Kategoritë: Nga këndi im

Nga këndi im

Mikut tim të nderuar Rexhail

Miku im i nderuar Rexhë, lexova postimin tend me te cilin na njoftoje qe tani më je sistemuar ne Gjermani, dhe sinqerisht më erdhi mirë. Poashtu degjova qe ministri shqiptar Arben Taravari, i sapozgjedhur ne qeverine e IRJM, me bujari të ka premtuar një vend pune në mënyre që ti te ktheheshe në vendlindje.
Meqe une nuk e njoh z. Arben Taravari, dhe natyrisht as ai nuk me njeh mua (ku mbahen mend gjithë ata te burgosur politik!) do te te lutesha qe t’i thuash nje fjale të mirë Arbenit per mua qe t’me gjeje edhe mua nje vend pune si mjek, në mënyrë që edhe unë të kthehem në vendlindje.
Edhe unë Rexho si ti, u detyrova te iki jashte, por shume me heret se ti. Ne fakt, unë u detyrova te iki disa here. U detyrova Rexho te iki kur u pezullua arsimi ne gjuhen shqipe ne Universtetin e Prishtines, e në Universitetin e Shkupit nuk pranuan as t’i shqyrtonin dokumentet e mia. Keshtu që me kollaj u regjistrova per te vazhduar studimet ne Fakultetin e Mjeksisë në Sarajevë, Bosnje, se sa në shtetin ku babai im kishte punuar dhe paguar taksa mbi 30 vite. Atëherë, Rexhë, ishte po kjo LSDM, dhe une, si dhe shume te tjere, ishim te padeshirurar. Që të jem i sinqertë, as unë nuk ushqeja ndonje “simpati” për ta, duke qene se sapo u’a kisha parë fytyrën tjetër në burg, jo atë të buzëqeshurën, por atë të bishës.
Ika edhe kur mbarova studimet e mjeksise, sepse edhepse ishin gjithe ata ministra shqiptarë në qeveri me po këtë LSDM me të cilën partia e Arbenit ka bërë qeveri koalicioni, mua (dhe te tjereve si une) nuk m’u njoh diploma e Tiranes, e per punesim as qe behej fjale!
Ika edhe pasi bashke me nje grusht njerezish mora pjese në themelimin e dy partive, përfshirë dhe atë nga e cila doli partia e Arbenit. Ika, jo sepse nuk plotesova ambicjet personale, por sepse te gjithe shkelen parimet mbi te cilat u themeluan. C’te besh! Ashtu ishim gatuar une dhe familja ime. Ishim te paret kur duhej sakrifikuar per te miren e pergjithshme, atehere kur te tjeret nuk e kuptonin ose e refuzonin ndryshimin, terhiqeshim menjane kur te gjithe benin “uraa” dhe largoheshim me neveri kur te tjeret mblidheshin per “të shqyer prenë”.
Thuaji te lutem Rexhë, qe t’i gjeje nje vend pune edhe vellaut tim i cili iku akoma me larg, ne Amerike, sepse bashkëpartiakët e Arbenit, në kohën e PDSH nuk e donin këtu, sepse u pengonte meqe nuk përshtatej në filozofinë “partia ime, firma ime”. Jane edhe shume shoke te mi jusriste, inxheniere, mjeke, arkitekte etj. që u detyruan te ikin nga vendlindja e tyre për të siguruar bukën e gojës për vete dhe familjen e tyre, në ndërkohë që ministrat shqiptarë kapardiseshin në luksin që u mundësonte pjesemarrja në pushtet.
Por, para se t’i beje keto punesime, te lutem ti thuash qe t’bëjë donjë gjë edhe për qytetet tona që gjithnjë e me shumë ngjajnë si qytete fantazma, me ajër të ndotur dhe të rezikshëm për shëndetin e fëmijëve, me rrugë të prishura, ndertesa pa plan… sepse miq të mi qe jetojne si ti ne shtetet e Europes, dhe ndërkohë krijuan familje, ankohen se fëmijët e tyre nuk duan të vijnë në vendlindje as për pushime, e le më të kthehen përgjithmonë.
Te lutem, thuaji edhe që IRJM, minister i te cilit eshte ai, eshte i vetmi vend ne Europe qe ka bere demshperblim njëetnik të ish te burgosurve politikë, me dakordësinë edhe të kolegëve të tij të BDI, pra vetem te qytetareve probullgar. Mua dhe shokët e mi të burgut akoma edhe pas 20 vite pjesemarrje në pushtet të shqiptarëve nuk jemi dëmshpërblyer (financiarisht, se moralisht jam ne regull unë).
Thuaji …, e çfar ti thuash! Në fakt Rexho, kur e menodj pak me mire, lere fare, mos i thuaj gje, se me hallet qe ka ai, s’i mban dot edhe keto qe ia kërkoj unë. I shkreti Arben ka gjithe ato punësime për të bërë për partinë e tij, dhe nuk dua t’i bëhem edhe unë barrë. Vetëm për Deparatamentin e shendetesise që ka partia e tij, nuk i dalin të gjtha vendet e punës në Ministrinë e Shendetësisë së IRJM. Pastaj dëgjova që Zaevi, i cili tani më është mik për kokë me Selën, ja ka falur të gjitha gabimet Aliut dhe është mik për kokë edhe me te. Dhe së fundi, dëgjova që me insistimin e Aliut, ja ka falur gabimet edhe Menduhit, kështu që së shpejti do kërkojë që të shtyhen të gjithë nga pak per t’i hapur pak vend edhe PDSH-së në qeveri. Dhe, Rexho, ka mundësi që atë vend pune që t’a ofroi Arbeni, mund t’ia këkojë mbrapsht Zaevi, sepse i duhet per të kënaqur “Departamentin e shëndetësisë” të Menduhit.
Prandaj, më mirë mos i thuaj gjë, e edhe ty, si mik që të kam, të keshilloj te rish aty ku je. Aty ku partitë bëjnë programe zhvillimi e jo punën e enteve të punësimit. E nese ke vendosur të kthehesh dhe ta ruash dinjitetin qytetar dhe profesional, eja bashke me mua dhe qindra të tjerë , të ndjekim shembullin e atyre djemve dhe vajzave në Kosove, të cilët Vet Vendosën për fatin e tyre, pa u joshur dhe mashtruar nga pushtetaret me mendësi feudale. Rruga që zgjodhën ata kërkonte këmbëngulje dhe sakrifica, por besomë, është e vetmja rugë që ata 100.000 shqiptarë të ikur nga IRJM viteve te fundit, të fillojnë të kthehen dal ngadale në vendlindjen e tyre.

Afrim Fanda

NGJARJA E 27 PRILLIT NË PARLAMENTIN E MAQEDONISË – SFIDA E RADHËS PËR SHQIPTARËT

Shpesh më mundon të kuptoj se çfarë është ajo që na dëmton kujtesën tonë historike (madje dhe atë të afërt), gjykimin tonë politik dhe instinktin për mbijetesë si komb në përgjithësi!? E në veçanti, çfarë është ajo që në momente të volitshme për të ndryshuar pozitën e tyre përmes ndryshimit të statusit kushtetues në Maqedoni, i bën shqiptarët që të fillojnë të flasin për multietnicitet, multikulturë, stabilitet të regjionit etj?

Gjërat që lexova në dy shkrime të këtyre ditëve dhe deklaratat e politikanëve aktual dhe mbështetësve të tyre militante, më tmerruan me idetë e vëllazërim-bashkimit të kohës së RSFJ.

Është mentaliteti prej skllavi i nënshtruar, i rrënjosur thellë në vetëdijen e një popullate që ka jetuar me breza nën kushte terrori? Apo mbisundon zëri i profiterëve injorantë “të shkathët” që fërkojnë duart të kënaqur që nga kjo fatkeqësi e bashkëkombësve bëhen të pasur brenda natës, ndërkohë që pjesa tjetër qëndrojnë të nënshtruar dhe të heshtur, të lumtur që kanë arritur të sigurojnë mbijetesën fizike për vete dhe familjet e tyre?

