Kategoritë: Ballkan

Rusia anulon projektin e gazsjellësit jugor

Presidenti rus Vladimir Putin tha se Moska do të anulojë ndërtimin e gazsjellësit duke fajësuar Bashkimin Evropian.Gazpromi rus anuloi projektin e ndërtimit të gazsjellësit jugor për furnizimin me gaz të Evropës jugore, një rrjedhojë e qartë e përplasjeve ndërmjet Moskës dhe perëndimit rreth zhvillimeve në Ukrainë.

“Projekti është mbyllur. Kaq”, u tha gazetarëve shefi ekzekutiv i Gazpromit Alexei Miller

Njoftimi pasoi deklaratën e presidentin rus Vladimir Putin,i cili tha të hënën se Moska do të heqë dorë nga ndërtimi i gazsjellësit nëse Bashkimi Evropian është kundër tij.

Presidenti rus duke folur në Ankara, pas takimit me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, tha se në vend të gazsjellësit “Rrjedha e jugut”, Rusia dhe Turqia mund të ndërtojnë një qendër të gazit për Evropën Jugore.

Gazsjellësi 40 miliardë dollarësh, është dashur të kalojë nëpër Detin e Zi në Bullgari dhe më tej në Greqi dhe Itali, ashtu si edhe në Serbi, Hungari dhe Austri. Por, Putin tha se ai nuk mund të ndërtohet për shkak të kundërshtimit të qeverisë bullgare.

Fuqitë perëndimore i vunë sanksione ekonomike Rusisë për shkak të konfliktit në Ukrainë dhe Evropa synon të zvogëlojë varësinë e saj nga gazi rus.

Presidenti rus tha se mos ndërtimi i gazsjellësit jugor është kundër interesave të Evropës, ndërsa nënvizoi që “nëse Bullgaria është e privuar nga e mundësia për të vepruar si shtet sovran, atëherë le të kërkojë kompensimin e humbjeve nga Komisoni Evropian”. Ai ju referua qëndrimeve të Bashkimit Evropian se gazsjellësi jugor, nuk është në përputhje me ligjet e BE-së për konkurrencë dhe energji.

Anulimi i projektit – shqetëson Serbinë

Ndonëse autoritetet serbe ende presin njoftime zyrtare për vendimin rus për ndërprerjen e ndërtimit të gazsjellësit jugor, ekspertët në Beograd thonë se ky vendim do të dëmtojë Serbinë.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandërr Vuçiç, e cilësoi lajm të keq për Serbinë, por sipas tij “qytetarët nuk duhet të brengosen për furnizimet me gaz”.

Ai u tha medieve serbe se “Serbia nuk i ka kontribuar assesi këtij vendimi. Shtatë vjet ka investuar në këtë projekt, por po paguan çmimin e konflikteve të mëdha”.

Ndërsa, ekspertë politik dhe ekonomik serbë thonë se ndërprerja e projektit do të ushtrojë ndikim në politikën serbe dhe se Serbia do të mbetet pa alternativë të furnizimit me gaz.

Serbia është vënë në mes të synimeve për integrimet në Bashkimin Evropian dhe lidhjeve emocionale e kulturore me Moskën, posaçërisht për shkak të qëndrimit të saj kundër pavarësisë së Kosovës që u shpall në vitin 2008 më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Evropës perëndimore. (voa)

