Kategoritë: Ballkan

The Economist: Serbia po e fsheh numrin e viktimave të COVID-19

Aleksandar-Vuciq-1Revista prestigjioze britanike “The Economist” shkruan se Serbia është në ndër pesë vendet e para në botë për fshehjen e numrit të viktimave të koronavirusit.

Para Serbisë, për fshehjen e shifrave të viktimave të COVID-19  renditen: Peruja, Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Rusia.

Në një hulumtimi të kryer në periudhën 1 prill 2020 – 30 qershor 2021, në Serbi janë evidentuar 7.030 të vdekur, derisa në të njëjtën periudhë kohore kanë vdekur 30.210 persona më shumë se mesatarja e pesë viteve të fundit.

The-Economist_renditja-e-vendeve-perfshehjen-e-viktimave-te-Covid-19“The Economist” shkruan se numri i përgjithshëm i rasteve të vdekjes nga pasojat e koronavirusit mund të jetë më i lartë se numri i rasteve të raportuara për arsye të ndryshme. Një prej arsyeve kryesore është kapaciteti i ulët I testimeve në shumicën e vendeve. Një tjetër arsye mund të jetë trajtimi i vonuar ose jo i rregullt i sëmundjeve të tjera gjatë periudhës së pandemisë.

Për fshehjen e shifrave të të sëmurëve dhe të vdekurve nga COVID-19 e kishin tërhequr vërejtjen edhe mjekët anëtarë të shoqatës “Të bashkuar kundër Kovidit” (Ujedinjeni Protiv Kovida – UPK).

“I fshehin të dhënat e vërteta për të pasur për çfarë të lavdërohen”, ka thënë kjo shoqatë, citon “Danas”.

I bindur se autoritetet po e fshehin numrin real të të vdekurve nga COVID-q19 është edhe Rade Pançiq, kryetar i sindikatës së mjekëve dhe farmaceutëve të Serbisë. Ai ka thënë se është i bindur se pushtetarët nuk i publikojnë shifrat e sakta të të vdekurve, siç është shprehur, “në mënyrë që të ketë me çka të krenohen, sepse pandemia ua ka hequr nga dora të gjitha për çfarë kanë folur deri më tash”.

Në favor të konstatimeve se autoritetet në Serbi i fshehin shifrat e viktimave të COVID-19 flasin edhe statistikat. Sipas të dhënave zyrtare të Entit Republikan të Statistikave, numri i të vdekurve në Serbi prej 1 prillit deri më 31 dhjetor të vitit 2020 ka qenë për 15.372 më i lartë se numri të vdekurve në të njëjtën periudhë të një viti më parë ose për 13.089 më i lartë se numri  mesatar i të vdekurve gjatë dhjetë vjetëve të fundit.

Ndërkaq numri i të vdekurve në 6 muajt e parë të këtij viti ishte 14.032 më I  lartë se numri i të vdekurve në të njëjtën periudhë  kohore të dhjetë vjetëve të fundit.

(Ramadan Muçolli / ullyria)

3 Shtete të Ballkanit pranojnë refugjatë

Te kthyer nga Afganistani ne FranceJanë përgatitjet e fundit për mbërritjen e refugjatëve afganë: kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj hedh një vështrim në konviktin studentor të saporiparuar në qendër të qytetit. Gjithçka duket si duhet: “Faleminderit studentëve që liruan përkohësisht dhomat e tyre,” shkroi ai në faqen e tij në Facebook më pas. Shqiptarët e dinë mirë se çfarë do të thotë të emigrosh dhe janë me zemër të hapur sot për këdo që dëshiron pak siguri për të ardhmen e familjes së tyre.

Sipas kryeministrit Edi Rama, Shqipëria do të pranojë rreth 1.000 refugjatë afganë të cilët do të strehohen përkohësisht në vend, derisa të jenë gati kërkesat e tyre për vizë hyrjeje në SHBA. Shqipëria, e cila ka qenë anëtare e NATO-s që nga viti 2009, po i përgjigjet kërkesës së Uashingtonit. Bisedimet për temën se si mund të mbështesë Shqipëria, si vend tranzit për refugjatët afganë në rrugën e tyre drejt SHBA kishin filluar që në mes të korrikut.

Sipas Ramës, ai pati rënë dakord jo vetëm sepse partneri kryesor në NATO, SHBA, e kishte kërkuar këtë, por “sepse ne jemi shqiptarë”. Kryeministri kujtoi faktin se familjet shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore kishin pranuar dhe fshehur refugjatë hebrenj.

Edhe Maqedonia e Veriut i përgjigjet kërkesës së SHBA

Kreu i qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, gjithashtu citon arsye të politikës së jashtme dhe humanitare për vendimin e tij për të pranuar përkohësisht rreth 450 refugjatë afganë. Edhe partnerit të saj në NATO, Maqedonisë së Veriut i ishte drejtuar qeveria e SHBA me të njëjtën kërkesë për të pranuar punonjësit afganë dhe familjet e tyre, derisa të përfundojnë procedurat e tyre të vizave. Sipas Zaevit, personat në fjalë janë aktivistë të të drejtave të njeriut, gra, studentë dhe intelektualë që kanë nevojë për ndihmë, sepse kanë frikë për jetën e tyre.

Kryeministri Zaev tha: “Ne duhet të hedhim poshtë të gjitha spekulimet për një valë refugjatësh, një valë të mundshme të terrorizmit, ose ndonjë kërcënim ndaj shtetit. Është një pyetje shumë e hapur: a jemi njerëzorë apo jo!”

Përveç kësaj, Maqedonia e Veriut do të pranojë afganët që kanë mbështetur forcat e NATO-s gjatë 20 viteve të fundit, duke përfshirë edhe njësitë nga Maqedonia e Veriut. Ushtarët nga Ballkani Perëndimor ishin të pranishëm në Afganistan nga viti 2002 deri në vitin 2008; Maqedonia e Veriut u bë anëtare e NATO -s vetëm vitin e kaluar.

Përvoja e refugjatëve nga lufta e Kosovës

Kosova gjithashtu e mbështeti kërkesën e qeverisë amerikane.

Kryeministri Albin Kurti tha se për këtë ishte diskutuar prej javësh me Uashingtonin: “Qeveria e Republikës së Kosovës ka qenë në kontakt dhe diskutime të rregullta me Shtetet e Bashkuara prej një muaji në mënyrë që të përgatitet për strehimin e një numri refugjatësh nga Afganistani, në lidhje me logjistikën, por edhe për sigurinë dhe pasojat sociale”.

Çështja e refugjatëve afganë nuk është vetëm një çështje humanitare e dhimbshme, tha Kurti, por edhe një çështje e ndjeshme e sigurisë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, iu referua përvojave kolektive të refugjatëve të bashkatdhetarëve të saj në luftën e Kosovës, në fund të viteve 1990: Askush nuk e di më mirë se shqiptarët e Kosovës se çfarë do të thotë të dëbohesh dhe të detyrohesh të ikësh për të shpëtuar jetën tënde, tha Osmani.

Gjermania: Jemi në dijeni për Open Balkan, mbështesim Planin e Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal

Nord-Mazedonien Skopje | Wirtschaftsforum | Aleksandar Vucic, Zoran Zaev und Edi RamaQeveria gjermane e konsideron si „detyrë urgjente“ nënshkrimin e marrëveshjeve të Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe kërkon që marrëveshjet të nënshkruhen deri më 6 tetor.

Qeveria gjermane e konsideron si “detyrë urgjente” jetësimin e marrëveshjeve të Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal, miratuar në samitin e Sofjes në 2020. Në një përgjigje me shkrim për Deutsche Wellen, një zëdhënës i qeverisë gjermane kujton se “krerët e shteteve dhe qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, në samitin e fundit të “Procesit të Berlinit”, më 5 korrik me ftesë të kancelares federale, pohuan  përpjekjet e tyre për zbatimin e këtij projekti të rëndësishëm.”

Ai shton se marrëveshjet e katër lirive duhet të nënshkruhen deri më 6 tetor të këtij viti, kur të zhvillohet samiti i ardhshëm i BE-së me Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që “të arrihen përmirësime të prekshme për qytetarët e të gjashta vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

Marrëveshjet e Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal, janë miratuar në parim nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe synojnë të rregullojnë lirinë e lëvizjes me karta identiteti, hyrjen, lëvizjen dhe qëndrimin për shtetasit e vendeve të treta, njohjen e licencave për mjekët, dentistët dhe arkitektët si edhe njohjen e diplomave universitare.

Prioritet marrëveshjet nga forumi përfshirës i Procesit të Berlinit

Pyetjeve të Deutsche Welles se në çfarë mënyre e mbështet qeveria gjermane nismën „Ballkani i Hapur” zëdhënësi iu përgjigj përmbledhtazi: “Qeveria gjermane është në dijeni të nismës së Ballkanit të Hapur. Nga këndvështrimi i qeverisë federale gjermane çdo bashkëpunim rajonal në Ballkanin Perëndimor është për t’u përshëndetur.”

Në përgjigjen me shkrim qeveria gjermane i lë pa përgjigje të drejtpërdrejta pyetjet e Deutsche Welle-s se si e vlerëson kancelarja Merkel nismën Ballkani i Hapur dhe se çfarë roli luan “Ballkani i Hapur” në realizimin e Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal.

Me këtë deklaratë, qeveria gjermane lë të nënkuptojë se prioriteti i saj është realizimi i marrëveshjeve të dala nga forumi gjithëpërfshirës i Procesit të Berlinit. Njohës të proceseve të integrimeve evropiane të Ballkanit e vlerësojnë këtë forum si të vetmen platformë që shoqëron procesin e integrimit të rajonit drejt Bashkimit Evropian dhe u jep shans të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor të shprehin prioritetet e tyre.

Debate për qëndrimin gjerman

Javën e kaluar qëndrimi i mundshëm i qeverisë gjermane ndaj nismës Ballkani i Hapur u interpretua në mënyra të ndryshme nga qeveritë e Shqipërisë dhe të Kosovës, por edhe në opinionin e gjerë. 

