Kategoritë: Nga këndi im

Nga këndi im

Për kë bien këmbanat?

Për kë bien këmbanat kur vdes një njeri? Sigurisht jo për të vdekurit, do të thoshte Ernest Hemingway! Të vdekurit nuk i dëgjojnë dot.  Këmbanat bien për të gjallët, për t’i ftuar të përcjellin  të vdekurit dhe për t’ua kujtuar se ka vdekje!

Këmbanat, bien edhe ndër shqiptarët e IRJM. Madje kohëve të fundit bien edhe më fortë.  Janë këmbana alarmi, që sërish, nuk bien për të vdekurit por për të gjallët.  Dhe kur them të vdekurit, nuk e kam fjalën për të vdekurit biologjik, por për klasën politike që ka vdekur prej kohësh shpirtërisht, moralisht… bashkë me ca intelektualë në shërbim të tyre.

Bëhet fjalë për ata që i ftonin shqiptarët për të votuar marrëveshjet e sllavëve me fqinjët, duke u thënë se nuk ka rëndësi si do të quhen – sipas një kryengritjeje bullgare, maqedonoveriorë, maqedonas sllavë, popull njëzetpërqindësh…  mjafton që duke pranuar këtë, do të kenë mundësi të “integrohen” (duke ikur) në BE.

Janë pikërisht ata që firmosën deklaratën e përbashkët demagogjike ku deklaruan se angazhohen për ngritjen e statusit të shqiptarëve në Maqedoni në popull shtet-formues, me gjuhë zyrtare, me status të barabartë me gjuhën maqedonase, dhe po në këtë deklaratë shprehën përkushtimin që këto të drejta t’i realizojnë në përputhje me frymën e Marrëveshjes së Ohrit, e cila qartazi konsideron dhe trajton shqiptarët si pakicë kombëtare, të cilës i jepen “pak më shumë” të drejta, aty ku është “pak më shumë” se 20%. Që gjuhën shqipe do ta bënin gjuhë zyrtare në tërë territoirn e IRJM, por gjithmonë me frymën e Marrëveshjes së Ohrit, e cila në pikën 6, nënpikën 4 të saj përcakton  gjuhën maqedonase  gjuhë zyrtare në tërë Republikën e Maqedonisë dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, ndërsa gjuhën shqipe si gjuhë e 20% -shit. E statusin e shqiptarëve në IRJM do ta avanconin në popull shtet-formues, me frymën e po kësaj marrëveshjeje, e cila në amandamentin  e rënë dakord nga nënshkruesit, edhe pse nuk përmend “popullin maqedonas” si të vetmin shtetformues,  qartazi  shtetformësinë e vendos në themelet e Republikës së Krushevës, dhe vendimet e “ASNOMIT”,  të cilat, të dyja nxjerin sllavët si të vetmit shtetformues.

Dhe të njëjtit sot, në bashkëpunim me “reformatorët” sllavë, trashëgimtarë të etërve të tyre komunistë të “ASNOMIT”, me ndryshimet kushtetuese të propozuara, ofrojnë shqiptarëve “ridefinimin” e shtetit, por sërisht në “shtylla” kryekëput sllave: Ilindenin, një kryengritje bullgare, ASNOM-in, një këshill antifashist pjellë e partisë komuniste të Jugosllavisë, Referendumin për Pavarësi të IRJM, të bojkotuar nga shqitparët, dhe për të hedhur hi syve të shqiptarëve, Marrëveshjen e Ohrit, një marrëveshje e e bazuar në vendimet e tre të parave! Një marrëveshje një-përdorimshe, e sajuar për t’i dhënë fund një lufte, por në të njëjtën kohë, duke nxitur një luftë tjetër në të ardhmen.  Marrëveshje me të cilën palët, në nënpikën 3 të pikës 1 – të parimeve themelore të kësaj marrëveshjeje,  angazhohen që “të ruhet dhe të gjejë shprehjen e vet në jetën publike karakteri shumetnik i shoqërisë maqedonase”,  e njëkohësisht  konsiderojnë karakterin unitar të shtetit të pashkelshëm!?  Marrëveshje, me të cilën (pika 2 nënpika 1 – Ndërprerja e armiqësive)  “grupet e armatosura etnike shqiptare”  u çarmatosën, por nga ana tjetër u lanë armët në duart e palës tjetër në konflikt – e asaj që bëri masakrën mbi popullsinë civile në Luboten, Tetovë, Kumanovë…, e asaj që zotëron pushtetin dhe gjithe instrumentet e dhunes që ka pushteti, duke vazhduar masakrat me rradhë – 2003 Sopoti, 2007 Brodeci, 2010 Egzekutimi pa gjygj  i Harun Aliut dhe shokëve të tijë, 2012 “Monstra”, 2015 Kumanova…

Dhe kur them se këmbanat e alarmit bien për të gjallët, kam fjalën për ata shqiptarë që janë akoma në gjendje të kuptojnë se heshtja dhe dëgjueshmëria i bën gjërat akoma më keq, e ikja nuk është integrim e as zgjidhje e problemeve të tyre. Sepse, aty ku do të ikin me arsyetimin se qytetet dhe lagjet e tyre në IRJM ngjajnë në lagjet dhe qytetet e Sirisë dhe Afganistanit në luftë (rrugët janë me gropa, spitalet dhe shkollat si stalla kafshësh,…), do të jënë ashtu si të ikurit nga këto vende, ca të padëshiruar që nuk nuk qëndruan në vendin e tyre për të bërë ndryshime por shkuan atje për t’i gezuar pa të drejtë ato të ndërtuara nga të tjerët!

Kam fjalën për ata të gjallë për të cilët akoma ka shpresa që tingujt e këmbanave të alarmit t’i vetëdijësojnë për faktin se duke mos vepruar bëhen bashkëfajtorë në  shkatrimin e perspektivës dhe ardhmërisë së fëmijëve të tyre. Mbështetja e klasës politike aktuale që anashkalon të drejtën e shqiptarëve për pjesën e shtetit dhe pushtetit (e kjo nuk nënkupton poste abuzimi për injorantët dhe kriminelët e partive mercenare në pushtet), siguron mirëqenien sot për ata vete dhe familjet e tyre, por i lë brezat e ardhshëm me cështje të pazgjidhura, e me të ardhme të pasigurtë.

Këto këmbanat bien në veçanti për të pavendosurit, që sot vendosin me votë, për ti vetëdijësuar se rrugë të ndërmjetme nuk ka! Është rruga e ndershme, e moralshme,  e ndërgjegjes së pastër por edhe e sakrificës. Dhe tjetra, e pandershme, e pamoralshme, e ndërgjeges së vrarë, e turpit…

Afrim Fanda

LDSHM – LETËR E HAPUR ZV. SEKRETARIT TË SHTETIT Z. WESS MITCHELL

LDSHM WessI nderuari ndihmës sekretar i shtetit z. Wess Mitchell

Përmes kësaj letre, ne diaspora shqiptare në SHBA dhe Evropa, duam t’ju përcjellim Ju dhe administratës tuaj shqetësimin dhe pakënaqësinë tonë për pozitën kushtetuese të shqiptarëve në IRJM në përgjithësi, dhe në veçanti lidhur me zhvillimet e fundit me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes për emrin e IRJM në mes të dy qeverive, asaj Greke dhe te IRJM.
Të zhgënjyer, konstatojmë se në veprimet e justifikuara që po ndërmerr bashkësia ndërkombëtare, përfshirë këtu dhe administratën e SHBA, për të ruajtur stabilitetin rajonal dhe për të mbrojtur IRJM nga ndikimi rus, në mënyrë të pajustifikuar po anashkalohen dhe po flijohen interesat e shqiptarëve, miqve dhe aleatëve të padiskutueshëm dhe tradicional të SHBA në Gadishullin Ilirik.

I nderuari z. Mitchell, ne shqiptarët nuk përkrahim marrëveshjen për emrin në mes të Greqisë dhe IRJM, sepse kjo marrëveshje duke njohur identitetin e përvetësuar maqedonas nga sllavët, i imponon ata si të vetmit shtetformues dhe bartës të sovranitetit duke përjashtuar shqiptarët autokton që përfaqësojnë së paku 30% të popullsisë.

