Kategoritë: Bota

Lajmet nga Bota

Hungaria – Ndërmjet Rusisë dhe BE

Marrëdhëniet mes Hungarisë e BE janë të ftohta. Për herë të parë të hënën Angela Merkel shkon në Budapest për t’u takuar me Viktor Orbán. Kjo nuk është një vizitë normale, sepse kreu i qeverisë tenton drejt Rusisë.Hungaria prej vitesh ka qenë një shqetësim politik për Bashkimin Evropian. Kryeministri Viktor Orban, që erdhi në pushtet në fillim të vitit 2010 me një shumicë prej dy të tretash, e ka ndryshuar vendin në kundërshtim me shumë vlera themelore të BE-së. Që atëherë marrëdhëniet mes Hungarisë dhe BE dhe shteteve të tij anëtare janë përkeqësuar në mënyrë të vazhdueshme. Edhe marrëdhëniet me Gjermaninë, partnerin më të rëndësishëm ekonomik dhe për kohë të gjatë dhe politik të Hungarisë, janë dëmtuar.
Pavarësisht nga këto kancelarja gjermane Angela Merkel shkoi të hënën për një vizitë të shkurtër në Budapest, për herë të parë që prej ardhjes në pushtet të Orbanit. Kjo është një vizitë befasuese, pasi Merkel një vit më parë hezitoi të shkojë në Hungari për të marrë pjesë në festimet e 25 vjetorit të rënies së Perdes së Hekurt. Edhe pse Budapesti insistonte për pjesëmarrjen e saj.
Merkel në një vizitë pesëorëshe
Gjatë qëndrimit të saj vetëm pesë orë ajo takon kryeministrin e Hungarisë në një darkë pune, si dhe presidentin János Áder, përfaqësues të komunitetit hebre si dhe studentë. Sipas njoftimit të shkurtër të zyrës federale të shtypit Merkel dhe Orban do të diskutojnë për “çështje dypalëshe dhe evropiane, për zhvillimet aktuale në Hungari dhe gjendjen në Ukrainë.”

Zëdhënësi i qeverisë hungareze Zoltán Kovács nuk është shumë më i qartë: “Gjermania është partneri më i rëndësishëm strategjik i Hungarisë”, tha Kovács. “Ndryshimi i tanishëm i situatës gjeopolitike, situatës në Ukrainë, por edhe politika energjetike dhe marrëdhëniet e ngushta ekonomike gjermano-hungareze janë faktorë, që flasin vetë për vizitën e kancelares gjermane në Budapest.”
RTL i duket qeverisë Orbán shumë kritik
Në një bisedë me Orban, Angela Merkel pritet që të mos e fshehë atë që mendon për zhvillimet e brendshme politike në Hungari. Në lidhje me këtë ajo është pozicionuar në mënyrë kritike edhe më parë. Në takim do të flitet për çështjen e lirisë së shtypit si dhe për “rastin RTL”. Vitin e kaluar qeveria futi një taksë mbi të ardhurat nga reklamat, që prekin kryesisht stacionin televiziv me kuotat më të larta të shikueshmërisë, RTL. Që atëherë ai kaloi befas nga një linjë apolitike në një linjë kritike ndaj qeverisë. Tani qeveria Orbán ka ndërmend të ulë taksat e reklamave për RTL. Momentalisht shefi i kancelarisë së Orban-it, János Lázár, po diskuton me kryesinë e RTL-it në Luksemburg rreth kësaj çështjeje.
Edhe shprehjet e fundit ksenofobe të Orban-it mund të jenë temë diskutimi. Kryeministri hungarez tha pas sulmeve të Parisit, se Evropa duhet të ndalojë emigracionin e njerëzve nga kultura të tjera. Vendi i tij gjithsesi duhet të mbetet i hungarezëve.
Temë e nxehtë sanksionet kundër Rusisë
Me të vërtetë vizita e Merkelit në Budapest duhet të ketë të bëjë në rradhë të parë me luftën në Ukrainë dhe me sanksionet kundër Rusisë, besojnë vëzhguesit. Si anëtar i BE, Hungaria i ka miratuar deri tani ato me zor, po jo pa theksuar se është kundër tyre. Ato dëmtojnë interesat ekonomike të Hungarisë, si dhe të Bashkimit Europian dhe s’arrijnë asgjë politikisht, është ankuar disa herë Orbán muajt e fundit. “Vizita e Merkelit në Budapest është për këtë arsye një lloj testimi”, tha ish -iplomati dhe eksperti i politikës së jashtme Attila Ara-Kovacs. “Kancelarja gjermane do të zbulojë se deri ku shkon Orbán dhe nëse mund ta mbajë atë nën kontroll.”

Këtu nuk është fjala vetëm për çështjen e sanksioneve, momentalisht shumë e diskutuar në BE, por në përgjithësi për “politikën e hapjes së Hungarisë në lindje”. Për të reduktuar varësinë ekonomike të Hungarisë nga BE, Orbán kërkon prej kohësh marrëdhënie më intensive me Rusinë, Kinën, sidhe Azerbajxhanin, Turkmenistanin dhe Kazakistanin.
Marrëveshja e Orbánit me Putinin
Rusia luan në këtë politikë rolin kyç. Me Putinin Orban gjatë vizitës së tij në Moskë para një viti ra dakord për një kredi prej dhjetë miliardë eurosh për zgjerimin e centralit bërthamor në Paks në jug të Budapestit. Në një fjalim verën e kaluar Orbán lavdëroi Rusinë si model suksesi dhe bëri në të njëjtën kohë të ditur, se në Hungari tani e tutje do të ndërtohet një “shtet joliberal, vlerat kryesore të të cilit janë kombi, komuniteti dhe puna. Kohët e fundit Orbán është shprehur se organizatat joqeveritare, që janë aktive në Hungari dhe marrin para nga jashtë, duhet të kenë një regjistrim të posaçëm, ngjashëm si në Rusi.
Duket si një lojë pokeri e politikës së jashtme, që vetëm dy javë pas kancelares gjermane, më 17 shkurt në Budapest vjen presidenti rus Vladimir Putin. Zëdhënësi i qeverisë, Zoltán Kovács, thotë se në rradhë të parë do të bëhet fjalë kryesisht për politikën energjetike hungareze. Akoma nuk janë sqaruar të gjitha detajet e marrëveshjes së fshehtë për zgjerimin e centalit bërthamor në Paks. Megjithatë, thotë Kovács, këtë vit përfundon kontrata për furnizimet e Hungarisë me gaz rus. Do të negociohen kontrata të reja dhe Rusia është partner kyç i Hungarisë për energjinë. Temat e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Rusi Hungaria nuk do t’i cekë, thotë Kovács, ato janë çështje të brendshme të Rusisë. Por vizita e Putinit në Budapest nuk do të thotë se Hungaria vë në ndonjë farë mënyre në diskutim detyrimet evropiane dhe euroatlantike të Hungarisë.
Por pikërisht këtë do të arrijë Putini, mendon sociologu hungarez Pál Tamás, prej kohësh një ndër njohësit më të mirë të marrëdhënieve hungarezo-ruse. “Sipas filozofisë shtetërore ruse Orbán është si Jonasi i Biblës, i cili u gëlltit nga peshku i madh, pra në këtë rast BE, dhe jep shenja prej stomakut të tij”, thotë Tamás. “Meqenëse në stomakun e balenës janë edhe të vegjël të tjerë, shenjat e Orbánit mund t’i inkurajojnë edhe ata. Kjo do t’i pëlqente Putinit.” (dw)

