Category Archives: Bota

Lajmet nga Bota

Qendra e propagandës së Putinit në Berlin?

Në zemër të Berlinit, ende ndodhet një “Shtëpi Ruse”. Sipas kritikëve, ajo përdoret për propagandë për Rusinë e Putinit. Gjermania i paguan Moskës një taksë prej 70,000 eurosh në vit për tokën.

Është debatuar ashpër në të kaluarën por edhe tani: “Shtëpia Ruse” në Berlin.  Ajo ndodhet në Friedrichstrasse – në qendër të kryeqytetit gjerman. Është një ndërtesë masive me shtatë kate dhe pothuajse 30,000 metra katrorë sipërfaqe.

U hap në vitin 1984. Atëherë, gjatë RDGJ-së, supozohej të kujdesej për miqësinë me Bashkimin Sovjetik – me koncerte, shfaqje filmash dhe mbrëmje letrare. Dhe me librarinë e saj të vogël.

Menaxherët e sotëm ende pretendojnë se miqësia midis dy vendeve ushqehet këtu: “‘Shtëpia Ruse’ është një ambasadë e kulturës ruse në zemër të Berlinit”, thuhet në faqen e internetit të Ambasadës Ruse në Gjermani.

Por shumë kritikë thonë: Ngjarjet, të cilat, sipas menaxhmentit të Shtëpisë Ruse, tërheqin rreth 200,000 vizitorë në vit, shërbejnë kryesisht si propagandë për Rusinë e Vladimir Putinit.

Shitja e sapunit në formën e tankeve

Media berlineze raporton rregullisht për ngjarjet në kinemanë e vendosur në këtë institucion, ku, për shembull, u shfaq një film për Holokaustin, në të cilin qytetarët ukrainas u portretizuan si nazistë. Dhe nëse duhet t’i besohet Robin Wagener, deputet ekologjist në Bundestag, në “Shtëpinë Ruse” prindërit mund t’u blejnë fëmijëve të tyre atje sapun në formën e tankeve.

Wagener i tha DW: “Është koha të kuptojmë se nuk bëhet fjalë për bashkëpunim dhe punë të ndërsjellë kulturore, por për propagandën e luftës ruse dhe të Putinit në Gjermani”.

Kjo është arsyeja pse Wagener tani dëshiron të shqyrtojë një detaj veçanërisht të çuditshëm: Toka në Friedrichstrasse është në pronësi të Gjermanisë, ndërsa objekti menaxhohet nga agjencia shtetërore ruse “Rossotrudnichestvo”, që përkthehet si “Agjencia Federale për Çështjet e Komonuelthit të Shteteve të Pavarura, bashkatdhetarët që jetojnë jashtë vendit dhe për bashkëpunimin ndërkombëtar humanitar”.

Organizata “Rossotrudnichestvo”, e cila supozohet kryesisht të promovojë gjuhën ruse jashtë vendit, është aktualisht e pranishme në 62 vende të botës përmes 73 institucioneve të ngjashme si ajo në Berlin. Që nga viti 2022, pas sulmit rus ndaj Ukrainës, agjencia ka qenë në listën e sanksioneve të BE-së.

Në atë kohë, Brukseli deklaroi se qëllimi i agjencisë ishte “të forconte pranimin publik të territoreve të pushtuara ukrainase si ruse”. Më tej thuhet se drejtori dhe zëvendësdrejtori shprehën qartë mbështetjen e tyre për luftën agresionale të Rusisë kundër Ukrainës.

Paratë e taksapaguesve gjermanë për propagandën e Putinit?

Megjithatë, qeveria federale gjermane, si pronare de facto e tokës, paguan deri në 70,000 euro taksë mbi pronën në Administratën Tatimore. Kjo rrjedh nga një marrëveshje e vjetër midis Gjermanisë dhe Rusisë,  me anë të së cilës ata njohën reciprokisht bashkëpunimin e tyre kulturor.

Wagener kërkon që pagesa e shumës prej 70,000 euro taksë mbi tokën të hiqet gjatë negociatave të ardhshme të buxhetit. Ai hodhi idenë një vit më parë, por për shkak të një mosmarrëveshjeje kaotike brenda të të ashtuquajturit koalicion semaforik (SPD, Të Gjelbër, FDP), nuk ishte e mundur të miratohej buxheti në atë kohë.

Por tani ekziston mundësia e miratimit të buxhetit. Wagener e shpjegon kërkesën e tij si më poshtë: “Kuptimi origjinal i Shtëpisë Ruse, që ishte të promovonte shkëmbimin e ndërsjellë kulturor, është humbur prej kohësh… Rusia po e përshkallëzon vazhdimisht situatën dhe në këtë mënyrë po i tensionon më tej marrëdhëniet. Edhe baza e marrëveshjes kulturore ishte shkëmbimi i ndërsjellë kulturor dhe shkencor”.

Wagener i dërgoi një pyetje zyrtare qeverisë federale për këtë çështje. Përgjigja, në një mënyrë disi burokratike, thotë: “Në lidhje me objektin, i cili ndodhet në tokën e lartpërmendur dhe që është në pronësi të Federatës Ruse, Republika Federale e Gjermanisë paguan taksën e pronës në emër të Federatës Ruse për shkak të një detyrimi ligjor që rrjedh nga marrëveshja dypalëshe gjermano-ruse për çështjet e pronës së institucioneve kulturore nga viti 2013”. Pra, kjo është një marrëveshje që u përfundua para aneksimit të Krimesë nga Rusia. 

Frika nga reagimi rus

Nëse këto fonde do të ndalen realisht është jashtëzakonisht e pasigurt. Ministria Gjermane e Punëve të Jashtme ka theksuar vazhdimisht se stafi i “Shtëpisë Ruse” në Gjermani ka status diplomatik.

Prej kohësh është konsideruar sekret i hapur në qarqet politike se qeveria federale ka frikë nga një konflikt i hapur mbi “Shtëpinë Ruse”, sepse ka frikë se qeveria ruse mund të reagojë duke mbyllur Institutin Goethe në Moskë.

Por Wagener do të vazhdojë luftën e tij për mbylljen: “Unë besoj se ‘Shtëpia Ruse’ nuk ka të ardhme si ndërmjetës kulturor. Nëse dikush dëshiron seriozisht të merret me kulturën ruse – gjë që e mirëpres sinqerisht – ka edhe vende takimi civil për ata njerëz që janë kryesisht të persekutuar në Rusi dhe që tani jetojnë këtu në Gjermani, sepse nuk mund ta jetojnë lirisht kulturën e tyre në vendin e tyre.”