Si njëra palë e bashkëqytetarëve tanë sllavë që nuk duan të heqin dorë nga identiteti i përvetësuar mbi 70 vite, ashtu edhe pala tjetër që pranojnë modifikimin duke shtuar atributet sllave, thiren në themelet e shtetit të ndërtuar në kurriz të shqiptarëve, me vendimet e partisë komuniste të Jugosllavisë, dhe ASNOM-it (Këshillit Antifashist Çlirimit Kombëtar të Maqedonisë). Ky shtet, i ndërtuar në mënyrë të tillë, shqiptarëve u solli dhe vazhdon t’ju sjelli vetëm vuajtje, dhunë, terror dhe eksod, të cilës tani më duhet t‘i jepet fund. Bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të vazhdojë të zhgënjejë shqiptarët duke vazhduar me padrejtësitë ndaj tyre, që kanë rrënjët që në traktatin e Shën Stefanit më 1878 me, dhe vazhdojnë me vendimet e Kongresit të Berlinit, Konferencës së Ambasadorëve në Londër, Konferencës së Paqes në Paris, vendimet e Jaltës më 1945, dhe tani më me përkrahjen e Marrëveshjes së Prespës, që trajton shqiptarët dhe territoret e tyre përsëri si plaçkë lufte që duhet ndarë midis grekëve dhe sllavëve, duke shpërfillur pakënaqësinë dhe vërejtjet e shqiptarëve për këtë marrëveshje.

Është brengosës fakti që, vazhdohen të merren vendime mbi të ardhmen e shtetit duke injoruar vullnetin e mirëfilltë të shqiptarëve, dhe duke abuzuar dhe manipuluar me votat e klasës politike shqiptare të kapur, të cilët votojnë nën kushte të padive të bëra publike nga ana e prokurorisë speciale publike e IRJM, siç janë rastet e fundit me funksionarë të lartë partiakë të BDI, parti në koalicion qeverisës me LSDM. Dhe akoma më shumë, e gjitha kjo ndodh në kushtet e një legjitimitetit të diskutueshëm të shtetit për shqiptarët, kur marrim parasysh faktin që shqiptarët bojkotuan referendumin për pavarësinë e IRJM, nuk votuan miratimin e kushtetutës së re më 1991 por në vend të kësaj votuan referendumin për “Autonomi politike dhe territoriale të shqiptarëve në Iliridë IRJM” më 1992, dhe nuk dolën në referendumin e fundit të organizuar nga qeveria e IRJM për të votuar marrëveshjen për emrin.

Bashkësia ndërkombëtare, duke bashkëpunuar me përfaqësuesit shqiptarë në pushtet, të cilët shkelën ligjin bashkë me kolegët e tyre të VMRO që tanimë ballafaqohen me drejtësinë për t’u përgjigjur për shkeljet që kanë bërë, për shqiptarët jepen mesazhe te gabuara se rruga e tyre për integrime euroatlantike shkon nëpërmjet politikës dhe politikanëve të pandëshkuar të krimit që punojnë kundër interesave të shqiptarëve.

Bashkëjetesa nuk mund te ndërtohet mbi themelet e mashtrimit, imponimit dhe dhunës. Shpërbërja e Jugosllavisë është dëshmia më e qartë për këtë.

Ne konsiderojmë se mohimi i të drejtës së shqiptarëve për tu bashkuar në një shtet, si popull autokton që popullon në mënyrë homogjene territore të ndara me kufij absurdë shqiptaro-shqiptarë, është në kundërshtim me vlerat qytetëruese të SHBA dhe BE. Por, ne shqiptarët që jetojmë në IRJM jemi të gatshëm të bëjmë kompromisin duke pranuar të bashkëjetojmë me sllavët, por me kushtin e një shteti të ndërtuar sipas standardeve evropiane, dhe vetëm si të barabartë.

Deputetët shqiptarë nuk kanë legjitimitetin e popullit shqiptar për të votuar ndryshimet kushtetuese të propozuara nga qeveria aktuale, të pa kushtëzuara me ndryshime kushtetuese që do të pasqyronin të drejtën e shqiptarëve për statusin e shtet formuesit, si dhe rregullimin shtetëror në përputhje me këtë realitet dhe me standardet Evropiane për shtete bashkësi popujsh. Nisur nga kjo, kërkojmë nga ju mbështetjen tuaj për ato subjekte politike që votën e tyre në parlament pro ndryshimeve kushtetuese, do ta kushtëzojnë me avancimin e pozitës kushtetuese të shqiptarëve.

Me respekt

Lidhja e diasporës Shqiptare për Maqedoni
SHBA / Evropë
Çikago, 24.10.2018

Referendumi i paligjshmërisë së legjitimuar, hipokrizisë dhe mashtrimit

“Priten zhvillime rreth Kosovës, është mirë Maqedonia të hyjë në NATO” këshilloi sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg presidentin e IRJM George Ivanov, duke aluduar këtu për dritën jeshile dhënë negociatave për ndryshime të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Por çfarë donte të thoshte z. Stoltenberg me këtë këshillë publike dhënë presidentit Ivanov? Si do ta rezikonin IRJM-në zhvillimet rreth Kosovës!?

Më tepër se një gafë jodiplomatike, me të cilën z. Stoltenberg ofendoi shqiptarët dhe nxiti urrejtjen ndëretnike në IRJM duke sugjeruar dhe motivuar presidentin e IRJM dhe sllaovomaqedonasit që të fusin IRJM-në në NATO për t’u mbrojtur  nga shqiptarët, deklarata e tij nxori në pah të vërtetën e hidhur se synimi për futjen e IRJM nën ombellën e NATO-s, tentohet të arrihet duke motivuar dhe kënaqur vetëm palën sllave. Dhe fatkeqsisht, ashtu si edhe me vendimet e Kongresit të Berlinit më 1878, vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 1913 dhe vendimet e më vonshme të Konferencës së Paqes në Paris më 1919-20, kjo bëhet përsëri duke sakrifikuar shqiptarët.  Njekohësisht me dhënien e sinjalit të gjelbërt për “korigjim” kufijsh në mes të Kosovës dhe Serbisë, pavarësisht faktit që negociohet nga presidenti serb, i deklaurar si pasardhës i Millosheviqit, dhe presidentit me kredibilitet të diskutueshëm të Kosovës,  nga shqitparët në IJRM kërkohet që të votojnë referendumin, i cili përveçse ua mohon këtë të drejtë duke ua betonuar kufijtë shqiptaro-shqiptarë, ua mohon edhe standardet evropiane të ndërtimit të shtetit si bashkësi popujsh, standarde të aplikuara ne dy shtetet evropiane Belgjike dhe Zvicër.

Me bekimin e përfaqësuesve të BE-së shkelen parimet e trashëgimisë zgjedhore të Evropës, duke u shkelur Kodi i Praktikës së Mirë në Çështjet Zgjedhore, miratuar nga Komisioni Evropian për Demokraci Përmes Ligjit (Komisioni i Venecias). Në mënyrën më të vrazhdë dhe të hapur shkelet neni 2.1. i këtij Kodi për të drejta të barabarta të votimit në këtë referendum, i cili mbahet me të dhënat e regjistrit zgjedhor bazuar në regjistrimin e popullsisë të para 18 viteve, edhe ky i manipuluar si të tjerët të realizuar më parë, me qëllim uljen e numrit të banorëve shqiptarë. Shkelet neni 2.2. dhe të gjitha nënpikat e tij, që kërkojnë në mënyrë të detajuar garantimin e  mundësive të barabarta për mbështetësit dhe kundërshtarët e propozimit që duhet të votohet, ndërkohë që bëhet “gjuetia e shtrigave” ndaj gjithe atyre që marrin guximin të argumentojnë dëmin që sjell kjo marreveshje për shqiptarët. Shkelet neni 3.1. i këtij Kodi, që kërkon paanshmërinë e autoriteteve administrative, në mënyrë që votuesit të krijojnë opinionin e tyre për çështjen që votohet. Ky nen, me pikat a, b, c, dhe d, qartazi u ndalon autoriteteve (qendrore dhe lokale) që të bëjnë fushatë të njëanshme dhe aq më tepër, të shfrytëzojnë fondet publike për këtë. Njëkohësisth, ky nen, të cilin e gjejme edhe në Ligjin për Refendum në IRJM, kërkon që pyetja të jetë e qartë, jo shumkuptimshme, nuk duhet të sugjerojë përgjigjen, dhe për votuesit të jetë e mundur përgjigja vetëm me PO ose JO!

