Kategoritë: Bota

Lajmet nga Bota

Fluturimi i parë privat në hapësirë nga SpaceX

Fluturimi i parë privat në hapësirë nga SpaceXNjë raketë me katër astronautë në bord do të lëshohet mbrëmjen e së mërkurës nga Qendra Hapësinore Kennedy. Ky është fluturimi i parë privat nga kompania SpaceX që do të udhëhiqet nga një sipërmarrës 38-vjeçar i cili financon udhëtimin që do të zgjasë tre ditë.

Për herë të parë në 60 vite të fluturimeve në hapësirë, një raketë do të lëshohet në orbitë me katër astronautë privatë në bord.

Misioni i quajtur “Inspiration4” do të zgjasë tre ditë. Katër pasagjerët do të rrotullohen rreth orbitës së poshtme të Tokës në një lartësi prej rreth 540 kilometrash.

Fluturimi i parë privat nga kompania SpaceX do të udhëhiqet nga sipërmarrësi 38-vjeçar Jared Isaacman, i cili po financon të gjithë udhëtimin.

Atë e shoqërojnë dy fitues të llotarisë në udhëtimin treditor, së bashku me një punonjëse të kujdesit shëndetësor që i mbijetoi kancerit kur ishte fëmijë.

Ata do të udhëtojnë në kapsulën e automatizuar plotësisht, Dragon, të njëjtin model që përdor SpaceX në misionet e NASA-s për të dërguar astronautët në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar. Jared Isaacman është komandat i misionit “Inspiration4” dhe financues i saj.

“Ne synojmë të frymëzojmë njerëzit për mundëstë që ofron hapësira por edhe për ato që mund të arrihen në Tokë. Kjo është arsyeja se pse Spitali Kërkimor për Fëmijët St. Jude është pjesë kaq e rëndësishme e misonit tonë. Pjestarët e misionit Chris, Hayley dhe Dr . Proctor kanë histori shumë frymëzuese”.

Financuesi Isaacman ofroi një vend në kapsulë për Spitalin St. Jude dhe ata zgjodhën ndihmës mjeken 29 vjeçare Hayley Arcenenux, ish paciente që tani punon në spitalin e njohur në Memfis të shtetit Tenesi (Memphis, Tennessee).

Ajo ishte 10 vjeçe kur u diagnostikua me kancer në kocka dhe një pjesë e madhe e kockës së kofshës së majtë u zëvendësua me një shufër titaniumi. Ajo do të jetë personi i parë në hapësirë me protezë dhe gjithashtu amerikania më e re në hapësirë.

“Synimi kryesor i misonit tonë është të frymëzojmë njerëzit që të kapërcejnë pengesat, dhe ne po i thyejmë këto barriera në mënyra të ndryshme. Përpjekja për mbledhje fondesh prej 200 milion dollarësh për spitalin e fëmijëve me kancer është më e madhja ndonjëherë. Këto fonde do të përdoren për kërkime për kancerin për të ndihmuar fëmijët e prekur dhe për financimin e trajtimit të tyre”, thotë zonja Arcenenux.

51 vjeçarja Sian Proctor është arsimtare në një shkollë profesionale në Tempe të shtetit Arizona dhe u përzgjodh mes konkurrentëve të tjerë. Gjithashtu pilote, ajo ishte finaliste e NASA-s më shumë se një dekadë më parë.

42 vjeçari Chris Sembroski nga Everett i shtetit Uashington është inxhinier statistikash dhe më parë ka qënë pjestar i Forcave Ajrore amerikane. Ai nuk fitoi llotarinë por një mik nga koha e fakultetit i dhuroi vendin e tij.

Të katër udhëtarët privatë janë trajnuar për fluturimin për disa muaj dhe pritet të lëshohen drejt hapësirës mbrëmjen e së mërkurës. Nuk dihet se sa ka paguar miliarderi 38 vjeçar për të financuar misionin. NASA nuk është e përfshirë në këtë mision.

voa

SHBA akuzon Rusinë se pengon kapjen e hakerëve

Paralajmërimet e Shteteve të Bashkuara për Presidentin rus Vladimir Putin për mbrojtjen e kriminelëve kibernetikë të fshehur në Rusi duket se kanë patur pak ndikim, thonë zyrtarë të lartë të institucioneve të zbatimit të ligjit në Shtetet e Bashkuara, si dhe zyrtarë të kibernetikës.

“Nuk ka asnjë tregues që qeveria ruse të ketë ndërmarrë veprime për të goditur aktorët (e piraterisë) ransomware që veprojnë në mjedisin tolerues që kanë krijuar atje”, tha Paul Abbate, zëvendës drejtor i Byrosë Federale të Hetimit, të martën në një samit pranë Uashingtonit për çështjet e zbulimit.

“Ne kemi kërkuar ndihmë dhe bashkëpunim për ata që ne e dimë se janë në Rusi, kundër të cilëve kemi aktakuzë dhe nuk kemi parë asnjë veprim”, tha zoti Abbate. “Pra, unë do të thoja që asgjë nuk ka ndryshuar në këtë drejtim”.

Presidenti amerikan Joe Biden i ka bërë thirrje dy herë udhëheqësit rus që të ndërmarrë veprime kundër kriminelëve kibernetikë që veprojnë jashtë Rusisë, së pari në një samit në qershor në Gjenevë [[https://www.voanews.com/usa/takeaways-biden-putin-cyber -summit]] dhe përsëri gjatë një telefonate një muaj më vonë.

