All posts by V.F.

Arben Ahmetaj: Shqipëria ka paraqitur projekte konkrete në Beograd

Në konferencën rajonale në Beograd delegacioni i Shqipërisë drejtohet nga ministri i Jashtëm Ditmir Bushati. Në delegacion ishte edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj.DW: Cilat janë pritjet e delegacionit shqiptar nga këto takime?
Arben Ahmetaj: Konferenca rajonale e organizuar nga Komisioni Evorpian në Beograd ka rëndësinë e vet për të vazhduar axhendën e zhvillimit ekonomik dhe qeverisjen e mirë të rajonit. Besoj se formati politik i konferencës nuk do të na pengojë aspak, për të kaluar në projekte konkretet dhe realizimin e tyre.
DW: Cilat janë projektet konkrete më të rëndësishme për Shqpërinë?
Arben Ahmetaj: Duke iu referuar konferencës së Berlinit ne kemi theksuar projektet tona që përfshijnë më shumë se dy vende. Ne kemi vënë theksin në projektin e autostradës Adriatiko – Joniane e cila zbret prej Kroacisë në Mal të Zi dhe bashkohet në Greqi. Theks kemi vënë në projektin Transatlantik Pipeline, që zbret nga Kroacia. Poashtu kemi vënë theks edhe tek projektet hekurudhore që bashkojnë Shqipërinë me Malin e Zi dhe Shqipërinë me Maqedoninë. Në të njëjtën kohë së bashku me kolegët kosovarë kemi theksuar rëndësinë e projektit Durrës – Prishtinë – Nish, për të integruar gjithë rajonin duke filluar nga Serbia deri në Adriatik.
DW: Keni mbështetjen e plotë të vendeve të tjera për këto projekte, apo janë këto vetëm projekte të Shqipërisë?
Arben Ahmetaj: Këto nuk janë vetëm projekte të Shqipërisë. Në Budvë më 24 shtator ne kemi filluar një proces koordinimi me ministrat e ekonomisë së rajonit. Katër vende deri tani janë përgjigjur me projekte konkrete të rëndësishme, me efekte rajonale dhe jo nacionale.
DW: A keni mbështetjen e duhur të Komisionit Evropian për ndarjen e fondeve të financimit?
Arben Ahmetaj: Ende nuk jemi në nivelin e realizimit konkret, por në konferencën e Berlinit është nisur një proces shumë i rëndësishëm. Komisioni Evropian do të jetë me siguri një nga faktorët më të rëndësishëm për financimin e projekteve rajonale. Për këto projekte janë parashikuar 12 miliadër euro, që duhet të ndahen brenda gjashtë vitesh.
DW: Kjo konferencë po mbahet në një atmosferë shumë të nxehtë, pas ndërprerjes së ndeshjes Serbi-Shqipëri. Sa e kanë influencuar këto ngjarje konferencën dhe qëndrimet tuaja në raport me palën serbe?
Arben Ahmetaj: Marrëdhëniet tona bilaterale kanë pasur luhatjet e tyre. Por takimi nuk influencohet fare nga çëshjtet që janë në diskutim midis Shqipërisë dhe Serbisë.

Platini: Serbia dhe Shqipëria do të dënohen ashpër

Presidenti i Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA) ka dhënë një deklaratë para vendimit të Komisionit të Disiplinës së organizatës më të madhe evropiane për futboll, në lidhje me ndeshjen e ndërprerë midis Serbisë dhe Shqipërisë.Francezi ka thënë se skenat që ndodhen në stadiumin e Partizanit të Beogradit ishin të turpshme dhe skandaloze, ndërsa ka paralajmëruar se te dyja kombëtaret do të ndëshkohen, transmeton Telegrafi.

“Lufta jonë kryesore është që të eliminojmë skena të ngjashme çfarë ndodhën në Beograd. Skenat ishin të turpshme dhe skandaloze. E kam thënë dhe e them prapë, politika nuk ka vend në futboll dhe nuk do të ketë kurrë. Ata që shkaktuan incidentin në Beograd do të dënohen ashpër dhe të dy Federatat të bëhen gati për ti pranuar dënimet” ka thënë Platini.
Kujtojmë se ndeshja në mes të Serbisë dhe Shqipërisë është ndërprerë më 14 tetor, para përfundimit të pjesës së parë, kur tifozët serbë u futën në fushë dhe sulmuan futbollistët shqiptarë. /Telegrafi/

Duka: I sigurt se do të marrim tre pikë

Pak orë nga marrja e vendimit për ngjarjen e rëndë të 14 tetorit, presidenti i FSHF-së Armando Duka, në një intervistë ekskluzive për Top Channel tregon gjithçka pret nga drejtësia sportive e UEFA-s. Edhe pse ndodhet në Zvicër sëbashku me këshilltarët dhe avokatët e huaj që do të na përfaqësojnë, presidenti Duka sqaron edhe një herë se prania e tyre në këtë komision disipline është e tepërt.

“Ne nuk duhet të ishim fare në këtë komision. Në Komisionin e Disiplinës duhet të ishte Serbia dhe rezultati duhet të ishte në favorin tonë, pa pasur nevojë fare për këtë komision”, shprehet Duka.

Presidenti sqaron edhe një herë se të gjitha relacionet e zyrtarëve të ndeshjes kanë qenë në favorin tonë, pasi të gjitha shkruajnë gjithçka ndodhi për ndërprerjen e ndeshjes dhe më pas pamundësinë për t’u riluajtur. Ndërkohë që fjalisë së gjyqtarit që mund të rifuteshin në fushë, presidenti thotë se gjithçka ka qenë e qartë për pamundësitë e shumta që kishim për t’u rikthyer në fushën e lojës. Por, nëse mbetemi tek sporti, presidenti Duka është i bindur se ne do të marrim 3 pikët.

“Jam i sigurtë që do të jetë një gjykim i bazuar në rregullore. Nuk mendoj gjë tjetër përveçse një rezultat në tavolinë për ne. Nëse vendimi do të ndikohet politikisht, atëherë unë nuk mund ta parashikoj politikën”, theksoi presidenti i FSHF-së.

Megjithatë, për çdo rast, pala përfaqësuese e Shqipërisë në Komisionin e Disiplinës së UEFA-s e ka një plan B: “Apelim në Komisionin e Apelit në UEFA.”