Gjykata Kushtetuese e IRJM, këto ditë njoftoi se ka hedhur poshte iniciativën për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së vendimit të Kuvendit për shpalljen e referendumit, të iniciuar me padinë e dy organizatave politike sllavomaqedonase. Dhe ky lajm ngazëlleu ekspertin juridik dhe anëtarin e Këshillit për reforma në gjyqësor z. Mersin Maksuti, i cili dha “sihariqin” në media duke e poromovuar këtë legjitimim të shkeljes së ligjit për referendumin nga ana Gjykatës Kushtetuese si vendim që “filtron çdo mjegullim” dhe “nuk lë hapsirë për asnjë dilemë”. Dhe me këtë, ai siguroi vetes vazhdimin e privilegjeve në pushtetin në duart e atyre që shkelën ligjin dhe të tjerëve që mbyllën njërin sy në shkëmbim të dëgjueshmërisë politike, por me koston morale të legjitimimit të po të njëjtit sistem gjyqësor që vrau për së dyti e për së treti  Almirin e vogël, denoi me burg të përjetshëm shqiptarë të pafajshëm, legjitimoi egzekutime pa gjygj… .  Ai, kolegia e tij shqiptare në Këshillin për reforma në gjyqësor, dhe ekspertë të tjere juristë shqiptarë, kanë syrin e verbër për të parë mashtrimit që të nxjerë sytë, në fushatën e BDI dhe partive te tjera shqiptare, ku hapur, në shkelje të ligjit, genjehen shqiptarët se votohet vetëm per anëtarësimin në NATO dhe BE.  Ku marrëveshja nuk ambalazhohet as si një kompromis që shqiptarët do te duhej të bënin për t’u anëtarësuar në NATO dhe BE (edhe kjo genjeshtër), por thjesht fshihet nga qytetarët që ftohen të dalin në referendum.  Vet titulli i platformës së BDI për fushatën e refendumit (Platformë politike për Referendumin për integrim në NATO dhe në Bashkimin Evropian), si edhe slloganet e të gjitha partive tjera janë  prova të mjaftueshme të këtij mashtrimi, që këta ekspertë do të duhej t’a denonconin! Në të gjithë përmbajtjen e platformës së BDI askund nuk përmendet, as edhe një herë të vetme marrëveshja për emrin!

Analistë dhe shqiptarë të tjerë  “të ndershëm” dhe “të integruar” kanë gojën plot akuza ndaj shqiptarëve të tjerë, si prorusë dhe antiperëndimorë vetëm sepse kanë qytetarinë, vetëdijen dhe guximin e nevojshëm për të kërkuar  një marrëveshje mes shqiptarëve dhe sllavëve në IRJM për zgjidhjen përfundimtare të statusit kushtetues të shqiptarëve si shtetformues dhe regullimin shtetëror në përputhje me këtë status para se të bisedohet me fqinjët për të ardhmen e shtetit, dhe para se të vendoset për çfare do lloj integrimesh të IRJM. Motiv ky që dallon qartë nga motivi i partive sllavomaqedonase, të cilat, të vetëdijshme për përfitimet nga marrëveshja për emrin,  tek kundërshtimi i referendumit shohin mundësinë e artë për të zëvendësuar kundërshtarin politik në pushtet. Këta shqiptarë “të integruar” kanë gojën plot me broçkulla për ndërhyrje të Rusisë në fushatën për referendumin, a thua se rusët kanë terren ndikimi ndër shqiptarë, ndërkohë që vet kryeministri Zaev deklaron se “Nuk kam unë dëshmi për ndonjëfarë ndikimi rus në Maqedoni. Federata ruse është mike e Maqedonisë dhe ajo nuk ka asgjë kundër anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian, por është kundër integrimit tonë në NATO. Dhe këtë e thotë shumë qartë”.

Derisa i dërguari special për çështjen e emrit të IRJM, z. Metju Nimic deklaron se në rast të dështimit të referendumit nuk sheh zgjidhje në një të ardhme të afert për emrin e IRJM, ish oficeri i Armatës Popullore të Jugosllavisë, tani kryetar i parlamentit të IRJM, në deklaratën e tij në media, e paraqiti të lehtë zgjidhjen, duke shprehur gatishmërinë e tij për të injoruar vullnetin e qytetarëve kundër kësaj marrëveshjeje të shprehur në referendum, duke ia kaluar vendimmarrjen institucioneve në duart e sllavëve dhe shërbëtorëve të tyre shqiptarë.

Derisa Prokuroria speciale keto ditë shpalos dëshmi të reja për bashkëpunimin e ministrave te BDI me shefin e sigurimit shteteror në shkeljet e panumërta të ligjit, Ali Ahmeti, lideri i BDI-së i cili pranoi publikisht autenticitetin e përgjimeve që e nxjerin atë në qendër të merimangës së krimit të organizuar politik, siguron shqiptarët se “me 30 shtator votohet a do të jemi të vendosur në luftë të pakompromist kundër krimit dhe korrupsionit”!

Kulmin  e gjithë paligjshmërisë, hipokrizisë dhe mashtrimit që mbulon këtë referendum ia vë bindja që mbyll çdo diskutim dhe debat të shqiptarëve: “Ne flasim kot! Kutitë janë mbushur akoma pa filluar referendumi.” ! Dhe për fat të keq, këtë herë me aprovimin e faktorëve politikë të rëndësishëm të SHBA dhe Evropës!

Afrim Fanda

Propaganduesit e referendumit për emrin e IRJM, dhe “argumentet” e tyre

Përveç partive shqiptare, me BDI në krye, të cilat themeluan shtabet e fushatës për të shtyrë shqiptarët të dalin në referendum dhe votojnë marrëveshjen për emrin,  është edhe një shtresë e qytetarëve shqiptarë, që bëjnë fushatë jo zyrtare, por jo më pak agresive se ajo e partive, në media dhe veçanërisht në rrjetet sociale.

Këta janë kryesisht shqiptarë (disa prej tyre intelektualë) të cilët në çdo sistem jetojnë në “zonën e komoditetit”, duke bërë kompromis me pushtetin në duart e sllavomaqedonasve, e jo rrallë edhe duke u vënë në shërbim të tij, duke i siguruar vetes kështu komoditetin individual në dëm të interesit kombëtar të shqiptarëve. Tipike për këtë shtresë të shqiptarëve janë profilet dhe statuset në rrjetet sociale në dy gjuhë, bile më shumë në atë sllavomaqedonishte, si dhe numri i madh i miqve sllavomaqedonas. Statuset janë plot mesazhe internacionaliste dhe neveri ndaj nacionalizmit dhe patriotizmit, zakonisht të paadresuar, përkrahur me plot mirëkuptim nga miqtë sllavomaqedonas, asnjëri nga të cilët, për çudi, nuk di shqip, ose më saktë nuk duan ta mësojnë, pavarësisht faktit që jetojnë në qytete të rrethuar me shqiptarë.

Argumenti i tyre më i përdorur  dhe njëkohësisht më manipulues për të bindur të tjerët që të dalin në referndum dhe të votojnë marrëveshjen është ai i shpëtimit nga “katrahura shovene dhe nacionaliste” duke ia mveshur këtë vetëm partisë VMRO dhe qeverisjes së saj, pa dhënë përgjigjen në pyetjen se si dalja në referendum dhe vota pro marrëveshjes do të shpëtonte shqiptarët nga ky nacionalizëm dhe shovenizëm, kur e njëjta i zhvesh fare nga sovraniteti mbi shtetin, dhe u’a jep atë ekskluzivisht sllavomaqedonasve!

Këta përpiqen që t’i bindin shqiptarët e tjerë për të dalë në referendum me argumentin se marrëveshja nuk cënon pozitën e tyre në IRJM, duke mos dhënë përgjigje shumë shqetësimeve të ngritura nga ana e tyre: Si është e mundur që marreveshja per emrin bën ndarjen e identitetit maqedonas antik në mes te grekëve dhe sllavëve si plaçkë lufte ( “Historic deal on shared Macedonian identity …” – The Guardian), e me këtë edhe pronësinë mbi shtetin, duke injoruar faktin që shqiptarët sot përfaqësojnë një të tretën e banorëve të IRJM, si dhe faktin historik që në territorin e IRJM së sotme, gjithandej gjenden pothuajse vetëm gjurmë të Ilirëve (Dardanëve, Paionëve, Enkelejve …) e fare pak të maqedonasve antikë?

Vet kryeqendra e IRJM, Shkupi (Skupi i vjetër) është një thesar arkeologjik i mbushur me gjurmët e kryeqendrës së dardanëve që para shekullit 25 para erës sonë. Nëse emri i IRJM duhej pajtetër të ndryshohet, përse duhet shqiptarët të dalin në referendum dhe votojnë pikërisht  emrin Maqedoni Veriore!? Si mund të lejojohet që me kaq lehtësi një marreveshje në shekullin 21 thjesht të fshijë si të kaluarën ashtu dhe të sotmen e shqiptarëve?

Është veçanërisht fyes pohimi i këtyrë propaganduesve të referendumit se, ndryshimet e  kushtetutës  që do të  sillnin përmirësimin e statusit të shqiptarëve do të bëhen pasi të votohet marreveshja! Pa i dhënë përgjigje pyetjes se PSE do të duhej sllavomaqedonasit të bëjnë ndryshime të tjera të kushtetutës pas votimit të PAKUSHTËZUAR të Marrëveshjes së Prespës nga ana e shqiptarëve dhe ndryshimeve të kushtetutës që burojnë nga kjo marrëveshje: ndryshimi i emrit, kombësisë dhe gjuhës zyrtare.

