SHBA: Dita e parë e Trump në detyrë me “rekord vendimesh”

trumpDirekt pas betimit presidenti i ri i SHBA-së Trump të hënën do të nisë nga puna – me një numër rekord dekretesh. Mediat: Ndër këto vendime bëjnë pjesë edhe kontrollet në masë për dëbimin e migrantëve ilegalë.

 

Donald Trump do të inagurohet në detyrë për herë të dytë si president të hënën. Republikani ka udhëtuar një ditë më parë në Uashington D.C. – dhe ka deklaruar, se ditën e parë që do të kthehet në Shtëpinë e Bardhë do të zbatojë një sërë premtimesh të dhëna gjatë fushatës elektorale. Në një intervistë për televizionin NBC News 78 vjeçari tha, se do të nënshkruajë një numër rekord dekretesh. Se sa saktësisht nuk e ka bërë të qartë, por i pyetur nga televizioni, nëse do të mund të jenë 100 dekrete, ai tha se numri i dekreteve mund të jetë rreth kësaj shifre.

 

A janë planifikuar kontrolle masive të migrantëve?

Pritet, që Trump ndër vendimet e para të verë në jetë edhe politikën strikte të shpallur prej tij ndaj migracionit. Në fushatën elektorale ai në mënyrë të përsëritur ka deklaruar, se do të zbatojë aksionin më të madh të dëbimeve në historinë e SHBA-së. Në mediat e SHBA-së spekulohet, se sa ashpër do të veprojë presidenti i ri dhe i dikurshëm. Wall Street Journal e më pas edhe New York Times duke iu referuar personave që i njohin nga afër planet, venë në dukje, se qysh ditën e martë në metropolin Çikago do të ketë kontrolle masive me qëllim ndalimin e migranteve dhe migrantëve pa dokumenta të vlefshme. Kontrollet e planifikuara me emërtimin “Operation Safeguard” (operacioni i masave mbrojtëse) do të zhvillohen gjatë një jave dhe eventualisht do të shtrihen edhe në qytete të tjera. Sipas Washington Post vetëm në Çikago do të marrin pjesë për kontrollet deri në 200 punonjës të autoritetit të mbrojtjes kufitare.

 

Trump do të nisë shpejt me dëbimet masive

Në intervistën për NBC Trump nuk i konfirmoi direkt vet planet konkrete për kontrolle të tilla. Megjithatë ai siguroi, se për të kanë prioritet të lartë dëbimet masive dhe se ai do të fillojë menjëherë me këto masa. Kur dhe ku saktësisht do të fillojnë dëbimet, Trump nuk e sqaroi. Edhe Tom Homan, i cili nën presidencën e Trumpit do të jetë i ngarkuari për mbrojtjen e kufijve, theksoi duke reguar ndaj njoftimeve në media, se deri tani nuk janë marrë vendime.

Qeveria e re e SHBA-së do t’i shqyrtojë edhe më tej vendimet. Njëkohësisht Homan i tha Washington Post, se është krijuar një e çarë për rrjedhje informacionesh dhe se për këtë do të hetohet. “Eshtë një rast jofatlum, sepse kushdo që i cënon këto operacione të autoriteteve të sigurisë, i përball me rreziqe më të mëdha punonjësit e këtyre autoriteteve”, tha Homan. Ai siguroi, se qeveria e re qysh në ditën e parë do të ndalojë njerëzit, që konsiderohen si “rrezik për sigurinë publike”.

ard/dpa/dw

 

 

trump voaPresidenti i zgjedhur Trump premton plotësimin e zotimeve të tij një ditë para inaugurimit

 

Donald Trump tha të dielën në mbrëmje përpara përkrahësve të tij në Uashington një ditë përpara se të kthehet në Shtëpinë e Bardhë se do të vendosë kufizime të rrepta për imigracionin në ditën e tij të parë në detyrë, duke premtuar se do të përmbushë me shpejtësi premtimin kryesor të fushatës së tij.

“Nesër në perëndim të diellit, pushtimi i vendit tonë do të ketë marrë fund,” tha ai mes brohoritjeve të përkrahësve të tij në pallatin e sporteve dhe koncerteve “Capital One”.