Serbia nën “akullin” politik

Në raportet mes Kroacisë dhe Serbisë janë shënuar disa mosmarrëveshje serioze. Shkaktari kryesor i përplasjeve të fundit është ultranacionalisti Vojisllav Sheshelj.Mes Serbisë dhe Kroacisë kanë shpërthyer sërish përplasje serioze. Kryeminsitri i Kroacisë Zoran Millanoviq ka vendosur të premten e kaluar që të anulllojë vizitën e tij në Beograd, e cila është dashur të realizohet në mes të dhjetorit. Ndërsa homologu i tij serb Aleksandar Vuçiq tha se Serbia nuk do të lejojë që “dikush t’i jep leksione nga demokracia”. Me mllef të madh ai tha se “Serbia nuk është ndonjë thes për stërvitje boksi”, ku secili mund të qëllojë! Gazeta serbe “Danas” nënvizon se mes Serbisë dhe Kroaicsë ka nisur një kohë e re e “akullt”.
Shkaktari i “akullit”
Lideri ultranacionalist Vojisllav Sheshelj ia doli qëllimit: që sërish t’i përcaktojë rrjedhat politike në Serbi. Sheshel pas më shumë se 11 vitesh sa ka kaluar në burgun e Hagës, ku akuzohet për krime lufte, është kthyer në Serbi në nëntor – për shkak të sëmundjes nga kanceri. Ai është duke pritur vendimin e Gjykatës së Hagës, por ky vendim nuk pritet para mesit të vitit të ardhshëm. Por ai e ka shfrytëzuar rastin, që menjëherë të futet në rrjedhat politike. Me angazhimet e tij nacionaliste kundër vendeve të rajonit dhe krerëve të tanishëm serbë (Vuçiq dhe presidenti Tomisllav Nikoliq) të cilët i quan tradhëtarë, Sheshelj ka nxitur sërish elementet nacionalistë në Serbi.
Parlamenti Evropian e ka miratuar javën që shkoi një rezolutë kundër Serbisë, ku thuhet se “Beogradi nuk është distancuar sa duhet nga fjalori i Sheshelit i cili nxitë urrejtje”. Iniciativën për këtë rezolutë e ka dhënë Kroacia, që për Aleksandar Vuçiqin ishte një “poshtrim” i Serbisë.
Distancimi i Serbisë nga Sheshelji
Ne nuk kemi asgjë të përbashkët me Shesheljin, tha Vuçiq i cili gjatë viteve 90-të dhe deri në vitin 2008 ka qenë së bashku me Nikoliqin bashkëpunëtori kryesor i liderit të radikalëve Vojisllav Sheshelj. Vuçiq tha se vetë bashkësia ndërkombëtare e ka liruar Sheshelin nga burgu, e tani po e akuzon Serbinë për retorikë dhe veprime nacionaliste. Serbia mund të akuzohet ndoshta për shumë gjëra të tjera, por jo edhe për mbështetjen e idesë së Shesheljit për krijimin e Serbisë së madhe.
Autoritetet e Serbisë mendojnë se nuk janë duke u trajtuar si duhet nga vendet e rajonit. Në Kosovë dhe në disa rajone të tjera ka pasur së fundi shumë flamuj me hartën e Shqipërisë së madhe, që Beogradi e sheh si kërcënim. Mosmarrëveshje të reja ka dhe në linjën Serbi – Mali i Zi, pasi që kryeministri Millo Gjukanoviq e ka quajtur Gavrilo Principin, si “terrorist”. Gavrilo Princip e ka kryer para 100 vitesh atentatin ndaj princit austrohungarez Franz Ferdinand, që shkaktoi edhe fillimin e Luftës së Parë Botërore. Serbia ka pasur së fundi edhe përplasje shumë serioze me Shqipërinë, për shkak të incidenteve në ndeshjen Serbi-Shqipëri dhe kërkimit të kryeministrit Edi Rama në Beograd që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës. Si pasojë e këtyre mosmarrëveshjeve dhe incidenteve Shqipëria ka vendosur që të ndalojë importin e medikamenteve nga Serbia.
Serbia është një vend që pretendon anëtarësimin në BE. Ndaj Brukseli do të ketë në të ardhmen edhe më shumë punë për zgjidhjen e problemeve në raportet mes Serbisë dhe vendeve të rajonit. (dw)

MERKEL: NUK HABITEM NËSE SERBIA HAP NJË KONFLIKT TË RI

Berlini zyrtar po shqetësohet nga dita në ditë për orientimin e Serbisë ndaj Rusisë. Kancelarja gjermane Angela Merkel ka qënë kësaj radhe e drejtpëdrejt me Beogradin.Duket se zhvillimet e fundit e kanë shqëtësuar pa masë.

Duke folur për situatën në Ukrainë ajo tha se askush nuk e kishte menduar që 25 vjet pas rënies së murit të Berlinit, mund të asistonte në një konflikt të tillë. Sipas kancelares gjermane nuk do të ishte habi nëse Serbia do të ishte vendi I rradhës që do të niste një konflikt.

“Nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën. Këtu flitet edhe për Moldavinë, Gjeorgjinë, dhe nëse vazhdon në këtë mënyrë dikush duhet të fillojë të pyesë veten për Serbinë, për vendet e Ballkanit perëndimor”, deklaroi Merkel.

Kancelarja Merkel theksoi se mënyrat e vjetra të të menduarit në sferat e influencës, të cilat anashkalojnë ligjet ndërkombëtare nuk duhet të pranohen.

Ndërkohë 35t serbe shkruajnë se BE mund të vonojë hapjen e kapitujve të negociatave të anëtarësimit të Serbisë në qoftë se vendi vazhdon në pozicionin e tij të mos vendosë sanksione ndaj Rusisë.

E përditshmja serbe “Danas” shkruan se “burimet diplomatike” i kanë thënë se kjo mund të jetë një mënyrë për të goditur politikën e jashtme të Serbisë.

Komisioneri i BE për Zgjerim dhe Politikë të Fqinjësisë në BE, Johannes Hahn, i cili do të mbërrijë në Beograd më 20 nëntor, i kërkoi Serbisë javën e kaluar që të mbështesë sanksionet e BE-së ndaj Rusia. (rtk)