Manipulimi tjetër nga këta shqiptarë që propagandojnë daljen në referendum është ai me termin “nationality” të përdorur në dokumentin origjinal të marrëveshjes, në gjuhën angleze duke u bërë palë me qeverinë në synimin për të mashtuar shqiptarët se bëhet fjalë për nënshtetësi.  Termi “nationality” në anglisht, ka dy sinonime – atë të nënshtetësisë (citizenship) dhe atë të kombësisë (ethnic group), të cilën, edhe qeveria qëllimisht, e përkthen si “nënshtetësi” në dokumentin e pëkthyer në gjuhën sllavomaqedonase dhe atë shqipe,  për të maskuar faktin që, sipas marrëveshjes, edhe shqiptarët do të konsiderohen me kombësi maqedonas/qytetarë të Maqedonisë Veriore, dhe kështu dë të shkruhet në të gjithë dokumentet e tyre të identifikimit.  Sinonimi “nënshtetësi” me të cilin manipulohen shqiptarët për t’i bindur të votojnë marrëveshjen,  gjen kuptim vetëm në shtetet kombe, ku nënshtetësia nenkupton kombin ( “a people having a common origin, tradition, and language and capable of forming or actually constituting a nation-state” – Merriam Webster dictionary). Poqese në nenin 1 të  marrëveshjes për emrin, termi i rënë dakord do të ishte “nënshtetësi”, në variantin origjinal të marrëveshjes  (atë anglisht – verzioni i vetëm me fuqi juridike), do të përdorej sinonimi “citizenship” (shtetësi) e jo “nationality” (kombësi).

Nëse të qenit në zonën e komoditetit individual në dëm të interesit të përgjithshëm për këta shqiptarë dikur arsyetohej me kushtet e frikës nga terrori i egër që e mundësonte sistemi komunist në duart e sllavëve të jugut, sot kjo nuk arsyetohet më.  Eshtë për të gjithë e qartë që marrëveshja  përkrahet nga faktori ndërkombëtar për të zgjidhur kontestin për emrin mes grekëve dhe sllavëve që quajnë veten maqedonas (argument i përdorur nga të njëjtët), por është po aq e qartë për të gjithë që duan ta kuptojnë, përfshirë dhe këta shqiptarë, se kjo marrëveshje po përdoret me shumë mjeshtëri nga qeveria e kryeministrit Zaev për t’i dhënë goditjen finale statusit të shqiptarëve në IRJM.

Me daljen në referendum dhe votimin e Marrëveshjes së Prespës, shqiptarët do të përbaltnin të gjitha veprimet e tyre të guximshme në të kaluarën e afërt, si bojkotimi i referendumit për pavarësinë e IRJM dhe mos miratimin e kushetutës së re të IRJM më 1991, si dhe daljen në referendumin për “Autonomi politike dhe teritoriale të shqiptarëve në Iliridë IRJM” më 1992. Do të shkelnin mbi atë pak dinjitet që u ka mbetur nga nëpërkëmbja që u bëjnë përfaqësuesit e tyre zyrtarë të kapur nga kjo qeveri, dhe me votën e tyre për këtë marrëveshje do të vulosnin fatin e tyre ndëkombëtarisht të pranuar– atë të pakicës pa identitet, pa gjuhë, pa shtet, pa dinjitet…

Afrim Fanda

MESAZHET E VETEDIJSHME DHE TE PAVETEDIJSHME TE ZEVENDESKRYEMINISTRES SE IRJM

“Qytetarët të tregohen të guximshëm në referendum” apeloi zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Mbrojtjes e IRJM, Radmilla Sheqerinska. Si bibë tipike politike që është, ajo sqaroi referendumin me mire dhe në mënyrë më të realtë me fjalët që i dolën nga nënvetëdija, se sa me të tjerat që i kishte pregaditur për ceremoninë e  me rastin e 18 gushtit ditës së armatës së IRJM.

Në fjalorin shqiptar, guximi përkufizohet si vetia për të kryer një detyrë a një punë të rrezikshme … E pse referndumi qenka një punë apo detyrë e rezikshme? A nuk është referendumi formë e shprehjes së mendimit të popullit përmes  vullnetin e të tyre të lire, pa presionin e kërcënimit, frigës, shantazhimit dhe mashtrimit, për një çështje shtetërore e shoqërore me rëndësi të veçantë, duke bërë votimin e përgjithshëm!?

Tani e kutpoj hallin e Sheqerinskës, dhe situatën e koklavitur si lesh arapi të këtij shteti artificial. Por ç’kusur dhe çfarë detyrimi kanë shqitparët ndaj këtij shteti që është sjellur në mënyrën më mizore dhe më shpërfillëse me ta?

Për të sqaruar ashtu si duhet këtë situate lidhur me marreveshjen për emrin e me kte dhe ftesën për të dalë në referendum, znj. Sheqerinska do tu duhej t’u drejtohet me deklarata të veçanta shqiptarëve dhe sllavomaqedonasve. Kjo sepse si përfitimet ashtu dhe detyrimet dhe obligimet dallojnë substancialisht.

Po, ka kuptim që znj. Sheqerinska t’i drejtohet publikut sllavomaqedonas me këto fjalë, por duke zëvendësuar fjalën “qytetarë” me fjalën “bashkëkombas”, që për ata mesazhi do të kishte kuptimin si vijon: “BASHKËKOMBASIT e mi, të tregohen të guximshëm në referendum, sepse vërtetë do të heqim dorë nga identiteti maqedonas antik, që vërtetë na shërbeu mbi shtatë decenie për të injoruar shqitparët dhe për të na bërë pronarë të shtetit, dhe ne u mësuam me te. Por me marrëveshje me Greqinë për emrin, na u lejua që të ndërtojmë një idedntiet të ri, shumë të ngjashëm atë të parin, bile akoma më mire, me atrbutin sllav, e që na bën përsëri të vetmit pronarë të shtetit”

Më pas, do të mundej të vazhdonte me pjesën tjetër të pandryshuar, ku në fakt, paftyrsisht (për shqiptarët) u tregua e sinqertë, duke zëvendësuar vetëm fjalën “qytetarë” me “bashkëkombas”: ‘Gjatë disa javëve të ardhshme do të kemi mundësi historike, të shprehemi për një shtet më të mirë dhe më ndryshe. Shtet i cili do të njohët dhe pranohet si aleat nga e gjithë bota. Identitet që do të jetë maqedonas dhe i pakontestueshëm. Gjuhë që do të jetë e pakontestueshme. Shoqëri në suaza të aleancës së NATO-s, dhe si anëtare e ardhshme e BE-së dhe ardhmëri e qartë për BASHKËKOMBASIT e mi. Ky vizion për fat të keq nuk i konvenon të gjithëve.”

Por këtu ka një problem.  Sa kredibilitet do kishte Sheqerinska, një shqiptare e asimiluar nga Reka e Epërme,  t’u drejtohet sllavomaqedonasve në këtë mënyrë të sinqertë!? Pastaj mbetet pjesa akoma më e vështirë:  Çfarë mbetet për t’u thënë shqiptarëve!?

Afrim Fanda

SHQIPTARËT DHE KRYEMINISTRI “REFORMATOR I GUXIMSHËM” I IRJM

Poeti Charles Bukowski në një intervistë dhënë një reviste letrare deklaroi:  “shkrimtarët e këqinj kanë tendencë të kenë vetëbesim, ndërsa të mirët kanë tendencë të kenë vetë-dyshime. Pra, shkrimtarët e këqinj kanë tendencë të vazhdojnë dhe të shkruajnë broçkulla dhe të japin sa më shumë lexime të jetë e mundur për audienca të rralla. Këta audienca të rralla përbëhen kryesisht nga shkrimtarë të tjerë të këqij, të cilët presin rradhën e tyre …”

Por përkufizimin më të përmbledhur të këtij fenomeni e bëri Bernard Russel, filozof anglez, matematikan dhe shkrimtar në esenë e tij me titull “Triumfi i marrëzisë”,  ku kritikoi ngritjen e lëvizjes naziste në Gjermani: “Shkaku themelor i telasheve në botën moderne është se budallenjtë janë të sigurtë në vete dhe kokëfortë, ndërsa të mençurit janë plot me dyshime”

Intelektualë shqiptarë servilë me mendësi skllavi dhe politikanë naivë të etur për pushtet, në në shkrimet dhe deklaratat e tyre, nxituan të shohin  “të guximshmin” dhe “reformatorin” në personalitetin e kryeministrit Zoran Zaev, duke u bazuar  në luftën e tij mediatike kundër krimit dhe korupsionit  të VMRO.  Ca prej tyre, arritën deri aty sa të shohin edhe kriminelët  tek figurat kryesore të BDI, duke u ofruar shqiptarëve kryeministrin Zaev si shpëtimtar nga VMRO e edhe nga BDI. Por sytë janë të padobishëm, kur mendja është e verbër, thot një fjalë e urtë. Ndaj, sikur me ato syzet me dy dioptri të ndara, nuk arrijnë kursesi të shohin bashkë, në të njëjtën fushë vizive, “reformatorin e guximshëm” dhe kriminelët e BDI. Prandaj nuk sqarojnë dot as veten, e as të tjerët, se si i bëhet që ky “reformator i guximshëm” kurseu kriminelët shqiptarë të BDI, bashkëpunëtorë në krim të VMRO!?  Dhe jo vetëm që i kurseu, por bëri dhe qeverinë me ndihmën e tyre. E jo vetëm që bëri qeverinë me ndihmën e tyre, por mban gjallë dhe shtetin “me ditë të numëruara” me ndihmën e tyre.

