Kategoritë: Bota

Lajmet nga Bota

Koalicioni i të ndryshmëve në Greqi

Partia e majtë Syriza hyn në koalicion me populistët e djathtë me populistët e djathtë. Por nga pikëpamja programatike të dyja partitë janë shumë larg.Tepër surprizuese nuk ishte kjo martesë politike, sepse ashtu si partia e majtë Syriza edhe partia Grekët e Pavarur (Anel) i quan huadhënësit ndërkombëtarë si “pushtues të Greqisë”. Të dyja palët janë me forcë kundër masave të kursimit të diktuara nga BE-ja, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Me shumë zell Anel mbështet gjithashtu kërkesën për dëmshpërblime prej Gjermanisë dhe reparacione nga Lufta e Dytë Botërore – ashtu sikurse edhe të majtët. Prej shumë kohësh populistët e djathtë kanë bërë me Tsipras një pakt mossulmimi në parlament, dhe tani ata po i shërbejnë atij për të arritur shumicën.
Por nga pikëpamja programatike të dyja partitë janë shumë larg: populistët e djathtë e kundërshtojnë ndarjen e kishës nga shteti, kërkojnë lehtësime tatimore për nxitjen e investimeve dhe duan që emigrantët ilegalë të ekstradohen nga vendi – kërkesa që janë të papranueshme për shumicën e votuesve të majtë. Drejtori i gazetës liberal-konservatore Alexis Papachelas thotë se këto dallime janë thelbësore dhe se në lidhje me politikën ndaj kreditorëve nuk duhet harruar se shpesh politikanët pasi vijnë në pushtet e ndërrojnë mendimin e tyre.
Parti me një mendim
Në radhët e partisë Grekë e Pavarur (Anel) zakonisht ka vetëm një mendim, atë të kreut të partisë Panos Kammenos. Ish-zëvendësministri i Transportit Detar, e themeloi partinë në vitin 2012, pasi u largua nga konservatorët për shkak të refuzimit të tij për politikën e kursimeve. Sot në partinë e tij bëjnë pjesë njerëz të famshëm: si moderatori Terence Quick, ish-mbretëresha e bukurisë Helena Kountoura, dhe Pavlos Haikalis, një nga ko35nët më të njohur në Greqi. Në Parlamentin e BE-së, populistët e djathtë të Anel-it janë të afërt me partinë nacionaliste britanike UKIP, e cila kundërshton politikat e integrimit evropian.
Në marrëdhënie personale Kammenos është shumë miqësor. Në të njëjtën kohë ai është mjeshtër i fushatës elektorale populiste. Pak ditë para zgjedhjeve ai ngriti fort zërin kundër “masave të kursimit” të donatorëve ndërkombëtarë dhe rritjes së varfërisë në Greqi, që i detyron shumë njerëz të emigrojnë. “Ne do t’ju sjellim sërish fëmijët në shtëpi”, i premtoi ai elektoratit të vet. Deputeti i Anelit Nikos Nikolopoulos është si shefi i tij sa i përket pasionit politik. Në një tubim zgjedhor në Peloponez ai tha se lufton për “çlirimin e vendit” nga huadhënësit dhe për t’i siguruar Greqisë përsëri sovranitetin e saj kombëtar, dhe se është për një “Evropë të kombeve” si kundëalternativë ndaj “diktaturës së tregjeve”.
Fatkeqësi dhe aksidente
Udhëheqësi i partisë Anel, Panos Kammenos, ka rënë shumë në sy për pozicionet e tij polemike në politikën e jashtme. Në dhjetor 2011, ai u shfaq para një gjykate ushtarake si mbrojtës i paftuar i ushtarëve elitë që akuzoheshin për përhapjen e sloganeve raciste dhe nxitjen e urrejtjes. Në vitet 1990 ai botoi një libër mjaft të vlerësuar për terrorizmin ndërkombëtar, i cili po i shkakton sot kokëçarje për shkak se autori ghostwriter i kësaj vepre, Jorgos Georgalas, po kërkon honorarin. Vetë Kammenos e mohon marrëveshjen me Georgalas.
Edhe deputeti i Anelit, Pavlos Haikalis, ka shkaktuar bujë me pretendimin se ish-kryeministri Antonis Samaras kishte ngarkuar jë këshilltar që t’i ofronte tre milionë euro në mënyrë që ky të votonte për kandidatin e koalicionit qeveritar. Më pas Haikalis i tërhoqi akuzat, sepse regjistrimet e bisedave dolën në shesh.
Kurse ish-politikania eAnelit, Rachel Makri, nuk pranon të bëhet pjesë e intrigave të tilla. Në vitin 2014 ajo e akuzoi Kammenosin për mobing dhe dha dorëheqjen. Prej atëhere ajo anagazhohet me partinë e majtë Syriza. (dw)