Reljiq: Rreziqet nga influenca e madhe ruse në Ballkan

Vëzhguesit pohojnë se Rusia ka shtuar influencën e saj në Ballkan. Këtë ka kritikuar edhe kancelarja Angela Merkel. Për influencën ruse në Ballakn dhe rolin e këtyre vendeve në strategjitë më të gjëra flet Dushan Reljiq.Deutsche Welle: Kohët e fundit gjithnjë e më shpesh po flitet për një luftë të ftohtë. Kancelarja gjermane Angela Merkel e ka kritikuar qartë presidentin rus Putin, për mundësinë e zgjerimit të konfliktit të Ukrainës. Ajo tha se strategjia ruse ka për qëllim shtrirjen e influencës edhe në Serbi dhe Ballkanin Perëndimor. Ndërkohë që në dokumentet e Ministrisë së Jashtme thuhet se Rusia po i kushton një vëmendje shumë të lartë Ballkanit Perëndimor. Si i vlerësoni këto paralajmërime?
Dushan Reljiq: Paralajmërimet duhet të merren seriozisht, në veçanti kur vijnë nga qeveria. Ndonëse mendoj se rrezik real që Rusia të ushtrojë presion politik apo dhe ushtarak ndaj vendeve të ish-Jugosllavisë dhe Shqipërisë nuk ka. Për këtë flasin dy shkaqe. Në Serbi dhe në vendet e rajonit nuk ka asnjë parti, e cila kundërshton anëtarësimin e këtyre vendeve në BE. E dyta, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, prej Baltikut e deri tek Deti i Zi kanö lindur një varg vendesh të NATO-s. Kjo e bën të pamundshme që Rusia të projektojë një fuqi të vërtetë ushtarake në Adriatik. Në rajon, në të ashtuquajturin Ballkani Perëndimor, ka tre vende anëtare të NATO-s: Sllovenia, Kroacia dhe Shqipëria.
Serbia nuk do të anëtarësohet në NATO, sepse plagët nga sulmet e NATO-s në vitin 1999 ende nuk janë shëruar. Vetëm 12 % e popullatës serbe e mbështetë këtë anëtarësim, ndërsa 70 % janë kundër. Por shumica e serbëve janë për anëtarësim në BE. Ndaj besoj se nuk ekzistojnë parakushtet politike dhe ushtarake për një influencë edhe më të madhe të Rusisë në Serbi.
DW: Vëzhguesit thonë se Moska po përpiqet të lidhë për vete Serbinë përmes furnizimit me gaz dhe bashkëpunimit ushtarak, si dhe investimeve. Në Bosnje -Hercegovinë dhe Mal të Zi, Rusia vepron ngjashëm. Mendoni edhe ju kështu?
Dushan Reljiq: Të dhënat dhe faktet nuk flasin për një gjë të tillë. Partnerët më të rëndësishëm tregtarö në rajon janë Gjermania dhe Italia. Rusia është një furnizues i madh me gaz, por çdo tub i gazit ka dy skaje. Kjo do të thotë një varësi e dyanshme. “South Stream” është një projekt në të cilin në njërin skaj janë vendet e BE – pra Italia, Sllovenia, kroacia, Hungaria, Rumania dhe Bullgaria, të cilët janë të interesuara për ndërtimin e tij. Disa vende të Ballkanit Perëndimor, si Bosnje-Hercegovina, Serbia, Kosova dhe Maqedonia po ashtu janë të interesuara dhe shpresojnë se do të kenë të ardhura nga traniziti i gazit. Por nga ky fakt nuk mund të konkludohet se Rusia po përpiqet që përmes furnizimit me gaz t’i lidhë këto vende më shumë për vete.
DW: Sa janë Rumania dhe Bullgaria të rrezikuara nga influenca ruse?
Dushan Reljiq: Nuk mendoj që Bullgaria dhe Rumania janë të rrezikuara në ndonjë mënyrë nga influenca e Rusisë. Përkundrazi, qeveritë e këtyre vendve në 20 vitet e fundit kanë bërë të gjitha që janë të mundura për të dëshmuar lidhjet me Perëndimin. Do të thosha madje se anëtarësimi i këtyre vendeve në BE dhe NATO është lehtësuar në masë, pasi Rumania dhe Bullgaria kanë pamundësuar në vitin 1999, kur ende nuk kanë qenë anëtare të NATO-s, që Rusia t’i ofrojë Serbisë mbështetje ajrore.
DW: Besoni se Rusia do të përpiqet të evitojë anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE?
Dushan Reljiq: Jo, sepse Moska nuk e ka influencën e duhur dhe nuk është në interesin e saj të evitojë këtë anëtarësim. Por Rusia do të përpiqet të evitojë që Bosnje-Hercegovina, Serbia dhe Mali i Zi të bëhen anëtare të NATO-s. Nëse flasim për destabilizimin e mundshëm të këtij rajoni, atëherë duhet shikuar gjendjen ekonomike. Dy të tretat e tregtisë së këtij rajoni bëhen me BE-në. Ndaj edhe kriza ekonomike dhe financiare vërehet kaq shumë atje. Prej vitit 2009 në këtë rajon nuk ka rritje ekonomike, nuk ka investime perëndimore dhe po zvoglohen të ardhurat nga puntorët jashtë këtyre vendeve. Ndaj këto vende po kërkojnë partnerë të ri për tregti dhe investime. Këtu janë interesante Kina, vendet arabe,
(Dushan Reljiq është drejtor i zyrës së Fondacionit gjerman për Shkencë dhe Politikë në Bruksel. Pikërëndesat e punës së tij janë Evropa Juglindore dhe Ballkani Perëndimor.) (dw)