“Ilindeni  është një kryengritje maqedonase. Nëse donjë qytetar bullgar dëshiron t’a festojë, le t’a festojë” deklaroi para ca ditësh kryeministri Zaev. Dhe kur presidenti  dhe kryeministri i Bullgarisë i treguan dhëmbët në përgjigje të kësaj deklarate, kryeministri “i guximshëm”, përmes rrjetit social “Facebook”, deklaroi keqardhje për fjalët e deklaruara, athua se me këtë  ndjesë publike u arsyetua për faktin e përvetësimit (me decenie të tëra) të historisë të një shteti të huaj, dhe akoma më shumë, pothuajse emërtoi shtetin me emrin e kësaj kryengritjeje bullgare! Ndërkaq roli i palaçove shqiptarë në pushtet, ishte të “përkthejnë” emrin e kësaj kryengritjeje bullgare, dhe ashtu si padroni i tyre, pa u skuqur fare, tu’a ofrojnë shqiptarëve si emër të shtetit ku jetojnë.  E si të skuqet dikush që nuk ka fytyrë?

Por, nuk është as hera e parë e as e vetmja, që kryeministi Zaev pranon dhe kërkon ndjesë për përvetësim të bërë.  Vet marreveshja për emrin, e nënshkruar në Prespë më 17 shkurt 2018, është në fakt pranim dhe kërkesë për falje publike për përvetësimin e identitetit dhe historisë së maqedonasve antik për më shumë se shtatë decenie. E për të njëjtën gjë shërbeu edhe ndrimi i emrit të aeroportit të Shkupit dhe të një autostrade që mbanin emrin e Aleksandrit të Madh. Dhe për këtë, grekët shpërblyen kryeministrin “reformator”, duke i mundësuar dhe duke u bërë palë në injorimin dhe anashkalimin e shqiptarëve në këtë marrëveshje për të ardhmen e shtetit, duke i dhënë shtetit dhe gjuhës zyrtare vetëm atribute sllave.

Vetëm shqiptarëve kryeministri “reformator i guximshëm” nuk e konsideron të nevojshme t’u kërkojë falje për krimet që u ka bërë shteti që përfaqëson. Përkundrazi, konsideron se e ka rastin e volitshëm për të përmbyllur synimin e kahmotshëm për nënshtrimin përfundimtar të shqiptarëve, duke i asimiluar në “maqedono-verior” sllavë,  me gjuhë zyrtare sllavomaqedonishten.  Dhe për këtë ka ndihmën e pakursyer të klasës politike të shitur të shqiptarëve.

Dhe pikërisht ky kryeministër hajdut identitetesh dhe historishë, bashkë me kriminelët dhe hajdutët shqiptarë që i shërbejnë sepse i kursen nga burgu, na ftojnë në referendum për të votuar këtë marrëveshje poshtëruese për shqiptarët. Pikërisht llumi i shoqërisë shqiptare, që përfaqëson të kundërtën e vlerave të qytetërimit europian na thonë të dalim në referendum dhe të votojmë marrëveshjen  “për t’u integruar në Europë”.  U’a thonë këtë pa u skuqur, pikërisht diasporës, të cilët tani më “u integruan” duke ikur në BE nga këta që i lanë papunë, për të punësuar militantët e tyre.  Ikën nga këta u’a bënë qytetet e tyre të pajetueshme. E u’a thonë edhe shqiptarëve të tjerë që vazhdojnë të “të integrohen” duke ikur në BE, si këta të parët.

E gjitha kjo që ca kriminelë shqiptarë t’i shpëtojnë burgut, ca të tjerë të bëjnë pak lek derisa edhe ata t’i fusi UDB-a në dorë, e ca mjeranë të hynë në punë në donjë ministri për një rogë mizerje, në pritje të ditës kur edhe ata do të ikin.

Afrim Fanda

Afrim Fanda: Letër e hapur redaksisë së PORTALB

Maqedonia etnike hartaDuke u nisur nga njëanshmëria e redaksisë suaj në fushatën  për referendumin në IRJM, manifestuar  me përzgjedhjen e analistëve që trajtojnë këtë temë, dhe mesazhin që jep vet redaksia, po ju drejtohem me këtë letër të hapur me të drejtën që më jep të qenit një qytetar me mendim ndryshe lidhur me këtë çështje kaq të rëndësishme për shqiptarët Jam i befasuar dhe i zhgënjyer që një mjet informimi i pavarur, i financuar nga  një fondacion jo qeveritar, që do të duhej të nxiste dhe respektonte diversitetin e  mendimeve dhe qëndrimeve, vihet në shërbim të qeverisë për të bërë thjesht propagandë. 

Jam i befasuar që në median tuaj, nuk denoncohet si jo ligjor ky referendum i mbuluar me velon e terrorit, kërcënimit dhe shantazhit për shqiptarët, duke u nisur që nga vet formulimi përjashutes, etiketues, kërcënues dhe shantazhues i pyetjes së referndumit, si dhe gjuha e përdorur në fushatë nga qeveria, partitë dhe analistët. Në vend të kësaj, analistët e përzgjedhur nga ju, për ironi që të tre ekspertë juristë, në shkrimet e tyre të botuara në median tuaj, përdorin po të njëjtën gjuhë kërcënuese ndaj shqiptarëve, gjithmonë në shërbim të qeverisë. Eshtë zhgënjyes fakti, që ju si media e pavarur, zgjodhët t’i drejtoheni publikut shqiptarë për këtë çështje kaq me rëndësi për ta, pikërisht përmes qëndrimeve të një gjykatësi , një këshilltari të kryeministrit dhe një ekspert juridik, po aq në shërbim të pushtetit sa këta dy të parët.

Me keqardhje konstatova se e vetmja “metamorfozë” që pashë në këtë rast, të nxitur nga Fondacioni juaj për shoqërinë shqiptare në veçanti dhe atë në IRJM në përgjithësi, ishte që ca eksponentë me trup të majmë të sistemit të kaluar, tani nuk kishin nevojë më për “fytyrën e pëvuajtun të Sokratit” për tu drejtuar shqiptarëve, por mund të paraqisnin fytyrën e vërtetë të tyre, atë të “derrit me trup të majmë”.

Ju ndoshta nuk mund të distancoheni nga e kaluara e “analistit” jugonostalgjik Osman Kadriu, i cili pas demostratave të vitit 1981 në Prishtinë, angazhohej për “shkuljen nga rrënja e nacionalizmit dhe iredentizmit shqiptar” në Kërçovë e më gjërë në IRJM, dhe tani, në median tuajangazhohet per “rrugët integruese të IRJM”! Por keni detyrim ligjor dhe moral ndaj qytetarëve shqiptarë që të distancoheni nga mesazhet terrorizuese dhe shantazhuese ndaj shqiptarëve që nuk do të votonin marrëveshjen për emrin përmes medias tuaj, të Mersel Bilallit, këshilltar i kryeministrit, i cili e interpreton mosvotimin si “vetasgjësim” dhe “shpërngulje massive” të shqiptarëve, si dhe të Besa Arifit e cila e interpreton mosvotimin  si “te vdesim të izoluar”. 

Keni detyrim moral që t’ua thoni të vërtetën shqiptarëve se shpërbërja e IRJM-së  me rastin e mossuksesit të referndumint nuk do të thotë fund për shqiptarët, ashtu siç nuk ishte fund për sllavomaqedonasit shpërbërja e Jugosllavisë.  Sepse, ashtu si sllavomaqedonasit që nuk lidhën fatin e tyre me fatin e Jugosllavisë, por përmes referendumit, pa shpërfillur shqiptarët, shpallën pavarësinë e tyre nga ky shtet që po shpërbëhej, ashtu edhe shqiptarët nuk janë të detyruar me çdo kusht të lidhin fatin e tyre me atë të IRJM e rezikuar nga shpërbërja, por përmes një referendumi kanë të drejtën të vet-vendosin për fatin e tyre, duke ju bashkuar shtetit të tyre amë.

