Kategoritë: Bota

Lajmet nga Bota

Programi i BQE-së për blerjen e obligacioneve shtetërore

Sot Banka Qendrore Evropiane fillon blerjen e obligacioneve shtetërore. Përse ndërmerret ky program?Banka Qendrore Evropiane (BQE) planifikon të blejë borxhet e vendeve të euros dhe të institucioneve publike si Banka Evropiane e Investimeve (EIB) apo banka shtetërore gjermane Kreditanstalt für Wiederaufbau (KfW). Ato të gjitha huazojnë para nga lëshimi i obligacioneve shtetërore, që kanë një afat të caktuar dhe norma interesi fikse. Bonot mund të tregtohen lirisht dhe mund të shiten dhe të blihen në tregjet financiare. Meqë BQE-ka e ka të ndaluar financimin e drejtpërdrejtë të shteteve, ajo mund të blejn bono vetëm në tregun sekondar, d.m.th. nga bankat apo investitorët institucionale. Obligacionet nga Greqia dhe Qiproja fillimisht janë përjashtuar nga blerja. Këto vende duhet të tregojë së pari se kanë përparuar në programet e tyre të reformave. Kësaj i shtohet edhe fakti se Banka Qendrore Evropiane nuk lejohet të blejë më shumë se një të tretën e të gjitha obligacioneve të një vendi.

Çfarë synon të arrijë BQE-ja me programin e blerjes?
Banka Qendrore Evropiane synon të luftojë inflacionin e ulët. Ky sipas vlerësimeve të Bankës Qendrore Evropiane do të jetë vit vetëm zero përqind, muajt e fundit ai ishte madje dhe negativ. Sipas objektivave të Bankës Qendrore Evropiane kjo kuotë është shumë shumë e ulët. BQE-ja e ka për detyrë të sigurojë stabilitetin e monedhës dhe e përcaktojë tabilitetin si një inflacion “afër, por nën dy për qind” në vit.
Përveç kësaj, Banka Qendrore do të sigurojë që ekonomitë familjare dhe bizneset të mund të marrin më shumë kredi. Kjo bëhet zakonisht përmes reduktimit të normës bazë. të interesit Por meqë kjo vështirë se mund të zvogëlohet edhe më tej (aktualisht është rreth 0,05 për qind), BQE-ja shpreson tani të arrijë një efekt me blerjen e obligacioneve.

Jörg Krämer, kryeekonomist në Commerzbank, mendon se paratë shtesë që BQE-ja do të hedhë në tregje vështirë se do të ndikojnë “në shumë vende të bashkimit monetar në rritjen e kredive për bizneset dhe ekonomitë familjare.” Argumenti i tij: bankat duhet të dëshmojnë kuota më të larta të kapitalit vetiak dhe për këtë arsye do të tregohen të kujdesshme në rastin e kreditimeve të rrezikshme.
Çfarë ndikimi do të ketë vërshimi i parave në treg ndaj kursit të euros?
Edhe shpallja e programit të blerjes çoi në uljen kursit të euros kundrejt dollarit amerikan. Aktualisht, euro është aq e dobët sa asnjëherë tjetër që nga viti 2003. Analistët e Commerzbank presin që blerjet e obligacioneve nga Banka Qendrore Evropiane “do ta dobësojnë më tej euron”. Kjo për shkak se paratë që do të hidhen në treg kërkojnë investime. Prej rënies së interesit bankat në eurozonë bëhen tërheqëse për obligacionet e huaja shtetërore. “Kështu bonot qeveritare të SHBA-së ofrojnë që tani përqindje më të larta interesi sesa bonot e Portugalisë”, thekson Commerzbank. Profesori i ekonomisë Kuester thotë se “rënia e kursit të këmbimit është një efekt i synuar”, sepse për degët eksportuese të vendeve të eurozonës euroja e dobët është si një lloj program stimulimi. Kjo për shkak se mallrat evropiane bëhen më të lira për tregjet e huaja dhe edhe më konkurruese në treg. (dw)

Ide për një ushtri të përbashkët në Evropë

Me këtë ushtri Evropa mund të reagojë në mënyrë të besueshme ndaj ndonjë kërcënimi të paqes në një shtet anëtar ose në një vend fqinj të BE-së.Në kuadër të konfliktit me Rusinë, Presidenti i Komisionit të BE-së, Zhan-Klod Junker u shpreh për krijimin e një ushtrie të përbashkët në Evropë. Me këtë ushtri Evropa mund të reagojë në mënyrë të besueshme ndaj ndonjë kërcënimi të paqes në një shtet anëtar ose në një vend fqinj të BE, tha Juncker për gazetën “Welt am Sonntag” (08.03). Përfaqësuesit e koalicionit qeveritar gjerman e mbështesin këtë ide.
Ministrja gjermane e Mbrojtjes Ursula von der Leyen (CDU)

tërhoqi vëmendjen për bashkëpunimin ushtarak tashmë në rritje midis shteteve evropiane dhe tha se: “Është mirë të kemi një ushtri të fortë evropiane për ta bërë të qartë se ne jemi të vendosur për të mbrojtur të drejtat e njeriut në botë, dhe veçanërisht për të mbrojtur paqen.”
Social-demokrati Hans-Peter Bartels tha: “Kur kemi arritur te një ushtri evropiane apo struktura më të mira të mbrojtjes evropiane, gjë që do të bëhet gradualisht, kjo do të ishte një shtyllë evropiane e NATO-s.”
Kurse Christine Buchholz, nga partia opozitare E Majta, e kritikoi idenë e Zhan-Klod Junkerit. Ajo tha: “Z. Juncker godet në këtë mënyrë hapur përpjekjet për të gjetur një zgjidhje paqësore apo një zgjidhje deeskalimi.” (dw)

