Clinton dhe Trump fitojnë shtetet kyçe në garën e kandidatëve

Trump HillaryRrjetet televizive amerikane e kishin parashikuar fitoren e republikanitDonald Trump dhe demokrates Hillary Clinton në garën e partive të tyre për zgjedhjen e kandidatëve në shtetin e Floridas, në një prej ditëve më të rëndësishme të votimeve për garën presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ish-sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, gjithashtu kishte hyrë në parashikimet se do ta mposhte rivalin e saj, senatorin Bernie Sanders, në Karolinën e Veriut, në Illinois dhe Ohio, duke siguruar katër nga pesë shtetet që votuan në “Super të Martën II”, më 15 mars.

Këto katër fitore i shtohen epërsisë së Clintonit sa i përket delegatëve, duke i siguruar asaj të paktën 326 delegatë më tepër, të cilët do të votojnë për te në Konventën e Demokratëve, këtë verë. Sanders, nga ana tjetër, siguroi 220 delegatë.

Gjatë fushatës në Karolinën e Veriut, Clinton tha se numrat po shtohen në favorin e saj dhe se ajo është një hap më afër sigurimit të kandidaturës demokrate. Nëse Clinton e arrin qëllimin e saj, ajo do të ishte femra e parë në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që e fiton nominimin e një partie.

Clinton sinjalizoi një etje për një përballje të mundshme në zgjedhjet e përgjithshme me Trumpin, duke e akuzuar atë se ka shtruar “një rrugë të rrezikshme” për vendin, duke folur me nënçmim për gratë dhe minoritetet.

“Udhëheqësi i shtetit tonë duhet të jetë në gjendje ta mbrojë vendin tonë, e jo ta vëjë atë në siklet…ai duhet të punojë me aleatët tanë e jo të armiqësohet me ta; ai duhet t’i mposhtë armiqtë tanë, e jo t’i inkurajojë ata”, ka thënë Clinton.

Nga ana e tij, miliarderi Donald Trump e ka mposhtur lehtësisht rivalin e tij, Marco Rubio, në shtetin e tij Florida, duke siguruar të gjithë 99 delegatët për Konventën e Republikanëve, të muajit korrik.

“Ne do të ecim përpara dhe do të fitojmë. Por, më e rëndësishmja, ne do të fitojmë për vendin tonë – ne do të fitojmë, fitojmë, fitojmë dhe nuk do të ndalemi. Ne do të shënojmë fitore të mëdha për vendin tonë”, ka thënë Donald Trump.

Trump gjithashtu ka fituar në zgjedhjet për kandidatë në Karolinën e Veriut dhe në Illinois, duke e shtuar më tej numrin e kandidatëve. Me këto fitore në tri shtete, Trump ka siguruar të paktën 159 delegatë më shumë, duke siguruar gjithsej 619 – një shifër kogja më e madhe sesa ajo e rivalit të tij, senatorit Ted Cruz, i cili ka 394 delegatë.

Trumpit do t’i nevojiteshin 1,237 delegatë për ta siguruar nominimin republikan, kështu që ai mbetet larg arritjes së këtij qëllimi.

Humbja në shtëpinë e tij e Marco Rubios, një nga favoritët në mesin e liderëve të partisë republikane, bëri që senatori i Floridës të largohet nga gara.

Rubio shprehu zemërimin dhe pakënaqësinë me qeverinë që ka nxitur rritjen e Trumpit në një “cunami”, gjë që ka fundosur një numër të madh të rivalëve. “Një gjë e tillë është pritur”, ka thënë Rubio.

Një rival tjetër i Trumpit, guvernatori i Ohios, John Kasich, e ka ngadalësuar hovin e Trumpit drejt sigurimit të kandidaturës republikane, duke shënuar fitore në shtetin e tij, Ohio.

Kjo është fitorja e parë e Kasichit, në garën për zgjedhjen e kandidatëve. Ai fitoi 66 delegatë në Ohio, gjë që po i mban gjallë shpresat e kundështarëve të Trumpit se mund ta ndalin hovin e tij drejt Shtëpisë së Bardhë.

Shumica e rrjeteve televizive thonë se gara në Missouri është shumë e afërt për të dalë me rezultate, edhepse MSNBC ka parashikuar fitoret e Trumpit dhe Clintonit atje. Kutitë e votimit tani janë mbyllur në të gjitha pesë shtetet, ku u votua për zgjedhjen e kandidatëve. (rel)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>