Keni detyrimin moral për informim të saktë dhe të paanshëm të shqiptarëve, se mosvotimi i marreveshjes për emrin, jo detyrimisht prish miqësinë e shqiptarëve me partnerët strategjikë të shqiptarëve, NATO dhe SHBA. Në vitin 2001 z. Robertson i quajti “bandë rrugaçësh” luftëtarët e UÇK që kishin kapur armët kundër IRJM, por pastaj korrigjoi qëndrimin duke u detyruar të bashkëpunojë me ta. Se as NATO e as SHBA nuk u prishën marrëdhëniet dhe miqësinë me shqiptarët kuar ata bllokuan në Tiranë me ditë të tëra bulevardin para kryeminstrisë, dhe me të drejtë refuzuan asgjasimin e helmeve luftarake nga Siria në territorin e R. Shqipërisë. Përkundrazi, miqësia tradicionale vazhdoi edhe më me intensitet, gjë që tregon roli vendimtar i SHBA dhe BE në fushën e reformave në drejtësi në R. Shqipërisë.  

Keni detyrimin moral për infromim të drejtë të shqiptareve, se anëtarësimi i IRJM në NATO nuk zëvendëson statusin e tyre të munguar të shtetformuesit, dhe jo detyrimisht nënkupton vërshim investimesh. Se investimi i vetem i konsiderueshëm (rreth 1 miliardë Euro) në R. Shqipërisë  erdhi  7 vite pas anëtarësimit në NATO (2009), kur në vitin 2016 u vendos që traseja e TAP do të kalonte nëpër territorin shqiptar. Se vërtët Bullgaria, me hyrjen në BE shënoi rritje ekonomike 36% siç me të drejtë theksohet në shkrimin e gazetares tuaj Aneta Dodevska, por qytete të tëra periferike u shëndruan në qytete fantazma, të braktisura nga qytetarët, që shkaku i papunësisë, migruan në vendet e zhilluara të BE-së. Më tej, do bënit mire të bënit analogjinë me atë që po ndodh me shqiptarët në IRJM që tani, akoma pa e votuar këtë marëveshje poshtëruese, që i trajton ata si inegzistentë, me rrugën e hapur për integrim në BE por vetëm si një fuqi punëtore e papunë, pa perspektivë, e gatshme për të ikur nga qytetet e tyre në ndonjë nga vendet e BE. 

Si mjet komunikimi në masë, ju ftoj që të nxisni shqiptarët, posaçërisht të rrinjt, në vend të hipokrizisë, të jenë të hapur jo vetëm ndaj shoqërisë së tyre, por edhe ndaj bashkëqytetarët të tyre sllavomaqedonas. Tu themi hapur, pa hipokrizi, vetëm të vërtetën, për shumë gjëra, në veçanti për këtë që po ndodh sot, si çështje të rëndësishme për të dy palët: – Po, neve na pengon që ju përvetësoni identitetin e një populli me të cilët të parët tanë kanë bashkejetuar para se ju të vini në këto vise, pavarësisht që nuk ju pengojmë dot në këtë gjë. Na pengon, sepse ju këtë nuk e bëni kot, por për t’u dalë zot territoreve, aty ku na gjetët kur erdhët, ku tani jetojmë bashkë!  Ne, ashtu si në gjithë historinë tone, nuk shfarosim popuj dhe nuk organizojmë egzode në shtete të tjera. Pranojmë realitetin historik të pranisë tuaj në këto territore dhe jemi të gatshëm që të bashkëjetojmë në fqinjësi të mirë me juve, pa urejtje, të gatshëm t’ju falim për mizoritë që na i keni bërë, nëse për këtë kërkoni falje. Por nuk lejojmë që të silleni si pronarë në shtëpinë tone dhe të bëni pazare për shtëpinë tonë pa na pyetur neve fare! Dhe na pengon që sot, për fat të keq, nuk dëgjojmë as edhe një zë të vetëm nga ju bashkëqytetarët tanë sllavomaqedonas që do të do kundërshtonte anashkalimit të shqiptarëve në këto marrëveshje kaq të rëndësishme për të ardhmen e të gjithë neve. Prandaj ne shqiptarët nuk do të dalim në referendum dhe nuk do të votojmë këtë marreveshje vetëm në interesin tuaj, poshtëruese për ne, ku ne trajtohemi si hije, pa emër, pa gjuhë, pa traditë, pa territor…

Dhe në fund, redaksi e nderuar,  ju ftoj që ta shëndroni gazeten tuaj në një “Dritare reale” të vërtetë, duke nxitur një “metamorfozë” të vërtetë të kësaj shoqërie, për një komunikimin të hapur në mes të rinjve pavarësisht grupit etnik që i takojnë. Duke trimëruar posaçërisht të rinjtë që të thonë të vërtetën e jo atë që duhet të dëgjohet. Duke nxitur guximin dhe sinqeritetin tek ata e jo servilizmin dhe poltronizmin ndaj qeverisë. Për të gjetur zgjidhjet që kënaqin të dy palët, jo vetëm njërën, në kuriz të tjetrës.  E këtë nuk do ta arrini me njerëz që gjithë jetën kanë shërbyer klaneve qeveritare, dhe që kanë përfituar nga kjo.    

Afrim Fanda

*”Autori ju drejtua edhe redaksisë së PORTALB, por për fat të keq, nuk pati asnjë reagim nga ana e tyre.”

Pse nuk duhet shqiptarët të dalin në referendum dhe të votojnë marreveshjen për emrin e IRJM

