All posts by V.F.

Gruevski jep dorëheqje, Peshevski kryeministër, Todorov kryetar i VMRO-së?

Ish zëvendëskryeministri për eurointegrime Ivica Bocevski, ka shkruar në facebook, se në opinion janë duke qarkulluar informacione sipas të cilave kryeministri Nikolla Gruevski së shpejti do të dorëhiqet, kurse në vend të tij kryeministër do të zgjedhet zëvendëskryeministri aktual, Vlladimir Peshevski, kurse kryetar i ri i VMRO-së, Nikolla Todorov. Bocevski në një status të publikuar në facebook, i vlerëson këto informacione si “tregime” që nuk do të realizohen, raporton “Lajm”.

“Para disa ditëve dëgjova një tregim interesant. Ai tingëllon kështu disi: “Gjithçka është dakorduar me, diku në prapavijë të thellë me ndërmjetësim të “ndërkombëtarëve”. Nikolla Gruevski përfundimisht nga posti kryeministror dhe nga posti i liderit të VMRO-DPMNE-së. Kryeministër i ri i “qeverisë teknike” do të emëroheshte Vlladimir Peshevski, kurse lider i ri i “përkohshëm” i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Todorov. Zoran Zaev për shkak të marrëveshjes nuk do ta aktivizonte bombën, por do të aktivizonte ndonjë petardë, që megjithatë ta ruajë fytyrën para anëtarësisë“, ka shkruar mes tjerash, Bocevski.

Ai në vazhdim e tone kritike shkruan për zëvendëskryeministrin Peshevski, kurse për skenarët e lartpërmendur thotë se nuk do të realizohen.

“Pikë së pari, nuk e kam të qartë se pse e degradojnë Vlladimir Peshevskin? Ai mund të jetë kryeministër i një qeverie “inxhenjerike” e jo i një qeverie teknike, ose së paku i një qeverie “elektro-reknike”.

Pastaj, lajmi me siguri vjen nga kuzhinat e njëjta ku “Pentagoni një ditë do ta shkyç internetin”, “BE ndryshon qeveritë në Ballkan”…. Asgjë prej kësaj jo vetëm që nuk u plotësua, por as nuk do të plotësohet kurse personazhet që i paraqitën këto margaritarë para opinionit ende paraqiten si “ekspertë”.

Në fund, në bazë të cilës logjikë të shëndoshë, por edhe logjikës politike, nga të gjitha funksionet do të tërhiqet një njeri i cili e udhëheqë partinë më të fuqishme në Maqedoni, me përkrahje të gjerë popullore prej rreth gjysëm milion votuesve, e konfirmuar vetëm para nëntë muajsh?”, pyet Bocevski.

Disa 35 maqedonase që kanë transmetuar statusin e Bocevskit, parashtrojnë pyetjen se pse ai pikërisht tani është paraqitur me këto konstatime, kur ka informacione për mosmarrëveshje mes udhëheqësve të resoreve ekonomike qeveritare. (lajm)

Dita e katërt e grevës në arsim

Greva e arsimit ka përfshir shumicën e shkollave në Maqedoni. Sipas të dhënave të Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SASHK) në mbi 70 për qind të shkollave në Maqedoni po zhvillohet greva. Sindikalistët nëpër shumë shkolla kanë theksuar se greva e tyre nuk është politike, por thjeshtë sociale.
SASHK kërkon rritjen e rrogave për mësimdhënësit për 25 për qind, heqjen e dënimeve për mësimdhënësit dhe zhvillimin e një dialogu social. Greva do të zhvillohet ashtu që të punësuarit do të shkojnë në punë, por nuk do t’i kryejnë detyrat e tyre. Por, përkundër kësaj situate, Ministria e Arsimit dhe autoritetet qeveritare janë të heshtur

Për sa i përket ditëve dhe orëve të humbura gjatë grevës, akoma nuk ka ndonjë paralajmërim për zgjidhje. Premtimet ose kërcënimet e Ministrisë së arsimit se të gjithë arsimtarët grevist do të zëvëndësohen me arsimtar të tjerë nuk dhënë rezultate dhe nxënësit gjatë këtyre ditëve nuk vijojnë procesin shkollor.