Koment: etja për të dhëna e Facebook-ut

Facebook kërkon sa më shumë të dhëna. Përdoruesit ose do ta pranojnë këtë, ose do të largohen prej tij. Pakti faustian midis gjigantëve të internetit dhe përdoruesve bëhet gjithnjë e më i qartë, mendon Matthias von Hein.Ti nuk je klient i koncerneve të internetit, ti je produkti i tyre. Kështu është shprehur në mënyrë konçize pionieri i internetit Jaron Lanier. Këtë mesazh qendror e bën të ditur që në faqen e parë libri i tij “Kujt i përket e ardhmja?” Në këtë libër Lanier – që vitin e kaluar mori Çmimin e Paqes të Tregtisë Gjermane të Librit- analizon tendencat aktuale në ekonominë e rrjetit. Rezultati: tendenca ecën në drejtim të “Big Data”, në drejtim të përgjimit total dhe shfrytëzimit të mëtejshëm komercial. Facebooku e nxit këtë tendencë me rregullat e reja të biznesit.
Përsa i përket së ardhmes: janë tregjet financiare ato që bëjnë biznes me shpresat për të ardhmen. Dhe ato e vlerësojnë Facebook-un aktualisht me rreth 200 miliardë dollarë, 65% më tepër se një vit më parë. Bursistët duken shumë të bindur: Facebook-u do të ketë një pjesë të rëndësishme në të ardhmen. Dhe nuk mund t’i keqkuptosh për këtë që thonë: vitin e fundit, fitimi i pronarit të rrjetit më të madh social ishte rreth tre miliardë dollarë: me reklama. Me reklama të personalizuara. Të orientuara qartë te cilësitë vetjake të përdoruesve- ashtu si i llogarisin ato algoritmet e Facebook-ut. Ato janë sekrete. Po sa mund të mësosh për një njeri, vetëm nga klikimi që ai i bën butonit “Like”, këtë e publikuan në mes të janarit shkencëtarët e universiteteve Stanford dhe Cambridge.
Likes zbulojnë personalitetin
Ekipi amerikano-britanik ka zhvilluar një algoritëm, i cili pasi analizon 100 deri 150 “Likes” arrin në informacione më të sakta për karakterin e një njeriu se sa bashkëshorti apo bashkëshortja e atij personi. Dhe Facebook-u nuk njeh vetëm “Likes” tonat: ne postojmë lajme, fotografi, transmetojmë mesazhe, pasione, interesa. Gati 900 milionë përdorues kujdesen që me përdorimin e përditshëm profilet të jenë gjithmonë aktuale, rreth 1,4 miliardë janë një herë në muaj aktiv në Facebook. Lakminë për të dhëna të Facebook-ut nuk e kënaq dot as kjo rrjedhë e majme me informacione personale. Tani te Facebook-u po hyjnë në fuqi rregulla të reja të biznesit. E reja kryesore: në të ardhmen Facebook-u kërkon të dijë se ç’bëjnë përdoruesit e tij edhe jashtë Facebook-ut. Dhe Facebook-u kërkon të dijë edhe se ku ndodhemi ne në një moment në jetën reale. Në fund të fundit, një e katërta e përdoruesve i përdor me smartfon shërbimet e Facebook-ut. Dhe çfarë tjetër mund të sillte më shumë sukses për Facebook-un se sa vërshimi i reklamave nga firmat përreth vendit ku ndodhemi?
“Ha ose vdis”
Madje edhe Bundestagu u mor me rregullat e reja. Në Komisionin Juridik deputetë dhe specialistë të të dhënave e kritikuan Facebook-un për mënyrën si i përdor të dhënat e përdoruesve. Por në të kaluarën Facebook-u e ka bërë veshin shurdh ndaj kritikave të tilla – njësoj si edhe Google dhe kompani. Gjigantët e internetit janë mësuar që t’i përcaktojnë vetë rregullat për botën digjitale.
E vetmja alternativë që i mbetet përdoruesit: largimi nga Facebook-u. Po këtë do ta bëjnë shumë pak. Sa më gjatë që ka qenë dikush në këtë rrjet, sa më shumë fotografi që ka postuar atje, aq më pak do të ketë dëshirë të largohet prej atje. (dw)

Lidhjet e Syrizas me radikalët e Rusisë

Vëzhguesit e zhvillimeve në Evropë e kanë kuptuar menjëherë se Qeveria e re e Greqisë, e udhëhehqur nga partia e majtë, Syriza, mund të thyejë solidaritetin e brishtë të Bashkimit Evropian në ndëshkimin e agresionit rus në Ukrainë.Emailet që kanë rrjedhur së fundi, kanë zbuluar disa lidhje të gjata të Syrizas me ideologun e Lëvizjes Euroaziatike, Aleksandr Dugin, i cili ka lidhje me Kremlinin, si dhe me oligarkun rus, Konstantin Malofeyev, i cili besohet se ka financuar pjesën më të madhe të lëvizjes separatiste në Ukrainë.