Ideja e Ballkanit të Hapur, dikur i njohur edhe si “mini-Shengen”, u prezantua në fillim në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, të Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë.

Më 29 korrik 2021, në një forum ekonomik që u mbajt në Shkup, kësaj nisme ju ndryshua emri në “Open Balkan” dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u bënë thirrje të gjitha shteteve të rajonit që t’i bashkohen kësaj nisme, e cila, ndër të tjera, synon që deri në vitin 2023 të heqë kontrollet ndërkufitare mes vendeve për mallrat dhe qarkullimin e njerëzve.

Kosova është një nga vendet që e kundërshton me forcë këtë nismë, pasi thotë se prej saj përfiton më shumë Serbia.

Në javën e parë të muajit gusht parlamenti i Kosovës e përforcoi refuzimin e ndaj nismës Open Balkan (më parë Mini Shengen) me një rezolutë kundër marrëveshjes Kosovë-Serbi të 4 shtatorit 2020.

Teksti i plotë i deklaratës së zëdhënësit të qeverisë:

“Qeveria gjermane është në dijeni të nismës „Ballkani i Hapur”. Nga këndvështrimi i qeverisë federale gjermane, çdo bashkëpunim rajonal në Ballkanin Perëndimor është për t’u përshëndetur. Në të njëjtën kohë, është me rëndësi që bashkëpunimi të jetë përfshirës dhe i hapur për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Prandaj qeveria federale mbështet Planin e Veprimit për një Treg të Përbashkët Rajonal, miratuar në samitin e “Procesit të Berlinit” në Sofje, në nëntor 2020. Krerët e shteteve dhe qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, në samitin e fundit të “Procesit të Berlinit” më 5 korrik me ftesë të kancelares federale, pohuan përpjekjet e tyre për zbatimin e këtij projekti të rëndësishëm.

Detyra më urgjente tani është mbyllja e negociatave për katër marrëveshjet: për lirinë e lëvizjes me karta identiteti, për hyrjen, lirinë e lëvizjes dhe lejet e qëndrimit për shtetasit e vendeve të treta, për njohjen e licencave për mjekët, dentistët dhe arkitektët dhe njohjen e diplomave universitare, në mënyrë që në Samitin BE-Ballkani Perëndimor të arrihen progres dhe përmirësime të prekshme për qytetarët e të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Kancelarja gjermane e vuri në dukje këtë edhe në konferencën për media pas Samitit të Procesit të Berlinit, më 5 korrik.”

dw

Gjashta është bërë tresh: Ballkani i Hapur dhe ide të tjera

Symbolbild Westbalkan Flaggen (mit EU)Një amerikan dhe një gjerman diskutojnë për Ballkanin dhe për “Ballkanin e Hapur”: James O’Brian dhe Peter Beyer.

Politikani kristiandemokrat gjerman  Beyer dhe diplomati amerikan James O’Brian u ftuan (04.08.2021) nga Qendra për studimet strategjike, CSIS, me seli në Uashington për të folur online për qasjet amerikane dhe europiane ndaj Ballkanit. James O’ Brian, zëvendëskryetar i Albright Stonebridge Group flet në një kohë kur administrata e Bidenit kërkon që të ringjallë politikat transatlantike në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, ”të cilat sfidohen nga institucionet e dobëta, korrupsioni, prapambetja demokratike dhe konkurenca për të marrë nën ndikim rajonin”. Deputeti i parlamentit gjerman Peter Beyer, flet në një kohë kur kancelarja gjermane Merkel pritet të largohet, procesi i Berlinit i inicuar prej saj është ngadalësuar dhe nuk dihet çfarë qëndrimi do të mbajë qeveria e re gjermane në periudhën e pas-Merkelit.

Procesit të Berlinit i duhen dhënë impulse të reja   

Deputeti gjerman Peter Beyer thotë, se procesi i Berlinit kërkon impulse të reja. Lidhur me ndryshimet që priten pas zgjedhjeve parlamentare në Gjermani Beyer thotë, se pavarësisht nga forcat që do të marrin pjesë në qeverinë e ardhshme gjermane, në marrëdhëniet ndërkombëtare “do të ketë vazhdimësi të politikave të qeverisë së Merkelit”. Beyer shpreson që suksesi i qeverisë së ardhshme të matet nga integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE. Ai kërkon njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE, që nuk e kanë njohur deri tani dhe mendon se BE dhe SHBA, mund të bëjnë më shumë për Ballkanin.

James O’Brian, sapo është kthyer nga Ballkani dhe tregon se vendet e Ballkanit nuk kanë më besim në perspektivën europiane. Ai e krahason atë me kohën e Bashkimit Sovjetik, “kur njerëzit bënin sikur punonin, dhe qeveria bënte sikur i paguante”. Por “ata nuk janë duke bërë më sikur kanë besim”, thotë O’ Brian. Ai thotë se puna nuk është se SHBA duhet të mbështesë perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit, por duhet “që së bashku me BE-në të bëjë që perspektiva europiane e Ballkanit të kthehet në realitet”. Ai merr si shembull pengimin e Maqedonisë së Veriut nga Bullgaria, një provë simbolike që tregon a është BE në gjendje që të funksionojë apo jo. “26 vende janë dakord, një vend nuk është dakord, pse nuk zhbllokohet situata,” pyet ai.

Çfarë është Ballkani i Hapur? 

O’Brian ishte në fund të korrikut në Shkup, ku liderët e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ranë dakord të krijojnë një treg të përbashkët. Ky treg do të lejojë punëtorët të lëvizin nga njeri vend në tjetrin, dhe do të jetë pa ndalesa kufitare. Ai shpjegon se këto tre vende synojnë që duke filluar nga viti i ardhshëm, punëtorët të jenë në gjendje të lëvizin të lirë nga njeri vend në tjetrin, të kërkojnë punë dhe të punojnë pa qenë nevoja për të plotësuar kushte të caktuara si regjistrimi, apo monitorimi nga Ministria e Brendshme. “Nëse hedh sytë në rajon, sheh se vetëm Serbia është duke marrë investime të mëdha. Kjo është mënyra se si pasurohen vendet, dhe si futen në zinxhirin e vlerave të vendeve fqinjë më të pasura europiane. Po vetëm Serbia është duke e bërë këtë gjë,” thotë O’Brian. Fuqia punëtore serbe nuk është në gjendje të përballojë të gjithë punën që është duke iu ofruar. “Që të jetë në gjendje të vazhdojë të zhvillohet Serbisë i duhet të dërgojë punishtet dhe fabrikat në vende të tjera, ose i duhet të marrë punëtorët nga vendet e tjera”, thotë ai dhe e quan këtë hap shumë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të rajonit.

Çështja tjetër për të cilat tre vendet kanë rënë dakord, është që duke filluar nga viti 2023, të mos bëhen më ndalime në kufi, thotë O’Brian i cili shpjegon se kjo do të bëhet duke përdorur të njëjtin program kompjuterik që përdor BE-ja. Ai krijon mundësinë që një kamion që ngarkohet në Gjermani të udhëtojë direkt për Francë, pa qenë nevoja që të qëndrojë me orë të tëra në kufi. Tani 80 përqind e kohës së transportit në Ballkan harxhohet në pritjet në kufi. Ky ka qenë një synim i vendosur nga rajoni të arrihet që me procesin e Berlinit, në 2014. Por nuk është arritur.

Gjashta bëhet tresh 

Nuk është arritur, sepse nuk ka qenë e mundur të merret miratimi nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar atyre të krijojë një treg të përbashkët, por kjo nuk ka ndodhur, sepse për një arsye apo një tjetër nuk është arritur të merret miratimi nga të gjitha vendet. Prandaj, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë shkëputur duke bërë marrëveshje treshe dhe duke hapur rrugën edhe për të tjerët, është mënyra si e shpjegon O’Brian, Ballkanin e Hapur. Ai thotë se kjo nismë do të kërkojë ndryshime në angazhimin transatlantik. Pyetja është a duhet mbështetur tregu i krijuar vetëm nga tre vende?

Këtë pyetje shtron edhe Heather A. Conley, eksperte e CSIS, e cila drejton bisedën. Ajo thotë se SHBA dhe BE duhet të kenë një strategji të përbashkët për Ballkanin. “Ballkani i Hapur” është diçka tjetër nga tregu i përbashkët për të gjashtë vendet. Si duhet trajtuar ai?

Procesi i Berlinit, Minishengeni, Ballkani i Hapur, të gjitha kanë në thelb idenë e bashkëpunimit rajonal, përgjigjet Peter Beyer. Prandaj pyetjes si duhet trajtuar Ballkani i Hapur, ai i përgjigjet: “Bëhu pjesë e tij”.  Ai ia kërkon këtë edhe Kosovës. “Kosova duhet të kthehet sërish në lojtar të rëndësishëm, dhe duhet të kapërcejë pengesat ideologjike”, thotë Beyer. Ai e quan Ballkanin e Hapur, projekt të mirë që shkon në të mirë të qytetarëve. Edhe O’Brian shpreson që Kosova të bëhet pjesë e nismës së Ballkanit të Hapur.

dw

Kinën dhe Rusinë i bashkon biznesi në Serbi

Fotografi nga lartësia e një rafinerie nafte në qytetin e Pançevës, afër Beogradit, 22 janar 2008. Në Pançevë afër kryeqytetit të Serbisë, Beograd, deri në fillim të tetorit do të jetë gati një provë e operimit të Termocentralit TE-TO.

Ky projekt në Serbi i ka bërë bashkë Kinën dhe Rusinë.

Investitori rus Gazprom, ka angazhuar Grupin Kinez Shanghai Electric për këtë projekt infrastrukturor në Serbi.

TE-TO do të prodhojë energji elektrike dhe ngrohje nga gazi natyror.

Pikërisht për shkak të bashkëpunimit me këto dy vende, Serbia po ballafaqohet me kritika të vendeve perëndimore. Si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Serbia nuk e ka harmonizuar ende politikën e jashtme me bllokun 27 anëtarësh.