“Ia bëra shumë të qartë se Shtetet e Bashkuara presin që kur një operacion ransomware vjen nga toka e tij, edhe pse nuk është i sponsorizuar nga shteti, ne presim që ata të veprojnë nëse u japim atyre informacion të mjaftueshëm për të vepruar se kush është”, u tha gazetarëve Presidenti Biden pas telefonatës së korrikut. [[https://www.voanews.com/usa/biden-putin-discuss-ransomware-attacks-russia]]

Që nga bisedimet fillestare, zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë kanë vënë re një rënie të sulmeve pirate ransomware, megjithëse ata kanë qenë në mëdyshje për t’ia atribuar ndryshimin ndonjë veprimi të Moskës.

“Mungesa e tanishme e veprimtarisë kriminale nuk duhet të ngatërrohet me masat e forta policore”, tha Drejtori Kombëtar amerikan për Kibernetikën Chris Inglis përpara një audience më vonë të martën.

“Ende ka një nxitje monetare dhe ndoshta një nxitje gjeopolitike për të lejuar që të rikthehen”, tha ai, duke kundërshtuar thirrjet që Shtetet e Bashkuara të hidhen në ofensivë.

“Ekziston një ndjesi se ndoshta ne mund të shkrepim disa plumba kibernetikë dhe të dalim kështu nga kjo situatë. Kjo do të jetë e dobishme në rrethana të caktuara nëse japim një goditje të qartë ndaj një agresori kibernetik dhe kjo mund t’i nxjerrë ata jashtë loje”, tha zoti Inglis. “Kjo nuk do të ndikojë tek udhëheqësit që e lejojnë këtë të ndodhë”.

“Ne duhet të kuptojmë se çfarë është ajo që ka rëndësi për Putinin dhe oligarkët dhe si t’i ndryshojmë përllogaritjet në vendimarrjen e tyre”, shtoi ai.

Kremlini ka mohuar vazhdimisht çdo rol në një seri sulmesh ransomware dhe sulmesh të tjera kibernetike kundër kompanive dhe infrastrukturës amerikane.

Dhe pas telefonatës Biden-Putin në korrik, Kremlini lëshoi një deklaratë që mbështeste bashkëpunimin mbi sigurinë kibernetike, duke bërë thirrje që përpjekje të tilla të “ishin të përhershme, profesionale dhe jopolitike dhe duhet të kryhen përmes kanaleve të veçanta të komunikimit … dhe duke respektuar të drejtën ndërkombëtare”.

SHBA fajëson Rusinë ose aktorët kibernetikë me bazë në Rusi për një seri sulmesh të profilit të lartë ransomware, përfshirë sulmin e dhjetorit 2020 ndaj SolarWinds, një kompani menaxhimi programesh me qendër në SHBA, dhe për sulmin ransomware të 7 majit kundër Kolonial Pipeline, operatori më i madh i tubacionit të karburantit në SHBA.

Zyrtarët amerikanë kanë fajësuar GRU-në (shërbimin ushtarak të zbulimit të Rusisë) se sulmoi Komitetin Kombëtar Demokrat gjatë zgjedhjeve të vitit 2016 dhe kompanitë farmaceutike që zhvilluan vaksinat kundër koronavirusit.

I pyetur të martën nëse Shtetet e Bashkuara kanë arritur në pikën ku janë gati të ndërmarrin veprime kundër Rusisë, komandanti i Komandës Kibernetike të Shteteve të Bashkuara (CYBERCOM) ia la përgjigjen Shtëpisë së Bardhë.

“Është e qartë që i takon presidentit të vendosë”, tha gjenerali i CYBERCOM-it, Paul Nakasone. “Por ato opsione sigurisht që do t’i ofrohen për t’i shqyrtuar”.

voa

Ekspertë të FDA-së mes shkencëtarëve që kundërshtojnë planin amerikan për një vaksinë përforcuese

Individët me shëndet të mirë nuk kanë ende nevojë për një dozë vaksine përforcuese kundër COVID-19, thuhet në një shkrim të botuar të hënën në një revistë shkencore të nënshkruar nga një grup ndërkombëtar shkencëtarësh, përfshirë dy drejtues të lartë të agjencisë amerikane të barnave (FDA).

Ekspertët shqyrtuan studimet mbi kapacitetet e vaksinave dhe arritën në përfundimin se vaksinimet po funksionojnë mirë, pavarësisht variantit Delta shumë infektiv, veçanërisht kundër simptomave të rënda.

“Edhe në popullatat me norma mjaft të larta vaksinimi, të pavaksinuarit janë ende përhapësit kryesorë të infektimeve” në këtë fazë të pandemisë, thotë grupi i shkencëtarëve.

Opinioni i shkencëtarëve i publikuar në revistën prestigjioze Lancet, ilustron debatin e thellë shkencor se kush ka nevojë për një dozë përforcuese dhe kur, një vendim me të cilin po përballen Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera.

Pas daljes në skenë të ndërhyrjeve politike në reagimin e administratës së Presidentit Trump ndaj koronavirusit, Presidenti Joe Biden ka premtuar se vendimet e tij do të bazohen tek shkenca. Por shqyrtimi për një dozë përforcuese po ngre pyetjen nëse administrata e tij po lëviz më shpejt se sa ekspertët.

Mes autorëve të shkrimit janë edhe dy ekspertë të lartë të agjencisë amerikane për barnat (FDA) Dr. Phil Krause dhe Marion Gruber, të cilët kohët e fundit njoftuan se do të japin dorëheqjen këtë vjeshtë.

Ndër 16 autorët e tjerë janë studiuesit kryesorë të vaksinave në SHBA, Britani, Francë, Afrikën e Jugut dhe Indi, si dhe shkencëtarë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, e cila tashmë ka kërkuar një moratorium mbi dozën përforcuese derisa vendet e varfra të vaksinohen më mirë.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë ka filluar planifikimet për marrjen e dozës përforcuese deri nga fundi i këtij muaji, nëse Administrata e Ilaçeve dhe Ushqimit (FDA) dhe Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve bien dakord.

