Vizita e të dërguarit të BE, Miroslav Lajçak në Kosovë dhe Serbi synon të ndihmojë palët që të finalizojnë diskutimet për planin e zbatimit të propozimit evropian.
I ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, të enjten dhe të premten qëndron në Kosovë më pas edhe në Beograd, në përgatitje për raundin e ri të dialogut Kosovë-Serbi. Raundi i ri i dialogut është caktuar të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ku kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq takohen nën ndërmjetësimin e shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell. Sipas përfaqësuesve të BE-së, qëllimi kryesor është që palët të arrijnë pajtim rreth një plani si dhe modaliteteve për zbatimin e propozimit evropian.
Vizita në Prishtinë dhe Beograd e të dërguarit të BE-së Mirosllav Lajçak, vjen pas takimit të 27 shkurtit në Bruksel, kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e pranuan propozimin evropian për normalizimin e raporteve por nuk e nënshkruan atë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi një ditë më parë se ai ishte i gatshëm ta nënshkruaj propozimin evropian, por Vuçiq nuk ishte i gatshëm. Kurti për takimin e radhës më 18 mars, tha se “do të shohim se si do të mund t’ia bashkëngjisim propozimit të dakorduar evropian edhe një plan të mirëfilltë zbatimi që duhet të karakterizohet nga gjithpërfshirja dhe nga efikasiteti”.
Sipas Bashkimit Evropian, Kosova dhe Serbia duhet ta nënshkruajnë si një dokument të pandarë propozimin evropian, marrëveshjen drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin ose planin e zbatimit për të cilin po punohet. Propozimi evropian, një dokument prej 11 nenesh, ndër të tjera përmend, se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës dhe po ashtu përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani. Në këto marrëveshje përfshihet edhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.
dw