Kategoritë: Bota

Lajmet nga Bota

4000 hapa në ditë për një jetë më të gjatë

Shetitja është gjysma e shëndetit!Ai që bën 10,000 hapa në ditë do të qëndrojë i shëndetshëm. Një meta-analizë tregon se shëtitjet edhe më të shkurtra janë të mjaftueshme. Po sa duhet të shëtisim në ditë?

 

Lëvizja është e shëndetshme – kjo dihet dhe theksohet gjithmonë. Edhe një shëtitje e thjeshtë kontribuon shumë në qarkullimin më të mirë të gjakut, përmirëson metabolizmin, forcon sistemin imunitar dhe parandalon sëmundjet kronike.

Ndërsa dikur numëroheshin kaloritë, sot numërohen hapat, më saktë: 10.000 hapa në ditë. Deri më tani, besohej se kushdo që ecën kaq shumë hapa në ditë – në varësi të gjatësisë së hapave, rreth gjashtë deri në tetë kilometra – mbetet në formë të mirë dhe është në gjendje më të mirë shëndetësore.

Meta-analiza hedh poshtë teorinë e 10.000 hapave

Për një kohë të gjatë, shkencëtarët kanë dyshuar në këtë vlerë të supozuar magjike prej 10.000 hapash. Një meta-analizë e re e publikuar në Gazetën Evropiane të Kardiologjisë Parandaluese tani tregon madje se të mjaftueshme për të reduktuar rrezikun e vdekjes së hershme janë edhe më pak se 4000 hapa në ditë. Sipas kësaj analize, mjaftojnë madje edhe 2.300 hapa në ditë për të ulur rrezikun e vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare.

Studiuesit analizuan gjithsej 17 studime të ndryshme dhe kanë pasur akses në të dhënat e mbi 227.000 njerëzve nga pjesë të ndryshme të botës. Ata zbuluan se ecja e përditshme është e lidhur ngushtë me shanset më të mira për të jetuar më gjatë dhe më shëndetshëm – pavarësisht nga mosha, gjinia apo vendbanimi.

Në thelb, sa më shumë të ecni, aq më mirë. Vetëm 1000 hapa në ditë reduktojnë rrezikun e vdekjes së parakohshme me 15 për qind, tregon kjo analizë. Ndërsa me 500 hapa, rreziku i sëmundjeve fatale të zemrës ulet me shtatë për qind. Prej 4000 e më shumë konsiderohet pra si një gjatësi ideale në ditë për të eliminuar në masë më të madhe rreziqet sëmundjet kardiovaskulare.

Rregulli i 10.000 hapave vjen nga marketingu

Këto janë pra të dhënat e fundit nga meta-analizat për lëvizjen dhe gjendjen shëndetësore. Ndërsa rregulli i 10.000 hapave në ditë nuk është vërtetuar kurrë shkencërisht. Shkencëtarët mendojnë se kjo me siguri buron nga strategjia e marketingut të një kompanie japoneze, e bërë për qëllimet e veta.

Në vitin 1964, në kohën e Lojërave Olimpike në Tokio, kompania Yamasa prezantoi instrumentin e parë për matjen e hapave, të quajtur “Manpo-kei” – që do të thotë “numërues i 10.000 hapave”. Ky numër hapash i mban njerëzit në formë dhe është shprehje e një stili jetese të shëndetshëm, shpjegoi prodhuesi në atë kohë. Kjo tezë u shndërrua shumë shpejt në një rekomandim të përgjithshëm – por më së voni ajo tani është hedhur poshtë. Sipas analizave të fundit, mjaftojnë edhe shumë më pak hapa në ditë, por me rëndësi është lëvizja e përditshme.

bc (ard)

FMN në krah të Kosovës: BE të heqë masat, pengojnë zhvillimin!

FMNFMN paralajmëron se nëse masat e BE-së do të mbeten gjatë në fuqi, ato do të jenë pengesë për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

 

Një ekip i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i drejtuar nga Gabriel Di Bella ndaloi në Prishtinë këto ditë për të diskutuar lidhur mbi klimën makroekonomike dhe zhvillime të tjera, përfshirë progresin në zbatimin e Marrëveshjes parandaluese Stand-By (SBA) dhe Instrumentit të Reziliencës dhe Qëndrueshmërisë (RSF).