Drejtori i hulumtimeve në Qendrën për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë (Fondi ISAC), Igor Novakoviq, i tha Radios Evropa e Lirë se bashkëpunimi ekonomik midis Kinës dhe Rusisë në rajon është i bazuar më shumë në interes tregtar dhe nuk paraqet ndonjë rëndësi politike.

“Sipas mendimit tim Rusia nuk është hiç e interesuar që Serbia të anëtarësohet ndonjëherë në Bashkimin Evropian. Është në interesin e saj që ky proces të zgjasë sa më gjatë. Sa i takon Kinës, mbase është në interesin e tyre që i gjithë rajoni të integrohet në BE sa më shpejt të jetë e mundur. Pasi në këtë mënyrë Pekini llogarit se do të ketë më shumë miq në institucionet e BE-së”, thotë Novakoviq.

Rasti i Termocentralit TE-TO

Kompania energjetike kineze Shanghai Electric u shpall fituese e tenderit për ndërtimin e një termocentrali (TE-TO) në Pançevë në korrik të vitit 2017.

Në këtë tender aplikuan edhe kompani nga Greqia, Austria, Zvicra dhe Kina, thuhet në faqen e internetit të kompanisë me pronësi ruse “Nis”.

Pjesën më të madhe të investimit prej 180 milionë euro e siguron investitori “Gazprom Energoholding”, një degë e Gazprom, e njohur në Serbi si aksionari më i madh i NIS.

Kontrata me kompaninë kineze u nënshkrua në tetor të vitit 2017 nga kompania TE-TO Pançevo.

Kjo kompani, që do të ndërtojë termocentralin, u formua nga NIS dhe Centrenergoholding, e cila i përket Grupit të Gazprom Energoholding.

Pronësinë e komanisë NIS (Industria e Naftës e Serbisë) e ka kompania ruse Gazprom Neft (56.15%) dhe pjesën tjetër 29.87% shteti i Serbisë.

Projekti TE-TO po ndërtohet pranë rafinerisë së naftës në Pançevë dhe do të prodhojë energji elektrike dhe ngrohje nga gazi natyror.

Siç është thënë, energjia e prodhuar aty pritet të sigurojë nevojat gjithnjë e më të mëdha të Rafinerisë së Naftës në Pançevë, dhe pjesa e mbetur e energjisë elektrike do të shkojë në sistemin energjetik të Serbisë.

Gazprom: Projekti konfirmon efikasitetin e bashkëpunimit ruso-kinez

Drejtori i Përgjithshëm i Gazprom Energoholding, Denis Fyodorov, pati thënë në tetor të vitit 2017 se kompanitë që veprojnë në kuadër të këtij grupi kanë zbatuar projekte për ndërtimin dhe modernizimin e impianteve të energjisë me partnerë nga Kina në dhjetë vitet e fundit.

“Jam i sigurt se realizimi i suksesshëm i këtij projekti do të konfirmojë efikasitetin e lartë të bashkëpunimit ruso-kinez në zbatimin e projekteve në tregjet evropiane të energjisë”, pati thënë Fjodorov.

Nga kompania “Gazprom Energoholding Serbia” i thanë Radios Evropa e Lirë (REL) se aktualisht ata nuk janë në dialog me kompanitë kineze sa i takon bashkëpunimin për projekte tjera në rajon.

Në një përgjigje me shkrim të kësaj kompanie thuhet se Serbia dhe gjithë rajoni i Ballkanit janë një ndër vendet më premtuese për zhvillimin e biznesit ndërkombëtar të Gazprom Energoholding.

“Ne do të përcjellim me vëmendje tenderët e shpallura nga Ministria e Minierave dhe Energjisë (të Serbisë)” deklaroi kompania.

REL gjithashtu i ka dërguar pyetje edhe kompanisë kineze Shanghai Electric Group lidhur me bashkëpunimin e tyre me kompanitë ruse në Serbi, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti nuk ka pranuar përgjigje.

Sipas ekonomistit, Millan Kovaçeviq është mëse e zakonshme që kompanitë nga disa vende të ndryshme të gjejnë një gjuhë të përbashkët dhe të zbatojnë së bashku një projekt.

“Këtu rastisi të jenë një kompani ruse dhe kineze që mund të tingëllojë se aty ka një aspekt politik, Gjegjësisht, të dyja vendet po përpiqen të heqin pengesat që Bashkimi Evropian po krijon për praninë e tyre në rajonin tonë”, tha Kovaçeviq.

Bashkëpunimi ruso-kinez në nivel global

Edhe në nivel global po fuqizohet bashkëpunimi midis Kinës dhe Rusisë. Qendra për Sigurinë e Re Amerikane (CNAS) në një analizë të saj thotë se në aspektin praktit lidhjet midis Kinës dhe Rusisë janë forcuar.

“Duke filluar nga diplomacia në mbrojtje dhe nga ekonomika te informacioni – bashkëpunimi midis Pekinit dhe Moskës është intensifikuar”, thotë ky Institut.

“Pekini po punon me Moskën në mënyrë që të përmbushë boshllëqet në aftësitë e saj ushtarake. Pastaj për të përshpejtuar zhvillimin e saj ushtarak dhe për të shtuar përpjekjet e saj në minimin e Shteteve të Bashkuara si një vend udhëheqës global”.

Në analizën e botuar në muajin janar thuhet se Rusia po përforcon kërcënimin që Kina paraqet për Shtetet e Bashkuara.

Në Ballkanin Perëndimor “kështjella” e Kinës dhe Rusisë është para së gjithash Serbia.

Novakoviq: Aktiviteti i Kinës po rritet

Drejtori i hulumtimeve në Qendrën për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë (Fondi ISAC), Igor Novakoviq thotë se Kina është gjithnjë e më aktive në rajon.

Sipas tij Kina ka qenë në përgjithësi një lojtar më pasiv në politikën ndërkombëtare, por që tani sipas tij Pekini ka treguar shenja të ndryshimit.

“Ajo (Kina) ishte kryesisht e përmbajtur, pasi u përpoq të mos zemërojë as Perëndimin dhe as Rusinë nëse kishte ndonjë çështje konflikti. Sidoqoftë, tani më duket se kjo po ndryshon”, tha Novakoviq.

Si shembuj të kësaj ai citoi postimin e Ambasadës së Kinës në Podgoricë, përmes së cilit, zyrtarëve amerikanë iu dërgohej porosi të kujdeseshin për punët e tyre me Malin e Zi dhe të shqetësoheshin më pak për bashkëpunimin midis Kinës dhe Malit të Zi.

Një çështje tjetër, analisti Novakoviq përmend propozimin e rezolutës së Kinës dhe Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së më 22 korrik për heqjen e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë në Bosnjë dhe Hercegovinë (OHR), propozim ky që nuk u miratua.

“Jemi duke parë një pozicionim gjithnjë e më konfrontues të Kinës ndaj Perëndimit. Për këtë, Pekinit gjithashtu i konvenon bashkëpunimi me Rusinë, e cila ka qenë e pranishme këtu në rajon dhe ka treguar një sjellje të tillë për shumë vite”, tha Novakoviq.

Bashkimi Evropian disa herë i ka dërguar Serbisë paralajmërime për rëndësinë që ky vend të përafrojë politikën e jashtme me BE-në.

Serbia nuk ka mbështetur disa rezoluta të Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për dënimin e Rusisë dhe Kinës dhe vendeve të tjera autokratike në lidhje me shkeljen e të drejtave të njeriut. Beogradi llogarit në mbështetjen e këtyre vendeve në mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Stefan Vladisavlev, nga Fondi për Ekselencë Politike, një organizatë joqeveritare me seli në Beograd, i tha Radios Evropa e Lirë se në Serbi krahas pranisë së vendeve të BE-së ekziston edhe prania e vendeve nga Lindja.

“Ne trashëgojmë atë që njihet si katër shtyllat e politikës së jashtme. Pra, ne u përmbahemi shtyllave që i referohen Moskës dhe Pekinit, dhe u mundësojmë atyre që të zhvillojnë bashkëpunimin e tyre të ndërsjellë në Serbi”, tha Vladisavljev.

Politika e jashtme e bazuar në katër shtylla – Bashkimi Evropian, Rusia, Shtetet e Bashkuara (SHBA) dhe Kina, u krijua nga ish -presidenti serb, Boris Tadiq, i cili drejtoi vendin nga vitit 2004 deri më 2012.

Pasi Partia Përparimtare Serbe mori pushtetin në vitin 2012, presidenti serb Aleksandar Vuçiç përsëriti se Serbia është në rrugën drejt anëtarësimit në BE, por se ajo po ndërton marrëdhënie të mira me Shtetet e Bashkuara, Rusinë dhe Kinën.

Projektet e Serbisë me Kinën dhe Rusinë

Ka kohë që Serbia zhvillon shumë projekte infrastrukturore me Kinën dhe Rusinë.

Ministrja e Minierave dhe Energjisë, Zorana Mihajlloviq, e cila më 22 korrik bisedoi me përfaqësuesit e Shanghai Electric në Beograd për projektet e mundshme për ndërtimin e termocentraleve me gaz në Serbi, tha se vlera e projekteve të përbashkëta të infrastrukturës midis Serbisë dhe Kinës është rreth 15 miliardë euro.

Disa nga projektet janë: Korridori rrugor 10 dhe Korridori 11, Ura Mihajlo Pupin në Beograd, pastaj kompanitë kineze kanë blerë hekurishten në Smederevë dhe kompleksin e minierave Bor.

Me Rusinë, Serbia gjithashtu ka zhvilluar shumë projekte të përbashkëta infrastrukturore, të tilla si hekurudha Stara Pazova-Novi Sad, e cila është një pjesë e hekurudhës Beograd-Novi Sad, si dhe projekte energjetike, siç është tubacioni i gazit nga Bullgaria deri në kufirin me Hungarinë.

rel

Lidhjet e Vuçiqit dhe qeverisë serbe me mafian?