35t proqeveritare vazhdojnë të propagandojnë për dështimin e grevës dhe moszhvillimin e saj. (lajm)

Pezullohet greva e minatorëve – qeveria mirëpret vendimin

Pezullohet për një muaj, greva e minatorëve të kompleksit metalurgjik “Trepça”. Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Qazim Jashari, drejtor i minierës me flotacion “Trepça” në Stantërg duke treguar se minatorët kanë dalë nga horizonti i tetë ku kanë qëndruar për tri ditë në grevë.Ai tha se kërkesa e minatorëve është që brenda pesë muajsh Qeveria e Kosovës të miratoj Ligjin për Ndërmarrjet Publike, në mënyrë që “Trepça” të shndërrohet në pronë të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Jashari tha se efektet e para të punës së qeverisë duhet të vërehen brenda muajit, përndryshe greva vazhdon.

“Qeveria duhet të punoj dhe Ligji që “Trepçën” e shndërron në ndërmarrje publike të miratohet brenda pesë muajsh në Kuvendin e Kosovës”, tha Jashari.

Kurse Qeveria e Kosovës e mirëpret pezullimin e grevës. Përmes një komunikate për 35, Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, përshëndeti veprimin e minatorëve.

“Kryeministri dhe Qeveria shprehin përkushtimin dhe sigurojnë minatorët dhe të gjithë qytetarët e Kosovës se janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore që sigurojnë punë normale të “Trepçës” në këtë periudhë dhe të ofrojnë zgjidhje afatgjate në të mirë të zhvillimit ekonomik të vendit,në interes të minatorëve dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Kryeministri Mustafa po ashtu thekson përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të kërkuar përgjegjësi nga të gjithë akterët, që t’i kryejnë obligimet e tyre me kohë dhe të krijojnë kushte që “Trepça” të aktivizohet me të gjitha potencialet e saj, si një nga resurset më të çmueshme të këtij vendi”, thuhet në komunikatë.

Greva e minatorëve të këtij kombinati kishte filluar tri ditë më parë. pasi të hënën me vendim të qeverisë, Kuvendi i Kosovës hoqi nga rendi i ditës, çështjen e pronësisë se këtij kombinati, që ishte në kuadër të diskutimeve për ndryshimet në ligjin për ndërmarrjet publike.

Kurse në Kuvendin e Kosovës, është miratuar ligji për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë se tyre, më anë të cilit parashihet ri organizimi i kompleksit dhe siç është thënë nga zyrtarë të Qeverisë se Kosovës, duke evituar fillimin e procedurave për falimentim.

Kompleksi metalurgjik “Trepça” që gjendet në Mitrovicë është ndërmarrje shoqërore, që menaxhohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, kurse kërkesa e punëtorëve që kjo ndërmarrje të shndërrohet në ndërmarrje publike, mundëson kalimin e saj nga agjencia tek Qeveria e Republikës se Kosovës.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, të mërkurën në letrën dërguar minatorëve të “Trepçës”, ka siguruar se Qeveria e Republikës së Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe të mundshme ligjore, që statusi i “Trepçës” të zgjidhet një herë e përgjithmonë në interes të minatorëve dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës

Me heqjen nga rendi i ditës Ligjin për Ndërmarrjet Publike, kishin reaguar edhe deputetë të opozitës, përfaqësues të shoqërisë civile dhe ekspertë për çështje ekonomike.

Gjiganti metalurgjik “Trepça” që gjendet në Mitrovicë, ka qenë nën moratoriumin e vendosur nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, ndërsa Agjencia Kosovare e Privatizimit është administrator i saj.

Ditë më parë Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme ka marr vendim që “Trepcën” ta çojë në likuidim nga data 2 shkurt, arsye kjo për veprime të shpejta të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

Kombinati “Trepça”, si gjigant ekonomik kosovar me asete dhe degë të ndryshme të shpërndara në rajone të ndryshme, jo vetëm në Republikën e Kosovës, por edhe jashtë saj, ka qenë një prej ndërmarrjeve më të mëdha të ish-Jugosllavisë në vitet ‘80, me mbi 20 mijë punëtorë.

