Sinkronizimi i Ballkanit me qendrimet e BE

Edhe pse BE pret nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që t’i afrohen në qëndrimin ndaj Ukrainës, në Bruksel mendojnë se kriza e Ukrainës nuk do ketë ndikim në integrimin evropian dhe stabilitetin në rajon.Brukseli pret nga vendet e Ballkanit Perëndimor, që në procesin e integrimit evropian të përshtaten gjithnjë e më shumë me BE, ndër të tjera edhe në fushat e politikës së jashtme dhe çështjeve ndërkombëtare. Për këtë qëllim me të gjitha vendet e rajonit janë krijuar kontakte bilaterale lidhur me situatën në Ukrainë dhe shpjegimin e qëndrimit evropian për këtë çështje.
“Bashkimi Evropian i bën thirrje vendeve të treta t’u bashkohen qëndrimeve të 28 shteteve anëtare. Kjo vlen të thuhet në kontekstin e situatës në Ukrainë dhe sanksioneve konkrete, që janë miratuar”, thotë për Deutsche Welle zëdhënësja e shefes së diplomacisë së BE, Maja Koçijançiç: “Kjo është veçanërisht e rëndësishme për vendet kandidate dhe kandidate tö mundshme për anëtarësim në BE. Vendimi është në dorën e tyre, por vendet që kanë marrëveshje stabilizimi dhe asociimi kanë detyrim të veprojnë në përputhje me pozicionet e politikës së jashtme të BE. Ambicia është që një harmonizim i tillë me qëndrimet europiane të rritet sa më shumë”, shton Kocijanciç.
Nga vendet e Ballkanit Perëndimor pozicioni i BE-së lidhur me situatën në Ukrainë është mbështetur nga Shqipëria dhe Mali i Zi. Maqedonia nuk është shprehur, ndërsa Beogradi “balancon” ndërmjet Brukselit dhe Moskës. Në Bosnjë-Hercegovinë as për këtë çështje nuk ka konsensus, ku presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, thotë se mbështet “shprehjen demokratike të vullnetit të popullit në Krime.”
Brukseli ndjek se si Ballkani Perëndimor mbështet vendimit e tij
Edhe pse në Bruksel theksojnë se vendet, që dëshirojnë të anëtarësohen në BE, nuk kanë formalisht detyrim të mbështesin vendime të tilla të vendeve anëtare, ata porositen që “t’i ndjekin me vemendje” detyrimet e marrëveshjes së stabilizim-asociimit dhe se kjo do të ketë “efektet e veta” në raportet vjetore mbi progresin e secilit vend në procesin e integrimit evropian. Analistët evropianë megjithatë vlerësojnë se kriza e Ukrainës nuk do të sjellë ndryshime në raportin e BE ndaj integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor.
Përshtatja e politikës së Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE është e dëshirueshme, por në këtë moment nuk është e nevojshme dhe as çështje vendimtare”, thotë për Deutsche Wellen drejtori i grupit të diplomatëve të pavarur Nicholas White.
Burimet diplomatike në Bruksel thonë se BE megjithatë pret që vendet, që pretendojnë për anëtarësim, t’i afrohen gjithnjë e më shumë në qëndrimin ndaj Ukrainës, duke shtuar se kuptohen edhe „vështirësitë e qëndrimit” për Serbinë apo Bosnjë-Hercegovinën. Nga njëra anë nga Bosnjë Hercegovina pritet që të „zgjidhë procedurat e saj të brendshme”, ndërsa nga Beogradi pritet „një qëndrim pak më i qartë” dhe mosfshehjes pas qeverisë së paformuar ende.
“Serbia, sipas mendimit tim, është me siguri kandidati i parë për anëtarësimin e ardhshëm të BE-së, përpara Malit të Zi dhe Shqipërisë. Në këtë moment unë nuk shoh asnjë ndryshim si rezultat i krizës në Ukrainë”, thotë për Deutsche Welle analisti i Qendrës për Studime të Politikave Evropiane në Bruksel, Michael Emersson.
S’ka asnjë lidhje mes situatës në Ukrainë dhe Republikës Srpska

Njohësit e situatës në Ballkan në Bruksel mendojnë se nuk ekziston rrezik për destabilizimin e situatës në Ballkanin Perëndimor si pasojë e „skenarit të Krimesë”. Lidhur me deklaratën e Presidentit të Republikës së Serbisë Milorad Dodik, se në Republika Srpska “ndjekin mirë atë, që po ndodh në botë” dhe se “do të veprohet në shembullin e përvojave më të mira në botë, kur të vijë koha”, në qendrën për studime të politikave evropiane thonë se BE nuk duhet as të komentojë dhe as të bëjë ndonjë lidhje mes deklaratave të presidentit Dodik dhe situatës në Ukrainë: “Nuk mendoj se mesazhe të tilla nga Republika Srpska merren seriozisht nga BE, as nga Serbia, as nga Kroacia”, vlerëson Emerson për DW.
Argumentet për “vetëvendosje dhe referendum janë mundur të dëgjohen edhe më parë”, kujton Nicholas White dhe shton: “Republika Srpska nuk e ka ndryshuar statusin, as kur Mali i Zi u bë i pavarur, as kur Kosova shpalli pavarësinë, dhe as kur këtë e bëri Sudani i Jugut. Nëse tani diçka është bërë e qartë, ai është reagimi i BE-së, që ka treguar se ky lloj ndryshimi i kufijve nuk tolerohet në bashkësinë ndërkombëtare.”
White thotë se nga pjesë të ndryshme të Ballkanit ditët e fundit ke mundur të dëgjosh interpretime si “Rusia tani ka treguar se është në anën e tyre.” Eshtë “optimizëm i tepruar”, thotë White: “Kjo thjesht nuk është e vërtetë, sepse Rusia është vetëm në anën ruse dhe jo të kujt tjetër”, thotë White në bisedë me Deutsche Wellen. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>