Larry Gostin me Universitetin Georgetown tha se opinioni i publikuar në revistën shkencore i “hedh benzinë zjarrit” në debatin nëse shumica e amerikanëve kanë vërtet nevojë për dozën përforcuese dhe nëse Shtëpia e Bardhë po del para shkencëtarëve.

“Është gjithmonë një gabim themelor i procesit për të bërë një njoftim shkencor para se agjencitë e shëndetit publik të kenë vepruar dhe kjo është pikërisht ajo që ndodhi”, tha zoti Gostin, veprimtar dhe specialist i shëndetit publik.

Agjencia federale për barnat (FDA) nuk iu përgjigj kërkesave për koment të hënën.

Tashmë, Shtetet e Bashkuara ofrojnë një dozë shtesë të vaksinave Pfizer ose Moderna për njerëzit me sistem imunitar të dobësuar rëndë.

Ndërkohë po zbehet debati tek popullsia nëse duhet marrë një dozë përforcuese edhe pse vaksinat ende ofrojnë mbrojtje të lartë kundër sëmundjeve të rënda – ndoshta me shpresën për të bllokuar infeksionet më të buta mes të vaksinuarve plotësisht.

Javën e shkuar, drejtuesja e Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Dr. Rochelle Walensky tha se të dhënat tregojnë se të pavaksinuarit kishin 4.5 herë më shumë gjasa të infektoheshin se të vaksinuarit plotësisht dhe 10 herë më shumë të ngjarë të shtroheshin në spital dhe 11 herë më shumë të ngjarë që të vdisnin.

Megjithatë, shkencëtarët që punojnë me agjencitë shtetërore po shqyrtojnë gjithashtu aludimet se mbrojtja po zvogëlohet midis të rriturve të moshuar që u vaksinuan në fillim të dimrit të kaluar.

Autorët e komentit të publikuar të hënën në Lancet thanë se kishin shqyrtuar studime nga mbarë bota që nga fillimi i shtimit të rasteve me variantin Delta, kryesisht të vaksinave amerikane dhe evropiane. Ekipi arriti në përfundimin se “asnjë nga këto studime nuk ka ofruar prova të besueshme të zbehjes së fuqisë mbrojtëse të vaksinave kundër simptomave të rënda” të koronavirusit.

Për shkak se trupi ndërton shtresa imuniteti, rënia graduale e niveleve të antitrupave nuk do të thotë domosdoshmërisht rënie e efektivitetit të përgjithshëm “dhe ulja e efikasitetit të vaksinës kundër simptomave të lehta nuk parashikon domosdoshmërisht ulje të efikasitetit (zakonisht më të lartë) kundër sëmundjeve të rënda”, thonë ata.

Sa më shumë të përhapet virusi, aq më shumë mundësi ka për të evoluar në variante që mund të depërtojnë vaksinat aktuale. Në shkrimin e tyre në revistën Lancet, shkencëtarët sugjerojnë se mund të ketë përfitime më të mëdha nga krijimi i dozave përforcuese që përputhen më mirë me variantet qarkulluese, sikurse përmirësohet rregullisht vaksina e gripit, sesa nga dhënia e dozave shtesë të vaksinës fillestare.

“Tani ekziston një mundësi për të studiuar dozat përforcuese në bazë të variantit para se të ketë një nevojë të madhe për to”, thanë shkencëtarët.

voa

Pse Angela Merkel përzgjodhi Beogradin dhe Tiranën për vizitë lamtumire?

Polen, Angela Merkel auf dem Westbalkan-GipfelKancerlarja Angela Merkel do të qëndrojë sot dhe nesër (13-14.09) në vizitë lamtumire në Ballkanin Perëndimor. Interesante është që ajo ka zgjedhur të vizitojë vetëm Beogradin dhe Tiranën. Po pse?

Turneu i lamtumirës i kancelares gjermane Angela Merkel në Ballkan dhe zgjedhjet e ardhshme në Gjermani kanë zgjuar interesim të madh në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Shumica e vendeve në Ballkanin Perëndimor kanë synime dhe probleme të ngjashme: anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE), e në të njëjtën kohë edhe një mori sfidash të brendshme, nga ato ekonomike, korrupsioni, mungesa e reformave dhe tensionet ndëretnike. Ndaj politikat e Gjermanisë dhe BE-së reflektohen fuqishëm edhe në çështjet e brendshme në Serbi dhe vendet e tjera të BP. Tani po analizohet atje se çfarë do të thotë për rajonin largimi nga skena politike i kancelares Angela Merkel dhe nëse mund të pritet ndonjë ndryshim i rëndësishëm në politikën gjermane dhe evropiane.

Kur bëhet fjalë për Serbinë në veçanti, Gjermania nuk është vetëm një nga partnerët më të rëndësishëmekonomik, por edhe një vend, zëri i të cilit shihet si vendimtar për procesin e integrimit evropian. Kësaj duhet t’i shtohet me siguri një notë personale që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka futur në raportet e tij me kancelaren Angela Merkel, gjë që opozita e ka kritikuar shumë shpesh.

Një pjesë e opozitës serbe beson se Angela Merkel, me qëndrimin e saj dashamirës ndaj Aleksandar Vuçiqit dhe lëvizjet e tij autokratike, e bëri luftën politike të opozitës edhe më të vështirë për ndryshime dhe kjo favorizoi Partinë Përparimtare të Serbisë në pushtet (SNS).

Interesat gjermane

Ndaj nuk befason që kureshtja në Beograd lidhur me zgjedhjet parlamentare në Gjermani është e kuptueshme, thotë për DW Marko Savkoviq nga Fondi për Përsosmëri Politike. “Por duhet të presim pak deri në formimin e qeverisë së re dhe të shohim nëse do të ndryshojë diçka në politikën ndaj Serbisë dhe ndaj Ballkanit në tërësi.

