Kategoritë: Bota

Lajmet nga Bota

Vjenë: Arsyet e anulimit të koncerteve të Taylor Swift

swiftTre koncerte të anuluara të Taylor Swift në Austri, disa arrestime dhe një zhgënjim i madh i tifozëve të këngëtares. Dy djem të rinj donin të kryenin një sulm në Vjenë.

 

Sipas autoriteteve të sigurisë ende ekziston një rrezik abstrakt. Ajo që dihet deri tani është, se autoritetet e sigurisë në Austri, sipas të dhënave të tyre, kanë shmangur një sulm terrorist ndaj tre koncerteve ndërkohë të anuluara të yllit të muzikës pop, Taylor Swift. Dy të pandehurit kishin planifikuar të vrisnin sa më shumë njerëz të qe e mundur përpara stadiumit Ernst-Happel në Vjenë.

 

Çfarë dihet për të pandehurit?

BeranNjë 17 vjeçar dhe një 19 vjeçar, sipas të dhënave të autoriteteve të sigurisë, kishin planifikuar aktin. Të dy u arrestuan të mërkurën (08.08.2024). Të dhënat vendimtare kanë ardhur nga “shërbimet sekrete ndërkombëtare”, tha ministri i Brendshëm autriak Gerhard Karner. Fillimisht informacioni i referohej vetëm një dorasi. Por nga të dhëna të tjera të autoriteteve të sigurisë policia hasi në një rrjet të njohur islamist. Krahas dy të pandehurve janë kërkuar persona të tjerë. 19 vjeçari duket të jetë një simpatizant i “Shtetit Islamik”. Ndërkohë ai i ka pranuar planet. Ai u arrestua në Ternitz, një komunë rreth 80 km në jug të Vjenës. Në shtëpinë e tij u konfiskuan lëndë kimike dhe pajisje teknike. 19 vjeçari duhet të jetë radikalizuar në internet dhe ka ngarkuar në një faqe online betimin ndaj kreut të grupit terrorist të Shtetit Islamik. Austriaku me rrënjë familjare në Maqedoninë e Veriut më 25 korrik anuloi kontratën e punës duke deklaruar, se ka plane të mëdha, vë në dukje policia. Ai konsiderohet si dorasi kryesor.

I pandehuri i dytë u ndalua nga forcat speciale të policisë jo larg arenës Ernst-Happel. 17 vjeçari që prej disa ditësh punonte për një firmë, që të enjten në mbrëmje do të ofronte në stadium ndër të tjera pije dhe ushqime. Sipas agjencisë së lajmeve AFP ai është një austriak me prejardhje turko-kroate. Deri tani ai ka refuzuar të deponojë. Por në banesën e tij janë gjetur materiale të milicëve të Shtetit Islamik si dhe të rrjetit terrorist Al-Kaida. Para pak kohësh ai është ndarë nga e dashura e tij. Të dy të pandehurit kanë pësuar një ndryshim të dukshëm social, thuhet nga hetuesit. Eshtë ndaluar edhe një 15 vjeçar me prejardhje turke, i cili po merret në pyetje. Ai të paktën ka pasur dijeni për planet terroriste. Objekt i hetimeve është se deri në çfarë mase ai ka qenë i involvuar.

 

Çfarë kanë pasur në plan dy të pandehurit?

Dy të pandehurit nuk kanë pasur bileta për koncertet e planifikuara për të enjten, të premten dhe të shtunën, venë në dukje autoritetet. Plani i tyre ka qenë, që të enjten ose të premten përpara stadiumit Ernst-Happel të vrasin sa më shumë njerëz me thika dhe pastaj të vrisnin edhe veten duke shpërthyer lëndë plasëse. “Situata ishte serioze, situata është serioze. Por ne mund të konstatojmë edhe se: mundi të parandalohet një tragjedi”, tha ministri i Brendshëm Karner. Stadiumi Ernst-Happel ka një kapacitet me rreth 51.000 vende dhe të gjitha ishin shitur për koncertet. Gjithsej priteshin deri në 200.000 tifozë të këngëtares. Mijëra pa bileta donin të mblidheshin përreth arenës, ashtu si edhe në koncertet në Mynih dhe në Hamburg.

 

Përse u anuluan koncertet?

Organizatori i koncerteve Barracuda Music të mërkurën (07.08.2024) shkruajti në Instagram, se nuk ka alternativë tjetër, veçse t’i anulojë koncertet për arsye sigurie. Ministri i Brendshëm Karner tha, se rreziku nga ekstremizmi islamist është rritur dukshëm pas sulmit të Hamasit më 7 tetor në Izrael. Ndaj Austria në vjeshtë e ka rritur paralajmërimin nga katër në shkallën e dytë më të lartë për rrezik nga terrori. “Si rrjedhojë kam mirëkuptim për vendimin e organizatorëve, që e anuluan koncertin”, tha Karner. Ai theksoi: “Një tragjedi mundi të parandalohej.” Nga arrestimet është minimizuar kërcënimi konkret, por ende ekziston një kërcënim abstrakt. Anulimi ishte vendim i organizatorit.

Edhe kancelari i Austrisë Karl Nehammer e mbështeti vendimin për anulimin e koncerteve: “Organizatori, sipas mendimit tim, ka vepruar me shumë përgjegjësi dhe arsye.” Pa ndërhyrjen në kohën e duhur të hetuesve kërcënonte një “dëm antihuman”. Ai deklaroi gjithashtu, se do të mbledhë këshillin kombëtar të sigurisë. Nehammer sërish kërkoi, që të zgjerohen mundësitë teknike të vrojtimit kryesisht në shërbimet mesenxher. Deri tani parlamenti e ka penguar këtë.

 

Si ka reaguar Taylor Swift?

Deri tani këngëtarja nuk ka reaguar. Se ku ndodhej ajo në kohën që u anulua koncerti, është e paqartë. Në postimin e saj të fundit në Instagram ajo u referohej tre koncerteve në Varshavë. Turi aktual i saj shtrihet në gati dy vjet. Shtatë koncerte janë zhvilluar ndërkohë në Gjermani.