Pas ngjarjes së 27 prillit në parlamentin maqedonas dhe rrahjes barbare para kamerave të z. Selës, nuk u besoja syve se çfarë lexoja në një shkrim të stilit “Boro e Ramizi “ të kohës së RSFJ, me titull “Sela dhe Zaev u gjakosën për ne”: Zoran Zaev, líder i partisë maqedonase LSDM, në luftën e tij për pushtet na paraqitej si shpëtimtar i shqiptarëve, ndërsa z. Sela si hero, sepse sipas artikullshkruesit, u largua nga vendi ku ishin bashkë me z. Zaev, për të tërhequr pas vetes paramilitarët e VMRO dhe me këtë për ta mbrojtur z. Zaev, pothuajse me jetën e tij! Dhe qe kjo çmenduri të jete akoma më “e besueshme”, edhe vetë z. Zaev në një intervistë deklaron se kjo është e vërtetë, dhe se këtë ja ka deklaruar vetë z. Sela gjatë vizitës që i bëri në spital!?
Në një shkrim tjetër të po atyre ditëve, me titull “Po të vdiste Sela, mbaronte Maqedonia” lexova gjëra akoma më tmerruese. Nuk di se çfarë ka dashur të thotë artikullshkruesi, por nga ajo që ka shkruajtur në këtë shkrim del që ai i konsideron asgjë viktimat e shumta të pafajshme shqiptare, të vrara nga njëra nga këto dy parti maqedonase në pushtet, para ngjarjes së 27 prillit në Parlamentin e Maqedonisë, kur siç thotë ai “ra shteti, u vra demokracia”. Paramendoni sa përzemër e ka Maqedoninë me rregullimin shtetëror unitar, ky opinionist shqiptar! Sipas tij, demokracia në Maqedoni ka funksionuar në kohën kur u masakruan shqiptarët në Kumanovë, Brodec, Gostivar, Reçicë të Vogël – Tetovë, Bit Pazar të Shkupit, kur u likuidua pa gjyq Harun Aliu me shokë …!?
Njëkohësisht, në rrjetet sociale vërshuan shpalljet e heronjve, datave historike …
Sinqerisht, prisja qe ndonjëri nga intelektualët, anëtarë të LRPDSH, disa nga ta miq të mi, në pamundësi të z. Sela, te dalin me një deklarate të matur, sqaruese dhe kthjelluese për anëtarësinë dhe simpatizantët e tyre, por edhe për opinionin e gjerë, me kërkesën që të ndalojnë me shpalljen patetike të heronjve. Të sqarojnë opinionin se kjo që ndodhi në parlament, nuk tregoi heroizmin tonë, po pafuqinë tonë dhe faktin e të qenit akoma sot e kësaj dite viktimë brutale e shovinizmit maqedonas, në saje të pozitës dhe statusit akoma të parregulluar kushtetues. Se z. Sela u rrah në mënyrë barbare nga shovinistët maqedonas jo duke bërë heroizma, por duke tentuar themelimin e një qeverie koalicioni, për shqiptarët pothuajse e njëjtë me atë të kaluarën. Me po ata shqiptarë që ishin në pushtet, që nga viti 2001, në koalicion herë me njërën parti maqedonase e herë me tjetrën, ndjekur nga dhuna dhe masakrat ndaj shqiptarëve gjatë gjithë kohës të qenit në pushtet.
Por kjo, për fat të keq nuk ndodhi. Përkundrazi, ngjarja e 27 prillit në parlament për shqiptarët la pas vetes shumë pyetje dhe dyshime: rrëzimi i z. Gruevski dhe VMRO-së nga pushteti dhe zëvendësimi me LSDM-në në krye me z. Zaev, u bë qëllim në vete për shqiptarët? Kanë besim shqiptarët akoma tek z. Zaev dhe LSDM pas deklaratave mospërfillëse lidhur me kërkesat e platformës dhënë gazetës serbe Kurir pak ditë pas ngjarjes së 27 prillit? Do kthehet pas kësaj z. Sela në po atë parlament të Maqedonisë, ku u rrah dhe u tërhoq zvarrë në mënyrën më jonjerëzore? Çfarë mbrojtje të interesave të votuesve të tij do t’u sigurojë ai me pjesëmarrjen e tij të mëtutjeshme në këtë parlament, ku ai nuk ishte në gjendje për të mbrojtur as jetën e tij?
E vetmja shpresë ngelet që kjo ngjarje shumë domethënëse dhe e freskët, t’u shërbejë si mësim shqiptarëve se nuk ua mbron jetën, mirëqenien dhe të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre buzëqeshja dhe “fjala e nderit” e Zaevit, apo cilido përfaqësues tjetër nga pala maqedonase. Platforma “as mish as peshk”, konfuze, të paqarta dhe me kërkesa gjysmake, të pathëna deri në fund, nuk “qetësojnë” palën maqedonase e as zgjidhin çështjen shqiptare në Maqedoni. Në Maqedoninë si shtet unitar, edhe me angazhimin e deklaruar të z. Zaev, shqiptarët do vazhdojnë të jenë të diskriminuar dhe të pasigurt as për jetën e tyre, por edhe maqedonasit sado të privilegjuar të jenë nga ky sistem unitar, do të jenë peng i pakënaqësisë dhe pozitës së rëndë të shqiptarëve. E ardhmja e shqiptarëve por edhe e ardhmja e maqedonasve do vazhdojë të jetë përplot rreziqe e të papritura nga statusi i parregulluar i shqiptarëve dhe kështu do të jetë derisa edhe për shqiptarët të vlejë si për të gjithë kombet e tjera në Evropë, parimi themelor i demokracisë, ai i vetëvendosjes. (Afrim Fanda)

SISTEMI QEVERISËS UNITAR – SFIDË PËR TË ARDHMEN E SHQIPTARËVE NË MAQEDONI

unitaryKëto ditë flitet me të madhe për një bashkim të partive shqiptare që fituan mandate deputetësh, me synimin për të shfrytëzuar atë që shumëkush quan situatë politike të favorshme për shqiptarët në Maqedoni duke kushtëzuar mandatarin nga krahu maqedonas për të krijuar qeverinë dhe për të shmangur krizën qeveritare dhe politike në Maqedoni.

Në këto kushte, vetëm një force politike, “Aleanca për shqiptarët” shpalli propozimin e saj për 6 kushtet për të gjitha partitë për të marrë pjesë në qeverinë e koalicionit: – gjuha shqipe zyrtare në tërë vendin; ndarja e drejtë e buxhetit; përfaqësimi i drejtë në pushtet i shqiptarëve; dekriminalizimi; lirimi i të burgosurve shqiptarë të pafajshëm në rastet e montuara dhe dëmshpërblimi i tyre; si dhe njëri nga postet kryesore të shtetit të jetë shqiptar.

Po cili është shteti të cilin shqiptarët duke bashkuar partitë, me apo pa kushtëzime, duan ta shpëtojnë nga kriza qeveritare në veçanti dhe ajo politike në përgjithësi?

Çdo qytetar shqiptar i zakonshëm, i interesuar, në Google gjen këto definicione për sistemet qeverisëse:

Sistemi qeverisës unitar, të cilin ka aktualisht Maqedonia, nënkupton pushtet qendror të centralizuar, që funksionon më së miri në shtetet-kombe, ku mund të ekzistojnë dallime kulturore brenda shtetit por ekziston një ndjenjë e fortë e krenarisë dhe unitetit kombëtar. Qeveritë e këtij lloji janë të shpeshta në Evropë. Në shtetet multinacionale me sistem unitar, shpesh është e pritshme që vlerat dhe besimet e një kombësie të imponohen mbi ato më të vegjlit. Kur partitë komuniste kontrollonin qeveritë, shumë vende të Evropës Lindore kishin sisteme unitare, për të përhapur dhe për të promovuar përhapjen e vlerave komuniste.

Derisa shteti unitar mban të gjithë pushtetin nën kontrollin e pushtetit qendror, shteti federal ndan pushtetin midis autoriteteve qendrore dhe qeverive lokale apo rajonale të cilave u është dhënë vetëqeverisje e konsiderueshme, zakonisht përmes legjislaturave të tyre. Shteti federal ka një kushtetutë ose ligj tjetër të lartë të shtetit që përcakton kompetencat e dhëna për të dy qeveritë, qendrore dhe lokale. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Australia, Republika federale e Gjermanisë janë shembuj tipik të shtetit federal.