Savkoviq shton se “duhet analizuar nëse interesat gjermane në rajonkanë ndryshuar. “Sipas mendimit tim, nuk kanë ndryshuar, sepse Gjermania është ende e interesuar për një Ballkan Perëndimor të qëndrueshëm, i cili nuk prodhon probleme. Ajo është e interesuar për një Ballkan ku rruga e emigrantëve është nën kontroll, e në të njëjtën kohë ka dhe një rritje të lartë të pranisë ekonomike gjermane në Serbi. Mendoj se ky do të mbetet prioritet edhe në të ardhmen”, thotë bashkëbiseduesi ynë.

Mbështetja lamtumirëse e Vuçiqit

Takimet me kancelarin austriak Sebastian Kurz, si dhe bisedimet në Beograd me Përfaqësuesin e Lartë në Bosnjë-Hercegovinë, Christian Schmidt, mund të shihen si një lloj përgatitjeje për vizitën dhe bisedimet me kancelaren Angela Merkel në Beograd. Naim Leo Beshiri, drejtor i Institutit për Çështjet Evropiane thotë për DW: “Angela Merkel po vjen për të bërë një vizitë lamtumire pak para zgjedhjeve në Serbi për të mbështetur përsëri Aleksandar Vuçiqin. Prania e saj do të përdoret nga presidenti serb për të treguar se ka mbështetje nga Perëndimi. Do të përdoret për fushatë zgjedhore në Serbi”, thotë Beshiri.

Drejtori i Institutit për Çështjet Evropiane beson se “nuk do të ketë ndryshime tektonike në politikën gjermane ndaj Serbisë, përveç se tani vendet e BE-së do të bëhen më të vetëdijshme, se partia SNS dhe lideri i saj, presidenti Aleksandar Vuçiq, nuk i kanë përmbushur premtimet dhe marrëveshjet e arritura mes tyre në nëntë vitet e fundit”.

“Gjatë kësaj kohe Angela Merkel besonte se stabilokracia ishte më e rëndësishme sesa situata e brendshme në Serbi, duke pritur që çështja e Kosovës të zgjidhej njëherë e përgjithmonë, por as kjo nuk ndodhi”, thotë Beshiri.

Marko Savkoviq gjithashtu e sheh takimin me Christian Schmidt si një përgatitje për vizitën e Merkelit dhe shton se “Vuçiqi e priti Schmidtin brenda një dite dhe mbajti një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, në të cilën ai u përpoq të distancohej nga disa politika në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Besoj se edhe në Berlin e kuptojnë si problematike idenë e të ashtuquajturës botë serbe”, thotë Savkoviq.

Po largohet mbështetësi i Vuçiqit në BE?

Çështja kryesore pas largimit të Angela Merkelit është nëse, dhe në çfarë mase, do të ndryshojë qëndrimi i BE-së ndaj Serbisë, veçanërisht ndaj qeverisë së Aleksandar Vuçiqit. Ekziston një besim i fortë në Serbi, se Merkeli ishte mbështetja kryesore e Vuçiqit në BE dhe se në këto kushte ishte e vështirë të bësh një luftë të barabartë politike me Vuçiqin në Serbi.

Marko Savkoviq vlerëson se “kjo marrëdhënie shpesh thjeshtohet, por ky besim është në thelb i vërtetë. Vuçiqi me qëndrimin konstruktiv ndaj Kosovës në vitet e para të pushtetit, dhe veçanërisht me qëndrimin e tij gjatë krizës së refugjatëve, e ka futur në borxh Merkelin. Vuçiqi vazhdimisht thekson se ajo ia ktheu këtë shërbim duke e mbështetur Serbinë. Fakt është që takimet mes tyre janë rralluar në disa vitet e fundit, ndaj mendoj se kjo vizitë mund të konsiderohet si një mbështetje e qartë e perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor”, tha Marko Savkoviq.

Por Bashkimi Evropian nuk është një krijesë homogjene, nënvizon Naim Leo Beshiri. “Shumica e vendeve të BE-së ishin kritike ndaj asaj që po ndodhte në Serbi, por Gjermania shpesh i qetësonte këto zëra kritikë, sepse vendosi stabilitetin e rajonit në vend të parë”. Sa i përket opozitës serbe, ajo nuk ofroi asgjë të re kur është fjala për Kosovën ose Bosnjë-Hercegovinën, dhe përveç kësaj ata ishin shumë kritikë ndaj disa kërkesave për reforma që vinin nga BE. Prandaj nuk është për t’u habitur që asnjë mbështetje serioze për opozitën në Serbi nuk erdhi prej andej”, thotë Beshiri.

Opozita duhet të jetë më e kujdesshme në vlerësimet e saj, shton Marko Savkoviq, “sepse një Gjermani demokratike do t’i nevojitet çdo aktori politik në Serbi”.

Duhet të nënvizojmë se Gjermania është një nga vendet që dëshiron të dëgjojë argumentet e opozitës, të cilat janë shumë të forta, kur bëhet fjalë për gjendjen e demokracisë në Serbi. Prandaj është e nevojshme që ata të veprojnë në mënyrë proaktive ndaj qeverisë së re gjermane, kushdo që fiton pushtetin”, thekson bashkëbiseduesi ynë.

Pse pikërisht Tirana dhe Beogradi?

Fakti që Angela Merkel do të vizitojë vetëm Beogradin dhe Tiranën gjatë turneut lamtumirës në Ballkan ka ngritur pyetje të shumta, para së gjithash pse u zgjodhën pikërisht këto qytete?

“Më duket se Aleksandar Vuçiq dhe Edi Rama i duken Merkelit si fëmijët e saj të dashur në Procesin e Berlinit, të cilin ajo nuk ka arritur ta realizojë në tërësi. Kam frikë se largimi i saj nga skena politike do të jetë edhe fundi i Procesit të Berlinit, i cili kurrë nuk u konceptua si zëvendësim i anëtarësimit në BE, por si një motor rajonal i reformave, i cili më pas do të çonte në anëtarësimin në BE”, thotë për DW, Naim Leo Beshiri.