Trepça është i vetmi prodhues i këtij lloji në Kosovë.

Aktualisht, merret me nxjerrjen dhe përpunimin e mineraleve, kryesisht të plumbit dhe zinkut, por është edhe ndërmarrje industriale. (rel)

Kerry, ISIS problem global

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha se ISIS është një problem global dhe duhet luftuar me një përgjigje të koordinuar.Ai i bëri komentet sot në Londër gjatë një takimi të ministrave të jashtëm nga vendet e koalicionit ndërkombëtar që lufton kundër grupit Shteti Islamik.

Zoti Kerry tha se SHBA dhe aleatët e tyre e kanë ndalur përparimin e Shtetit Islamik në Irak brenda një periudhe prej katër muajsh. Por ai pranoi se mbetet ende shumë për të bërë.

Në bisedimet e kryesuara nga zoti Kerry dhe nga Sekretari i Jashtëm britanik, Philip Hammond marrin pjesë 21 nga mbi 60 vendet që po bashkëpunojnë për të luftuar grupin ISIS me bazë në Siri dhe Irak.

Është hera e parë që koalicioni i udhëhequr nga SHBA mblidhet pas sulmeve terroriste të Parisit, ku u vranë 17 persona. (voa)

Fisheku i fundit i Draghit

Shefi i Bankes Qendrore Evropiane, Mario Draghi po vepron i nxituar, fisheku i shkrehur nuk do të qëllojë në shenjë, parashikon Rolf Wenkel. Veprimi i Draghit nuk do të kryejë punë, do të dëmtojë edhe reputacionin e BQE.Tani derri doli nga thesi: Banka Qendrore Evropiane i hap portat e parave, edhe më shumë se mendonin ekspertët. Që nga shtatori 2016 Banka do të blejë çdo muaj hua sipërmarrjesh dhe hua shtetërore në shumën 60 miliardë euro. Një llogari e shpejtë të thotë se për 20 muaj në treg do të derdhen para, deri në shumën 1,2 bilionë euro- ekspertët patën pritur 500 miliardë deri në 1 bilionë.
Me këtë Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi shkreh fishekun e tij të fundit- dhe e bën këtë pa pasur nevojë. Ai imiton me veprimin e tij eksperimentin e Bankës Qendrore Amerikane Fed, e cila pas krizës financiare jo vetëm që uli interesat orientuese bankare, por bleu muaj pas muaji hua në shuma miliardëshe. Me sa duket me sukses, sepse ekonomia e SHBA u shlodh, tremujorin e fundit u regjistrua një rritje prej pesë përqind.
Llogaria e Draghit është e qartë: me hapin e tij ai dëshiron t’i inkurajojë bankat që t’i japin më shumë kredi ekonomisë, në mënyrë që ekonomia të investojë dhe të krijojë vende pune. Ai do të largojë edhe fantazmën e deflacionit, një spirale e supozuar e çmimeve dhe pagave që ulen dhe e falimentimeve dhe të papunëve që shtohen.
Pse e ndërmerr pikërisht tani këtë hap Draghi? Blerje të huave shtetërore një bankë qendrore duhet të ndërmarrë vetëm në situata absolutisht emergjente – po gjendje emergjente nuk duket gjëkundi.
Përkundrazi: me gjithë rreziqet, ekonomia e Eurozonës, ndonëse me shpejtësi të ndryshme ecjeje, ndodhet në rrugën e përmirësimit. Në plan afatmesëm shanset madje do të përmirësohen më tej, po të mendosh se ulja e çmimit të naftës vepron si një injeksion gjallërues për konsumin privat.
Edhe përsa i përket deflacionit: pjesa më e madhe e shkallës së ulët të inflacionit ka të bëjë me uljen e çmimit të naftës.
Cili është pra synimi i Draghit me programin e tij? Unë besoj se atë e ka nxitur politika, pra konkretisht italianët dhe francezët ta bëjë këtë hap. Formalisht BQE, sipas modelit të Bankës Qendrore Gjermane vërtet është institucion i pavarur, po do të ishte jo e saktë të besosh se ajo vepron në një vakum politik. Italianët dhe francezët duan të blejnë sërish kohë, sepse ende druhen nga strukturat e nevojshme ose nuk janë në gjendje t’i zbatojnë ato në vendet e tyre.
Ndryshe nuk mund ta shpjegosh të shtënën e fundit nga topi që bën çudira. Sepse një bankë qendrore nuk mund të bëjë politikë konjukturore. Një injeksion i ri konjukturor do të kontribuojë pak për gjallërimin e ekonomisë, aq më tepër kur interesat bankare ndodhen në një nivel të ulët historik. Sipërmarrësit nuk investojnë sepse interesat bankare janë të ulëta. Ata investojnë kur kanë ndiesinë se shanset në treg janë të mira. (dw)