Ndërkaq, konfederata është në thelb një aleancë mes shteteve apo kombeve që bien dakord të punojnë së bashku në drejtim të interesave të përbashkëta, por ende ruajnë kompetencat e tyre individuale të qeverisjes.

Pasi lexon këto, nuk mund të mos mendosh se si është e mundur që një grusht serbësh, që nuk përfaqësojnë as 5% të popullsisë së Kosovës, edhe pse me vende të garantuara në parlament, të vetëdijshëm për rëndësinë e sistemit qeverisës për pozitën e tyre si grup etnik në këtë shtet, nuk hezituan që ti reken punës në këtë drejtim, duke filluar me themelimin e Asociacionit të komunave Serbe në Kosovë si gurrëthemel i një qeverie lokale të nesërme. Në ndërkohë, për njëzetepesë vite me radhë, asnjë parti politike shqiptare, nuk sheh të udhës të kontestojë sistemin qeverisës unitar të Maqedonisë, si burim i të gjitha padrejtësive, si dhe pengesën kryesore për realizimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve të Maqedonisë. Përmenden me zell, një nga një padrejtësitë që maqedonasit u bëjnë shqiptareve duke ushtruar pushtetin që u jep sistemi qeverisës, për të siguruar privilegje për vete, por nuk përmendet burimi i këtyre padrejtësive.

Çfarë i bën kjo maqedonasit? Partitë maqedonase bëjnë atë për të cilën kanë marrë votat nga maqedonasit, në kushtet e sistemit aktual qeverisës – u sigurojnë atyre pozitën e etnisë së privilegjuar përballë etnisë shqiptare. Të vetmen vërejtje që mund t’u japim ne shqiptarët që nuk votojmë për partitë maqedonase është se përmes shërbimeve të sigurimit ata fusin duart në partitë tona, në organizimin tonë politik, dhe me këtë japin një mesazh shumë të dëmshëm shqiptarëve – që nuk ka të ardhme për shqiptarët në një shtet të përbashkët me ta.

Po çfarë i bën kjo shqiptarët? Në gjithë botën, kur përfaqësuesit e një populli shkelin interesat e votuesve duke vënë interesat personale mbi ato të votuesve, quhet tradhti kombëtare. Edhe në këtë situatë, që konsiderohet situatë e favorshme politike për shqiptarët, në rast se partitë shqiptare, dhe deputetët që morën mandatin të përfaqësojnë vullnetin politik të shqiptarëve, do të mundësojnë formimin e qeverisë, pa vënë në diskutim sistemin qeverisës unitar si pengesë për avancimin e pozitës së shqiptarëve në këtë shtet dhe me këtë duke shkelur interesat e shqiptareve të cilët i përfaqësojnë, do të meritojnë epitetin e tradhtarit të kombit. Emër të bukur për këtë nuk ka! (Afrim Fanda)

E VËRTETA MBI DISA ZHVILLIME POLITIKE 1991 – 97, TRILLIMET E RUFI OSMANIT DHE MESAZHET QË NA JAPIN KËTO ZHVILLIME.

Para ca kohësh, pata rastin të dëgjoj pjesë të intervistës së Rufi Osmanit dhënë më 25.12.2015, në programin “Një mbrëmje me Agim Poshkën”, në televizinin TV21.