Në mbyllje të vizitës, Di Bella u shpreh se në kontekstin sfidues global, kushtet makroekonomike në Kosovë për vitin 2023 deri më tani kanë mbetur të favorshme, duke shtuar se inflacioni vazhdon të shënojë rënie. Por ai nënvizon se paqëndrueshmëria e ngritur në nivel global dhe tensionet në Kosovën veriore mbeten rreziqe të cilat, nëse materializohen, mund të rëndojnë sfidat e politikave. Duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek masat e BE-së ndaj Kosovës, ai u shpreh se ato mund të bëhen pengesë për investimet e huaja direkte dhe zhvillimin ekonomik.

“Zhvillimet e kohëve të fundit në katër komunat veriore çuan në masa të përkohshme dhe të kthyeshme nga disa donatorë dhe partnerë tradicionalë që kufizojnë bashkëpunimin e ri ekonomik dhe financiar. Nëse hiqen në periudhën afatshkurtër, nuk pritet që këto masa të kenë ndikim në perspektivën ekonomike, por ato mund të bëhen pengesë për investimet e huaja direkte dhe zhvillimin ekonomik në përgjithësi nëse vazhdojnë të qëndrojnë për një kohë më të gjatë.”

Ekipi vlerësoi ndërkohë progresin e shënuar në përmbushjen e angazhimeve kryesore në kuadër të programeve të mbështetura nga FMN.

Top Channel

Kanceri: Pabarazia sociale shton rrezikun e kancerit

Kanceri një prej sëmundjeve më të rëndaKanceri mund të prekë këdo – por njerëzit me prejardhje të varfër dhe të paarsimuar kanë një rrezik më të lartë të kancerit, sipas një ekipi shkencor gjerman,

 

Në Gjermani, rreziku nga paraqitja e kancerit po zvogëlohet. Ky është një lajm i mirë. Por një zhvillim tjetër e bën shumë të qartë një mospërputhje të rëndësishme, sepse ulja e rasteve të kancerit është më më e theksuar në rajone më gjendje më të mira sociale sesa në vende të tjera, shkruan ekipi i udhëhequr nga Lina Jansen nga Qendra Gjermane e Kërkimeve të Kancerit (DKFZ) në “International Journal of Cancer”.

Në studimin e tyre, shkencëtarët ekzaminuan të dhënat nga 48 milionë banorë në tetë lande të Gjermanisë dhe krahasuan diagnozat e kancerit midis vitit 2007 dhe 2018. Rezultati: pabarazia sociale po ndikon gjithnjë e më shumë në shkallën e rasteve të reja me kancer në Gjermani.

Kanceri dhe pabarazia sociale: trend i qartë

Studiuesit së pari klasifikuan të gjitha rajonet e përfshira në studim në pesë grupe të ndryshme duke përdorur një indeks socio-ekonomik, i cili përfshinte ndër tjerash, të ardhurat, shkallën e punësimit dhe arsimin.

Studiuesit zbuluan se më pak njerëz janë sëmurë nga kanceri në këtë periudhë – në të gjitha pesë grupet e studiara. Por kjo rënie në shkallën e sëmundjeve është shumë më e vogël në rajonet me gjendje më të vështirë sociale, sesa tek ato më të pasura. Shkencëtarët kanë studiuar si sëmundjet nga kanceri në përgjithësi, ashtu edhe kancerin e zorrës së trashë dhe mushkërive – në veçanti tek meshkujt.

Studiuesit zbuluan se pabarazia sociale është rritur gjatë periudhës së vëzhgimit. Ndërsa në vitin 2007 burrat në rajonet më të pafavorizuara socio-ekonomikisht kishin një normë shtatë përqind më të lartë të rrezikut nga kanceri sesa burrat në rajonet më të pasura, kjo shifër u rrit në 23 për qind në vitin 2018. Ndërsa tek gratë diferenca është rritur nga shtatë për qind në vitin 2007, në 20 për qind në vitin 2018. Që do të thotë se është rritur dukshëm dallimi i të sëmurëve me kancer tek popullata më e varfër – si tek burrat ashtu edhe tek femrat.

Cilët faktorë shkaktojnë pabarazi sociale?