Megjithatë, “Shtëpia Ruse”, sipas të gjitha gjasave, do të vazhdojë aktivitetet e saj në zemër të Berlinit, në një nga rrugët më të famshme të kryeqytetit gjerman.

dw

n mbështetjen për Ballkanin Perëndimor

BE konfirmon mbështetjen për Ballkanin Perëndimor

Në Shkup janë mbledhur liderët e Ballkanit Perëndimor dhe Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos. Ata do të diskutojnë për Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Në takimin me Komisioneren e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, marrin pjesë kryeministrat e Maqedonisë së Veriut, të Bosnjës dhe Hercegovinës, të Kosovës, të Malit të Zi, të Serbisë dhe të Shqipërisë. Në kuadër të takimit do të zhvillohen dy panele. I pari do t’i kushtohet Planit të Rritjes së Ballkanit Perëndimor, kurse i dyti do t’u kushtohet mekanizmave specifikë dhe mbështetjes për zbatimin e Planit të Rritjes.

Çfarë ofron Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor?

Plani i Rritjes parashikon mbështetje financiare prej gjashtë miliardë eurosh, nga të cilat dy miliardë janë grante dhe katër miliardë kredi të buta të ofruara nga BE-ja për reforma dhe investime në fusha si energjia, transporti dhe transformimi digjital me qëllim që të rritet prosperiteti dhe stabiliteti në rajon.

Plani bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun e njësuar të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave thelbësore dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.

Zhbllokimi i fondeve nga Plani i Rritjes

Në qendër të vëmendjes të samiti të Shkupit janë reformat kyç për të “zhbllokuar” ndarjen e fondeve nga Plani i Rritjes, të cilat sjellin përfitime të prekshme për qytetarët e shteteve kandidate për anëtarësim në BE para pranimit të tyre në BE. Nga Plani i Rritjes kanë marrë fondet e para të parafinancimit të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përveç Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës.

Në Shkup do të diskutohet edhe për fusha të reja të bashkëpunimit si mbrojtja e konsumatorëve, turizmi dhe rruga drejt tregut të përbashkët, i cili do të përshpejtonte integrimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët të BE-së.

Takimi Mickoski – Kos

Pas një takimi që kishte pasur me Komisioneren e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, kryeministrit Hristijan Mickovski tha: “Theksova vendosmërinë e fortë të qeverisë për t’u integruar në BE, me dinjitet dhe përmes zbatimit të reformave të konsiderueshme në fushat e sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik dhe transformimit digjital”.

Komisionerja Kos përshëndeti në takim agjendën e reformave të qeverisë së Shkupit dhe konfirmoi mbështetjen e Komisionit Evropian për progresin e rajonit në rrugën evropiane.

dw

Sa të rrezikshme janë temperaturat

Sa të rrezikshme janë temperaturat e larta?

Temperaturat e larta dhe vapa, që do të vazhdojnë gjatë ditëve në vijim, mund të shkaktojnë sëmundje serioze deri në vdekje.

Dhjetëra qytete në të gjithë Evropën Jugorejanë përfshirë nga valët e të nxehtit. Autoritetet shëndetësore paralajmërojnë për rreziqet nga temperatura ekstreme që do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim dhe kanë shtuar gatishmërinë.

Në disa qytete në Spanjë termometri i ka kaluar 40°C. Ndërkohë Portugalia, Franca dhe Italia kanë vënë në gatishmëri shërbimet mjekësore për shkak të rrezikut nga goditjet prej nxehtit. Nga ishulli italian i Siçilisë dhe nga Greqia njoftohet edhe për zjarre.

Edhe Shqipëria po përjeton temperatura mbi normalen për këtë periudhë.

Meteorologët paralajmërojnë se vala e të nxehtit do të vazhdojë edhe për disa ditë të tjera.

Më në rrezik të moshuarit

Nxehtësia ekstreme mund të shkaktojë përkeqësim të sëmundjeve kardiovaskulare ose atyre të frymëmarrjes. Kush qëndron për një kohë të gjatë në diell, rrezikon të digjet. Dhe kush qëndron për një kohë të gjatë në temperatura të larta, rrezikon hipertermi, një gjendje e ngjashme me ethet.

Po ashtu lëkura dhe indet e trurit ngacmohen nga nxehtësia e madhe dhe mund të shkaktojnë të ashtuquajturin meningjit aseptik, një infeksion truri që nuk shkaktohet nga ndonjë bakterie. Kjo goditje nga dielli është goditje e izoluar në kokë nga i nxehti.

Sipas studiuesve më të prekurit janë të moshuarit, sidomos ata mbi 65 vjeç.

Çfarë parashikohet për këtë verë?

Ekspertët thonë se moti pritet të bëhet akoma më i nxehtë. Dhe kjo do të thotë potencialisht edhe më vdekjeprurës.

Ndryshimet klimatike globale po shkaktojnë rritje të temperaturave në mbarë botën. Por në Evropë temperaturat janë rritur dy herë më shpejt se mesatarja globale.

Masa për adaptimin ndaj nxehtësisë

Ekspertët thonë se qeveritë duhet të ndërmarrin menjëherë masa për parandalimin dhe adaptimin ndaj nxehtësisë, për të mbrojtur ata që janë në rrezik.

Kjo përfshin, për shembull, përmirësimin e njoftimeve rreth valëve të të nxehtit dhe vënien në dispozicion të mjediseve publike me ajër të kondicionuar, gjë që do të ndihmonte për të parandaluar deri në 100 mijë vdekje të parakohshme të lidhura me nxehtësinë.

dw

Turqi: Diyanet mund të censurojë përkthimet e Kuranit

Kurani, libri i shenjtë i myslimanëve, është shkruar në arabisht; përkthimet janë me shumë rëndësi për t’i bërë tekstet të arritshme për miliona njerëz.

Autoriteti fetar turk, Diyanet mund të ndalojë përkthimet e Kuranit që i konsideron të papajtueshme me parimet islame. Kjo po shkakton kritika dhe ka nxitur shqetësime në lidhje me lirinë fetare.