Blerja e obligacioneve shtetërore – Vendim i rëndësishëm i Bankës Qendrore Europiane

Këshilli i Bankës Qendrore Europiane në takimin e parë të këtij viti lidhur me politikën monetare diskuton programin e masave për blerjen e obligacioneve shtetërore.Banka Qendrore Europiane (BQE) ka një kuti të vogël, por të çmuar instrumentash, të cilat i përdor rregullisht në afate të caktura kohore presidenti i saj. Megjithatë Mario Draghi ka provuar potuhuajse çdo mjet deri tani e me suksesin ai ende nuk është i kënaqur. Ai e ka ulur thuajse në zero interesin e orientues. Kësisoj kreditë janë bërë më të lira, e megjithatë ekonomia në Eurozonë nuk mori hov ashtu siç dëshirohej. Draghi ka aplikuar interesin e ndëshkimit për bankat, në mënyrë që ato të mos i magazinojnë paratë në BQE. Por kjo nuk çoi në rritjen e vrullshme të dhënies së kredive. Tani ai po përdor masën e fundit, një instrument tjetër: blerjen në masë të obligacioneve shtetërore.
Modeli SHBA
Sipas modelit të Bankës së rezervave të SHBA-së BQE do për të investojë shumë para për të blerë të ashtuquajturat bonds, obligacionet shtetërore. Për këtë Draghi ka mbështetjen e shumicës së drejtorisë dhe të këshillit të bankës. Gjermania është kundër, por edhe Estonia – megjithatë kjo rezsitencë nuk mjafton. Tek e fundit presidenti i BQE-se do të ketë sukses me nismën e tij.
Një bilionë Euro obligacione shtetërore
Vëzhguesit e tregut presin, që mbikqyrësit e monedhës të venë në dispozicion të paktën 500 miliardë Euro, ndoshta edhe një bilion, për blerjen e obligcioneve shtetërore. Këto para BQE mund t’i shtypë vet. Bankat si rrjedhojë mund të heqin dorë prej obligacioneve të tyre, kjo synohet, dhe kapitalin e çliruar ato mund ta japin në formë kredishë për sipërmarrjet, në mënyrë që firmat t’i investojnë këto para. Përveç kësaj, sipas spekulimeve në prag të vendimit të BQE-së (22.01.2015) Banka Emetuese mund të verë në dispozicion deri në 250 miliardë Euro për të blerë kreditë e ndërmarjeve.
Dy objektiva ndjek me këtë Draghi, dikur menaxher i firmës së investimeve Goldman Sachs: nga njëra anë ai do që me shtimin e parasë të luftojë inflacionin e ulët. Çmimet kanë rënë së fundi me rreth 0,2 përqind dhe Draghi u druhet tendencave të deflacionit. Kjo mund të çojë në një spirale të urjes së mëtejshme të çmimeve dhe njëkohësisht të uljes së kërkesës. Vlen të kujtojmë, se shtrenjtimi në Eurozonë duhet të arrijë kuotën dy përqind. Nga ana tjetër pikërisht në shtetet me borxhe në Europën Jugore duhet t’i jepen sërish impulse koniunkturës.
Studiuesit e ekonomisë: BQE e detyruar ta përdorë këtë mekanizëm
Instituti Gjerman për Studimet Ekonomike (DIW) e mbështet kursin e BQE. Banka emetuese është e detyruar të përmbushë mandatin e saj. Presidenti i DIW Marcel Fratzscher mendon, se BQE ka detyrim të ndërmarrë masën e fundit: “Ajo nuk mund të reagojë më ndaj kredive shtesë të bankave, sepse bankat kanë marrë mjaft kredi prej BQE-së. Ndaj blerja direkt e obligacioneve shtetërore është instrumenti i fundit që ka BQE-ja.” (dw)

