Tarifat ndëshkuese të Trumpit janë bërë një temë shumë e debatuar. Situata me Kinën po tensionohet gjithnjë e më shumë. Nëse kjo prirje vazhdon, përplasja tregtare mund të kthehet në një rrezik real edhe për presidentin kinez, Xi Jinping.
Lufta tregtare mes SHBA-së dhe Kinës po del plotësisht jashtë kontrollit. Të dy liderët – presidenti amerikan Donald Trump dhe udhëheqësi i Kinës, Xi Jinping – nuk po bëjnë asnjë përpjekje për t’u afruar me njëri-tjetrin. Tarifat ndëshkuese amerikane ndaj produkteve kineze të importuara kanë arritur tashmë në 145 për qind, ndërsa ato kineze ndaj mallrave amerikane janë në 125 për qind.
Asnjë ekspert nuk dyshon se kjo përshkallëzim do të ketë pasoja për dy ekonomitë më të mëdha në botë – dhe do të dëmtojë edhe pjesën tjetër të botës.
Trump duket se dëshiron të shkëpusë Kinën nga pjesa tjetër e botës
Në SHBA, planet e Trump-it po marrin formë të re çdo ditë. Vetëm pasi tregjet e aksioneve pësuan humbje drastike dhe tregjet financiare u lëkundën në buzë të kolapsit, ai vendosi të pezullojë për 90 ditë tarifat ndëshkuese që kishte vendosur pak më parë ndaj pothuajse të gjitha vendeve të botës (përjashtim, për shembull, ishte Rusia).
Vetëm Kina nuk u përjashtua nga këto masa. Përkundrazi: Pekini u godit me tarifa edhe më të larta. Qëllimi i Trump-it duket të jetë izolimi total i Kinës dhe shkëputja e saj nga ekonomia botërore.
Pas 90 ditësh, ai do t’u kërkojë europianëve, kanadezëve dhe aleatëve të Amerikës në Azi – veçanërisht Koresë së Jugut dhe Japonisë – të heqin dorë nga marrëdhëniet tregtare me Kinën ose të paktën t’i reduktojnë ndjeshëm. Në të kundërt, do të përballen me tarifat ndëshkuese të paralajmëruara.
Trump po ndjek me përpikëri skemën që përdorte në kohën kur ishte magnat i pasurive të paluajtshme. Ai krijon situata ku mund të ushtrojë presion maksimal mbi kundërshtarët, derisa ata të mos kenë më asnjë zgjidhje tjetër veçse të pranojnë ofertën e tij. Kjo qasje u pëlqen shumë prej mbështetësve të Trumpit në SHBA.
Në Kinë, zërat kundër Amerikës po bëhen gjithnjë e më të zëshëm
Fakti që gjatë këtij procesi po shkatërrohen aleanca të ndërtuara prej dekadash, duket se shqetëson pak vetë. Madje, në SHBA po rritet edhe një frymë anti-europiane, e nxitur nga vetë Trumpi, i cili gjatë njoftimit të tarifave ndëshkuese në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë, i quajti aleatët e vjetër europianë “të mjerë”.
Megjithatë, gjithnjë e më shumë mbështetës të linjës MAGA po kuptojnë se situata e tyre personale nuk është përmirësuar – për disa madje është përkeqësuar – që kur Donald Trump ka hyrë në Shtëpinë e Bardhë.
Ndërkohë, edhe në Kinë zërat antiamerikanë po bëhen gjithnjë më të fortë. Për momentin, dominon një frymë luftarakë që mban të bashkuar radhët. Kjo përforcohet edhe nga fakti që udhëheqësi Xi Jinping prej vitesh ka paralajmëruar se vendi mund të përballet me kohë të vështira gjeopolitike.
Që prej ardhjes në pushtet në vitin 2013, ai ka folur për një Perëndim që është në rënie dhe një Kinë që po ngrihet. Megjithatë – dhe kjo është theksuar gjithnjë e më shumë sidomos pas pandemisë – Xi ka paralajmëruar se “fuqi të errëta” po punojnë në prapaskenë për të ndalur ngritjen e Kinës.