Katastrofa siriane

Katër vjet më parë, sirianët u ngritën kundër regjimit të Assadit. Protestat u përhapën në luftë me shumë fronte. Shpejt nisën të luajnë rol edhe xhihadistët. Tani janë ata që i garantojnë mbijetesën politike Assadit.”Populli dëshiron përmbysjen e regjimit” – fjali si këto lexoje të sprucuara në mure godinash dhe shtëpish në mars 2011, në qytetin e Sirisë jugore, Daraa, të shkruara nga disa nxënës. Këta nxënës i arrestuan, gjë që i bëri banorët e qytetit të protestojnë në rrugë kundër arrestimit. Forcat e sigurisë të regjimit të Assadit pas kësaj hapën zjarr kundër demonstruesve. Kjo i bëri në ditët dhe javët në vazhdim edhe më shumë sirianë që të protestojnë në mënyrë paqësore kundër veprimit të ashpër të qeverisë. Por edhe këto demonstrata, regjimi i luftoi në mënyrën më të vendosur – dhe nisi me këtë një spirale dhune, viktimë e së cilës kanë rënë deri sot gati një çerek milioni sirianë. Të tjerë përpiqen që t’i shpëtojnë dhunës që ka kaluar çdo kufi. Rreth katër milionë sirianë janë larguar nga vendi që atëherë, rreth gjashtë milionë e gjysmë janë kthyer në migrantë të brendshëm.
Por prej kohësh sirianët nuk marrin arratinë vetëm nga dhuna e regjimit. Ata përpiqen t’u shpëtojnë edhe akteve mizore të grupeve xhihadiste, si të Frontit Al-Nusra, por para së gjithash të “Shtetit Islamik” (IS). Ai vepron pa mëshirë kundër atyre që i ka shpallur “të pafe” në rajonet që ka pushtuar.

“Repertor standard i diktatorëve”
Që xhihadistët arritën të përhapen kaq shumë në Siri si dhe në Irakun fqinj, kjo ka të bëjë drejtpërdrejt me Assadin, thotë politologu Nadim Shehadi, i cili punon në Qendrën Kërkimore britanike, Chattham House. Për Assadin nuk ekzistonte mjet tjetër më i mirë se ky, për ta larguar regjimin e tij nga shënjestra. “Një mënyrë e tillë veprimi bën pjesë në repertorin standard të diktatorëve. Hap burgjet, liron kriminelët. Shkakton kaos dhe pastaj hiqesh sikur do ta luftosh këtë kaos – dhe e rifiton në këtë mënyrë legjitimitetin tënd.”
Me të vërtetë, vështrimi i bashkësisë ndërkombëtare ndaj Sirisë ka ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme. Nëse në vitin e parë të luftës, në qendër të vëmendjes ishin aktet mizore të regjimit të Assadit, në muajt pasues në qendër të vëmendjes avancuan marshimi fitimar dhe më pas aktet mizore të IS. Prerje koke, djegia në të gjallë i një piloti jordanez, njerëz që i hedhin nga katet më të larta të ndërtesave poshtë: me dhunën e tij të shfrenuar IS i tmerroi njësoj si myslimanët, ashtu edhe jo myslimanët. Dhe më e vonta, që kur në verë 2014 organizata terroriste shpalli kalifatin e saj, ishte e qartë që pretendimi i saj për pushtet nuk njeh kufi. Përmes atentateve në vende të tjera, si në Evropë, në Kanada dhe në Australi, xhihadistët nuk kanë vend për dyshim se zotërojnë një rrjet të përbotshëm simpatizantësh dhe mbështetësish potencialë, të gatshëm për të goditur kudo dhe në çdo kohë.
Veprimi ushtarak kundër IS i nevojshëm, por i pamjaftueshëm
Barah Mikhail, politolog në Institutin e Kërkimit të Paqes FRIDE në Barcelonë thotë se problemi në plan afatgjatë nuk mund të zgjidhet ushtarakisht. “Megjithatë ndëkohë nuk po avancojmë as politikisht. Aktualisht gjendja duket e tillë që me IS nuk mund të zhvillosh negociata”.

Prandaj IS e vendos bashkësinë ndërkombëtare para sfidave shumë afatgjata, thotë Mikhail në intervistë me DW. Duhen krijuar rrethana që e ndalojnë në plan afatgjatë procesin e rekrutimit nga IS. Simpatizantët dhe mbështetësit potencialë mund t’i ndalosh pa dyshim që të bashkohen me IS, thotë ai. “Por kjo mund të arrihet vetëm po t’i integrosh ata më mirë në Perëndim dhe po të eleminosh në Lindjen e Mesme difekte qendrore si korrupsioni dhe papunësia. Po të mos arrihet kjo, gjithnjë e më shumë njerëz do të ndihen të tërhequr nga IS.”
Përballë akteve të mizorisë të IS, Assadi nuk është më për bashkësinë ndërkombëtare armiku numër një. Ndryshe nga xhihadistët, regjimi i tij konsiderohet vërtet ilegjitim, por krahasimisht i parashikueshëm në veprimet e tij – dhe si garant i stabilitetit rajonal, nëse jo ndërkombëtar. “Qeveria Obama-s e ka bërë tashmë të qartë se ajo dëshiron që Bashar al Assadi të qendrojë në pushtet”, deklaron Nadim Shehadi. “Ajo nuk do qeveri të re në Siri.” (dw)