Marko Savkoviq pohon se “është e vështirë t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje, sepse ka mundur të përzgjidhet edhe Bosnjë-Hercegovina, e cila është në një krizë të përhershme”. Interesate është që Merkel nuk do të shkojë as në Kosovë. Nuk besoj se ky është distancim ndaj Kurtit, por interesante është që ajo nuk po shkon atje. Në fund, nuk e di pse ajo nuk po shkon as në Maqedoninë e Veriut, e cila është shtyrë pa meritën e saj në fund të listës së vendeve për integrim evropian”, konstaton Savkoviq.

dw/Ivica Petrovic

Biden urdhër për vaksinim të detyrueshëm për të luftuar COVID-19

Ndërsa Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të përballen me përhapjen e variantit shumë ngjitës Delta, Presidenti Joe Biden shpalli urdhrin e ri për vaksinimin e detyrueshëm në kuadër të një plani të gjerë për t’i dhënë fund pandemisë.

Për çdo javë varianti Delta vazhdon të vrasë mijëra amerikanë dhe të stërngarkojë spitalet.

Si pjesë e përpjekjeve të reja për t’i dhënë fund pandemisë, Presidenti Joe Biden miratoi të enjten një urdhër të ri, që detyron punonjësit e kompanive të mëdha, stafin e kujdesit shëndetësor dhe punonjësit federalë të vaksinohen.

“Departamenti i Punës po harton një rregull urgjence që u kërkon të gjithë punëdhënësve me 100 ose më shumë punonjës, që së bashku punësojnë mbi 80 milionë vetë, të sigurohen se fuqia e tyre punëtore është plotësisht e vaksinuar, ose të paraqesin një test negativ, të paktën një herë në javë”, tha Presidenti Biden.

Kjo është shtysa më e fuqishme e Presidentit për të nxitur vaksinimin e amerikanëve, me gjoba deri në 14 mijë dollarë për punëdhënësit që nuk respektojnë rregullin. Epidemiologët mbështesin vendimin.

“Ne kemi qenë në luftë kundër COVID dhe deri tani, kemi pasur një ushtri vullnetare me njerëzit që vullnetarisht janë vaksinuar. Por me ardhjen e Deltës, armiku është forcuar. Pra tani duhet të veprojmë për të vaksinuar të gjithë”, tha Dr. William Schaffner.

Sipas Shtëpisë së Bardhë plani i zotit Biden për pandeminë prek të paktën 100 milionë amerikanë. Por disa thonë se vaksinimi i detyruar sjell përçarje dhe është antikueshtetues.

“Biden ua bëri të qartë punonjësve amerikanë dhe pronarëve të bizneseve se është armiku kryesor i tyre”, tha Peter Vicenzi nga organizata FreedomWorks.

Në planin e zotit Biden parashihet mbajtja hapur e shkollave, shtimi i testimeve dhe detyrimi për mbajtjen e maskave, mbrojtja e rimëkëmbjes ekonomike, përmirësimi i kujdesit ndaj pacientëve me COVID-19 dhe sigurimi i dozave përforcuese të vaksinës në përputhje me udhëzimet nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

“Kemi blerë doza të mjatueshme përforcuese, ndërsa sistemi i shpërndarjes është gati për administrimin e tyre. Sapo të autorizohen, ata që kualifikohen mund t’i marrrin menjëherë ato”, tha Presidenti Biden.

Organizata Botërore e Shëndetësisë u ka bërë thirrje vendeve të pasura që dozat përforcuese të mos përdoren deri në fund të vitit të tjetër

Shtëpia e Bardhë tha se mund t’i bëjë të dyja – të sigurojë doza përforcuese në ShBA dhe njëkohësisht të ndihmojë vaksinimin në botë.

“Pyetja nuk është nëse ShBA mund t’i bëjë të dyja, por a duhet t’i bëjë të dyja. Sepse ka një kompromis. Për çdo person që vaksinohet në ShBA ose merr një dozë përforcuese, një person diku tjetër nuk do të marrë dozën e tij të parë ose të dytë”, tha Jenny Ottenhoff nga organizata “One Campaign”.

Presidenti Biden tha se ShBA ka dhuruar 140 milionë doza vaksinash në mbi 90 vende.

Muajin e ardhshëm ai do të njoftojë planet e reja për të ndihmuar vaksinimin në botë.

voa

Cilët janë talebanët?

Talebanët kanë drejtuar Afganistanin nga viti 1996 deri në vitin 2001 dhe vendosën një formë të rreptë të ligjit islamik në vend. Këto janë disa fakte kryesore në lidhje me historinë e grupit.

Si u formuan talebanët?

Talebanët ishin një nga fraksionet që luftuan në luftën civile në Afganistan në vitet 1990 pas tërheqjes së Bashkimit Sovjetik. Grupi u shfaq në vitin 1994, në jug të Afganistanit, në Kandahar. Themeluesi i tyre ishte Mullah Mohammad Omar, një imam lokal, i cili udhëhoqi militantët deri në vdekjen e tij në vitin 2013.

Cila është lidhja me SHBA?

Talebanët fillimisht tërhoqën anëtarët e tyre nga rezistenca afgane, që njiheshin ndryshe si muxhahedinë. Këta të fundit u mbështetën nga Shtetet e Bashkuara në luftën e tyre kundër forcave sovjetike, në vitet 1980.

Si e fituan pushtetin talebanët?

Pas tërheqjes së Bashkimit Sovjetik nga Afganistani në 1989 dhe rënies së mëvonshme të qeverisë së Afganistanit, vendi u fut në luftë civile. Talebanët morën mbështetje duke pramtuar se do të rivendosnin rendin dhe drejtësinë. Në vitin 1994 me pak rezistencë ata morën kontrollin e qytetit të Kandaharit dhe deri në vitin 1996, ata arritën të merrnin kontrollin e kryeqytetit, Kabulit.