Wikileaks: Google ua përcolli e-mail-et autoriteteve amerikane

Platforma e internetit Wikileaks doli të hënën në publik: llogaritë e e-mail-it të tri bashkëpunëtorëve të Wikileaks janë kontrolluar. Tani të prekurit mbrohen.Avokatët e Wikileaks-it u janë drejtuar koncernit të internetit Google dhe Ministrisë së Drejtësisë së SHBA me akuzën se kanë shkelur të drejtat e personit dhe ato gazetareske të bashkëpunëtorëve të Wikileaks. Të prekur janë gazetarja e gazetarisë investigative, Sarah Harrison, redaktori Joseph Farell dhe zëdhënësja e Wikileaks, Kristinn Hrafnsson. Që të tre punojnë prej vitit 2010 për Wikileaks-in. Një ditë para Krishtlindjeve ata i informoi koncerni Google se i kishte përcjellë qeverisë së SHBA-së të gjitha e-mail-et e tyre dhe e kish bërë këtë mbi bazën e një urdhëri për kontroll, për shkak të dyshimit për komplot dhe për spiunazh. Ajo që e zemëron veçanërisht, është se “janë prekur llogaritë e mia private”, të cilat ajo i kishte përdorur prej vitesh dhe që kanë korrespondencën private me shokë dhe familjen etj, thotë Sarah Harrison në bisedë për DW. “Me këtë shkelet në mënyrë shumë reale sfera ime private”, thotë Harrison. Ndërsa puna e e saj dhe e-mail-e të rëndësishme nuk janë prekur, “atje ne kemi punuar të ndërgjegjshëm për problemin e sigurisë”, thotë gazetarja.

Sarah Harrison kritikon Google
Veç e-mail-eve, Google u kishte dorëzuar autoriteteve amerikane edhe lista kontaktesh, lajme të shuara dhe projekte të tri përdoruesve, si dhe adresa IP, prej të cilave të tri bashkëpunëtorët e Wikileaks qenë futur në internet, tregon Harrison. Urdhëri i gjykatësit, të cilën e ka respektuar Google është i vitit 2012 dhe u miratua bazuar në argumentin e ligjit të spiunazhit dhe të mbrojtjes së kompjuterave, në bazë të të cilit, një të akuzuar e presin deri 45 vjet heqje lirie.
Në e-mail-et e Google, të publikuara nga Wikileaks, koncerni vërtet pohon që e kishte pasur të ndaluar dhe prandaj nuk kishte mundur t’i informonte më herët të prekurit. Por në një rast të ngjashëm tek shërbimi Twitter, Twitter e kishte anashkaluar ndalimin për informim, tregon Harrison, për t’i informuar personat e prekur.
Përdoruesit e Twitter-it e mbështesin Wikileaks-in
Shumë përdorues të Twitterit marrin anën e Wikileaks-it dhe shkruajnë, si kryeredaktori i gazetës angleze “The Guardian”, Alan Rusbridger: “Wikileaks kërkon përgjigje, pasi Google u ka përcjellë SHBA e-mail-e të bashkëpunëtorëve.”
WikiLeaks demands answers after Google hands staff emails to US government http://t.co/Uky2NAZlCQ
— alan rusbridger (@arusbridger) January 26, 2015
Përdorues të tjerë veprojnë me ironi dhe publikojnë këtë karikaturë pas fjalisë “Google i jep të dhëna qeverisë së SHBA-së në rastin e spiunazhit të Wikileaks-it.
#Google hands data to US Government in #WikiLeaks espionage case https://t.co/ocBQGvL4yl pic.twitter.com/MIxGiOu9si
— WikiLeaks (@wikileaks) January 26, 2015
Sarah Harrison nuk e shpjegon dot se pse zhvillohen hetime vetëm kundër tri bashkëpunëtorëve të Wikileaks. Me daljen e saj në publik duke publikuar e-mail-et e Google-s, urdhrat e kontrollit dhe kërkimet e saj në gjykatën e Virginias, e cila i ka miratuar urdhrat e kontrollit, ajo synon të hedhë dritë në hetime. (dw)

Polemikat rreth filmit “American Sniper”

Publikimi i filmit “American Sniper” ka çuar në rritjen e kërcënimeve kundër myslimanëve në Shtetet e Bashkuara, ka thënë një grup arabo-amerikan për të drejtat civile.Komiteti Amerikano-Arab kundër Diskriminimit, i ka shkruar letër regjisorit Clint Eastwood dhe aktorit Bradley Cooper.