Ndërkohë, presidenti i UEFA-s, Michel Platini, vazhdon të mbajë të akullta marrëdhëniet me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, ndërkohë që vetë Duka thotë se me sa ka lexuar mes rreshtave të deklaratave të Platinisë, ai nuk ka mbajtur një kah të caktuar, thjesht është distancuar nga dhuna dhe ka mborjtur institucionin që përfaqëson.

“Me Platininë nuk kam pasur kontakte. Thjesht kemi dorëzuar në mënyrë institucionale në UEFA dokumentat tona”, shpjegon zoti Duka.

Por, a mund të konsiderohet ende Mishel Platini një mik i shqiptarëve dhe i presidentit tonë pas kësaj ngjarjeje dhe pas qëndrimeve të tija publike, ku mes dhunës së Beogradit ka përfshirë edhe përfaqësuesen tonë?

“Nuk është i njëanshëm në këtë çështje, nuk më shkon në mendje kjo gjë. Mendoj se interesi i tij është të jetë i paanshëm pasi ai kërkon mbarëvajtjen e garës. Raportet mbeten si më parë”, theksoi Duka.

/ Top Channel

Stuhi të forta e reshje shiu në ultësirën perëndimore, borë në zonat malore

Moti me diell e temperaturat e larta ia kanë lënë vendin shirave erërave të forta dhe borës në zonat malore. Të gjitha këto ndryshime kanë ndodhur nga dita në ditë, si pasojë e një fronti atmosferik të ulët që zaptoi Europën Qëndrore dhe një pjesë të madhe të Europës Lindore. Temperaturat kanë pësuar një ulje me 3 deri në 4 gradë, ndërsa në zonat malore kanë shkuar në minus gradë.

Kështu raportohet se reshje bore kanë rënë në lartësinë mbi 500 metra, në Kukës, ku trashësia e dëborës ka arritur deri në 10 cm.

Në lartësinë mbi 1 mijë metra ka pasur reshje dëbore edhe në Dibër e Pukë. E njëjta situatë edhe në Korçë, ku është mbuluar nga dëbora mali i Ostrovicës.

Ndërkohë që edhe në ultësirën perëndimore të vendit parashikohet një mot me reshje të dendura shiu e erëra të forta. Pritet që qarku i Lezhës e Shkodrës të preken nga stuhi të forta. Vetë ministri Panariti është nisur drejt qarkut të Lezhës, për të ndjekur nga afër situatën.

MOTI I KEQ, SHTYHET NISJA E TRAGETIT TË LINJËS NGA BRINDIZI- VLORË
Ora 11:00- Si pasojë e motit të keq është shtyrë për nesër edhe nisja nga Brindizi e tragetit të linjës Brindizi- Vlorë. Raportohet se erërat në det të hapur në Vlorë shkojnë në 35-40 km në orë, ndërsa valëzimet shkojnë nga 7deri në 9 ballë. Mësohet se është ndaluar dalja e anijeve të tonazhit të vogël në det të hapur.

DURRËS, VONESA NË MBËRRITJEN E TRAGETEVE NGA BARI
Ora 10:42- Si pasojë e erërave të forta dhe valëzimit në det deri në 7 ballë ka pasur edhe vonesa në mbërritjen e trageteve në Durrës. Kështu, dy tragete të nisur nga Bari pritet të mbërrijnë 7-8 orë me vonesë.

Kapiteneria e Durrësit, bën me dije se aktualisht valëzimi në det është 6-7 ballë, ndërsa bëjnë apel që anijet të sigurohen për vendstrehim.

Probleme me motin ka pasur edhe në ujërat italiane, ku kanë mbizotëruar stuhitë dhe erërat e forta.

MB: STUHI E FORTË NË QARKUN E SHKODRËS DHE LEZHËS, FERMERËT TË MARRIN MASA
Ora 10:00- Duke u nisur nga kushtet klimaterike, ku ultësira perëndimore e vendit pritet të pushtohet nga erërat e forta e shirat e dendur, Ministria e Bujqësisë i bën apel fermerëve të përgatiten për të mbrojtur të mbjellat.

Raportohet se në qarkun e Shkodrës dhe Lezhës ka stuhi e forta, ndërsa reshjet e shiut janë prezente në të gjithë zonën perëndimore.

“Fermerët të marrin masa për të mbjellat, ndërkohë që edhe Shtabi i emergjencës ndodhet në terren. Po ashtu edhe bordet e kullimit janë në gatishmëri për situatën”, thuhet në deklaratën e MB-së.

(ma.ar/BalkanWeb)

Rama për AP: Besoj se Serbia e ka njohur Kosovën, por jo publikisht

Serbia duhet të kuptojë se Kosova nuk do të jetë kurrë brenda saj, dhe sa më shpejt ta kuptojë këtë, do jetë më mirë për vetë Serbinë dhe rajonin, tha kryeministri, Edi Rama në një intervistë për agjencinë amerikane Associated Press. Rama gjithashtu vuri në dukje se “ndjen dhe beson se Serbia e ka njohur pavarësinë e Kosovës, pavarësisht se nuk e ka bërë publike njohjen ” citon AP .

Sipas Ramës, incidenti në ndeshjen mes Shqipërisë dhe Serbisë nuk duhet të pengojë integrimin evropian të të dy vendeve. ‘Politika ndërkombëtare nuk duhet drejtuar nga një ndeshje futbolli”, tha ai më tej.

“Shqipëria dhe Serbia duhet t’i japë fund dekadave të armiqësisë. Ne nuk mund të shkojmë askun vetëm. Së bashku mund të bindim BE se është e rëndësishme për BE-në që Ballkani ti përkasë BE-së, sa është e rëndësishme për Ballkanin”, tha Rama.

Ai theksoi se Serbia e ka mankth Shipërinë e Madhe, por se ky nuk është projekt as i Shqipërisë, as i Kosovës.

“Çfarë duhet të na bashkojë është shumë më e madhe se ajo që na ndan. Ne duam një Europë të madhe dhe jo një Shqipëri të madhe.