Çfarë besojnë talebanët?

Talibanet gjatë drejtimit të tyre zbatuan interpretimin e rreptë të ligjit islamik, Sheriatit. Ekzekutimet publike dhe goditjet me kamxhik ishin të zakonshme. Grave u ndalohej kryesisht të punonin ose studionin dhe detyroheshin të mbanin një burkë kur dilnin në publik. Talibanët ndaluan librat dhe filmat perëndimorë si dhe shkatërruan objekte kulturore, përfshirë statujën gjigante 1500-vjeçare të Budës, në luginën qendrore të Bamiyanit.

Cila është lidhja e tyre me al-Kaidën?

Talebanët siguruan strehë për grupin militant al-Kaida, të udhëhequr në atë kohë nga Osama bin Laden. Al-Kaida ngriti kampe trajnimi në Afganistan, të cilat i përdori për të përgatitur sulmet terroriste në të gjithë botën, përfshirë sulmet e 11 Shtatorit 2001, në Shtetet e Bashkuara.

Si e humbën pushtetin?

Më pak se një muaj pas sulmeve të 11 shtatorit, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj pushtuan Afganistanin. Në fillim të dhjetorit, qeveria talebane kishte rënë dhe Shtetet e Bashkuara filluan të punonin me afganët për të krijuar një qeveri demokratike.

Çfarë ndodhi më pas?

Pas humbjes së pushtetit, udhëheqësit talebanë u fshehën në jug dhe lindje të Afganistanit ose përtej kufirit me Pakistanin. Grupi militant më pas udhëhoqi një kryengritje kundër qeverisë së re afgane të mbështetur nga SHBA, duke përdorur shpërthime të improvizuara dhe sulme vetëvrasëse.

Vitin e kaluar, qeveria amerikane negocioi një marrëveshje me talebanët pas më shumë se dy dekadash të përfshirjes ushtarake në Afganistan. Marrëveshja përcaktoi një afat kohor për tërheqjen e trupave amerikane nga vendi në këmbim të ndalimit të sulmeve nga talebanët ndaj amerikanëve. Po ashtu nisën dhe bisedimet me qeverinë afgane. Megjithatë, bisedimet disa mujore midis talebanëve dhe qeverisë afgane nuk arritën të prodhojnë ndonjë marrëveshje paqeje.

Cilat vende i kanë njohur talebanët?

Vetëm një pjesë e vogël e vendeve e njohën qeverinë talebane kur sundoi nga 1996-2001, përfshirë Pakistanin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite. Nuk është e qartë nëse shumica e vendeve do të njohin një qeveri të re të drejtuar nga talebanët. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha muajin e kaluar se “një qeveri e ardhshme afgane duhet të respektojë të drejtat themelore të popullit të saj dhe nuk duhet të strehojë terroristë”.

voa

Gjermania i kërkon Rusisë të ndalë urgjentisht sulmet kibernetike

Schwarze Hand mit Russland-Fahne über Computerplatinen, Symbolfoto CyberattackenGjermania voton më 26 shtator, por pikërisht para zgjedhjeve janë shtuar sulmet e hakerave, që dyshohet, se vijnë nga shërbimi sekret ushtarak rus. Objektiv janë disa deputetë gjermanë. Qeveria gjermane proteston ashpër.

Qeveria gjermane është shprehur me ton të pazakontë të ashpër kundër përpjekjeve ruse për ndikim para zgjedhjeve parlamentare më 26 shtator. Një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme Federale në Berlin kërkoi ndalimin e menjëhershëm të fushatave kibernetike dhe kërcënoi qeverinë ruse me pasoja, nëse nuk e plotëson këtë kërkesë. “Qeveria gjermane e konsideron këtë veprim të papranueshëm, si rrezik për sigurinë e Republikës Federale të Gjermanisë dhe për procesin e formimit të vullnetit demokratik dhe si rëndim të madh të marrëdhënieve bilaterale.”

Sipas zëdhënënes në Berlin, qeveria gjermane ka “dijeni konkrete”, sipas të cilave, fushata dezinformuese “mund t’i caktohet vepruesve kibernetikë të shtetit rus dhe konkretisht shërbimit sekret ushtarak rus, GRU.” Ky veprim është “tërësisht i papranueshëm” dhe qeveria gjermane parashikon “masa të tjera”.

Para zgjedhjeve parlamentare në Gjermani ka pasur përpjekje “ndër të tjera përmes mailave hakerues” të sigurohen të dhëna personale të deputetëve të Bundestagut dhe parlamenteve të landeve, që përmes kësaj të “arrihet vjedhja e identitetit”, ka thënë më tej në reagimin e saj zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme gjermane. “Këto sulme mund të shihen si veprime përgatitore për fushata ndikuese si për shembull fushata dezinformuese në zgjedhjet e Bundestagut.”

Tre paralajmërime vetëm këtë vit

Autoritetet gjermane të sigurisë kanë informuar këtë vit të paktën tre herë Bundestagun për sulme kibernetike të shërbimeve të huaja sekrete ndaj parlamentarëve. Së fundmi kanë qenë në shënjestër deputetë konservatorë të CDU/CSU dhe SPD-së. Pas sulmeve fshihet një “platformë kibernetike” me emrin “Ghostwriter”, pas së cilës qëndron shërbimi sekret rus, tha zëdhënësja e MPJ. “Qeveria gjermane i kërkon urgjentisht qeverisë ruse të ndalë menjëherë këto aktivitete kibernetike.” Këtë kërkesë ia kemi paraqitur edhe “drejtpërdrejt funksionarëve rusë”, tha zëdhënësja, së fundmi edhe në takimin e grupit të punës gjermano-rus për politikën e sigurisë. Zëdhënësja nuk u shpreh për reagimin e palës ruse.