Serbien Belgrad Polizeieinsatz gegen MafiaNjë skandal i madh mafio-politik po trondit Serbinë. Lidhjet e krimit të organizuar me gjasë arrijnë deri në krye të qeverisë serbe në Beograd.

Përplasjet mafioze janë parë vitet e fundit në Serbi gjithmonë vetëm si pjesë e krimit të organizuar. Por në Beograd janë shtuar kohët e fundit zërat në media dhe qarqe të ndryshme që thonë se ngritja e grupeve mafioze ka ndodhur në bashkëpunim të ngushtë me udhëheqjen shtetërore të Serbisë. Me arrestimin e kriminelit Veljko Belivuk dhe grupit të tij, ka filluar të zbulohet edhe roli i shtetit serb në mbrojtjen e grupeve të caktuara kriminale. Veljko Belivuk ishte drejtues i grupit huligan-kriminal “Principi”, i cili punonte brenda klanit malazez Kavaç. Kundër këtij grupi është ngritur tanimë një aktakuzë, në të cilën grupi fajësohet për pesë vrasje, për rrëmbime, tortura dhe përdhunimin e një personi. Ky grup akuzohet edhe për trafik droge dhe armëmbajtje pa leje. Detajet tepër shqetësuese të vrasjeve të kundërshtarëve të tyre, mes të tjerash edhe vrasje me sëpatë dhe bluarjen e mishit të njerëzve, kanë vërshuar mediat serbe javët e fundit.

Roli mafioz i pushtetit

Veljko Belivuk dhe dora e tij e djathtë, Marko Miljkoviq, në deklaratat e tyre në prokurori, kanë akuzuar rëndë edhe disa nga krerët e shtetit të Serbisë. Belivuk në deklaratën e tij para prokurorisë pretendon, se ai personalisht është takuar edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një apartament në lagjen Zvezdara në Beograd. Belivuk pohon se Vuçiqi dhe bashkëpunëtorët e tij nga Partia Përparimtare Serbe (SNS) kanë kërkuar shërbime të ndryshme prej tyre.

Këto shërbime kishin të bënin me parandalimin e thirrjeve në tribunat e stadiumeve kundër presidentit të Serbisë, Vuçiq (asokohe në stadiume brohorisnin disa grupe se Vuçiqi është homoseksual), me frikësimin e organizatorëve të protestave kundër autoriteteve të Serbisë, me sigurimin e qetësisë në Paradën e Krenarisë në Beograd, por edhe me ndikimin e këtij grupi tek taksistët në Beograd, që të hiqinn dorë nga protestat kundër aplikacionit të transportit “CarGo” (një kompani e lidhur me vëllain e kryeministres Ana Brnabiq). Natyrisht që nuk dihet, se cili saktësisht ka qenë komensimi i qeverisë për këto shërbime të këtij grupi kriminal, por thuhet se kompensime mund të kenë qenë mos pengimi i trafikut të drogës, sigurimi i klubeve, bizneset fitimprurëse të tyre me shtetin, mbështetje logjistike e tyre, si dhe mbështetje e tyre nga policia dhe gjyqësia në rastet e konflikteve me ligjin.

Ndryshe, Belivuk i ka thënë prokurorit se ai ishte anëtar i partisë SNS (të presidentit Vuçiq) që nga viti 2011. Lista e zyrtarëve qeveritarë, të cilët në mënyra të ndryshme kanë qenë të lidhur me mbështetjen e këtij grupi kriminal shkon praktikisht deri në ajkën e pushtetit të partisë SNS, e ata janë: Aleksandar Vulin, ministër i Policisë, Nebojsha Stefanoviq, ministër i Mbrojtjes, Diana Hrkaloviq, ish-sekretare e shtetit në Ministrinë e Brendshme të Serbisë, Darko Glishiq, kryetar i Këshillit Ekzekutiv të partisë SNS dhe Novak Nediq, sekretar i përgjithshëm i Qeverisë së Serbisë. Por hetuesit zyrtarisht nuk janë marrë me lidhjet e këtij grupi kriminal me politikën dhe policinë.

Bozho Preleviq: „Ky është problem rajonal dhe evropian”

Dëshmitë e dy kriminelëve kanë vënë në lëvizje makinerinë propagandistike të regjimit në Serbi. E gjithë propaganda drejtohet kundër opozitës, njerëzve të pasur në Serbi dhe ambasadave të huaja, të cilët akuzohen, se ata gjoja po përpiqen në këtë mënyrë të përmbysin pushtetin e presidentit Aleksandar Vuçiq në Serbi. Këto qarqe thonë, se kriminelët e akuzuar mund të gënjejnë në mbrojtje, që sigurisht mund të jetë e vërtetë, por siç thotë për Deutsche Wellen avokati dhe deputeti Bozho Preleviq, këto pohime nuk kanë aspak logjikë dhe e përkeqësojnë situatën e tyre. Ata do kalonin më së miri sikur të thoshin se për të gjitha veprat e tyre kriminale e kanë njoftuar opozitën dhe se kanë marrë detyra nga opozita (e jo pushteti)”, thotë Preleviq, në një deklaratë për DW.

Një vëmendje shumë të madhe në Serbi ka zgjuar një tekst i publikuar në gazetën franceze “Le Monde”, e cila shkruan ndër të tjera, se “krimi i organizuar ka depërtuar në zemër të sistemit shtetëror në Serbi dhe Mal të Zi”. Gazeta “Le Monde” shkruan më tej se “grupet kriminale nga Mali i Zi dhe Serbia kanë marrë pjesë në tregtinë e drogës me origjinë nga Amerika e Jugut, e cila është transportuar në të gjithë Evropën, e kjo e gjitha është bërë në bashkëpunim me autoritetet zyrtare të pushtetit”. Në tekst theksohet në veçanti “roli i vëllait të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq (Andrej Vuçiq) në Beograd si dhe vëllait të presidentit malazez Millo Gjukanoviq (Aca Gjukanoviq) në Podgoricë”, si dhe fakti se “djali i presidentit serb Vuçiq, Danilo Vuçiq, shpesh është parë në shoqërinë e këtyre huliganëve”.

Situata po bëhet tmerrësisht e pakëndshme për qeverinë, pohon Preleviq dhe shton se e gjithë afera nuk është më vetëm problem i Serbisë: “Ky tani është një problem rajonal dhe evropian, e ky problem nuk mund të zgjidhet tani vetëm nga Serbia. Pyetja që shtrohet tani është: nëse dikush ju premton se do të nënshkruajë një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme me Kosovën, a do të thotë kjo se ky person është në gjendje të shkatërrojë tërësisht edhe vendin e vet pas disa vitesh. Dhe a është e mundur që institucionet evropiane, të cilat kanë raporte shumë të sakta për këto gjëra, ndoshta mund t’i mbyllin sytë para këtyre gjërave dhe do t’ia falin ato”, pyet Preleviq.

Situatë e paqëndrueshme – kërkohen përgjigje

Tani është i domosdoshëm një hetim i plotë mbi pretendimet e anëtarëve të grupit të Belivukut, në mënyrë që të saktësohet nëse vërtet ka të vërteta në pohimet se disa grupe kriminale kanë pasur mbështetjen e autoriteteve më të larta, thotë për DW Slobodan Georgiev, drejtor programor i “Newsmax Adria”.

“Kjo situatë është e paqëndrueshme dhe tani duhet të jepen disa përgjigje. Unë mendoj se njerëzit në polici dhe në prokurori dinë shumë për këto gjëra, ndërkohë që edhe lëvizjet e presidentit të Serbisë mund të përcaktohen shumë lehtë. Mendoj se do të ishte shumë e dobishme dhe shëruese për situatën, sikur të përcaktohej sfondi i qartë i krijimit të këtij grupi, si dhe mënyra e shndërrimit të këtij grupi tifozësh në një grup të organizuar kriminal. Dhe të përcaktohet, se kush e ka ndihmuar këtë grup nga qeveria dhe pushteti”, thonë Georgiev.

Slobodan Georgiev thotë se fushata e mediave të regjimit për pastrimin e pushtetit është e pritshme, sepse siç thotë ai, “kur kontrolloni mediat e mëdha, ju mund të shkoni rreth e rrotull dhe të tregoni versionin tuaj të së vërtetës”. E në anën tjetër e keni në duar edhe buxhetin e shtetit dhe mund të paguani të tjerët të bëjnë propagandë“.

Mediat e regjimit dhe financimi i tyre

Sa i përket dilemës, nëse kjo aferë do të dëmtojë politikisht autoritetet e tanishme në Serbi, apo pushteti do të arrijë të amortizojë këtë aferë, Georgiev nënvizon se “votuesit e Vuçiqit nuk shohin dhe nuk dëgjojnë asgjë tjetër. Ata vetëm shohin se dikush po e sulmon Vuçiqin dhe po e akuzon atë për gjëra të tmerrshme. Ndërsa Vuçiqin e shohin si njeri të mirë që u jep para dhe punë të gjithëve. Kjo është arsyeja pse mediat edhe këtu janë gjëja më e rëndësishme, sepse në këto media nuk mund të lexoni dhe shikoni asgjë tjetër, përveç vajtimeve të Vuçiqit, i cili shkon rreth e përqark dhe thotë se dikush po do ta shkatërrojë – ndërsa për veten pohon se është i gatshëm të shkojë edhe në poligraf dhe të dëshmojë të vërtetën”, nënvizon Georgiev.

Avokati Bozho Preleviq është i mendimit, se SNS nuk mund të bindë më as anëtarësinë e vet, se kjo parti nuk është e lidhur me grupe serioze kriminale.  “Zgjedhjet e reja do të vijnë së shpejti dhe se kjo aferë nuk do të mund të ndalet dhe kapërcehet lehtë. Gjyqi dhe mbrojtja e të akuzuarve ende nuk kanë filluar, ndaj besoj se informacionet e FBI-së do të dalin dhe se me to do të njihet edhe opinioni i gjerë në Serbi. Por me këto do të njihen edhe politikanët evropianë dhe se do të shihet se me çfarë problemi po përballemi ne këtu”.