 

A do të anulohen koncerte të tjera?

Etapa tjetër e turit të Taylor Swift përfshin koncertet në stadiumin Wembley në Londër. Këto koncerte përmbyllin turin e saj në Europë. Gjithsej janë planifikuar 150 koncerte në mbarë botën nga marsi 2023 deri në dhjetor 2024, 51 vetëm në Europë e nga ato shtatë në Gjermani. Sekretarja britanike e shtetit për Policinë Diana Johnson tha, se policia e Londrës do të verifikojë të gjitha informacionet që posedon. Një zëdhënës i Metropolitan Police i pyetur nga agjencia gjermane e lajmeve DPA tha, se nuk ka të dhëna për ndonjë referencë domethënëse me Swift, ne do ta mbajmë të informuar opinionin publik. Kryebashkiaku i Londrës Sadiq Khan tha, se qyteti do t’u përmbahet koncerteve të planifikuara me Swift. “Ne kemi shumë përvojë në shoqërimin policor të veprimtarive të tilla”, tha Khan.

 

dw

Goditje serioze? Depërtimi i Ukrainës në territorin rus

KurskTrupat ukrainase thuhet se kanë depërtuar disa kilometra në rajonin rus të Kurskut. Forcat e armatosura ruse thonë se po luftojnë kundër tyre. Por shumë pyetje mbeten pa përgjigje.

 

Në rajonin Kursk të Rusisë, që kufizohet me Ukrainën verilindore, po zhvillohen që nga mëngjesi i ditës së martë luftime të ashpra. Organet e qeverisjes rajonale kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe rregullisht bien sirenat e alarmit ajror.

Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes dhe të ekspertëve ushtarakë trupat ukrainase kanë depërtuar në territorin rus. Thuhet se ato kanë kapur ushtarë rusë dhe se ushtria ruse ka humbur të paktën një helikopter Ka-52 që u rrëzua nga një dron.

Autoritetet ruse pretendojnë se e kanë “ndaluar përparimin e trupave të armikut” dhe se e kanë “situatën nën kontroll”, por nga qyteti i vogël Sudxha njoftohet për luftime të reja.

Ukraina nuk ka bërë ndonjë deklaratë zyrtare për gjendjen në rajonin e Kurskut. Shumica e ekspertëve ushtarakë të intervistuar nga DW mendojnë se ky sulm në territorin rus do ta dobësojë ushtrinë ruse në frontin kryesor në Ukrainë, sepse Rusisë do t’i duhet të zhvendosë disa nga trupat e saj.

 

Suksesi i Ukrainës, dështimi i shërbimeve sekrete ruse

Në një takim me dyer të mbyllura të Këshillit rus të Sigurimit që thirri presidenti Vladimir Putin, mund të jetë diskutuar për një dështim të shërbimit sekret rus në gjurmimin e lëvizjeve të trupave ukrainase pranë kufirit. Sipas ekspertit të pavarur ushtarak rus, Juri Fjodorov: “Fjala është për dy brigada me rreth 4,000 ushtarë secila, gjë që  është padyshim një sukses për palën ukrainase.”

Sipas tij këto trupa mund të jenë të mjaftueshme për të krijuar një bazë për veprime të mëtejshme në territorin rus, sepse në atë zonë nuk ka as sisteme mbrojtjeje dhe as trupa të mjaftueshme ruse. “Në Kursk ka 10,000 deri në 12,000 ushtarë. Ata janë të shpërndarë dhe më pak të përgatitur për të luftuar sesa trupat e përfshira drejtpërdrejt në luftë,” thotë ai. Eksperti mendon se qëllimi kryesor i Ukrainës është që ta shpërqendrojë ushtrinë ruse nga fronti kryesor i luftimeve.

Por në të njëjtën kohë Fjodorovi tha se edhe forcat e armatosura ukrainase kanë probleme të mëdha: “Zelensky tha se forcat e armatosura ukrainase kanë thuajse 14 brigada pa personel dhe se nuk ka armë të mjaftueshme për t’i dërguar ato në betejë”.

 

Dhjetë fshatra rusë dhe 15 kilometra territor

Analisti ushtarak rus Jan Matvejev pajtohet me këtë vlerësim, duke shtuar se në territorin rus mund të ketë disa qindra ushtarë ukrainas, ndërsa pjesa tjetër janë duke pritur si rezervë në territorin ukrainas. Këto trupa rezervë mund të vihen në veprim, nëse ofensiva ukrainase do të jetë e suksesshme.

Sipas Matvejevit ushtria ukrainase kishte arritur të kapte deri më 7 gusht dhjetë fshatra dhe kishte depërtuar rreth 15 kilometra në territorin rus. Edhe ekspertët e Institutit për Studimin e Luftrave (ISW) me seli në SHBA flasin për një depërtim deri në dhjetë kilometra.

 

Mjet presioni për bisedime për armëpushim

Nga këndvështrimi psikologjik territori rus i pushtuar është për Ukrainën një argument i rëndësishëm në bisedimet për një armëpushim të mundshëm, thotë Matvejev. Por nga perspektiva ushtarake është e paqartë nëse në fund Ukraina do të humbasë si rezultat i ofensivës më shumë njësi ushtarake sesa ushtria ruse. “Në frontin e Donjetskut, për shembull, ushtria ukrainase ka probleme serioze”.

Humbja e kontrollit mbi një pjesë të territorit rus është katastrofë për autoritetet ruse, thotë eksperti ushtarak ukrainas Oleh Zhdanov. Në të njëjtën kohë ushtrisë ruse thjesht i mungon personeli që mund ta dërgojë në zonën e re të luftimeve: “Çdo muaj në Rusi mobilizohen 25,000 deri në 30,000 vetë për të nënshkruar kontrata me ushtrinë. Por ata nevojiten për të kompensuar humbjet në vijën e parë të frontit”.