13 të vrarë nga një sulm në Donetsk

Ukraina fajësoi rebelët pro-rusë për vrasjen e të paktën 13 njerëzve gjatë një sulmi me artileri mbi një autobus në qytetin lindor të Donetskut. Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry akuzoi separatistët pro-rusë për shkeljen e armëpushimit.Në sulmin e sotëm në Donetsk u vranë të paktën 13 vetë dhe u plagosën disa të tjerë.

Autoritetet ushtarake ukrainase thanë se trupat ukrainase janë tërhequr nga aeroporti i Donetskut, i cili për shumë muaj ka qenë në qendër të një lufte për territor mes ushtrisë dhe separatistëve pro-rusë.

Dje, Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry akuzoi separatistët pro-rusë në Ukrainën lindore për shkeljen e një marrëveshje të mëparshme armëpushimi pas luftimeve të reja pranë kufirit rus.

“Pra, ky është një veprim i hapur për të pushtuar territor dhe është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me marrëveshjen e Minskut që ata e kanë nënshkruar”.

Ukraina i lidhi luftimet e reja, kryesisht afër qyteteve lindore të Donetskut dhe Luhanskut, me dislokimin kohët e fundit të mijëra trupave të rregullta ruse në territorin e saj.

Presidenti ukrainas Petro Poroshenko përsëriti kërkesën që Rusia të mbyll kufirin e saj dhe të tërheqë të gjitha forcat që mbështesin rebelët.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha se Rusia është e gatshme të ndihmojë për ndërmjetësimin e një armëpushimi të ri në Ukrainë, për t’i dhënë fund luftimeve, në të cilat janë vrarë rreth 5000 njerëz në nëntë muajt e fundit. (voa)