Gjyqi i drejtuesve të shërbimit sekret jugosllav

Sot në Munih, në një proces gjyqësor ndaj dy ish drejtuesve të zbulimit jugosllav, pritet të jepen dëshmi të rëndësishme. Zyrtarët e lartë të shërbimit sekret në ish Jugosllavinë komuniste, kroatët Josip Perkoviç dhe Zdravko Mustaç, akuzohen për planifikimin e vrasjes së desidentit kroat Stepjan Durekoviç, i cili u gjend i vrarë në një garazh në një qytet gjerman në vitin 1983. Prokurorët thonë se vrasja e zotit Durekoviç u urdhërua nga një udhëheqës i lartë në ish Jugosllavi. Në pamje të parë, motivi i vrasjes duket të kanë qënë aktivitetet politike të desidentit kroat, por sipas akt-akuzës, urdhëruesi i vrasjes, synonte të parandalonte publikimin e aktiviteteve të paligjshme të djalit të tij në kompaninë shtetërore të naftës INA, thuhet në akt-akuzë. Para se të largohej drejt Perëndimit, zoti Durekoviç drejtonte kompaninë INA.

Agenti, pronar i garazhit ku u krye vrasja, i cili kishte arritur të fitonte besimin e zoti Durekoviç, është dënuar me burgim të përjetëshëm në Gjermani në vitin 2008. Në atë kohë, gjykata pohoi se 22 kroatë ishin vrarë në Gjermaninë Perëndimore me urdhër të udhëheqjes jugosllave.

Nëse gjenden fajtor, Perkoviç dhe Mustaç mund të përballen me burgim të përjetshëm. Që të dy nuk pranuan të komentonin të premten por më parë i kanë hedhur poshtë akuzat. Gjatë paraqitjes në gjykatë ata nuk treguan asnjë lloj emocioni.

Refuzimi paraprak i Kroacisë lidhur me kërkesen gjermane për ekstradimin e tyre shkaktoi një mosmarrëveshje diplomatike vitin e kaluar që kërcënoi të linte në hije anëtarësimin e këtij vendi në Bashkimin Evropian. Pak para anëtarësimit në BE me 1 korrik 2013, përmes një veprimi që irritoi partnerët e bllokut, Zagrebi ndryshoi ligjet e veta për të parandaluar ekstradimin e të dyshuarve për krime të kryera para vitit 2002, kur edhe hynë në fuqi rregullat e reja të Bashkimit Evropian.

Qeveria tha në atë kohë se donte të mbronte veteranët e luftës kroate për pavarësi që mund të përballeshin me gjykime të mundëshme në vende të tjera të Bashkimit Evropian. Zagrebi tha se vendimi nuk kishte lidhje me rastin e ish shefave të sigurimit.

I dyshuari Perkoviç ndihmoi në krijimin e agjencisë kroate të zbulimit pas shkëputjes nga Jugosllavia në vitin 1991.

Kroacia i ndryshoi ligjet e ekstradimit në muajin gusht pas paralajmërimeve nga Bashkimi Evropian për veprime ligjore dhe mundësinë e humbjes së fondeve evropiane për zhvillimin. (dw)

Serbia mes Lindjes dhe Perëndimit

Serbia dëshiron të hyjë në BE pa e zemëruar Rusinë. Nga vizita e ministrit gjerman të Ekonomisë, Sigmar Gabriel, Beogradi shpreson mirëkuptim për këtë strategji të dyfishtë dhe investime të reja.Shumë politikanë ndërkombëtarë shkojnë këto ditë në kryeqytetin serb, Beograd. Në fillim të tetorit atje ishte presidenti rus Vladimir Putin, pasuan kryeministri francez Manuel Valls, kryeministrat e Malit të Zi dhe Rumanisë, si dhe princi trashëgimtar i Norvegjisë. Pastaj shkoi kryeministri shqiptar, Edi Rama, në kryeqytetin serb – një takim historik, sepse ishte vizita e parë e një kryeministri të Shqipërisë prej gati shtatëdhjetë vjetësh. Tani të dielën (16.11) shkon dhe ministri gjerman i Ekonomisë dhe Zëvendëskancelari, Sigmar Gabriel, i shoqëruar nga një delegacion i madh biznesi.
Gama e vizitorëve reflekton politikën ambivalente të jashtme serbe. Nga njëra anë Beogradi dëshiron të mbajë marrëdhënie të mira me Moskën dhe t’u tregojë zgjedhësve të vet se sa e rëndësishme është Serbia në skenën ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë vendi dëshiron të prezantohet edhe si nxënës model i BE dhe si fqinj i mirë në Ballkan -në atë rajon, që konsiderohet si “fuçi baruti e Europës”.
Në këtë kontekst udhëtimi i Gabrielit në Beograd është më shumë se një vizitë pune e një ministri perëndimor të ekonomisë. Në Serbi sundon bindja se negociatat e pranimit të vendit në BE mund të fillojnë vetëm, kur Berlini të japë dritën e gjelbër. Po të ishte për dëshirën e Beogradit bisedimet mund të fillonin që në dhjetor.