Zhdanovi mendon se udhëheqja ukrainase mund ta përdorë situatën për të marrë një pozicion më të fortë, nëse fillojnë negociata për zgjidhjen e konfliktit ushtarak. “Rëndësia politike e tejkalon suksesin ushtarak,” thotë ai.

dw

Vazhdojnë luftimet Rusi-Ukrainë brenda territorit rus

rusi ukraineForcat ruse dhe ukrainase po luftojnë në rajonin e Kurskut të Rusisë për të tretën ditë radhazi, tha të enjten Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.
Rusia thotë se bëhet fjalë për një nga sulmet më të mëdha ndërkufitare nga forcat ukrainase gjatë luftës që filloi 2 vjet e gjysmë më parë.

Por një deklaratë e Ministrisë së Mbrojtjes tha se ushtria ruse dhe rojet kufitare kanë nuk i kanë lejuar forcat ukrainase që të avancojnë më thellë në rajonin Kursk në Rusinë jugperëndimore. Sipas njoftimit, ushtria po sulmon luftëtarët ukrainas që po përpiqen të avancojnë nga rajoni Sumy i Ukrainës.

“Përpjekjet e njësive individuale për të depërtuar thellë në territorin në drejtim të Kurskut janë duke u shtypur”, tha ministria.

Instituti për Studimin e Luftës, me bazë në Uashington që ka monitoruar nga afër luftën Rusi-Ukrainë, tha se deri të mërkurën, trupat ukrainase kishin depërtuar deri në 10 kilometra në territorin rus, megjithëse ky informacion nuk është konfirmuar.

Zyrtarë ukrainas nuk kanë komentuar publikisht për luftimet në rajonin Kursk.

Zëvendësguvernatori në detyrë i rajonit të Kurskit, Andrei Belostotsky, i tha agjencisë shtetërore të lajmeve RIA-Novosti, “armiku nuk ka avancuar asnjë metër. Përkundrazi, ai po tërhiqet. Pajisjet dhe forcat luftarake të armikut po shkatërrohen. Shpresojmë që në të ardhmen e afërt…armiku do të ndalet”.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se ka shkatërruar dronë ukrainas mbi rajonet Kursk dhe Oryol.

Alexei Smirnov, guvernatori në detyrë i Kurskit, tha të enjten në aplikacionin Telegram se mbrojtja ajrore ruse gjithashtu rrëzoi disa raketa ukrainase gjatë natës.

Guvernatori i Belgorodit Vyacheslav Gladkov tha në Telegram se sulmet me dronë ukrainas në dy zona dëmtuan një objekt të infrastrukturës dhe një shtëpi.

Ushtria e Ukrainës tha të enjten se ka rrëzuar dy raketa ruse dhe katër dronë.

Goditja e dronëve u bë mbi rajonet Kherson, Kirovohrad dhe Odesa, tha forca ajrore e Ukrainës.

Guvernatori i Kirovohrad-it Andriy Raykovych shkroi në Telegram se nuk raportohet për dëme nga sulmet në rajonin e tij.

Guvernatori i Khersonit, Oleksandr Prokudin tha se përveç rrëzimit të një droni mbi rajon, forcat ruse gjithashtu bombarduan qytetin, duke dëmtuar një ndërtese banimi dhe disa objekte të tjera.

Në Dnipropetrovsk, guvernatori Serhiy Lysak tha në Telegram se forcat ruse vunë në shënjestër zonën e Nikopolit me dronë dhe artileri, duke dëmtuar disa shtëpi.

Disa informacione për këtë artikull janë marrë nga agjencitë e lajmeve ‘Reuters’ dhe ‘Associated Press’.

voa

Izraeli pranon rifillimin e bisedimeve për armëpushim në Gaza

GazaIzraeli tha të premten se ka rënë dakord të rifillojë bisedimet për një marrëveshje armëpushimi në Gaza, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, Katarit dhe Egjiptit.

 

Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, tha në një deklaratë të premten herët se një ekip negociator do të dërgohet më 15 gusht “për të përmbyllur hollësitë për zbatimin e marrëveshjes”.

Njoftimi u publikua pasi Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara lëshuan një deklaratë të përbashkët, duke u bërë thirrje Izraelit dhe Hamasit të rifillojnë bisedimet më 15 gusht, për të mbyllur të gjitha boshllëqet e mbetura në marrëveshjen e propozuar dhe për të filluar zbatimin e saj pa vonesa të mëtejshme.

Presidenti amerikan Joe Biden, presidenti egjiptian Abdel Fattah el-Sisi dhe Emiri i Katarit Tamim al-Thani, ndërmjetës në negociatat indirekte për t’i dhënë fund luftës shkatërruese në Gaza, i caktuan bisedimet për datën 15 gusht, që pritet të mbahen në Doha të Katarit ose në Kajro.

Një zyrtar i lartë amerikan, i cili foli me gazetarët me kusht që të mos i përmendej emri, tha se vetëm katër ose pesë fusha mbi zbatimin e marrëveshjes, mbeten për t’u zgjidhur midis palëve.

Zyrtari përmendi si shembull kohën e një shkëmbimi të planifikuar të të burgosurve palestinezë që mbahen në Izrael dhe pengjeve që mbahen nga Hamasi.

Egjipti, Shtetet e Bashkuara dhe Katari, thanë se kanë gati një propozim për ta paraqitur në bisedimet e javës së ardhshme për të zgjidhur çështjet e mbetura.

Kritikët e kryeministrit Netanyahu e akuzojnë atë për bisedime të ngadalta për t’i dhënë fund luftës në Gaza, e cila filloi më 7 tetor, kur militantët e udhëhequr nga Hamasi vranë rreth 1200 njerëz në Izrael dhe morën peng 250 veta. Kundërsulmi i Izraelit në Gaza që atëherë ka lënë pas vetes rreth 40,000 të vrarë.

Nuk pati një përgjigje të menjëhershme nga Hamasi për ofertën e ndërmjetësuesve. Vrasja e udhëheqësit të tij politik javën e kaluar në Teheran ngriti tensionet në të gjithë rajonin, një përshkallëzim që shihet gjerësisht si një goditje ndaj bisedimeve për armëpushimin. Vrasja i është përshkruar gjerësisht Izraelit, megjithëse Izraeli nuk ka komentuar rreth saj.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se besojnë që Hamasi mund të rifillojë negociatat pavarësisht vrasjes më 31 korrik të Ismail Haniyeh, i cili kishte kryesuar bisedimet për grupin.