Diyaneti është një nga autoritetet qeveritare më me ndikim në Turqi. Sipas informacioneve të saj, ajo punëson mbi 140,000 njerëz dhe ofron shërbime fetare në më shumë se 100 vende të botës. E themeluar në vitin 1924, agjencia ka qenë në varësi të drejtpërdrejtë të Presidentit islamik-konservator Rexhep Tajip Erdogan që nga viti 2018. Buxheti i saj vjetor prej afërsisht tre miliardë eurosh tejkalon edhe buxhetet e disa ministrive, përfshirë Ministrinë e Brendshme Turke.

Diyaneti menaxhon 90,000 xhami në të gjithë Turqinë, organizon pelegrinazhe vjetore, koordinon ritualet për Kurban Bajramin dhe organizon kurse kurani dhe ngjarje kulturore. Gjithashtu ajo trajnon imamë dhe i dërgon ata për të dhënë mësim si në vend ashtu edhe jashtë Turqisë. Fondacioni i saj është aktiv në 150 vende dhe arrin miliona njerëz përmes programeve arsimore dhe bursave, nga Lindja e Largët në Amerikën Latine.

Diyanet merr autoritetin e interpretimit të përkthimeve të kuranit

Në vitet e fundit, kompetencat e Diyanetit janë zgjeruar vazhdimisht. Agjencisë i është dhënë ndërkohë edhe kompetenca për të interpretuar përkthimet kuranore. Një ligj i miratuar së fundmi i jep fuqinë për të shqyrtuar përkthimet, e nëse ato “nuk përputhen me karakteristikat themelore të islamit”, mund të ndalohen. “Kopjet problematike” që janë botuar tashmë mund të konfiskohen dhe shkatërrohen. Kjo vlen edhe për përmbajtjen dixhitale, siç janë tekstet, regjistrime audio dhe video në internet.

Presidenti Erdogan i kishte dhënë më parë Diyanetit këtë autoritet me dekret, gjë që çoi në klasifikimin e disa përkthimeve si “të pavërteta”. Megjithatë, ky vendim nuk u pranua në Gjykatën Kushtetuese. Me ligjin e ri, kjo kompetencë tani është sanksionuar ligjërisht dhe kështu nuk është më antikushtetuese.

Kritikët: “Shpallje falimentimi e shtetit turk”

Teologët kritikë ndaj qeverisë flasin për censurë dhe një  islam të diktuar nga shteti” që rrezikon lirinë fetare. Për teologun e njohur Prof. Dr. Sönmez Kutlu, ky hap është një deklaratë falimentimi e shtetit. Sipas tij, një vend me mbi 100,000 punonjës të Diyanet dhe më shumë se 100 fakultete teologjie duhet të jetë në gjendje ta mbrojë Kuranin nga të ashtuquajturat përkthime problematike jo përmes ndalimeve, por përmes metodave intelektuale dhe shkencore. Ai gjithashtu paralajmëron se botimet që përmbajnë vargje kuranore të përkthyera që dyshohet se “kundërshtojnë karakteristikat themelore të Islamit” mund të çojnë gjithashtu në hetime dhe ndjekje penale.

Teologu Ihsan Eliacik e sheh autoritetin e ri të Dijanetit si një shkelje themelore të Islamit. “Në Islam,” thotë Eliacik, “asnjë institucion nuk mund të qëndrojë midis njerëzve dhe Allahut. Megjithatë, shqyrtimi i Kuranit nga Dijaneti për ‘vërtetësinë’ bën pikërisht këtë.” Përkthimi i Kuranit nga vetë Eliacik më parë ishte konsideruar problematik dhe u ndalua nga Diyaneti. Ai paditi Gjykatën Kushtetuese dhe fitoi. Me dispozitat e reja ligjore, kjo nuk është më e mundur.

Ömer Özsoy, Profesor i Teologjisë në Universitetin Goethe në Frankfurt am Main, dyshon se ligji i ri pasqyron ndikimin në rritje të qarqeve shumë fetare në qeveri. “Për rreth një dekadë, këto qarqe kanë kundërshtuar hapur teologjinë akademike, kritike dhe pluraliste në fakultetet teologjike islame në Turqi”, thotë Özsoy e shton se ata “kanë kryer fushata sistematike kundër teologëve të shquar për njëfarë kohe”. Ligji i ri mund të zbatohet gjerësisht në një “interpretim shtypës dhe të motivuar politikisht”, thekson eksperti.
Roli i përkthimeve të Kuranit

Kurani, libri i shenjtë i myslimanëve, është shkruar në arabisht. Përkthimet janë të rëndësishme për t’i bërë tekstet të arritshme për miliona njerëz. Megjithatë, ato përfshijnë edhe interpretime, veçanërisht kur bëhet fjalë për fjalë ose fragmente të paqarta. Kjo e bën temën shumë të ndjeshme. Rëndësia e përkthimeve të Kuranit në vendet jo-arabe si Turqia është rritur vitet e fundit. Në të kaluarën, shpjegon profesori i teologjisë Özsoy, “studimi i Kuranit ishte përgjegjësi e dijetarëve fetarë”. Megjithatë, teologu thotë se gjërat janë ndryshe sot.  “Sot, besimtarët laikë e lexojnë Kuranin drejtpërdrejt dhe e interpretojnë atë në mënyrë të pavarur”. Sipas tij, kjo është për shkak të individualizimit, të menduarit kritik dhe shfaqjes së lëvizjeve dhe trendeve të ndryshme. Sipas Özsoy, numri i përkthimeve turke të Kuranit është rritur në dekadat e fundit. Shumë prej përkthyesve nuk kanë kualifikimet e nevojshme profesionale. Ky problem diskutohet gjerësisht midis ekspertëve dhe ekziston literaturë e gjerë akademike mbi këtë temë.

Feja është gjithnjë e më shumë në qendër të diskursit shoqëror në Turqi. Të rinjtë, në veçanti lexojnë shkrimet e shenjta dhe diskutojnë për islamin, duke vënë në pikëpyetje shumë nga teoritë e tij, gjë që përbën shqetësim për qeverinë. Presidenti Erdogan ka theksuar prej kohësh dëshirën e tij për të rritur një “brez të devotshëm”.

Megjithatë, studimet e fundit nga instituti i sondazheve Konda tregojnë të kundërtën: përqindja e njerëzve që e përshkruajnë veten si fetarë ra nga 55 përqind në vitin 2018 në 46 përqind sot, ndërsa përqindja e ateistëve ose jobesimtarëve u rrit nga dy në tetë përqind gjatë së njëjtës periudhë.

dw

Kremlin: Putin nuk shkon në bisedimet për Ukrainën

PutinPresidenti rus Putin, sipas Kremlinit, nuk do të shkojë në Stamboll në bisedimet mbi fundin e luftës kundër Ukrainës. Rusia do të dërgojë një delegacion të drejtuar nga këshilltari i Putinit, Vladimir Medinski.