Një rrugë e mesme e vështirë
Përpjekja për të mbetur neutrale në konfliktin midis Lindjes dhe Perëndimit është opsioni i vetëm i arsyeshëm për politikanët serbë, mendon gazetari dhe eksperti i Ballkanit Andrej Ivanji. Në të kaluarën miliardat rusë kanë shpëtuar Serbinë shpesh nga falimentimi. Kështu monopolisti shtetëror serb i naftës NIS iu shit për pak para kompanisë Gazprom, 800 milion dollarë mori Serbia për të rehabilituar hekurudhat e shkatërruara dhe vazhdimisht Moska ka dhënë kredi të lira për Serbinë, vetëm për të mbushur vrimat në buxhetin e shtetit. “Në këtë moment askush nuk është në gjendje të zëvendësojë prezencën ekonomike të Rusisë”, thotë Ivanji.
Në të njëjtën kohë Serbia ka nevojë për bashkëpunimin ekonomik me Brukselin, si dhe për investime nga BE. “Pa mbështetjen si nga Brukseli ashtu edhe nga Moska vendi do të përmbysej ekonomikisht”, thotë me siguri Ivanji. Vlerësohet se papunësia aktualisht është rreth 26 për qind, më shumë se gjysma e të rinjve nuk kanë punë. Në vend ka më shumë pensionistë se të punësuar, paga mesatare është rreth 400 euro neto në muaj. Puna në të zezë dhe korrupsioni lulëzojnë.

Edhe politikisht qeveria në Beograd përpiqet të krijojë një balancë në mes të lindjes dhe perëndimit. Në rastin e aneksimit të gadishullit të Krimesë nga Rusia kryeministri serb Aleksandar Vuçiç zgjodhi një rrugë të mesme: Serbia njeh sovranitetin e plotë të Ukrainës, por nuk do të bashkohet me sanksionet evropiane kundër Moskës. Ky pozicion është kritikuar nga disa politikanë evropianë. A lejohet një kandidat për anëtarësim në BE të bëjë një gjë të tillë? “Lejohet”, thotë i vendosur deputeti socialdemokrat gjerman, Dietmar Nietan. “Ne të gjithë e dimë situatën ekonomike në Serbi, si dhe marrëdhëniet e veçanta me Rusinë dhe kjo do të ishte hipokrizi, po ta masnim Serbinë nga mënyra se si vepron me Rusinë”, thotë Nietan për DW.
Nga perspektiva evropiane normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është shumë më i rëndësishëm. Ish-krahina jugore serbe shpalli pavarësinë e saj në mënyrë të njëanshme në vitin 2008, tani Kosova njihet si shtet nga më shumë se njëqind vende – por jo nga Serbia. Nën presionin e BE-së ka pasur disa bisedimeve mes udhëheqësve kryesorë të dy vendeve, ecjet përpara në pajtimin e dy vendeve janë bërë pikërisht nga armiqtë e dikurshëm. Së fundmi mes dy qeverive janë nënshkruar disa marrëveshjeve bilaterale.
Me pragmatizmin në çështjen e Kosovës Vuçiçi paraqitet në skenën ndërkombëtare si një politikan paqësor. Por vendin e tij ai e qeveris me autokraci. Ato pak 35 të pavarura e cilësojnë atë si pushtetar evropian të “putinizuar”, krahas Viktor Orbánit në Hungari, Rexhep Taip Erdoganit në Turqi, apo Viktor Pontës në Rumani. Ndër të tjera edhe ndaj gazetarëve kritikë në Serbi ushtrohet presion. “Shteti na tregon në këtë mënyrë, se nuk dëshiron hapësirë për kritikë shoqërore”, thotë Vukasin Obradovic, president i sindikatës më të madhe të gazetarëve të vendit NUNS. Synimi është që të trembin gazetarët”, thotë Obradovic në bisedë me DW.

Socialdemokrati gjerman Nietan pranon, se Vuçiç në Perëndim për momentin gëzon një lloj “bonusi për Kosovën”. “Kishte shqetësime të mëdha, nëse mund të kishte ngecje në marrëdhëniet me Kosovën me Vuçiçin. Tani ne kemi parë se Vuçiç bën pjesë te forcat konstruktive.” Megjithatë ky bonus nuk ekziston përgjithmonë dhe për të duhet të punohet, thotë Nietan – edhe në fushën e lirisë së shtypit, apo të sundimit të ligjit.

Gazetari serb Ivanji nuk është i bindur për këtë. Në Berlin apo Bruksel, thotë ai, Serbinë nuk e konsiderojnë të izoluar në vetvete, por si pjesë e rajonit. Aty Serbia luan një rol të rëndësishëm: Beogradi mund të qetësojë problemet në Kosovë, si dhe marrëdhëniet mes Bosnjës dhe Kroacisë. “Për sa kohë që Serbia luan rolin e faktorit të stabilitetit, çdo gjë tjetër do të jetë për evropianët më pak e rëndësishme – për shembull, nëse ekziston një opozitë, apo liria e 35s në Serbi”, thotë Ivanji. (dw)

Ideatori i Serbisë së Madhe Sheshel kthehet në Serbi?