Filmi i tyre bazohet në shërbimin e ushtarit amerikan, Chris Kyle, në Irak, nga viti 2003 deri më 2009.

Komiteti Amerikano-Arab kundër Diskriminimit ka thënë se “shumica e kërcënimeve të dhunshme që kemi parë gjatë disa ditëve të kaluara, janë rezultat i asaj se si janë përshkruar arabët dhe myslimanët në filmin American Sniper”.

Organizata, e cila e përshkruan veten si organizata më e madhe e të drejtave të arabëve në SHBA, ka thënë se ka mbledhur qindra mesazhe të dhunshme kundër amerikanëve arabë dhe myslimnanë, shumicën e tyre nga Facebook-u dhe Twitter-i.

Regjisorit Eastwood dhe aktorit Cooper u është bërë thirrje që të flasin kundër mesazheve të tilla, në përpjekje për të reduktuar retorikën e urrejtjes.

Jack Horner, zëdhënës i studios filmike, Warner Bors, e cila ka publikuar filmin, i ka thënë agjencisë Reuters se kompania dënon çdo retorikë të dhunshme dhe anti-myslimane, ndërsa zëdhënësit e Eastwoodit dhe të Cooperit nuk u janë përgjigjur kërkesave të menjëhershme për komente.

“American Sniper” ka qenë hit i madh në Amerikën e Veriut, duke kaluar të gjitha parashikimet për shikueshmëri. Ai ka fituar 90 milionë dollarë në fundjavën e parë të shfaqjes – një shumë rekorde kjo për muajin janar. Filmi po ashtu ka gjashtë nominime për Çmimin Oscar.

Ai, megjithatë, ka shkaktuar polemika. Disa e kanë përshëndetur portretizimin e ushtarit Kyle si hero të luftës, por të tjerët e kanë kritikuar atë për lartësim të dhunës dhe për qëndrimin e Kyle ndaj viktimave.

Kyle ka shërbyer katër turne në Irak dhe ka vrarë mbi 160 njerëz, duke u bërë snajperisti më vdekjeprurës në historinë amerikane.

Filmi bazohet në librin e tij, i titulluar po ashtu “American Sniper”, në të cilin ai ka thënë se nuk ndjen keqardhje, ndërsa atyre që ka vrarë, u është referuar si “egërsira”.

Kyle është qëlluar dhe vrarë në shkurt të vitit 2013, në Teksas, nga Eddie Routh. Ky i fundit ka qenë veteran i luftës në Irak, të cilin Kyle ka bërë përpjekje të ndihmojë për t’u shëruar nga çrregullimet e stresit post-traumatik.

Premiera botërore e filmit “American Sniper” ka qenë më 11 nëntor të vitit 2014, në Festivalin e Institutit të Filmit Amerikan. (Marrë nga BBC/v.tela)

Çfarë do të diskutohet në Mynih

Që nga viti 1963 Konferenca e Sigurisë në Mynih është element kryesor në kalendarin e politikëbërësve dhe studiuesve globalë. Këtë vit organizatorët ofrojnë një shërbim të ri për publikun – një raport paraprak.Raporti i Mynihut për Sigurimin, prej 70 faqesh, u botua këtë vit për herë të parë, para takimit triditor të planifikuar për në fillim të shkurtit. Ky është menduar si një hyrje për Konferencën e Sigurisë në Mynihu. Titulluar “Rend në kolaps, mbikëqyrës ngurrues” dokumenti paraqet çështjet kryesore të agjendës së tanishme të politikës ndërkombëtare siç shihet kjo përmes lenteve të organizatorëve të konferencës dhe një mori think-tankesh globale që bashkëpunuan për këtë raport.
Ndarë në katër seksione, botimi hedh dritë ndaj aktorëve kyç, vatrave të mëdha të nxehta dhe sfidave të reja në skenën globale para se të sugjerojë për lexuesit raporte të vlefshme apo libra në qoftë se ata duan të thellohen më tej në çështje të caktuara.