Asnjë gjurmë – Një vit nga zhdukja e avionit MH370

Më 8 mars të vitit të kaluar u zhduk avioni i pasagjerëve MH370 i shoqërisë malajziane së fluturimit, në itinerarin Kuala Lumpur-Pekin. Fati i avionit MH370 nuk dihet, kërkimet vazhdojnë deri në thellësitë 6.000 metra.Megjithëse mendohet se avioni Boing 777, ku ndodheshin 227 pasagjerë dhe 12 anëtarë të ekuipazhit në bord, është rrëzuar në Oqeanin Indian, asnjë nga përpjekjet ndërkombëtare për lokalizimin e pjesëve të rrëzuara nuk ka pasur sukses deri tani. Më 29 janar DCA- Autoriteti i Aviacionit Malajzian bëri zyrtarisht të ditur se bëhet fjalë për një aksident, në të cilën mund të mendohet se kanë humbur jetën të 239 pasagjerët. Kjo deklaratë jep mundësinë tani për zhdëmtimin e të afërmve të viktimave. Malajzia thekson se gjetja e avionit të zhdukur ka prioritet.
Të dhënat satelitore tregojnë se avioni MH370 ka fluturuar më shumë se gjashtë orë pas zhdukjes nga radari. Në një intervistë ekskluzive me Deutsche Welle-n, flet Martin Dolan, drejtues i Zyrës Australiane për Sigurinë e Transportit, organizatë që koordinon kërkimet në Oqeanin Indian.
DW: Sa optimistë jeni tani, pas një viti aksioni kërkimesh se po kërkoni në vendin e duhur për të gjetur pjesë të avionit?
Martin Dolan: Jemi optimistë të rezervuar, sepse jemi të binudr që me metodat që po përdorim mund të zbulojmë gjurmë rrënojash. Duhet të jemi megjithatë të kujdesshëm, sepse nuk kemi gati asnjë informacion për pozicionin e avionit në tabanin e detit. Zona aktuale e kërkimit është bërë mbi bazën e rikonstruktimit të itinerareve të mundshme të fluturimit – një analizë unikale e të dhënave satelitore me informacionet e transmentuara nga avioni. Por kërkimet janë një sfidë e madhe, dhe nuk kemi asnjë garanci se jemi në rrugën e duhur.

Sa vende dhe sa anije janë të përfshira aktualisht në aksionin e kërkimit?
Aktualisht janë tre anije që merren me kërkimet nëndet – anija Fugro Equator, Fugro Discovery und Fugro Supporter – të cilat financohen nga qeveria e Australisë dhe Malajzisë. Përveç kësaj në mision merr pjesë edhe GO Phoenix, e cila financohet tërësisht nga qeveria malajziane. Krahas ekuipazhit normal në anije ndodhen edhe specialistët për kërkimin apo vlerësimin e të dhënave. 35 vetë në çdo anije, të cilët punojnë gati 47 ditë pa ndërprerje në det të hapur. Por ka edhe grupet e punës në qendrën e koordinimit në Australi, specialistët që janë në vend, apo shumë punonjës të tjerë nga qeveria kineze dhe malajziane. I gjithi është një mision shumë i madh që angazhon shumë njerëz.
Çfarë lloj aparaturash përdoren dhe si funksionojnë ato?
Tre nga anijet – die GO Phoenix, Fugro Discovery und Fugro Equator merren me kërkimet nën det, ata kanë radarë e skanerë speciale dhe kamera. Aparatura të tilla mund të punojnë deri në 6000 metra thellësi, janë të lidhur me kabllo me gjatësi prej disa kilometrash, deri në 10 kilometra dhe janë në funksion për javë të tëra, pa qenë nevoja të tërhiqen lart. Por ka zona si humnera në det për shembull apo ndryshime relievi që e bëjnë të pamundur futjen e aparaturave. Për të siguruar që edhe këto zona të mbulohen, është vënë në përdorim, Fugro Supporter, nga 29 janari. Kjo anije është e pajisur me një automjet lëvizës nënujor, (shkurt i njohur si AUV, shën.red.)me rrota dhe motorr më vete, ky automjet është shumë i manovrueshëm për të vazhduar kërkimet e programuara më parë. Pas çdo misioni AUV ngjitet lart, ne i marrim të dhënat dhe i ndërrojmë bateritë. AUV mundëson një kërkim mjaft efektiv.
Ku ka qenë vështirësia më e madhe deri më tani apo sfidat më të mëdha për gjetjen e avionit në zonën ku po kërkoni?
Vështirësia kryesore është mungesa e informacioneve për pozicionin e avionit dhe itinerari i fluturimit, pas ndërprerjes së kontaktit me radarët në veriun e Sumatras. Tek shumica e avionëve të rrëzuar, pozicioni i fundit i dhënë ndodhet relativisht pranë vendit të rrëzimit. Në këtë rast ne e dimë se MH370 ka fluturuar edhe shumë orë të tjera, pas zhdukjes nga radari. Nga ana tjetër përgatitja e misionit nënujor të kërkimit ishte shumë e vështirë. Duhej të gjenim ekspertët për t’u konsultuar për aparaturat teknike, dhe specialistët e duhur për kërkimet. Ndoshta ata nuk janë vënë re nga opinioni, por ka pasur specialistë, anëtarë të ekuipazhit që kanë punuar deri natën vonë për të përgatitur gjithçka.