Lëvizja Euroazatike e sheh Rusinë më afër me Azinë se me Perëndimin dhe pretendohet se për synim ka rikthimin e Bashkimit Sovjetik.

Anton Shekhovtsov, studiues i politikave të ekstremit të djathtë në Evropë, thotë se simpatia për Rusinë e Syrizas dhe e partnerit të saj të koalicionit, Partisë së Grekëve të Pavarur, shkon përtej normës për Greqinë.

“Ndjenja pro-ruse është mjaft e përhapur në përgjithësi në Greqi. Por, te këto dy parti, politika e jashtme është haptazi pro-ruse. Fakti se kontaktet e para të kryeministrit të ri, Alexis Tsipras, kanë qenë me ambasadorin e Rusisë në Greqi, tregon se ata, me gjasë, do të bëjnë përpjekje që të krijojnë një bashkëpunim më të rëndësishëm me Rusinë”, thotë Shekhovtsov.

Në dhjetor të vitit 2014, një grup i hakerëve rusë, i quajtur Shaltai Boltai, ka publikuar disa emaile të marra nga Georgy Gavrish, mik i afërt me Duginin dhe zyrtar në Lëvizjen euroaziatike të Duginit. Shumë nga emaliet lidhen me përpjekjet e Duginit dhe Malofeyev për të krijuar një rreth të politikanëve dhe intelektualëve evropianë, të dashur me Rusinë.

Dhjetëra emaile kanë zbuluar bisedat midis Gavrishit dhe njerëzve brenda Syrizas, thotë Christo Grozev, specialist në çështjet e informimit në Evropën lindore.

Mesazhet tregojnë “bashkëpunim shumë të ngushtë për strategji”, thotë Grozev. Ai thotë se këshilltarët e Syrizas kanë dërguar “memorandume strategjike” për qëndrimet dhe politikat e partisë te Dugin dhe Gavrish, për të marrë komentet dhe sugjerimet e tyre.

Gavrish ka jetuar në Greqi për disa vjet, deri më 2013.

“Gjatë atyre pesë vjetëve, ai (Georgy Gavrish) ka shërbyer, me sa duket, si delegat për Duginin për të gjetur politikanë dhe figura publike në Greqi, që do të angazhohen në ideologjinë e Duginit”, thotë Grozev.

Një nga njerëzit e përfshirë në shkëmbime është Nicolas Laos, intelektual grek dhe këshilltar i Syrizas, që ka lidhje biznesore me Rusinë. Ai është partner i kompanisë ruse të sigurisë, R-Tekhno.

Në një nga emailet që kanë rrjedhur, Laos i ka shkruar Duginit: “E di shumë mirë se si funksionon armiku dhe, nën patronazhin tuaj, unë mund të sulmoj në mënyrë efektive dhe të rëndë”.

Një mesazh me sa duket i referohet Panos Kammenos, kreut të Partisë së Grekëve të Pavarur dhe tani ministër i Mbrojtjes i Greqisë. Në mesazhin e 25 tetorit, 2014, të shkruar nga blogeri me ndikim, Dimitris Konstantakopoulos, i cili me sa duket ishte duke bërë konsultime për strategjinë e Syrizas, flitet për Institutin e Studimeve Gjeopolitike, me seli në Athinë, të cilin Kammenos e ka themeluar me mikun e tij, profesorin e Universitetit të Trakës, Filippos Tsalidis.

“Panos është shfaqur pothuajse një muaj më herët, plot entuziazëm, duke kërkuar bashkëpunim të rregullt. Më pastaj, ka shkuar në Moskë për arsye personale – siç na ka thënë, për martesën e një miku – dhe më pas është zhdukur nga faqja e Tokës në njëfarë mënyrë mbresëlënëse. Jam shumë kurioz të di se çfarë arsyesh do të japë për zhdukjen”, thuhet në mesazh.

Një muaj pasi mesazhi është shkruar, instituti i Kammenos ka nënshkruar një “memorandum mirëkuptimi” me Institutin e Rusisë për Studime Strategjike. Ky i fundit ka qenë pjesë e Shërbimit të Jashtëm të Inteligjencës ruse derisa është sjellë nën zyrën e presidentit rus, më 2009. Drejtori i tij, Leonid Reshetnikov, është gjeneral i pensionuar i Shërbimit të Jashtëm të Inteligjencës ruse.

Dugin është po ashtu i lidhur me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Kotzias. Në prill të vitit 2013, Kotzias, atëherë profesor i Universitetit të Pireut, ka ftuar Duginin që të mbajë një ligjëratë për politikat ndërkombëtare. Gjatë asaj ligjërate, Dugin ka thënë se Greqia nuk duhet t’i bashkohet Unionit Euroaziatik, të udhëhequr nga Rusia, por duhet të luajë rol në “rikrijimin e arkitekturës së Evropës” dhe të formojë “një pol lindor të identitetit evropian” brenda Bashkimit Evropian, së bashku me Serbinë e të tjerët.

Dugin ka qenë i angazhuar në një veprimtari të tillë në Evropër për disa vite, thotë Andreas Umland, profesor në Akademinë Mohyla të Kievit.

“Ai është i lidhur ngushtë, për më shumë se 20 vjet, me të gjithë intelektualët e krahut të djathtë në Francë, Itali, Belgjikë e Britani të Madhe. Ai i lexon ata dhe ata e lexojnë atë. Disa nga librat e tij janë përkthyer”, thotë Umland.

Përpjekjet e tilla kanë fituar pak tërheqje derisa Dugin ka bashkuar forcat me miliarderin Konstantin Malofeyev, një nacionalist rus konservator. Më 20 shkurt të vitit 2014, Dugin i ka shkruar Malofeyev një memo, duke identifikuar partnerët e mundshëm kyçë në Evropën Perëndimore.

Grozev thotë se Dugin ka nxitur Malofeyev që të angazhohet me këto figura, me qëllim krijimin e një klubi elitar të politikanëve – siç e ka quajtur Dugin – që mbështet vijën ruse.