Me këtë rast ai deklaroi një sërë të pavërtetash dhe shtrembërimesh lidhur me disa nga ngjarjet politike të viteve 91 – 97, si krijimi i fraksionit brenda PPD-së, afera e armëve, ngjarjet e Gostivarit e të tjera.  Rufi Osmani nuk është i pari që keqinformon opinionin për këto ngjarje, por është për t’u habitur transformimi që janë në gjendje të bëjnë njerëz të tille, që më së paku tregon për një higjienë morale të tyre që len për të dëshiruar! Është pikërisht ai, i cili sulmonte me fjalorin më vulgar në atë kohë kundërshtarët e tij politik – eksponentë të PPD-së,  e sot quan PPD-në “lëvizje popullore shqiptare”. Ai që ishte një ndër anëtarët më të zellshëm të fraksionit, shkëputjen e degës së Tetovës nga PPD dhe formimin e PPDSH e quan “përçarje të PPD-së si produkt i një marrëveshjeje të ish presidenteve S. Berisha K. Gligorov, si një pazar i tyre për të mbuluar aferën e armëve!?”. Aktivitetin e tij politik të asaj kohe e përshkruan si “ishim peng të një situate politike që prodhoi përçarjen e subjektit të parë politik” si dhe “i bindur (nënkupto mashtruar) nga dy funksionarë të lartë të R. Shqipërisë se do jemi fryma atdhetare përkundër një fryme tradhtare në thonjëza në krye me N. Halitin dhe Mitat Eminin”.
Në fakt, cila ishte e vërteta e “përçarjes” së PPD-së dhe krijimit të fraksionit brenda PPD? Për ata që nuk e dinë, ose kanë qenë shumë të rinj në atë kohë, pas vitit 1990, si në të gjitha shtetet e Evropës lindore dhe në ish shtetet e Jugosllavisë, ashtu edhe në Maqedoni filloi të zbatohet sistemi shumëpartiak. E me këtë u krijua dhe subjekti i parë politik shqiptar i mirëpritur me shumë entuziazëm nga popullata shqiptare në Maqedoni, e lodhur nga decenie torturash psikike, përndjekjesh dhe vuajtjesh. Por maqedonasit, të mësuar për decenie me radhë me sistemin monist, i cili ju siguronte pozicionin e të privilegjuarit dhe njëkohësisht ju shërbente si instrument shumë efikas për nënshtrimin e shqiptareve, natyrisht nuk ndenjen duarkryq por u kujdesën që të kenë nën kontroll hapësirën për organizim politik që u jepej shqiptarëve me këtë sistem shoqëror të ri. Shërbimet e sigurimit të shtetit maqedonas lejuan themelimin e PPD, por u kujdesën që këtu të vijnë individë të përshtatshëm për ta, në mënyrë që të mund ta mbajnë nën kontroll këtë mundësi të re të organizimit politik të shqiptarëve. Bile në fillim nuk u kujdesen aq shumë për aparencën, dhe për sekretar të parë imponuan një maqedonas të Shërbimit të Sigurimit, të cilin shqiptarët të mësuar të ulin kokën, e pranuan pa ndonjë kundërshtim, bile duke e interpretuar si strategji të mençur në kushtet e dhëna.
Në vazhdim, u kujdesën që për kryetar të partisë të imponojnë një mediokër naiv, i padenjë për atë pozicion me kaq përgjegjësi, i cili pas emërimit, duke mos ditur peshën e pozicionit, pa ide, pa vizion, pa kompetenca, mbushte fjalëkryqe gjatë gjithë ditës në zyrën e tij. Natyrisht, ata që u kujdesën të emërojnë një njeri të tillë për kryetar, u përkujdesën që të imponojnë edhe një sekretar të shkathët, perfid, fuqiplotë, që do të mbante nën kontroll këtë kryetar por edhe gjithë partinë, dhe do të kujdesej që vija e partisë të jetë e koordinuar me politikën dhe agjendat e pushtetit në duart e maqedonasve. Kjo erdhi në shprehje posaçërisht më vonë, gjatë zgjedhjes së deputetëve dhe posaçërisht të ministrave nga radhët e PPD si partnerë koalicioni në qeveri nga pala shqiptare. Kandidatët e përshtatshëm duhej të ishin të sprovuar për lojalitet ndaj shtetit në aparatin e administratës së mëparshme të monizmit, ose së paku të mos kishin qenë kurrë më parë në konfrontim me pushtetin. Dhe gjeni kush ishte personi në PPD që koordinonte kriteret e vendosura nga qeveria dhe përzgjedhjet në parti? Natyrisht, ky ishte Mitat Emini, të cilin Rufi Osmani sot e paraqet si viktimë të “funksionarëve të lartë të R. Shqipërisë” dhe ekstremistëve shqiptar!
Si erdhi deri tek fraksioni brenda partisë, dhe më vonë deri tek formimi i PPDSH-së? Ndoshta Rufiu gjatë kësaj kohe ishte “peng i situatave politike” dhe “i bindur (lexo manipuluar) se do ishte një frymë atdhetare”, por në radhët e PPD-së kishte edhe njerëz që nuk ishin “peng të askujt dhe asnjë situatë politike” dhe nuk ishin “të mashtruar”, por ishin njerëz të ndershëm, atdhetarë, të rinj me guxim, vullnet dhe gatishmëri për të ndryshuar realisht gjërat dhe për të kontribuar për zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare në Maqedoni. Nga këta njerëz u krijua fraksioni, që në të vërtetë ishte e gjithë dega e PPD e Tetovës dhe kuvendi qendror i degës, e më pastaj dhe PPDSH. Sigurisht që në mes të këtij grupimi kishte edhe njerëz karrieristë, profiterë, të infiltruar nga Sigurimi shtetëror që tanimë nuk është e vështirë për ti identifikuar, të cilët kontribuan që edhe kjo parti shumë shpejtë të vihej nën kontrollin e Sigurimit Shtetëror. Por kjo në asnjë mënyrë nuk ja ul vlerat e kësaj iniciative të atëhershme të njerëzve të ndershëm, atdhetarë dhe me vetëdije qytetare.
Cila është e vërteta mbi të ashtuquajturën “Afera e armëve”? Në ndërkohë Sigurimi Shtetëror duke pare që i gjithë Ballkani po ziente, dhe duke nuhatur një pakënaqësi ndër shqiptarët që mund të eskalonte në rezistencë të armatosur, vendosi ti paraprijë këtyre ngjarjeve për t’i dekurajuar ata në çdo iniciativë të tillë. Me ndihmën e disa bashkëpunëtorëve shqiptarë, mashtruan qindra të rinj, duke i “organizuar” në “formacione ushtarake” fiktive, me ç’rast siguruan lista të tëra me emra shqiptarësh atdhetar të gatshëm të kapnin pushkën, bashkë me numrat serik të armëve që ju shpërndanë ata vetë me ndihmën e bashkëpunëtorëve të tyre. Dhe gjeni kush ishte “komandant” i kësaj “ushtrie”? Kush tjetër përpos M. Eminit. Ambiciet e Sigurimit Shtetëror të Maqedonisë nuk ndaluan këtu, por deshën ta fusin në lojë edhe shtetin shqiptar për t’i paraqitur revoltat e pritura të shqiptarëve si të importuara nga shteti Shqiptar, njëkohësisht për ta paraqitur atë para opinionit ndërkombëtar si destabilizues të Ballkanit, por edhe duke u privuar shqiptarëve të Maqedonisë ndihmën që do tu vinte nga shteti shqiptar në atë kohë dhe në një të ardhme. Këtu u detyrua shteti shqiptar të ndërhyjë duke dërguar disa funksionarë politike të asaj kohe në Tetovë për të ofruar ndihmë fraksionit tanimë të krijuar në luftën e tyre për të demaskuar “Aferën e armëve” si lojë të rrezikshme të disa individëve në udhëheqjen e ngushtë të PPD-së. Për të demaskuar këtë lojë, emrat e disa individëve të përfshirë në këtë lojë u publikuan në një reagim zyrtar në Radiotelevizionin Shqiptar. Rufi Osmani këtë ndërhyrje e quan “përçarje të subjektit të parë politik PPD si produkt i një marrëveshjeje të ish presidentëve S. Berisha dhe K. Gligorovit, si një pazar të tyre për të mbuluar aferën e armëve”. Por Rufiu nuk sqaron se pse do duhej shteti shqiptar në atë kohë të përkrahte do djem të rinj, pa pushtet, pa ndikim, pa para, për të kontrolluar popullatën shqiptare në Maqedoni, kur një gjë të tillë mund ta bënte fare mirë me ndihmën e ministrave dhe deputetëve të PPD, të instaluar në pushtet dhe të besuar të Kiro Gligorovit?!
Pas kësaj, kur Shërbimi i Sigurimit Shtetëror pa që loja u dekonspirua, pasuan arrestimet, ku forcat policore të përcjellur nga disa “komandantë” të “ushtrisë” shkonin derë më derë duke kërkuar nga shqiptarët që kishin pranuar “mobilizimin” të dorëzonin armët sipas numrave serik që ata i kishin të evidentuar në listat e tyre! Kur ndonjëri nga shqiptarët e shkretë, i befasuar dhe mosbesues me këtë “precizitet të dhënash” mundohej të taktizonte, dilte nga makina e policisë “komandanti” përgjegjës për atë zonë dhe thoshte “jepe armën se na kanë kallxu!”. Kjo rezultoi me arrestime të shqiptarëve atdhetarë, të pastër dhe të sinqertë por edhe me farsa arrestimesh të “komandantëve” për të mbuluar gjurmët e involvimit të Sigurimit Shtetëror në këtë aferë.
Çfarë dëmi politik solli “përçarja” e PPD-së për vetë PPD-në dhe për shqiptarët e Maqedonisë? Për vetë PPD-në, asnjë dëm! Ministrat dhe deputetët u ndanë nga Kuvendi Qendror me anëtarë të pakënaqur me punën e tyre, dhe shkuan drejt e tek Kuvendi Qendror “legjitim”, i parapërgatitur që më herët, pa çarë kokën për ca djem të rinj, pa pushtet, pa para, pa ndikim në atë kohe. Dhe PPD vazhdoi ta bënte atë që bënte edhe para “përçarjes” – t’u shërbente agjendave të pushtetit edhe me tutje, dhe të bënte punën e dekorit në parlament dhe qeveri. Çfarë dëmi solli “përçarja” për popullatën shqiptare në Maqedoni? Shqiptarëve të Maqedonisë nuk u duhej atëherë, e nuk u duhet as tani, unitet në legjitimimin e agjendave antishqiptare të pushtetit maqedonas, e as unitet në nënshtrim ndaj këtyre politikave. Përkundrazi shqiptarëve u duhej “përçarja” me ata që për interesa personale shisnin interesat dhe të ardhmen e shqiptarëve. Shqiptarëve u duhej një zë që do të demaskonte këtë dhe do të artikulonte vullnetin dhe kërkesat reale të popullit, e jo të klaneve në shërbim të pushtetit.
A thua Rufiu nuk i di këto gjera, apo duhej përshtatur me versionin e pushtetit maqedonas për të ngjitur shkallët e karrierës politike?
Cila është e vërteta rreth ngjarjeve të Gostivarit të 9 korrikut 1997, dhe cili ishte roli i Rufi Osmanit? Duke ditur shpirtin atdhetar dhe guximin e popullatës shqiptarë të Gostivarit me rrethinë, të treguar edhe më parë në historinë e shqiptarëve të këtyre trevave, është e lehtë për ta kuptuar motivin e tyre për të protestuar më datë 9 korrik 1997. Edhe pse të vetëdijshëm për rrezikun, protesta ishte një rebelim kundër pushtetit, nxitur nga një pakënaqësi e thelle dhe zemërim të akumuluar ndaj keqtrajtimit të egër dhe të vazhdueshëm nga ana e pushtetit, por edhe për statusin dhe perspektivën tyre në këtë shtet. Por cili ishte motivi i Rufi Osmanit? Natyrisht, si gjithmonë egoist dhe karrierist. Në garën e bajraktarizmit me M. Thaçin për të qenë më “Skenderbe” se ai, nxitoi që të ishte ai i pari që do ngrinte flamurin duke inicuar dhe trimëruar këshillin komunal në vendimin për përdorimin e flamurit shqiptar krahas atij maqedonas. Jo më kotë, ambasadori i Amerikës në atë kohë e quajti “local sherif”. Por Rufiu, sipas vetë deklaratave të tij, fill pas kësaj filloi pazaret me pushtetin e atëhershëm, duke tentuar që të zbuste reagimin e tyre të pritur. Ashtu siç bënin gjithmonë pushtetet antishqiptare në Maqedoni, Cërvenkovski e mashtroi Rufiun kinse do të gjenin një zgjidhje, por në ndërkohë planifikoi një “leksion” për shqiptarët “e pabindur” të Gostivarit, me miratimin në heshtje të PPD-së “së përçarë”. Me një aksion në orët e hershme të mëngjesit, forca të shumta policore arrestuan Rufi Osmanin bashkë me kryetarin e Këshillit Komunal, dhe në vazhdim, me një egërsi të paparë masakruan popullatën që doli për të protestuar. Po atë ditë, vranë tre shqiptarë dhe ushtruan dhunë çnjerëzore në mbi njëmijë qytetarët shqiptarë të Gostivarit, mu në qendër të Gostivarit, gjatë gjithë natës pas protestave.
Derisa ndodhej në paraburgim, para gjykimit, Crvenkovski e mashtroi për herë të dytë Rufiun, dhe këtu doli në dritë personaliteti i vërtetë i tij. Joshur nga premtimi se nuk do të dënohej me burg, harroi të vrarët dhe mbi një mijë të torturuar në mënyrën më ç’njerëzore gjatë protestave, dhe këtë pushtet, që thjesht ekzekutoi pa gjyq, mu në mes të qytetit, ne pikë të ditës, të rinj të pa-armatosur që protestonin pa dhunë, e quajti shembull tipik të shtetit juridik! Por natyrisht, Crvenkovski nuk e mbajti fjalën dhe Rufiu përfundoi në burg.
Të dy palët, si pushteti maqedonas ashtu dhe shqiptarët dhanë mesazhe shumë të qarta për ata që duan të kuptojnë, si në revoltat e përgjakshme të Gostivarit, ashtu dhe në revoltat e tjera të përgjakshme si Brodeci, vrasja e Harunit me shokë, masakra e Kumanovës e shumë të tjera. Pushteti dëshmoi për të satën herë se popullatën shqiptare dhe territoret ku ata jetojnë i trajton si koloni, dhe shqiptarët dhe lëvizjet e tyre i sheh vetëm përmes syzave të Sigurimit Shtetëror dhe përmes nishanit të armës. Ata nuk duan, por edhe po të donin nuk do mundeshin për shkak të barierave gjuhësore dhe kulturore ti prijnë kësaj popullate në emancipimin e tyre, të plotësojnë nevojat e tyre për arsimim të mirëfilltë, për kulturë, shkencë etj.
Por edhe shqiptarët dhanë mesazh të qartë që ata këtë shtet nuk e konsiderojnë si të tyrin, por të huaj, të imponuar në vend të shtetit të tyre etnik ku ata do të jetonin bashkë me vëllezërit dhe motrat e tyre nga të cilët i ndajnë kufij politikë artificial, që sot do të duhej të ishin të pakuptimtë në kohën kur fjalori politik i përfaqësuesve të tyre është i mbushur për të ardhmen e afërt të Evropës pa kufij. Që është më e rëndësishmja, shqiptarët në të gjitha këto revolta të përsëritura dhanë mesazhin e qartë se ata nuk do të pajtohen kurrë me një realitet të tillë.
Nga politikanët shqiptarë në pushtet dhe ata që synojnë me çdo kusht postet e pushtetit, nuk pres të nxjerrin mësim nga këto mesazhe shumë të qarta që dha populli, sepse tani më është e qartë për të gjithë se ata e bëjnë këtë për përfitimet që u sjell të qenit në pushtet duke qenë të vetëdijshëm për dëmin që shkaktojnë. Por nga të rinjtë, studentët, intelektualët, prindërit, nënat – po! Pres që posaçërisht këta të fundit të kuptojnë dhe të vetëdijesohen se nuk mund të ndërtojnë mirëqenien e tanishme me koston e dëmtimit të të ardhmes së fëmijëve të tyre!
Afrim Fanda

