Kategoritë: Bota

Lajmet nga Bota

UNHCR kërkon program rivendosjeje për refugjatët

Aylan KurdiKomisionari i lartë për refugjatë i OKB-së Antonio Guterres, tha se kriza e refugjatëve do të jetë një “moment përcaktues” për Bashkimin Evropian

Komisionari i lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të pranojë mbi 200 mijë refugjatë në një “program rivendosjeje masive” për të lehtësuar valën e migruesve në kufijtë e BE-së që po kërkojnë strehim.

Antonio Guterres në një deklaratë të publikuar të premten kërkoi nga BE-ja që të zbatojë një program që kërkon përfshirjen e të gjitha shteteve të Bashkimit Evropian, për të ndihmuar refugjatët që kanë nevojë për mbrojtje.

Guterres tha se kriza e refugjatëve do të jetë një “moment përcaktues” për Bashkimin Evropian. Ai tha se nga një BE e ndarë rreth kësaj çështjeje do të përfitojnë vetëm kontrabandistët dhe trafikantët.

Në ndërkohë, në qytetin hungarez Bicske, qindra refugjatë po refuzojnë të zbresin nga treni në të cilin kishin hipur në Budapest me shpresë për të shkuar në Gjermani e cila tha se do të pranojë 800 mijë kërkesa për statusin e refugjatit. Autoritetet hungareze ngulin këmbë se duhet të regjistrojnë migruesit sipas rregullave të Bashkimit Evropian.

Zyrtarë në Bicske, thanë se vetëm 16 veta zbritën vullnetarisht nga treni për t’u regjistruar në kampin e refugjatëve, ndërsa qindra të tjerë qëndruan në tren duke brohoritur “jo kampe” dhe “Gjermani, Gjermani.”

Qindra mijëra migrues nga Siria kanë ndërmarrë udhëtime të dëshpëruara që nga janari për të arritur në Bashkimin Evropian në përpjekje për të ikur nga lufta dhe varfëria.

Greqia dhe Italia ishin ndalesat e para për shumë migrues që kishin marrë rrugën e rrezikshme nëpër Mesdhe.

Udhëheqësit francez, gjerman dhe italian, thanë të enjten se duhet të ketë një shpërndarje të detyrueshme dhe të drejtë të refugjatëve gjithandej BE-së.

Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schultz, tha se shtetet anëtare të BE-së më një popullsi prej mbi 500 milionë banorësh, mund të absorbojnë një numër të madh refugjatësh për aq kohë sa migruesit nuk përqendrohen në vetëm disa vende.

babai i refugjatit kurdiNë një zhvillim tjetër, babai i refugjatit të vogël sirian, trupi i të cilit u gjet në bregdetin turk, po kthehet në Siri. Abdullah Kurdi, i biri i të cilit humbi jetën bashkë me të vëllain dhe të ëmën pas përmbysjes së barkës me refugjatë, po udhëton me tri arkivolet e familjarëve të tij për në qytetin Kobani në Siri.

Fotografitë zemërthyese të Aylanit trevjeçar, i veshur me bluze të kuqe dhe atlete, i shtirë me fytyrën e zhytur ne valët e detit, u shfaq në faqet e para në mbarë botën dhe në mediat sociale, duke u shndërruar në simbolin e krizës së refugjatëve të shkaktuar nga lufta në Siri.

Aylani, vëllai i tij pesëvjeçar dhe e ëma, ishin në mesin e 12 sirianëve që u mbytën kur barka e tyre u përmbyt derisa po largohej nga Turqia për në ishullin grek, Kos.

I ati, që i mbijetoi udhëtimit, u tha gazetarëve se ëndrrat e tij janë rrënuar.

Vendet e bllokut 28 anëtarësh të BE-së planifikojnë të mbajnë një takim emergjent për refugjatët më 14 shtator. (voa)

Koment: fotografi që na prek të gjithëve

Aylan KurdiVogëlushi sirian Aylan Kurdi – i mbytur gjatë lundrimit drejt Europës. A mund të tregohet fotografia e fëmijës së vdekur? Apo madje atë duhet ta tregojmë? Mbi vendimin e kryeredaktorit të DW-së Alexander Kudascheff

Kjo fotografi është një pamje e tmerrshme. Ajo tregon tmerrin e arratisë vdekjeprurëse dhe padobi nga Siria e shkatërruar prej luftës civile. Eshtë një fiksim i çastit – për atë që ndodh çdo ditë përqark Mesdheut.