Po për sa kohë Vuçiqi tregohet servil, veçanërisht ndaj amerikanëve, asgjë nuk do të ndryshojë, beson Sllobodan Georgiev.

“Vuçiqi është njeri i dëgjueshëm, dhe derisa vazhdon të jetë i tillë, nuk mendoj se do të ketë ndonjë problem për të. Gjërat mund të ndryshojnë vetëm, nëse Vuçiqi ndryshon pozicionin e tij, ose nëse dikush vendos të na tregojë disa gjëra, siç ka ndodhur dikur në Maqedoni, ku shihet se Vuçiqi dhe njerëzit rreth tij mund të jenë të lidhur me krimin e organizuar”, përfundon drejtori i “Newsmax Adria”.

dw

 

Bosnje e Hercegovinë: Nga sot ndalohet mohimi i gjenocidit në Srebrenicë

Nga e mërkura në Bosnjë e Hercegovinë është i ndaluar me ligj mohimi i gjenocidit në Srebrenicë dhe shkelësit e ligjit mund të dënohen me burgim.

Vendimi i Përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar në Bosnje, Valentin Inzko për plotësimin e Kodit Penal për këtë çështje hyn sot në fuqi.

Javën e kaluar zoti Inzko, shpalli të premten vendimin me të cilin ndalon mohimin e gjenocidit, duke iu kundërvënë përpjekjeve të serbëve të Bosnjës për të mohuar masakrën e vitit 1995 në Srebrenicë, gjenocidi i vetëm në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.

Vendimi nxiti reagime të ashpra nga Republika Sërpska, entiteti me shumicë serbe në Bosnje. Anëtari i presidencës trepalëshe të Bosnjës, Milorad Dodik, paralajmëroi se Bosnja mund të shpërbëhet dhe nisi një peticion për mospranimin e ndryshimeve në Kodin Penal.

Përfaqësuesit e serbëve thanë se nuk do të marrin pjesë më në institucionet shtetërore të Bosnje-Hercegovinës.

Zyra e Përfaqësuesit të lartë tha se çdo veprim për bllokimin e institucioneve të Bosnjës është hap në drejtim të gabuar.

Republika Sërpska paralajmëroi për datën 30 korrik debatin mbi dy ligje që parashohin moslejimin e zbatimit të vendimit të zotit Inzko dhe dënimin e të gjithë atyre që, siç thuhet, “fyejnë” këtë entitet.

Ndryshimet në Kodin Penal të vendosura nga zoti Inzko parashohin dënime me heqje lirie deri në pesë vjet për mohuesit e gjenocidit dhe për çdo madhërim të kriminelëve të luftës, përfshirë emërtimin e rrugëve ose institucioneve publike me emrat e tyre.

Si organi më i lartë ndërkombëtar që mbikëqyrë zbatimin e marrëveshjes së paqes që i dha fund luftës së Bosnjës të viteve 1992-1995, OHR-ja ka autoritetin të imponojë vendime ose të shkarkojë zyrtarë që dëmtojnë ekuilibrin etnik të pasluftës dhe përpjekjet për pajtimin midis boshnjakëve myslimanë, serbëve dhe kroatëve të Bosnjës.

Gjenocidi në Srebrenicë u krye pasi serbët e Bosnjës morën kontrollin mbi enklavën lindore në korrik të vitit 1995, ndonëse ishte shpallur zonë e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara. Ata ekzekutuan burrat dhe djemtë boshnjakë dhe hodhën trupat e tyre në varre masive të cilat më vonë u hapën dhe trupat u rivarrosën në pjesë të ndryshme për të mbuluar krimin. Edhe më tej vazhdon procesi i zhvarrimit dhe identifikimit të viktimave.

Serbët e Bosnjës dhe Serbia e kanë quajtur masakrën një krim, por kanë refuzuar ta njohin atë si gjenocid.

Lufta e Bosnjës e viteve 1992-1995 që la pas vetes mbi 100 mijë të vrarë dhe miliona të zhvendosur, mori fund me marrëveshjen e paqes që u arrit në vjeshtën e vitit 1995 në Dayton të Ohios.

voa

Majlinda Bregu: “Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të punojnë së bashku”

Majlinda BreguSekretarja e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal të Ballkanit Perëndimor, Majlinda Bregu, shpjegon në intervistë me DW pse duhet të vazhdojë Procesi i Berlinit edhe pas largimit të kancelares Angela Merkel.

Deutsche Welle: Zonja Bregu, në Ballkanin Perëndimor është krijuar përshtypja se Procesi i Berlinit, të ciline inicioi kancelarja Angela Merkel shtatë vjet më parë, nuk ishte asgjë tjetër, veçse një mundësi për kryetarët e shteteve dhe qeverive të rajonit që të bëjnë fotografi të bukura me kancelaren gjermane.  A ka arritur Procesi i Berlinit diçka konkrete në vitet e fundit, përveç heqjes së tarifave “roaming” në rajon?

Majlinda Bregu: Heqja e tarifave roaming nuk është aq e thjeshtë BE-së iu deshën gati dhjetë vjet, ndërsa Ballkani Perëndimor e arriti për dy vjet. Mendoj se ky është një sukses i madh. Projekti i një Ballkani Perëndimor pa roaming nuk ka vetëm domethënie praktike. Ka edhe një përbërës simbolik, që na tregon se mund t’i realizojmë gjërat vetëm nëse punojmë së bashku dhe për të plotësuar pritmëritë e qytetarëve në rajon.

Ky është padyshim i vetmi kombinim i suksesshëm dhe kjo është arsyeja pse ne preferojmë të flasim për tarifat roaming. Por Procesi i Berlinit ka dhe shumë anë të tjera: ai është ende i vetmi forum, në të cilin krerët e shteteve dhe qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të diskutojnë dhe formësojnë prioritetet e tyre të përbashkëta me disa nga vendet e BE-së, Komisionin e BE-së, shoqërinë civile dhe institucionet ndërkombëtare financiare.

Një nga nismat aktuale për Ballkanin Perëndimor është Tregu i Përbashkët Rajonal, për të cilin ju si sekretare e RCC keni punuar shumë intensivisht. Ajo synon të realizojë deri në vitin 2024 katër liritë e BE-së, lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit. Por që nga nëntori i vitit 2020, kur ky plan u miratua në Sofje, është bërë pak përparim? Përse?

Tregu i përbashkët është një mundësi e shkëlqyeshme për të vendosur në rajonin e Ballkanit Perëndimor diçka të ngjashme si në BE. Banka Botërore ka llogaritur se vetëm ky do të rrisë prodhimin kombëtar bruto të Ballkanit Perëndimor me 6,4 përqind. Që nga viti i kaluar ne kemi punuar shumë për të avancuar negociatat mbi marrëveshjen për lëvizjen e lirë të njerëzve me karta identiteti.

Teknikisht, nuk ka asnjë pengesë për të pranuar këtë marrëveshje. Të gjitha vendet kanë treguar gatishmëri për ta mbështetur atë. Kjo marrëveshje do të ishte një tjetër moment historik pozitiv nëse do të arrinim të hiqnim pengesat politike në muajt në vazhdim. Një argument pro këtij projekti është një anketim i në Barometrin e Ballkanit, sipas të cilit 42 përqind e qytetarëve kosovarë kanë konfirmuar se do të udhëtonin më shpesh brenda Ballkanit Perëndimor, nëse do të mund të lëviznin lirshëm vetëm me një kartë identiteti.

Më 5 korrik 2021, krerët e qeverive të Ballkanit Perëndimor nuk specifikuan një format të ri në të cilin Procesi i Berlinit duhet të vazhdonte pas këtij takimi të tetë. A mendoni se Iniciativa e Ballkanit Perëndimor do të ketë të njëjtën vëmendje edhe pasi kancelarja Merkel të mos jetë më kancelare?

Zyrtarisht, të gjithë pjesëmarrësit në Procesin e Berlinit theksojnë nevojën për vazhdimin e tij për të realizuar potencialin e plotë të bashkëpunimit të përmirësuar rajonal, gjithashtu me qëllim që të kapërcehen pasojat socio-ekonomike të pandemisë COVID-19. Tani mbetet të shihet se si do të vazhdojnë gjërat në praktikë.

Kontributi dhe angazhimi personal i kancelares Angela Merkel për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE dhe për përmirësimin e bashkëpunimit rajonal ka qenë me rëndësi të madhe. Roli i saj udhëheqës ka formësuar rajonin dhe do të ketë një efekt afatgjatë. Siç thekson Kancelarja përsëri dhe përsëri: Evropa mund të jetë e suksesshme vetëm nëse punojmë së bashku. Edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë zgjidhje tjetër, veçse ta dëgjojnë këtë grua të mençur dhe të bashkëpunojnë.

Majlinda Bregu, 47 vjeçe, e lindur në Tiranë, është Sekretare e Përgjithshme e RCC që nga 1 janari 2019. Më parë ajo ka qenë aktive në  Partinë Demokratike, PD. Nën Sali Berishën si kryeministër (2007-2013) ajo ka qenë ministre për Integrimin Evropian dhe zëdhënëse e qeverisë.

dw

 

BE i shpall luftë pastrimit të parave

Symbolbild WirtschaftskriminalitätÇdo vit në ekonominë e rregullt futen shuma të mëdha parash me prejardhje të paligjshme ose nga kontrabanda. Përmes një reforme gjithëpërfshirëse Bashkimi Evropian synon të luftojë më intensivisht pastrimin e parave.

Rregullat tona kundër pastrimit të parave janë më të ashprat në botë, thotë nënkryetari i Komisionit të BE Valdis Dombrovskis. “Por tani ato edhe duhet të zbatohen me konsekuencë”. Kjo ka munguar në vitet e fundit. Shumë shtete anëtare të BE-së nuk i zbatojnë në praktikë rregullat ose janë tepër të dobët në mbikqyrjen dhe rishikimin e transaksioneve financiare të dyshimta. Prandaj Komisioni i BE po propozon tani zyrtarisht atë që është përgatitur në Bruksel prej muash: që një autoritet i ri mbikëqyrës i BE të mbikqyrë vendet anëtare dhe të monitorojë dhe kontrollojë vetë institucionet e mëdha financiare ndërshtetërore, që paraqesin rreziqe.

