Presidenti rus mbajti një fjalim me akuzat e njohura kundër perëndimit, por me një gjuhë shumë më të ashpër. Putin bëri plotësisht përgjegjës perëndimin për shkallëzimin e luftës në Ukrainë.
Tradicionalisht kreu i Kremlinit mban një fjalim para deputetëve për gjendjen e kombit, ku bën një bilanc të vitit dhe paraqet objektivat e rinj strategjikë. Fjalimi i këtij viti para Asamblesë Federale u mbajt në të njëjtën ditë me fjalimin që presidenti amerikan, Joe Biden mban para pallatit presidencial në Varshavë.
Pak para 1 vjetorit të fillimit të luftës në Ukrainë, presidenti rus mbajti një fjalim, me interpretimet e tij për luftën në Ukrainë dhe akuza ndaj perëndimit.Ishte perëndimi ai që e filloi luftën tha Putin, duke pretenduar, se Rusia përpiqet vetëm t’u japë fund luftimeve. “Ata e filluan luftën. Ne bëmë të pamundurën për të ndalur atë.” Sipas Putinit, perëndimi kishte filluar para luftës negociata me Kievin për furnizime me armë. Presidenti rus theksoi, se pas kurrizit të Rusisë u përgatit një skenar tjetër. “Përgjegjësia për nxitjen e konfliktit të Ukrainës, për shkallëzimin e tij, për viktimat e shumta (…) ndodhet “e gjitha” tek elitat perëndimore. Sipas Putinit është në pyetje ekzistenca e Rusisë, pasi perëndimi do ta “heqë qafe një herë e mirë” Rusinë. Rusia ka nevojë për partneritete të ndershme, u shpreh Putin. Perëndimi do të kthejë një konflikt lokal në një konflikt global tha ai para parlamentit, por “është e pamundur të mundësh vendin tonë në sheshin e betejës”.
Putini nuk heq dorë nga “operacioni special ushtarak”
Fjalimi i Putinit u karakterizua nga një gjuhë e ashpër kundër perëndimit.Perëndimi “pështyn mbi botën” tha ai dhe qëllimi i tij është pushtet pa kufi. Ai përsëriti akuzën e njohur, se në Kiev ndodhet një “regjim neonazist” dhe vazhdoi ta quajë luftën që nisi Rusia “operacion special ushtarak”. Për presidentin rus, populli ukrainas është marrë peng dhe Rusia është çlirimtare. Sipas Putinit, Rusia do të vazhdojë ofensivën në Ukrainë “sistematikisht” dhe do të ndjekë objektivat e saj në mënyrë sistematike dhe “hap pas hapi” derisa të arrijë qëllimet. Ai u tregua i bindur, se shumica e popullsisë ruse e mbështet mënyrën e veprimit të qeverisë në Donbas dhe theksoi, se “tradhtarët” do të nxirren para drejtësisë. Në fjalimin e tij kreu i Kremlinit falënderoi familjet e ushtarëve të vrarë dhe veteranët e luftës dhe deklaroi krijimin e një fondi të posaçëm për për mbështetjen e tyre financiare. Kurse në zonat e reja do të ketë më shumë programe sociale, tha Putin duke iu referuar me këtë katër rajoneve të aneksuara ruse.
Putini bën të ditur modernizimin e ushtrisë ruse
Në fjalimin e tij presidenti Putin iu kushtua edhe ekonomisë së vendit dhe u krenua se ekonomia ruse doli shumë më e fortë se sa e priste perëndimi. “Perëndimi na lufton në frontin ekonomik”, tha Putin, por nuk do të ketë sukses. Sipas Putini, perëndimi ka provokuar rritje çmimesh dhe humbjen e vendeve të punës për të bërë që populli rus të vuajë. “Perëndimi ka vjedhur arin dhe rezervat tona të devizave”, tha Putin duke iu referuar sanksioneve të perëndimit. “Por llogaria e tyre nuk doli. Ekonomia ruse dhe menaxhimi i saj kanë dalë më të forta, se mendonin ata.”
Presidenti rus shpalli edhe modernizimin e ushtrisë ruse. “Grada e pajisjes të forcave kërcënuese të Rusisë me sisteme të reja përbën 91,3%”, tha Putin. Tanimë duke parasysh edhe përvojat tona të mbledhura, duhet të arrijmë një cilësi të tillë kaq të lartë në të gjitha aspektet e forcave të armatosura”, theksoi Putin duke shtuar, se Rusia i ka të gjitha burimet e duhura financiare, megjithë sanksionet e perëndimit për të garantuar sigurinë dhe zhvillimin e saj.
Gjatë fjalimit të drejtpërdrejtë të presidentit rus nuk funksionuan faqet ruse të internetit. Gazetarë të Reuters nuk mund të klikonin faqen e internetit të Shoqërisë Shtetërore të Audio dhe Televizionit, (VGTRK) dhe platformën live Smotrim. Fjalimi i Putinit ishte fjalimi i 18-të drejtuar kombit. Vitin e kaluar ky fjalim nuk u mbajt, dhe Putini e justifikoi atë me “dinamikën e ngjarjeve”. Falimi i fundit u mbajt në prill 2021.
la/rtr/dpa,afp