Në Parlamentin e Serbisë ka shpërthyer sot dhunë masive, rrahje dhe ofendime. Është hedhur edhe gaz lotësjellës dhe bomba tymuese. Nga përplasjet ka edhe të plagosur.
Deputetët e opozitës serbe hodhën sot bomba tymuese dhe gaz lotsjellës në sallën plenare të Kuvendit të i Serbisë në shenjë proteste kundër politikave të qeverisë dhe në shenjë mbështetjeje të protestave të studentëveqë po zgjasin më shumë se katër muaj, kundër qeverisë dhe presidentit Vuçiq.
Sipas informacioneve të deritanishme, ka pasur edhe të lënduar. Një deputet është goditur nga një bombë tymuese, ndërsa raportohet se ka është lënduar edhe një deputete shtatzënë.
Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiq, nuk ka dashur ta anulojë seancën përkundër bujës, sharjeve, ofendimeve dhe dhunës së parë. Sipas saj, Jasmina Obradoviq, deputete nga partia në pushtet SNS, së cilës i përket edhe vetë Brnabiq, ka pësuar një goditje në kokë. Dyshohet se ajo është goditur nga një bombë tymuese.
“Për shkakun tuaj, kjo grua tani po lufton për jetën e saj”, u tha Brnabiq deputetëve të opozitës dhe kërkoi: “Të paktën largohuni nga dhoma për respekt”.
“Të duket se jeta njerëzore nuk ka vlerë, jeta e një kolegu që përfaqëson mijëra e mijëra qytetarë”, tha ajo. Më pas Brnabiq ka deklaruar se pamjeve të këtilla “u gëzohen vetëm kundërshtarët e Serbisë, shqiptarët dhe Albin Kurti”.
Disa minuta më vonë, Brnabiq tha se ka pasur edhe deputetë të tjerë të plagosur.
Parlamenti serb duhej të miratonte një ligj që rrit fondet për universitetet – një nga kërkesat kryesore të studentëve që kanë bllokuar fakultetet që nga dhjetori. Është dashur të shpallet edhe dorëheqja e kryeministrit Milosh Vuçeviq, e cila është dhënë pas protestave dhe dhunës në Novi Sad.
dw