Por në këtë fotografi është fiksuar horrori i luftës civile. Eshtë një fotografi që të prek. Një fotografi, që të le pa fjalë prej dhimbjes. Eshtë një fotografi, që të bën të ndjesh pafuqinë tonë. Eshtë një fotografi që të thellon në mendime. Dhe që na bën të heshtim. Eshtë një fotografi, nga e cila të gjithë ndjejmë, se ajo është fotografia e vitit, ndoshta e shekullit. Ajo ngërthen gjithçka na preokupon, na prek, na indinjon e na zemëron përgjatë këtyre muajve. Dhe ajo është një fotografi e llahtarshme.

Arsye të forta për të mos e publikuar

A lejohet, a duhet të tregohet kjo fotografi? A duhet ta tregojmë ne në Deutsche Welle atë? Ka arsye bindëse dhe që duhen peshuar për të mos e publikuar atë. Eshtë fjala për përshpirtshmëri, për dinjitetin e fëmijës, për vetëpërmbajtje të përligjur nga ana jonë e medias.

Ne vendosëm ta tregojmë atë. Jo të nisur nga kënaqësia për sensacion, as për të arritur shifra klikimesh dhe as për të rritur kuotat e shikueshmërisë në televizion. Ne e tregojmë atë, sepse ajo na prek të gjithëve. Ne e tregojmë atë, sepse ajo i jep një simbol tragjedisë së refugjatëve: tragjedisë së fëmijës së pafajshëm, për të cilin prindërit u nisën drejt një rruge të rrezikshme për jetën, për t’i dhënë atij një të ardhme më njerëzore, e cila mori fund në det.

Kjo fotografi të shkund

Ne e tregojmë atë, sepse ajo na shkundi edhe ne në konferencën redaksionale na vuri në mendime dhe na bëri të heshtur. Të prekur prej vuajtjes dhe vdekjes. Ne e tregojmë atë, sepse e ndjejmë vuajtjen dhe sepse – në kulmin e intensitetit të së përdisthmes sonë gazetareske – ne u ndalëm një çast. Përpara kësaj fotografie. (dw)

Uji në Groenlandë

GroenlandStudimet e fundit tregojnë se shtresa e akullit në Groenlandë ndikohet nga reshjet, rrjedhja e ujit, kullimi dhe temperatura. Dy studime të publikuara në revistën “Natyra” përqëndrohen tek efekti i ujit ndaj kësaj shtrese gjigande akulli.

Shtresa e akullnajës së Groenlandës është masa e dytë më e madhe e akullit në Tokë. Rreth 80% e Groenlandës është e mbuluar prej akullit. Sipas Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimin Klimatik (IPCC), masa e ujit të ruajtur në formë akulli do të mjaftonte për të rritur nivelet e detrave me shtatë metra. Sipas Institutit Metereologjik Danez (DMI), temperatura e rritur me 1,5 gradë celcius ka efekt të dokumentuar. Faktorët e tjerë, krahas temperaturës së ajrit, nuk janë të mirëdokumentuar.

“Deri vonë, njerëzit mendonin se shtresat e akullit, Antarktika dhe Groenlanda, janë objekte të palëvizshme, që nuk ndryshonin prej impaktit njerëzor dhe se ndryshonin shumë ngadalë vetëm prej klimës. Rishtazi po zbulojmë se këto masa akulli reagojnë me shumë shpejtësi. Reagojnë madje edhe ndaj shirave të fuqishme. Nëse bie shumë shi mbi akull, gjen një mënyrë që të zhvendoset nën të.”

Në një studim, shkencëtarë amerikanë përshkruajnë se si liqenet e krijuara nën akullnajën e Groenlandës, shpesh thahen me shpejtësi më të madhe nga ç’mendohej. Shkencëtarët përshkruajnë se si masa e madhe e ujit mund të çajë akullin dhe të rrjedhë me shpejtësi. Në një rast, një liqen i madh u tha brenda 90 minutave me një shpejtësi më të madhe të lëvizjes së ujit se sa ujëvara e Niagarës. Ky ujë në vijim ndikon bazën e akullit duke përshpejtuar shkëputjen e masave të mëdha të akullit.