Në çfarë thellësie mendoni se mund ta gjeni avionin e në ç’gjendje?
Zona e kërkimit është shumë e ndryshueshme në reliev për sa i përket thellësisë. Disa pjesë arrijnë 6.000 metrat, kjo është një ndër arsyet pse kërkimi është kaq i vështirë. Nuk mund të thuhet me siguri gjendja e avionit. Ka gjasa që të jenë ndarë në shumë pjesë pas përplajes me sipërfaqen e ujit dhe është fundosur pastaj.
Ky është misioni më i shtrenjtë i kërkimit në historinë e aviacionit. Kush i merr përsipër shpenzimet?
26 vende janë pjesë e misionit deri më tani, ku çdo vend ka marrë përsipr shpenzimet e veta. Australia ka dhënë 90 milionë dollarë, nga të cilat 60 milionë lidhen më kërkimin nënujor.
Po kush vendos nëse kërkimet do të vazhdojnë apo jo nëse avioni nuk do të gjendet.
Çdo vendim për këtë do ta marrin qeveritë e Australisë, Malajzisë dhe Kinës. .
Martin Dolan ist drejtor i Zyrës Australiane të Sigurisë së Transportit (ATSB).

Ushtarë rusë në Ukrainë

Një tankist i plagosur rus pranoi në një intervistë: Ushtarë profesionistë rusë luftojnë në frontin e parë. Sipas gazetarëve ata janë shumë të kujdesshëm që të mos bien në sy të gazetarëve e të vëzhguesve të tjerë.Ishte një rrëfim surprizues. Në një intervistë me gazetën opozitare ruse “Novaya Gazeta” (02.03.2015) një tankist i plagosur rus pranoi atë që shumëkush ka kohë që e supozon: që përkrah separatistëve në Ukrainën lindore kundër ushtrisë ukrainase luftojnë edhe ushtarë aktivë rusë. Dhe ndoshta shumë. Një ditë pas publikimit të intervistës gjenerali amerikan Ben Hodges tha në Berlin se ushtria amerikane mendon se janë rreth 12.000 ushtarë të tillë.
Kjo nuk është historia e parë e këtij lloji. Gazeta ruse “Kommersant”, botoi më 19 shkurt një reportazh çuditërisht të hapur për përfshirjen e ushtarëve rusë në Ukrainë lindore nga ana e separatistëve prorusë. Surpriza qe se ky artikull u botua në versionin online të kësaj gazete, që i përket oligarkut pro Kremlinit, Alisher Usmanov. Në tekst korrespondenti Ilya Barabanov përshkruan, se si ai qe takuar me tre rusë, të cilët kishin qenë deri kohët e fundit ushtarë në ushtrinë ruse, dhe se pastaj gjoja nga bindja kanë shkuar gjysmën e dytë të janarit në Ukrainë Lindore për të luftuar atje. Ushtarët profesionistë rusë luftojnë sipas gazetarit në frontin e parë dhe janë shumë të kujdesshëm që të mos bien në sy të gazetarëve dhe të vëzhguesve të tjerë.

Për shpërblime dhe dekorata
Dmitri Pyslar nga Komiteti i Nënave të ushtarëve nga Rusia, tha në intervistë me DW-në, se ushtarët rusë janë duke luftuar në Ukrainë lindore, dhe ata ishin të pranishëm edhe gjatë sulmit në Debalceve, madje edhe pas armëpushimit. Por meqë çdo gjë ndodh fshehurazi dhe më mënyrë sekrete, është shumë e vështirë për të marrë të dhëna të sakta dhe të plota. Është e pamundur që ta përcaktosh numrin e ushtarëve që marrin pjesë në operacione të tilla, thotë Pyslar. “Ne kemi provuar dhe dështuar. Disa shkojnë, të tjerë vijnë. Në Ukrainë nuk ka një trupë të stacionuar për gjithë kohën.”
Aktivistët e të drejtave të njeriut në Rusi dyshojnë për pretendimin e përhapur se ushtarët rusë po kalojnë “lejen dhe pushimet” në frontin e luftës në Donbas, apo po luftojnë vullnetarisht dhe pa ndonjë kontratë me ushtrinë ruse. Valentina Melnikova nga “Lidhja e Komiteteve të Nënave të Ushtarëve” ka pasur disa takime me ushtarët i ka pyetur ata. Asnjë prej tyre nuk na ka thënë, se ka qenë për pushime ose vullnetarisht aty, tha ajo në një intervistë DW, Përkundrazi, kjo është një legjendë. Ushtarët, me të cilët ka folur Melnikova kanë thënë se atyre “u është premtuar një shpërblim”, një dekoratë ose statusi i veteranit. Shpesh, megjithatë, këto premtime u nuk mbahen. “Ata janë ankuar tek ne, se nuk do shkojnë për herë të dytë në Ukrainë, sepse nuk kanë marrë asgjë nga ato që u kishin premtuar.”