 

Kremlini komunikoi përbërjen e delegacionit të Rusisë, që të enjten (15.05.2025) udhëton për në Stamboll për bisedimet direkte me Ukrainën. Emri i presidentit rus Vladimir Putin nuk është në listën e publikuar. Sipas listës së publikuar delegacioni rus do të drejtohet nga këshilltari i presidentit Vladimir Medinski.

Medinski, i cili ka qenë edhe ministër i Kulturës konsiderohet si peshë e lehtë politike dhe ai qysh në vitin 2022 ka qenë pjesëmarrës në bisedimet për fundin e luftës në Ukrainë. Atëherë bisedimet u mbyllën – gjithashtu në Turqi – pa rezultat. Në delegacion, sipas zyrës presidenciale, do të jenë edhe zëvendësministri i Jashtëm Mihail Galusin, gjenerali Igor Kostjukov nga shtabi i përgjithshëm dhe zëvendësministri i Mrbojtjes Aleksander Fomin.Në bisedime do të marrin pjesë edhe ekspertë të Ministrisë së Mbrojtjes, të shtabit të përgjithshëm, të Ministrisë së Jashtme dhe të administratës presidenciale.

 

Synim armëpushimi 30 ditor

Asnjë nga politikanët me peshë nga Moska nuk do të udhëtojnë për në Turqi. Eshtë e paqartë si mund të reagojë Ukraina ndaj mungesës së Putinit në bisedime dhe nëse do të pranojë ajo të negociojë me këtë delegacion rus. Mediet në Moskë patën informuar më parë, se ministri i Jashtëm Sergej Lavrov, ndër politikanët më me peshë të Moskës, nuk do të udhëtojë për në Stamboll. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyj fillimisht ka insistuar, që do të negociojë vetëm me Putinin personalisht. Por një udhëtim i Putinit në Turqi edhe më parë konsiderohej pothuajse i pamundur. Kievi do tani të pranojë edhe formate të tjera, sikurse u shpreh Zelenskyj në një fjalim me video në mbrëmje.

Presidenti ukrainas me bisedimet në Stamboll do të arrijë një armëpushim 30 ditor. Në rast të kundërt mbështetësit perëndimorë të Ukrainës e kanë kërcënuar Rusinë me sanksione të reja. Putini propozoi bisedimet në Stamboll të dielën si përgjigje ndaj kërkesës së Zelenskyjt dhe kryetarëve të shteteve dhe qeverive perëndimore për armëpushim pa kushte, qe do të duhej të kishte filluar të hënën (12.05.2024). Por Kremlini e pati lënë të hapur gjatë këtyre ditëve, se kush do të udhëtojë për në Turqi. Planet për bisedime i diskutoi vet Putini në dielën edhe me presidentin turk Rexhep Tayyip Erdogan, i cili që prej fillimisht të luftës përpara tre vjetësh është angazhuar si ndërmjetësues i rëndësisshëm ndërmjet dy palëve.

 

Trump që do t’i jepet fund luftës

Presidenti i SHBA-së Donald Trumpi ka bërë thirrje Ukrainës që të hyjë në bisedime direkte me Rusinë. Ai në këtë mënyrë iu kundërvu një ultimatumi të Zelensjkyjt dhe “koalicionit të të vullnetshmëve” të përbërë nga aleatët e Ukrainës, që fillimisht kërkojnë armëpushimin dhe pastaj bisedimet. Në “koalicionin e të vullnetshmëve” bëjnë pjesë Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania. Trump vazhdimisht ka deklaruar, se do t’i japë fund luftës ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës. Ai është takuar me Zelenskyjn dhe ka telefonuar me Putinin. Presidenti i SHBA-së, i cili aktualisht po zhvillon një tur vizitash disaditore në Lindjen e Mesme, ishte shprehur i gatshëm të udhëtonte për në Stamboll, nëse atje do të takohej Putin dhe Zelenskyj. Pasi Putini nuk merr pjesë nuk mund të llogaritet me pjesëmarrjen e Trump. Shtëpia e Bardhë pati komunikuar, se ministri i Jashtëm Marco Rubio dhe të dërguarit e posaçëm Steve Witkoff dhe Keith Kellogg do të përfaqësojnë SHBA-në në këto bisedime.

ard/dpa

 

Ekonomia ruse më e dobët nga sa deklaron Moska

ekonomia ruseSipas një raporti të përgatitur për BE-në ekonomia ruse është në një gjendje më të keqe nga sa pranon qeveria në Moskë.

Pavarësisht stabilitetit sipërfaqësor dobësitë strukturore të ekonomisë në Rusi po thellohen, thuhet në një analize të Institutit të Stokholmit për Ekonomitë në Tranzicion (SITE). Shkaku për këtë është kalimi në një ekonomi lufte dhe efektet e sanksioneve perëndimore. Raporti u përgatit si material informues për ministrat e Financave të BE-së.

“Stimujt fiskalë për ekonominë e luftës i kanë siguruar ekonomisë mbijetesën për një afat të shkurtër”, thuhet në raport. “Megjithatë varësia prej financimeve të paqarta dhe jotransparente, shpërndarja e shtrembëruar e burimeve dhe tkurrja e rezervave financiare i bëjnë ato të paqëndrueshme në plan afatgjatë. Ndryshe nga pretendimet e Kremlinit, koha nuk punon për Rusinë.” – thuhet në raport.

Dyshime për besueshmërinë e të dhënave ekonomike nga Rusia

Drejtori i SITE-s, Torbjörn Becker, shprehu në një takim me përfaqësues të mediave dyshime në lidhje me besueshmërinë e të dhënave ekonomike ruse. Nëse inflacioni është vërtet në nivelin nëntë deri në dhjetë përqind, pse banka qendrore ka vendosur një normë bazë interesi prej 21 përqindësh, pyeti ai.