Ftesë për dialog
Raporti i Mynihut për Sigurinë nuk ofron asnjë trajtim shterues apo zgjidhje të mundshme për temat më të ngutshme të marrëdhënieve të sotme ndërkombëtare. Por ky nuk ishte synimi i publikimit thotë kryetari i konferencës Wolfgang Ischinger në hyrjen e tij.
“Raporti ka për qëllim, para së gjithash, të jetë – shpresojmë – një nxitës për diskutime kontroverse për konferencën tonë,” shkruan Ischinger. “Është një zhvillim i mirë,” thotë Thorsten Benner, drejtues i Institutit për Politika Globale Publike me qendër në Berlin. “Kjo tregon se Konferenca e Sigurisë në Mynih është e angazhuar me të vërtetë për përmbajtjen dhe për t’u ofruar politikëbërësve dhe analistëve pikëpamjet më të fundit mbi çështjet duke e bërë këtë me modestinë e nevojshme.”
Pyetje interesante
James Davis, profesor për politikën ndërkombëtare në Universitetin e St. Gallenit në Zvicër thotë: “Raporti shtron një numër pyetjesh të rëndësishme dhe edhe pse nuk ofron ndonjë përgjigje të vërtetë për to që unë mendoj se duhet të kuptohet ashtu sikurse është reklamuar – një ftesë për dialog.”
Të dy Davis dhe Benner vënë në dukje pjesën mbi fuqitë në rritje, si një pikë të vlefshme fillestare për diskutime të mëtejshme dhe dhe më gjera në Mynih. Një tjetër pyetje e rëndësishme është “nëse mungesa aktuale e stabilitetit që shohim në sistemin ndërkombëtar lidhet me rendin në kolaps apo me dështimin e Shteteve të Bashkuara në rolin e tyre udhëheqës,” vuri në dukje Davis.
Shumë mirë është përpunuar edhe pjesa ku bëhet fjalë për zhvillimet që vërehen aktualisht në Ukrainë, thotë Benner. Kështu p.sh. lufta përmes informacionit, pra shpërndajes strategjike të informacioneve manipuluese, dhe lufta asimetrike, pra mes palëve në konflikt që janë të armatosura dhe të organizuara në mënyra të ndryshme. (dw)

Siri, forcat kurde marrin kontrollin e Kobanit

Organizata “Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut” me seli në Britani njofton se forcat kurde kanë rimarrë kontrollin e qytetit kufitar sirian të Kobanit, duke sprapsur militantët e Shtetit Islamik pas një beteje katër mujore.Grupi monitorues thotë se luftëtarët kurdë, të mbështetur nga sulmet ajrore amerikane pothuajse i kanë dëbuar gjithë militantët nga zona përgjatë kufirit me Turqinë.

Banorët civilë ishin larguar nga qyteti i Kobanit që kur Shteti Islamik filloi sulmin ndaj tij në shtator.

Gjatë ditëve të fundit, ushtria amerikane dhe forcat e koalicionit kundër Shtetit Islamik i përqëndruan gjithë goditjet ajrore kundër forcave të këtij grupi në Kobani.

Pas katër vjetësh luftë civile Siria përballet me një konflikt të dytë të brendshëm, ndërsa Shteti Islamik ka marrë nën kontroll gjatë vitit të kaluar territore në veri dhe lindje të vendit.

Rusia po pret delegacione siriane për bisedime sot në Moskë si pjesë e një plani për të rifilluar bisedimet e paqes dhe për të gjetur një zgjidhje politike për luftën civile. (voa)

Formohet koalicioni qeveritar në Greqi

Partia e ekstremit të majtë, Syriza, e cila ka fituar zgjedhjet e përgjithshme të dielën në Greqi, ka formuar koalicion qeveritar me partinë e krahut të djathtë, Grekët e Pavarur.Koalicioni do të ketë shumicë të rehatshme në Parlamentin e ri të Greqisë.

Udhëheqësi i Syrizas, Alexis Tsipras, është zotuar se do të rinegociojë paketën e ndihmës për Greqinë, në vlerë prej 240 miliardë eurosh, dhe se do t’i japë fund “poshtërimit dhe dhimbjes” së Greqisë.