Shefi ushtarak i Hamasit, Yahya Sinwar, i cili besohet se po strehohet në bunkerët nëndheshëm në Gazë, mori përsipër udhëheqjen politike të grupit. Hamasi kishte edhe përfaqësues të tjerë, përveç zotit Haniyeh, të pranishëm në bisedime, të cilët mund të ndërhyjnë për zyrtarin e vrarë, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.

voa

Kancelari austriak: Shkatërruam një degë të ISIS-it që synonte sulm vdekjeprurës në koncertet e Taylor Swiftit

Beran

Beran Aliji, i lindur në Austri, por me origjinë nga Gostivari.

Një i ri austriak i cili u arrestua bazuar në dyshimet për komplot për sulm në një koncert të këngëtares Taylor Swift në Vjenë planifikonte të kryente një sulm vetëvrasës që do të kishte shkaktuar “gjakderdhje” dhe ishte betuar për besnikëri ndaj Shtetit Islamik, tha kancelari austriak Karl Nehammer të enjten.

 

I dyshuari po planifikonte një sulm vdekjeprurës në mesin e rreth 20,000 adhuruesve të këngëtares Swift që do të mblidheshin jashtë stadiumit Ernst Happel të Vjenës, tha më herët, Omar Haijawi-Pirchner, drejtor i Sigurisë dhe Zbulimit austriak.

Dy të rinj të tjerë austriakë të moshës 17 dhe 15 vjeç u arrestuan të mërkurën për komplotin.

Rrjeti amerikan ABC citoi burime të zbatimit të ligjit dhe inteligjencës të ishin shprehur se autoritetet austriake kishin marrë informacion mbi rrezikun në koncertin e këngëtares Swift nga inteligjenca amerikane.

Zëdhënesi i Departamentit të Shtetit tha të enjten se Shtetet e Bashkuara kishin qenë në komunikim me autoritetet austriake mbi dyshimet për një komplot për një sulm gjatë koncertit të këngëtares amerikane, por nuk konfirmoi njoftimet se autoritetet amerikane të zbulimit u kishin dhënë atyre informacione mbi një sulm të planifkuar.

“Ne kemi qenë në kontakt me qeverinë austriake mbi këtë çështje. Është praktike që ne ndajmë informacion me aleatët dhe parnterët tanë mbi aktivitetet terroriste njësoj siç ata ndajnë informacion me ne”, tha zëdhënësi Matthew Miller gjatë një komunikimi me gazetarët.

Autoritetet austriake arrestuan të mërkurën një shtetas të Austrisë 19 vjeçar me origjinë nga Maqedonia e Veriut, si të dyshuar për përfshirje në një komplot të dështuar për të sulmuar koncertet e këngëtares Taylor Swift, tashmë të anuluara, që planifikoheshin të mbaheshin në Vjenë

Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, i tha të enjten Zërit të Amerikës se autoritetet austriake kane kërkuar nga kjo ministri “kontrollin e një personi me origjine nga Maqedonia e Veriut, i cili dyshohet për përfshirje në planifikim të një një sulmi terrorist në Vjenë”.

Shkupi sipas përgjigjes dhënë Zërit të Amerikës “po vepron në bazë të kërkesës së parashtruar” nga autoritetet austriake, por nuk dha më shumë hollësi se nga cila pjesë e vendit e kanë origjinën prindërit e të dyshuarit.

Sipas mediave në Maqedoninë e Veriut i dyshuari quhet Beran Aliji, i lindur në Austri, por me origjinë nga Gostivari.

Ndërkohë autoritetet austriake thanë se gjetën materiale të grupit të Shtetit Islamik dhe al-Kaidës në shtëpinë e të dyshuarit të dytë për përfshirje në komplot.

“Situata ishte serioze, situata është serioze. Por mund të themi se u parandalua një tragjedi”, tha të enjten në Vjenë, ministri i Brendshëm Gerhard Karner.

Autoritetet e sigurisë thanë se i dyshuari i dytë, një shtetas austriak 17-vjeçar me origjinë turke dhe kroate, u arrestua nga forcat e posaçme të policisë pranë stadiumit ku planifikohej mbajtja e koncerteve këtë javë. Emrat e të dyshuarve nuk u publikuan në përputhje me rregullat austriake të privatësisë.

Zyrtarët austriakë të sigurisë pretenduan se dy të rinjtë donin të kryenin një sulm jashtë stadiumit, duke vrarë sa më shumë njerëz që të ishte e mundur duke përdorur thika ose mjete shpërthyese artizanale.

Ata u thanë gazetarëve në një konferencë për shtypin në Vjenë se i dyshuari kryesor, një 19-vjeçar austriak me origjinë nga Maqedonia e Veriut, rrëfeu plotësisht planet e tij të sulmit. Ata thanë se ai ishte “qartësisht i radikalizuar në frymën e Shtetit Islamik dhe mendon se është e drejtë të vriten të pafetë”.

“Ai deklaroi se donte ta kryente sulmin duke përdorur eksploziv ose armë të ftohta, armë këto që janë gjetur. Ai po i shqyrtonte të dyja opsionet. Qëllimi i tij ishte të vriste veten dhe një turmë të madhe në koncert”, tha Omar Haijawi-Pirchner, drejtor i Sigurisë dhe Zbulimit austriak.

Autoritetet publikuan një fotografi të mbuluar të 19-vjeçarit i cili kishte lënë punën me 25 korrik, duke deklaruar se “kishte ende plane të mëdha”.

I dyshuari i dytë ishte punësuar pak ditë më parë në një kompani që ofron shërbime në mjediset e koncerteve. Hetuesit thanë se gjetën materiale të gjera në lidhje me grupin e Shtetit Islamik dhe al-Kaida në shtëpinë e tij.