Ushtarë që zhduken dhe rishfaqen
Në Rusi ekziston një ligj që shteti mund t’i dërgojë ata që kryejnë shërbimin ushtarak jashtë vendit, vetëm në qoftë ata e pranojnë shprehimisht këtë. Megjithatë ka mjaft raste ushtarësh, të cilët për shkak se kanë refuzuar, janë vendosur nga Prokuroria Ushtarake në ndjekje penale për dezertim, thotë Valentina Melnikova. E njëjta gjë ndodh me ushtarët rusë që kapen rob në Ukrainë.
Një rast të tillë ka dokumentuar Melnikova me ndihmën e gazetës New York Times. Një jetim i quajtur Petr Hohlov kishte nënshkruar në vitin 2014 një kontratë të përkohshme me ushtrinë ruse. Një ditë ai papritmas u zhduk nga baza e tij ushtarake, pa lajmëruar për këtë as të shoqen, as vëllain. Disa kohë më vonë ai u shfaq në një video të autoriteteve ukrainase – si ushtar rus i zënë rob.
Më vonë i vëllai mësoi se Petri qe shkëmbyer si rob me ushtarë ukrainas dhe përfundoi tek separatistët. Por përfaqësuesit e ushtrisë ruse thonë zyrtarisht se Hohlow duhet të ketë dezertuar. Petri humbë sërish pa gjurmë. Dhe vetëm disa muaj më vonë, një gazetar i New York Times e ndeshi përsëri Petr Hohlovit në një pikë kontrolli të separatistëve në Ukrainën lindore. Ai i kishte thënë gazetarit se ishte atje vullnetarisht.
“Turistë” luftëtarë në Donbas
Qeveria e Moskës thotë në mënyrë të përsëritur se nuk “ka trupa të rregullta ruse” në Ukrainë. Dhe ky formulim mund të jetë i vërtetë, sepse deri tani nuk janë parë formacione apo njësi të ushtrisë ruse në Ukrainë lindore. Vetëm një herë, në fund të gushtit të vitit të kaluar, qe parë në Ukrainë një grup i madh ushtarësh rusë. Autoritetet ruse deklaruan në atë kohë, se ata kishin humbur rrugën dhe kishin kaluar kufirin pa e ditur se janë në Ukrainë.
Ky është qëndrimi zyrtar i Kremlinit. Megjithatë ka edhe politikanë jo shumë të njohur rusë që po flasin gjithnjë e më hapur për “vullnetarë” me përgatitje ushtarake që luftojnë në Ukrainë, në front në Donbas. Viktor Zavarzin, deputet dhe anëtar i Komitetit të Mbrojtjes të Dumës ruse, tha: “Qëndrimi ynë se të gjithë që janë liruar nga ushtria apo janë me pushime, mund të shkojnë kudo që dëshiron. Ka fakte që ka oficerë dhe ushtarë që shkojnë atje për të marrë pjesë në luftime. Ne nuk e fshehim këtë fakt. ” (dw)

Koment: Dëshira e madhe e Kinës për forcë

Kina sërish do ta rrisë buxhetin ushtarak. Kjo i shqetëson vendet fqinjë, por i shkon përshtat Kinës për vetëdijen e re. Megjithatë Kina mund ta demonstrojë forcën edhe ndryshe, mendon Alexander Freund.Kina definitivisht nuk ka forcë efikase ushtarake. Deri tani Pekini ka vetëm ekonomikisht forcën, për t’u imponuar në botë. Gjithçka përqendrohet tek motori ekonomik kinez, ndërsa Pekini qendron i distancuar ndaj konflikteve të mëdha, të paktën ushtarakisht. Fuqizimi ekonomik deri tani ka prioritetin më të lartë. Por kjo me siguri do të ndryshojë, sepse Kina kohët e fundit po tregohet gjithnjë e më e vetëdijshme – madje mund të thuash: më agresive – në vendimmarrje. Në këtë kontekst bën pjesë edhe fakti, që Kina sërish do ta rrisë ndjeshëm buxhetin ushtarak. Ndonëse disi më pak se vitin e kaluar, Kina prej vitesh investon shuma marramendëse për modernizimin e ushtrisë dhe kjo u ngjall shqetësim jo vetëm fqinjëve të saj. Jo pa të drejtë udhëheqja kineze i referohet faktit, që SHBA-ja shpenzon shumë më tepër për armatimet. Por SHBA-ja e konsideron veten si superfuqia e vetme e mbetur. E pra mos vallë këtu kemi të bëjmë me matjen me dy kute të ndryshme?
Pekini ende e ndien veten inferior ushtarakisht. Vërtetë Kina me 2,1 milionë ushtarë ka si numër ushtrinë më të madhe në botë, ka aviacionin ushtarak më të madh në Azi dhe posedon raketa interkontinentale me pajisje atomike, që mund të arrijnë edhe SHBA-në. Pekini nuk synon vetëm mbrojtjen e vendit, por ka si qëllim ruajtjen ofensive të sferave të interesit. Ndaj Pekini në radhë të parë do të investojë për armët ofensive, në mënyrë që të mund t’i fitojë shpejt konfliktet rajonale. Sa u përket aeroplanmbajtëseve p.sh. kombi krenar deri tani ka vetëm një të vetme, një model të ristrukturuar nga Ukraina.
Mund të thuhet, se është e drejta e kinezëve, që pas fuqizimit ekonomik të kërkojnë të aftësohen edhe ushtarakisht në nivel konkurrues, tek e fundit edhe të tjera fuqi të mëdha vazhdimisht i kanë mbrojtur ushtarakisht interesat e tyre. Amerikanët e SHBA-së e bëjnë këtë gjithsesi. Por tani sërish të njëjtën gjë po bëjnë edhe rusët në Ukrainë.