Në fund të majit 2014, Dugin dhe Malofeyev kanë pritur përfaqësuesit e këtyre lëvizjeve – përfshirë Syrizan – në një konferencë sekrete në Vjenë. Kjo, sipas raporteve të disa 35ve.

Në atë takim, studiuesi Shekhovtsov thotë se Dugin dhe Malofeyev “janë takuar me përfaqësuesit e Partisë së Lirë të Austrisë, të Partisë Ataka të Bullgarisë dhe të Frontit Kombëtar të Francës. Të gjitha këto janë parti të ekstremit të djathtë”.

Grozev thotë se nuk ka referime direkte se Dugin ose Malofeyev kanë financuar ose mbështetur materialisht Syrizan apo parti të tjera. Megjithatë, ai thotë se Dugin dhe Gavrish shpesh kanë përfshirë njerëz të afërt me Malofeyev në listat e marrësve të emaileve të tyre.

Një nga miqtë e Malofeyevit, emri i të cilit shfaqet më së shpeshti, është Aleksei Komov, një biznesmen ortodoks, i cili është përfaqësues i Rusisë në Kongresin Botëror të Familjeve. Në shkurt të vitit 2014, Komov ka mbajtur një fjalim në Klubin e Shtypit Kombëtar në Uashington, ku ka fajësuar “bankierët e Wall Street”-it për vendosjen e komunizmit në Rusi.

Grozev po ashtu thotë se ka qenë i befasuar me shkallën e “misticizmit” që sheh në korrespondencën midis grekëve dhe njerëzve të Duginit. (rel)

Frikë nga efekti domino i Athinës

Shumë qeveri në Evropën veriore kanë frikë se fitorja e Syriza në Greqi mund të shkaktojë një valë anti-kursimesh në vende të tjera. Në këtë rast është në rrezik e gjithë politika evropiane e kursimeve.Zgjedhja e Aleksis Tsipras në Greqi është për shumë qeveri evropiane një aksident dhe madje mjaft i rëndë. Në zgjedhjet e kaluara, në vitin 2012, kur hyri Syriza, udhëheqës evropianë me orientime politike të ndryshme, si kancelarja kristiandemokrate gjermane Angela Merkel, presidenti francez socialist François Hollande dhe ish-kryeministri italian i pa parti Mario Monti patën paralajmëruar nga Syriza.
Si Hollande ashtu edhe Monti qenë revoltuar me politikën evropiane të konsolidimit, që e perceptonin si diktat gjerman kursimi dhe mund ta kishin patur të lehtë që ta shikonin Tsipras si aleat. Por Tsipras u dukej atyre së pari shumë radikal. Dhe së dyti Franca dhe Italia janë gjithashtu kreditorë të Greqisë. Të dy vendet, ashtu si huadhënësit e tjerë, kanë frikë se Greqia nuk do t’ua paguajë borxhet. “Zotimet që bëhen, duhet tani edhe të respektohen”, bëri të qartë edhe një herë Hollande pas zgjedhjeve në Greqi.

Por Tsipras bëri të ditur menjëherë se do t’i japë fund politikës së kursimeve dhe jo vetëm se do t’i ndërpresë reformat, por edhe do t’i kthejë ato mbrapsht. Megjithatë Janis Emmanouilidis, njohës i Greqisë nga instituti studimor i Brukselit European Policy Centre, beson se “ekziston hapësirë për një kompromis.”Fillimi i gabuar” i qeverisë së re do të “çojë në konkluzionin se disa gjëra shkojnë shumë larg.” Dhe me gjithë mohimet nga Berlini dhe Brukseli shumë politikanë mund ta imagjinojnë një farë lehtësimi të borxhit për Athinën.
Nëse mbetet apo jo marrëveshja bazë: kredi në këmbim të kursimeve dhe reformimeve, do të varet nga ato, që mund të ofrojë Syriza”, thotë Emmanoulidis. Nëse Tsipras për shembull mund të ofrojë diçka lidhur me oligarkët, apo në luftën kundër evazionit fiskal”, që shkon përtej asaj që kanë ofruar, apo zbatuar paraardhësit e tij”, mund të ketë në fund një kompromis.
Shumëkush e ndjen se i ka ardhur dita
Por nuk është fjala vetëm për Greqinë. Ajo që i shqetëson vendet e orientuara drejt stabilitetit si Gjermania, është përfytyrimi i një valë proteste mbarëevropiane, që mund ta hidhte poshtë konsensusin e deritanishëm të arritur me mundim në politikën fiskale. Për shembull në Spanjë partia e re e majtë Podemos (Ne mundemi) shpreson tani për një fitore në zgjedhjet parlamentare në vjeshtë. Sipas sondazheve Podemos ndodhet momentalisht pak para partisë popullore në pushtet dhe socialistëve. Në Portugali po formohet ndërkohë një lëvizje sipas modelit të Syriza. Italia dhe Franca, të dyja me qeveri socialiste, e kanë miratuar me gjysëm zemre kursin e deritanishëm dhe janë përpjekur vazhdimisht t’i shmangen reformave. Mund të “marrin si pretekst zgjedhjet greke, për të arritur kompromise në lidhje me kursimin”, mendon Emmanouilidis.

Por konsensusi nuk kërcënohet vetëm nga e majta, por edhe nga e djathta: Në Francë Marine Le Pen e Frontit National përzgjedh deklaratat e qeverisë së re greke, që i përshtaten asaj. Këtu bën pjesë jo vetëm sjellja e guximshme përballë Brukselit, por edhe mirëkuptimi për politikën e presidentit rus Vladimir Putin. Në mënyrë të ngjashme e sheh çështjen edhe Lega Nord në Itali. Gazeta moskovite “Nezavisimaja Gazeta” shkruan e kënaqur: “Qeveria e re greke mund të jetë stacioni më i rëndësishëm i rezistencës ndaj sanksioneve antiruse të BE-së.”
Politika e kursimeve sjell fryte
Përsa i përket politikës fiskale, për ironi të fatit konsensusi i deritanishëm mund të vihej në rrezik pikërisht në një kohë, kur pothuajse kudo duken frytet e konsolidimit. Ekonomia në Spanjë dhe Portugali është përsëri në rritje. Ndryshe nga Greqia, Portugalia mund të dalë sërish prej ombrellës së shpëtimit.
Edhe më e suksesshme është Irlanda, e cila gjithashtu ka mundur të largohet nga programi i ndihmës dhe paraqet shifra fantastike rritjeje. Atje nuk duket në horizont asnjë lëvizje e ngjashme me Syriza-n. Edhe në Greqi vetë po përmirësohet gjendja. Një rast interesant është përsëri Franca. Ku qeveria pas hezitimit të gjatë më në fund ka nisur disa reforma, që meritojnë të quhen të tilla, edhe pse të dhënat ekonomike janë më keq se kurrë. Në mënyrë të kujdesshme dhe të vonuar Parisi ka hyrë megjithatë në kursin e Berlinit, natyrisht jo pa theksuar, se kjo bëhet vullnetarisht dhe nuk ka të bëjë aspak me kërkesat gjermane. (dw)