Anulimi koncerteve pikëlloi adhuruesit e këngëtares Taylor Swift në të gjithë botën, shumë prej të cilëve kishin shpenzuar mijëra euro për udhëtime dhe akomodime në kryeqytetin e shtrenjtë të Austrisë për të ndjekur koncertet.

“Do të flas për veten dhe miqtë e mi. Jemi të shokuar. Anulimi i koncertit na ka mërzitur, por githashtu jemi mirënjohës që autorët e këtyre planeve u kapën para se të vepronin”, thotë Emma Soto, një ardhuruese e këngëtares Taylor Swift që udhëtoi nga Shtetet e Bashkuara në Austri.

Sipas Franz Ruf, drejtori i sigurisë publike në ministrinë e Brendshme të Austrisë, në shtëpinë e të dyshuarit 19-vjeçar u gjetën lëndë kimike dhe pajisje teknike.

Në një intervistë të enjten me programin Oe1 të transmetuesit publik ORF, zoti Ruf tha se hetuesit po vlerësojnë provat e sekuestruara nga shtëpia e të dyshuarit. Vetëm pak javë më parë, 19-vjeçari kishte postuar në një llogari në internet një betim për besnikëri ndaj udhëheqësit aktual të grupit Shteti Islamik, shtoi ai.

Zëvendës kancelari i Austrisë Werner Kogler, shkroi në platformën e sociale X se “për shumë njerëz, një ëndërr është shkatërruar sot. Në tre mbrëmje në Vjenë, dhjetëra mijëra adhurues të këngëtares Swift duhet të kishin festuar së bashku”.

“Më vjen shumë keq që ua mohuan këtë. Adhuruesit e Swiftit qëndrojnë së bashku, urrejtja dhe terrori nuk mund ta shkatërrojnë atë”, shkroi zoti Kogler të mërkurën vonë.

Fqinjët e 19 vjeçarit të arrestuar, thanë të enjten se familja e tij jetonte shumë e mbyllur.

“Ne nuk i shihnim ata në oborrin e shtëpisë së tyre apo fëmijët e tyre jashtë”, tha një fqinje, duke qëndruar në pragun e saj.

“Ata ishin gjithmonë miqësorë dhe përshëndesnin, por ideja për të shkuar tek ata për të pirë kafe së bashku ose për të ardhur për të na parë, nuk ndodhi”, tha ajo.

Sipas fqinjës, familja e të dyshuarit u zhvendos në Ternitz, një orë larg me makinë në jug të kryeqytetit austriak dhe afër kufirit hungarez, rreth pesë vjet më parë.

“Ata u shpërngulën këtu nga Vjena. Ata janë vjenez me prejardhje nga Maqedonia (e Veriut)”, shtoi ajo.

*Pjesë të këtij materiali u morën nga agjencitë e lajmeve Associated Press dhe Reuters.

 

Ku janë gratë në pozitat drejtuese të BE-së?

Ursula von der Leyen dhe Kaja KallasNë letër, gjithçka është e qartë: gratë dhe burrat duhet të kenë mundësi të barabarta në BE. Në praktikë, gjërat duken ndryshe.

 

Në javët e ardhshme, Ursula von der Leyen duhet të zgjidhë një detyrë të vështirë: me cilin ekip do të punojë në mandatin e saj të dytë në krye të Komisionit Evropian. Detyra specifike është: ndarja e detyrave në mënyrë që secili shtet anëtar i BE-së të jetë të paktën disi i kënaqur. Jo të gjitha departamentet në Komisionin Evropian kanë të njëjtin ndikim dhe të njëjtin reputacion. Në fund do të ketë edhe zhgënjime, edhe shpërblime ngushëllimi.

Por ka një detyrë shtesë të vështirë. Ursula von der Leyen dëshiron të përsërisë atë që arriti në mandatin e saj të parë si kryetare e Komisionit të Bashkimit Evropian. Kur takohet me të besuarit një herë në javë, ajo dëshiron të ketë një numër të barabartë grash dhe burrash rreth tryezës së madhe. Deri më tani, raporti ishte 14 burra me 13 gra.

Anëtarët e BE-së vendosin bashkë

Por jo gjithçka është në duart e Ursula von der Leyen kur ajo dëshiron të arrijë barazinë midis grave dhe burrave. Është e vërtetë që ajo e ka fjalën e fundit në vendimet e personelit, por propozimet për komisionerë të mundshëm vijnë nga qeveritë e vendeve anëtare të BE-së. Çdo vend ka të drejtë për një vend në Komision. Gjermania dhe Estonia janë tashmë të përfaqësuara: Presidentja von der Leyen është nga Gjermania dhe Komisionerja për Politikën e Jashtme Kaja Kallas është nga Estonia.

Po të tjerët? Javën e kaluar, von der Leyen u dërgoi letra presidentëve të shteteve dhe qeverive dhe u kërkoi atyre të dërgonin emrat e tyre, një burrë dhe një grua secila. Përjashtim bëjnë ata komisionerë që mbeten në pozicionin e tyre aktual. Sllovakia zgjodhi edhe një herë Marosh Shevçoviçin, Franca vendosi për Thierry Breton dhe Kroacia Dubravka Shuican.

Me ofertën aktuale të emrave është e vështirë të arrihet qëllimi

Është e mundur që von der Leyen u ka dhënë tashmë disa sugjerime presidentëve të shteteve dhe qeverive: ia vlen të propozohen një grua dhe një burrë kur shpërndahen portofole me apel të ndryshëm. Por tashmë është e qartë se shumë qeveri nuk i përmbahen dëshirave të Presidentit të Komisionit. Irlanda emëroi Michael McGrath, i cili tashmë ka dhënë dorëheqjen si ministër i Financave.

Kryeministri Harris thotë se në këto rrethana nuk do të ishte e drejtë të dërgohej një emër tjetër në Bruksel. Sllovenia dhe Republika Çeke zgjodhën nga një mashkull secila. Suedia dhe Spanja konkurrojnë vetëm me nga një grua secila. Sipas situatës aktuale, duket se nuk do të jetë e mundur një shpërndarje e barabartë midis burrave dhe grave.