Për të luftuar këtë pabarazi, së pari është e rëndësishme të dihet se çfarë i karakterizon rajonet më të dobëta socio-ekonomikisht. Kujdesi mjekësor dhe infrastruktura mjekësore kanë mbetur relativisht të njëjta. Por faktorët individualë si papunësia, përqindja e njerëzve me mirëqenie apo me probleme sociale, si dhe shkalla e braktisjes së shkollës janë rritur dukshëm, varësisht nga rajoni dhe gjendja sociale e vendeve të studiuara. “Faktorët socialë duket se luajnë një rol shumë më të madh në këto të dhëna sesa infrastruktura e përgjithshme”, thekson Lina Jansen nga Regjistri Epidemiologjik i Kancerit i DKFZ në Baden-Württemberg.

Sipas studiuesve, në shtimin e numrit të personave të sëmurë nga kanceri ndikon edhe stili i jetesës. Ndër të tjera ndikojnë edhe gjendja socio-ekonomike, përdorimi i duhanit, mungesa e stërvitjeve dhe praktimit të sportit, mbipesha dhe disa faktorë të tjerë.

Kanceri shpesh i parandalueshëm

“Ndërmjet 30 dhe 50 për qind e kancereve mund të shmangen përmes një stili jetese të shëndetshëm, siç është moskonsumimi i duhanit dhe masat për ruajtjen e shëndetit publik, si për shembull vaksinimi kundër infeksioneve që shkaktojnë kancer”, paralajmëron Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Parandalimi është strategjia afatgjatë me kostot më ulëta për të luftuar kancerin.

Përveç duhanit, OBSH rendit ndër rreziqet më të mëdha për paraqitjen e konacerit edhe konsumin e alkoolit, ushqimin jo të shëndetshëm, mungesën e stërvitjes dhe sportit, si dhe ndotjen e ajrit.

Lina Jansen nga DKFZ thekson rëndësinë dhe mundësitë e parandalimit të kancerit: “Rezultatet tona tregojnë se në të ardhmen duhet të bëjmë përpjekje të veçanta në mënyrë që të gjithë njerëzit të përfitojnë njësoj nga rekomandimet për mënyrën më të shëndetshme të jetesës si dhe për ekzaminimet dhe zbulimin e hershëm të kancerit – pavarësisht gjendjes së tyre sociale apo ekonomike”.

dw

Nuk i ngjan njeriut, kafka 300 mijë vjeçare e gjetur në Kinë mund të rishkruajë historinë e evolucionit tonë

KafkaNjë kafkë e lashtë po i befason shkencëtarët që e studiuan, sepse duket ndryshe nga çdo paraardhës i njohur i njeriut.

 

Kafka misterioze 300,000-vjeçare e një fëmije rreth 12 ose 13 vjeç u zbulua për herë të parë në Hualongdong në Kinën Lindore në vitin 2019, së bashku me një kockë këmbe.

Studiuesit mendojnë se individi, i njohur vetëm si ‘HDL 6’, është një përzierje midis njerëzve modernë dhe një hominine të panjohur që ekzistonte në Kinë në atë kohë, raportoi Science Alert të hënën.

Kafka ka tipare të fytyrës që janë të ngjashme me njerëzit e hershëm modernë, të cilat shkencëtarët mendojnë se filluan të degëzohen nga një paraardhës tjetër i njeriut i njohur si Homo Erectus diku midis 550,000 dhe 750,000 vjet më parë .

Por gjymtyrët e saj, kapaku i kafkës dhe mjekra e prerë “duket se pasqyrojnë tipare më primitive”, shkroi Xiujie Wu, një paleontolog nga Akademia Kineze e Shkencave në një analizë të eshtrave të botuar më 31 korrik.

Këto tipare janë më afër strukturës së fytyrës së një ‘Denisovan’ , një degë tashmë e zhdukur e homininëve të Azisë Lindore që u nda nga Neandertalët rreth 400,000 vjet më parë.

Kjo formë e çuditshme e kafkës “nuk është regjistruar kurrë në grumbullimet fosile të homininëve të Pleistocenit të Mesëm në Azinë Lindore”, thanë shkencëtarët në një analizë të fundit.

Nëse është një paraardhës i pazbuluar i njeriut, kjo gjetje mund të rishkruajë historinë e evolucionit njerëzor.

Historia njerëzore është më e komplikuar nga sa mendonim

Kjo nuk është hera e parë që mbetjet njerëzore kanë tronditur rrugën e pastër evolucionare që mendohet deri te njerëzit.

Shumë prej nesh dimë se Homo sapiens doli nga Homo Erectus në Afrikën Sub-Sahariane rreth 200,000 vjet më parë.