Ky autoritet i fuqishëm i së ardhmes do të jetë në gjendje të funksionojë pas tre vjetësh dhe pas pesë vjetësh të ushtrojë efektin e tij të plotë. Në parim shtetet anëtare të BE e kanë miratuar krijimin e këtij autoriteti qendror mbikëqyrës, që ekziston ndërkohë edhe për bankat. Por nuk kanë rënë ende dakord se ku duhet ta ketë selinë.

Shifër e konsiderueshme nga paratë e pista

Pastrimi i paraveështë një kërcënim i qartë për qytetarët, institucionet demokratike dhe sistemin financiar”, pohoi Komisionerja e BE për Shërbimet Financiare, Mairead McGuiness, gjatë prezantimit të propozimeve të reja legjislative. Rreth 1.5 përqind e produktit të brendshëm bruto në BE – që është 133 miliardë euro – del nga biznesi me para “të pista”. “Dimensioni i problemit nuk mund të nënvlerësohet. Rrugët, që kriminelët mund të shfrytëzojnë, duhet të mbyllen”, kërkoi Komisionerja e BE.

Për ta arritur këtë, Komisioni i BE dëshiron t’i bëjë më uniforme rregullat kundër pastrimit të parave në të gjithë Evropën. Në të gjitha vendet anëtare duhet të bëhet transparente, se kush zotëron në të vërtetë cilat kompani ose ofrues të shërbimeve financiare, apo kush zotëron pasuri të patundshme. Firmat anonime dhe personat bedel së shpejti nuk do të ekzistojnë më në BE. Listat e llogarive bankare dhe zotëruesve të tyre do të unifikohen në të gjithë BE-në.

Direktiva numër gjashtë

Me copëtimin e vazhdueshëm të pasurive në njësi më të vogla, me fragmentimin e konstruksionit të firmave dhe transaksioneve elektronike përmes shumë llogarive të huaja bankare, bëhet shumë e vështirë të ndiqen gjurmët e parave, që vijnë nga trafiku i drogës, prostitucioni ilegal, lojërat e paligjshme të fatit, trafikimi i qenieve njerëzore dhe krimet e ngjashme, deklaron Komisioni i BE-së.

Një direktivë e re kundër pastrimit të parave, tashmë me numrin gjashtë, ka për qëllim t’ia vështirësojë krimit të organizuar dhe financuesve të terrorizmit bizneset. Rregullat ashpërsohen sërish në krahasim me direktivën e pestë të aplikuar deri tani. Në shënjestër do të jenë edhe kriptomonedhat, pra monedhat elektronike të krijuara privatisht, si “bitcoins”, të cilat BE i konsideron të përshtatshme për biznes anonim. Në të ardhmen ofruesit e kriptomonedhave do të duhet të tregojnë zotëruesit e llogarive bankare.

Kufizim në vetëm 10.000 euro parave në dorë

Shtetet anëtare debatojnë lidhur me propozimin e Komisionerit të BE Valdis Dombrovskis, që pagesat me para në dorë të kufizohen në maksimalisht 10.000 euro. Paraja kesh është një portë e lehtë për pastrimin e parave. Paratë nga një tregtar droge futen në qarkullim përmes shitjeve të fryra të një picerie, që u përket kriminelëve. Pasuritë e paluajtshme paguhen me valixhe plot me para.

Në disa vende anëtare të BE pagesa me para ka një limit, për shembull në Greqi ai është vetëm 500 euro. Në vendet e tjera, si Gjermania apo Austria, nuk ka kurrfarë limiti. Rreth 70 për qind e të gjitha transaksioneve të pagesave të klientëve në BE bëhen me para në dorë.

Ministri austriak i Financave Gernot Blümel e mbështet luftën kundër pastrimit të parave, por thotë se është iluzion të besosh se kriminelët përdorin vetëm para kesh. “Ne po shohim që kriminelët ekonomikë po kalojnë gjithnjë e më shumë në hapësirën digjitale dhe këtu duhen bërë përpjekje më të mëdha në të ardhmen. Këtë e konsideroj më efektive sesa limitet maksimale arbitrare, që forcojnë prirjen e deritashme për heqjen e parasë kesh”, tha Blümel javën e kaluar në Vjenë. Paraja në dorë duhet të ruhet si mjet pagese, për të cilën nuk nevojiten mjete ndihmëse teknike.

Vladis Dombrovskis, nënkryetar i Komisionit të BE, shqetësohet kryesisht për reputacionin dhe stabilitetin e BE siqendër financiare. “Çdo skandal pastrimi parash është i tepërt”, tha Dombrovskis.

Shtatorin e kaluar të ashtuquajturit “FinCen-Files” e bënë të qartë se edhe bankat e mëdha evropiane minojnë rregullat e BE kundër pastrimit të parave. Në vitin 2018 u zbulua se një bankë daneze kishte pastruar për vite me radhë para përmes një dege të vogël në Estoni – deri në 200 miliardë euro. Skandali me “Danske Bank” ka qenë arsyeja e nismave të reja të Komisionit të BE kundër pastrimit të parave, të cilat tani duhet të miratohen nga Parlamenti i BE dhe 27 vendet anëtare.

dw

Ballkani bëhet cak i Forumit Mysliman Evropian

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, gjatë takimit me kryetarin e Forumit Mysliman Evropian, Abdul-Wahed Niyazov në Prishtinë.Më 6 korrik të këtij viti, në Bashkësinë Islame të Kosovës dhe në Fakultetin e Shkencave Islame, ka qëndruar për vizitë një delegacion nga Forumi Mysliman Evropian (EMF) i kryesuar nga kryetari i tij, Abdul-Wahed Niyazov.

Delegacionin e Forumit Mysliman Evropian, e kishte pritur në takim myftiu Naim Tërnava, kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës dhe bashkëpunëtorët e tij, por ata nuk e kishin shqyrtuar gjatë se çfarë paraqiste ky forum dhe kush ishte drejtuesi i tij, Abdul-Wahed Niyazov.

Forumi Mysliman Evropian, është organizatë që ka selinë në Bruksel, dhe është themeluar në tetor të vitit 2018.

Disa nga qëllimet e këtij Forumi, të cekura në faqen e tij të internetit janë: integrimi i migrantëve myslimanë në shoqërinë evropiane, ndihma në ndërtimin dhe zhvillimin e xhamive dhe qendrave kulturore islamike në vendet evropiane, organizimi i aktiviteteve që synojnë popullarizimin e trashëgimisë kulturore islame evropiane, zhvillimi i projekteve arsimore në internet për të arritur një audiencë më të gjerë nga të rinjtë myslimanë, zhvillimin e industrisë hallall në vendet evropiane, etj.

Drejtuesi i Forumit, Niyazov, kryeson gjithashtu Qendrën Kulturore Islamike të Moskës, një departament publik i këshillit zyrtar të myftiut rus dhe gjithashtu organ i lidhur me Kremlinin.

Në Federatën Ruse, Niyazov konsiderohet si bashkëpunëtor i afërt i presidentit rus, Vladimir Putin, i cili prej vitit 1999 e deri në vitin 2003, ka qenë përfaqësues i partisë së Putinit në Dumën ruse.

Vizitë ‘kurtuazie’ e Forumit Mysliman Evropian në BIK

Kryeimami i Kosovës, Vedat Sahiti, thotë për Radion Evropa e Lirë se tradicionalisht, dyert e Bashkësisë Islame të Kosovës janë të hapura për vizitorët dhe në këtë kuptim është pranuar për vizitë edhe delegacioni i Forumit Mysliman Evropian. Por, siç thotë ai, nuk kanë pasur informata se me kë kanë afërsi anëtarë të caktuar të këtij delegacioni dhe as me pretendimet që Niyazov është i afërt me Kremlinin.

“Jo, ne nuk jemi marrë me atë se kush është i afërt apo kush është i largët. Nuk jemi marrë me këtë punë. Kanë ardhur si delegacion për vizitë dhe kaq. Thjesht, kanë qenë për vizitë. Kanë qenë në të gjithë Ballkanin dhe jo vetëm te ne. Kanë qenë në Maqedoni (të Veriut), Shqipëri, Bosnje (e Hercegovinë), Mal të Zi. Thjesht, ka qenë takim kurtuazie, takim njoftimi. Nuk ka pasur diçka tjetër. Është një forum i ri që është bërë prej atyre dhe nuk ka diçka specifike. Kanë vizituar medresenë, fakultetin, thjesht, që të njoftohen me bashkësinë dhe asgjë tjetër”, tha kryeimami Sahiti.

Sipas një njoftimit të BIK-ut lidhur me këtë vizitë, myftiu Naim Tërnava e ka njoftuar Niyazovin për aktivitetet e BIK-ut, kurse ky i fundit është shprehur i “impresionuar nga të arriturat e Kosovës në periudhën e pasluftës” dhe ka shprehur “gatishmërinë për bashkëpunim në të ardhmen”.

Myftiu i Bosnjës nuk e pranoi takimin

Për dallim nga myftiu i Kosovës, myftiu i Bosnje e Hercegovinës, Husein Kavazoviq nuk pranoi të takojë këtë delegacion në korrik, gjatë një vizite në këtë shtet.

Takimi është zhvilluar vetëm me disa përfaqësues të Bashkësisë Islame të Bosnjës.

“Kjo është disi një rrëfim i paqartë rus, që nuk ka lidhje me myslimanët evropianë. Ne nuk e dimë se cilat janë qëllimet e tyre. Nuk e dinim se kush janë. I kam pyetur se kush janë dhe çka dëshirojnë. Ata nuk patën përgjigje të qartë, por patën disa ide megalomane”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Razim Çoliq, drejtor i Drejtorisë për punë të jashme dhe diasporë në Bashkësinë Islame të Bosnje-Hercegovinës.