Reagim ndaj shpifjeve të Menduh Thaçit

Të dashur miq dhe bashkëqytetarë të mi të Tetovës,ndihem i obliguar që të informoj dhe sqaroj bashkëqytetarët e mi, posaçërisht ata që nuk na njohin, lidhur me disa shpifje dhe trillime të Menduh Thaçit që kanë të bëjnë me familjen time, të thëna në një tubim të këtyre ditëve në lagjen Teteks 2 të Tetovës. Në këtë tubim, në një kontekst që fare nuk ka të bëjë me ne ( një konflikt me F. Xhaferin, vëllai i të ndjerit Arben Xhaferi) jemi përmendur unë dhe familja ime. Dua tua bëj të qartë të gjithëve që ne KURRË nuk kemi përfituar nga ASNJËRA parti dhe ky fakt ia merr të drejtën Thaçit dhe të tjerëve që të na përmendin dhe të keqpërdorin emrat tonë për qëllime të veta.

Për hir të së vërtetës dhe për të parandaluar çfarëdo keqpërdorimi të mundshëm, më duhet të sqaroj disa fakte:

E para, familja ime, as më parë, as gjatë qëndrimit tim dhe të vëllait tim në burg, e as pastaj, nuk ka qenë kurrë në situatë që të na mungojë buka dhe aq më tepër që dikush (mos dhashtë zoti njeri si Thaçi) të na furnizojë me miell! Duke qenë të bindur në idetë, qëllimin dhe kauzën e drejtë, gjatë vuajtjes së dënimit, si gjysma brenda ashtu dhe gjysma tjetër e familjes jashtë burgut (nëna dhe vëllai i vogël) qëndruam me kokën lartë, me dinjitet dhe pa ia shtrirë dorën njeriu.

Thaçi shpif paturpësisht kur deklaron në publik që ka ndihmuar në bartjen e mobileve që u flakën jashtë në rrugë nga policia me rastin e nxjerrjes me dhunë nga banesa e nënës dhe vëllait tonë në shenjë hakmarrjeje pas arrestimit tonë.

Së dyti, gjatë hetimeve, gjykimit dhe qëndrimit tonë në burg dhe më vonë, ka pasur njerëz që na janë larguar, por daja jonë, Dr. Jusufi , Atilla dhe pjesëtarë të tjerë të familjes së tyre nuk ka qenë në mes tyre. Përkundrazi, na kanë qëndruar pranë dhe na kanë përkrahur me të gjitha mjetet (gjë që Thaçi do të duhej ta dinte, meqë pretendon se na ka qëndruar pranë). Daja im kurrë, as në momentet e fundit të jetës së tij, nuk u lëkund nga qëndrimet e tij mbi mungesën e perspektivës së shqiptarëve në këtë shtet, të udhëhequr nga matrapaz dhe sahanlëpirës por i qëndroi besnik idesë së bashkimit kombëtar si zgjidhje e vetme e drejtë për shqiptarët. Një mendim ky me të cilin vazhdoj të jem dakord.
Ka pasur njerëz që na kanë qëndruar pranë (jo me miell), por që kurrë nuk mburren dhe nuk përpiqen të përfitojnë.

Në vend të shpifjeve, meqë vetë na përmendi, Thaçi bën mirë të sqarojë tetovarët dhe elektoratin e vet se pse gjatë kohës kur ishte në pushtet nuk ndërmori asgjë që të na kthehej ajo banesë që na u mor ne padrejtësisht dhe iu dha një familjeje maqedonase. Po këtë sqarim duhet të japi edhe kundërshtari i tij, Ali Ahmeti! Natyrisht, si njëri ashtu edhe tjetri kanë qenë të zënë duke bërë pazaret dhe bizneset me ata nga të cilët duhet ta kërkonin këtë. Ai duhet te jap shpjegime se pse unë dhe vëllai im, pasi bëmë nga 4, respektivisht 5 vite burg dhe ishim ndër themeluesit e PDSH-së, u detyruam të largohemi nga vendi i lindjes për të nxjerrë kafshatën e gojës, në ndërkohë që ai dhe shërbëtorët e tij si Ernad Fejzullahu me shokë i radhisnin milionat e eurove duke keqpërdorur këtë parti.

Liderët shqiptare të vetëshpallur në IRJM një ditë do të duhet të përgjigjen për krimet kundër këtij populli sepse shkelën mbi të ardhmen e mijëra të rinjve shqiptarë, në mënyrë që të bënin milionat e tyre në pushtet, duke ju shërbyer me zell padronëve maqedonas në Shkup në shndërrimin e qyteteve shqiptare në provinca pa vlerë, pa të ardhme ekonomike, pa arsim të mirëfilltë dhe pa jetë kulturore..!