Por realiteti duket se është shumë më i çrregullt. Fosilet arkaike të Homo sapienit shpesh mbartin një përzierje të strukturave të vjetra të fytyrës dhe tipareve moderne, kështu që afati kohor është pak më i komplikuar nga sa e kanë librat shkollorë.

Pëe shembull, për mbetjet e gjetura në Marok në vitin 2017 nga rreth 300,000 vjet më parë me tipare të ngjashme me Homo sapien, sugjeronin se njerëzit mund të ishin shfaqur shumë më herët sesa mendohej më parë.

Gjetjet e fundit të mbetjeve njerëzore arkaike në Izrael dhe Greqi, që datojnë rreth 200,000 vjet më parë, sugjeruan gjithashtu se paraardhësit njerëzorë mund të ishin larguar nga Afrika shumë më herët sesa mendohej më parë.

Ekzistojnë gjithashtu prova paleontologjike dhe gjenetike që sugjerojnë se njerëzit e lashtë janë ndërthurur me Neandertalët dhe Denisovanët, kushërinjtë e tyre, duke i komplikuar më tej linjat e gjakut.

Nëse vërtetohet se janë të sakta, gjetjet e Azisë Lindore mund të shtojnë një degë tjetër të “shembullit pre sapiens”, duke sjellë më shumë njohuri për pemën njerëzore të jetës.

 

Top Channel

Kërkohet ndryshim i qasjes ndaj Kosovës dhe Serbisë

Tensione në veri të KosovësPolitikanë evropianë e amerikanë kërkojnë ndryshim qasjeje ndaj Kosovës e Serbisë dhe jo anime ndaj një pale. Të punohet për një diplomaci parandaluese që shmang përshkallëzimin kërkon deputetja britanike, Alicia Kearns.

 

Deputetja e parlamentit britanik, Alicia Kearns, publikoi një letër në të cilët theksohet, se dhjetëra politikanë nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i janë drejtuar zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian dhe Uashingtonit dhe kërkojnë që të ndryshohet qasja e tyre në raport me Kosovën dhe Serbinë. Në një postim në Twitter, (07.08) Alicia Kearns, shkroi se i është dërguar letër Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, dhe sekretarit të Jashtëm britanik, James Cleverly, letër kjo që është nënshkruar nga dhjetë kryetarë të komiteteve për punë të jashtme dhe 56 deputetë. Aty adresohen tensionet e muajve të fundit në veriun e Kosovës e banuar me shumicë serbe dhe përmes saj nga Bashkimi Evropian dhe Uashingtoni, kërkohet “balancë dhe proporcionalitet në bashkëveprimin me Kosovën dhe Serbinë”.

“Kosova është përballur me pasoja të mëdha pas përpjekjeve të kryetarëve që të hyjnë në zyrat e tyre në veri të Kosovës. Kosova duhet të koordinohet me KFOR-in në të ardhmen për të parandaluar përshkallëzimet. Por, mungesa e presionit ndaj Serbisë pas ndalimit arbitrar të tre policëve të Kosovës dhe dështimi për t’i mbajtur përgjegjës ata që kryen sulme ndaj KFOR-it vënë në pah mungesën e barazisë në adresimin e tensioneve”, thuhet në letër.

Masat ndaj Kosovës

Kosova u ndëshkua me një sërë masash nga  Bashkimi Evropian pasi iu kërkua tërheqja e kryetarëve shqiptarë nga komunat me shumicë serbe, tërheqja e njësive speciale nga godinat e kuvendeve komunale dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja në katër komunat e veriut, Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq dhe Veri i Mitrovicës. Qeveria e Kosovës u akuzua nga komuniteti ndërkombëtar për moskoordinim për veprimet e saj në veri. Serbët lokalë organizuan protesta, të cilat kulmuan me përleshje dhe lëndime të dhjetëra protestuesve dhe ushtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Në letrën që e publikoi deputetja britanike, Alicia Kearns, thuhet se komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të anojë nga Beogradi, por, duhet të punojë në një diplomaci parandaluese për të shmangur përshkallëzimin. “Qasja aktuale nuk po funksionon. Ne kërkojmë nga komuniteti ndërkombëtar që të mësojë nga e kaluara jonë dhe të sigurohemi që ne nuk do të miratojmë politika për Ballkanin që anojnë nga Beogradi. Ne po ashtu u kërkojmë që të shqyrtoni mundësinë e miratimit të një politike të diplomacisë parandaluese për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës së sigurisë dhe asaj politike në veri të Kosovës, me balancë dhe proporcionalitet në çdo deklaratë dhe çdo ndëshkim apo sanksion që ndërmerret, dhe që ata të cilët respektojnë sundimin e ligjit dhe demokracinë të mos ndëshkohen”, thuhet në letër.