Ai shtoi se e kanë refuzuar bashkëpunimin edhe për shkak që Forumi vepron në mënyrën “që shkojnë në ndonjë shtet ku myslimanët punojnë me shekuj dhe më pas këto i shfaqin si institucione të tyre. Unë nuk pashë asgjë të mirë në atë që ata thanë”, theksoi Çoliq.

Ai gjithashtu ka theksuar se kryetari i Forumit, Niyazov, u prezantua si kryetar dhe përfaqësues i të gjithë myslimanëve në Evropë, gjë që, sipas tij, nuk është ide të cilën mund ta mbështesë Bashkësia Islame.

Në Bosnje, një rrugë me emrin e udhëheqësit çeçen Kadyrov

Megjithatë, si rezultat i vizitës së forumit në Bosnje, një rrugë në Zavidoviqi, qytet në qendër të këtij shteti, së shpejti mund të emërohet sipas presidentit të parë çeçen, Ahmad Kadyrov.

Ahmad KadyrovAhmad Kadyrov, luftoi kundër Rusisë gjatë luftës së parë çeçene dhe për pavarësinë e kësaj zone, por më pas doli në krah të Moskës dhe u vra në vitin 2004.

Ahmad Kadyrov, po ashtu ishte babai i liderit aktual të Çeçenisë, Ramzan Kadyrov, i cili sundon me autoritarizëm dhe është besnik i Kremlinit dhe presidentit rus Putin. Republika e Çeçenisë funksionon në kuadër të Federatës Ruse.

Kërkesa nga delegacioni i drejtuar nga Abdul -Wahed Niyazov, për emërimin e një rruge me emrin e Kadyrovit, u bë në takimin me kryetarin e Komunës së Zavidoviqit, Hashim Mujanoviq, më 9 korrik. Në këmbim të kësaj, Forumi premtoi gjysmë milioni euro për rindërtimin e një rruge dhe një pjese të urës në Zavidoviqi.

Ramzan KadyrovPor, ndryshe nga publikimet në rrjetet sociale nga Forumi Mysliman Evropian, kryetari i komunës së Zavidoviqit, Hashim Mujanoviq, thotë që ende asgjë nuk është finalizuar, por vetëm se është nënshkruar një memorandum për bashkëpunim.

“Thjesht, këto kanë qenë dëshirat e tyre, ofertat e tyre. Por, duke respektuar kompetencat e kryetarit të komunës dhe të kuvendit të komunës, unë nuk kam dashur të pranoj kurrfarë obligimi, marrë parasysh që kuvendi komunal është kompetent për emërimin e rrugëve, urave, shesheve e të tjera”, ka thënë Mujanoviq.

Nisma për një shkollë fetare me emrin Kadyrov në Novi Pazar

Në fund të qershorit, përfaqësuesit e Forumit Mysliman Evropian, vizituan edhe Novi Pazarin, një qytet me shumicë myslimane, në jug të Serbinë. Vizita u drejtua po ashtu nga Abdul-Wahed Niyazov.

Në Novi Pazar, u arrit pajtimi me Bashkësinë Islame në Serbi (IZuS) që Forumi të ndihmonte ndërtimin e një shkolle fetare me emrin e presidentit të parë të Çeçenisë, Ahmad Kadyrov.

Shërbimi Informues i Meshihatit, përkatësisht i Bashkësisë Islame të Serbisë, në një deklaratë me shkrim për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se nisma për të ndërtuar një shkollë me emrin e udhëheqësit të parë të Çeçenisë, Ahmad Kadyrov, erdhi nga mysafirët nga Forumi Evropian Mysliman.

Sahiti: Forumi nuk ka kërkuar asgjë nga BIK-u

A ka pasur kërkesa të ngjashme ose të tjera nga ky delegacion i Forumit Mysliman Evropian ndaj Bashkësisë Islame të Kosovës?

Kryeimami i Kosovës, Vedat Sahiti ka theksuar se madje as që kanë qenë të informuar për kërkesat e këtij forumi në Bosnje e Hercegovinë dhe në Serbi. Ai ka mohuar të ketë pasur kërkesa të tilla edhe në Kosovë.

“Jo, absolutisht, madje as që është hapur si temë. Edhe po të kishte (kërkesë), ne nuk do ta bënim. Ky thjesht ka qenë takim, vizitë kurtuazie. Për mirësjellje ne i presim, sepse ka pasur nga vende të ndryshme”, tha kryeimami Sahiti.

Aktivitet e Forumit Mysliman Evropian

Forumi Mysliman Evropian, përmes profilit zyrtar në Facebook, më 14 korrik, ka njoftuar se delegacioni i këtij forumi kishte qenë në Ballkan për gati 20 ditë.

Aty është thënë se kishin vizituar Greqinë, Rumaninë, Bosnje dhe Hercegovinën, Serbinë, Malin e Zi, Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Kroacinë.

Delegacioni i Forumit Mysliman Evropian njoftoi se është takuar me nënkryetarin e parlamentit serb, Muamer Zukorliq, zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, kryetarin e këshillit të qytetit të Sarajevës, Jasmin Ademoviq, si dhe në Sarajevë me Bakir Izetbegoviqin, drejtues i Partisë së Veprimit Demokratik.

“Talat Xhaferi dhe Bakir Izetbegoviq, paraprakisht janë pajtuar të bashkohen me Komitetin tonë Drejtues dhe Shejh Mustafa Ceriq, tashmë është anëtarësuar në Këshillin e Udhëzimeve Shpirtërore të Forumit. Vëllai i dashur Muamer Zukorliq është gjithashtu një anëtar i Këshillit tonë, të cilin ne planifikojmë ta përfshijmë në Bordin e FME-së, në takimi i ardhshëm në Lituani, dashtë Zoti. Padyshim, Forumi Mysliman Evropian tani po forcon pozicionin e tij në Ballkan”, thuhet në njoftimin e këtij forumi.

Më herët, Radio Evropa e Lirë ka shkruar se në Shkup, në fillim të korrikut, Niyazov u pajtua me autoritetet në komunën e Tetovës, që në kuadër të shënimit të 70-vjetorit të udhëheqësit të parë çeçen Ahmad Kadyrov, të ngrihet një monument i miqësisë midis popujve të Ballkanit dhe Kaukazit .

Radioja dhe televizioni çeçen thanë se një nga parqet e qytetit në Shkup, do të quhej “Parku i Miqësisë me emrin e Ahmad Kadyrov”.

rel

Kush është Xhemati Ahmedia në Kosovë?

Një person duke lexuar Kuranin. Fotografi nga arkivi. Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka ngritur shqetësime se në Kosovë janë duke u shpërndarë në mënyrë të fshehur dy deri në tri lloje të kopjeve të ndryshme të paautorizuara të Kuranit – librit të shenjtë të fesë Islame. Sipas BIK-ut, këtë po e bëjnë persona që i takojnë sektit Ahmedi, për të cilët BIK-u thotë se janë “përçarës”. BIK-u shton se pjesëtarët e këtij grupi mohojnë se profeti Muhamed është profeti i fundit, siç besojnë besimtarët myslimanë.

Nga Xhemati Mysliman Ahmedia në Kosovë, mohojnë se po shpërndajnë libra të paautorizuar, duke shtuar se ata shpërndajnë literaturën që reflekton mësimet e vërteta dhe paqësore të Islamit. Ky xhemat në Kosovë vepron edhe përmes organizatës së bamirësisë, Humanity First.

Drejtori i Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame, Sabri Bajgora, anëtar i Bashkësisë Islame të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se qytetarët duhet të kenë kujdes se çfarë Kurani po lexojnë.

Sipas tij, vetëm librat fetarë për myslimanë, të cilat ka emblemën, logon apo vulën e BIK-ut, janë “librat e duhur”, kurse përkthim i Kuranit dhe librave të tjerë, sipas BIK-ut, janë të devijuara nga koncepti.

Kush është Xhemati Mysliman Ahmedia?

Siç thuhet ne ueb-faqen e tyre, Xhemati Mysliman Ahmedia është “bashkësi botërore dinamike, me rritje të jashtëzakonshme brenda Islamit”, i cili predikon “mësimet e vërteta të Islamit dhe mesazhin e paqes”. Është themeluar nga Mirza Ghulam Ahmed nga India në vitin 1889. Aty thuhet po ashtu se “myslimanët ahmedianë besojnë se ai është Mesihu i shumëpritur dhe Imam Mehdiu, të cilin e parashikoi vetë Profeti Muhamed”. Udhëheqës aktual është Mirza Masrur Ahmed nga Pakistani, kalifi i pestë i këtij xhemati. Qendra aktuale e Xhematit ndodhet në Angli, ku banon edhe Mirza Masrur Ahmed. Kjo organizatë pretendon se numëron 10 milionë njerëz në 210 shtete të botës. Thuhet se është organizatë e vetëfinancuar, pa qëllime politike.

Xhemati Mysliman Ahmedia në botë vepron edhe përmes organizatës së bamirësisë, Humanity First, që tashmë vepron edhe në Kosovë.

Drejtori i Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame, Sabri Bajgora, për Xhematin Mysliman Ahmedia në Kosovë thotë se “nuk përfaqësojnë as Bashkësinë Islame, as myslimanët në përgjithësi”.

“Janë një sekt që prejardhjen e kanë nga India dhe janë të shpërndarë në disa vende të Evropës. Por, ndoshta kanë menduar që të gjejnë një truall të pëlleshëm këtu në Kosovë. Unë kërkoj nga organet e sigurisë së Kosovës që të kenë vëmendje për këto grupe e sekte”, tha Bajgora.

“Ata e mohojnë se profeti Muhamed është profeti i fundit, siç e besojmë ne myslimanët dhe me këtë rast, ata i japin vetes të drejtë, duke thënë se Ahmedi apo themeluesi i këtij sekti, është profeti i fundit dhe profeti që do të lumturojë botën me këshillat e tij”, tha Bajgora.