Nëse ndonjëherë para shumë kohësh kam qenë mik dhe kam bashkëvepruar me individë në fjalë, kjo ka ndodhur sepse në atë kohë kam pasur mendimin se ndajmë ideale të njëjta dhe kemi vizion si të plotësohen ato. Gjithçka ka përfunduar shumë shpejt, meqenëse idealet e tyre u shndërruan në kompani fitimprurëse. Për mua qëndrojnë! Këtu rrugët tona ndahen përgjithmonë!

Në fund, ua lë juve, miqve dhe bashkëqytetarëve të mi që të gjykoni nëse është e mundur që Thaçi si lider “i vuajtjeve dhe dajakut të qeverisë të sllavëve” t’i bëjë ato miliona Euro duke qenë në pushtet me po ata “sllavë të dajakut”. Në ndërkohë, unë do të vazhdojë të nxjerri bukën e gojës pa ja shtrirë dorën as njërës parti e as tjetrës, duke pritur që të iki koha e maskarenjve dhe antivlerës dhe të gjej bashkëmendimtarë që do të kenë moralin dhe guximin për të ndryshuar njëherë e mire fatin e shqiptarëve në Maqedoni. (Afrim Ibrahimi)

Dorëzimi i Qeverisë para Serbisë + Lista e importuesve nga Serbia

Që nga 16 shtatori, Qeveria e Kosovës e lut Qeverinë e Serbisë që të kthehet në tavolinën e bisedimeve, e lut Qeverinë serbe që të fillojë me implementimin e marrëveshjeve, ankohet tek bashkësia ndërkombëtare për atë se çka po i bën Serbia, jep analiza të situatës në veri nga Prishtina, si dhe jep rekomandime për KFOR-in se si duhet vepruar në veri. Sikur të mos ishte Qeveri e një shteti sovran.Lista e importuesve nga Serbia


Importuesi Sasia Shuma (baza doganore)


1. ELKOS SH.P.K. 3,423,992.70 4,350,644.73
2. N.P.T. POTERA - BB 874,871.80 1,584,532.37
3. P.T.P. PROGRES 3,002,800.00 1,267,600.00
4. N.T.P. MALSIA COMMERCE 15,278,736.00 1,049,471.56
5. COCA - COLA H.B.C.-KOSOVO L.L.C 2,287,036.09 1,006,333.90
6. M & SILLOSI SH.P.K. 3,587,770.00 766,247.08
7. N.T.P.SH. BAST – TRADE 755,168.64 692,377.03
8. N.T.SH.P. MIGROS COMMERCE 530,011.10 608,259.58
9. BUÇAJ SH.P.K 710,011.85 606,272.92
10. AROMA SH.P.K 1,823,470.00 523,231.00
11. D.P.T. EURO COOP 1,595,640.00 515,824.00
12. AGROUNION SH.P.K 1,025,245.70 386,188.23
13. TERMO X SH.P.K. 116,037.00 386,002.61
14. ENG OFFICE SH.P.K. 78,120.00 373,033.38
15. NPTSH G.NITI-TIKI COMPANY SH.A. 393,165.32 368,244.74
16. N.P.T. LLAP-COM 4,248,827.00 365,473.81
17. AS COMPANY SH.P.K. 5,844,042.00 361,222.89
18. EXCLUSIV SH.P.K. 90,564.50 349,898.80
19. N.T.P. ELITA 1,285,690.00 348,899.99
20. N.P.T. BLETA 998,000.00 348,040.00
21. NTP DULA 2,427,591.00 346,715.73
22. NPT VETONI 1,682,710.00 338,000.94
23. MERIDIAN CORPORATION SH.P.K. 599,594.40 321,725.05
24. N.SH.T. PAGARUSHA - N 663,180.00 318,837.29
25. GËZIMI SH.P.K. 4,753,559.00 318,746.29

Në ndërkohë, Qeveria ka vazhduar afatin e vlefshmërisë së tabelave të komunave ilegale të Serbisë në Kosovë, ka filluar prapë lëshimin e 10 mijë tabelave KS për t’u kthyer edhe njëherë në Rezolutën 1244, dhe më me rëndësi – vazhdon lejimin e mallrave serbe të hyjnë në Kosovë pandërprerë, përderisa asnjëra nga këto nuk vlen për palën serbe. Për tabela as që flitet, dokumentet tona të udhëtimit nuk pranohen, ndërsa mallrat tona nuk mund të hyjnë në Serbi pa dokumentacionin e komunave ilegale të Serbisë. Serbia po sillet si një palë e hidhëruar nga Kosova, ndërsa Qeveria e Republikës së Kosovës si një mik i cili dëshiron me çdo kusht ta pajtojë mikun e hidhëruar duke ia dhënë të gjitha beneficionet Serbisë vetëm e vetëm për t’u ulur në tavolinë.
Kjo nuk mund të kuptohet ndryshe pos një dëshirë e Qeverisë dhe posaçërisht Kryeministrit Thaçi që përmes kësaj miqësie, në dëm dhe kurriz të qytetarëve të Kosovës të blejë një derë për vete. E vetmja mënyrë që Kryeministri Thaçi të lejohet në Bruksel dhe në shtetet e mëdha evropiane është përmes bisedimeve dhe koncesioneve. Drekat e tyre në Bruksel po na kushtojnë shumë shtrenjtë neve, qytetarëve të Kosovës.
Humbjet ekonomike nga tregtia e njëanshme po shumëfishohen. Hendeku në mes të importeve dhe eksporteve nga Serbia është dhjetëfishuar derisa tregu kosovar është vërshuar nga mallrat serbe, për të cilat disa importues kosovar mezi se kanë pritur që të hapet kufiri.

Prejse Qeveria e Kosovës vendosi ta heq masën e reciprocitetit ndaj produkteve të Serbisë, tregu i Kosovës iu kthye prodhuesve të këtij vendi. Kjo falë politikës së vendit, por edhe falë tregtarëve të Kosovës.
Në konferencën për shtyp të mbajtur të hënën, 7 nëntor, Lëvizja VETËVENDOSJE! i publikoi 25 kompani të cilat kanë importuar vlerat më të mëdha nga Serbia në periudhën kur aktiviteti rrënues i Serbisë ndaj mundësisë së sovranitetit dhe integritetit brenda territorit të Kosovës ka pasur intensitetin më të lartë.
Lëvizja VETËVENDOSJE! do ta parashtrojë kërkesën për interpelancë ku do të thirret Ministrja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, për ta diskutuar raportin tregtar të Kosovës dhe Serbisë. Në këtë interpelancë do të kërkohet të votohet mocioni i cili thërret për kthimin e masës së bllokadës së importit nga Serbia. Kjo ka rëndësi të madhe politike dhe ekonomike. Gjatë kohës së shkurtë të bllokimit të mallrave nga Serbia u dëshmua që importi në Kosovë është një ndihmë e madhe për ekonominë e Serbisë. Pra që ndalimi i importit e dëmton Serbinë. Ndërkohë që kjo e ka edhe dimensionin e rëndësishëm ekonomik. Në atë kohë të shkurtër, prodhuesit e vendit filluan të raportojnë për ndikim të drejtpërdrejtë të kësaj mase të bllokimit në rritjen e shitjeve të tyre, dhe rrjedhimisht edhe rritjen e punësimit në fabrikat e tyre. Krej kjo përfundoi me përfundimin e masës së reciprocitetit.