Kosova nuk do të ndërmarrë veprime që shkallëzojnë situatën

Pas masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës për shkak të situatës në veri, qeveria e Kosovës është pajtuar me planin e BE-së për shtensionimin e situatës në veri, që ndër më kryesoret parasheh edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në atë pjesë. Qeveria e Kosovës ka deklaruar  publikisht “gatishmërinë e saj për t’u angazhuar për shtensionimin e situatës dhe se nuk do të ndërmarrë asnjë veprim që mund të shkallëzojë situatën në veriun e Kosovës”. Po ashtu kjo përfshin edhe një zvogëlim të menjëhershëm me 25% të pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale. “Qeveria e Kosovës bën një deklaratë publike për të mbështetur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 4 komunat veriore, pas verës” dhe se “Kosova përkushtohet të sigurojë bazën e nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve në veri”. E pikërisht për zgjedhjet në veri të cilat u bojkotuan masivisht nga serbët lokal, në letrën e politikanëve evropian dhe amerikanë, thuhet se “Kosova është shtet i pavarur dhe përpjekjet për të penguar zgjedhjet demokratike në Kosovë nga Serbia, duhet të kritikohen publikisht si ndërhyrje nga jashtë”.

Ndërkohë qeveria e Kosovës ka nisur punën për sigurimin e bazës ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës, Zveҫan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Veri të Mitrovicës. Në këtë mënyrë sipas ministrit të pushtetit lokal, Elbert Krasniqi, grupi punues ka një muaj kohë për të hartuar një dokument që do t’u mundësonte qytetarëve të komunave në veri  shkarkimin e kryetarëve aktualë përmes një peticioni të qytetarëve të regjistruar me të drejtë vote në komunat përkatëse.

dw

Fordi elektrik ul çmimin, thellon betejën me Teslën

TeslaFirma Ford ka thelluar luftën e çmimeve në tregun e makinave elektrike, ndërsa uli çmimin e makinës së tipit F-150 Lightning. Gjigandi amerikan po synon të shtojë praninë në tregun e makinave elektrike të dominuar prej vitesh nga firma Tesla.

 

Kompania Ford ka ulur çmimin e makinës së saj elektrike të modelit F-150 Lightning me rreth 17%, duke thelluar luftën e çmimeve me firmën Tesla. Kompania me qendër në Detroit shpreson të rrisë praninë në tregun e makinave elektrike të dominuar nga Tesla gjatë dekadës së fundit.

Vendimi vjen pak ditë pasi firma Tesla njoftoi se kishte prodhuar në fabrikën e saj në Austin makinën e parë për linjën e prodhimit të modelit Cybertruk, për të cilën ka vite që flitet.

Muaj më parë, Tesla filloi uljen e çmimeve të disa modeleve, duke çuar në rënien e shitjeve të makinave elektrike të kompanive të tjera. Tre muajt e fundit shitjet e makinave elektrike të Fordit ranë 2.8%. Tesla njoftoi rritjen e shitjeve në tremujorin e dytë.

Në fillim të vitit Fordi rriti çmimin e modelit elektrik F-150. Aktualisht firma Ford thotë se ulja e çmimit vjen si rezultat i përmirësimeve në fushën e prodhimit dhe rënies së kostos së lëndës së parë për prodhimin e baterive.

Fordi planifikon të trefishojë prodhimin e modelit Lightning në 150,000 automjete në vit. Çmimi i modelit bazë do të bjerë në rreth 50 mijë dollarë, ndërsa modeli më i plotë do të kushtojë rreth 92 mijë dollarë.

voa

Inteligjenca Artificiale ekspozon nevojën e balancës mes inovacionit dhe rreziqeve

AIShtatë kompanitë më të mëdha të teknologjisë së fundmi ranë dakord të përmbushin një sërë masash kontrolli jodetyruese të propozuara nga Presidenti Joe Biden për të zhvilluar teknologjitë e tyre të inteligjencës artificiale në një mënyrë të sigurt dhe transparente. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Julie Taboh i hedh një vështirim parimeve me të cilat këto kompani kanë rënë dakord. Por sa realiste janë zotimet e tyre?

