Ndikimi i sanksioneve amerikane në Rusi

sanksionetSanksionet e fundit të Shteteve të Bashkuara ndaj Rusisë të vendosura në fillim të prillit, që kishin në shënjestër dhjetëra zyrtarë të Kremlinit dhe oligarkë me lidhje të ngushta me Vladimir Putinin, po shkaktojnë më shumë pasoja se sa pritej, thonë analistët, por ato nuk kanë minuar popullaritetin e udhëheqësit rus.

Rubla pësoi rënien më të madhe në katër vjet pas njoftimit të sanksioneve të reja Perëndimore ndaj 24 rusëve të pasur dhe 14 kompanive më gjashtë prill, çka tregon se sanksionet mund të kenë ndikim të madh në ekonominë ruse.

Sanksionet duket se kanë goditur rëndë pasurinë e Oleg Deripaskës, i cili ishte në shënjestër të tyre. Ai është pronari i kompanisë Rusal, një nga prodhuesit më të mëdhenj të aluminit në botë, e cila para sanksioneve eksportonte 82 për qind të prodhimeve.

Shumica e analistëve dhe ekonomistëve të anketuar nga Reuters të shtunën thanë se raundi më i fundit i sanksioneve amerikane kundër Moskës ka të ngjarë të frenojë uljen e normave të interesit të planifikuara nga banka qendrore e Rusisë, duke ngadalësuar kështu rimëkëmbjen ekonomike të vendit, pavarësisht rritjes së çmimeve të naftës.

Kërcënimet për hakmarrje

“Sanksionet kanë rritur në mënyrë drastike pasigurinë mbi mjedisin e biznesit në ekonominë ruse”, thotë Kirill Tremasov, ish-zyrtar rus, i cili tani punon në kompaninë financiare Loko-Invest. Kërcënimi për kundërmasa nga parlamenti rus nuk po ndihmon, shton ai.

Kremlini thotë se sanksionet e prillit, të cilat Uashingtoni i vendosi pasi akuzoi Rusinë për “aktivitete keqdashëse”, janë të paligjshme dhe zyrtarët rusë kanë paralajmëruar se do të hakmerren.

Në mes të majit, dhoma e ulët e parlamentit rus do të shqyrtojë legjislacionin mbi hapat hakmarrës, duke përfshirë pezullimin e bashkëpunimit hapësinor dhe bërthamor, si dhe ndalimin e importimit të produkteve bujqësore, farmaceutike, duhanit dhe alkoolit. Disa ligjvënës rusë gjithashtu duan të pezullojnë ligjet mbi të drejtën e autorit për programet kompjuterike të zhvilluara nga individë ose kompani amerikane që përdoren në territorin rus.

Kur Perëndimi vendosi sanksionet e para ndaj Rusisë, pas aneksimit të Krimesë dhe nxitjes së separatizmit në Ukrainën lindore, efekti ishte i kufizuar, sipas analistit Nigel Gould-Davies nga organizata britanike Chatham House, Rusia gjeti mënyra për t’u përshtatur.

Konsideratat për investime

“Por sanksionet më të fundit financiare të Amerikës, të shpallura më 6 prill, janë me pasoja më të mëdha”, thotë Gould-Davies, duke vënë në dukje se sanksionet e fundit kanë krijuar pasiguri më të madhe. “Askush nuk e di se kush mund të jetë në shënjestër në raundin e ardhshëm të sanksioneve. Rusia përballet me një rrezik të ri sistematik: pritshmëritë rreth sanksioneve amerikane tani janë po aq të rëndësishme sa çmimi i naftës për vlerësimin e perspektivave të saj ekonomike.”

Analistët thonë se sanksionet pengojnë biznesin mes kompanive dhe agjensive të huaja dhe kompanive ruse që janë në listën e zezë, përfshirë mbretin e aluminit Deripaska dhe Vladimir Bogdanovin, Presidentin e kompanisë së tretë më të madhe të naftës në Rusi. Dhe vënia në shënjestër e kompanive që tregtohen në bursat Londrës dhe Hong Kongut, ka fshirë asetet e korporatave ruse të investuara në këto bursa.

Sanksione të reja në horizont

Këtë javë, do të shtohet presioni mbi elitën ruse, kur ligjvënësit britanikë të fillojnë procesin e futjes së legjislacionit që do të bllokonte oligarkët dhe zyrtarët rusë të lidhur me abuzimet e të drejtave të njeriut nga bërja e biznesit në vend dhe blerja e pronës në Britani.

“Nëse oligarkët dhe kleptokratët e huaj që kanë kryer krime ose kanë shkelur të drejtat e njeriut papritmas mësojnë se nuk mund të blejnë prona apo të fshehin paratë e tyre në Britani, ata do t’i ndjejnë pasojat,” thotë ligjvënësi britanik konservator, John Penrose.

Por ndërkohë që elita ruse po vuan pasojat e sanksioneve amerikane që kanë vënë në shënjestër oligarkët, duke dëmtuar bizneset e tyre dhe duke ndikuar më shumë në investimet e huaja në vend, mbetet e paqartë nëse ato po dëmtojnë popullaritetin e Putinit në mesin e rusëve, ose nëse kjo do të ndryshojë në të ardhmen.

Kremlini ka qenë në gjendje të ruajë stabilitetin e çmimeve me subvencione, duke zbutur ndikimin e sanksioneve përmes përdorimit të rezervave shtetërore dhe rritjes së të ardhurave nga rritja e çmimit të naftës.

Analistët mbeten të ndarë rreth asaj nëse sanksionet do të detyrojnë Kremlinin të kufizojë atë që Uashingtoni e sheh si aktivitet të jashtëm agresiv, siç është helmimi i dyshuar në Britani i ish agjentit të dyfishtë rus Sergei Skripal. Moska e ka mohuar se ishte i përfshirë në helmimin e ish agjentit të dyfishtë.(voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>