“Nëse vendosim një paisje gjurmuese GPS në akull dhe ndodh një shkrirje e madhe, atëherë shikojmë se ajo lëviz me shpejtësi nën shtresën e akullit. Sa herë ndodh të thahet ndonjë liqen me shpejtësi, atëherë vërejmë që edhe shtresa e akullit lëviz më me shpejtësi gjatë asaj periudhe.”

Një studim tjetër i disa universiteteve evropiane përshkruan efektin e madh të reshjeve të fuqishme mbi gjendjen e akullnajës. Reshjet e mëdha kryejnë të njëjtin veprim nën akullnajë si tharja e liqeneve.

“Kur bien shira në përfundim të sezonit të shkrirjes, uji vështirësohet të gjejë dalje dhe zbret nën shtresën e akullit. E gjithë akullnaja fillon të lëvizë më shpejt pasi uji e ngre lart dhe krijon një lloj shtrati lubrifikues. Për shkak të lëvizjes së shpejtuar, atëherë rritet dhe shkëputja e akujve.”

Shkencëtarë nga Nju Jorku filmuan në qershor shkëputjen e një pjese akulli 1 kilometër të gjatë në Groenlandën perëndimore. Ky proçes është natyral, por vlerësohet se që në vitin 1840, shkëputja e akujve të Groelandës është rritur me 40%. Një arsye mund të jetë rritja e reshjeve si pasojë e ndryshimeve klimatike.

“Studimi ynë tregoi se gjatë dekadës së fundit janë shtuar reshjet gjatë sezonit të shkrirjes. Këto janë tashmë të gjithpranishme në Groenlandë, krahasuar me dekadat e mëparshme kur reshjet ishin më të rralla.”

Masa gjigande e akullnajës së Groenlandës prej 2.9 milionë metër kub nuk ka gjasa të zhduket për disa shekuj të tjerë. Por, shkencëtarët paralajmërojnë se nivelet e detrave mund të rriten rrezikshëm qoftë edhe me një shkrirje të një pjese të vogël të akullnajës.

Në Paris do të mbahet më 30 nëntor deri në 11 dhjetor, Konferenca e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që do të synojë të mbajë ngrohjen globale nën nivelin e 2 gradëve celcius. (voa)

Hungaria mbylli stacionin e trenave për të penguar migruesit

Qindra policë nxorën migruesit nga stacioni kryesor i trenave në Budapest duke pamundësuar udhëtimin e tyre drejt Austrisë dhe Gjermanisë.

stacioni i trenit hungari

Autoritetet hungareze mbyllën stacionin kryesor hekurudhor në Budapest duke bllokuar qindra migrues, kryesisht nga zonat e përfshira nga konfliktet në Lindje e Mesme, që po përpiqen të shkojnë në Austri dhe Gjermani.

Qindra policë nxorën migruesit nga stacioni dhe bllokuan hyrjen e tyre të martën, pak pasi që nga altoparlantët iu bë thirrje të gjithë pasagjerëve që të evakuohen.

Nuk ka pasur njoftime për përleshje, ndryshe nga çfarë kishte ndodhur më herët gjatë ditës, kur qindra veta provuan të hipin në një tren që udhëtonte për në Vjenë, por u bllokuan nga policia.

Pasi që u nxorën nga stacioni, migruesit u mblodhën jashtë tij duke ngritur një kamp të improvizuar. Disa brohoritën “Liri, Liri” apo “Gjermani, Gjermani”, një nga vendet e synuara prej shumë syresh.

Autoritetet austriake thanë se gjithsej 3 mijë e 650 migrues arritën të hënën në Vjenë. Ky është numri më i madh i migruesve brenda një ditë gjatë këtij viti në valën tronditëse të njerëzve që po kërkojnë strehim në Bashkimin Evropian.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, kur u pyetën përse e mbyllën stacionin dhe ndaluan migruesit, një zëdhënës i qeverisë hungareze tha se autoritetet po përpiqen të zbatojnë ligjet e BE-së.

Sipas ligjeve të BE-së, migruesit duhet të kërkojnë strehim në vendin e parë të hyrjes. Kësisoj Hungarisë teknikisht i është pamundësuar të lejojë migruesit që të shkojnë në Austri dhe Gjermani.

