Kurti inspekton punimet në rrugën Prizren–Tetovë: Të kryhet sa më shpejtë
Kanë nisur punimet e projektit të rrugës Prizren – Tetovë, përkatësisht në segmentin Struzhë – Kyçja në autoudhën “Ibrahim Rugova” në Prizren. Nisjen e punimeve e ka përcjell sot nga afër edhe kryeministri Albin Kurti.
Siç njoftojnë nga qeveria, kryeministri tha se ky projekt është i rëndësisë së jashtëzakonshme për qytetarët dhe për ekonominë.
“Jemi këtu tek LOT-i 3, i projektit të rëndësisë së jashtëzakonshme infrastrukturore Prizren – Tetovë, që lidh këto dy qytete, që lidh këto dy shtete, me rëndësi të veçantë si për qytetarët ashtu edhe për ekonominë dhe ky loti 3 të cilin ne po i fillojmë punimet tash ka gjatësinë prej afër 7 kilometrave në vlerë prej 8.3 milionë euro”, ka deklaruar Kurti.
Ndërkaq, pas vizitës së LOT-it të parë, Kurti tha se synimi është që t’i jepet mbështetja maksimale këtij aksi rrugor, që të kryhet sa më shpejtë.
“Këtu jemi bashkë me punëtorët edhe me punëkryesin e LOT-it të parë, që sikurse LOT-i 3 që e vizituam më herët e ka gjatësinë e njëjtë, përafërsisht shtatë kilometra dhe përderisa atje vlera e investimit ishte 8.3 milionë euro, këtu është 8 milionë euro. Punët po shkojnë fare mirë dhe jemi shumë të gëzuar që po marrim pjesë në këtë fillim të punimeve për një aks kaq të rëndësishëm e jetik për Prizrenin e për Tetovën, për Kosovën e për Maqedoninë e Veriut, për shqiptarët në të dy anët e Malit të Sharrit. Jam me ministrin Liburn Aliu, zëvendësministrin Hysen Durmishin, zëvendësministrin tjetër, Jeton Rakën, me deputetë të zonës Artan Abrashi dhe Arbër Rexhaj”, ka thënë Kurti.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu u shpreh se ky projekt përpos që e lidh Autostradën “Ibrahim Rugova” me koridorin Jon-Adriatik dhe me koridorin 8 nga ana tjetër që është Tetova, shërben edhe për turizëm malor nga të dyja anët dhe kontribuon në zhvillimin ekonomik të dy vendeve.
Projektin për ndërtimin e kësaj rruge që përfshinë njërën rrugë në dalje të autostradës “Ibrahim Rugova” dhe tjetra në afërsi të Fshatit Struzhë, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e ka tenderuar që në muajin prill të këtij viti në 3 llote. Në LOT-in 1 dhe LOT-in 3, punimet filluan sot. Vlera totale e projektit është paraparë të jetë 35 milionë euro, me gjatësi prej 20.3 km.
Rikujtesë
Punimet për ndërtimin e Autostradës R6 ( ose Autostrada Arbën Xhaferi) e gjatë rreth 60 km që lidh Prishtinën me kufirin maqedonas te Hani i Elezit, rreth 20 km larg kryeqytetit maqedonas Shkupit, filluan në Korrik 2014 dhe përfunduan më Maj 2019
Ndërsa rruga Shkup – Bllacë kanë përfunduar 2 km e parë, e cila ende nuk është lëshuar në qarkullim, ndërsa 10 km e mbetur ende është në fazën e përpilimit të dokumentacionit për projektim.
Përfundimi projektit të rrugës Shkup Bllacë pritet të përfundojë gjatë vitit 2025!?