Edhe ushtarakisht më në fund kryesuese
Por bazuar tek e njëjta e drejtë në të gjithë Azinë po bëhet një armatim gjigand, që duhet të aktivizojë këmbanat e alarmit jo vetëm tek shtetet fqinjë të Kinës apo ata përtej Paqësorit, por tek të gjithë. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për tregtinë e globalizuar botërore përmes itinerarit aziatik të anijeve. Por bëhet fjalë edhe për një rritje të mosbesimit në Azi dhe për kapërcimin gjithnjë e më shumë të kufirit drejt zgjidhjeve ushtarakisht dhe jo më me mjete diplomatike të konflikteve. Kjo mund të përfundojë në katastrofë dhe efekti i saj mund të ndihet në mbarë globin.
Sepse qysh tani krahas Kinës po armatosen fuqishëm edhe India e Japonia, Filipinet dhe Indonezia, Vietnami, e në fakt pothuajse të gjithë. E potencial konflikti ka me bollëk. Kryesisht potencial shpërthyes bartin grindjet për male-ishuj më shumë të pabanuar, për të cilat vazhdimisht hedhin benzinë në zjarr forcat nacionaliste në vendin përkatës. Por natyrisht që në këto konflikte është fjala për bazat e peshkimit apo rezervat e munshme të lëndëve të para, e në radhë të parë për sferat e influencës. Kina provokon dhe përmes eskavatorëve ka krijuar anë e mbanë fakte të kryera duke i betonuar atolet si pista tokësore, duke ndërmarrë kryqëzata me anije luftarake dhe duke treguar prezencë në mënyrë demonstrative, nën moton pa shihni këtu: ne kemi ardhur për të qendruar. Kjo diplomaci e eskavatorëve shoqërohet nga një flotë ushtrake gjigante, e cila nuk le më aspak vend për dyshime.
Mes ruajtjes së interesave dhe agresionit
Kina do të ripozicionohet në politikën e sigurisë. Këtu bën pjesë edhe një “ligji ri kundër terrorit”, përmes të cilit t’i lejohet Kinës që të ndërhyjë ushtarakisht edhe jashtë vendit, në rast se kërcënohen shtetasit apo interesat e saj kombëtare. Ndërkohë që edhe Japonia fqinje po planifikon një ligj të ngjashëm. Edhe atje qeveria konservatore-nacionaliste e konsideron kushtetutën jo më të përshtatshme për kohën, në sfondin e kërcënimeve që supozohen – ndër të tjera edhe nga Kina. Kush do t’ia mohojë ndokujt të drejtën për mbrojtje? A nuk duket në rregull në vështrim të parë “ligji kundër terrorit”? Por siç dihet kufijtë drejt agresionit janë të luhatshëm. Edhe këtë e kanë demonstruar ndërkohë rëndom fuqitë e tjera të mëdha.
Rritja e buxhetit ushtarak në Kinë megjithatë nuk do të thotë, se Pekini vërtetë armatoset për një luftë. Ende është koha për t’i shmangur gabimet e së shkuarës. Në shumicën e vendeve aziatike zhvillimi ekonomik luan një rol më të rëndësishëm se grindjet territoriale. Tregtia e gërshetuar fort i pengon përshkallëzimet dhe forcon bashkëpunimin në frymën e besimit. Tek e fundit të gjithë preferojnë të bëjnë biznes. Një ekonomi në lulëzim prodhon mirëqenie. Nëse prej saj përfitojnë mundësisht sa më shumë, gjaknxehtët nacionalistë nuk kanë shans – qofshin ata në Pekin, në Tokio apo në Uashington. Ndaj tani kërkohet maturi, sepse provokimet shumë shpejt mund të dalin jashtë kontrollit. Të qenit i rezervuar nuk duhet të jetë shenjë dobësie. Forca mund të demonstrohet në mënyra të ndryshme. Sepse edhe Kina prej kohësh është një superfuqi. E këtë ajo e ka arritur pa ndonjë armatim masiv. (dw)

ISIS shkatërron qytetin e lashtë irakian

Kreu i UNESCO-s dënoi prishjen e qyetit të lashtë asirian të Nimrudit në Irakun verior nga militantët e Shtetit Islamik, duke thënë se “shkatërrimi i qëllimshëm i trashëgimisë kulturore përbën krim lufte”.Militantët e filluan shkatërrimin e qytetit me buldozerë. Ky është më i fundit mes një serie sulmesh ndaj trashëgimisë historike të Irakut. Zyrtarët thanë se militantët përdorën automjete të rënda ushtarake gjatë shkatërrimit, që filloi pas lutjeve të pasdites.

