Një zyrtar i lartë në Departamentin amerikan të Shtetit tha të mërkurën se shqetësimet e sigurisë që qeveria ka ngritur lidhur me firmat kineze të telekomunikacionit Huawei dhe ZTE shtrihen tek të gjitha kompanitë me seli në Kinë, duke thënë se ato janë në mënyrë efektive “nën drejtimin” e Partisë Komuniste Kineze.
“Është shumë e rëndësishme të dallojmë se si veprojnë demokracitë perëndimore në lidhje me kompanitë dhe shitësit e sektorit privat dhe se si qeveria kineze operon me kompanitë e saj”, tha ambasadori Robert L. Strayer, zëvendës ndihmës sekretar i i Komunikimeve Ndërkombëtare dhe Politikës Informatike në një konferencë telefonike me gazetarët.
Kompanitë kineze nuk kanë aftësinë për të ngritur sfida ligjore ndaj direktivave nga qeveria e tyre, tha zoti Strayer.
“Ata nuk kanë mundësinë të shkojnë në gjykatë”, tha ai. “Ata janë në thelb nën drejtimin – e asaj që ne e quajmë komandë jashtë-gjyqësore – të Partisë Komuniste të Kinës .. për të ndërmarrë veprime, kur kërkohet nga qeveria. Nuk ka të njëjtin nivel të sundimit të ligjit si në demokracitë perëndimore që ne e konsiderojmë pjesë të jetës sonë të përditshme dhe në të gjitha marrëdhëniet tona të biznesit “.
Zoti Strayer ka qenë personi kryesor në përpjekjet e administratës Trump për të bllokuar firmat kineze, Huawei në veçanti, të marrë pjesë në garën globale të teknologjisë së komunikimeve 5G, duke këmbëngulur se ligji kinez kërkon që kompanitë të bashkëpunojnë me shërbimet e inteligjencës të Pekinit.
Strayer dhe zyrtarë të tjerë kanë paralajmëruar se firmat kineze të telekomunikacioneve mund t’u japin shërbimeve të inteligjencës së Pekinit qasje të fshehtë në rrjete të ndjeshme të komunikimit.
Komentet e tij ishin ndër arsyetimet më të hollësishme të administratës për përpjekjen për të bllokuar hyrjen e kompanisë Huawei në tregjet amerikane dhe evropiane të teknologjisë 5G.
Arsyetimet kanë përfshirë paralajmërimet se Shtetet e Bashkuara mund të kufizojnë informacionet e inteligjencës që ndan, madje edhe me aleatët e ngushtë, nëse Uashingtoni nuk është i kënaqur me sigurinë e rrjeteve të komunikimit.
Shtetet e Bashkuara nuk ka arritur të prodhojë prova të forta se kompanitë Huawei apo ZTE janë angazhuar në spiunazh për qeverinë kineze. Megjithatë, të dy firmat janë akuzuar për vjedhje të pronës intelektuale nga kompanitë rivale, dhe Huawei është akuzuar për komplot për shkelje të sanksioneve amerikane kundër Iranit.
Huawei dhe ZTE vazhdimisht kanë mohuar se kanë ose do të veprojnë si një vegël e shërbimeve të inteligjencës kineze.