“Nëse bankat tona qendrore do të bënin diçka të tillë, ato do të mbeteshin të nesërmen pa punë.” Nëse inflacioni vlerësohet si shumë ulët, mbivlerësohet prodhimi ekonomik bruto. Gjithashtu ka mosmarrëveshje edhe për buxhetin. “Një pjesë e madhe e financimit të luftës kalon përmes sistemit bankar. Nëse ua shtojmë këtë shifrave të buxhetit, deficitet e tyre do të ishin rreth dy herë më të larta se sa thuhet në statistikat zyrtare.”

dw

A po e humbet B-H kontrollin mbi forcat e armatosura?

DodicAgjencitë policore në B-H janë të pafuqishme për të zbatuar urdhër-arreste për udhëheqësit e RS. Arrestimi mund të shkaktojë konflikte, por kjo ngre pyetjen e aftësisë së këtyre institucioneve.

 

“Unë besoj se agjencitë ende po bëjnë punën e tyre”, tha kreu i diplomacisë Elmedin Konakoviq. Por vetëm pas pak ditësh u bë e qartë se jo vetëm që agjencitë policore nuk janë në gjendje të zbatojnë urdhrat e Gjykatës së B-H, por as shteti nuk ka më asnjë autoritet mbi Forcat e Armatosura të Bosnjë-Hercegovinës.

Ministri i Mbrojtjes Zukan Helez lëshoi ​​një urdhër për të ndaluar praninë e presidentit të RS Milorad Dodik, kryetarit të Asamblesë Kombëtare të RS Nenad Stevandiq dhe kryeministrit të entitetit Radovan Vishkoviq në festimin e përvjetorit të Regjimentit të Tretë të Këmbësorisë të Republikës Srpska, i cili ka qenë pjesë integrale e Forcave të Armatosura të B-H që nga viti 2006. Por ata morën pjesë në ceremoninë në kazermat Kozara në Banja Luka më 12 maj.

“Çfarë lidhje ka ushtria me gjykatat dhe çfarë lidhje ka ushtria me prokurorët në sektorin civil? Nuk ka asgjë”, tha Dodik në festimin e përvjetorit, duke theksuar se ushtria ka mandatin e vet dhe se e di kush jep urdhëra dhe si.

Mbyllje sysh

“B-H është në një gjendje grushtshteti sepse nuk mund të zbatojë vendime në territorin e të gjithë shtetit”, thotë analisti politik nga Sarajeva, Enver Kazaz, duke vënë në dukje se problemi është se askush nuk dëshiron ta pranojë publikisht këtë. Por se çdo problem pasues ndërton mbi atë ekzistues, gjë që vetëm sa e thellon krizën.

“Vetëm politikanët naivë që ruajnë status quo-në dhe shohin një mundësi për të mos ndërmarrë asnjë veprim serioz mund ta fshehin këtë të vërtetë”, thotë Kazaz, duke theksuar se edhe burokracia evropiane është e paaftë të shohë situatën reale në terren.

Kazaz shton se situata në kazermat e Kozarës tregon se Dodik ka nën kontroll të gjitha institucionet në territorin e Republikës Srpska. “Shteti praktikisht funksionon në gjysmën e territorit të tij. Ndërsa në RS është pezulluar plotësisht”, thotë Kazaz, me të cilin pajtohen një numër i madh analistësh.

Ndërsa Banja Luka është e gëzuar me këtë gjendje, nga Sarajeva po vijnë akuza penale kundër atyre që mundësuan praninë e udhëheqjes së RS brenda Forcave të Armatosura të B-H, për të cilët Gjykata e B-H ka lëshuar një urdhër arresti për grusht shteti.

“Të gjithë ata që shkelën ligjin do të mbahen penalisht përgjegjës. Unë personalisht do të ngre akuza penale dhe do të hetoj gjithçka. Ky nuk është fundi”, është kategorik Helez.

Edhe pse kompetencat e Ministrisë së Mbrojtjes janë shumë të kufizuara, duke pasur parasysh se pjesa më e madhe e vendimmarrjes aktuale është në duart e Presidencës së B-H, e cila, për shkak të strukturës së saj mund të bllokojë çdo vendim, në këtë rast kompetencat janë në duart e Helezit. Bazuar në Ligjin për Mbrojtjen dhe Ligjin për Forcat e Armatosura të B-H, Ministria e Mbrojtjes ka juridiksion mbi aksesin në objektet ushtarake, dhe zyrtarët janë të detyruar të veprojnë sipas urdhrave dhe vendimeve të ligjshme të Ministrisë.

Dekada pa ndryshime thelbësore

Zëvendëspresidenti i RS-së, Qamil Durakoviq, ka ngritur tashmë kallëzime penale në Prokurorinë e B-H kundër zëvendësministrit të Mbrojtjes Aleksandar Goganoviq dhe Shefit të Shtabit të Përbashkët të Forcave të Armatosura të B-H-së, gjeneralit Gojko Knezheviq, për shpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar, moskryerje të detyrës zyrtare dhe lejim të të arratisurve për të hyrë në objektet ushtarake të Forcave të Armatosura të B-H.

Nëse B-H funksionon në të gjithë territorin e saj dhe nëse pritet një rishikim i sovranitetit në kushte të tilla është një çështje komplekse, thotë Mladen Bubonjiq. “Formalisht sovran, në thelb i çrregullt, ndonjëherë krijohet përshtypja se shteti ekziston vetëm në letër. Disa duan që të jetë maksimalisht i decentralizuar, në nivelin e një strukture federale, të tjerë do të donin që të ishte i unifikuar, unitar. Kështu ka qenë për dekada dhe asgjë nuk po ndryshon në thelb”, thotë Bubonjiq.

Autoritetet e Brukselit paralajmërojnë për mospërmbushjen e kushteve në rrugën drejt BE-së. B-H vizitoi këto ditë presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa. Ai u takua me anëtarët e Presidencës së B-H dhe vizitoi forcat EUFOR si pjesë e misionit Altea. Ai përsërit se BE mbetet e përkushtuar ndaj të ardhmes evropiane të B-H. Por ai gjithashtu paralajmëron: “Jam në Sarajevë për të përcjellë këtë mesazh të angazhimit të vazhdueshëm, por edhe shqetësimit për zhvillimet e fundit në Republikën Serbe. Retorika secesioniste dhe veprimet e drejtuara kundër integritetit territorial, sovranitetit dhe rendit kushtetues janë në kundërshtim me rrugën evropiane të Bosnjë-Hercegovinës”.

Reagimet kundërthënëse

Ai tha se B-H ka nevojë për miratimin e dy ligjeve në fushën e drejtësisë, emërimin e një kryenegociatori dhe miratimin e një agjende të reformave. Por të tre anëtarët e Presidencës së B-H interpretuan ndryshe mesazhet e tij.