Rusia është akuzuar më parë edhe për përpjekje për ndikim në zgjedhjet presidenciale të SHBA në vitin 2016. Qeveria ruse i kishte hedhur poshtë atëherë akuzat. Edhe në Gjermani ky vend akuzohet shpesh se qëndron pas sulmeve kibernetike. Kësaj here kritika e pazakontë e ashpër dhe e drejtpërdrejtë e Gjermanisë interpretohet si zemërim i madh me Moskën. Ministria e Jashtme gjermane ishte shprehur po ashtu e zemëruar që Rusia ka publikuar emrat e forcave lokale të ambasadës gjermane në një listë me gjoja mbështetësit e kritikut të qeverisë ruse, Aleksej Navalny, duke e akuzuar Gjermaninë për financim të Navalnyt të burgosur.

 

 

la/kle/qu (afp, dpa, rtr)

Protestat në Mal të Zi në fokusin e shtypit gjerman

Presseschau Deutsche ZeitungenNë Malin e Zi demonstruesit u përpoqën të pengonin ceremoninë e shugurimit të kreut të Kishës Ortodokse. Protestat ku pati mjaft të lënduar gjejnë jehonë edhe në shtypin gjerman.

Gazeta gjermanishfolëse zvicerane, “Neue Zürcher Zeitung” i kushton vëmendje zhvillimeve në Mal të Zi me artikullin “Mali i Zi grindet për rolin e kishës”. Jo temjani i ceremonisë kishtare, por gazi lotsjellës dhe tymi i zi i gomave të djegura do të mbeten në kujtesë nga ngjitja në detyrë e metropolitit Joanikije në Cetinje, shkruan NZZ. Situata u shkallëzua të dielën, ku pati skena përleshjesh mes demonstruesve dhe forcave të sigurisë. NZZ thekson, se shugurimi i metropolitit të Malit të Zi u shndërrua gjithnjë e më shumë në një çështje politike javët e fundit, e kjo ka të bëjë me marrëdhënien e komplikuar me Serbinë dhe sidomos me situatën e brendshme në vend.

“Lidhjet mes Podgoricës dhe Beogradit janë tradicionalisht të ngushta. Vetëm në vitin 2006 Mali i Zi doli nga federata e përbashkët. Që atëherë krahu politik i presidentit afatgjatë, Milo Gjukanoviç është përpjekur për distancim. Në anën e politikës së jashtme kjo reflektohej në lidhjen me perëndimin, brenda vendit në përpjekjet për forcimin e identitetit kombëtar. Këtu bëjnë pjesë edhe përpjekjet për të spostuar Kishën Ortodokse Serbe, besimin e së cilës e ka shumica e popullsisë, dhe ngritjen e një kishe kombëtare.” NZZ analizon, se Mali i Zi ka tani një metropolit të ri, por përçarjet në vend janë bërë më të thella, se kurrë më parë.

Kurse gazeta gjermane, “taz” tageszeitung në një opinion të gazetarit Erich Rathfelder me titullin “Pretendim sundues serb”, shkruan, se nëse Kisha Ortodokse serbe kërkon të dalë sërish politikisht në ballë, kjo të sjell kujtime jo të mira të viteve 90-të. Atëkohë ishte projekti i Serbisë së Madhe, që çoi në luftërat në Kroaci dhe Bosnje, sot është projekti, “Srpski Svet”, që do të thotë bashkim i “botës serbe”. “Kisha Ortodoske Serbe në Beograd sundon deri më tani në pjesën serbe të Republikës së Bosnje-Hercegovinës, në pjesë të Kosovës dhe kërkon tani të sundojë edhe në Mal të zi. Për shkak se në Serbi tradicionalisht, politika bindet ndaj fesë, politikisht kjo do të thotë, edhe në plan afatgjatë, që këto rajone të bashkohen në një shtet. “Bota Serbe” nuk është vetëm një ide shpirtërore-kulturore, siç paraqitet me dëshirë, por mban brenda edhe pretendimin për sundim. Ky pretendim u bë i qartë në mënyrë brutale tani në Mal të Zi.”

Kurse gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung” shkruan, se refuzimi masiv i ceremonisë, bazohet në atë, se kryeqyteti historik Cetinje konsiderohet djep i idesë së pavarësisë malazeze. “Realizimi i ceremonisë së shugurimit të Joanikijes me dhunë policie do ta thellojë edhe më shumë përçarjen në vend, sipas analistëve. Presidenti vendit, Milo Gjukanoviç, që në vitin 2006 përmes një referendumi e çoi vendin drejt pavarësisë, sipas të dhënave të veta në kohën e trazirave ndodhej në Cetinje, dhe fajësohet nga Kisha Ortodokse-Serbe se ka nxitur trazirat.”

la/nzz/taz/faz

Të paktën 46 viktima si pasojë e uraganit Ida

People look at U.S. Route 206, flooded as a result of the remnants of Hurricane Ida, in Somerville, N.J., Sept. 2, 2021. Presidenti Joe Biden shkon të premten në Luiziana për t’u takuar me guvernatorin John Bel Edwards dhe për të diskutuar rimëkëmbjen nga uragani Ida. Presidenti tha të enjten se Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave (FEMA) dhe agjenci të tjera do të punojnë derisa të plotësohen tërësisht nevojat e rajonit.

Zyrtarët në shtetet amerikane të Nju Jorkut, Nju Xhersit dhe Pensilvanisë thanë se të paktën 46 persona gjetën vdekjen si pasojë e përmbytjeve të shpejta të shkaktuara nga reshjet e rrëmbyera të shiut.