Serbia nën ethet e kthimit të Vojisllav Sheshelit në vend. Tribunali i Hagës ka vendosur që Sheshel mund të largohet nga burgu, deri në shqiptimin e denimit. Lirimi i tij mund të ketë pasoja të rënda për skenën politike.Në Beograd ende nuk dihet saktë se kur do të kthehet lideri i radikalëve, ultranacionalisti Vojisllav Sheshel. Të premten (07.11.2014) ai i ka dorëzuar gjërat në qelinë e tij në burgun e Sheveningenit në Hagë, ku është liruar deri në shqiptimin e vendimit. Por për shkaqe sigurie nuk do të kumtohet vendimi se kur do të largohet nga Haga, deri sa nuk e lëshon territorin holandez.
Radikalët e Sheshelit po përgatiten në Beograd për një „pritje madhështore”. Ata i gëzohen kthimit të liderit të tyre, me shpresë se Partia Radikale Serbe, do të rimëkëmbet pas humbjes në zgjedhjet e fundit dhe mbetjes jashtë parlamentit. Lirimin e Sheshelit nga Tribunali e përjetojnë „si një fitore të madhe”. Ministri serb Rasim Ljajiq, i ngarkuari i Qeverisë serbe për bashkëpunim me Tribunalit thotë se Shesheli, nuk do të kthehet para të martës. Ndërsa radikalët pohojnë se Sheshel do të kthehet sot, nesër, pasnesër… Sidoqoftë, analistët në Beograd mendojnë se kjo fitore e Sheshelit është vetëm një fitore e Pirros, sepse Vojisllav Sheshel vuan nga kanceri i metastazuar në mëlci. Disa prej tyre madje pohojnë se atij i kanë mbetur vetëm edhe disa muaj jetë, ndaj pritet që Sheshel të jetë shumë aktiv prej ditës së parë dhe nuk do të kursejë askënd në Serbi.

Shqetësimet e Qeverisë dhe Vuçiqit
Por radikalët në këtë moment janë të vetmit që i gëzohen kthimit të Sheshelit. Shumëkush ka frikë madje nga destabilizimi politik i vendit, pasi që Sheshel ka paralajmëruar se do të kthehet “për t’u hakmarrë”. Kjo hakmarrje ka të bëjë me kumbarën e tij Tomisllav Nikoliq (tani president i Serbisë) dhe kryeministrin Aleksandar Vuçiq, të cilët më shumë se 15 vjet kanë qenë numri dy dhe tre në Partinë Radikale Serbe, të udhëhequr nga ultranacionilisti Vojisllav Sheshel. Nikoliq dhe Vuçiq janë ndarë nga radikalët dhe ia kanë kthyer shpinën Sheshelit, në vitin 2008 kur kanë themeluar Partisë Përparimtare Serbe. Në zgjedhjet e fundit, kjo parti e ka fituar shumicën absolute të votave. Disa nga autoritetet serbe besojnë madje se lirimi i Sheshelit është pjesë komplotit perëndimor kundër Vuçiqit.

„Kjo është një përpjekje për destabilizimin e Qeverisë serbe dhe kryeministrit Aleksandar Vuçiq. Ky vendim është me motive politike dhe është pjesë e presioneve ndaj Vuçiqit”, pohon ministri i Punës Aleksandar Vulin, duke shtuar se „Vuçiq nuk duhet të ketë frikë”, sepse ai „është angazhuar më së shumti për lirimin e Sheshelit”.

Ideja e Serbisë së Madhe
Vojisllav Sheshel ka qenë dhe mbetet ideatori kryesor i idesë së dështuar për krijimin e Serbisë së Madhe, e cila do të përfshinte pjesë të mëdha të Kroacisë, Bosnje-Hercegovinës dhe gjithë Kosovën. Këto ide janë mbështetur nga të gjithë radikalët e atëhershëm, pra edhe nga presidenti dhe kryeministri i tanishëm, të cilët tani konsiderohen bartësit e idesë proevropiane në Serbi. Kjo ideologji ka shërbyer edhe si insipirim i njësive paramilitare çetnike të vojvodës Sheshel, të cilat kanë qenë pjesë e luftërave në ish-Jugosllavi.

Sheshel është dorëzuar në Hagë në vitin 2003 ku akuzohej për organizimin dhe drejtimin e disa njësive paramilitare, për të cilat dyshohet se kanë kryer krimet lufte në Bosnje dhe Kroaci. Sheshel akuzohet edhe për nxitje verbale të luftës, nxitjen e vrasjeve dhe keqtrajtimin e joserbëve në Vojvodinë. Tre vite më vonë ka filluar procesi kundër tij, por ky proces nuk ka qenë efikas si proceset e tjera. Procesi kundër tij ka zgjatur gati 12 vite, me ndërprerje, greva urie, ndërrime të trupit gjykues etj. Ndërkohë që ende nuk dihet se kur do të shqiptohet vendimi kundër tij dhe a do të ketë ndonjë vendim.

Mundësia reale e veprimit të Sheshelit
Vojisllav Sheshel do të kthehet në Serbi pa kushte. Ai nuk do të ketë kufizime në aktivitetet e tij politike, ndaj edhe pritet që menjëherë të aktivizohet në rrjedhat politike Analistët në Serbi janë të bindur se Shesheli dhe radikalët e tij ultranacionalistë do t’i turbullojnë ujërat politike. Ai do të përpiqet të hakmerret ndaj Nikoliqit dhe Vuciqit. Do të përpiqet të mbledhë rreth vete edhe forcat e tjera ultranacionaliste.