 

“Kompanitë e kanë për detyrë të sigurohen që teknologjia e tyre të jetë e sigurt, përpara se t’ia vënë në dispozicion publikut”.

Kjo ishte një nga kërkesat kryesore të presidentit amerikan, Joe Biden për kompanitë që po zhvillojnë projekte me Inteligjencë Artificiale.

Gjigantët e teknologjisë Amazon, Google, Meta dhe Microsoft janë pjesë e një grupi prej shtatë kompanish që premtuan të zbatojnë masat mbrojtëse të Inteligjencës Artificiale të paraqitura nga Shtëpia e Bardhë.

“Ky angazhim, të cilin kompanitë do ta zbatojnë menjëherë, kanë si bazë parimet themelore: siguri dhe besim”, thotë presidenti Biden.

Disa nga parimet që kompanitë janë zotuar t’i zbatojnë janë mjaft praktike, thotë David Broniatowski profesor në Fakultetin e Inxhinierisë në Universitetin ‘George Washington’.

“Për shembull, zbatimi i vendosjes së shenjave identifikuese në projektet e mëdha si ChatGPT është lehtësisht i realizueshëm. Këto shenja ndër të tjera do të ndihmonin njerëzit që të kuptonin nëse lajmet që shohin në internet janë prej një burimi të saktë apo prej një burimi pak të besueshëm”, thotë profesor David Broniatowski nga Universiteti ‘George Washington’.

Katër gjigantët e teknologjisë, së bashku me krijuesin e projekteve të Inteligjencës Artificiale ‘ChatGPT’, ‘OpenAI’ dhe kompanitë e reja si ‘Anthropic’ dhe ‘Inflection’, janë zotuar se do të pranojnë që verifikimi i sigurisë së projekteve të tyre të kryhet pjesërisht nga ekspertë të pavarur. Kjo do bëhet me qëllim për t’u mbrojtur nga rreziqet kryesore, përfshirë biosigurinë dhe sigurinë kibernetike, tha Shtëpia e Bardhë.

Kompanitë e mëdha dhe ato më të vogla të teknologjisë do të duhet të gjejnë balancën mes rrezikut dhe inovacionit në lidhje me Inteligjencën Artificiale.

“Ne nuk mund ta lëmë zhvillimin e inteligjencës artificiale të kontrollohet vetëm nga sektori privat”, thotë bashkëthemeluesi i kompanisë së re teknologjike ‘Anthropic’, Jack Clark.

Ai e bëri këtë deklaratë gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Qeveritë e botës duhet të bashkohen, të zhvillojnë kapacitetet shtetërore dhe ta bëjnë zhvillimin e sistemeve të fuqishme të Inteligjencës Artificiale një përpjekje të përbashkët në të gjitha pjesët e shoqërisë, në vend që të diktohet vetëm nga një numër i vogël firmash që konkurrojnë me njëra-tjetrën në treg”, tha më tej zoti Clark.

Ndërsa Shtëpia e Bardhë angazhohet për avancimin e teknologjisë së përgjegjshme të Inteligjencës Artificiale në SHBA, administrata e presidentit Biden thotë se do të bashkëpunojë gjithashtu me partnerët e saj ndërkombëtarë për një kornizë të përbashkët për të zbatuar rregulla për zhvillimin dhe përdorimin e Inteligjencës Artificiale.

voa

Kirurgjia kozmetike dhe regulloret e paqarta të administrimit

KirurgjiaStudiuesit që kanë vëzhguar industrinë britanike të kozmetikës thonë se një në tre praktikues që injektojnë klientët me “fillers” dhe “botox” nuk janë mjekë të kualifikuar. Nuk ka asnjë kërkesë ligjore që ata që administrojnë injeksionet të jenë mjekë të kualifikuar, por studiuesit paralajmërojnë se ky sektor i biznesit të bukurisë është “pa rregullore të përcaktuar qartë”.

 

Në klinikën e Vincent Wong-ut në Londër ka pasur një rritje prej 50% të kërkesave për injeksione të tilla si “fillers” dhe “botox”.

Ndryshe nga shumica e praktikuesve në këtë industri, zoti Wong është një mjek i kualifikuar, si dhe është specialist në kirurgjinë kozmetike.

Sipas një raporti të ri nga studiuesit në Kolegjin e Londrës, pak më shumë se një e treta, 32% e atyre që kryejnë injeksione janë mjekë, 13% janë infermierë, 24% dentistë dhe 8% infermierë dentarë.