Procedura e komplikuar

Ursula von der Leyen u kërkoi krerëve të shteteve dhe qeverive që t’i jepnin përgjigje deri më 30 gusht. Komisioni nuk ka dashur të thotë se sa përgjigje ka marrë deri tani, sipas një hulumtimi të televizionit gjerman ARD. Por, edhe pas skadimit të asaj periudhe, nuk do të jetë e qartë se cili është raporti i burrave dhe grave në komision. Në Komision hyjnë vetëm ata që kalojnë seancën dëgjimore disa orëshe në Parlamentin Evropian.

Ka padyshim shumë gra në poste drejtuese në Bashkimin Evropian deri më tani. Ursula von der Leyen ruan postin e Presidentes së Komisionit, ndoshta posti më me ndikim në Bruksel. Strategjia e barazisë gjinore e ka origjinën që në mandatin e saj të parë.

Tashmë janë arritur disa pika, si një paketë masash mbrojtëse ndaj dhunës apo një ligj që garanton ekuilibrin në bordet mbikëqyrëse të kompanive të mëdha. Kreu i Bankës Qendrore Evropiane (BQE) është Christine Lagarde, kreu i Bankës Evropiane të Investimeve është spanjollja Nadja Calvinho. Kryeprokurorja e parë evropiane është Laura Kövesi.

Komitetet e ekspertëve përbëhen kryesisht prej burrave

Ndryshe është në Parlamentin Evropian. Për presidencën, rregullorja e punës parashikon një marrëdhënie të ekuilibruar mes gjinive. PE ka 14 nënkryetarë. Presidentja Roberta Metsola mbetet në krye.

Por në komisionet dhe nënkomisionet e ekspertëve, ku zgjidhet një kryetar dhe katër deputetë, situata është ndryshe. Deri më tani janë zgjedhur 114 nga 120 zyrtarë. Përqindja e femrave është 43.9 për qind. Nëse shikojmë postet presidenciale, përqindja e grave është edhe më e ulët: 37.5 për qind.

Lufta kundër të djathtës është më e rëndësishme se barazia gjinore

Ndonjëherë qëllimi i barazisë gjinore shkelet qëllimisht – për arsye politike. Partitë që e përkufizojnë veten si qendra politike synojnë të pengojnë partitë e ekstremit të djathtë të fitojnë ndonjë pozicion drejtues.

Një shembull konkret: në Komisionin për Politikë të Jashtme, pozita e deputetit të katërt duhej t’i kalonte një gruaje. Grupi Patriotët për Evropën ka nominuar Kinga Gal nga Fideszi hungarez e nuk pati kundërkandidatë nga partitë e qendrës,në fund pastaj u zgjodh një kristiandemokrat nga Rumania. Në atë rast, muri mbrojtës kundër të djathtës radikale ishte më i rëndësishëm se barazia gjinore.

dw

Rusi: Garda Kombëtare përforcon centralin bërthamor në Kursk

Ukraina - rusiaPër shkak të ofensivës tokësore të Ukrainës guvernatori i rajonit shpall gjendjen e jashtëzakonshme, kurse Garda Kombëtare Ruse forcon mbrojtjen e centralit bërthamor të Kurskut.

 

Për shkak të përparimit të trupave të Ukrainës në rajonin kufitar rus të Kurskut Garda Kombëtare Ruse ka përforcuar mbrojtjen e centralit bërthamor të Kurskut. Përveç kësaj janë dërguar forca shtesë për të luftuar trupat e sabotimit dhe të zbulimit në rajonet Kursk dhe Belgorod, njoftoi garda.

Përforcimi i trupave po bëhet në bashkëpunim me trupat kufitare ruse dhe me ushtrinë. Centrali bërthamor i përbërë nga katër blloqe dhe një fuqi prej gati dy gigavat ndodhet pak më shumë se 60 kilometra nga kufiri me Ukrainën.

Guvernatori i Kurskut shpall gjendjen e jashtëzakonshme

Për shkak të ofensivës tokësore të Ukrainës guvernatori i rajonit Kursk, Alexei Smirnov, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Njoftohet se Ukraina ka përparuar shumë në territorin rus rreth qytetit të Kurskut. Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes ofensiva e trupave të Ukrainës kishte filluar të martën dhe ato arritën të mërkurën në veriperëndim të qytetit të Sudzha, ku gjendet qendra e fundit ende në funksion për transportin e gazit rus që eksportohet në Evropë nëpërmjet Ukrainës.

Sipas Shtabit të Përgjithshëm rus në sulmin e forcave të armatosura ukrainase në rajonin kufitar Kursk në Rusinë perëndimore janë të përfshirë “deri në një mijë” ushtarë. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm rus, Valery Gerasimov, tha në televizionin rus se “përparimi i mëtejshëm i armikut në territorin rus ishte ndalur me ndihmën e sulmeve të forcave ajrore dhe të artilerisë dhe operacioni për shkatërrimin e njësive të ushtrisë ukrainase po vazhdon”.

dw

Anulohen koncertet e këngëtares Taylor Swift në Vjenë nga frika e një sulmi

swiftOrganizatorët anuluan të mërkurën tre koncerte të këngëtares Taylor Swift në Vjenë këtë javë, pasi autoritetet njoftuan arrestime rreth atij që duket të jetë një komplot për të kryer një sulm në një ngjarje në zonën e kryeqytetit austriak, siç janë koncertet.

 

Këngëtarja Swift planifikonte koncerte në stadiumin Ernst Happel të Vjenës të enjten, të premten dhe të shtunën.

Organizatori i koncerteve, Barracuda Music, tha në një postim në Instagram të mërkurën vonë se “nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të anulojmë tri shfaqjet e planifikuara për hir të sigurisë së të gjithëve”.

Anulimi pasoi njoftimet se dy ekstremistë të dyshuar u arrestuan në Austri të mërkurën, njëri prej të cilëve duket se po planifikonte një sulm.

I dyshuari kryesor, një 19-vjeçar u arrestua në Ternitz, në jug të Vjenës, ndërsa i dyshuari tjetër në kryeqytetin austriak.

