Deputeti Tom Doshi këtë të enjte u paraqit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për t’u marrë në pyetje e për të dhënë deklaratën e tij në lidhje me hetimet e nisura për dyshimet se ndaj tij ka patur një tentativë për ta vrarë. Për këtë shtohet se është dorëzuar pranë organit të akuzës edhe një video nga deputeti, thanë burimet, në të cilën shfaqet personi që sipas Doshit kishte marrë porosinë për ta vrarë atë dhe deputetin tjetër, Mhill Fufi.
Deputeti Doshi u paraqit rreth 09:30 minuta në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të dorëzuar videon, e cila është edhe elementi kryesor në këtë hetim.
Ndërkohë që ka qendruar në prokurori më shumë se pesë orë, ku edhe është pyetur nga prokurori Perparim Kulluri dhe dy oficerë të Policisë së Shtetit.
Burimet thanë se Doshi ka thënë se dëshmitari Durim Bami është manipuluar dhe është frikësuar dhe ndaj e ka ndryshuar rrëfimin e tij duke i mohuar të gjitha.
“Unë mbaj përgjegjësi dhe do t’i shkoj deri në fund kësaj çështjeje që të dalë e vërteta në dritë”, mësohet të ketë shtuar deputeti.
Më pas Doshi i ka qendruar versionit të paraqitur në media duke ju referuar më së shumti dëshmisë së Durim Bamit.
Videoja “bombë”
Mbrëmjen e së mërkurës, Tom Doshi ka publikuar në rrjetin social “Facebook” videon e shumëpërfolur, ku shfaqet Durim Bami, duke rrëfyer përpara tij, gjithë planin dhe porositë që kishte marrë për eliminimin fizik të tij.
Në videon që zgjat 8 minuta, Durim Bami tregon momentet e para kur një person me emrin Toni, sipas tij, e ka kontaktuar për të kryer vrasjen e Tom Doshit; bisedën e zhvilluar me të; mbështetjen që i ofrohet, pasi sipas tij, këtë gjë e ka urdhëruar Ilir Meta.
“Përshëndetje të dashur miq. Po ju paraqes një video me të vërteta të frikshme për realitetin shqiptar. Një video që do tregojë kush na udhëheq dhe sa të sigurt e kemi jetën. Një video që do nxjerr lakuriq deklaratat e deritanishme të shtetit. Prita deri sot reagimin e të gjitha institucioneve. I lejuam porositësit e vrasjes të tregonin edhe njëherë sa frikë kanë nga e vërteta. Manipuluan dëshmitarin, fshehën të vërtetën, akuzuan njerëz pa asnjë lidhje me vrasjen. Nxirreni vetë përfundimin se kush e thotë të vërtetën”, ka shkruar në “Facebook” deputeti Doshi.
Deklarimet kryesore të Bamit në videon e publikuar nga Doshit
Durim Bami: Më mori në telefon dhe më tha se do të bëjmë një punë me Tomën. Kanë dhënë lekë për të vrarë Tomën. Më tha: a më gjen një njeri për ta kryer këtë punë? Për Mhill Fufin hodhën 200, prandaj e anulova. I thashë që kjo punë është e rëndësishme dhe nuk bëhet për këtë shumë. Ai më tha se kjo punë nuk është aspak problem dhe nuk ka për të bërë zhurmë, pastaj ne kemi mbrojtje. Ka dorë shteti këtu, më tha, pasi në këtë mes është Iliri dhe ne e kemi rrugën e hapur. Edhe për Mëhill Fufin tha që është porosi e Ilirit.
Tom Doshi: Po me mua çfarë kishte Iliri?
Durim Bami: Për punën e një videoje, por nuk e kam fiksuar mirë, pasi nuk më interesonte kjo pjesë.
Tom Doshi: Po ti i more ndonjë lekë?
Durim Bami: I mora 20 mijë euro.
/ Top Channel