Uniteti i brishtë i BE-së

Vëzhguesit druhen, se kundërshtimi i Athinës për sanksione të reja ndaj Rusisë, mund të shënojë fundin e unitetit në BE. Siqodoftë në Bruksel u arrit kompromisi dhe u evitua një përplasje edhe më e madhe.Diskutimet nuk ishin dhe aq të lehta, tha ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier, pas takimit të posaçëm me homologët e tij evropianë në Bruksel. “Ishte shumë e vështirë të ruhej uniteti”, shtoi ai. Në takimin me dyer të mbyllura ka pasur një grindje serioze me ministrin e Jashtëm grek Nikos Kotzias, pranoi edhe e ngarkaura e posaçme e BE për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini. Por në fund u arrit megjithatë një marrëveshje e përbashkët. Lista aktuale e sanksioneve që përfshin 132 persona dhe 28 organizata e sipërmarrje duhet të zgjerohet me disa emra të tjerë të mbështetësve të rebelëve pro-rusë në Ukrainë. Emrat e rinj kanë mbetur deri tani sekretë, me qëllim që personat e prekur të mos e sigurojnë pasurinë e tyre. Ndërkohë që sanksionet e aktuale, afati i të cilave skadonte në mars, do të shtyhen deri në shtator 2015.
Konsultime të mundimshme
Steinmeier shpjegoi se ai ka folur edhe me homologun e tij grek. As vendet e tjera në tryezën e bisedimeve nuk e kanë pasur lehtë të gjejnë një kompromis dhe një linjë të përbashktë. Fjala është për Austrinë, Slloveninë dhe Sllovakinë, të cilat dyshojnë në logjikën dhe efikasitetin e sanksioneve ndaj Rusisë. Në fund Steinmeier mundi ta bindë edhe homologun Nikos Kotzias për domosdoshmërinë e unitetit.

Më parë ministri gjerman pati zhvilluar edhe një bisedë kokë më kokë me homologun e tij grek. Steinmeier i ka përdorur të gjitha mundësitë, edhe ato njerëzore, për të evituar një përçarje edhe më serioze brenda BE-së, sa i përket sanksioneve kundër Rusisë. Më parë Greqia kishte paralajmëruar veton ndaj kërkesave për sanksione të reja dhe për vazhdimin e sanksioneve aktuale ndaj Rusisë.
Qëllimi nuk është arritur
Athina në fund e ndryshoi qendrimin, por sanksionet e reja të rëndësishme ekonomike kundër Rusisë ishin të pamundura. Minsitri i Jashtëm gjerman u detyrua të kënaqet me një zgjidhje minimale. Kjo vlen edhe për vendet baltike dhe Poloninë, të cilat angazhohen për një kurs më të ashpër ndaj Rusisë. “Vetëm kur të ndodhë ndonjë ofensivë e re në Mariupol apo në rajonet e tjera do të bëhet e qartë se duhen ndërmarrë masa më të ashpra”, thotë Steinmeier. Ai shtoi se homologu i tij grek do të ketë “hapësirë të mjaftueshme që në debatet e ardhshme të vendoset ashtu siç mendon Europa”. Nga mesi i shkurtit do të zhvillohet samiti i radhës i kryeministrave të BE-së. Pra mosmarrëveshjet me Greqinë për çështjen e Rusisë nuk kanë përfunduar.
Putin i fitues i zgjedhjeve në Greqi?
Shumë vëzhgues në Europë kanë qenë në Bruksel të alarmuar, për shkak të shtimit të influencës ruse në BE, përmes Greqisë. Por mendimet ndahen sa i pëkret rolit të Athinës.
“Këtë politikë e shohim më shumë se një kërcënim për Greqinë, nëse ajo vazhdon të mos jetë solidare me vendet e tjera. Kjo mund të rezultojë në fund të shkurtit me shkurtimin e paketës për ndihma, thotë Elmar Brok, kryetar i Komisionit të politikës së Jashtme në Parlamentin Europian. Kjo mund të rrezikojë pra stabilitetin financiar të Greqisë. Brok beson se veprimi i përbashkët është në interesin e Greqisë.
Vëzhguesit kanë frikë se presidenti i Rusisë Vlladimir Putin dotë vazhdojë me presione dhe mjete të ndryshme të influencës ndaj partive ekstremiste, për të fituar mbështetës brenda familjes europiane. Në këtë radhë bën pjesë edhe partia Syriza. Tani po dëshmohet se mosmarrëveshjet nuk kanë të bëjnë vetëm me Ukrainën. Moska do që mosmarrëveshjet ideologjike t’i fusë në Euorpë. Ndërsa BE-ja duhet të gjejë përgjigje ndaj kësaj sfide. (dw)

Sanksionet nuk janë problemi kryesor i Rusisë

BE diskuton për sanksione të reja kundër Rusisë, 35t njoftojnë për një recesion të rëndë në mbretërinë e Putinit. Deri në çfarë mase janë evropianët shkaktarë të kësaj krize?Nëse këto ditë 35t evropiane njoftojnë se ekonomia ruse kërcënohet nga një recesion i rëndë për shkak të sanksioneve perëndimore dhe rënies së çmimit të naftës, pa dyshim që kanë të drejtë. Por nëse në lajmet e shumta dhe madje edhe në analiza sanksionet zëeë vendin e parë dhe cilësohen si arsyeja kryesore e krizës, ky është një gabim, që mund të çonte në perceptime të tjera të gabuara. Sepse problemet ekonomike në mbretërinë e Putinit në një pjesë të madhe e kanë zanafillën në vend. Megjithatë masat ndëshkuese të Perëndimit, që u vendosën për shkak të politikës agresive të Moskës në Ukrainë, i kanë thelluar shumë këto probleme strukturore.