Zbatimi jo i plotë i rregullave ka bërë që shumë migrues të mbeten në situatë pa rrugëdalje, meqë shumë nuk kanë dokumente të nevojshme apo para për të blerë bileta treni.

Të martën, kancelarja gjermane Angela Merkel, u bëri thirrje vendeve evropiane që të përshpejtojnë një politike të përbashkët strehimi, që sipas saj, do të përfshijë edhe ngritjen e qendrave të regjistrimit të migruesve në zonat kalimtare.

Ndërsa tha që refugjatët e luftës dhe të përndjekurit duhet të vendosen në Evropë, kancelarja Merkel nënvizoi se ata që ikin për arsye ekonomike, duhet të kthehen në vendet e tyre.

Gjermania ka pranuar më shumë refugjatë sesa cdo vend tjetër evropiane me një numër të përgjithshëm që mund të arrij në 800 mijë deri në fund të vitit. Por, Sllovakia, Republika Ceke, Hungaria dhe Polonia, janë në mesin e vendeve kanë bllokuar planin e vendeve anëtare të BE-së për të pranuar një numër të caktuar refugjatësh.

Kryeministri sllovak Robert Fico, tha se vendi i tij “nuk do të pajtohet kurrë”, me kuotat e refugjatëve që duhet pranuar.

Ministri i jashtëm francez Laurent Fabius, akuzoi të shtunën vendet e Evropës Lindore, posaçërisht Hungarinë për politika skandaloze kundrejt migruesve që bien ndesh me vlerat e Bashkimit Evropian.

Budapesti është duke ngritur një mur katër metra të lartë me tela gjembor përgjatë kufirit me Serbinë për të penguar migruesit që të hyjnë në Hungari.

Sekretari hungarez i shtetit Levente Magyar, i tha agjencisë kombëtare të lajmeve se qeveria hedh poshtë akuzat e ministrit Fabius.

Vendet anëtarë të BE-së planifikojnë të zhvillojnë bisedime emergjente mbi çështjen e migrimeve më 14 shtator. (voa)

SHBA: CAS, një program i ri për fermerët

bujkuBujqësia e Mbështetur nga Komuniteti, është një program në të cilin konsumatorët parapaguajnë një fermer për dërgesa të rregullta të perimeve dhe frutave të freskëta. Kjo është historia e një fermeri i cili tani e ka zgjeruar këtë programin për avokatët në qytetin e Nju Jorkut. Dhe, avokatëve u pëlqen programi.

Kjo fermë 40-hektarëshe perimesh, që ndodhet rreth 96 kilometra nga qyteti i Nju Jorkut, ka qenë në pronësi të familjes Glebocki që nga viti 1894. Pronari i saj aktual, John Glebocki, një sipërmarrës i ri, ka menaxhuar fermën dhe e ka rritur atë pëmes zgjerimit të dërgesave të drejtpërdrejta të prodhimeve në zyrat e bizneseve të ndryshme.

 “Ky program është i mirë pasi ne paguhemi para se prodhimet të jenë gati. Kjo na ndihmon të punojmë, të paguajmë për farën dhe kosto të tjera për kultivimin e perimeve. Por edhe shitja e prodhimeve është e garantuar”.

Zoti Glebocki flet për tarifën 525 dollarëshe që klienti duhet të paguajë për dërgesa të 6 deri 8 perimeve të ndryshme në një periudhë 22 javëshe.

 “Bëhet fjalë për shumë lloje të ndryshme të perimeve dhe zarzavateve sezonale si domatet dhe misri i ëmbël”.

Çdo të enjte Glebocki dhe punëtorët e tij bëjnë dërgesa në qytetin e Nju Jorkut.

Paërmes trafikut në rrugët e këtij qyteti të madh, shoferi ndalon para zyrës së firmës Winston and Strawn Law ku përshëndetët nga dy përfaqësuesë të saj dhe u jep atyre perimet e freskëta. Ky program ka rreth 24 abonentë.

“Të gjithë duhet të abonohen. Kjo është një mënyrë mirë për të ndihmuar fermerët tanë në mënyrë që ne të vazhdojmë të furnizohemi me prodhime të freskëta”.

“Është pak e çuditshme të marrësh perime të freskëta në vendin e punës”.

Për shumicën, lehtësia është e rëndësishme.