“Paqja që kemi arritur është e dobët dhe ne duhet të punojmë për ta forcuart atë”, tha Rama ndër të tjera.
(ma.ar/BalkanWeb)

Të dielën ndryshon ora, ja sa do të shkojnë akrepat

Ndryshimi i orës këtë vjeshtë do të bëhet të dielën e fundit të tetorit (26), kur në orën 03:00 (sipas orës shqiptare) akrepat e orës do të shkojnë në 02:00. Nga kjo ditë të gjithë do të kenë zyrtarisht një orë më shumë. Ndryshimi i orës më parë në Europë ka qenë jo i njëtrajtshëm, por ajo filloi të përgjithësohej nga viti 1974, pas krizës së parë të naftës kur disa vende vendosën të çojnë përpara orën në mënyrë që të shfrytëzonin më shumë dritën e diellit dhe të konsumonin më pak energji elektrike.

Si ligj europian ndryshimi i orës në Europë u vendos në vitin 1981 dhe është rinovuar çdo katër vjet . Norma europiane vendosi në mënyrë të qëndrueshme datat e fillimit të periudhës së orës së verës (kur ora shkon një orë përpara) dhe përfundimin e saj (kur ora shkon një orë pas ); që tani respektivisht janë e diela e fundit e marsit dhe e diela e fundit e tetorit.

Stina e vjeshtës, ka hyrë në hemisferën tonë në orën 3. 29sek të mëngjesit të 23 shtatorit ndërkohë që nata dhe dita kanë qënë të barabarta në të gjithë planetin. Vjeshta e këtij viti ka nisur të martën e 23 shtatorit në orën 4. 29 të mëngjesit dhe do të zgjasë 89 ditë dhe 20 orë për të mbaruar më 22 dhjetor kur do të nisë stina e dimrit.
(ed.me/BalkanWeb)

Rama: „E shkuara nuk duhet lejuar të na pengojë drejt Europës së bashkuar”

U luftua me grushta, karrige e gurë fluturuan, u dëgjuan sharje raciste kur pëlhura me “Shqipërinë e Madhe” ra mbi stadiumin e Beogradit. Megjithatë të dy vendet duan të shohin nga e ardhmja, thotë kryeministri Edi Rama.Deutsche Welle: Zoti kryeministër, pse u shty vizita për në Beograd?

Edi Rama: Sepse në kuptimin tim Serbia nuk ishte gati që vizita të zhvillohej në datën e përcaktuar pas atyre, që ndodhën gjatë e pas ndeshjes Serbi – Shqipëri, në fushën e blertë të futbollit dhe në fushën e marrëdhënieve politike të minuara nga një mosbesim shekullor. Kryeministri Vuçiç më ka telefonuar dhe më ka shprehur pikëpamjen e tij mbi gjithë sa ka ndodhur, ashtu siç unë i kam shprehur timen, në divergjence të plotë me të. Por së bashku kemi rënë dakord se duhet të shohim nga e ardhmja dhe duhet ta çojmë përpara procesin e nisur dhe frymëzuar nga Kancelarja Merkel në Konferencën e 28 gushtit në Berlin, ku për herë të parë liderët e Ballkanit janë ulur të gjithë bashkë jo për t’u grindur për kufijtë, po për t’u bashkuar në rrugën e bashkëpunimit politik, ekonomik e social.

Si janë marrëdhëniet mes Tiranës dhe Beogradit?

Besoj se pas shfaqjes së stadiumit të Beogradit, të gjithë mund ta marrin me mend se marrëdhëniet janë në një fazë embrionale pas një shekulli e më shumë pa asnjë marrëdhënie bashkëpunimi, ku gjithë ç’mbajmë mend janë lufta, grindjet, mosmarrëveshjet.

A janë në gjendje elitat shiqtare dhe serbe për të zhvilluar një dialog?

Të mos e harrojmë se ky 2014 është viti më i mirë i Ballkanit në historinë e tij. Është i pari vit, që ka ardhur pa asnjë konflikt kufitar dhe në paqe mes të gjithëve. Rastësia e ka dashur që kjo të ndodhë në 100 vjetorin e Luftës së Parë Botërore, që shpërtheu pikërisht në Ballkan, por është një koincidencë shumë domethënëse, që na bën të gjithëve të kuptojmë se nga sa larg jemi nisur për të mbërritur në këtë moment, të cilin në asnjë mënyrë s’duhet ta shpërdorojmë. Unë kam besim se do ti’a dalim të bëjmë përpara pavarësisht problemeve dhe jam i vendosur të bëj gjithçka për të mos lejuar që e shkuara të na dalë përsëri përpara në rrugën drejt Europës së Bashkuar. Kjo paqe ka ardhur si vullnet europianist i popujve të rajonit, por është shumë e brishtë e gjitha për t’u ndërtuar. Eshtë një paqe shumë e madhe për shpatullat e secilit prej vendeve tona veç e veç, prandaj duhet të ecim dorë për dore me njëri-tjetrin e me Europën e Bashkuar, që nga ana e saj duhet të kuptojë se i duhet bashkimi me Ballkanin sot po aq sa ç’i duhet Ballkanit bashkimi më të. “Enlargement fatigue” është një term i njohur brenda BE-së, por brenda Ballkanit ka nisur të përdoret një term tjetër, “Patience fatigue”, dhe të gjithë duhet të bëjmë çmos që lodhja mos të na mundë në përpjekjen tonë drejt të ardhmes, pasi pasojat do të ishin reciprokisht katastrofike.

Në Beograd futbollistët shqiptarë e mbrojtën flamurin e “Shqipërisë së Madhe”. Ju, Zoti Rama, thatë se jeni krenar për lojtarët. Eshtë ky flamur flamuri juaj?

