Spiunimi i Gjermanisë

hakerat 1Sulmi i hakerave ndaj qeverisë gjermane nuk thotë ndonjë të re për fenomenin e spiunazhit, por më shumë për rreziqet në epokën digjitale. Duhet të gjenden rrugë të reja për sigurinë digjitale, mendon Matthias von Hein.

Çfarë është ende e sigurtë në botën digjitale? Çfarë mund të jetë vërtet e sigurtë? Qëkur u bë e ditur, se hakerat mund të hyjnë edhe në sistemin kompjuterik të mbrojtur aq mirë të qeverisë, e për një vit rresht të bëjnë kopje, të vjedhin dokumente, të spiunojnë – pyetje të tilla preokupojnë opinionin publik. E qartë është se loja e maces me miun po hyn në një fazë të re. Në këtë rast janë hedhur dyshime mbi një grup hakerash me lidhje shërbimin sekret rus, GRU. Përsëri. Për këtë nuk ka prova të sigurta. Por fakti që hakerat hyjnë në rrjetin e qeverisë dhe veprojnë aty pa ndonjë interes të qartë ekonomik, bën që të bjerë varianti se hakerat janë thjesht kriminelë kibernetikë. Këtu është fjala qartësisht për spiunazh. Dhe kur nuk kemi të bëjmë me spiunazhin ekonomik, atëherë ai kryhet me porosi shtetërore. Aq më shumë, kur bëhet fjalë për një sulm afatgjatë me investim të caktuar personeli e teknik.

Qeveritë – objektiva të natyrshëm spiunazhi

Mund të flitet tani për shpallje lufte digjitale? Spiunazh ka pasur gjithmonë. Ministritë, si ajo e Mbrojtjes janë objektiva të natyrshëm të shërbimeve sekrete. E që kur dihet, se shërbimi sekret amerikan, NSA përgjoi edhe telefonin e Merkelit, mësuam se spiunazhi zhvillohet edhe mes miqve. Si për ta konfirmuar këtë, shërbimi sekret gjerman, BND kishtë përgjuar nga Bad Aiblingu gjerman – me porosi të NSA-së- qeveri mike dhe institucione të caktuara. Por tani mundësitë digjitale e kanë bërë më të lehtë spiunazhin. Raporti i fundit i Zyrës Federale për Teknologjinë e Informacionit, BSI jep një listë me tre duzina grupimesh aktive spiunazhi, që kanë në shënjestër pika të caktuara qeveritare gjermane. Krahas grupit të përfolur për sulmin aktual, APT28, ka edhe grupime me emra si „Thika”, „Shamoon” etj-emra që të japin të dhëna për aktivitetin intensiv të kinezëve apo iranianëve.

Edhe spiunazhi nga Rusia nuk habit askënd. Më shumë të habit fakti që gati dy muaj rresht parlamenti gjerman nuk është informuar për këtë. Habia vazhdon kur mëson, se edhe autoritetet gjermane vazhdojnë të blejnë të ashtuquajturat database zero (pika të panjohura që i bëjnë kompjurerat të cënueshëm), vazhdojnë t’i mbajnë sekret e të zhvillojnë armë digjitale me to, në vend që të mbyllin boshllëqet e sigurisë, gjë që do t’i bënte sistemet më të sigurtë.

Për të kujtuar edhe njëherë: Shtatë vite pas ceremonisë për hapjen e Qendrës së Mbrojtjes Kibernetike dhe një vit pas miratimit të strategjisë për sigurinë kibernetike, ende nuk mbrohet dot nga sulmet e hakerave rrjeti qeveritar i informacionit Berlin-Bonn – veçanërisht i sigurtë dhe i shkëputur nga interneti. Kjo sepse në epokën e „superstradave” të të dhënave kibernetike me degëzime deri në hapësirën private, mundësitë për sulme hakerash janë aq të mëdha, saqë siguria duket e pamundur. Kur tani në kohën e thellimit të lidhjeve të industrisë me internetin, do të rriten edhe më shumë të dhënat që vërtiten në hapësirën kibernetike – ne do të bëhemi edhe më cënueshëm. E megjithëse tingëllon aq bukur t’i bësh qytetet „smart” për të kursyer burime njerëzore – lidhja në rrjet të bën të lëndueshëm. Në vitin 2016, BSI duhet të paralajmëronte drejtuesit e stacioneve ujore se sistemet e tyre të komandimit janë të kapshme përmes internetit.

Siguri kibernetike që në fillim

Nga kjo konkludon se Gjermania, edhe para ambicieve të saj të mëdha në sektorin e industrisë 4.0 duhet të investojë më shumë në sigurinë digjitale. Ajo duhet të merret në konsideratë që në konceptimin e sistemeve kompjuterike e jo të përmirësohet në fund të procesit të zhvillimit. Dështimi i masave të sigurisë, sulmet digjitale duhet të paramendohen që në fillim e sistemet të konstruktohen në mënyrë të tillë që t’u rezistojnë sulmeve nga jashtë. Me spiunazhin ne do duhet të vazhdojmë të jetojmë – ajo që mund të bëhet është që atij t’i vështirësohet udha sa më shumë të jetë e mundur. (Matthias Hein)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>