“Është mirë të furnizohesh me këto prodhime të freskëta çdo të premte. Është vërtetë një lehtësim pasi tani nuk kam nevoj të shkojë në dyqan”.

“Ne pelqen. Është i vetmi ushqim i freskët në dietën tonë. Kemi një orar të gjatë pune dhe kjo është një gjë e mirë për ne”.

Martina Owens ka patur një rol të madh në sjelljen e programit në këtë firmë.

“Një nga nismat e mia më të mëdha këtu është bashkimi i njerëzve në zyrë. Ky program e ka realizuar këtë një qind për qind. Punonjësit tani ndajnë recetat e tyre. Ai sjell së bashku partnerët tanë dhe personelin duke krijuar një ambient të mirë në zyrë”.

Programi e ndihmon John Glebocki-in të mbrohet nga pasiguritë ekonomike të bujqësisë dhe i jep atij dhe fermerëve të tjerë si ai, një garanci. Ata e dinë se çfarë mund të kultivojnë dhe fitojnë nga produktet tyre. Ky stabilitet e mban gjallë biznesin e fermës së familjes së tij. (voa)

SHBA dhe spiunazhi kibernetik të Kinës

spionazhi kibernetikShtetet e Bashkuara po përgatiten të reagojnë ndaj spiunazhit kibernetik të Kinës, duke vendosur sanksione kundër individëve dhe kompanive që kanë përfituar nga vjedhja e sekreteve tregëtare, sipas një njoftimi të gazetës “The Washington Post”.

Duke cituar zyrtarë të paidentifikuar në administratën e Presidentit Barack Obama, gazeta shkruante se Shtetet e Bashkuara nuk e kanë marrë ende vendimin, por ai pritet së shpejti.

Zoti Obama nënshkroi një urdhër ekzekutiv më 1 prill ku autorizohej Departamenti i Thesarit, në konsultim me Prokuroren e Përgjithshme dhe Sekretarin e Shtetit, që të bllokonte pronat dhe transaksionet e kujtdo që mund të kishte qenë përgjegjës për spiunazh kibernetik ndaj entiteteve amerikane ose që mund të kishte përfituar nga informacioni i vjedhur. (voa)

Gjermania mund t’ia dalë mbanë

Kancelarja merr pozicion të qartë në lidhje me krizën e refugjatëve, por edhe faktori kohë luan rol, mendon Dagmar Engel.

merkelTingëllon mjaft logjike dhe pothuajse e pashmangshme se si Angela Merkel formulon në konferencën e saj të madhe vjetore për shtyp para gazetarëve nga Gjermania dhe nga jashtë, politikën e qeverisë federale gjermane në çështjen e refugjatëve dhe të migrimit: E drejta për azil politik dhe mbrojtje nga lufta dhe persekutimi është e drejtë themelore; Për të gjithë vlen e drejta themelore për dinjitetin njerëzor, pavarësisht se prej nga vjen dhe nëse ka shans për të marrë azil apo jo; Kushdo që sulmon këto të drejta themelore, kushdo që sulmon njerëzit që vijnë në Gjermani i shan apo u vë zjarrin strehimoreve të tyre, do të përballet me forcën e ligjit. Fundi i diskutimit.

Atipike

Ose më mirë, nuk ka diskutim. Nuk ka asnjë gjurmë të kuptuari për ekstremistët e djathtë, nuk ka asnjë përpjekje për shpjegime, sepse asgjë nuk e justifikon qëndrimin urrejtës kundër refugjatëve dhe emigrantëve. Kancelarja nuk flet me ksenofobët, ajo nuk preferon të flasë as për nxitësit e urrjetjes. Çdo formë vëmendjeje nga ana e saj vetëm sa rrit statusin e tyre. Mbani distancë – ky rekomandim vlen jo vetëm për bashkëqytetarët e saj. Në vend të kësaj, Angela Merkel zgjedh mjetet e përforcimit pozitiv: ajo është krenare dhe mirënjohëse që numri i ndihmësve është shumë më i lartë se ai i ksenofobëve. Edhe shtypi merr një falënderim për raportimin. Çdo gjë mjaft atipike.