Dy gjëra më kanë impresionuar thellë në këtë histori dhe dua t’i them troç. E para fakti që një banderolë, ku ishin asembluar disa simbole kombëtare të shqiptarëve dhe që nuk ishte as flamuri ynë kombëtar, as flamuri i ndonjë “Shqipërie të Madhe”, po një shembëlltyrë fluturuese, që edhe ne e shihnim për herë të parë, provokoi një tërbim aq të madh politik në Beograd. Unë e imagjinoja që ndeshja do të ishte “e nxehtë”, në fund të fundit Serbi – Shqipëri është derbi i padiskutueshëm i Ballkanit dhe prandaj edhe e dekurajova çuarjen e tifozëve tanë në Beograd. Por që në stadiumin e Beogradit do të ulërihej 40 minuta rresht “Vritini shqiptarët, vritini shqiptarët! Vritini vëllezërit e kroatëve”, këtë nuk e imagjinoja. Ashtu siç nuk imagjoja dot kurrë që retorika e Serbisë zyrtare pas ndeshjes do të ishte një zgjatim i koreve raciste, antishqiptare, të tifozëve të udhëhequr nga huliganë të dënuar ndërkombëtarisht, të cilët hynë edhe në fushë e goditën lojtarët tanë me karrige kokës! Po së dyti, dhe ky ishte kulmi, nuk mund ta imagjinoja dot kurrë që 35 perëndimore të humbte kaq keq drejtëpeshimin nën peshën e shtypit të propagandës shtetërore serbe e të shpallte botërisht tim vëlla si autorin e gjithë katrahurës, pa marrë as mundimin të dëgjonte në mos atë vetë një burim alternativ të burimit krejt të pavërtetë serb. Si mund të linçohet publikisht e botërisht nga tribuna prestigjoze e të mirënjohura për etikën e tyre një person, që as nuk pyetet për të dhënë opinionin e tij? Dhe si ka mundësi që vetëm e vetëm, pse i akuzuari është vëllai i kryeministrit të vendit të një skuadre kombëtare, që dhunohet psikologjikisht e fizikisht në një fushë mike, dhe vetëm e vetëm pse mbi stadiumin e vendit pritës fluturon një “flamur” me simbole kombëtarë të miqve, titujt e mëdhenj të merren me këto e jo me racizmin e me dhunën fizike të ushtruar haptaz ndaj lojtarëve miq në kualifikimet e kampionatit europian?! Jürgen Klopp e tha si zakonisht shumë shkoqur të vërtetën e thjeshtë dhe e mbaroi duke thënë se ajo ndeshje s’kishte lidhje me fair play-n. Po unë do të shtoja se as shumë gazeta e televizone, edhe në Gjermani, s’kishin lidhje me fair play-n deontologjik të gazetarisë! Sa për lojtarët tanë jam krenar se nuk ranë në kurthin e tmerrshëm të asaj dhune psiqike e fizike, luajtën më mirë se Serbia, patën më shumë raste e padyshim, shumë më tepër dinjitet në një fushë, ku ishte ndaluar jo vetëm çdo flamur shqiptar, po edhe çdo shall e distinktiv shqiptar edhe për 45 personat, që shoqëronin skuadrën kombëtare në tribunën VIP.

Sa i madh është rreziku i nacionalizmit “shqiptaromadh” për shtetet e rajonit?

Shqipëria e Madhe është makth serb, jo projekt shqiptar! “Shqipëria e Madhe” nuk është në axhendën politike të asnjë partie politike në Shqipëri dhe as nacionalisti më ëndërrimtar shqiptar nuk sheh tek banderola e stadiumit të Beogradit Shqipërinë e vet të Madhe! Shqiptarët në shumicë dërrmuese duan “Europën e Madhe” me Shqipërinë, Kosovën e të gjitha vendet, ku ata banojnë në rajon, brenda BE-së! Ndërsa vetë nacionalizmi është padyshim një rrezik për rajonin, përderisa papunësia, varfëria, plagët e mëdha sociale në tërësi dhe qëndrimi jashtë Europës së Bashkuar janë fenomenë me impakt të madh shoqëror. Mos harroni po ashtu se Ballkani është një rajon jo vetëm multietnik, po edhe multifetar, çka bën shumë të vyer bashkëjetesën në paqe, që kemi arritur, po edhe shumë të madh potencialin eksploziv, në rast se paqja nuk ushqehet me projekte integrimi europian, bashkëpunimi, prodhimi e punësimi për vendet tona.

Si janë pozicionet e Shqipërisë ndaj shqiptarëve në vendet fqinje (Kosovë, Serbi, Maqedoni, Mal të Zi, Greqi)?

Të qarta si drita e diellit: Të bashkuar drejt Europës!
Intervistën e zhvilloi Sonila Sand.

Serbët, të paaftë për paqe me fqinjët

Autokritika e një sllavi për bashkëkombasit e tij që nuk dinë se çfarë është dialogu, që theren për territore që u kanë shkaktuar shumë vuajtje fqinjëve. Akuza Millosheviçit dhe gjithë atyre që e sollën në pushtet, intelektualë dhe gazetarëShkrimtari Mirko Kovaç është shprehur se serbët nuk kanë haber për politikë, nuk kanë haber për kompromise, sepse nuk kanë diplomaci. Ata nuk e dinë çfarë është dialogu, theren për territore dhe janë të paaftë në paqe me fqinjët. Kovaç akuzon serbët për vuajtjet që u kanë shkaktuar në kohëra të ndryshme popujve fqinjë. Ai akuzon jo vetëm Millosheviçin por të gjithë ata që e sollën në pushtet intelektualë, gazetarë, madje edhe klasa qytetare janë përgjegjës në krime. “Vuajtja që ndodh diku tjetër ose në afërsinë tënde, duhet të jetë gjithashtu vuajta jote. Ndonëse krimi nuk vjetërohet, është humbur rasti që Dobrica Qosiqi të gjykohet si një kriminel lufte. Po qe se Serbia do të hynte në Bashkimin Evropian, modeli i të menduarit do të mund të ndryshonte diçka për nja 5-6 dekada” shprehet Kovaç.

Mbi dy dekada keni sinjalizuar për dëmin e politikës serbomadhe, të elitës shpirtërore serbe, me në krye babain fatal të kombit, shkrimtarin Dobrica Qosiqi për frymëzimin dhe propagandimin e politikës hegjemoniste serbomadhe, të politikës së urrejtjes, gjenocidit, luftës. Cili është dimensioni real i dëmit të një politike të tillë dhe përgjegjësia e elitës shpirtërore serbe për pësimet nga lufta dhe për gjendjen e tashme?