Koment: Një shtet dështon presidenti i Jemenit jep dëheqjen

Lajmet nga Jemeni janë kontradiktore dhe konfuzionuese: Sulmohet pallati presidencial, kreu i shtetit jep dorëheqjen. Por rebelët nuk duan të marrin pushtetin, thonë ata. Anne Allmeling komenton.Në Jemen pësëri mbizotëron kaosi. Pasi rebelët houthi sulmuan pallatin presidencial, Këshilli i Sigurimit të OKB-së kërkoi që pushteti të kalojë sërish në duart e presidentit Hadi. Por problemi është, se pushteti asnjëherë s’ka qenë në duart e Hadit. Të paktën jo tërësisht. Se kush e ka vërtetë komandën në Jemen, kjo është jashtëzakonisht e vështirë të ndriçohet – e kjo madje ka qenë kështu edhe para fillimit të së ashtuquajturës pranvera arabe.
Për dekada me radhë, Ali Abdullah Saleh e mbante vendin të bashkuar. Këtë ai e bënte tërësisht për interesat e veta: Që nga bashkimi i ish-Jemeit socialist të Jugut me Jemenin Verior në vitin 1990 sundimtari afagjatë kishte mundësi të përfitonte prej burimeve të mbarë vendit. Ai gjithmonë rishpërndarjen e ka bërë sipas leverdisë së vet: gjithmonë atje, ku era frynte në favorin e tij. Kësisoj ish-presidenti ai ia doli që t’i nxiste kundër njeri-tjetrit fiset me interesa të ndryshme dhe t’i mbante nën zap kundërshtarët e vet. Saleh në këtë mënyrë vetëm e ka shtuar varfërinë në vendin më të varfër të botës arabe. E kjo strategji ka funksionuar për aq kohë sa në arkë ka apsur ende edhe pak para. Të paktën në dukje.
Koalicionet në luftën për pushtet në Jemen
Klanit houthi asnjë herë nuk i ka shkuar përshtat politika e presidentit. Që nga lufta civile në vitet 1960, shiitët e ndiejnë veten të margjinalizuar prej shumicës sunite – edhe për arsyen se Saleh për një kohë të gjatë ka qenë në alancë me vëllazërinë myslimane sunite. Që nga viti 2004 luftëtarët houthi nga veriu luftojnë kundër trupave të qeverisë qendrore. Vazhdimisht ata kanë zhvilluar beteja vdekjeprurëse. Por dikur pati një armëpushim. Ndoshta, kështu mendojnë disa vëzhgues, kjo marrëveshje ka qenë asokohe një kalkulim taktik. Sot duket se Ali Abdullah Saleh dhe rebelët huthi kanë një interes të përbashkët: përmbysjen e qeverisë së Jemenit.
Kjo për faktin se pranvera arabe i dha fund edhe sundimit 33-vjeçar të Saleh. Në vitin 2012 shumica e fiseve hyri në aleancë me houthi-t dhe me disa pjesë të ushtrisë, me një sërë islamikësh sunitë dhe të rinj që protestonin kundër Saleh – kjo vetëm përkohësisht. Saleh humbi presidencën. Por ai mbeti në Jemen dhe ishte në gjendje t’i mbajë disa nga përkrahësit e tij në ushtri si dhe në mesin e fiseve. Që ai është ende i fuqishëm e dëshmon fakti, se partia e tij është pjesë e koalicionit qeveritar dhe se ai mundi ta zgjedhë ish-zëvendësin e tij Hadi si pasuesin e vet. Por Saleh nuk mjaftohet me kaq, ndonëse ai nuk e thotë këtë kaq qartë.
Apeli i pafuqishëm i bashkësisë ndërkombëtare
Ish-presidenti dëshironte të kthehej në pushtet – ose të paktën të ruante influencën e tij. Sepse presidenti Hadi përpiqetjqysh nga virti 2012 që ta spostonte Saleh – si nga qeveria, nga politika ashtu edhe nga ushtria. Edhe huthi-t duan ta forcojnë pushtetin e tyre. Tani ishte rasti i favorshëm, sepse qeveria qendrore në Jemen është dobësuar edhe më shumë se më parë. Edhe gjatë dekadave të fundit ishte e dyshimtë nëse ajo kishte kontrollin ndaj të gjitha zonave të thella të vendit, atje ku nuk ka rrugë e as shkolla apo spitale. Prej kohësh Jemeni konsiderohet si zona e strehimit të rrjetit terrorist të Al-Kaidas. Sipas të dhënave të veta qeveria qendrore u kundërvihet me këmbëngulje terroristëve – duke e bërë këtë me mbështejen financiare të SHBA-së. Në të vërtetë ndër të arrestuarit dhe të vrarët ka pasur edhe prej tyre, por pasur edhe kundërshtarë të regjimit ose jemenitë nga jugu, të cilët kërkojnë pavarësinë e tyre prej veriut. Kjo në fakt nuk e justifikon që t’u lihet tani dorë e lirë rebelëve huthi apo të plotësohet dëshira e Saleh për zgjedhje të reja. Ndaj kërkesa e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për ta vendosur pushtetin në duart e presidentit Hadi tingëlloi tërësisht e pashpresë. Presidenti Hadi prej vitesh ndodhej në rrugën e një shteti të dështuar. E presidenti Hadi vështirë se do të mund ta ndryshonte këtë. (dw)

Rënia e çmimit të naftës ndihmon kompanitë ajrore

Rënia e çmimit të naftës po dëmton kompanitë e naftës por po ndihmon kompanitë ajrore dhe shitjet e makinave. Megjithatë çmimet e ulëta të naftës nuk janë të mjaftueshme për të nxitur rritjen ekonomike globale.Në të kaluarën, çmimet e larta të naftës i kanë çuar në falimentim disa kompani ajrore.