Përfaqësuesja serbe Zheljka Cvijanoviq pohon se askush në RS nuk po sulmon integritetin territorial të B-iH dhe se çdo reagim është pasojë e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë Schmit. Ndërsa anëtari boshnjak Denis Beqiroviq  theksoi rrezikun e sulmit më të madh ndaj rendit kushtetues që vjen nga RS.

“Për herë të parë që nga viti 1995 ekziston një rrezik serioz i një konflikti të armatosur midis institucioneve shtetërore ligjore të B-H dhe elementeve në këtë entitet”, tha ai. Ndërsa anëtari kroat Zhelko Komshiq falënderoi BE-në për mbështetjen e saj në kalimin e B-H nga faza e Dejtonit në atë të Brukselit.

dw / Dragan Maksimovic

Çfarë pritet pas marrëveshjes për tarifat mes SHBA e Kinës?

Bisedimet e delegacioneve të SHBA dhe KinësTregjet e aksioneve u rritën pasi SHBA-të dhe Kina arrijnë një marrëveshje të përkohshme tarifore. Çfarë pritet tani?

 

Shtetet e Bashkuara dhe Kinajanë dakorduar të hënën për heqjen e pjesshme të tarifave, që kanë trazuar tregjet financiare. Të dyja palët ranë dakord të ulin tarifat ndaj njëra-tjetrës për mallrat duke filluar nga e mërkura, për 90 ditët e ardhshme.

Vendimi erdhi pas bisedimeve serioze në Gjenevë gjatë fundjavës mbi të ashtuquajturat tarifa reciproke të presidentit të SHBA-së Donald Trump. Tarifat kishin për qëllim të lehtësonin çekuilibrin tregtar të SHBA-së, por ato e kanë shtyrë Pekinin të hakmerret me kundërmasa të ngjashme.

Deri të hënën, Kina ishte i vetmi vend që Trump ka refuzuar të japë një pauzë në vendosjen e tarifave.

 

Çfarë dihet deri tani?

Përfaqësuesi i Tregtisë i SHBA-së Jamieson Greer dhe Sekretari i Thesarit Scott Besant njoftuan uljen e tarifave në një konferencë për shtyp në Gjenevë të hënën në mëngjes.

Greer tha se SHBA-të do të ulnin tarifat për mallrat kineze nga 145 për qind në 30 për qind. Në këmbim, Kina do të ulë tarifat e saj për importet amerikane nga 125% në 10%.

Tarifat më të ulëta do të mbeten në fuqi për 90 ditë, për të lehtësuar tensionet dhe për të lejuar negociata të mëtejshme.

Dy zyrtarë amerikanë thanë se bisedimet kanë çuar në “përparim të konsiderueshëm” në zgjidhjen e mosmarrëveshjes tregtare.

Shtëpia e Bardhë tha në një deklaratë se Kina dhe SHBA-të po ecin përpara “në frymën e besimit të ndërsjellë, komunikimit të vazhdueshëm, bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë”.

Ministria e Tregtisë e Kinës më vonë tha se ulja e tarifave është “në përputhje me pritjet e prodhuesve dhe konsumatorëve në të dy vendet, si dhe me interesat e të dy vendeve dhe interesat e përbashkëta të botës”.

Pekini i bëri thirrje SHBA-ve që “të marrin këto bisedime si bazë për bashkëpunimin e vazhdueshëm me Kinën dhe të korrigjojnë plotësisht praktikën e gabuar të rritjes së njëanshme të tarifave…”

 

Si reaguan tregjet financiare?

Njoftimi SHBA-Kinë solli reagime pozitive në tregjet financiare globale. Indekset e aksioneve aziatike por edhe në rajone të tjera u rritën. Indeksi Hang Seng i Hong Kongut u rrit me 3 për qind, ndërsa Indeksi i Shangait fitoi gati 1 për qind. Në SHBA, aksionet e S&P 500 u rritën me gati 3 për qind, ndërsa Nasdaq u rrit me gati 4 për qind.

Dollari amerikan u forcua në nivelin më të lartë njëmujor kundrejt euros dhe jenit. Investitorët shprehën optimizëm për zhvilimet. Besant zbuloi se bisedimet ishin duke u zhvilluar me 18 partnerë kryesorë tregtarë amerikanë dhe tha se disa kanë propozuar “marrëveshje shumë premtuese”. Tregjet po rimëkëmben nga kaosi fillestar i shkaktuar nga tarifat e gjera reciproke të Trump, të cilat çuan në një shitje të aksioneve dhe dollarit amerikan.

Tarifat e larta të importit kanë ndërprerë tregtinë midis dy ekonomive më të mëdha në botë, duke rritur kostot për importuesit dhe duke nxitur frikën e inflacionit të ripërtërirë.

 

Çfarë mendojnë investitorët?

Tai Hui, strateg kryesor i tregut për Azi-Paqësorin në firmën e investimeve JP Morgan Asset Management, tha se uljet e tarifave ishin “më të mëdha se sa pritej”, një shenjë se të dyja palët besojnë se negociatat janë një mundësi e mirë për zgjidhjen e luftës tregtare.

“Periudha 90-ditore mund të mos jetë e mjaftueshme që të dyja palët të arrijnë një marrëveshje të detajuar, por ajo mban presionin mbi procesin e negociatave”, tha Tai në një shënim për klientët.

Deutsche Bank shkoi edhe më tej, duke thënë se uljet ishin “më të mira se sa pritej në mars”, në kohën kur Trump kërcënonte të rriste tarifat për pjesën tjetër të botës. Dan Ives, drejtor menaxhues dhe kreu global i kërkimit teknologjik në firmën e shërbimeve financiare Wedbush Securities, pret që uljet e tarifave “ndoshta do të heqin rrezikun nga recesioni për momentin”. Ives parashikon nivele të reja maksimale për aksionet amerikane, veçanërisht kompanitë e teknologjisë.

Stuart Rumble, kreu i menaxhimit të investimeve Azi-Paqësor në Fidelity International, tha se vonesa “duhet të ndihmojë në rivendosjen e besimit” në tregjet financiare, por ai vuri në dukje se uljet e tarifave janë të kufizuara në kohë.

 

Çfarë ndodh tani?