Nuk mund të thuhet vetëm ashtu kalimthi është shkaktuar dëm “sepse bëhet fjalë për jetë njerëzore, për vdekje të civilëve, vdekje të fëmijëve të pafajshëm. Të ashtuquajturat dëmet materiale mund të sanohen, por krimet që kanë mbetur pas babait fatkeq dhe të bashkëpunëtorëve dhe ndihma qarëve të tij, janë diçka që hyjnë në historinë e turpshme të neverisë”. Para disa ditësh në javoren boshnjake, “Dani”, miku im Marko Veshoviçi, poet i shkëlqyeshëm dhe një figurë madhore morale e kësaj kohe, ka shkruar bukur një libër i cili flet për kohën e ndërhyrjes së NATOs, kur e përmend rastin e një vajze shqiptare të rrëmbyer diku në shpatet e Kopaonikut. Fqinja e asaj familjeje shqiptare, serbja, ka shkuar te ushtarët që t’i lusë ta lirojnë vajzën, sepse ishin komshinjtë e tyre, shqiptarë, njerëz të pafajshëm. Ai ushtari serb e kishte marrë në pyetje atë bashkëkombësen e vet, e kishte nxjerrë thikën dhe para saj e kishte therur vajzën shqiptare. Veshoviçi më tej thotë se sikur të ekzistonte vetëm kjo vrasje, e vetme, do të duhej penduar i tërë populli serb. Ose, Zoti do të duhej ta dënonte në tërësi. E, pastaj Veshoviçi me zhgënjim konkludon: “Por, Zoti është një thashethemnajë e paverifikuar”.

Çfarë sugjeron teza e Qosiqit se tokat serbe janë shumë më të mëdha nga populli i cili jeton në to? Ndërkaq, historiania serbe, Latinka Peroviç, mendon krejtësisht ndryshe, serbet humbin në luftë atë që mezi disi e kanë arritur, e kanë arnuar në paqe?

Për këtë kam shkruar në një tekst më të gjatë për Qosiqin. Aty kam thënë se një konstatim i tillë qesharak, kavanesk, joserioz, në asgjë i bazuar, por pas së cilit janë kallur naciofilët, e ka ngritur aq shumë themeluesin e saj, aq sa askush më, pastaj nuk ka pasur guxim ta verifikojë apo ta ristudiojë, sepse ishte pranuar si një fakt, si një e vërtetë e pa rrënuar, si një çast lucid i Mesisë. Më pas deklarohet edhe vetë krijuesi i kësaj thënieje të mençur, duke shtuar se në këtë thënie e ka bazuar tërë jetën vetanake dhe se “e ka sublimuar eksperiencën e vet dhe vitet e të medituarit”. Historiania, shkrimtarja e mrekullueshme, personi i mrekullueshëm, Latinka Peroviç mendon krejtësisht ndryshe, duke pohuar se më parë mund të thuhet se serbët humbasin në luftë atë që në një mënyrë, mezi e kanë arnuar në paqe. Ajo thotë se Serbia nga viti 1876 çdo 14 vjet e ka bërë nga një luftë. Kjo do të thotë së serbët nuk kanë haber për politikë. Latinka pohon se politika, pos të tjerash, është edhe evitim i rrezikut. E, lufta është rrezik dhe fatkeqësi, e cila të gjithë i hedh prapa. Ajo që serbët e humbin në paqe, do të thotë se nuk kanë haber për kompromise, se nuk kanë diplomaci, se nuk dinë çfarë është dialogu, se theren për territore, se janë të paaftë në paqe me fqinjët etj. Kjo krenari e humbësit realisht është ndjenjë e inferioritetit, prandaj edhe ndodh rënia si e pa kokë në luftëra. Lufta është gjendje e papërgjegjësisë, mundësi krimi, një lloj ndjekjeje primitive dhe e gjuetisë ndaj tjetrit dhe të ndryshmit, të tjetër farit.

Qosiqi dhe kompania me veprimtarinë e gjithëmbarshme a kanë krijuar rrethana që nacionalizmi të shndërrohet në një gjendje patologjike, për krijimin e ndjenjës së pasigurisë të populli vetanak dhe a e kanë kultivuar frikën psikotike për rrezikueshmërinë e serbeve?

Gjithçka kjo ka ndodhur në hapësirat tona, rrjedh nga këto kuzhina nacionaliste serbe. Ngjizja e ish-komunistëve, e Kishës dhe e çetnikëve ka luajtur rolin kyç në luftërat e kaluara. Serbet i kanë nxitur luftërat në Kroaci, Bosnje dhe në Kosovë, por ata sikur këtë e harrojnë gjithnjë e më shumë, kurse historianët e tyre tashmë gjejnë arsyetime për krimet që i kanë bërë. Së shpejti do të dalë se ata janë qengja të pafajshëm!

Nacionalizmi nuk mund të eliminohet aq lehtë e shpejt, sidomos nga shoqëria serbe, ku është aq i rrënjosur. Nacionalizmi sikur ka mbetur i paprekur, keni shkruar. Cilat janë pikëmbështetjet e nacionalizmit serb dhe a janë mbetur të paprekura ato shtylla?

Elita është pikëmbështetje sot sikur ishte edhe në të kaluarën. Millosheviçi nuk ka ardhur vet në pushtet, as që i ka bërë vetëm krimet. Me të ishin pothuaj të gjithë intelektualët, Shoqata e Shkrimtarëve Serbë, Shoqata e Artistëve Serbë, Akademia e Shkencave, gazetarët, institucionet e kulturës, Kisha, policia, ushtria edhe vet opozita, madje edhe klasa e dikurshme qytetare, e cila atë e shihte si antikomunist i cili serbëve ua ka kthyer dinjitetin. Ky është një konceptim i gabuar dhe i sëmurë i dinjitetit.

A kanë ndodhur në Serbi ndërrimet esenciale politike pas rënies e vdekjes së Millosheviçit, a është bërë demillosheviçizimi. A ka ndryshime esenciale në planin e kulturës. Keni deklaruar se serbët për një kohë të gjatë nuk do të dalin nga bërlloku. Një popull që i kremton kriminelët sikur është Karaxhiçi, Mlladiçi apo Millosheviçi, populli tek i cili Shesheli mund të këtë ithtarë, nuk ka perspektivë?

Vështirë që të paraqitet një psikolog i tillë. Kjo është vetëm një metaforë, figurë që e kam përdorur. Duhet zhdukur plotësisht ky model, për çfarë duhet një periudhë e gjatë kohore. Po qe se Serbia do të hynte në Bashkimin Evropian, do të mund të ndryshonte diçka për nja 5-6 dekada.