Forcë

Angela Merkel madje heq dorë për ta shpërndarë problemin në Evropë. Sigurisht edhe ajo është për një zgjidhje evropiane. Vlerat themelore të Evropës janë në rrezik, universaliteti i të drejtave civile, nëse evropianët nuk e përballojnë këtë sfidë. Por në Evropë bën pjesë edhe Gjermania. Nuk ka hapësirë për interpretim, kur kancelarja thotë: Gjermania është e fuqishme, ne mund ta bëjmë këtë. Ne i bëmë ballë krizës bankare, kemi vënë nën kontroll krizën në Greqi dhe ia kemi dalë mbanë largimin nga energjia bërthamore – kur është fjala për forcë, kancelarja është gati, është mesazhi i saj.

Basta

Sikur të mos ishte faktori kohë: këto fjalë do të kishte qenë më mirë po të ishin thënë një javë më parë. Apo edhe më herët – parakalimet e para kundër një qendre refugjatësh në Freital në Saksoni kanë ndodhur para disa javësh. Ndoshta nuk do të kishin ndodhur paradat në Heidenau. Një debat duhet të zhvillohet, kur ky është i pranishëm – edhe këtë fjali tha Angela Merkel në konferencën për shtyp lidhur me bilancin e saj politik. Por, kur bëhet fjalë për të drejtat themelore, të cilat janë të padiskutueshme, duhet folur paraprakiosht: së pari, së dyti, së treti, shih më lart. Basta. (dw)

Edhe më tepër mure kundër refugjatëve?

Mijëra refugjatë ndjekin “itinerarin ballkanik” për një jetë pa luftë apo varfëri. Dhe ata do të vazhdojnë të përdorin të gjitha mjetet e mundshme për të arritur qëllimin e tyre.

refugjatet hungariGardhi 175 km i gjatë me tel me gjemba në kufirin hungarezo-serbe është gati dy ditë para datës së planifikuar. Qeveria në Budapest është krenare – dhe dy të tretat e hungarezëve janë dakord me këtë masë. Por refugjatëve vazhdon të mos u bëjë përshtypje kjo pengesë dhe gjejnë pika e shtigje kalimi. Deri në fund të tetorit pritet të ngrihet një gardh i dytë, katër metra i lartë, për të mbrojtur vendin dhe Bashkimin Evropian prej refugjatëve. Shtetet në rajon po i ndjekin këto zhvillime me shumë vëmendje. Ato kanë frikë se tani mijëra refugjatë janë në kërkim të rrugëve të reja dhe kështu problemi në dukje i pazgjidhshëm mund të depërtojë në vendin e tyre.

Vitin e kaluar ishte Bullgaria që ndërtoi në kufirin e saj juglindore me Turqinë një gardh 30 km të gjatë për të ndaluar refugjatët e luftës civile siriane. Tani ky gardh do të zgjerohet në një gjatësi prej 160 km. Edhe në kufirin jugperëndimor me Maqedonibë Bullgaria po shton praninë ushtarake dhe për shkak të krizës së refugjatëve ka dërguar në zonën kufitare trupa dhe automjete të blinduara. Qeveria bullgare flet për një “masë parandaluese”. Dhe edhe pse nuk ka ndonjë dyndje refugjatësh, shumë bullgarë janë të inatosur. Kryeministri Bojko Borisov tha lidhur me dërgimin e trupave në kufirin me Maqedoninë: “Ushtarët janë atje për të përhapur respekt dhe për të kontribuar për sigurinë e popullsisë lokale”.

“Zgjerimi preventiv” i strehimoreve për refugjatë

Në Rumani u mblodh javën e kaluar në një takim urgjent Këshilli Kombëtar për Emergjenca të Veçanta. Ministri i Brendshëm Gabriel Oprea njoftoi shtimin e masave të sigurisë në kufirin 546 km të gjatë rumuno-serb. Edhe pse Rumania nuk gjendet nën “presionin e migratëve” ajo duhet që për shkak të “dinamikës në rritje të rrymave të refugjatëve të kufizojë me sa të jetë e mundur rreziqet e sigurisë” tha Oprea. Prandaj u vendos të merren masa si për “zgjerimin preventiv” të strehimoreve për refugjatë edhe për implementimin e “masave të mëtejshme të Planit Kombëtar të Sigurisë”. Rumania ka aktualisht gjashtë strehimore për azilkërkues me një kapacitet prej rreth 1.500 vendesh. Sipas shifrave zyrtare ato deri tani shfrytëzohen me rreth 20 për qind.