Ali Ahmeti dhe politika e Nastradinit

ali-ahmetiPara disa ditësh, në Shkup u mbajt Kongresi i dytë i partisë më të madhe shqiptare – BDI, pjesëmarrëse në koalicionin qeveritar me VMRO-në maqedonase. Ajo që i karakterizoi punimet e këtij organi më të lartë partiak, ashtu si gjithë jetën politike shqiptare në Maqedoni, ishte mjerimi, mjerimi politik dhe intelektual. Figurativisht, këtë mjerim më së miri e ilustron sheshi i Tetovës. Ashtu siç la BDI në përfundim të mandatit si pushtet lokal çdo gjë përgjysmë në punimet e rregullimit të sheshit të Tetovës – pjesë e mirë e pashtruar me pllaka dhe grumbuj të rërës mbi të cilin shkelin qytetarët për të kaluar nëpër qendër, ashtu u lanë përgjysmë të gjitha çështjet e pazgjidhura të shqiptarëve në këtë shtet.Një ditë Nastradini u thirr që të ndajë drejtësi në mes të dy palëve në konflikt. Nastradini, pasi dëgjoi njërën palë, para të gjithë të pranishmëve u dha të drejtë atyre. Pastaj dëgjoi edhe palën tjetër, dhe pasi i dëgjoi deri në fund, u dha të drejtë edhe atyre. Njëri nga të gjithë të pranishmit i habitur, i tha Nastradinit: – “nuk mund të ndani drejtësi në këtë mënyrë duke dhënë drejtë të dy palëve në mosmarrëveshje! Mund të ketë të drejtë njëra ose pala tjetër, por jo të dyja palët njëkohësisht!”. Nastradini pasi e dëgjoi edhe kritikuesin, qetë qetë u përgjigj: -Edhe ti ke të drejtë!
Mu në këtë mënyrë, duke tentuar që të kënaqi të gjithë, funksionon edhe Ali Ahmeti. Por për dallim nga Nastradini, të cilin populli, përveç me dobësitë njerëzore e vesh edhe me petkun e mençurisë dhe zgjuarsisë, ata që kanë patur rastin të bisedojnë ose ta ndjekin në Media që në fillimin e karrierës së tij politike, i ka befasuar shqiptarët me nivelin e ulët intelektual që ka. Ai, stilin e Nastradinit e përdor me naivitetin më të madh, vetëm për të zgjatur sa më shumë që të jetë e mundur statusin e tij prej heroi dhe lideri të partisë, gjë të cilën realisht nuk e meriton, por njëkohësisht edhe barë tepër e rëndë për të. Kjo gjë, u përgjigjet edhe “komandantëve” për rreth tij që valëvisin flamurin me portretin e tij të krekosur si lider, por ama me një qëllim tjetër – për të mbushur xhepat. Rizgjedhja e tij në krye të partisë pa asnjë kundërkandidat, përveçse zbulon qëllimet e vërteta të këtyre “komandantëve”, tregon edhe mjerimin intelektual dhe politik të të gjitha strukturave të partisë, duke filluar nga delegatët e Kongresit të cilët haruan se nuk janë përfaqësues të donjë fisi gjysëm të egër afrikan, por të një populli në zemër të Europës dhe se roli i tyre përveç duartrokitjes eshte edhe të kritikojnë udhëheqësinë dhe të kërkojnë përgjegjësi prej tyre. Prandaj Ali Ahmeti, pa fijen e turpit, në vend se të përgjigjej para delegatëve të Kongresit për paaftësinë e tij, ai u ankua para tyre se nga 12 pozicionet shtetërore kyçe, shqiptarët s”paskëshin asnjë dhe, përsëri me paturpësi, deklaroi se këtë do ta zgjidhte duke vazhduar të qëndrojë në koalicionin qeverisës!?
Ali Ahmeti, në stilin e Nastradinit, i dha të drejtë nënkryetares së partisë, Teuta Arifit që të promovonte teza të rrezikshme, antikombëtare të krijimit të identitet të ri të shqiptarëve të Maqedonisë, pa e kundërshtuar fare si tezë. Dhe për më tepët atë bashkë me përgjegjësin për katandisjen e qytetit të Tetovës në këtë gjendje dhe humbësin e zgjedhjeve lokale në Tetovë, për ti kënaqur, i shpërbleu me rizgjedhje në kryesinë e partisë.
Ai, për ti kënaqur, lejoi disa “komandantë” që të shkatërrojnë Qendrën Rekreative për Skijim “Kodra e Diellit”, duke përvetësuar të gjitha të ardhurat nga skiliftet, hotelet e të tjera gjatë gjithë kohës derisa maqedonasit e morën përsëri drejtimin e kompleksit duke na nxjerrë neve, shqiptarëve si njerëz të egër, të paaftë për të drejtuar pa vjedhur.
Ali Ahmeti, për të kënaqur disa “komandantë” i lejoi ata që të kontrollonin institucionet kyçe të Tetovës si Universitetin e Tetovës, Qendrën Spitalore te Tetoves duke bëre keqpërdorime të ndryshme në këto institucione.
Ai i dha të drejtë Gruevskit që të ekzekutojë pa gjyq djem të rinj shqiptarë në Brodec, dhe të nesërmen para Mediave, pa fije turpi, me naivitetin që e karakterizon, aprovoi masakrën, dhe për ironi, nga mercenarët e armatosur deri në dhëmbë kërkoi që të mos e frikësojnë popullatën!?
Ai i dha të drejtë Gruevskit, që të tallet me shqiptarët lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe. Gruevski ja arriti që të mashtrojë Ali Ahmetin duke aplikuar sistemin që bën qytetarin shqiptar budalla në pikë të ditës, sepse në vend që administrata të jetë dygjuhësore, pra të kuptojë, të pranojë dhe të punojë me dokumente në të dy gjuhët, bëhen qytetarët shqiptarë dygjuhësorë, pra shkruajnë kërkesat dhe shkresat zyrtare të ndryshme, detyrimisht në maqedonisht (sepse, kuptohet administrata nuk kupton shqip), dhe për t’ia bërë qejfin vetes, edhe shqip. Dhe në fund administrata lëshon dokumentin e kërkuar në maqedonisht, gjuhë në të cilën regjistrohet në databazë dhe në të cilën e lexojnë sistemet kompjuterike gjatë kontrolleve, dhe për tua bërë qefin shqipatarëve, edhe me një shqipe të kufizuar nga shkronjat e alfabetit që ka gjuha maqedone por që nuk regjistrohet në çipin e dokumentit. Kështu që Lulëkuqe Ymeri në dokumentet e identifikimit të një shqiptareje me këtë emër bëhet Ljuljkukje Umeri dhe kështu del gjatë cdo kontrolli në vendkalimet kufitare.
Ali Ahmeti, në vend që të insistonte për shpalljen e rezultateve reale të regjistrimit të popullsisë shqiptare, i dha të drejtë vetes që të bënte pazarllëqe me Cërvenkovskin për numrin e banorëve shqiptarë, dhe pastaj me Cërvenkonskin dhe Gruevskin të bënte përsëri pazarllëve të tjera për atë se kush do të udhëhiqte me komunat me popullsi shumicë shqiptare
Ali Ahmeti konsideroi si të nevojshme që të kënaqë edhe mbeturiant e PPD-se vazale të vjetër të pushtetit. Kështu që pas lutjeve të BDI dhe nazeve të shumta të tij, Abdurahman Aliti ish kryetar i PPD i cili shiti postin e kryetarit pasardhësit të tij, u caktua ambassador i Maqedonisë në Bullgari. Pas emërimit të tij si ambasador, ai habiti gjithe opinionin bullgar me deklaratën se ” do të luftojë për të drejtat e maqodonasve në Bullgari”, aq sa që ministrja e jashtme e Bullgarisë dklaroi: – neve na habiti kjo deklarate luftarake e z. Aliti sepse nuk shohim të nevojshme që dikush të luftojë në Bullgari për këtë çështje aq më tepër duke marrë parasysh maredheniet e mira me Maqedoninë”. Meqe këto vegla të ndëgjueshme të pushtetit i konsideronte pushtetar me përvojë, Ali Ahmeti caktoi edhe ish funksionarë të tjerë të PPD-së ne pozita si psh. Avokati i popullit, ambasadorë, këshilltarë etj.
Por mbi të gjitha, të drejtën absolute, Aliu ua dha ambasadorëve të shteteve perëndimore në Maqedoni. Duke mos dashur të vë në dyshim kontributin dhe miqësinë e këtyre vendeve, Ali Ahmeti abuzoi dhe akoma abuzon me këshillat miqësore të tyre sepse i shndërron dhe i paraqet para shqiptarëve si urdhra të prera të cilat nuk mund ti kundërshtosh. E këtu, Ali Ahmeti vërtet tregon zgjuarsi, sepse duke bërë kështu ai mbulon paaftësinë e tij, nënshtimin ndaj partnerit maqedonas e paraqet se të këshilluar nga këta ambasadorë, dhe gjithë këtë para qytetarëve shqiptar e paraqet si politikë të lartë me shum mistere ku qytetari shqiptar nuk ka akces dhe informacion.
Për të mos qenë të padrejtë me Ali Ahmetin, dhe duke u nisur nga fakti se Ali Ahmeti nuk është i pari “lider” shqiptar që me dashje ose padashje dështon në mbrojtjen e interesave të shqiptarëve gjatë bashkëqeverisjeve me partitë maqedonase në Shkup, duhet pyetur vehten, athua ne shqiptarët ne Maqedoni kemi kapacitete intelektuale që të zgjidhim çështjen tonë njëherë e përgjithmonë? A thua mund ti zhillojmë këto kapacitete me institucionet e Shkupit të cilat janë ndërtuar për maqedonasit, punojnë për arsimimin, kulturën dhe të ardhmen e tyre dhe komandohen nga ata, ose për të qenë më të saktë me katedrën e albananologjisë në Shkup, ku siç thot Kim Mehmeti “kandidati shqiptar, përpara ligjëruesve gjithashtu shqiptarë, temën e doktoraturës për ndonjë krijues shqiptar, e mbron në gjuhën maqedonase!?” Nëse në një situatë hipotetike disa, qyteteteve të veriut apo jugut të Shqipërisë do tu jepej autonomi, por do tu mohoeshin institucionet e Tiranës, do të mund të zhvilloheshin njësoj si qytetet tjera të Shqipërisë? Po gjendja jonë mund të krahasohet me këtë situatë hipotetike? Kjo pupullatë që jeton në këto qytete të Maqedonisë perëndimore, mund të emancipohet, arsimohet, të bëjë jetë kulturore pa institucionet e Tiranës? A thua gjendja e sotme e emancipimt, arsimimit kulturës nuk e tregon qartë këtë?
Sikur ne, shqiptarët e Maqedonisë perëndimore, dhe liderët tanë politikë, do të mendonim me kokë të kthjellur, do ta pranonim, se padyshim që ne jemi një provincë, edhe atë me shumë probleme, emancipimi, arsimimi, kulture etj. Mbetet vetëm të zgjedhim nëse duam të jemi provincë e Tiranës, duke shpresuar por njëkohsisht duke kërkuar me këmbëngulje që institucionet e saj, si të vetme që munden, ta ndihmojnë këtë popullatë të eci drejt qytetërimit evropian, apo do të ngelemi përgjithmonë provincë e përbuzur nga maqedonasit dhe e tallur, keqpërdorur dhe e manipuluar nga shqiptarët vazalë në pushtet, duke u pajtuar me faktin e pamohueshëm që gjërat do të bëhen edhe më keq. /Afrim Ibrahimi/04 Jan 2010