A konsideroni se duhet të përgjigjen disa intelektualë, letrarë, artistë serbë, të cilët me paraqitjet dhe me veprimin e tyre kanë nxitur urrejtjen etnike, mos tolerancën, luftën e krimet?

Po, kjo është dashur bërë deri tani. Ta zëmë Milorad Vuçeliçi, i cili ishte drejtor i Televizionit të Millosheviçit, një luftë nxitës, është po aq kriminel sa edhe Millosheviçi. Ai sot udhëheq një revistë dhe nuk bashkëndien me bashkëmendimtarët e vet shpirtërorë e moralë, të cilët gjykohen në Hagë. Sikur të ishte i moralshëm, do të solidarizohej me pajtashët (jaranët) e tij dhe vullnetarisht do të shkonte në Hagë.

Mirko Kovaç ishte shkrimtar malazez, kroat dhe serb

Kovaç lindi në fshatin Petrovici Nikshiq (në atë kohë në Drina Banovina, Mbretëria e Jugosllavisë, tani në Mal të Zi). Veprat e tij janë romanet: Gubilište, Moja sestra Elida, Malvina, Ruganje s dušom, Vrata OD utrobe (të cilat i dhanë atij Çmimin NIN në vitin 1978), Uvod u drugi Zivot, Kristalne rešetke, Grad u zrcalu, dhe tregimet e shkurtra: Rane luke Meštrovi?a i Nebeski zaru?nici; përmbledhje esesh: Evropska trulež i drugi eseji, Na odru, Cvjetanje Mase, Elita Gora od rulje; Scripts film Okupacija U 26 slika. Ai botoi Knjiga pisama me shkrimtarin serb Filip Davidit. Ai mori çmimin serb “Andiç” në vitin 1987, çmimin suedez Tucholsky (1993), Çmimin Gjermane Herder (1995), Çmimin malazez Njegosh (2009) dhe çmimin Trinaestojulska (2004), Çmimin Vilenica sllovene (2003) dhe çmimin kroat Vladimir Nazor (2008). Ai jetoi në Beograd, por u transferua në Rovinj, Kroaci, vendlindjen e gruas së tij, pasi Millosheviçi erdhi në pushtet. (Shekulli)

Dosja e plotë e UEFA-s

UEFA ka nisur procedurat disiplinore ndaj Federatës Serbe të Futbollit (FSS) për hedhje të fishekzjarrëve dhe flakadanëve (Neni 16, paragrafi 2, pikat b dhe c) të Kodit Disiplinor të UEFA-s), për shqetësime dhe parregullsi të publikut (Neni 16, paragrafi 2, pika h), pushtim të fushës (Neni 16, paragrafi 2, pika a), organizim i pamjaftueshëm (Neni 16, paragrafi 1) dhe përdorim i lazerit (Neni 16, paragrafi 2, pika d).Ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) ka nisur procedimi për refuzim për të luajtur (Neni 27, paragrafi 1 i Rregullores së Kompeticioneve të UEFA-s) dhe për parrullë të paligjshme (Neni 16, paragrafi e i Kodit Disiplinor të UEFA-s). Këto dy çështje dp të meren për shqyrtim nga Trupi Gjykues i UEFA-s për çështjet e Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës më 23 tetor (të enjten e javës tjetër).

Kodi Disiplinor i UEFA-s

Neni 16 (Rregulli dhe siguria në ndeshjet e kompeticioneve të UEFA-s)

Paragrafi 1

Vendet dhe klubet pritëse janë përgjegjës për rregullin dhe sigurinë brenda dhe rreth stadiumit, përpara, gjatë dhe pas ndeshjeve. Ata janë përgjegjës për incidentet e çdo lloji dhe ndaj tyre do të merren masa disiplinore, të cilat mund t’i shmangin vetëm nëse provojnë se nuk kanë treguar neglizhencë në as edhe një aspekt të vetëm në organizimin e ndeshjes.

Çfarë ndodhi

Serbia dhe federata e saj ishin të vetmit përgjegjës për rregullin (që mungoi totalisht), sigurinë (fare minimale), si përpara ndeshjes (lojtarët shqiptarë u ofenduan në kor gjatë nxemjes), gjatë (hyrja e tifozëve në fushë, hedhja e objekteve, goditja e lojtarëve shqiptare) dhe në përfundim (për shumë kohë nuk mund të garantonin sigurinë e delegacionit shqiptar dhe ta shoqëronin në stadium).

Të gjitha këto janë të provuara me pamje të qarta filmime dhe fotografi, kështu që serbët nuk kanë mundësi as të provojnë se nuk kanë neglizhuar në asnjë aspekt (dyert e tifozëve të hapura, policët dhe punëtorët e sigurisë që nuk ndërhyjnë, madje bëhen palë kur tifozët godasin lojtarët kuqezi në fushë dhe stafin gjatë rrugës për në dhomat e zhveshjes).

Masat e mundshme

Vetëm për këtë paragraf, automatikisht ndeshja i jepet me rezultat në tavolinë 0-3 Shqipërisë. Precedentë ka shumë, më i qarti është Danimarkë-Suedi i qershorit 2007 për eliminatoret e Euro 2008, kur një tifoz i vetëm danez hyri në fushë dhe sulmoi arbitrin Herbert Fandel (ndeshja u ndërpre menjëherë dhe Norvegjia fitoi 0-3 në tavolinë).

Në këtë ndeshje punëtorët e sigurisë nuk u panë dhe kjo u cilësua neglizhencë e pritësve (danezëve). Në Serbi punëtorët e sigurisë ishin të pranishëm, por pasiviteti i tyre dhe aktivizimi kundër shqiptarëve provon që neglizhenca ishte e pafalshme. Gjobat dhe pezullimi i fushës apo disa ndeshje të luajtura pa tifozë janë masat e tjera, të cilave serbët nuk mund t’i shmangen.