Kostoja e lëndës djegëse ka rëndësi sepse karburanti është shpenzimi më i madh i kompanive ajrore. Më shumë se një e treta e shpenzimeve të tyre lidhet me karburantin.

Për të mbijetuar, kompanitë ajrore shkurtojnë personelin dhe kosto të tjera. Një ekspert i kësaj industrie thotë se kompanitë fitojnë rreth shtatë dollarë për çdo pasagjer, nga disa miliardë njerëz që ata transportojnë në vit.

Zëdhënësi i Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror, Perry Flint thotë se çmimet e ulëta të karburantit janë një ndihmë e madhe për rritjen e fitimit të kompanive ajrore.

“Parashikimet tani janë pozitive, ne presim rreth 25 miliardë dollarë fitime në vitin 2015, një përmirësim prej rreth 19.9 miliardë dollarësh në krahasim me vitin e kaluar”.

Ulja e kostos së karburantit bën që konsumatorët të kenë më shumë para për të shpenzuar për gjëra të tjera. Kjo mund të jetë arsyeja pse Shoqata Kombëtare e Shitësve të Makinave thotë se në vitin 2014 konsumatorët amerikanë blenë më shumë makina se sa gjatë tetë viteve të mëparshëm.
Një ekspert i shitjeve thotë se çmimet e ulëta të karburantit kanë ndihmuar amerikanët të përballojnë çmimin e makinave që ata pëlqejnë më shumë.

Jack Fitzgerald është marrë me biznesin e shitjes së makinave që nga vitet 1950. Vitin e kaluar 1400 punonjësit e tij shitën 24 mijë makina.

“Ato janë makina të mëdha, djegin shumë, dhe janë popullore. Kur çmimi i karburantit bie, ato bëhen edhe më të kërkuara”.

Ekspertët e ekonomisë thonë se çmimet e ulëta të naftës po stimulojnë ekonominë globale, pasi paratë që dikur shpenzoheshin për energjinë mund të përdoren për gjëra të tjera. Por rritja ekonomike është penguar edhe nga efektet e mbetura të krizës financiare, si nivelet e larta të borxhit dhe papunësisë.

Drejtorja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde thotë se kjo ndihmë nuk është e mjaftueshme për rimëkëmbjen globale.

“Pavarësisht rritjes së nxitur nga rënia e çmimeve të naftës, dhe rritjes së ekonomisë amerikane, rimëkëmbja ekonomike globale vazhdon të përballet me vështirësi të mëdha”.

Çmimet më të ulëta të naftës janë problem për kompanitë e naftës, dhe sipas njoftimeve të 35ve, janë duke u anuluar projekte të ardhshme me vlerë miliarda dollarë. Ekspertë të industrisë thonë se nga shkurtimet do të rrezikohen projektet e shtrenjta ku kostoja e prodhimit mund t’i tejkalojë çmimet e tanishme dhe të pritshme të naftës. (voa)

Ashpërsohet konflikti në lindje të Ukrainës – Sidoqoftë bisedimet ende vazhdojnë!

