Erdogan: Perëndimi nuk i duron përpjekjet e Turqisë në Ballkan

erdoPresidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në një konferencë për shtyp me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiç në Ankara, tha se Perëndimi nuk mundet t’i durojë përpjekjet e Turqisë veçanërisht në Ballkan.

“Perëndimi nuk mund ta durojë qëndrimin e Turqisë posaçërisht në Ballkan, nuk i duron hapat, iniciativat dhe përpjekjet e Turqisë. Pavarësisht nëse i duron apo jo, ne i realizojmë në mënyrë intensive ato që mundemi në Perëndim dhe Ballkan përmes TIKA-s. Veçanërisht, ne japim të gjitha përpjekjet tona për rigjallërimin dhe ndërtimin e monumenteve historike. Ne do të vazhdojmë t’i bëjmë këto edhe në të ardhmen”, tha Erdoğan.

Erdoğan tha se vëllimi tregtar mes Turqisë dhe Serbisë për herë të parë arriti në një miliard dollarë në vitin 2017, duke shtuar se qëllimi i tyre është që tregtia të arrijë vlerën pesë miliardë dollarë, raporton Anadolu Agency.

“Uroj që nga një miliard dollarë të arrijmë në dy miliardë, më pas në tre, ndërsa qëllimi është të ngritet në pesë miliardë dollarë. Në mesin e synimeve tona prioritare është rritja e investimeve reciproke”, tha presidenti turk.

Ai tha se Turqia do të vazhdojë të ndajë përvojat për zhvillimin e infrastrukturës së transportit të Serbisë.

“Këto projekte do të luajnë rol të rëndësishëm në stabilitetin, paqen, mirëqenien dhe integrimin e rajonit. Projekti i autostradës Beograd-Sarajevë, i cili parashihet të ndërtohet edhe me kontribute të vendit tonë do, do të mundësojë forcimin e marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike të rajonit dhe, para së gjithash, është projekt i miqësisë dhe paqes. Ne dëshirojmë që ky projekt të realizohet sa më parë”, deklaroi Erdoğan.

Erdoğan e cilësoi si të paharrueshëm mbështetjen e homologut të tij Vuçiç në luftën e Turqisë kundër FETO-s, duke shtuar se Serbia i ka ofruar mbështetje Turqisë edhe në luftën kundër organizatës terroriste PKK.

Presidenti i Turqisë njoftoi se me Serbinë janë nënshkruar disa dokumente të rëndësishme në fusha si transporti, teknologjia informative dhe e komunikimit, energjia dhe bashkëpunimi policor.

“Mbi 220 projektet e realizuara nga TIKA në Serbi paraqesin shtyllë të rëndësishme të bashkëpunimit dypalësh. Qendra Kulturore Yunus Emre ofron shërbime për miqtë tanë serbë që dëshirojnë ta mësojnë turqishten. Dhjetra studentëve nga Serbia u ofrojmë mundësi për të studiuar në universitete përmes bursave të Turqisë”, theksoi Erdoğan.

“Populli i Sanxhakut në Serbi dhe shtetasit tanë me prejardhje nga Sanxhaku janë ura njerëzore më e fuqishme mes dy vendeve. Ne i vazhdojmë aktivitetet për ta forcuar këtë lidhje dhe për të kotnribuuar në zhvillimin ekonomik të rajonit”, u shpreh presidenti Erdoğan.

Erdoğan theksoi se disa qarqe janë të shqetësuara nga aktivitetet e Turqisë në Ballkan, duke u përpjekur të manipulojnë me përpjekjet e Turqisë dhe t’i shfaqin ato ndryshe nga ajo që janë.

“Pema që jep frute gjuhet me gurë. Ne u rekomandojmë këtyre qarqeve që në vend se të merren me punë të kota, të fokusohen më tepër për të kontribuuar në paqen dhe stabilitetin e Ballkanit dhe të bëjnë përpjekje atje”, potencoi Erdoğan.

Ai shprehu besimin që klubi turk i basketbollit Fenerbahçe do të fitojë kupën e Ligës së Evropës për herë të dytë në finalen që do të mbahet në kryeqytetin serb Beograd.

Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>