Zyrtarët në qytetin e Nju Jorkut dhe qarkun Uestçester thonë se rreth 16 persona vdiqën të bllokuar nga përmbytjet në apartamentet e nëndheshme ose të bllokuar në makinat e tyre. Të paktën 23 persona gjetën vdekjen në Nju Xhersi, tha guvernatori Phil Murphy. Të paktën pesë persona vdiqën në Pensilvani. Një banor i Kënektikatit dhe një tjetër në Merilend ishin gjithashtu viktima të përmbytjeve, thanë zyrtarët.

Ida preku zonën bregdetare në Luiziana të dielën si uragan i Kategorisë 4. Pas kësaj stuhia u drejtua për në Verilindje, ku u kombinua me një front tjetër atmosferik duke shkaktuar aq shumë shi të mërkurën, saqë Shërbimi Kombëtar i Motit lëshoi paralajmërimin e parë për situatë emergjente nga përmbytjet për qytetin e Nju Jorkut dhe qytetin fqinj Njuark në Nju Xhersi.

Shumë rrugë u shndërruan shpejt në lumenj, duke zhytur makina dhe madje edhe autobusë. Shumica e sistemit të metrosë së qytetit u mbyll nga përmbytjet.

Guvernatorja e Nju Jorkut Kathy Hochul foli me gazetarët pasi vizitoi qytetin dhe vuri në dukje nivelin rekord prej tetë centimetrash shi që ra në një orë në Parkun Qendror të Nju Jorkut, duke thyer një rekord të vendosur vetëm një javë më parë.

Kjo lloj ngjarjeje kataklizmike, shtoi ajo, ishte e paparashikueshme dhe qyteti dhe shteti duhet të përgatiten.

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë të enjten, Presidenti Biden premtoi gjithashtu ndihmë urgjente për guvernatorët e Nju Xhersit dhe Nju Jorkut si dhe shtete të tjera në rajon dhe u dërgoi ngushëllimet e tij familjeve që humbën njerëz të afërm si pasojë e përmbytjeve.

Presidenti Biden vuri në dukje se rajoni që goditi fillimisht uragani Ida (Misisipi dhe Luiziana) është një nga qendrat kryesore të prodhimit të naftës dhe infrastrukturës së përpunimit të saj në vend. Ai tha se qeveria po vepron me shpejtësi për të siguruar që mos ketë ndërprerje në furnizimin me benzinë në vend.

“Ne jemi të gjithë bashkë në këtë fatkeqësi,” tha presidenti Biden të enjten në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti gjithashtu i quajti stuhitë ekstreme dhe zjarret në Perëndim të vendit një kujtesë se ndryshimet klimatike janë reale. Ai i kërkoi Kongresit të miratojë projekt-ligjin e tij për infrastrukturën, i cili përmban masa për ta trajtuar këtë problem.

voa

Ku i marrin paratë talebanët?

Ku i marrin paratë talebanët?Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara të publikuar në qershor, grupi i militantëve talebanë arrinte të siguronte nga 300 milionë deri në 1.6 miliardë dollarë në vit, kryesisht përmes aktiviteteve kriminale. Zëri i Amerikës sjell një analizë të këtij raporti për të kuptuar më shumë detaje rreth mënyrës se si talebanët sigurojnë paratë e tyre.

Para se talebanët të merrnin pushtetin në Afganistan, ata kishin grumbulluar një burim të rëndësishëm – para.

Ndërsa është e pamundur të dihet me saktësi se sa para kanë mbledhur, është e qartë se militantët kishin për qëllim të krijonin pavarësi financiare.

Një raport i Kombeve të Bashkuara në qershor vlerëson se grupi militant grumbullonte 300 milionë deri 1.6 miliardë dollarë në vit.

Por nga erdhën këto para?

Pjesa më e madhe e tyre vjen nga aktivitetet kriminale, përfshirë prodhimin e opiumit dhe trafikun e drogës, si dhe përmes rrëmbimit të pengjeve e shkëmbimit të tyre për para.

Sipas këtij raporti, vetëm trafiku i drogës u siguroi talebanëve 460 milionë dollarë. Mbledhja e taksave në zonat që ata kontrollonin ishte një burim tjetër i të ardhurave.

Taksat ditore të mbledhura nga një pikë kontrolli mes qyteteve Pul-e Khumri dhe Mazar-e-Sharif vlerësohen të konsidueshme. Talebanët gjithashtu shtuan operacionet në minierat e zonave që kontrollonin, duke fituar 464 milionë dollarë vitin e kaluar.

Edhe më shumë para kanë siguruar nga donacionet e mbështetësve të pasur dhe një rrjet fondacionesh bamirëse joqeveritare.

Burime tjera financimi janë qeveritë e huaja.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë prej vitesh se talebanët kanë marrë para, armë dhe trajnime nga Rusia. Analistët thonë se militantët morën para edhe nga Pakistani dhe në një shkallë më të vogël nga Irani.

Tani që talebanët kontrollojnë Afganistanin, ata kanë mundësi të mbledhin edhe më shumë para, përmes qasjes në llogaritë e qeverisë dhe taksave federale. Sidoqoftë, ata gjithashtu duhet të përballojnë kostot e drejtimit të një qeverie.

Qeveria afgane shpenzoi 11 miliardë dollarë më 2018.

80 për qind e tyre erdhën nga ndihmat e huaja. Disa donatorë njoftuan se do të ndalojnë dërgimin e ndihmës, të paktën për momentin.

Ekonomistët paralajmërojnë se mungesa e dollarëve amerikanë mund të shkaktojë rënie të vlerës së monedhës afgane dhe rritje të inflacionit.

Talebanët po përballen gjithashtu me një ekonomi ndryshe nga ajo që udhëhohqën nga viti 1996 deri më 2001. Prodhimi i Brendshëm Bruto në vend pothuajse është pesëfishuar ndërsa ekonomia është urbanizuar.

voa