Autoritetet kroate nuk shohin momentalisht “asnjë rrezik në rritje për ndonjë valë refugjatësh”; ky është qëndrimi zyrtar i Ministrisë së Brendshme. Analistët thonë megjithatë, se Kroacia mund të bëhet një “rrugë alternative”, në qoftë se refugjatët nuk do të mund të depërdojnë në zonën e Shengenit përmes kufirit serbo-hungarez.

Qeveria kroate nuk ka asnjë plan konkret për pritjen dhe kujdesin e refugjatëve, thotë kryeministri Zoran Milanoviç. BE-ja po ashtu nuk ka një plan të tillë. Megjithatë, Kroacia është e përgatitur në parim edhe për shkak të përvojës së saj (nga lufta në fillim të viteve 1990, kur qindra-mijëra kroatë ishin në arrati), që të tregohet solidare me njerëzit që kanë nevojë për solidaritet – “sipas mundësive të veta”.

A do ta ndjekin shembullin hungarez të tjerët?

Bullgaria, Rumania dhe Kroacia nuk janë anëtare të zonës së Shengenit. Prandaj sipas analistëve këto vende nuk janë tërheqëse për refugjatët. Sllovakia është anëtare e Shengenit dhe për këtë arsye mund të jetë një alternativë, beson Bratislava zyrtare. Në qoftë se refugjatët nuk mund të kalojnë nëpër rrugët ekzistuese, kufiri gati 100 kilometra me Ukrainën mund të jetë një mundësi tjetër për të hyrë në BE. Prandaj, në fundjavë do të mbahet në kryeqytetin sllovak, një takim i të ashtuquajturave vende të Vishegradit. Kryeministrat e Hungarisë, të Polonisë, të Sllovakisë dhe të Republikës Çeke duan të koordinohen në lidhje me “çështjen e refugjatëve” tha kryeministri sllovak Robert Fico. Do të jetë interesante, nëse shembulli hungarez do të gjejë imitues.

Në të gjitha këto vende diskutohet shumë për këtë temë. Një pakicë aktualisht ende e vogël po ushqen frikën nga një “import terroristësh bashkë me refugjatët” dhe një islamizim të shoqërisë. Politikanë nacionalistë dhe ekstremistë i nxisin këto diskutime. Ende pjesa më e madhe e popullsisë në këto vende është e gatshme të ofrojë ndihmë humanitare. Por kur diskutohet për shpërndarjen e refugjatëve në të gjitha vendet e BE-së, shumë njerëz në Evropën Juglindore janë skeptikë. “Ne jemi shumë më keq se sa evropiano-perëndimorët”, thonë ata, duke shtuar: ” refugjatët e shkretë nuk do të kenë jetë më të mirë këtu.” Këtë e dinë edhe njerëzit nga Afrika dhe Lindja e Mesme të cilët dëshirojnë të shpëtojnë prej varfërisë në vendet e tyre. Prandaj ata do të vazhdojnë të përdorin të gjitha mjetet e mundshme për të arritur qëllimin e tyre. Dhe për shumë syresh synimi është Gjermania. Muret dhe gardhet nuk mund t’i ndalin ata. Këtë na e mëson historia. (dw)

Koment: skllevërit e epokës moderne

Në bazë të dy studimeve të fundit, shumica e gjermanëve ankohen se kanë shumë pak kohë për familjen dhe shokët. Përpara se ta kërkojnë fajin tek të tjerët, ata duhet të analizojnë sjelljen e tyre, mendon Marcel Fürstenau

colourbox

Si e trajtojnë gjermanët kohën e tyre të lirë? Ministrja gjermane e Familjes, Manuela Schwesig donte ta dinte këtë me saktësi. Përgjigjen asaj dhe neve na e dha Zyra Federale e Statistikave në një studim të fundit. Ajo që të tërheq më shumë vëmendjen: shumë dëshirojnë të kenë më shumë kohë të lirë dhe kontakte sociale. Fjala është për kontakte të drejtpëdrejta njerëzore, jo për kontakte virtuale në të ashtuquajturat rrjete sociale. Por në mënyrë paradoksale shumica kalon shumë orë në internet – ose para televizorit. Në këtë përfundim arrin, jo për herë të parë, Fondacioni për Çështjet e së Ardhmes në një vëzhgim të publikuar për vit për kohën e lirë.