Franz Ruf, drejtor i sigurisë publike në ministrinë e Brendshme të Austrisë, tha se autoritetet ishin në dijeni të “përgatitjeve” për një sulm të mundshëm “dhe gjithashtu se ka një përqendrim të të dyshuarit 19-vjeçar në koncertet e këngëtares Taylor Swift në Vjenë”. njoftoi agjencia e lajmeve Austria Press (APA).

Drejtori Ruf tha se 19-vjeçari ishte betuar për besnikëri ndaj grupit Shteti Islamik. Ai tha se lëndë kimike janë gjetur dhe janë duke u ekzaminuar.

Shtetasi austriak besohet se është radikalizuar në internet. Gazeta austriake Kronen Zeitung, tha se i dyshuari është me origjinë nga Maqedonia e Veriut.

Kancelari austriak Karl Nehammer, tha në një postim në rrjetin social X se “anulimi i koncerteve të këngëtares Taylor Sëift nga organizatorët është një zhgënjim i hidhur për të gjithë adhuruesit e saj në Austri”.

“Situata rreth atij që duhet të ketë qenë sulm terrorist i planifikuar në Vjenë, ishte shumë serioze”, shkroi ai, duke shtuar se falë bashkëpunimit të ngjeshur midis policisë, shërbimeve austriake dhe të huaja të zbulimit, u arrit që “kërcënimi të zbulohej më herët, të trajtohej dhe të parandalohej një tragjedi”.

voa

Protestat në Britani, Hoxhaj: Klimë jo miqësore ndaj emigrantëve, duhet luftuar dezinformimi

HoxhajGjatë ditëve të fundit Britania është përfshirë nga trazirat, pas protestave të dhunshme kundër emigrantëve dhe myslimanëve. Kryeministri Starmer tha se po merren të gjitha masat për të vënë situatën nën kontroll. Mbi 400 persona janë arrestuar deri më tani.

 

Trazirat shpërthyen pas vrasjes ne thikë të tre vajzave në qytetin Southport dhe përhapjes në medias sociale të informacionit të rreme se autori ishte një emigrant mysliman i radikalizuar. Autoritetet thanë se autori i dyshuar ka lindur në Britani dhe se familja e tij ishte zhvendosur atje nga Ruanda.

Duke folur për Zërin e Amerikës,nga Londra, Prof. Andi Hoxhaj, në Kolegjin Universitar të Londrës tha se gjendja vazhdon të jetë e tensionuar dhe se në ditët në vazhdim priten protesta të tjera. Sipas tij, retorika ndaj emigrantëve është ashpëruar dhe ekstremi i djathtë në vend është përpjekur të forcojë edhe më shumë këtë klimë. Prof. Hoxhaj tha se përhapja e lajmit të rremë lidhur me autorin e dyshuar erdhi për shkak se në Britani mungon një rregullore e qartë për të parandaluar informacionet e rreme dhe se aktualisht qeveria po punon për një projekligjit të ri për të luftuar dezinformimin.

 

Zëri i Amerikës: Zoti Hoxhaj, si është situata sot? A është qetësuar gjendja?

Andi Hoxhaj: Situata tani është goxha alarmante për momentin, pritet të ketë mbi 100 protesta në ditët në vazhdim në shumë pika ku janë qendrat e emigrantëve dhe hotelet e emigrantëve për shkak se grupet e ekstremit të djathtë kanë qenë shumë të aftë për të mobilizuar të gjithë mbështetësit e tyre për t’i shtuar këto protesta dhe për të protestuar kundër emigrantëve, por gjithashtu për të protestuar edhe kundër qeverisë së re dhe shumica e këtyre mesazheve janë amplifikuar për shkak të rrjeteve sociale dhe çfarë ndodhi në Njuport afër Liverlpulit. Konteksti i kësaj është që shumica e mesazhit është dezinformues dhe problemi më i madh ka qenë se autori ishte në moshën 17 vjeçare dhe ligji britanik parashikon se kur je nën moshë nuk lejohet të jepen hollësi dhe ajo ka lejuar që të dezinformohet publiku.

Zëri i Amerikës: Retorika anti-emigrante duket se është bërë gjithnjë e më e përhapur në Britani vitet e fundit dhe disa kritikët thonë se kjo prirje ka ndikuar tek ashpërsimi i qëndrimit të mbështetësve të së djathtës ekstreme dhe në skena si ato që u panë gjatë fundjavës. Cili është mendimi juaj?

Andi Hoxhaj: Ekstremi i djathtë ka vazhduar të rritet dhe në zgjedhjet e fundit partitë e ekstremit të djathtë morën gati 4 milionë vota në Britaninë e Madhe, por për shkak të modelit se si ndahen mandatet, ata nuk mund të merrnin më shumë se 4 mandate në parlament. Retorika e tyre ka qenë shumë e ashpër dhe kjo ka qenë një nga ato episode ku ata janë munduar që të mobilizojnë të gjithë ndjekësit e tyre dhe për ta shtuar më tej. Por problemi që qëndron është se qeveria që ishte më përpara, qeveria konservatore për 14 vjet nuk ka patur një strategji që ta luftonte ekstremin e djathtë për shkak se shumë prej tyre, ishin votues të tyre që votuan për BREXIT dhe ajo ka shkuar në këtë spirale ku ne jemi këtu sot.

Aktualisht në Britaninë e Madhe pritet që parlamenti të thirret pavarësisht se ka shkuar me pushime që të bëhet një strategji se si mund të parandalohet sepse problemipër momentin është që çdo gjë është bërë në mënyrë reaktive, që ka ndodhur një problem dhe janë përpjekur për ta zgjidhë dhe një nga mesazhet për momentin është që të thirren mbi 6 mijë policë ekstra që mundet ta parandalojnë (përshkallëzimin e situatës). Por duhet një strategji dhe një debat shumë herë më i gjatë.

Zëri i AmerikësZoti Hoxhaj, dhuna nisi për shkak të një lajmi të rreme se autori i dyshuar i sulmit ishte një islamist radikal i cili sapo kishte mbërritur në Britani, lajm i cili u përhap me shpejtësi. Sa shqetësuese është çështja e përhapjes së dezinformimit në vend?