Bajgora tha se qëllimi i këtij sekti, me përkthimin e librave, është që të habisin njerëzit dhe krijojnë konspiracione, si ato se Kurani përmban simbole dhe paralajmëron gjëra të ndryshme.

“Ka shumë ndryshime, mohimin e Kuranit, fjalë e fundit e Zotit që ne e kemi besuar. Mohimin e Muhamedit si i dërguar i Zotit, do të thotë japin shifra, japin vite se gjoja kur mund të ndodhë kiameti ose dita e gjykimit, duke futur frikë në mendjen e njerëzve”, theksoi Bajgora.

Ai shtoi se shpërndarja e literaturës së tyre, mund të krijojë përçarje në mesin e popullatës dhe mund të fusë edhe ide që nuk përkojnë me atë çka synon zyrtarisht Bashkësia Islame e Kosovës.

Kosova nuk e ndali botimin e librave fetare

Bajgora deklaron se BIK-u ka kërkuar nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare që të bëhet kontroll mbi botimin e çdo libri fetar që botohet në Kosovë, gjë për të cilën, tha ai, nuk është hasur në mirëkuptim me arsyetimin se diçka e tillë do të ishte shkelje e të drejtave të njeriut apo lexuesve.

“Mendojmë se më e nevojshme do të ishte të mbrohet dhe të ruhet popullata nga idetë e propagandat e ndryshme që janë anti-fetare sepse në asnjë mënyrë nuk duam të na përsëritet Siria e viteve 2012-2014, ku në Kosovë mbretëronte një kaos i vërtetë dhe shkuarjes së të rinjve tanë në ato luftëra të pakuptimta”, tha Bajgora.

Objekti ku vepron Xhemati Mysliman Ahmedia gjendet në një nga lagjet e Prishtinës, në afërsi të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

“Për këtë objekt është në dijeni edhe Policia e Kosovës”, tha Bajgora.

Xhemati Ahmedia: Predikojmë përmbushjen e detyrimeve ndaj Allahut

Objekti në Prishtinë ku ka zyrat Xhemati Mysliman Ahmedia.Objekti në Prishtinë ku ka zyrat Xhemati Mysliman Ahmedia.

Nga Xhemati Ahmedia nuk kanë pranuar të intervistohen për Radion Evropa e Lirë, por janë përgjigjur me shkrim, përmes postës elektronike.

Sipas tyre, Ahmadiyya Muslim Jama’at (AMJ) është një organizatë joqeveritare, e regjistruar në Republikën e Kosovës, që ka një statut të miratuar nga shteti i Kosovës dhe se vepron në përputhje me të, duke shtuar se nuk janë një grup apo sekt përçarës.

“AMJ e Kosovës është e angazhuar tërësisht në përhapjen e mesazhit paqësor të Islamit me motonë e saj famëmadhe ‘Dashuri për të gjithë, urrejtje për askënd’”, thuhet në përgjigje me shkrim për REL-in.

Ata pretendojnë se nuk shpërndajnë as Kuran e as literaturë tjetër në mënyrë të fshehtë, dhe se “çdo pretendim i kundërt, qoftë nga BIK-u apo nga dikush tjetër, është shpifje dhe gënjeshtër”. Sipas tyre, ata bëjnë shpërndarjen e literaturës që reflekton mësimet e vërteta dhe paqësore të Islamit.

Nga Ahmadiyya Muslim Jama’at, shtojnë se proklamojnë fuqishëm se xhihadi me armë nuk lejohet më dhe se myslimanët nuk duhet të bëjnë më luftë fetare përmes armëve kundër asnjë grupi, feje apo shteti në botë.

“Kjo është e shprehur qartazi në literaturën e Xhematit Mysliman Ahmedia, të botuar tashmë edhe në gjuhën shqipe, edhe në përkthimin në shqip të Kuranit të bërë nga Xhemati Mysliman Ahmedia të Gjermanisë”, thuhet në përgjigje.

“AMJ beson në mënyrë palëkundur në pesë shtyllat e Islamit dhe gjashtë shtyllat e besimit. Gjithashtu, libri ynë hyjnor është Kurani i shenjtë dhe profeti ynë i dashur është Hazret Muhamedi a.s.. Kurani i botuar nga Xhemati Mysliman Ahmedia nga a-ja të zh-ja (në arabisht) është identik me çdo botim tjetër të Kuranit në botë. Përkthimi i Kuranit në shqip ndryshon sipas nivelit dhe stilit të përkthyesit. Ndryshim në konceptet bazike (pesë shtyllat e Islamit dhe gjashtë shtyllat e besimit), nuk ka aspak. Xhemati Mysliman Ahmedia beson fuqimishëm se për të fituar pëlqimin e Krijuesit, duhet të ndihmojmë krijesat pa dallim, siç përmendet që në fillim të Kuranit të shenjtë ‘Lavdia i takon Allahut, Zotit të krejt botëve’”, thuhet pos tjerash në përgjigje.

Xhemati Mysliman Ahmedia ka pranuar se kanë organizatë humanitare që quhet Humanity First, që siç thonë, është në përputhje me statutin e miratuar të tij, dhe përpiqet t’u vijnë në ndihmë njerëzve në nevojë në tërë Kosovën.

“Si nga emri, ashtu edhe nga veprimtaria, synon t’i japë përparësi humanizimit mbi çdo gjë tjetër. AMJ e Kosovës bashkëvepron me Humanity First të Gjermanisë dhe ka realizuar me sukses një sërë projektesh me organet shtetërore dhe komunale të Republikës së Kosovës, por edhe me institucione të tjera joqeveritare”, thuhet në përgjigje.

Në profilin e Facebook-ut të tyre shihet se në muajt e fundit kanë bërë një sërë donacionesh në komunat e Kosovës, duke takuar kryetarët e komunave, siç janë Shpend Ahmeti nga Prishtina, Qendron Kastrati nga Kamenica, komunave të cilave, kjo organizatë u ka dhuruar pajisje elektronike dhe tunele dezinfektuese kundër COVID-19 si dhe ka ndihmuar shkollat me kompjuterë. Gjithashtu, përfaqësuesit e organizatës janë takuar edhe me ish-presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe personalitete të tjera.

Pak metra nga selia kryesore e Xhematit Ahmedia, ndodhet xhamia “Bedri Kamberi”.

Imami i xhamisë “Bedri Kamberi”, në Lagjen e Spitalit në Prishtinë, Labinot Maliqi, tha për Radion Evropa e Lirë se sekti Ahmedia me të ardhur në këtë pjesë të kryeqytetit, ka filluar të shtrijë aktivitetin e tij fetar dhe humanitar në “emër të fesë Islame” dhe objektin ku qëndrojnë pjesëtarët e këtij sekti, e quajnë xhami.

“Ata mundohen vazhdimisht t’i joshin banorët e lagjes me ndihma ekonomike, dhe studentët nevojtarë po ashtu, me qëllim që t’i afrojnë me sektin e tyre. Atë që sekti Ahmedia propagandon, bie ndesh me Islamin tradicional që kemi pasur me shekuj në trojet tona. Kuranin e përkthyer në gjuhën shqipe që ky sekt e shpërndan, është me plotë devijime e sajesa, dhe të tillët janë duke futur dilema e dyshime, si dhe po shkaktojnë huti e përçarje te populli ynë”, tha Maliqi.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar një përgjigje nga Policia e Kosovës, lidhur me punën dhe veprimtarinë e këtij sekti në Kosovë, por deri më tash, policia nuk ka dhënë ndonjë përgjigje.

Në BIK thonë se askush nuk është për atakimin e asnjë bindjeje fetare, dhe sipas tyre, gjithkush ka të drejtë të besojë në atë çka dëshiron, por Kosova duhet të mbahet larg nga idetë ekstremiste e përçarëse.

“Për këtë nën qiell,[ky sekt] është i rrezikshëm sepse me këtë atakohet ajo toleranca, që ka qenë ndërfetare në Kosovë, që është kultivuar me shekuj”, u shpreh Sabri Bajgora nga BIK.

Nga ana tjetër, sociologu, Shemsi Krasniqi, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se të gjitha botimet që janë jashtë kontrollit të një institucioni të caktuar, mund të paraqesin problem për shoqërinë apo grupe të caktuara.

“Nëse [librat] janë në kundërshtim apo jashtë kontrollit, duhet të merren me dyshim ose me skepticizëm, sepse mund të ketë edhe infiltrime të përmbajtjes ideologjike që mund të jenë radikale ekstreme dhe përçarëse brenda bashkësisë. Mund të jenë të rrezikshme për formimin e gjeneratës së re edhe besimtarëve e qytetarëve”, tha Krasniqi.

Raporti për liritë fetare ndërkombëtare për vitin 2020 i Departamentit amerikan të Shtetit, thotë se “të gjitha besimeve dhe bashkësive të tyre në Kosovë, duke përfshirë Bashkësinë Islame të Kosovës, Kishën Ortodokse Serbe, Kishën Katolike, Bashkësinë e Besimit Hebrej, dhe Kishën Evangjeliste (pesë komunitetet ‘tradicionale’ fetare), do t’u ofrohet çdo lloj mbrojtjeje dhe mundësi për të gëzuar të drejtat dhe liritë e parashikuar me këtë ligj.[Ligji për lirinë fetare në Kosovë]”.

Kushtetuta parashikon të drejta dhe mbrojtje për të gjithë qytetarët, përfshirë mirëmbajtjen, zhvillimin dhe ruajtjen e fesë së tyre duke përdorur gjuhën e tyre.

Kushtetuta e Kosovës gjithashtu thotë se bashkësitë fetare kanë të drejtë të themelojnë shkolla fetare dhe institucione bamirësie me mundësinë e financimit me ndihmë financiare të qeverisë “në përputhje me ligjin dhe standardet ndërkombëtare”.

Lexo edhe këtë:

Shqiptari-i-indoktrinuar-dhe-manipuluar-permes-fese-ne-sherbim-dhe-synime-politike-te-shteteve-te-treta