Vizita armiqsore

Lajmi u dha dhe kërkesa tashmë është bërë: njeriu kryesor politik i Serbisë, Boris Tadiqi, do ta vizitojë Kosovën. Ai tha se po vjen në tokën e tij, kurse Qeveria, Pieter Feithi dhe EULEX-i po ia lehtësojnë realizimin e qëllimit. Tadiqi po shkel në vendin tonë të cilit ia lufton pavarësinë, në Kosovë të cilës punon t’ia mohojë vullnetin dhe qenien, në atdheun tonë, të cilit synon t’ia nxijë të ardhmen.Tadiqi mendon për Kosovën ashtu siç menduan të gjithë burrështetasit serb pa dallim gjatë këtyre shekujve të fundit: Kosova është tokë serbe dhe kulturë serbe, kurse shqiptarët ardhacakë uzurpues. Prandaj, mendon ai, toka duhet kthyer, kurse ardhacakët të spastrohen. Është tjetër që Tadiqi nuk po ua bën shqiptarëve atë që ua bëri Milosheviqi: gjithçka reduktohet në pamundësi, por aspak në vullnet. Se çka do t’i bënte Kosovës Tadiqi e kemi shembullin e gjallë në Luginë të Preshevës, ku shqiptarët i janë nënshtruar një terrori, shkelje e diskriminimi edhe më të egër se në kohën e Milosheviqit. Të gjendur nën këtë fushatë mizore antishqiptare, pa mundësi për shkollim e punësim, shumë familje po i lëshojnë tokat e tyre, ose po i shesin ato, duke ardhur për të jetuar në Kosovë.

Qeveria, Pieter Feithi dhe EULEX-i po e lozin vallen e vjetër:
institucionet ndërkombëtare ua dorëzojnë institucioneve të Kosovës kërkesën e Tadiqit për vizitë, bashkë me rekomandimin e tyre jopublik (sigurisht pozitiv), që në fakt, më pas bëhet vullnet i Qeverisë. Hashim Thaçi pastaj del e mburret se ishte Qeveria e cila në mënyrë të pavarur dhe me vullnet të plotë vendosi t’ia lejojë Tadiqit vizitën e tij në Kosovë. Gjithsesi, duke e ditur paraprakisht disponimin armiqësor të kësaj vizite, aq më keq nëse Qeveria ka vendosur e pavarur dhe me vullnetin e saj. Kjo do të thotë që Qeveria e Kosovës me plot vetëdije po i bën keq vendit tonë, dhe bile po na tregon për këtë gjë!

Herave të mëparshme Qeveria ka treguar se po të dojë mund t”ua ndalojë vizitat armiqësore në Kosovë zyrtarëve nga Serbia. Kështu ndodhi me të ashtuquajturin Ministër i Serbisë për Kosovën, Goran Bogdanoviq, të cilit dy herë iu pat ndaluar hyrja në vendin tonë. Kjo tregon se bëhet fjalë për marrëveshje direkte ose indirekte të Qeverisë së Kosovës me atë të Serbisë. Kjo tregon po ashtu pse nuk merren doganat në veri, pse mallrat e Serbisë e kanë vërshuar Kosovën, dhe pse tolerohen strukturat e Serbisë.
Gjithçka është, siç do të thoshte kryeministri ynë lozonjar, në “koordinim të plotë me faktorët ndërkombëtarë” dhe Serbinë, natyrisht.

Gjatë vizitës së tij në Kosovë, Tadiqi ka paralajmëruar se do të ndalet edhe te Manastiri i Deçanit. Ne i bëjmë thirrje Kryetarit të Komunës së Decanit që t’i mobilizojë institucionet komunale dhe popullatën kundër kësaj vizite dhe për pengimin e saj, dhe kësisoj të mos i bashkohet bashkëpunimit të Qeverisë së Kosovës me Boris Tadiqin. Prej Deçanit ai me siguri që, ashtu siç ka ndodhur edhe herave tjera, do ta lëshojë kushtrimin për gjithë serbët kudo që jetojnë ata, për të mos e harruar Kosovën si tokë të shenjtë të Serbisë të dhuruar nga Zoti. Ai nga aty do të thërret për vazhdimin e luftës për Kosovën. Lufta e Serbisë kundër Kosovës ka patos fetar – Tadiqi lutet për Kosovën si tokë serbe dhe për mbrojtjen e saj i referohet Car Lazarit e Kishës Serbe. Ajo është luftë edhe politike – Tadiqi është kundër Kosovës si shtet. Lufta ka natyrë edhe juridike – Serbia po e kundërshton pavarësinë tonë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Serbia e Tadiqit po na lufton ekonomikisht me bojkotim, me shkeljen e CEFTA-s etj. Kurse Hashim Thaçi e pret atë krahëhapur. Siç e pret krahëhapur edhe ndaljen e Tadiqit në fshatin Osojan, aty ku Serbia e ka përqendruar kthimin e serbëve, dhe fshat të cilin Serbia insiston që ta avancojë në status të komunës për ta zgjeruar, kështu, Zubin Potokun kah veriperëndimi.

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kryetari i Komunës së Preshevës, :
http://www.gazetaexpress.com/web/index.php/artikujt/lexo/22470/C4/C13/