Uljet 90-ditore të tarifave ofrojnë një dritare për negociatorët për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme për luftën tregtare. Shtëpia e Bardhë njoftoi gjithashtu një mekanizëm për bisedimet, të cilat do të drejtohen nga zëvendëskryeministri kinez He Lifeng dhe përfaqësuesit amerikanë Besant dhe Greer. Bisedimet do të zhvillohen në Shtetet e Bashkuara, Kinë ose në një vend të tretë neutral.

Besant tha se SHBA-të po kërkojnë një “ribalancim strategjik” për të zvogëluar varësinë e tyre nga Kina, kryesisht në pesë ose gjashtë degët kryesore të industrisë, duke përfshirë farmaceutikën dhe çelikun. “Asnjëra palë nuk dëshiron ndarje. Ne duam tregti më të ekuilibruar.”

Si rezultat i tarifave të reduktuara, eksportuesit në të dy vendet tani mund të planifikojnë më mirë punët. Tarifat kanë ulur numrin e kontejnerëve që transportojnë mallra nga Kina në SHBA deri në 60 për qind.

Pasiguria mbi tarifat e Trumpit ka rritur rrezikun e një recesioni në SHBA por edhe në përmasa globale, si dhe rritjen e inflacionit dhe falimentimet e firmave. Ndërsa pauza e zbut tani këtë rrezik.

Fqinjët e Kinës, përfshirë Vietnamin, Kamboxhian dhe Indonezinë, duan po ashtu të arrijnë marrëveshje tregtare me Uashingtonin, të cilat potencialisht mund të dëmtojnë eksportet e ardhshme kineze. Pekini i ka paralajmëruar vendet aziatike të mos bëjnë asgjë që bie ndesh me interesat e saj, sepse kjo mund të ndërlikojë marrëveshjet e mëtejshme.

dw

Bisedime të drejtpërdrejta Ukrainë-Rusi në Turqi

ukraina rusiaPresidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe ai turk Erdogan të gatshëm për të mbështetur bisedime të drejtpërdrejta midis Ukrainës dhe Rusisë.

Në sfondin e bisedimeve të drejtpërdrejta që pritet të zhvillohen më 15 maj në Turqi për arritjen e një armëpushimi në Ukrainë, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha pas një takimi me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski se këto bisedime mund të rezultojnë në mundësi të favorshme. “Shpresojmë që kjo mundësi nuk do të çohet dëm”, theksoi Erdogan. Turqia është e gatshme të angazhohet për takimet, shtoi Erdogan. “Dua të theksoj edhe një herë se jemi të gatshëm të kontribuojmë për këto takime dhe jemi të lumtur t’i organizojmë ato”, deklaroi presidenti turk.

Pas bisedës me Erdoganin Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski shkroi në Telegram: “Ne diskutuam pikat kryesore të takimit në Turqi të cilat mund të ndihmojnë për përfundimin e luftës”. Zelenski tha gjithashtu: “Jam mirënjohës për gatishmërinë në nivelin më të lartë për të nxitur diplomacinë.”

Ministria e Jashtme e Rusisë njoftoi se edhe ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, diskutoi me homologun e tij turk për çështje që lidhen me bisedimet e drejtpërdrejta të 15 majit me Ukrainën.

Trump mund të marrë pjesë në bisedimet në Turqi

Presidenti ukrainas Zelenski u shpreh gjithashtu se e përshëndet deklaratën e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i cili kishte deklaruar se nëse zhvillohen bisedime të drejtpërdrejta midis Ukrainës dhe Rusisë ai po shqyrtonte pjesëmarrjen në këtë takim të planifikuar të enjten në Stamboll.

“Të gjithë ne në Ukrainë e përshëndesim pjesëmarrjen e Presidentit Trump. Kjo është ideja e duhur. Ne mund të bëjmë një ndryshim të madh”, shkroi Zelenski në platformën X.

Përpara nisjes për një udhëtim triditor në rajonin e Gjirit Persik, ku do të vizitojë Arabinë Saudite, Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se nëse ka përshtypjen se gjërat mund të lëvizin dhe nëse është e nevojshme ai mund të fluturojë nga atje për në Turqi: “Kam shumë takime, por kam menduar të fluturoj edhe për në Turqi.” – tha Trump.

dw

Politika e jashtme e Trumpit po përmbys rendin botëror, thotë ish-këshilltarja e tij Fiona Hill

Fiona Hill Siguria ndërkombëtare dhe sistemi financiar, të ndërtuara dhe të drejtuara nga Shtetet e Bashkuara pas Luftës së Dytë Botërore i kanë bërë ballë Luftës së Ftohtë, luftërave rajonale, krizave ekonomike dhe madje edhe një pandemie botërore. Por, sipas një ish-këshilltareje të presidentit amerikan, Donald Trump, – që tashmë është një nga kritiket më të mëdha të tij – ndoshta nuk do t’i mbijetojnë mandatit katërvjeçar të Trumpit.

 

“Ky është fundi i sistemit ndërkombëtar, siç e njohim ne”, tha Fiona Hill, ish-këshilltare e Trumpit për Rusinë dhe tani eksperte në Institutin Brookings. Intervista e Hillit për Radion Evropa e Lirë, është pjesë e një serie me tri pjesë, e quajtur Ndryshimet e Politikës së Jashtme të Amerikës. “Sinqerisht, ka qenë duke u shembur që një kohë të gjatë”.

“Presidenti Trump më nuk do që të paguajë për këtë [rendi ndërkombëtar] apo ta mbështesë, madje as në aspektin e udhëheqjes politike dhe kjo vlen edhe për institucionet vendore që janë të lidhura me projeksionin e ndikimit dhe fuqisë së SHBA-së jashtë vendit”, tha ajo.

I ashtuquajturi rend ndërkombëtar, i bazuar në rregulla – term i përdorur nga Uashingtoni për kornizën globale të pasluftës – mbështetet mbi parimet si integriteti territorial, siguria kolektive, të drejtat e njeriut dhe tregtia e lirë. Institucionet sikurse Kombet e Bashkuara, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Gjykata Ndërkombëtare Penale – gjykatë në të cilën SHBA-ja nuk është anëtare – u krijuan për të mbrojtur dhe zbatuar këto vlera.

Por, që kur është kthyer në Shtëpinë e Bardhë, Trump thotë se ky sistem nuk funksionon më për Shtetet e Bashkuara dhe për punëtorin amerikan, duke theksuar veçanërisht humbjen e vendeve të punës ndaj Kinës dhe shteteve të tjera, që kanë tregje në zhvillim, çka sipas tij ka boshatisur qytete e komunitete në të gjithë vendin dhe ka çuar në një deficit të madh tregtar.