Ministria e Turizmit e Irakut tha përmes një deklarate se militantët e ISIS-it vazhdojnë t’u kundërvihen dëshirave të mbarë botës dhe ndjenjave njerëzore me sulmet e tyre ndaj qendrave dhe objekteve historike. (voa)

Radikalizimi i të rinjve myslimanë

Myslimanët e rinj po radikalizohen “në dhomat e tyre të gjumit”, përmes kontaktit të drejtpërdrejtë në internet me luftëtarët e Shtetit Islamik, thonë ekspertët e terrorizmit. Ka shqetësime në rritje se autoritetet dhe kompanitë e internetit nuk janë duke bërë sa duhet për të luftuar ekstremizmin në internet, që analistët thonë se është përhapur nga një rrjet i sofistikuar i mbështetësve që përdorin internetin në mbarë botën.Në një natë të ftohtë shkurti në Stamboll, kamerat e survejimit kapën tre vajza britanike, dy prej të cilave janë të moshës 15 dhe tjetra 16 vjeç, në një stacion të autobusëve, në rrugën e tyre për t’u bashkuar me Shtetin Islamik. Pas një udhëtimi 18 orësh me autobus, besohet se ato kaluan në Siri disa ditë më vonë.
Çfarë i shtyu këto nxënëse të suksesshme të lënë familjet e tyre për një zonë lufte dhe të bashkohen me luftëtarët e Shtetit Islamik? Zyrtari britanik i kundër-terrorizmit fajëson mediat sociale.

“Ndryshimi që kemi parë gjatë disa viteve të fundit është se këto mesazhe ekstremiste tani po shpërndahen përmes internetit drejt në dhomën e gjumit të fëmijës tuaj”.

Hetuesit thonë se një tjetër grua britanike, Aqsa Mahmood, e cila ka shkuar në Siri për t’u bashkuar me Shtetin Islamik, ndihmoi në rekrutimin e tre adoleshenteve.

Është një fenomen që po ndodh gjithnjë e më shpesh në mbarë botën, si pjesë e përpjekjeve të Shtetit Islamik për rekrutimin e burrave dhe grave, sipas ekspertit të terrorizmit, Shiraz Maher të Universitetit Kings College në Londër.

“Sot, ju mund të bisedoni drejtpërdrejtë me një luftëtar. Ju mund të pyesni ata se si është jeta në terren dhe se si ata kanë arritur atje. Dhe kjo në shumë aspekte ju ndihmon të kapërceni frikën tuaj, apo gjërat e tjera që ju ndalojnë të shkoni atje”.

Zoti Maher thotë se këto pyetje në internet shpesh përqëndrohen në ndikimin e tyre mbi familjet që ata kanë lënë pas.

“Si i treguat nënës që ju keni shkuar në Siri? Si e keni tejkaluar këtë dhe nga ana emocionale si jeni pajtuar me faktin se ju keni rënduar zemrën e saj?”

Zoti Maher thotë se propaganda e Shtetit Islamik gjithashtu mbështetet në një rrjet të grupeve të simpatizantëve në internet.

“Ne i quajmë ata ‘shpërndarës’. Dhe këta shpërndarës janë tepër të rëndësishëm sepse ata nuk janë në terren, ata janë në gjendje të mbledhin dhe përhapin sasi të mëdha informacioni nga burime të shumta”.

Një nga këta persona ka jetuar në këtë banesë në Bangalore të Indisë që vepronte nën emrin ‘ShamiWitness’ në Twitter. Ai u arrestua në dhjetor.

Llogaria ShamiWitness në Twitter, tani është joaktive por ende mund të kontrollohet dhe ka mbi 17 mijë ndjekës. Ajo përfshinte propaganda të Shtetit Islamik, këshilla për rekrutët e rinj dhe mesazhe lavdërimi për luftëtarët e vdekur.

Drejtori i Zbulimit Kombëtar të Shteteve të Bashkuara, James Clapper tha të hënën se shqetësimi i tij më i madh është rritja në vend e ekstremizmit të frymëzuar përmes internetit.

“ISIL-i është shumë i sofistikuar në përhapjen e propagandës, rekrutimin dhe ata janë përdorues shumë të mirë të mediave sociale. Pra, kjo është një sfidë për ne dhe për Evropën”.

Analistë të sigurisë thonë se propaganda ekstremiste në internet duhet të luftohet me mjete të internetit, për të parandaluar radikalizimin e të rinjve. (voa)

Turqia po thyen dhëmbët tek Asadi

Katër vjet pas fillimit të kryengritjes kundër Bashar al Asadit Turqisë i duhet të marrë në konsideratë se ka dështuar në objektivin e saj kryesor: Assadi vazhdon të jetë në pushtet. Po tani?Si ministër i Jashtëm i Turqisë, kryeministri Ahmet Davutoglu u përpoq menjëherë pas shpërthimit të trazirave në Siri në mars 2011 që ta nxisë për reforma politike qeverinë e Asadit. Por kur apelet e Davutoglusë kaluan pa asnjë vëmendje, Ankaraja kaloi në një armiqësi pa kompromis kundër Assdit. Qeveria turke ishte e sigurtë se përballë kryengritjes, kryetari i shtetit sirian ndodhej para fundit të tij. Assadit i mbeten më e shumta disa javë ose muaj, tha Davutoglu në gusht 2012.
“Është katastrofë”
Por Davutogluja u gabua. Pas katër vjetësh luftë civile sot askush nuk e pret më largimin e shpejtë të Asadit. Forcat e moderuara të opozitës, si “Ushtria e lirë siriane” (FAS) po kalojnë gjithnjë e më tepër në defensivë. Atyre u duhet të mbrohen sot si kundër trupave qeveritare të Asadit, ashtu edhe përballë milicëve islamikë që po bëhen gjithnjë e më të fortë, para së gjithash ndaj “Shtetit Islamik” (IS). IS ka vendosur pjesë të tëra të Sirisë dhe të Irakut nën kontrollin e tij dhe po zhvillohet në një kërcënim për vetë Turqinë.