Disa politikanë evropianë e kanë paralajmëruar atë që të respektojë kushtet e ndihmës.

Treshja e huadhënësve të Greqisë – Bashkimi Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar – i ka imponar shkurtime të mëdha buxhetore Athinës në këmbim të parave të ndihmës.

Aktualisht, papunësia në Greqi është 25 për qind, ndërsa ekonomia e saj është tkurrur për një të katërtën që nga fillimi i krizës në Eurozonë.

“Para nesh kemi një mundësi të madhe, për një fillim të ri midis Greqisë dhe Evropës, për një politikë të re, për një marrëdhënie të re, bazuar në besim, respekt, solidaritet dhe përgjegjësi”, ka thënë Tsipras.

Kryeministri në largim, Antonis Samaras, ka pranuar humbjen.

“Populli grek ka folur dhe ne respektojmë vendimin e tij. Ndërgjegjja ime është e pastër. Unë kam marrë drejtimin e vendit kur ai ka qenë në prag të katastrofës. Kam pasur në duar qymyr të nxehtë. Shumë njerëz kanë thënë se nuk do t’ia dalim, por ia kemi dalë dhe kemi shmangur më të keqen”, ka thënë Samaras.

Bashkimi Evropian është shprehur i gatshëm që të bashkëpunojë me Qeverinë e re të Greqisë dhe ta ndihmojë atë në zbatimin e reformave.

“Komisioni Evropian respekton plotësisht zgjedhjen sovrane dhe demokratike të popullit grek. Ne jemi të gatshëm të angazhohemi me qeverinsë e re sapo të formohet”.

“Greqia ka bërë përparim të dukshëm në vitet e fundit dhe ne jemi të gatshëm të vazhdojmë dhe ta ndihmojmë atë në adresimin e reformave të mbetura”, ka thënë Margaritis Schinas, zëdhënës i presidentit të Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.

Gjermania dhe Britania kanë thënë se presin që Qeveria e re greke t’iu përmbahet angazhimeve të saj ndaj kreditorëve ndërkombëtarë.

Në Londër, zyra e kryeministrit britanik, David Cameron, ka thënë se “Greqia duhet të trajtojë deficitin e saj dhe të përmbushë angazhimet ndërkombëtare”.

Borxhi i Greqisë është 175 për qind e bruto prodhimit të saj të brendshëm. (v.tela)

Koment: Nuk është lojë e lehtë për Robin Hoodin

Alexis Tsipras arriti atë që dëshironte. Por pas fitores në zgjedhje të Syrizas, ai hyn në fazën më të vështirë të karrierës së tij politike. Spiros Moskovou parashikon se nuk do të jetë e lehtë për Robin Hoodin grek.Ne as nuk do të provokojmë prishjen me partnerët tanë dhe as nuk do ta vazhdojmë nënshtrimin pa kushte. Me këto fjalë u përpoq ta përmblidhte politikën e tij pak para mesnate, triumfuesi i padiskutueshëm i zgjedhjeve të parakohshme në Greqi, Alexis Tsipras. Aleanca e tij Syriza, para pak vitesh një grupim politik jo me shumë rëndësi, u ngjit në shkallën e një partie popullore përmes votës protestuese të të pakënaqurve. Udhëheqësi i ri popullor e karizmatik, Tsipras nuk e njeh përgjegjësinë politike të qeverisjes së një vendi. Tani ai hyn në fazën më të vështirë të karrierës së tij politike: Si fitues i zgjedhjeve dhe shpresa e një mazhorance ai duhet që ta bëjë realitet retorikën kundër masave të kursimit.
Por nuk ka për të qenë e lehtë për Robin Hoodin grek. Greqia është ende e varur nga injeksionet financiare të trojkës së urryer – të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të Bankës Qendrore Europiane dhe Komisionit Europian. Një përpjekje e para disa muajve për rifinancimin e vendit përmes tregjeve financiare dështoi keqazi. Me fjalë të tjera: Një qeveri e Syrizas as nuk mund ta rrezikojë prishjen me partnerët ndërkombëtarë, pa pasur pasoja fatale në vend. Ajo do të kërkojë rinegociim me qëllim faljen e një pjese të borxheve. Ndryshe Syriza nuk ka shans t’i bëjë realitet premtimet që u ka bërë shtresave të popullsisë greke të rraskapitura nga kriza.