Asgjë nuk do të ishte më e keqe për Xi-n sesa një humbje e prestigjit në Shtëpinë e Bardhë
Pekini po komunikon në mënyrën e vet se, pavarësisht përshkallëzimit të tarifave ndëshkuese, është i gatshëm të flasë me Uashingtonin. Megjithatë, Partia Komuniste preferon takime në nivel pune, ku arrihet një marrëveshje në mënyrë të ftohtë, të thatë dhe me përpikëri teknike.
Ndërkohë, Donald Trump dhe administrata e tij duan që presidenti amerikan dhe Xi Jinping të ulen bashkë në një dhomë, për të arritur një marrëveshje në stilin e “imperialistëve”.
Jo vetëm që pas takimit të dështuar mes Trump-it dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë, Pekini nuk ka besim tek këto takime spontane e të papërgatitura. Asgjë nuk do të ishte më e keqe për Xi-n sesa të humbte prestigjin në Shtëpinë e Bardhë nëse do të përçmohej nga Trump-i.
Gjendja ekonomike e popullit kinez është më e keqe se para pandemisë
Thuhet në internetin kinez se qeveria në Pekin i ka vendosur SHBA-së tarifa ndëshkuese prej 34 përqind – jo 33 ose 35 – për të përkujtuar 34 aktakuzat me të cilat përballet presidenti amerikan në gjykatë. Sa kohë do të jenë këto reagime simbolike të mjaftueshme për të kënaqur popullin kinez, mbetet për t’u parë.
Njerëzit në Kinë ekonomikisht janë më keq sesa përpara pandemisë
Tregu i pasurive të paluajtshme është kolapsuar dhe me të ka humbur kursimet e veta shtresa e mesme. Papunësia e të rinjve është në 20 përqind, kërkesa e brendshme është e paralizuar, njerëzit shikojnë me pasiguri drejt së ardhmes.
Meqenëse Xi e ka lidhur zotësinë e tij politike me vizionin e një Kine të begatë që dominon botën, ai nuk do të mund t’ia hedhë askujt tjetër në radhët e tij pasojat negative të luftës tregtare me SHBA-në.
Për Xi mund të bëhet ngushtë
Për momentin nuk duket sikur ditët e tij janë të numëruara. Por në vitin 2027, kur “zgjidhet” për një mandat të katërt, mund t’i mohohet besnikëria dhe ai, i stolisur me kurora dafine, të dërgohet në pension.
Nëse kinezët, të prekur rëndë nga pasojat e luftës tregtare me SHBA-në, dalin në rrugë për të protestuar në javët e ardhshme – ashtu siç bënë në nëntor 2022 kundër masave drakoniane anti-COVID të Pekinit – atëherë mund të bëhet vërtet ngushtë për Liderin Suprem të Kinës.
Atëherë e shpëtoi vetëm fakti që brenda natës mundi të shpallte përfundimin e të gjitha masave dhe të deklaronte se virusi ishte mposhtur. Por këtë herë, mundësitë e Xi-t janë të kufizuara nga ajo që vendoset në Uashington.
Huazuar nga fokus.de / Alexander Görlach
Alexander Görlach jep mësim mbi teorinë dhe praktikën e demokracisë në Universitetin e Nju Jorkut. Më parë ka mbajtur pozicione të ndryshme në Universitetin Harvard dhe në Këshillin Carnegie për Etikën në Marrëdhëniet Ndërkombëtare. Pas një periudhe si profesor i ftuar në Tajvan dhe Hong Kong, ai është përqendruar në ngritjen e Kinës dhe në atë që kjo nënkupton për demokracitë në Azinë Lindore në veçanti. Nga viti 2009 deri në 2015, Alexander Görlach ishte botues dhe kryeredaktor i revistës së debatit The European, të cilën e themeloi vetë. Ai jeton në Nju Jork dhe Berlin.