Autorët e studimit thonë se sektori “është pa rregullore të qarta”.

Zoti Wong thotë se ai ka vënë re një rritje të interesit për injeksione që nga pandemia kur të gjithë po përdornin video konferenca për të qëndruar në kontakt, krahas rritjes së faqeve të mediave sociale.

“Më shumë njerëz po shfaqen në ekran, ata po shohin se si duken pa grim”, thotë mjeku Wong.

Zoti Wong thotë se një mjek mund të zgjidhë problemet e mundshme.

Ai thotë se ndërsa të tjerët mund të kenë njëfarë trajnimi mjekësor, ata mund të mos i njohin të gjitha rreziqet.

“Përzgjedhja e gabuar e produktit, ose injektimi i shtresës së gabuar të fytyrës përbëjnë rrezik. Mendoj se gjëja kryesore për të shkuar tek një person i kualifikuar dhe kompetent është se ata do të jenë në gjendje të njohin komplikimin dhe gjithashtu të menaxhojnë situatat,” thotë zoti Wong.

Kirurgu David Zargaran thotë se një sfidë kryesore me të cilën përballen rregullatorët është të sigurohen që njerëzit që kanë licencë për të kryer këto procedura, janë të aftë dhe nuk përbëjnë rrezik për pacientët.

“Nuk ka asnjë legjislacion specifik se kush mund të administrojë në të vërtetë injeksionet dermo mbushëse. Çështja themelore në lojë është kompetenca”.

Sipas një raporti, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar po përgatitet të përditësojë politikën e saj dhe rekomandimet në Aktin Mjekësor në vitin 2024.

voa

Menaxhimi i simptomave të hershme të demencës

demencaDisa qendra të kujdesit për personat me probleme shëndetësore në Australi po forcojnë kujdesin e specializuar për personat që vuajnë nga demencia. Kjo pason një raport të qeverisë, i cili thotë se sëmundja mendore është tani më e përhapur se ato të zemrës në Australi. Sipas statistikave të fundit, rastet e sëmundjes së demencës u rritën me 61 për qind në 11 vjet në grupmoshat më të lartë në vend.

 

Njëmbëdhjetë vjet më parë, Shirlene Colbert filloi të përballej me ndryshime shqetësuese të personalitetit të bashkëshortit të saj, Stephen.

Mjeku i familjes në fillim tha se kjo ishte pasojë e stresit të shkaktuar nga puna, por në fakt Stephen po përballej me simptomat e para të demencës, e cila ndërlikohet nga agresioni fizik dhe sjellje të tjera shqetësuese. Sipas mjekëve, këto ndryshime janë pasojë e simptomave psikologjike të demencës.

“Kur Stephen ishte rreth 54 vjeç ne lëvizëm nga shtëpia për të bërë një rinovim. Kur u rikthyem në shtëpi, Stephen ishte vërtet i hutuar dhe nuk dinte ku t’i vendoste gjërat. Për mua kjo ishte një shenjë se diçka nuk ishte në rregull”, thotë zonja Colbert.

Gjendja e zotit Colbert u përkeqësua, ai filloi të bëhej më agresivë dhe nuk mund të kujdesej për veten e tij.

Bashkëshortja e tij pas një periudhe të shkurtër nuk mund të kujdesej e vetme për të.

Për njerëz si Stephen Colbert, qeveria australiane ka hapur Programin e Kujdesit për rastet e rënda të Demencës. Falë këtij programi ai u pranua në qendrën “Uniting Eabrai”, një nga dy shtëpitë e specializuara, të financuara nga qeveria australiane.

Në shkurt, Instituti Australian i Shëndetit dhe Mirëqenies publikoi një raport që konfirmonte se demencia ishte shkaktari kryesor i vdekjeve në vend.

Raporti vlerësoi se në vitin 2022 më shumë se 400 mijë qytetarë kishin demencia dhe kjo shifër do të dyfishohej deri në vitin 2058.

Profesorja e Universitetit të Sidneit, Yun-Hee Jeon, shpjegon se demencia është një gjendje neurodegjenerative kronike. Ajo thotë se ka 150 lloje të demencës, por forma më e zakonshme e saj është alcajmeri.

“Sëmundja e alcajmerit është deri tani më e zakonshme. Rreth 60 për qind të rasteve të demencës janë në të vërtetë sëmundje të alcajmerit”, thotë profesorja Jeon.

