Protestues bllokojnë kanalet televizive shtetërore në Serbi

BeogradNë Serbi, protestuesit bllokojnë hyrjen në tre kanale televizive shtetërore. Vërejtjet përçmuese të një prezantuese televizive për protestuesit shkaktuan zemërim spontan.

Në Beograd, Novi Sad dhe Kragujevac, qindra vetë kanë rrethuar ndërtesat dhe janë përpjekur të ndërpresin transmetimin. Studentë dhe qytetarë të tjerë vazhdojnë të mbajnë të bllokuar ndërtesat e disa stacioneve televizive shtetërore në Serbi.

Një natë më parë, protestuesit u mblodhën jashtë selisë së transmetuesit shtetëror RTS në Beograd, pasi një prezantuese e kanalit i përshkroi protestuesit që kanë demonstruar prej disa muajsh si “vulg” (turmë të irrituar) gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë me Presidentin Aleksandar Vuçiç. Që atëherë, protestuesit kanë bllokuar hyrjen në ndërtesë.

Sipas studentëve, policia ka rrahur me shkopinj protestuesit paqësorë gjatë natës. Bllokada vazhdon edhe këtë të martë. Ndërkohë, protestuesit po bllokojnë edhe ndërtesën e televizionit shtetëror të provincës veriore të Vojvodinës (RTV) në Novi Sad dhe atë të transmetuesit lokal RTK në Kragujevac, Serbinë qendrore. RTV të martën ka ndërprerë transmetimet e rregullta dhe ka shfaqur filma.

Që nga nëntori i vitit të kaluar, Serbia është zhytur në një valë të paprecedentë protestash. Protesta udhëhiqet nga studentët e universitetit dhe u nxit nga shembja e tendës së stacionit hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor, e cila vrau 15 vetë. Protestuesit fajësojnë për aksidentin korrupsionin e përhapur mes liderëve të vendit.

Në të njëjtën kohë, ata nuk kërkojnë dorëheqjen e Vuçiçit, i cili të gjitha vendimet e rëndësishme i merr vetë, apo të politikanëve të tjerë në qeveri, por zbatimin pa kompromis të shtetit ligjor. Sipas tyre, kjo do të çonte në dënimin e aktorëve të korruptuar.

Bllokimi i RTS nuk ishte planifikuar. “Aksioni ishte i papritur, por i planifikuar mirë, dhe studentët edhe një herë treguan se sa mirë janë të organizuar”, i tha konsulenti politik Dušan Lj. Milenkoviç DW.

“Regjimi që ka trembëdhjetë vjet në pushtet nuk bën gjë tjetër veçse përsërit të njëjtën gjë. Këtë e dëshmon veprimtaria e Vuçiçit, i cili tenton të kopjojë veprimet e studentëve, por pa sukses”, shtoi Milenkoviçi për DW.

Vala e protestave është përhapur edhe në grupe të tjera të popullsisë dhe nuk ka shenja uljeje. Demonstrata më e madhe masive deri tani është planifikuar për të shtunën e ardhshme në Beograd, me dhjetëra mijëra vetë.

aud (dpa,dlf, dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>