Shërimi ende i pasigurtë
Edhe në vitin e pestë pas falimentimit Dd-facto të Greqisë dhe megjithë ombrellat e hapura të shpëtimit, vendi ende nuk është rimëkëmbur. Sukseset si rritja e prodhimit në vitin 2014, të ardhurat plus në buxhetin shtetërror, një turizëm bombastik – të gjitha këto nuk duhet të na bëjnë të harrojmë se ekonomia greke ka humbur një të pestën e vëllimit të saj në vitet e fundit. Papunësia është ende në nivele rekord, shtresa të tëra të popullsisë kanë rënë në varfëri për shkak të masave të kursimit jo të menduara mirë e tatimeve shtesë. Mund të thuhet se Greqia po përjeton një modernizim jo- sistematik me kosto sociale të jashtëzakonshme.
Edhe Brukseli nuk duhet të provokojë prishjen me Athinën
Shtyllat e qeverive të koalicionit në vitet e fundit kanë qenë partia konservatore, Nea Dimokratoa e kryeministrit që dështoi në këto zgjedhje, Antonis Samaras bashkë me partinë socialdemokrate, PASOK. Këto janë partitë përgjegjëse për keqmenaxhimin ekonomik dhe korrupsionin e dekadave të fundit. Votuesit i ndëshkuan ato me mosdhënien e votës. Tani Syriza premton të bëjë realitet të pabërën: të luftojë korrupsionin, të ndjekë penalisht evazionin fiskal, të rimëkëmbë sektorin publik. Detyra që për politikën greke janë kthyer në punën e Sizifit. Syriza e freskët, dhe pa përvojë politike në pushtet bëhet gati tani ta zgjidhë nyjen gordiane. Për Greqinë dhe Europën do të ishte me interes nëse edhe partnerët e Brukselit nuk do të provokonin një prishje me pushtetin e ri në Athinë. (dw)

Greqia, në krye një koalicion i radikalëve të majtë dhe të djathtë

Një parti e majtë radikale dhe një udhëheqës 40 vjeçar që është kundër masave shtrënguese ndaj ekonomisë greke siguroi fitore dërrmuese në votimet e djeshme në Greqi, ndaj partisë konservatore Demokracia e Re dhe udhëheqësit të saj, kryeministrit në largim, Antonis Samaras.Rezultatet e zgjedhjeve të së dielës e bëjnë Alexis Tsipras, udhëheqësin e partisë Syriza, kryeministrin më të ri të vendit në 150 vjet.

Ai është zotuar t’u japë fund politikave disa vjeçare me masa të ashpëra ekonomike për Greqinë. Megjithatë, rezultati i zgjedhjeve mund ta verë Greqinë në konflikt me BE-në dhe me kreditorët ndërkombëtarë.

Syriza mori dy vota më pak se 151 votat e nevojshme për ta drejtuar vendin e vetme, pa formimin e një koalicioni qeveritar.

Zoti Tsipras tashmë ka siguruar mbështetjen e partisë së krahut të djathtë, Grekët e Pavarur, që me sa duket do ta lejojë atë të formojë me shpejtësi një koalicion qeverisës. Pas shpalljes sot të rezultatit të zgjedhjeve, kryeministri i ardhëm zhvilloi bisedime me Panos Kammenos, udhëheqësi i Partisë së Pavarur Greke.

Partia e krahut të djathtë ka patur pak të përbashkëta me partinë Syriza, por të dyja këto parti kanë qenë kundër paketës ndërkombëtare të shpëtimit për Greqinë, që filloi disa vjet më parë.

Tregjet e aksioneve fillimisht reaguan negativisht ndaj rezultatit të zgjedhjeve të së dielës, por me kalimin e kohës u përmirësuan. Megjithatë, aksionet greke ranë rreth 4 për qind pak pas hapjes së tregjeve financiare.