Nëse në bazë të studimit, çdo ditë mbeten mesatarisht gati katër orë si kohë e lirë, atëherë këtu nuk duhet të kishim problem të madh kohe. Në shumicën e rasteve kemi të bëjmë me mënyrën si e trajtojmë këtë mall të çmuar. Të bezdisur, të nevrikosur, të tensionuar ndihen gjermanët (dhe me siguri edhe njerëz në vende të tjera). Kjo ka të bëjë natyrisht edhe me përshpejtimin e shoqërisë moderne në përgjithësi. Dendësimi i punës në ambjentin privat dhe profesional nuk është ide fikse, por realitet. Megjithatë mundet dhe duhet filluar nga vetja, po të duash të ndryshosh diçka në këtë.

Flisni me njerëzit në vend që t’u flisni aparateve

A duhen lexuar menjëherë të gjitha e-mailet që vijnë? Uleni sinjalin e celularit, me të cilin informoheni për çdo informacion të ri. Me këtë ruani edhe nervat e ambjentit përreth. Luani më pak me telekomandën e televizorit dhe më shumë me fëmijët dhe me shokët tuaj! Lexoni më mirë një libër se sa të lexoni fletëpalosje me reklama. Pyesni për rrugën më parë një kalimtar në rrugë dhe vetëm atëherë navigatorin e telefonit, kur i panjohuri nuk iu ndihmon dot.

Dakord: teknika moderne, aplikacionet e dobishme nuk janë vegël e djallit. Po ajo që ka rëndësi është përdorimi me vend i tyre. Se çfarë kuptohet me këtë, këtë duhet ta interpretojë secili për vete. Por nuk duhen bërë përgjegjës të tjerët se gjoja nuk ke kohë. Edhe më parë dita kishte vetëm 24 orë. Njerëzit punonin më gjatë, kishin më pak leje vjetore – por megjithatë kishin më shumë kohë. Një kontradiktë? Në asnjë mënyrë, ata vetëm e trajtonin në mënyrë më sovrane kohën e tyre të lirë. Natyrisht që ata e kishin edhe më të lehtë, sepse kishin më pak ofertë, më pak tërheqje të vëmendjes dhe më pak presion për konsum.

Kini guxim për të lënë gjëra pa bërë!

Po të mbajmë parasysh se numri i llojeve të sporteve është pesëfishuar që prej vitit 1980 dhe hapësira e metrave katrorë të qendrave tregtare madje është gjashtëfishuar, e gjitha kjo ju kushton potencialisht jo vetëm më shumë para, por edhe më shumë kohë. Por edhe këtu vlen: a duhen provuar me të vërtetë të gjitha, çdo tendencë e re, duhet ndjekur çdo modë? Kini guxim për të lënë gjëra pa bërë! Në vërshimin e të ashtuquajturave informacione dhe të reja ju jo vetëm që humbisni nga sytë tablonë e përgjithshme, por edhe kohë. Në fund pastaj dini më pak se ata që nuk ua lejojnë të tjerëve t’i vëeë nën presion kohor. (dw)

 

ENI zbulon rezerva shumë të mëdha gazi natyror

eniGjigandi energjitik italian, ENI, njoftoi se ka zbuluar në detin Mesdhe, pranë ujërave territoriale egjiptiane, rezervat më të mëdha nëntokësore të gazit natyral.

Kompania ENI thotë se depozita nëntokësore shtrihet për 100 kilometra katrorë dhe mund të përmbajë 850 miliardë metër kub gaz. Pusi ku u bë është në thellësi 1450 metra në det, dhe në një distancë prej 190 kilometra nga bregu egjiptian.

Lajmi u bë i ditur në vijim të një vizite të drejtorit të ENI në Kajro, ku u takua me presidentin egjiptian dhe udhëheqës të tjerë. Kompania ENI mendon se ky zbulim do të transformojë skenarët energjitikë për Egjiptin, dhe synon që të marrë rolin e prodhuesit fillestar.

ENI radhitet ndër 11 kompanitë më të mëdha industriale të botës, dhe ka zhvilluar aktivitet në Egjipt për dekada me radhë. (voa)