Pavarësisht mangësive të tij, disa ekspertë argumentojnë se sistemi aktual ndërkombëtar i udhëhequr nga SHBA-ja ka sjellë një periudhë të paprecedent paqeje dhe mirëqenieje botërore. Nëse ky sistem do të mbijetojë në një formë apo tjetër, atëherë do të jetë falë Evropës dhe Azisë, tha Hill.

“Ky është një moment vendimtar”, tha ajo për vendet në këto rajone, përfshirë Kinën. “Çfarë vlerësojnë në të vërtet? Sa shumë i vlerësojnë këto institucione? Nëse i vlerësojnë, atëherë, domosdo do të duhet të jenë ato që ndërmarrin hapa për t’i mbështetur”.

Hill është një studiuese e njohur për Rusinë dhe biografe e presidentit rus, Vladimir Putin. Ajo e ka vëzhguar udhëheqësin e Kremlinit nga afër gjatë angazhimeve ndërkombëtare dhe e ka shoqëruar Donald Trumpin në samitin e tij me Putinin në Helsinki në vitin 2018, një takim që u përmbyll me një konferencë për media të cilën Hill më vonë e përshkroi si “poshtëruese” për Shtetet e Bashkuara.

Hill gjithashtu dëshmoi para Kongresit gjatë procesit të parë të shkarkimit të Trumpit në vitin 2019. Që prej largimit nga Qeveria, ajo ka qenë një kritike e zëshme dhe e spikatur e Trumpit, dhe në mars, administrata Trump ia hoqi autorizimet e sigurisë dhe qasjen në informacione të klasifikuara.

Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, Hill tha se SHBA-ja duket se po ndjek trajektoren e Rusisë nën Putinin dhe të Hungarisë nën kryeministrin Viktor Orban, pasi Trump po përpiqet të anashkalojë institucione si Kongresi dhe gjykatat që kanë ofruar kontroll dhe balancë ndaj pushtetit ekzekutiv – një akuzë që është ngritur nga kritika të tjerë të shquar të Trumpit.

“Nuk e kam menduar kurrë që do ta shihja Shtetet e Bashkuara që afrohen me Rusinë në këtë mënyrë. Ka shumë përputhje, por nuk është drejtimi që njerëzit mendonin se do të ishte pas vitit 1989”, tha ajo, duke iu referuar revolucioneve demokratike që rrëzuan liderët autoritarë në Evropën komuniste Lindore.

Hill tha se ankesat për pabarazinë në Shtetet e Bashkuara, që ndihmuan Trumpin të vijë në pushtet dy herë, janë reale dhe të ligjshme, por shtoi se shumica e amerikanëve nuk votuan për një presidencë hiper të personalizuar dhe për shkatërrimin e institucioneve.

Strategjia e SHBA-së dhe paqja në Ukrainë

Teksa Trump po shtyn përpara nismën e tij për mbrojtje nga ajri, të quajtura “Kupola e Artë”, dhe po lëviz që të rikthejë prodhimin në SHBA, Hill tha se sheh një ndryshim më të gjerë strategjik: një tërheqje nga angazhimi global pas një “SHBA-ja si fortesë”.

Në thelb të këtij vizioni është përfundimi i luftës në Ukrainë si pjesë e një marrëveshje më të gjerë me Rusinë, një rival i fuqishëm bërthamor që gjithashtu po kërkon të ndryshojë rendin ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA-ja. Që nga kthimi në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka bërë përfundimin e konfliktit – tani në vitin e tij të katërt – prioritet kryesor dhe në mars kërkoi një armëpushim të menjëhershëm 30-ditor.

Kievi ka pranuar propozimin e ndërmjetësuar nga SHBA-ja. Por, presidenti rus, Vladimir Putin, e ka zvarritur procesin, duke mbajtur në avantazh trupat e tij dhe duke fituar momentum në fushëbetejë. Sipas Hillit, kjo vonesë, e ka vendosur Trumpin në një pozicion të vështirë.

“Ai do të kërkojë dikë për të fajësuar. Nuk do të dojë që ta fajësojë Putinin”, tha ajo.

Trump, shtoi ajo, i konsideron vetëm Putin dhe presidentin kinez, Xi Jinping, si homologë të vërtetë dhe ka pak durim për atë që ai e sheh si mosrespekt ose mospërfillje nga liderët që i konsideron të barabartë.

“Ai mund të zemërohet gjithnjë e më shumë me Putinin dhe gjithashtu mund të bëhet më i interesuar për të sulmuar Ukrainën, sepse nuk do të dojë të duket i dobët”, tha ajo.

Ky tension u shfaq hapur gjatë takimit në shkurt në Shtëpinë e Bardhë, kur Trump e akuzoi presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, se nuk ka interes të vërtetë për paqe, sipas burimeve që janë të informuara me diskutimet e zhvilluara.

Hill tha se lufta ka pak gjasa të përfundojë nëse Putini nuk bindet se fitoret e mëtejshme në fushëbetejë janë të paarritshme. Kjo, sipas saj, do të kërkojë mbështetje të qëndrueshme nga Perëndimi – ushtarake, financiare dhe politike – për Ukrainën, pavarësisht nëse Shtetet e Bashkuara përfshihen apo jo.

Në terma afatgjatë, tha ajo, Ukraina duhet të integrohet në çfarëdo arkitekture të sigurisë evropiane që del pas luftës. Se çfarë roli do të luajë SHBA-ja në të ardhmen, megjithatë mbetet e paqartë, teksa Trumpi vazhdon politikën e tij të tërheqjes strategjike.

Në ndërkohë, Hill paralajmëroi se përshkallëzimi i sulmeve të Trumpit ndaj institucioneve botërore dhe atyre vendore – të kontrollit dhe balancës – janë duke dëmtuar aleancat dhe po prishin imazhin e Uashingtonit në skenën botërore.

“SHBA-ja e ka humbur besueshmërinë në nivel botëror”, tha ajo. “Shumë nga kjo është e pakthyeshme. Do të duhet shumë kohë që SHBA-ja të rindërtojë atë që ka humbur”.

Mësimi, tha ajo, është i dhimbshëm:

“Ajo që ndërtohet për një shekull, mund të shembet për 100 ditë.”

rel