Presidenti i zgjedhur Trump përsëriti zotimin e tij të fushatës për të ndërmarrë përpjekjen më të madhe të dëbimit në historinë e Shtetevr të Bashkuara.

Ishte fjalimi i tij i parë madhor në Uashington që nga fjalimi i tij më 6 janar 2021, para sulmit në Kapitol nga një turmë mbështetësish të tij.

Mijëra mbështetës të Presidentit të zgjedhur pritën në të ftohtë dhe shi për orë të tëra, për të marrë pjesë në tubimin e tij të fitores.

Zoti Trump ka thënë se do të falë shumë nga mbi 1500 personat e dënuar ose të akuzuar në lidhje me sulmin. Tubimi i së dielës i zotit Trump, së bashku me fjalimin e tij inaugurues të hënën, mund të përcaktojë tonin e mandatit të tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë.

Një burim me dijeni për planet e tij tha se siguria kufitare do të zërë një vend të rëndësishëm në urdhrat e parë ekzekutivë të zotit Trump të hënën, të cilat ka të ngjarë të përfshijnë klasifikimin e karteleve të drogës si “organizata të huaja terroriste”, si edhe shpalljen e një situate emergjence në kufirin SHBA-Meksikë.

Më herët të dielën, Trump hëngri mëngjes me senatorët republikanë amerikanë pranë Shtëpisë së Bardhë.

Më pas ai vendosi një kurorë në Varrin e Ushtarit të Panjohur në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit të dielën.

“Tubimi i Fitores për ta Bërë Amerikën Sërish Madhështore” filloi në orën 3 të pasdites në “Capital One Arena”, një stadium i brendshëm për lojërat e hokejit dhe basketbollit, si dhe një vend i caktuar për disa nga festimet e inaugurimit të së hënës, pas parashikimeve për mot të ftohtë të ashpër, që i shtynë zyrtarët të anulonin festimet e planifikuara në mjedise të hapura.

 

Radha e mbështetësve, shumë të veshur me xhaketat e kuqe të markës së njohur Trump dhe kapelet MAGA, shtrihej në disa blloqe në qendër të Uashingtonit. Disa thërrisnin “SHBA! SHBA!” dhe të tjerët flisnin me megafon ndërsa prisnin.

Zona të mëdha të kryeqytetit, përreth Kapitolit dhe Shtëpisë së Bardhë janë bllokuar nga gardhe çeliku që nga java e kaluar dhe ka patur një prani të shtuar të policisë në të gjithë zonën.

Tubimi i Presidentit të zgjedhur Trump, së bashku me fjalimin e tij inaugurues të hënën, mund të japë një pamje të tonit që ai planifikon të mbajë gjatë mandatit të tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë.

Në javët e fundit, ai ka befasuar vendet aleate me shprehjen e mendimit për marrjen e Groenlandës dhe Kanalit të Panamasë, si dhe shndërrimin e Kanadasë në një shtet të Shteteve të Bashkuara.

Emigracioni pritet të jetë objekt i veprimeve të para ekzekutive të Presidentit të zgjedhur Trump pas marrjes së detyrës, së bashku me çështjet e energjisë dhe politikat që synojnë promovimin e diversitetit, barazisë dhe përfshirjes, tha për kanalin televiziv CBS këshilltari i tij i ardhshëm për sigurinë kombëtare, Mike Waltz.

 

“Populli amerikan i dha atij një mandat të qartë. Mbyllni kufirin tonë, deportoni më të këqijtë e më të këqijve, përballuni me kartelet”, tha zoti Waltz në një intervistë për emisionin “Face the Nation”.

Axhenda e zotit Trump mendohet se ishte një tematikë e mundshme edhe gjatë mëngjesit të tij me senatorët republikanë në Blair House, godina përballë Shtëpisë së Bardhë, që përdoret për aktivitete të ndryshme. Senatorë kryesorë republikanë, si John Cornyn, Susan Collins, Ted Cruz, Rick Scott dhe Tim Scott ishin ndër të pranishmit që u panë duke u larguar nga aktiviteti të dielën.

Tubimi pritej të kishte ngjashmëri me fjalimet e lira që kanë qenë një element kryesor që nga fushata e tij e parë presidenciale në vitin 2016.

voa

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>