Shkaku kryesor është rënia e çmimit të naftës
Kështu e sheh çështjen edhe ministri i Financave Anton Siluanov. Që në fund të nëntorit 2014 ai bëri vlerësimin se humbjet nga “sanksionet gjeopolitike” të Rusisë mund të arrijnë rreth 40 miliardë dollarë në vit. Pasojat e këtyre masave janë domethënëse, por “jo aq kritike për kursin (politik) dhe ndoshta edhe për buxhetin, sa çmimet e mallrave tona të eksportit”, pra të naftës dhe gazit, çmimin e të cilit kompania shtetërore Gazprom e ndërvar kryesisht me atë të naftës.

Por humbjet vjetore për shkak të rënies së çmimit të naftës, sipas ministrit janë 90 deri 100 miliardë dollarë amerikanë. Në këtë moment produkti më i rëndësishëm i eksportit rus ka humbur rreth 30 përqind të vlerës së tij. Tani që rënia kalon 50 përqindëshin, Ministrisë së Financave i duhet të bëjë sërish llogarinë. Efekti i “shokut nga jashtë”, siç quhen në Moskë tani nafta e lirë dhe sanksionet, ka arritur në rreth 200 miliardë dollarë, deklaroi Anton Siluanov më 28 janar para dhomës së lartë të Parlamentit rus. “Në rradhë të parë ndikon rënia e çmimit të naftës, ne tani marrim më pak deviza të huaja”, theksoi ministri.
Pikërisht me këtë fakt lidhet edhe rënia dramatike e rublës në fund të vitit 2014, që u bë pararendësi më spektakolar i krizës së madhe. Që atëherë kursi lëviz në mënyrë pak a shumë sinkrone me çmimet e naftës. Problemi kryesor i Rusisë është se udhëheqja e saj politike është bazuar shumë gjatë në të ardhurat e pafund të petrodollarit dhe ka bërë çuditërisht pak për modernizimin dhe diversifikimin e ekonomisë vendase.

Një krizë strukturore e bërë vetë
Ajo filloi të dobësohet që në pranverën e vitit 2013 edhe si rrjedhojë e përkeqësimit të vazhdueshëm të klimës së investimeve. Që në verën e 2014 tendencat recesive dukeshin kudo, para sëeçmimi i naftës të merrte të tatëpjetën dhe para se BE nga kufizimet e udhëtimeve dhe bllokimit të llogarive bankare të kalonte në sanksione ekonomike.
“Sanksionet ndikojnë në këtë zhvillim, por nuk janë shkaku kryesor i tij”, thotë Rainer Seele, president i Dhomës gjermano-ruse të Tregtisë dhe shef i Wintershall, degë e koncernit BASF, që është aktive në biznesin rus që prej më shumë se dy dekadash. Ministri rus i Ekonomisë Alexei Uljukaev u shpreh në gazetën “Vedomosti” lidhur me tri kriza, që duhet të kapërcejë vendi momentalisht, një krizë strukturore, një krizë ciklike dhe një gjeopolitike. Kështu që saksionet janë për të në vendin e tretë.

Dhe kryetari i qeverisë Dimitri Medvedev theksoi në fund të janarit se Rusia ka “një sërë” problemesh të mëdha të vetat, të cilat “nuk kanë lidhje me ndikimet e jashtme dhe që madje nuk kanë të bëjnë as me ndryshimet në çmimin e naftës.” Një nga të këqijat kryesore, thotë ish-presidenti rus, qëndron në faktin se që prej rreth 10-12 vjetësh pagat në vend janë rritur më shpejt se produktiviteti.

Kundërsanksionet e Moskës çojnë në rritjen drastike të çmimeve

Rëndësia e sanksioneve ekonomike të BE-së, që janë vendosur para një gjysëm viti, nuk duhet mbivlerësuar. Kuba, Koreja e Veriut dhe Irani jetojnë prej vitesh e dekadash në kushte shumë më të vështira. Shumica e sanksioneve ekonomike në sektorë të caktuar të vendosura nga BE më 1 gusht dhe të zgjeruara 12 shtator janë mjaft selektive. I ndaluar është për shembull eksporti i armëve dhe i pajisjeve për nxjerrjen e naftës në Arktik, apo në zona shkëmbore.

Në fakt efekt të shpejtë dhe vërtetë të dhimbshëm ka vetëm kufizimi i qasjes në tregun e kapitalit evropian për disa banka të mëdha shtetërore dhe kompani shtetërore të naftës dhe armatimeve. Pikërisht këto kanë borxhe të larta në Perëndim dhe u duhet që të kthejnë, apo të rifinanciojnë sa më parë kredi miliardëshe. Prandaj shefi i tregtisë me jashtë të Dhomës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë (DIHK), Volker Treier, beson se “ndikimi i shkallës së tretë të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë do të shpaloset plotësisht gjatë këtij viti.”
Ndërsa efektin e kundërsanksioneve të Moskës konsumatorët rusë e kanë ndjerë tashmë dukshëm. Më 6 gusht 2014 Vladimir Putin ndaloi përmes një dekreti importin e produkteve ushqimore dhe bujqësore nga e gjithë BE-ja. Plani ishte që t’u shkaktoheshin humbje të dhimbshme fermerëve evropianë dhe në të njëjtën kohë t’i jepej mbështetje bujqësisë vendase. Por kjo nuk i ka kapacitetet për të përfituar nga një masë e tillë proteksioniste. Si rezultat çmimet e ushqimeve pësuan rritje të mëdha. Norma e inflacionit sipas parashikimeve zyrtare në pranverë pritet të arrijë në 17 deri 20 për qind. Por që në janar Prokuroria e Përgjithshme ruse ka nisur hetimet, sepse për disa mallra ka konstatuar rritje të çmimit në 150 për qind. (dw)

Raporti i përvitshëm i Human Rights Watch

Organizata ndërkombëtare “Human Rights Watch” thotë se qeveritë e botës bëjnë gabime serioze, kur sakrifikojnë të drejtat e njeriut në emër të forcimit të masave të sigurisë.Në raportin vjetor për të drejtat e njeriut në botë të publikuar sot, grupi thotë se Nigeria, Iraku, Siria, Israeli dhe Shtetet e Bashkuara janë mes vendeve që shfrytëzojnë shqetësimet për sigurinë për të justifikuar shkeljen e të drejtave të njeriut.