Andi Hoxhaj:Problemi është shumë i madh për arsye që kemi parë që kjo të rritet si prirje që gjatë kohës se BREXIT-it. Që kur ishte fushata e BREXIT që shumë nga mesazhet amplifikoheshin që ishin dezinformues që në shumë raste këto grupet merrnin mesazh dezinformues. Ne po mësojmë gjithashtu, pushtete si Rusia, Irani e kështu me rradhë po i amplifikojnë disa nga këto mesazhe kryesisht në këto grupe on line, por edhe në portale të ndryshme në Britaninë e Madhe dhe ajo duket që është goxha problematike.

Problemi gjithashtu është që ne nuk kemi patur një rregullore të saktë që mundet t’i parandalojë disa nga këto informacione dezinformuese dhe ky ka qenë edhe një nga ato problemet që pse është përhapur në këto masa. Qeveria aktuale është duke diskutuar që të sjellë një projektligj të ri dhe mendoj se ky është një debat që duhet bërë më gjerë. Siç e pamë edhe në samitin e NATO-s që u bë në Uashington, do bëhet një strategji që të gjitha vendet e NATO-s mund të parandalojnë disa nga lajmet dezinformues apo të kemi një strategji të përbashkët sepse duket që po bëhet përherë e më shumë problematike. E vetmja pozitive që është në Britaninë e Madhe në krahasim me vendet e tjera të Bashkimit Europian është që këtu nuk janë një fuqi e madhe politike dhe për momentin janë jo të fuqishëm, që mundet të kenë bllokada, por kjo nuk do të thotë që ne të ardhmen mund të behet akoma edhe më radikal.

Zëri i Amerikës: Kryeministri Starmer anuloi planin për depërtimin në Ruandë të emigratëve të paligjshëm dhe ka premtuar se do tu ulë emigracionin. Si është klima ndaj emingratëve në tërësi në vendin tuaj?

Andi Hoxhaj: Klima është jo miqësore ndaj emigrantëve, por edhe atyre që predikojnë islamin. Por kjo vjen për shkak sepse grupe të ekstremit të djathtë, por edhe qeveria konservatore, shumë nga problematikat që këtu kanë ndodhur për shkak BREXIT-it dhe sepse nuk është manaxhuar mirë ekonomia pas BREXIT-it, faji i gjithi u është hedhur emigrantëve, apo u është hedhur të huajve dhe kjo e ka rritur urrejtjen shumë herë më shumë kundrejt emigrantëve dhe një nga politikat që ka patur Partia Konservatore ishte që t’i kthente në Ruanda, por ajo më shumë ishte një politikë parandaluese që t’i kërcenonte emigrantët të mos vinin në Britaninë e Madhe, por problemi nuk është më shumë ardhja e emigrantëve në Britaninë e Madhe, por si ata duhet të integrohen në shoqëri dhe këtu ka patur një debat të gjerë për modalitetet e ndryshme. Besoj një nga problemet që duhet të zgjidhet në të ardhmen është se si mund të integrohen më shumë në shoqëri dhe si mund t’i parandalojmë disa nga këto konflikte sociale që ne po shikojmë në rrugët e Britanisë së Madhe këto ditë.

voa

Hamasi emëron arkitektin e sulmit të 7 tetorit Yahya Sinwar, si shef politik

Yahya SinwarHamasi emëroi udhëheqësin e grupit militant për Gazën, Yahya Sinwar, si shef politik të tij, një lëvizje që konfirmon prirjen radikale që ka ndjekur grupi që nga sulmi i 7 tetorit në Izrael. Sinwar pason Ismail Hanijenë, i cili u vra në Teheran javën e kaluar.
Sinwar, arkitekti i sulmit më shkatërrues ndaj Izraelit në dekada, ka qendruar i fshehur në Gazë, duke sfiduar përpjekjet izraelite për ta vrarë që nga fillimi i luftës.

“Lëvizja e Rezistencës Islamike, Hamasi shpall zgjedhjen e komandantit Jahja Sinwar si shef politik i lëvizjes, për të pasuar komandantin martir Ismail Hanijeh”, thuhet në një deklaratë të shkurtër të lëvizjes.

Lajmi për emërimin u shoqërua nga një breshëri raketash nga militantët në Gaza që vazhdojnë të luftojnë kundër trupave izraelite në enklavën e rrethuar.

Sinwar, i cili ka kaluar shumë vite në burgjet izraelite, është udhëheqësi më i fuqishëm i Hamasit i mbetur gjallë pas vrasjes së Hanijesë, një ngjarje që ka rritur frikën për një konflikt më të gjerë rajonal, pasi Irani u zotua se do të hakmerret me forcë pas vrasjes së tij.

Izraeli nuk ka marrë përgjegjësinë për vrasjen e Hanijesë, por ka pranuar përgjegjësinë për vrasjen e udhëheqësve të tjerë të lartë, përfshirë nënkryetarin e Hamasit, Saleh al-Arouri, i cili u vra në Bejrut, dhe Mohammed Deif, komandanti ushtarak i lëvizjes.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari reagoi pas njoftimit.

“Yahya Sinwar është një terrorist që është përgjegjës për aktin më kriminal terrorist në histori – 7 tetorin. Ka vetëm një vend për Yahya Sinwarin: përkrah Mohammed Deifit dhe të gjithë terroristëve përgjegjës për 7 tetorin”.

I lindur në një kamp refugjatësh në qytetin jugor të Gazës, Khan Younis, Sinwar, 61 vjeç, u zgjodh si udhëheqës i Hamasit në Gazë në vitin 2017 pasi fitoi një reputacion si një figurë e pamëshirshme dhe një armik i vendosur i Izraelit.

Përpara se të burgosej ai ishte kreu i aparatit të sigurisë Al-Majd, i cili gjurmonte, vriste dhe ndëshkonte palestinezët e akuzuar për bashkëpunim me shërbimin sekret izraelit.

voa