Në një shkollë në Suedi gjetën vdekjen prej të shtënave rreth dhjetë vetë. Kryeministri i Suedisë tha se kjo është një “ditë e dhimbshme për të gjithë Suedinë”.
Rreth dhjetë vetë u vranë nga të shtënat në një shkollë në Orebro, në Suedi. Sipas hetuesve mendohet se mes të vdekurve është edhe autori i dyshuar i këtij krimi. Roberto Eid Forest, drejtues i policisë lokale, tha se për momentin nuk dihet saktë se sa persona janë plagosur.
Autori i dyshuar nuk ishte person i njohur më parë për policinë, tha Eid Forest. Ai nuk kishte lidhje me ndonjë bandë. Policia supozon se ai ka vepruar i vetëm. Sipas informacioneve aktuale policia nuk beson se ky ishte një akt terrorist, tha Eid Forest, duke shtuar: “Për momentin ndihemi të sigurt se nuk do të ketë sulme të mëtejshme”.
“Ditë e dhimbshme për gjithë Suedinë”
Kryeministri suedez Ulf Kristersson shkroi në platformën X se kjo ishte një ditë shumë e dhimbshme për gjithë Suedinë. Ai u shprehu ngushëllimet familjeve të viktimave, dhe tha se është me mendje tek të gjithë për të cilët dita normale e shkollës iu shndërrua në ditë tmerri, shtoi Kristersson. “Askush nuk duhet të përjetojë makthin që të ulet në klasë dhe të ketë frikë për jetën.” – tha kryeministri suedez.
Mbreti i Suedisë, Karli XVI. Gustaf, u shprehu përmes një komunikate me shkrim ngushëllimet e tij të afërmve të të ndjerëve.
Ai falënderoi gjithashtu policinë, grupet e shpëtimit si dhe stafin e spitalit që u angazhuan për të shpëtuar jetë njerëzish në këtë “ditë të errët”.
dw