Sipas Drejtorit Ekzekutiv të Grupit, Kenneth Roth, forcimi i sigurisë mund të jetë antiproduktiv, duke prishur besimin dhe duke përkeqësuar tensionet mes grupeve rivale.

Raporti fajëson Irakun dhe Sirinë për politike “sektare dhe abuzive”, të cilat çuan në lindjen e ekstremizmit të Shtetit Islamik. Në raport thuhet se përdorimi i dhunës ndaj civilëve dhe izolimi nga qeveria irakiane i komuniteteve të myslimanëve suni i dha Shtetit Islamik mundësinë që të sigurojë mbështetjen e këtyre grupeve.

Human Rights Watch thotë se presidenti Barack Obama ka refuzuar të hetojë, ose ndjekë penalisht personat përgjegjës për torturat që mendohet të ketë kryer CIA, bazuar tek gjetjet e një hetimi të kohëve të fundit të Senatit.

“Mohimi i kësaj detyre ligjore e bën më të mundshme, thuhet të raport, “që presidentët e ardhshëm ta trajtojnë torturën si një alternativë politike, në vend të krimit”.

Në raport thuhet se përmbushja e sfidave të sigurisë kërkon jo vetëm përmbajtjen e elementëve të rrezikshëm, por njëkohësisht “rindërtimin e një strukture morale që përforcon rendin social dhe politik.”

Human Rights Watch thotë në raport se Nigeria dhe Israeli kanë lejuar personelin e tyre ushtarak të bëhet abuziv, ndërsa përpiqen të mbajnë nën kontroll grupet militante Boko Haram dhe Hamas. (voa)

Marrëdhënia e tensionuar SHBA – Rusi

Janë të vazhdueshme shenjat e marrëdhënieve të tensionuara ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Ditën e hënë, Shtetet e Bashkuara ngritën akuza ndaj tre shtetasve rusë për lidhje me një rrjet spiunazhi rus, një akuzë të cilën Rusia e mohon. Këto akuza shërbyen për të rritur kritikat e SHBA ndaj mbështetjes së Moskës për separatistët në Ukrainë. Analistët thonë se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë acaruar edhe përpara këtyre incidenteve.

Evgeny Buryakov, është një ndër tre personat e akuzuar nga Shtetet e Bashkuara se është pjesë e një rrjeti spiunazhi rus.

Rusia i hodhi poshtë akuzat e Shteteve të Bashkuara, nëpërmjet zëdhënësit të ministrisë së jashtme, Alexander Lukashevich, i cili tha se fajin e kanë Shtetet e Bashkuara.

“Marrëdhëniet ruso-amerikane janë prej kohësh në një periudhë të vështirë. Duket se SHBA duke vepruar me parimin ‘sa më keq, aq më mirë’, ka vendosur të fillojë një tjetër raund fushate anti-ruse.”

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia shkëmbyen akuza rreth incidentit të spiunazhit vetëm pak ditë pasi një sulm në qytetin Mariupol të Ukrainës shkaktoi disa vdekje civilësh.

Sulmi ngjalli një valë të re kritikash nga Perëndimi kundër Rusisë, e cila siç thonë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët po armatos dhe mbështet separatistët në Ukrainë.

Ndërhyrjet e Rusisë në Ukrainë mund të vështirësojnë bashkëpunimin e SHBA me Rusinë për çështje të tjera, thotë Ndihmës Sekretarja e Shtetit Victoria Nuland, e cila foli tek Instituti Brookings.

“Nuk mund të vazhdojë ky lloj bashkëpunimi kur Rusia thyen rregullat e sistemit ndërkombëtar prej të cilit kërkon të përfitojë; kur gllabëron pjesë të territorit të fqinjëve të saj dhe pastaj kërkon t’i zhysë në një nënshtrim ekonomik dhe politik.”

Problemet në marrëdhëniet SHBA – Rusi kanë filluar kohë përpara këtyre incidenteve të tanishme, thotë analisti për Rusinë, Stephen Blank.

“E kam thënë prej vitesh se Shtetet e Bashkuara duhet të rikonceptojnë politikat ndaj Rusisë, kohë përpara Ukrainës dhe incidentit të fundit të spiunazhit.”

Zoti Blank i tha shërbimit në gjuhën ruse të Zërit të Amerikës se Moska ka kryer agresion ndaj fqinjëve të paktën që në vitin 2008.

“Është një iluzion se mund të kemi marrëdhënie normale me Putinin, edhe nëse ai e lë Ukrainën të qetë. Qeveria e tij është e prirur të rrënojë të gjithë strukturën e sigurisë në Evropë për të mbajtur Putinin në pushtet.”

Shtetet e Bashkuara janë duke rimenduar marrëdhënien me Rusinë, thotë drejtori për studimet ruse, Leon Aron. Por, ai thotë se sanksione shtesë mund të mos sjellin rezultatin e dëshiruar në Ukrainë.

“Në këtë pikë, Putini nuk shqetësohet shumë për sanksione të shtuara. Në fakt, sipas analistëve dhe shtypit rus, ndjesia e tyre është se tashmë kanë tejkaluar dhimbjen e sanksioneve, izolimit diplomatik dhe presionit, dhe se tani madje janë gati të përqafojnë realitetin.”

Megjithë tensionet për Ukrainën, ka ende hapësira për bashkëpunim, thotë zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Jen Psaki.

“Ka sigurisht çështje për të cilat mendojmë se mund të vazhdojmë të bashkëpunojmë, si negocimi me Iranin, bisedime të cilat janë në vazhdim.”