Shumë njerëz mendojnë se alcajmeri dhe format e tjera të demencës kanë të bëjnë vetëm me humbjen e kujtesës.

“Kujtesa është vetëm një pjesë e sëmundjes. Ka një sërë dëmtimesh të trurit, që përfshijnë vendimmarrjen, procesin e të menduarit si dhe aftësitë komunikuese të individëve. Kjo ndikon në aktivitetet e jetës së përditshme. Përkeqësimi i sëmundjes e vështirëson më tej aftësinë e personave të prekur për të menaxhuar punët e tyre të përditshme”, thotë profesorja Jeon.

Sipas shifrave zyrtare të Institutit Australian të Shëndetit dhe Mirëqenies, dy në tre persona me demencë ende jetojnë në komunitet pranë familjeve, miqve dhe fqinjëve të tyre.

Specialisti klinik i demencës në qendrën “Uniting Eabrai”, Greg Buckley thotë se sjellja e pacientëve mund të jetë shumë sfiduese.

“Ata godasin, kafshojnë, shkelmojnë, gërvishtin, godasin me shuplakë, thyejnë krahët, këmbët. Thyejnë xhamat, thyejnë karriget”, thotë ai.

Personeli i qendrës “Uniting Eabrai” është i trajnuar për t’u pëballur me këto sjellje dhe për të ndihmuar në stabilizimin e gjendjes së pacientëve. Kjo qendër përpiqet të kuptojë më mirë historinë e pacientëve dhe angazhon anëtarët e familjeve të tyre në stabilizimin e gjendjes së tyre. Shirlene Colbert thotë se qendra “Uniting Eabrai” është një vend i mirë për bashkëshortin e saj, ndonëse ai ka nevojë për një përmirësim më të madh.

Nëntë qendra të ngjashme pritet të hapen në Australi brenda këtij viti.

voa

Universiteti i Bernës konfirmon zyrtarisht: Lini në Pogradec, vendbanimi më i vjetër në Europë

bazilika-linRezultatet e gërmimeve mbi 4-vjeçare të arkeologëve shqiptarë dhe atyre nga Universiteti i Bernës kanë konfirmuar se vendbanimi palafit i Linit në Pogradec është më i vjetri në Europë, mbi 8500-vjeçarë.

 

Albert Hafner, arkeolog nga Zvicra, thotë se kemi të bëjmë me një vendbanim që zhvillonte bujqësinë 8 deri në 9 mijë vjet më parë, që më pas është përhapur në Itali dhe në të gjithë Europën. Ai thotë se ky vendbanim është rreth 2 mijë vjet më i vjetër se ato të gjetura në Zvicër.

“Njohuritë që kemi fituar në Zvicër do t’i zhvendosim këtu për të vijuar më tej me gërmime që të kemi më shumë të reja mbi vendbanimin më të vjetër në Europë. Ne duam të dimë datat e sakta të këtij vendbanimi. Këtu është zhvilluar bujqësia, që më pas është zhvendosur në Itali dhe në të gjithë Europën”, shprehet arkeologu zviceran.

Për arkeologun shqiptar Adrian Anastasi, ky është jo vetëm një zbulim i madh, pasi edhe rezultatet e kanë konfirmuar. Ai shkon më tej kur thotë se të gjitha gjetjet mund të vendosen në Pogradec, apo edhe në forma digjitale në funksion të turizmit arkeologjik.

“Ky vendbanim rezulton të jetë më i vjetri në Europë. Kjo është e lidhur edhe me ngritjen e disa pyetjeve për të ardhmen. Pse këta njerëz vendosën të kalonin në vendbanime në breg të liqenit? Këto janë pjesë të studimit. Ne, nga viti në vit, gjithmonë kemi rezultate, të cilat janë befasuese edhe për ne, siç është edhe rasti i këtij viti”, tha arkeologu shqiptar.

E pranishme në prezantimin e rezultateve, ambasadorja zvicerane në vendin tonë u shpreh e lumtur që Zvicra është pjesë e kërkimeve, ndërsa shtoi se këto gjetje mund të jenë një formë shumë e mirë për të thithur edhe më shumë turistë zviceranë.

Gërmimet në vendbanimin palafit të Linit tashmë po zhvillohen në ujë, pasi ai ka qenë i ndërtuar mbi drurë në tokë dhe liqen. Ndërkohë, ka të dhëna se një vendbanim i tillë është edhe pranë kufirit aktual me Maqedoninë e Veriut.