Neni 16, paragrafi 2

Paragrafi 2 bën përgjegjës vendin pritës apo udhëtues për sjellje të papërshtatshme të një pjese apo të gjithë tifozerisë së tyre dhe ndaj tyre do të merren masa disiplinore, të cilat mund t’i shmangin vetëm nëse provojnë se nuk kanë neglizhuar në organizimin e ndeshjes.

a) për pushtim apo pushtim të tentuar të fushës së lojës

b) hedhje të objekteve në fushë

c) ndezja e fishekzjarrëve dhe objekteve të tjerë

d) përdorimi i lazerave dhe objekteve të tjerë të ngjashëm

e) përdorimi i gjesteve, fjalëve, apo mjeteve të tjerë për të transmetuar mesazhe që nuk janë të përshtatshëm për ngjarje sportive, veçanërisht mesazhe që janë me natyrë politike, ideologjike, fetare dhe me natyre sulmuese e provokuese.

f) akte shkatërrimi

g) përbuzje e himneve kombëtare apo himneve të kompeticionit

h) çdo mungesë tjetër disipline e vënë re brenda dhe rreth stadiumit.

Serbia

Çfarë ndodhi: UEFA ka nisur procedimet ndaj Serbisë për pikat a, b, c, d dhe h. Pushtimi i fushës (a), hedhja e objekteve në fushë (b), ndezja e fishekzjarrëve dhe objekteve të tjerë (flamuri shqiptar, fanella e Shqipërisë dhe flamuri i NATO-s u dogjën dhe për këtë ka prova të qarta filmike e fotografike), (c), përdorimi i lazerave (d) dhe mungesat e tjera të disiplinës (brenda dhe jashtë të stadiumit ndodhi gjithçka e imagjinueshme dhe e paimagjinueshme) (h) janë shkeljet flagrante për të cilët Serbia do të përgjigjet dhe provat ndaj saj janë të pakundërshtueshme. Dënimet për këto shkelje përfshijnë humbjen 0-3 në tavolinë, gjoba dhe masa të tjera.

Çfarë mungon

UEFA nuk ka nisur procedim ndaj Serbisë për pikat e, f, dhe g. Në stadium thirrjet “Vritini, vritini shqiptarët”, gjestet anti-shqiptare, mjetet e tjerë (parrulla anti-Shqipëri, anti-Kosovë, anti-Bosnje dhe anti-Kroaci ishin të pranishme), u dëgjuan dhe u panë qartë. Mesazhet ishin politike dhe me natyrë provokuese (përpara fillimit të ndeshjes), kështu që FSHF duhet patjetër që të kërkojë dënimin e serbëve edhe për këtë pikë.

Aktet e shkatërrimit (pika f) u panë qartë, teksa lojtarët dhe stafi i kombëtares shqiptare u godit me stolat nga tribunat. Tjetër shkelje flagrante, për të cilën serbët duhet të përgjigjen dhe federata jonë duhet të ankimohet.

Përbuzja e himnit kombëtar shqiptar gjatë momentit të ekzekutimit të tij është një tjetër pikë për të cilën UEFA nuk ka nisur procedim dhe për të cilën FSHF-ja duhet të revoltohet dhe të paraqesë provat e qarta televizive, pasi serbët nuk mund të shmangin kurrsesi dënimin për atë që gjithë bota pa dhe dëgjoi të martën në mbrëmje.

Shkeljet e tjera

Federata serbe është përgjegjëse për shkelje të tjera të rënda të Kodit Disiplinor dhe Rregullores së Kompeticioneve. Më poshtë po ju listojmë disa prej tyre (më flagrantet), për të cilat UEFA nuk ka nisur procedime disiplinore, por që duhen ankimuar nga FSHF-ja.

Kodi Disiplinor

Neni 11 (Shkeljet),

Paragrafi 1 (mos zbatimi i Ligjeve të Lojës, Statuteve të UEFA-s, rregullore, direktivave, shkelje e etikës dhe integritetit).

Pika h – ndërprerje me dashje apo braktisje e ndeshjes dhe përgjegjës për ndërprerjen apo braktisjen e ndeshjes.

Pika j – kryerja e akteve të sulmeve fizike.

Pika k – sjellje jo sportive.

Neni 14 (Racizëm, akte diskriminuese dhe propagandë)

Paragrafi 1: Çdo person që fyen dinjitetin njerëzor të një personi apo një grup personash të çfarëdo prejardhjeje, duke përfshirë ngjyrën e lëkurës, racën, fenë apo origjinën etnike dënohet me jo më pak se 10 ndeshje apo një periudhë e specifikuar kohore.

Paragrafi 2: Nëse shkeljet e paragrafit 1 bëhen nga anëtarë të federatës apo tifozë të skuadrës, dënohet edhe fusha.

Paragrafi 3: Nëse bëhet fjalë për përsëritje atëherë merren masa si humbje e ndeshjes në tavolinë, zbritje pikësh dhe skualifikim nga kompeticioni.

Neni 19 (Përsëritja)

Paragrafi 1: a) Nëse një federatë është përsëritëse për shkeljet, atëherë dënimi i ri është 1 vit, nëse dënimi i parë ka qenë 1 ndeshje.

b) 3 vite vite, nëse dënimi i parë ka qenë 2 ndeshje.

Shqipëria

Ndaj federatës sonë është nisur procedimi për Nenin 16, paragrafi 2, pika e, pra për përdorimin e gjesteve, fjalëve apo mjeteve të tjerë për të transmetuar mesazhet jo të përshtatshëm, me natyre politike e provokuese.

Flamuri i Shqipërisë Etnike, që fluturoi me minikopterin mbi stadiumin e Beogradit erdhi nga jashtë tij (më saktë nga rreth tij, pra për këtë aspekt përgjigjet vendi organizator, paragrafi 1 i nenit 16). Nuk mund të vërtetohet me asnjë provë se flamuri ishte vepër e shqiptarëve, për më tepër që tifozëve tanë u ishte ndaluar pjesëmarrja në stadium dhe shfaqja e simboleve kombëtare.

Rregullorja e Kompeticioneve të UEFA-s

Ndaj Shqipërisë është nisur procedimi disiplinor për shkelje të mundshme të nenit 27, paragrafi 1, ku thuhet:

– Nëse një federatë refuzon të luajë apo është përgjegjëse për mos zhvillimin e një ndeshje apo për mos përfundimin e saj, Trupi Gjykues i Kontrollit dhe i Disiplinës në UEFA merr një vendim për këtë çështje.