Lexo:
Rruga Shkup – Bllacë përplas përsëri BDI-në dhe VLEN-in
RUSTEMI: VMRO-JA ME NDIKIMIN E SAJ KA NDRYSHUAR PRIORITETET INFRASTRUKTURORE
Ejup Rustemi ish drejtori i Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetëore”, për Klan Maqedoni ka thënë se gjatë mandatit të tij, është përfunduar dy kilometërshi i pare I rrugës Shkup-Bllacë dhe se është përcaktuar traseja për 10 kilometërshin e mbetur.
Sipas Rustemit, nëse udhëheqësia aktuale e Ndërmarrjes Publike punon si duhet, nga fundi i shtatorit pritet të zgjidhet edhe kompania që do të ndërtojë dhe mbikqyrë pjesën e dytë, 10 kilometërshin e mbetur të kësaj autostradës që sipas tij është shumë e rëndësishme. Këto komente Rrustemi I bëri pas akuzave të zv ministres së Transportit Kalltrina Zekolli e cila ka shprehur dyshime mbi punët e kësaj autiostrade dhe paralajmëroi revision të këtij projekti.
“Si drejtor i NP. Rrugët Shtetërore, kam realizuar 100% rikonstruimin e rrugës magjistrale. Në këtë periudhë kohore kanë mbaruar edhe punimet ndërtimore për dy kilometërshin e parë të autostradës, e cila tani pritet të ketë edhe pranim teknik për ta lëshuar në përdorim. Gjithashtu në këtë periudhë kohore është bërë edhe përcaktimi i trasesë, për 10 kilometërshin e autostradës, në të cilën është bërë edhe projektimi nga kompania amerikane si grant i komisionit europian për projektime, kemi marrë të gjitha lejet për ndërtim dhe gjithashtu kemi filluar procedurat për zgjedhjen e kompanisë ndërtimore dhe zgjedhjen e kompanisë për mbikqyrjen e punimeve. Shpresoj që menaxhmenti i aktual i NP. Rrugët Shtetërore, deri në fund të shtatorit do kemi zgjedhjen e kompanive dhe asaj për mbikëqyrje që më pastaj të filloj edhe realizimi”, ka deklaruar Rustemi.
Reagimi i Rustemit vjen pas akuzave të Kaltrina Zekollit se dy kilometërshi i parë pritet të lëshohet në përdorim edhe pse Qeveria aktuale ka dyshime për mënyrën dhe aspektin e realizimit të punimeve.
Zekolli gjithashtu tha se për këtë çështje me raport ka dalë edhe revizioni shtetërorë për investime kapitale.
“Kemi dyshimet tona në aspektin e realizimit të punëve që janë bërë nga Qeveria paraprake të cilat janë prolonguara mjaft, por revizioni shtetërorë për investime kapitale ka bërë një raport dhe aty, kemi dyshime për realizimin e punës. Kështu që, pas të gjitha këtyre shtyrjeve të lëshimit në përdorim, së shpejti neve si qeveri do të punojmë që të mbyllet kjo si fazë dhe qytetarët të mund ta shfrytëzojnë këtë aq të nevojshme dhe aq të frekuentuar. Sa i përket 10 kilometërshit tjetër, ende është në fazën e përpilimit të dokumentacionit për projektim”,ka deklaruar Zekolli.
Ndryshe ish drejtori Rustremi thotë se VMRO-ja duke shfrytëzuar ndikimin absolut mbi VLEN-in, ka ndryshuar edhe prioritetet në pjesën infrastrukturore dhe ka bërë shkurtime enorme në disa projekte të rëndësishme infrastrukturore.
“Posaçërisht me ribalancin e buxhetit dhe me shkurtimin enorm të Korridorit 8, nga 15.2 miliard denarë 4.2 miliard denarë është tregues se kemi ndryshimin e prioriteteve të infrastrukturës që është Korridori 8 dhe 10D. Do të kisha apeluar tek të gjitha institucionet që të vazhdohet me të gjitha ato prioritete të cilat kanë qenë në programën për rrugë në RMV”, deklaroi Rustemi.
Përfundimi projektit të rrugës Shkup Bllacë pritet gjatë vitit 2025.
tvklan