, një çështje që në të kaluarën ka nxitur tensione të larta me Serbinë, e cila kundërshton pavarësinë e Kosovës.
Tensionet e verës së këtij viti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rreth përdorimit të dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave nxitën një reagim më të ngjeshur diplomatik për të shmangur tensionet në një periudhë zhvillimesh të ndjeshme politike në Evropë për shkak të agresionit rus në Ukrainë dhe ndikimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
voa