„Shesheli kthehet me kurorën e fituesit dhe viktimës, që do t’i sjellin shumë simpati edhe tek ata që nuk janë pjesë e radikalëve. Nuk përjashtohet as mundësia e bashkimit të tij me forcat e tjera”, pohon analisti Gjorgje Vukadinoviq. Analisti tjetër Cijetin Milivojeviq problemi më i madh i Sheshelit do të jetë shëndeti dhe mosha. „Ai ka shkuar në Hagë si politikan i suksesshëm e tani kthehet si njeri i sëmurë i cili i ka kaluar 12 vjet në burg, pas asnjë vendim. Megjithatë Sheshel do të bëjë gjithçka për ta rrëzuar pushtetin e tanishëm dhe për të shkatëruar Partinë SNS, të Nikoliqit dhe Vuciqit”, pohon Milivojeviq. (dw)

Konferenca në Berlin promotor i afrimit të vendeve të Ballkanit me BE

Qeveria gjermane bën sot një pushim të vogël nga krizat e mëdha të botës duke organizuar në Berlin konferencën e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Kosova ka kërkesa konkrete.Vendet e Ballkanit Perëndimor do të konsultohen me përfaqësuesit e qeverisë gjermane për të ardhmen e tyre dhe afrimin me BE-në. Konferenca ndërkombëtare do të nxisë procesin e pajtimit mes shteteve pasuese të Jugosllavisë.
Fillimisht ministri Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, dhe ministri gjerman i Ekonomisë, Sigmar Gabriel, takohen me homologët e tyre nga Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Sllovenia. Pasdite kancelarja Merkel pret krerët e shteteve në kancelari.

Merkel tha në lidhje me konferencën në një podcast, se ështe e rëndësishme që vendeve t’u përcillet mesazhi, që ata “të mos i perceptojnë kriteret e pranimit në BE si barrierë, apo pengesë, por si nxitje për të punuar me të vërtetë me sukses për qytetarët e tyre.” Qëllimi i konferencës është edhe përmirësimi i bashkëpunimit mes vendeve. “Njerëzit [në rajon] duan të kenë infrastrukturë transporti, ata duan që të mund të udhëtojnë lehtësisht nga një vend tjetrin.”
Merkel përtërin kërkesat nga Dubrovniku
Qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor janë të mërzitur me korrupsionin dhe nuk duan më gjykatat, që nuk funksionojnë mirë. Keqmenaxhimi, kriminaliteti i organizuar dhe ekonomia informale është në të gjitha vendet një problem i vazhdueshëm, po ashtu edhe niveli i lartë i papunësisë së të rinjve.
Prandaj çdo vend, tha Merkel në podcastin e saj, duhet të krijojë premisat për pranimin në Bashkimin Evropian në sektorët e sundimit të ligjit dhe punën efikase të administratës. Harkun kohor vendet mund ta influencojnë vetë përmes reformave vendimtare strukturore. Një gjë është e qartë: “Të gjithë kanë shansin për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian.”

Në korrik kancelarja ishte e ftuar në samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Dubrovnik. Aty kryetarja e qeverisë gjermane u premtoi vendeve të Ballkanit mbështetjen e saj për t’u pranuar në BE, por kërkoi edhe reforma në sistemin juridik dhe administrativ.
Kosova kërkon Marrëveshjen e Asociimit
Konferenca në Berlin shton shpresat e pjesëmarrësve, si në rastin e ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj: “Nuk ka asnjë vend tjetër në Ballkan, ku qoftë elita, shtresa udhëheqëse, ashtu edhe popullsia të jetë aq shumë pro, kur është fjala për integrimin evropian të Kosovës”, tha Hoxhaj në radion gjermane, Deutschlandfunk.
Dëshira e tij konkrete në rrugën e integrimit: Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian. Bashkësia e shteteve përfaqësohet edhe në Berlin. Presidenti në largim i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, merr pjesë në konferencë. Me kërkesën tjetër Hoxhaj vështirë se mund të arrijë gjë një herë për një herë. Ministri i Jashtëm kosovar tha: “Ne kemi nevojë për një unitet evropian, kur është fjala për njohjen e Kosovës.” Shqetësimi nuk është i pajustifikuar, pesë vende të BE nuk e njohin Republikën e Kosovës. (dw)

Merkel në Ballkan: Kompromis do të thotë që të gjitha palët të jenë njësoj të palumtura.”

