Në një letër drejtuar homologut të tij serb, Presidenti rus Vladimir Putin shprehet se ai “vlerëson lartë politikë e jashtme të balancuar të Serbisë”, si dhe mbështetet ato që i quan përpjekje të Serbisë për të mbrojtur integritetin territorial në përballjen me Kosovën.
Rusia është aleati kryesor i Serbisë në kundërshtimin që ky vend i bën pavarësisë së Kosovës, të shpallur 15 vite më parë. Beogradi ka refuzuar të zbatojë sanksionet e Bashkimit Evropian të vendosura ndaj Moskës lidhur me agresionin e saj në Ukrainë, pavarësisht ambicieve për anëtarësim në BE.
Serbia ka ruajtur prej kohësh një balancë delikate mes aspiratave për në BE dhe partneritetit me NATO-n nga njëra anë, e lidhjeve të saj shekullore, etnike e fetare, me Rusinë nga ana tjetër.
Por ndërsa tensionet BE-Rusi përshkallëzohen, thirrjet perëndimore që Beogradi t’i bashkohet sanksioneve kundër Moskës, duke harmonizuar politikën e tij të jashtme me Brukselin, po bëhen më të forta.
“Serbia është një partner i rëndësishëm dhe i besueshëm i Rusisë”, shkruante Presidenti Putin në letrën drejtuar Presidentit serb Aleksandër Vuçiç, me rastin e ditës së pavarësisë së këtij vendi, që shënohet të mërkurën më 15 shkurt.
“Ne e vlerësojmë shumë kursin e balancuar të Beogradit në politikën e jashtme, në një mjedis ndërkombëtar të ndërlikuar. Ne mbështesim përpjekjet për të mbrojtur integritetin tuaj territorial dhe për të zgjidhur çështjen e Kosovës”, shkruante zoti Putin.
“Jam i bindur se një zhvillim i mëtejshëm i partneritetit strategjik ruso-serb, pasqyron interesin më të mirë të popujve tanë, vëllezër”, vijonte ai më tej.
Serbia vazhdon të refuzojë njohjen e pavarësisë së Kosovës të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008.
Kryeministrja Ana Brnabiç ka thënë se refuzimi i Beogradit për të vendosur sanksione ndaj aleatit të saj Rusisë, mbetet pengesa kryesore për anëtarësimin e vendit në BE, duke e cilësuar atë si “kushtin mbi të gjitha kushtet”, të vendosur nga blloku.
Edhe pse në mënyrë të përsëritur ka dënuar sulmin rus në Ukrainë në Kombet e Bashkuara e në forume të tjera ndërkombëtare, Serbia është kritikuar nga Brukseli për moszbatimin zyrtar të sanksioneve kundër Moskës.
voa