Çfarë ndodhi

Pas dhunës në fushë, ku lojtarët shqiptarë u sulmuan dhe u goditën nga tifozët sërbë, disa lojtarë dhe punonjësit e sigurisë, gjyqtari Atkinson i urdhëroi të dy skuadrat të futeshin në dhomat e zhveshjes. Vetë delegati i UEFA-s, Herri Bin deklaroi: “Ne kemi një situatë për keqardhje, për të cilën ne do të raportojmë, zyrtarët e UEFA-s që ishim këtu, unë dhe këshilltari i sigurisë.

Rrethanat ishin të tilla sa që ne nuk kemi mundur ta vazhdojmë ndeshjen. Të gjithë e keni parë se çka ka ndodhur dhe unë nuk mund të komentoj për atë se kush duhet të fajësohet për atë që ka ndodhur. Unë do të raportoj së bashku me kolegët e mi në UEFA dhe ajo do të vendosë se çka do të ndodhë më”. P

ra vetë zyrtari i ndeshjes e pranon se nuk ishin kushtet për të vazhduar ndeshjen dhe për këtë nuk mund të fajësohet kurrsesi dhe të dënohet federata shqiptare, me lojtarët dhe gjithë delegacionin nën dhunën fizike dhe psikologjike.

Asnjë skuadër tjetër në botë dhe asnjë federatë nuk mund të pranonte që ndeshja të rifillonte në ato kushte, kur disa prej lojtarëve ishte të dëmtuar dhe provat në favor të federatës sonë janë të shumta, madje shumë prej tyre mund të gjenden edhe në raportet e gjyqtarit Atkinson, delegatit Bin dhe vëzhguesve apo komisionerëve të UEFA-s për ndeshjen. /SuperSport.al/

Deklarimi i Albin Kurtit në Kuvendin e Kosovës, e enjte, më 2 tetor, dita kur duhej të vazhdohej seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, mirë se e gjejmë njëri tjetrin në këtë seancë të Kuvendit të Republikës, të këtij organi më të lartë legjislativ dhe politik të shtetit tonë të pavarur,Ne jemi mbledhur sot këtu në mënyrë që të shprehim pakënaqësinë tonë dhe papajtueshmërinë tonë me shtyrjet e vazhdueshme të konstituimit të Kuvendit të Republikës, përkatësisht me ndërprerjet e padrejta, e të paligjshme dhe me mos-vazhdimin e seancës konstituive e cila do ta bënte fillimin e legjislaturës së 5-të, të Kosovës.

Partia në pushtet, e cila është parti shtet, dhe e cila e ka lënë shtetin e Kosovës praktikisht pa Republikë dhe që po bën gjithçka që ta lë edhe pa Kuvend, duhet të shkojë.

Me qeverinë e kaluar, Kosova nuk mund të ketë të ardhme dhe ne jemi bërë bashkë që Kosova të ketë të ardhme, që Kosova të ketë edhe të tashme, duke i dhënë prioritet drejtësisë ligjore, zhvillimit ekonomik, reformave institucionale, mirëqenies së qytetarëve, dhe jemi bërë bashkë që në vijim të luftohet krimi, të luftohet korrupsioni, të hapet perspektiva për qytetarët, për të gjithë ata dhe për secilin prej tyre pa asnjë dallim.

Jemi dëshmitarë që seanca konstituive u ndërpre, më pastaj ajo u vazhdua, pikërisht për t’u ndërprerë dhe tash së fundi ajo u shty që të mos vazhdohet. Republika e Kosovës është republikë parlamentare dhe republika parlamentare është e organizuar rreth shumicës dhe mbi shumicën.

Partia në pushtet, qeveria në ikje, qeveria në largim, apo më mirë të themi qeveria e kaluar, është ajo e cila e sheh vendin tonë dhe zgjedhjet demokratike si një garë automobilistike kush ka dalë i pari aty, mirëpo republika nuk organizohet rreth të parit në garë, republika organizohet rreth shumicës së tërësisë. Shumica e tërësisë jemi ne, që me procedurat e partizuara po parandalohet që ta bëjë konstituimin e legjislaturës së V-të.

Ne jemi zotuar sot, që të vazhdojmë me punën tonë të përbashkët, që qëndrimin tonë të përbashkët ta bëjmë bashkëveprim dhe rrjedhimisht në javën e ardhshme jemi ne ata të cilët

bashkarisht si përfaqësues të popullit të Kosovës të dalë nga zgjedhjet demokratike , do të vazhdojmë me punën në institucionet tona dhe kësisoj në javën e ardhshme do ta kemi gjithashtu seancën e radhës në përpjekjet tona edhe të vazhdueshme edhe të pandalshme.

Me këtë rast duhet gjithsesi të theksojmë se Kuvendi i Republikës është vendi i deputetëve si përfaqësues të popullit. Porsa u bëmë bashkë ne deputetët që ia duam të mirën vendit, na u pamundësua vendi ynë, na u pamundësua Kuvendi. Mirëpo ja ku jemi sot këtu, për të dëshmuar se ky pamundësim, nuk mund të zgjatë pafundësisht.

Ky është vendi ynë, vendi ku ne e sjellim zërin e qytetarëve, besimin e qytetarëve, interesat e qytetarëve dhe vullnetin e qytetarëve, dhe në përputhje me këtë, ne do të veprojmë edhe në vazhdim.

Kur, me datën 10 Qershor, patëm thënë që nuk do të ketë qeveri të vjetër të këtij regjimi që ripërtërihet pas 8 Qershorit, kur patëm thënë që nuk do të ketë Thaçi 3, pak njerëz kanë besuar në Kosovë, mirëpo po bëhen gati katër muaj, që partia në pushtet nuk mundet, që partia në pushtet ka dështuar, por ne nuk mund të lejojmë që me dështimin e partisë në pushtet, të dështojë edhe shteti, të dështoj republika jonë.

Pra ishim bashkë gjatë kësaj kohe, do të vazhdojmë të jemi bashkë, sepse kështu e do interesi i qytetarëve të republikës sonë.

Unë ju falënderoj shumë për vëmendjen dhe le të vazhdojmë të komunikojmë, ta takohemi dhe të punojmë në mënyrë që atë që nuk u mundësua në këto javët dhe muajt e fundit, ta vazhdojmë ne si shumicë parlamentare, mbi të cilën organizohet Republika dhe në të cilën janë shpresat e qytetarëve.

Faleminderit.