Njerëzit nuk i besojnë një shteti, në të cilin njerëzit nuk marrin drejtësi, kur kanë të drejtë . Merkel kërkon në samitin e Dubrovnikut angazhim për shtetin e së drejtës dhe premton mbështetje gjermane për integrimin.Historia e samitit rajonal të Ballkanit Perëndimor nisi në vitin 2013, kur presidentët e Sllovenisë dhe Kroacisë iniciuan procesn e “Brdo-Brijunit”, një mekanizëm politik që synon afrimin më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor me BE-në dhe NATO-n, zgjidhjen e konflikteve dhe probleme që la pas shpërbërja e Jugosllavisë, por edhe nxitjen e dialogut mes vendeve ballkanike.
Në këtë proces krahas Sllovenisë e Kroacisë bëjnë pjesë edhe Shqipëria, Kosova, Serbia, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia. Çdo vit në samit ftohet një politikan i nivelit të lartë nga Europa perëndimore për të diskutuar mbi procesin e integrimit dhe probleme të tjera në rajon. Vitin e kaluar në këtë samit erdhi presidenti francez, Francois Hollande, në një kohë që Merkeli ishte e zënë me fushatën zgjedhore. Këtë vit në samitin rajonal të Ballkanit perëndimor (14-16 Korrik) e ftuara kryesore ishte kancelarja Merkel. Ballkani ka arritur suksese në këto 15 vite
Në Dubrovnik Merkel u premtoi vendeve të BE-së mbështetje të plotë për procesin e integrimit. Gjermania e mbështet perspektivën europiane të këtyre vendeve, tha Merkel. Para 15 vitesh lajmet që vinin nga Balllani ishin të tjera nga ato sot, tha Merkel, duke vlerësuar se në Ballkan janë arritur suksese të mëdha vitet e fundit. Si shembull ajo përmendi afrimin mes Kosovës dhe Serbisë. Liderët e këtyre vendeve kanë treguar guxim me afrimin e tyre dhe kanë forcuar shanset për një të ardhme europiane, tha Merkel.

Ka pasur shumë rezistencë për statusin e Kosovës, por tani ka kaluar kohë dhe “ia kemi dalë të kemi suksese të rëndësishme”. Sipas Merkelit në Ballkan Europa ka një detyre tradicionale – të jetë një fuqi paqëtuese. Ndryshe nga Ukraina, para se të shkallëzohet një konflikt. Pranda ajo i ftoi njëkohësisht të tetë kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor për një konferencë për Ballkanin të organizuar në zyrën e kancelares më 28 gusht.
Drejtësia si besim i qytetarit tek shteti
Por megjithë mbështetjen, kancelarja gjermane paralajmëron vendet aspirante për në BE të punojnë me angazhim për ngritjen e sistemeve të drejtësisë në vendet e tyre. “Një shtet në të cilin njerëzit nuk marrin drejtësi, kur kanë të drejtë, është një shtet, të cilit njerëzit nuk i besojnë.” Kancelarja Merkel kërkon mirëkuptim për këmbënguljen gjermane për arritjen e suksesit. “Ndoshta nganjëherë ju jeni të pakënaqur me Gjermaninë, sepse ne jemi shumë të rreptë. Por gjithçka që zgjidhet para një anëtarësimi, nuk krijon më pas konflikte.” Me vështrim nga Bosnje-Hercegovina, ajo tha se qeveria gjermane e sheh me shqetësim faktin, që gjendja aty nuk tregon asnjë përmirësim. Mikpritësi i takimit, presidenti kroat, Ivo Josipoviç siguroi se të gjitha vendet janë të gatshme të përmbushin standartet, edhe me qëllim të përmirësimit të gjendjes në vendet e tyre.

“Miss Europe”
Gjermania luan një rol të rëndësishëm si partner tregtar i vendeve të Ballkanit Perëndimor. Edhe në axhendën e ditës qëndruan pikërisht tema si projekte infrastrukturore dhe çështjet energjitike. Serbët kërkuan në samit mbështetje europiane për një rrugë hekurudhore tranziti mes Mynihut dhe Stambollit, ndërsa kroatët lobuan për ngritjen e një ure që do të lidhet gadishullin Pelsejac, në veri të Dubrovnikut me pjesën tjetër.
Pjesëmarrja e Merkelit në samitin e Dubrovnikut u ndoq me vëmendje nga 35t gjermane. Gazeta “Die Welt” vëren se Merkeli u prit në Dubrovnik si Miss Europe. “Merkeli paraqitet me vetëbesim, si një mik që nuk do të marrë vetëm kërkesa, por që ka sjellë edhe të tijat me vete….Kancelarja guxon madje të bëhet ironike, të paraqitet si arbitër….Gati nuk më bien më ndër mend kombinime emrash, ironizon Merkel. Një kompromis është i nevojshëm. ‘Unë them në Gjermani gjithmonë: Një kompromis është ai ku të gjitha palët janë njësoj të palumtura.” (dw)

19 vjet nga Masakra e Srebrenicës të vrarë rreth 8,000 burra dhe djem boshnjak.

Sot shënohet 19-vjetori i Masakrës së Srebrenicës, në të cilën forcat serbe të Bosnjës kanë vrarë rreth 8,000 burra dhe djem myslimanë.Mijëra veta pritet të marrin pjesë në ceremoninë që do të zhvillohet në qendrën përkujtimore Potoçari, ku edhe do të varrosen rreth 175 mbetje mortore, të identifikuara së fundmi.
Për gjenocidin në Srebrenicë, më 1995, janë akuzuar ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, dhe ish-gjenerali Ratko Mlladiq.