Planet e Turqisë për të luajtur në konfliktin e Sirisë një rol si fuqi rajonale rendi, përballë kaosit në Siri janë kthyer në letra pa vlerë. “Është katastrofë”, i tha DW Osman Nuri Özalp, politolog në Universitetin Gjermano-Turk në Stamboll. Turqia ka humbur në Siri dhe në rajonin e Lindjes së Afërt shumë nga ndikimi i saj.

Konstante në politikën turke ndaj Sirisë
Megjithatë, rrëzimi i Assdit mbetet objektivi i parë i Turqisë në Siri. Vetëm pak kohë më parë, Davutoglu theksoi se qeveria siriane duhet të japë llogari për “masakrat e kryera në katër vitet e fundit ndaj popullit”. Së dyti, Turqia vazhdon t’i përmbahet “politikës së dyerve të hapura” përballë refugjatëve nga Siria. Kjo megjithëse numri i madh i refugjatëve në qytetet turke përgjatë kufirit poshkakton ndërkohë probleme sociale.
Konstantja e tretë në politikën turke ndaj Sirisë është mbështetja për forcat opozitare siriane. Koalicioni Kombëtar Sirian, një organizatë ombrellë që përmbledh kundërshtarët e moderuar të Assadit, takohet rregullisht në Stamboll. Vëzhgues, si ish-Ambasadori i SHBA në Ankara, Francis Ricciardone, e kritikojnë veç kësaj Ankaranë se mbështet edhe grupe radikale-islamike në Siri. Turqit janë kanë qenë të bindur se mund të punonin me këta milicë, tha Ricciardone vitin e kaluar. Zona kufitare me Sirinë ka qenë e hapur për ekstremistët.
Ankaraja i hedh poshtë këto kritika.Për ta forcuar pozicionin vetjak, Turqia kohët e fundit mbështetet më shumë sërish tek fuqia drejtuese perëndimore SHBA. Ankaraja dhe Uashingtoni i stërvitin së bashku trupat qeveritare siriane. Por diferencat bazë me SHBA deri tani nuk qe e mundur të sqarohen. Sipas informacioneve të shtypit, Uashingtoni – ndryshe nga Turqia – nuk e shikon më një largim nga posti të Asadit si kusht bazë për një zgjidhje të situatës në Siri. (dw)

Apartamentet e miliarderëve në Nju Jork

130 deri 150-milion dollarë. Këto janë çmimet e fundit rekord të apartamenteve luksoze në qiellgërvishtëset e Nju Jorkut. Ndërtesat sa vjen e po bëhen më të larta, çmimet po rriten dhe reagimet sa vjen e shtohen.Kjo ndërtesë quhet 432 Park Avenue. Është e lartë 426 metra, aktualisht më e larta ndërtesë banimi në hemisferën Perëndimore. Por ka edhe të tjera.

Janë 12 qiellgërvishtëse të reja në faza të ndryshme të ndërtimit. Ato ndodhen kryesisht në rrugën 57 të Manhatenit.

Me çdo ndërtim të ri, rritet edhe çmimi i apartamenteve. Është bërë i zakonshëm 30 deri në 40-milion dollarë për një apartament luksoz që mund të mos përdoret kurrë. Sipas gazetës New York Times, shumë prej këtyre apartamenteve janë pronë e kompanive joaktive që merren me manovra financiare. Nuk ka problem, thotë avokati Edward Mermelstein, i cili përfaqëson disa investitorë të huaj. Ai thotë se çmimet në Nju Jork janë mjaft të lira dhe klientët e tij paguajnë me para në dorë.

“Ne kemi plot blerës të huaj. Ata e shohin Nju Jorkun si një qytet më pak të shtrenjtë në krahasim me qytetet e tjera dhe me shumë vend për rritje.”

Kështu mendon edhe kritiku i arkitekturës Paul Goldberger. Por ai sheh një problem te fakti që apartamentet mbahen bosh.

“Kuptohet se ata nuk paguajnë taksa pasi zyrtarisht kjo nuk është banesa e tyre kryesore. Gjithatu, në ligjet tona ka boshllëqe dhe kjo ka lejuar që të ndërtohen ndërtesa shumë, shumë të larta pa pyetur shumë për mendimin e publikut.”

Kjo çështje ishte temë e një takimi të Bordit të Komunitetit lokal. Bordi po kërkon ndryshime në ligjet e ndërtimeve dhe thotë se ndërtime të tilla të larta janë problem për publikun e gjerë.

Layla Law Gisiko, është anëtare e bordit

“Këto ndërtesa do të bëjnë hije të mëdha në Parkun Qendror. Dhe po flasim për të paktën 12 ndërtesa që ne e dimë se janë në planifikim në Manhattan.”

“Kjo do të thotë se gjatë ditës në dimër parku do të jetë më i ftohtë, pra njerëzit nuk do të mund ta përdorin parkun si më parë”.

Por ndërtuesit nuk flasin. Ata vazhdojnë punën. Në tryezë është hedhur propozimi për një qiellgërvishtës 433 metra të lartë, më i larti i Hemisferës Perëndimore. Edhe ai do të jetë në Rrugën 57, e cila tani quhet Rruga e Miliarderëve” (voa)