Më 17 shkurt 2018, ministrat e jashtëm të Greqisë dhe IRJM, në prani të dy kryeministrave, ndërmjetësuesit të OKB-së për çështjen e emrit, përfaqësuesve të BE dhe OKB, nënshkruan marreveshjen për ndryshimet lidhur me emrin e IRJM. Nëse IRJM do të arrijë që, pas ratifikimit në parlamanet, t’a kalojë këtë marrëveshje në referendumin e parashikuar dhe të përmbylli të gjitha procedurat e brendshme, marreveshja është parashikuar të ratifikohet edhe në parlamentin e Greqisë, përkundër pakënaqësive dhe kundërshtimeve të forta të shprehura nga opozitat e dy vendeve, por edhe përbrenda koalicionit qeveritar në Greqi. Pas kësaj, vendi do të quhej “Republika e Maqedonisë Veriore”, ose shkurt “Maqedonia Veriore”.
Marreveshja, dhe implementimi i suksesshëm i marrëveshjes për emrin nga sllavomaqedonasit konsiderohet si vendimtar për shpëtimin e identitetit maqedonas të përvetësuar, të kontestuar fuqimisht nga Greqia, si dhe për vetë shtetin e IRJM, që sipas atyre më të sinqertëve “varet në fije të perit”.
Po për shqiptarët, çfarë përfaqëson kjo marrëveshje? Çfarë përfitojnë shqiptarët nga kjo marrëveshje? Asgjë! Përkundrazi, në një moment vendimtar, kur preket kushtetuta e IRJM, dhe shqiptarët kanë rastin dhe të drejtën për të avancuar pozitën e tyre kushtetuese në atë shtetformuese, dhe të marrin pjesën e shtetit dhe pushtetit që u takon, nga shqiptarët, duke mos u dhënë asgjë në shkëmbim, kërkohet që të flijojnë vullnetarisht identitetin e tyre, duke u quajtur jo si shqiptarë por si “maqedonas, qytetarë rë Maqedonisë veriore”, duke hequr dorë nga kërkesa për statusin prej shtetformuesi dhe statusin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, e gjitha kjo për të ruajtur identitetin “maqedonas” e bashkë me të dhe territoret dhe shtetin të përvetësuar nga bashkëqytetarët e tyre sllavë.
Kryeministri Zaev, me ndihmën e klasës politike shqiptare të shitur, arriti ta kalojë me lehtësi në parlament këtë marreveshje poshtëruese për shqiptarët. Por, i vetëdijshëm për besueshmërinë e ulët të kësaj klase politike të kriminalizuar, kërkon që këtë ta përforcojë dhe sigurojë me anë të një referendumi, në të cilin shqiptarët do të vulosnin vetë, me votën e tyre, fatin e prej qytetari pa identitet, atë të pakicës, mysafirit në shpi të vetë, dhe gjithë këtë ndërkombëtarisht të pranuar.
Ndaj, intelektualë dhe opinionistë matrapazë, bashkë me “ilinditasit” e BDI, të pabesët “as për iman e as për vatan” të Beses, PDSH-në publikisht besnike deri në vdekje ndaj UDB-ës, Aleancën për Shqiptarët të cilët edhe përshendesin marrëveshjen edhe jane kundër efekteve të saj, të gjithë me të vetmin preokupim – ruajtjen e identitetit “maqedonas” të padronëve të tyre, janë bërë bashkë, për të bindur shqiptarët që t’a votojnë marreveshjen. Janë plot “argumente” në detyrën e tyre per të mashtruar shqiptarët, duke i friksuar ata me parashikime të situatave me “pasoja apokaliptike” në rast të dështimit të referendumit dhe marreveshjes për emrin.
Synimi për të mashtruar dhe fyerja e shqiptarëve fillon që nga pyetja kurth e paralajmëruar nga kryeministi Zaev – “a jeni për anëtarësim në BE dhe NATO duke pranuar Marrëveshjen me Greqinë”, ku integrimi ne Nato dhe BE perdoret si karrotë për të joshur shqiptarët që trajtohen si infantilë për të votuar këtë marreveshje kryekëput në interes vetëm të grekëve dhe sllavomaqedonasve dhe në dëm të shqiptarëve.
Argumenti i cili konsiderohet më “bindësi” nga këta kuislingë, në fakt është synimi për frikësim të shqiptarëve nga një shpërbërje e IRJM si shtet, në rast të dështimit të marreveshjes për emrin me Greqinë! Por në fakt ç’do të thotë kjo për shqiptarët, të cilët kanë një shtet të tyre shqiptar, nga i cili i ndan një kufi artificial në territore me vazhdimësi të banuara me shqiptarë, dhe ku do takonin në rast të shpërbërjes së IRJM? Përgjigjen gjejeni vetë.
Argumenti tjetër, përndryshe i preferuar në fjalimet e kriminelve që pikërisht përfaqësojnë të kundërtën e vlerave të qytetërimit europian, është ai i integrimit në NATO dhe BE, duke frikësuar shqitparët se me dështimin e marrëveshjes për emrin, dhe shpërbërjen e IRJM do të humbasin mundësinë për integrim në NATO dhe BE. Athua se shqiptarët nuk mund te integrohen ne NATO dhe BE përmes shtetit të tyre shqiptar, nga i cili i ndan pikërisht kufiri që bën shtet IRJM-në dhe shqiptarët pakicë dhe mysafirë në shpi të tyre.
Argument tjetër i përdorur që synon përsëri friksimin e shqiptarëve, përndryshe të njohur për orientimin e tyre properëndimor, dhe antirus, është rënia e IRJM nën ndikimin rus. Ndërkohë, politikat zyrtare, të këtij shteti, definimi i prioriteteve në politikën e jashtme, përcaktimi i partnerëve strategjikë, hapja ndaj njërit apo tjetrit ndikim, kurrë nuk janë varur nga faktori shqiptar. Këto kanë pësuar ndryshime vetem ne vartësi nga partia politike maqedonase në pushtet.
Prekja e detyruar e kushtetutës për shkak të ndryshimeve lidhur me emrin, është një moment shumë i favorshëm për shqiptarët për të ndryshuar regullimin shtetëror nga ai unitar në atë federativ ose më mire konfederativ, që do t’u jepte mundësinë e pazëvenësueshme për të qenë shtetformues dhe për të marrë pjesën e shtetit dhe pushtetit që u takon. Mundësi që nuk duhet humbur në asnjë mënyrë dhe për asnjë çmim. Por, kjo marrëveshje nuk e ofron këtë.
Përkundrazi, në këtë marrëveshje (neni 7, paragrafi 1 dhe 2), grekët janë kujdesur që t’u pamundësojnë sllavëve përvetësimin e identitetit të maqedonasve antik, por për aq sa të mos i preki ata, pra në rafshin ndërkombëtar. Njëkohësisht, duke lejuar mundësinë që këtë ta bëjnë brenda për brenda shtetit (neni 7, paragrafi 3 dhe 4), në marredhënie me shqiptarët, duke i dhënë shtetit vetëm attribute sllave dhe duke trajtuar shqiptarët si “hije” pa gjuhë, pa histori, pa kulturë, pa trashëgimi…
Duke mos votuar këtë marrëveshje, shqiptarët do t’u jepnin grushtin e forte njëherë e mirë përfaqësuesve të tyre politikë ilegjitimë, kuislingë të shitur, të mësuar që të japin blanko premtime padronëve në emër të shqiptarëve, duke i konsideruar të njëjtët si dele të bindura që mashtrohen kollaj. Duke mos votuar këtë marrëveshje, shqiptarët do te jepnin mesazhin e qartë politik si faktor të rëndësishëm për gjetjen e zgjidhjes për këtë pjesë të rajonit, që nuk mund të arrihet me anashkalimin e tyre. Do të jepej mesazhi që shqiptarët do të votojnë vetem marreveshje të tilla ku atyre qartësisht, me ndryshime kushtetuese u jepet e drejta për pjesë të shtetit dhe pushtetit që u takon në bazë të argumenteve historike dhe politike.
Fakti që përfaqësuesit e inkriminuar dhe të koruptuar të shqiptarëve i dirigjon si kukulla teatri, nuk duhet të inkurajojë kryeministrin Zaev për t’u futur në aventura të rezikshme me palë të treta në dëm të shqiptarëve, siç është kjo marreveshje me Greqinë. Për këtë së paku do të duhet të kujtonte luftën 2001, pavarësiht që ka në xhep ca prej atyre që luftuan.

Dhe në fund, të mos harrojmë se shqiptarët në IRJM nuk janë katalonas në një Spanjë të madhe dhe të fuqishme. Por janë gati gjysma e popullsisë në një shtet që gati u shkërmoq në luftën e 2001!

Afrim Fanda

Injorimi i dëshmorëve të protestave të Gostivarit në shërbim të një klase politike të kapur

Më 9 korrik 2018 u bënë 21 vjet nga dita kur pushteti në duart e sllavomaqedonasve ushtroi masakrën e paparë në kohë paqeje ndaj shqiptarëve të paarmatosur të Gostivarit, të cilët dolën në protesta paqësore per të drejtën e përdorimit të lirë të flamurit të tyre kombëtar.

Me këtë rast, ekspedita e egër ndëshkuese policore e udhëruar nga LSDM, në atë kohë në qeveri koalicioni me PPD,  la tre të vdekur dhe qindra të plagosur, si dhe ushtroi dhunë çnjerezore në mbi një mijë qytëtarë shqiptarë të Gostivarit, mu ne qender të Gostivarit, gjatë gjithe ditës dhe gjithë natës pas protestave. Me urejtje të pashembullt u rrah barbarisht çdo shqiptar që lëvizte rrugëve të Gostivarit, mu para kamerave të mediave, para syve të opinionit të brendshëm dhe atij të jashtëm që bëri veshin shurdhër. Dhe e gjitha kjo nuk ndodhi në kohë lufte. Kjo masakër nuk ndodhi në një ditë të largët të historisë së shqiptarëve në këto treva. Kjo ndodhi tani, dhe është akoma e freskët në kujtesën e shqiptarëve. Këtë akt barbar nuk e bëri ushtria e ndonje vendi të largët. Nuk u urdhërua dhe zbatua nga personazhe historike të së kaluarës së largët. Këtë akt barbar e urdhëruan, miratuan dhe zbatuan aktorët e njëjtë politikë që sot i gjejmë sërish në pushtet. E njëjta parti politike sllavomaqedonase por tani me shërbëtorë të rinj shqiptarë, që sot vjen me ambalazhimin e ri, atë të partisë shpëtimtare të shqiptarëve nga “gogoli” VMRO, dhe partisë që do të sjelli drejtësi dhe të ardhme europiane për ta. Po e njëjta parti xhelate e cila as që e konsideron të nevojshme t’u kërkojë falje shqiptarëve për këtë dhe për krimet tjera barbare mbi popullatën civile shqiptare. Janë aktorët e njejtë të skenës së kontaminuar politike, si nga pala sllave ashtu edhe nga pala shqipfolëse në shërbim të tyre, me mendesinë e njëjtë mesjetare të skllavëruesit dhe skllavit të bartur në shekullin 21, të cilët tani me mish e shpirt punojnë për të rehabilituar xhelatët dhe bashkëpunëtorët e tyre të së kaluarës dhe me këtë edhe të tashmes. Mu për këtë, klasa politike renegate e shqiptarëve në pushtetin në duart e sllavomaqedonasve, në vend se të organizojë solemnitete të denja për kujtimin e dëshmorëve Nazmi Saliu, Shpend Iseini dhe Milaim Dautin që sakrifikuan jetën e tyre për një kauzë të drejtë, si dhe për të nderuar të gjithë ata gostivaras, protestues të guximshëm që nderuan flamurin kombëtar duke rrezikuar jetët e tyre, ata organizojnë akademi përkujtimi per xhelatin Abdurahman Aliti, i cili në cilësinë e kryetarit të PPD -së në koalicion me LSDM, dha pëlqimin për vrasjen e këtyre shqiptarëve dhe dhunën ç’njerëzore që ushtroi ekspedita mizore e policisë sllavomaqedonase mbi ta. Me iniciativën e vet kryetarit të BDI-së në koalicion qeveritar, i cili tanimë nuk fsheh rolin e tij prej renegati dhe kolaboracionisti, pikërisht këto ditë u organizua akademi përkujtimi për njeriun që në jetën e tij nuk sakrifikoi as të zezën e thojit për popullin e tij, por përkundrazi qëndroi gjithë jetën në pushtet, duke shijuar benefitet e 12 viteve deputet dhe 4 viteve ambasador, si shpërblim për dëgjueshmërinë dhe miratimin e të gjitha axhendave antishqiptare të padronëve të tij. Shqiptarët, ashtu si nuk toleruan që klasa politike e tyre e kapur, në emër të integrimit të bastardojë gjuhën shqipe për të mbrojtur identietin e vjedhur të sllavomaqedonasve, dhe për t’u siguruar atyre fqinjësi të mire me grekët, ashtu nuk duhet të pranojnë as injorimin e dëshmorëve të tyre si kusht për integrim të tyre si bastardë brenda shteteve sllave. Shqiptarët nuk duhet të pranojnë asnjë lloj integrimi, ashtu të coptuar, dhe duke falur xhelatët, ende pa kërkuar ata falje, e gjitha kjo për të siguruar mbijetesën politike të klasës së tyre politike të koruptuar dhe të kriminalizuar. Pavarësisht përpjekjeve të bandës kriminale shqiptare në pushtet për ta injoruar, zhvlerësuar dhe për ta lënë në harresë këtë datë historike, shqiptarët do ta kujtojnë gjithmonë me respekt dhe mirenjohje sakrificën e dëshmorëve Nazmi Saliu, Shpend Iseini dhe Milaim Dauti si dhe guximin e gostivarasve në mbrojtje të flamurit tonë kombëtar