Zonja Psaki thotë se për krizën në Ukrainë dhe çështje të tjera, Shtetet e Bashkuara kanë qenë shumë të qarta rreth angazhimit të Rusisë, por tha se shpresa për hapësira bashkëpunimi mund të vazhdojë. (voa)

Lufta kundër terrorit – pa Turqinë?

Opinioni publik turk kritikon qendrimin e distancuar të Perëndimit përballë Turqisë, kur bëhet fjalë për luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar. Ekspertët e argumentojnë këtë me një mungesë besimi ndaj qeverisë turke.Që prej atentatit kundër revistës satirike franceze, Charlie Hebdo, lufta kundër terrorit ndërkombëtar është më aktuale se kurë. Turqia si partnere e NATO-s luan këtu një rol të rënëdësishëm. Para së gjithash kufijtë e përbashkët me Sirinë dhe Irakun, vende në të cilat Shteti Islamik (IS) përbën një rrezik gjithnjë e më të madh, e bëjnë të domosdoshme një bashkëpunim strategjik me Turqinë.
Por në publikun turk po artikulohen me zë gjithmonë e më të lartë kritikat, se Perëndimi po i kthen krahët Turqisë. “Pse e margjinalizojnë Turqinë?” e titullonte artikullin gazeta Zaman. Ngjashëm shkruante para pak kohësh edhe gazeta Hürriyet: “Turqia nuk duhet të përjashtohet nga aleanca anti-terror”.
Turqia e përjashtuar?
Në plan ndërkombëtar, Turqinë e kritikojnë herë pas here se nuk vepron me vendosmërinë e duhur kundër Shtetit Islamik dhe terroristëve të tjerë, të cilët e përdorin Turqinë si vend tranzit. Në vizitën e tij në Gjermani para dy javësh, kryeministri turk Ahmet Davotuglu argumentoi me fakte kundër kritikave. Turqia ka rreth 7000 luftëtarë të huaj në listën e zezë, të cilët kanë lidhje me terrorizmin në Siri dhe në Irak, tha Davotuglu. “2000 prej tyre i kemi kthyer tashmë në atdhe. Ky bashkëpunim do të vazhdojë”, siguroi kryeministri i Turqisë. Veç kësaj, Turqia i përcolli në kohën e duhur informacione shërbimit të fshehtë të Francës për bashkëpunëtoren e dyshuar të atentatorëve të Parisit, Hayat Boummedine, tha Davotuglu. “Edhe përpara se Franca t’i kërkonte informacionet”, theksoi kryeministri.
“Është një kontradiktë”, shkruan Murat Yetkin në rubrikën e tij në gazetëm Hürriyet Daily News. Në fillim të janarit, përfaqësues të 11 vendeve u takuan në Paris për të diskutuar rreziqet e sigurisë, që janë shkallëzuar që prej atentatit ndaj Charlie Hebdo-së, thotë Yetkin. “Por Turqinë, një anëtare të rëndësishme të NATO-s nuk e ftuan në takim”, shkruan ai. Yetkin përmend edhe dy konferenca kundër terrorizmit. “Më 12 shkurt në Bruksel dhe më 18 shkurt në Uashington. Turqia ende nuk ka marrë ftesë për konferencat”, kritikon gazetari.
Mungesë besimi ndaj qeverisë turke?
“Është ende pak herët që të besosh se Turqia përjashtohet nga konferencat anti-terror,” thotë Fethi Acikel, politolog në Universitetin e Ankarasë. Po është e dukshme se ka një mungesë besimi ndaj autoriteteve turke, thotë Acikel në bisedë me DW. “Kjo ka shkakun e vet. Ka pasur sinjale se qeveria turke nuk bën përpjekje të vazhdueshme për të bashkëpunuar sa duhet me BE-në dhe shtete të tjera perëndimore në luftë kundër organizatave terroriste islamike”. “Luftëtarë të Frontit Al-Nusra ( një organizatë terroriste në Siri, pjesë e Al Kaidas) dhe udhëheqja e tyre janë stërvitur në provinca të ndryshme turke. Atyre u është dhënë mbështetje logjistike në spitale dhe në vende të tjera, për të luftuar kundër regjimit të Assadit në Siri”, thotë politologu.
Edhe luftëtarë të Shtetit Islamik e përdorin Turqinë si një lloj “qielli të sigurtë”, përpara se të nisen në Siri ose në Irak për të luftuar kundër regjimit të Assadit, thotë Acikel.
“Ka një shkak të qëlluar se pse Turqia nuk e lufton Shtetin Islamik në Siri ose në Irak. Jo sepse ka simpati për të, por sepse Turqia është në kufi me këto vende dhe me organizatat e atjeshme terroriste”, shprehet Mensur Akgün, drejtor i Global Political Trends Center, në Universitetin e Stambollit, Kültür Universität. “Këto janë vende fqinje. Që të konfrontohesh ushtarakisht me këta terrorsitë, kjo do të ishte një ftesë për terrorizmin vetë në Turqi. Në Turqi nuk do të ishim më të sigurtë”, thotë Akgün.
Turqia është padyshim e gatshme që të përballet më fort me Shtetin Islamik. “Por nevojitet një strategji e hollësishme e Perëndimit. Si të marshojë Turqia në Irak dhe në Siri thjesht pa strategji”, thotë Akgün. (voa)

OBSH: Përpjekje për t’i dhënë fund Ebolës

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se përpjekjet për ngadalësimin e epidemisë vdekjeprurëse të Ebolës janë zhvendosur, duke u përqëndruar tani tek përpjekjet për t’i dhënë fund epidemisë. Numri i rasteve të reja të të infektuarve me sëmundjen gjatë një jave ra në nivelin më të ulët që nga fundi i qershorit.

Javën e kaluar u njoftuan 99 raste të reja të të infektuarve në vendet më të prekura nga epidemia, si Guinea, Liberia dhe Sierra Leone, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Organizata tha se në fazën e dytë të re të përgjigjes ndaj epidemisë, zyrtarët nuk do të përpiqen më të ngrenë me shpejtësi qendra mjekësore, por ata do të fokusohen tek zbulimi i të infektuarve, trajtimi i tyre dhe angazhimi me komunitetet. (voa)