Euro ra në nivelin më të ulët në 11 vjet, por më pas u ngrit përsëri, duke i rigjallëruar shqetësimet se Eurozona, grupi i vendeve që përdorin monedhën e përbashkët, Euro, mund të shpërbëhet. Ministrat e financave të Bashkimit Evropian takohen sot për të diskutuar mbi ndikimin që mund të kenë zgjdhjet e Greqisë mbi Euron. (voa)

Fitorja e Syrizas shkakton frikë për trazira të reja në eurozonë

Syriza është fituese e qartë e zgjedhjeve në Greqi. Sipas përllogaritjeve ajo ka fituar 149 deri 151 nga 300 vendet në parlamentin grek.Koalicioni i majtë Syriza dëshiron të diskutojë me partnerët evropianë planin e reformave që kërkohen prej Greqisë. Rezultati në zgjedhje është një mandat i qartë për t’i dhënë fund programit destruktiv të kursimeve, tha kreu i aleancës Alexis Tsipras para mijëra mbështetësve të tij në Athinë.
Trojka e Komisionit Evropian, Bankës Qendrore Evropiane (BQE) dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), që e kanë shpëtuar Greqinë me 240 miliardë euro nga kolapsi, i takojnë historisë, tha ai, duke shtuar se Greqia do të paraqesë planet e saj të reformave.
Qeveria e re do të punojë për një zgjidhje të përbashkët me donatorët dhe nuk synon grindje destruktive. Qëllimi është që të shërojmë plagët e grekëve të shkaktuara nga kriza dhe për të rivendosur kohezionin social në vend.
Tsipras kishte njoftuar që gjatë fushatës zgjedhore, se nuk do t’i zbatojë reformat për të cilat qeveria kishte rënë dakord me trojkën në këmbim të ndihmës së shpëtimit. Ai dëshiron gjithashtu që të arrijë një falje të borxhit. Në tregjet financiare është kthyer frika prej trazirave të reja në eurozonë.
Përshëndetje dhe paralajmërime
Grupi parlamentar i të majtëve në Parlamentin e BE-së e përshëndeti fitoren e koalicionit të majtë Syriza në zgjedhje në Greqi. “Ky është hapi i parë për të ndaluar politikën varfërisë të elitave politike” tha ky grup të dielën në mbrëmje në Bruksel. Spanja mund ta ndjekë këtë shembull në vijim të këtij viti. Udhëheqësi i Syrizës Aleksis Tsipras do që Greqia të mbetet në eurozonë, tha grupi parlamentar i të majtëve në Parlamentin e BE-së i cili përfshin edhe anëtarë të aleancës së majtë nga Greqia.
Kurse konservatorët në Parlamentin Europian kërkuan respektimin e masave të kursimit dhe zbatimin e reformave për të cilat është angazhuar Greqia. “Evropa është në solidaritet me Greqinë në qoftë se respektohen marrëveshjet e nënshkruara”, tha kryetari i grupit parlamentar të Partive Popullore Evropiane (EPP), Manfred Weber (CSU), të dielën në mbrëmje në Bruksel. EPP është grupi më i madh politik në Parlamentin Evropian. Taksapaguesit evropianë, nuk janë sipas mendimit të Manfred Weber-it të gatshëm për të paguar për premtimet zgjedhore të shefit të Syrizas Aleksis Tsipras. (dw)

Perëndimi kërcënon Rusinë me sanksione të reja

Presidenti Barack Obama dhe udhëheqësit evropianë po paralajmërojnë për sanksione të reja ndaj Rusisë, pas separatistët pro-rusë ndërmorën një sulm vdekjeprurës me raketë ndaj qytetit port Mariupol të Ukrainës.Në një vizitë shtetërore në Indi, zoti Obama tha se ai do ta rriste trysninë ndaj Moskës, pas sulmit të djeshëm që shkaktoi vdekjen e të paktën 30 vetëve dhe plagosjen e mbi 80 të tjerëve kur raketat goditën një treg dhe godina banimi.

Disa udhëheqës evropianë kishin përmendur së fundmi mundësinë e lehtësimit të sanksioneve kundër Moskës, por Donald Tusk, ish kryeministër i Polonisë, dhe President i Këshillit Evropian shkruante në Twitter se “edhe një herë, zbutja inkurajon agresorin që të intensifikojë dhunën. Është koha t’i forcojmë përpjekjet politike mbështetur në fakte, jo iluzione”.

Presidenti ukrainas Petro Poroshenko tha se bisedat në radio dhe telefon të interceptuara nga Kievi vërtetojnë se separatistët e mbështetur nga Rusia ishin përgjegjës për sulmin e Mariupolit.

Ndërkohë Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha se forcat e Kievit ishin përgjegjëse për përshkallëzimin e luftimeve në Ukrainën lindore. (voa)