Afrim Fanda

Përkthimi bastard i ofruar në pako, bashkë me identitetin dhe statusin prej bastardi

harta maqedoniaMenduat se ndonje analfabet, të cilët BDI i ka me bollëk, me urdhërin Ali Ahmetit, i cili edhe vet nuk shquhet për ndonjë intelegjencë, e përktheu gabim emrin e ri të propozuar për IRJM? Ia qëlluat, por pjesërisht! E vërteta nuk është aq e thjeshtë. Keni të drejtë kur mendoni se injorantët dhe të paqytetëruarit kanë gatishmërinë për të shërbyer me kaq zell të huajin duke mashtruar, manipuluar bashkëkombasit në pike të ditës, me arrogancën dhe paftyrësinë më të madhe. 

Duhet kuptuar “halli” i Kryeminstri Zaev, e me këtë edhe i puthadorëve shqiptarë rreth tij. Brenga e pare e tyre ishte se si t’ua servirin shqiptarëve të IRJM, përndryshe kryesisht të fesë muslimane, emrin e ri të propozuar që mban emrin e Shën Ilisë. Emri Ilinden ka kuptim vetem sllav (Fjala Ilin në sllavishte ka kuptimin “i/e Ilisë” dhe den- ditë), që në përkthim do të thotë Dita e (Shën) Ilisë. Kjo festë, me po këtë emërtim festohet edhe nga shqiptarët ortodoksë. Pra, nuk ka si përkthehet ndryshe, prandaj dhe emri i ri, i përkthyer saktë do të ishte: Republika e Maqedonisë e ditës së Shën Ilisë. Shqetësimi i tyre i dytë ishte se si ta bëjnë këtë ngjarje të rëndësishme të historisë së bullgarëve sipas ministres së jashtme të Bullgarisë, të “pranueshëm” për shqiptarët si pjesë të emrit të ri IRJM. Por në një moment, një renegati shqiptar të zellshëm iu kujtua idea “gjeniale”: ta përkthejmë ashtuqë mos të jetë as përkthim e as emër i ri, por diçka e ndërmjetme.  Dhe për t’ua bërë shqiptarëve mendjen dhallë, morën pjesën e pare të emrit, “Ilin” pa e ndryshuar, dhe  shtuan, “dita”  për të tingëlluar shqip. Dhe kryeministri Zaev, i këshilluar kështu nga kjo klasë politike shqiptare gjakprishur, që e siguroi atë se shqitparët do ta përbijnë çdo pisllëk që do t’u serviret, me entuziazëm dhe vetëbesim e shpalli si emrin e ri të IRJM “të përkthyer” në shqipe bastarde “Rebublika ILINDITASE e Maqedonisë”,.

Denko Maleski, profesor i politikës dhe të drejtës ndërkombëtare dhe ministri parë i jashtëm i IRJM, në një kolumnë të tijë në revistën “Fokus” në IRJM, tha se mbijetesa si një komb dhe shtet i IRJM varet në fije të perit. Me transparencën prej një intelektuali Denko Maleski pranoi se kompromisi për emrin është një mundësi për ekzistencën e IRJM, duke e distancuar politikën shtetërore nga Leka i Madh dhe Maqedonia antike. Kryeministri Zaev pasqyron këtë reflektim karshi faktorit të jashtëm , por ndaj shqiptarëve vazhdon të përdorë strategjinë e lojës së rrezikshme të manipulimit duke kërkuar të ndërtojë stabilitetin e IRJM me shqiptarët e poshtëruar me identitet të ri bastard, që fillon pikërisht me emrin e shtetit të përkthyer me nje shqipe bastarde. E kjo do të ishte edhe e ardhmja që bashkë me emrin u serviret shqiptarëve si grup etnik në IRJM – bastardë me identitet të ri, gjuhë të re, ilegjitimë, pa përkatësi, pa “prindër”, pa të kaluar, pa origjinë…

Edhepse të çoroditur dhe në kundërshti me njëri tjetrin, bie ne sy angazhimi i zellshëm i zv. kryeministrit Bujar Osmanit dhe shefit të kabientit të Ali Ahmetit,  Artan Grubit. Aroganca dhe gatishmëria e tyre, zelli për të mashtruar dhe manipuluar bashkëkombasit e vet për llogari të padronit, si dhe në përgjithësi higjiena morale e ulët të bën për të vjellë, sado që i pari këtë mundohet ta mbulojë me qëndrimin autoritar, kurse i dyti me pamjen prej idioti.  Bujar Osmani, me paturpësinë dhe paftyrësinë më të madhe deklaroi se “shqiptarët nuk kanë qenë përkthyes në këtë proces, por negociues …” duke e përgenjeshtruar me këtë edhe padronin e vet – kryeminstrin Zaev i cili në konferencën për shtyp i lexoi variantet në shqip dhe anglisht, duke i cilësuar pikërisht si përkthime të variantit në gjuhën sllavomaqedonase. Kurse Artan Grubi përgënjeshtroi Bujar Osmanin duke deklaruar se “për arsye se nuk ekziston fjalë në shqip për të përkthyer emrin e ri të propozuar, shqipërimi pas konsultimit me shumë gjuhëtar i bie që emri i ri i shtetit të jetë Republika Ilinditase e Maqedonisë. Është një fjalë e re që futet në fjalorin shqip”.

I gjithë ky pisllëk i rradhës lidhur me propozimin e fundit për emrin e IRJM, që nxori në sipërfaqe qëndrimin poshtërues dhe armiqësor ndaj shqiptarëve të LSDM dhe në veçanti të kryeministrit Zaev, si dhe rolin rolin destruktiv dhe poltronist të klasës politike shqiptare, përfundoi me refuzimin e qeverisë greke ndaj këtij propozimi.

Qëndrimi i Bullgarisë ishte i hapur dhe i qartë. Sipas ministres së jashtme Ekaterina Zaharijeva,  emri i ri i propozuar për IRJM është i pranueshëm për Bullgarinë sepse pranohet historia dhe e kaluara e përbashkët, pjesë shumë e rëndësishme e historisë bullgare.

Tek Shqiptarët, edhe pse hasi në kundërshtim dhe tallje të përkthimit në rrjetet sociale, mungoi reagimi institucional ndaj këtij poshtërimi të shqiptarëve, posaçërisht ai i ministrisë së jashtme të R. Shqipërisë. Ndërsa Behgjet Pacolli infromoi me indiferentizëm si një ministër i jashtëm i një shteti “të huaj”, për variantin e dakorduar mes dy shteteve, si dhe për mundësinë që shqiptarëve të mos u pëlqejë – dhe kaq.

E gjithë kjo nxori në sipërfaqe domosdoshmërinë për një strategji të nivelit kombëtar, apo strategji madhore për të artikuluar qartë dhe përballur me çështje të tilla fundamentale dhe ekzistenciale që i takojnë sferës së interesit kombëtar, në mënyrë që çështje të tilla madhore mos u lihen në dorë të politikanëve të shitur, që për interesa të tyre bëjnë kompromise në dëm të interesave kombëtare.

Afrim Fanda