Në lindje të Ukrainës duhet të pasojnë hapat për qetësimin e situatës – ky është konkluzioni i vakët i takimit në Berlin. Pas viktimave të fundit civile në Donjeck, kjo duhet të ndodhë urgjentisht, mendon Bernd Johann.Ministrat e jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës e kanë shumë të vështirë të gjejnë një gjuhë të përbashkët. Por të paktën ata mundën të bien dakord mbi një deklaratë të përbashkët. Në të ata deklarojnë tërheqjen e armatimeve të rënda përgjatë një zone neutrale. Ata e bëjnë këtë, pasi që prej një jave në lindje të Ukrainës kanë shpërthyer luftime të fuqishme dhe sërsih brenda pak ditësh një sërë civilë të papërfshirë në luftime u vranë. Këto janë luftimet më të ashpra prej disa muajsh. Në rrënojat e aeroportit në Donjeck po gjëmon një luftë shkatërruese mes ushtrisë ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia.
Në kulmin e këtij makthi në lindje të Ukrainës u takuan në Berlin, ministri i Jashtëm rus dhe ai ukrainas me homologët e tyre nga Gjermania dhe Franca. Ishte ky takimi i tyre i dytë brenda një jave. Takimi u organizua me ftesën e ministrit të Jashtëm gjerman Frank-Walter. Prej këtyre bisedimeve nuk pritej shumë. Dhe pas takimit askush nuk mund të bëjë fjalë për ndonjë sukses të madh.
Shansi i fundit për një zgjidhje politike
Nëse marrëveshjet e Berlinit do të zbatohen, kjo është shumë e pasigurt. Shumë shpesh në të kaluarën marrëveshjet janë shkelur. Në mënyrë që në to të përfshihen edhe separatistët dohet të zhvillohen tani negociata të mëtejshme. Grupi ndërkombëtar i kontaktit, në të cilin marrin pjesë të gjitha palët e konfliktit, tani duhet të mblidhet sa më shpejt të jetë e mundur për të negociuar mbi detajet e zgjidhjes së konfliktit ushtarak. Separatistët deri tani ndjekin pa kompromis agjendën e tyre. Ata vazhdojnë të insistojnë në shkëputjen e zonave nën kontrollin e tyre duke pasur ndihmën me armë dhe luftëtarë nga Rusia. Dhe gjithashtu në Ukrainë aktualisht kanë shumë ndikim përfaqësuesit e vijës së fortë.
Megjithatë, përpjekjet diplomatike janë rruga e duhur: Ende Kievi dhe Moska kërkojnë dialogun mes tyre. Kjo edhe për arsyen se të dyja palët e dinë që çarja e këtij filli delikat bisedimesh mund të minojë çdo shpresë për t’i dhënë fund gjakderdhjes. E kjo mund t’i çonte dy vendet në prag të një lufte të hapur mes tyre. Moska deri tani e zhvillon vetëm në mënyrë të kamufluar këtë luftë. Por në rast se separatistët hasin në vështirësi nga vazhdimi i ofensivës ushtarake të Ukrainës, atëherë Rusia mund ta ndiejë veten të detyruar për një ndërhyrje të hapur. Pasoja do të ishte një luftë, në të cilën të gjithë vetëm do të humbisnin.
Vetëm ministrat e jashtëm bisedojnë me njeri-tjetrin
Ndaj Gjermania dhe Franca insistojnë me këmbëngulje të jashtëzakonshme për të avancuar përpara në nivelin politik. Ato duan të kujdesen, që të mos këputet filli i bisedimeve. Në radhë të parë ministri Frank-Walter Steinmeier është aktualisht ndoshta ndërmjetësuesi më i rëndësishëm në konflikt. Ai vazhdon të jetë në kontakt të ngushtë me Moskën dhe ai e di se aktualisht është ndoshta i vetmi në rrethin e politikanëve perëndimore, që mund t’i ulë në një tryezë Rusinë dhe Ukrainën.
Në marrëdhëniet mes Rusisë dhe SHBA-së aktualisht mbizotëron një klimë e akullt. Edhe midis BE-së dhe Moskës pothuajse nuk ka asnjë komunikim. Madje as kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti rus Vladimir Putin, që vitin e kaluar kanë biseduar dhjetra herë së bashku, nuk kanë shumë për të thënë në këtë moment. Nga perspektiva e kancelares kjo është shumë e kuptueshme. Putin vazhdimisht i ka injoruar përpjekjet e saj. Merkel nuk mundi të arrijë ndonjë gjë, sepse kreu i Kremlinit iu përmbajt kursit të konfrontimit.
Dhe kështu tani bisedojnë me njeri-tjetrin vetëm ministrat e jashtëm. Ndaj është e qartë se asnjëra palë nuk e ka mbyllur përfundimisht portën e një zgjidhjeje politike, por hapësira e saj është ngushtuar mjaft. (dw)