Kategoritë: Nga këndi im

Nga këndi im

Proces gjyqësor kundër më të shenjtës që kemi – gjuhës shqipe!

KimTë jesh 30 për qind i numrit të përgjithshëm të banorëve të shtetit, të kesh pas shpine dy ‘mëmëdhe’ – Shqipërinë e Kosovën – e për gjuhën tënde të vendosin gjykatat dhe ligjet, kjo shpjegon dhe shpërfaq edhe mjerimin politikë të një populli.

 

Ndërkohë, a ju kujtohet sa herë deri më tani kryesuesit e BDI-së lëvdoheshin se e kishin zyrtarizuar gjuhën shqipe dhe sa herë deri më tani Tirana e Prishtina zyrtare atyre ua uronin arritjen epokale?!

Pastaj a ju kujtohet sa herë ne thoshim se gjuha shqipe nuk zyrtarizohet çdo katër vite gjatë fushatave parazgjedhore, e as me ligje e përqindje, por vetëm nëse si e tillë shpallet në kushtetutën e vendit dhe vetëm nëse trajtohet si gjuhë e popullit autokton pa të cilin nuk mund të ekzistojë Maqedonia.

Pa marrë parasysh nëse e kujtoni të shkuarën tonë të turpshme, politike apo nëse atë e keni harruar, mbetet e vërteta se ne kurrë nuk e kuptuam se në këtë Ballkan dukemi më pakë seç jemi ngaqë jetojmë të ndarë në pesë shtete dhe se, disa nga këto shtete i frikohen gjuhës sonë ngaqë ajo është ‘atdheu’ i vetme që i bashkon të gjithë shqiptarët.

Më në fund edhe sot si dikur, shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë e të Kosovës, nga Tirana e Prishtina zyrtare shpeshherë trajtohen si ‘mbeturina’ të parëndësishme të shqiptarisë.

Dhe duke i trajtuar si të tillë, ndodhë që kryeministri i Kosovës ta përkrahë qeverinë më proserbe që kurdo qoftë ka pasur Maqedonia – atë të VMRO-DPMNE’së me VLENIn e pavlerë shqiptarë në të, e Tirana zyrtare t’i qëndrojë mbrapa Frontit Europian, i cili front e bëri Maqedoninë pjesë të botës serbe – të ‘Ballkanit të Hapur’, por duke i lënë shqiptarët e këtushëm në një pozitë thuajse qesharake: që edhe duke qenë 30 për qindëshi i numrit të përgjithshëm të banorëve të vendit, edhe duke pasur pas shpine dy mëmëdhe – Shqipërinë dhe Kosovën, të mos dinë si ta shpëtojnë nga proceset e montuara antishqiptare gjyqësore më të shenjtën që kanë – gjuhën e tyre amtare.

Kim Mehmeti

Kolaboracionizmi dhe mercenarizmi politik, si në kohën e Rahman Morinës.

Jo se nuk ishim mësuar me prononcime të tilla si ky i Afrim Gashit, sepse kjo ishte gjuha politike e përfaqësueseve politik të shqiptarëve, që nga themelimi i ketij shteti, më 1945 e deri në ditët tona.

Por promovim kaq të hapur, kaq arrogant dhe kaq të pafyturë të kolaboracionizmit dhe mercenarizmit politik, nuk kishim dëgjuar prej kohës së Rahman Morinës.

Afrim Gashi na thot publikisht, se detyra e tij si përfaqësues i zgjedhur politik i shqiptarëve është të bëjë atë që bëri Artan Grubi, i shpallur sot person i padëshiruar në SHBA nga DASH, për shkak të përfshierjes të tij në korrupsion të konsiderueshëm për të minuar proceset gjyqësore të lidhura me dënimin penal të Sasho Mijalkov, drejtor i drejtorisë për siguri dhe kundëzbulim të ish IJRM.

Pikërisht këtë që deklaron sot Afrim Gashi bëri edhe Artan Grubi – shërbeu Mihajllkovit, ashtu siç shërben sot edhe Afrim Gashi një Mihajllkovi tjetër, për “interesin shtetëror” dhe “rajonal” për të ruajtur “bashkëjetesën” e imponuar, në shtetin ku “maqedonasit” janë pronarë, e shqiptarët mysafir në shpi të tyre.

Dhe në këtë detyrë të tij, nga Afrim Gashi dhe të tjerët si ai, nuk kërkohet asnjë sakrificë, por vetëm të shijojnë luksin e pushtetit dhe paratë që vijnë si shpërblim për dëgjueshmërinë dhe angazhimin e tyre për të ruajtur “bashkëjetesën”!

Pikërisht edhe Artan Grubi, ashtu si Afrim Gashi, justifikonte mercenarizmin e tij dhe të shokëve të tij me interesa rajonale dhe “miqtë amerikan” – të cilët sot pa hezitim e shpallën atë person të padëshiruar në SHBA.

Por askush nuk shkoi aq larg sa Afrim Gashi sot, duke shpallur armiq që punuan në dëm të intresave kombëtare shqiptare, të gjithë ata të burgosur, luftëtarë, dëshmorë, që luftuan kundër diskriminit sistematik shtetëror të shqiptarëve nga ana e Jugosllavisë/Serbisë të maskuar me slloganin, “bashkim-vëllazërim”, të cilën sot Afrim Gashi quan “bashkëjetesë” sepse sipas Afrim Gashit të burgosurit nuk duhejt të ngrinin zërin, luftëtarët e UÇK në Kosovë nuk duhej të luftonin me gjakpirësit serbët, por duhej ta ruanin “bashkëjetesën” me ta. Mijëra të burgosur dhe të vrarë me dekada të tëra nga pushteti antishqiptar në ish IRJM, nuk duhej të ngriheshin kundër diskriminimit sistematik shtetëror, por duhej ta ruanin “bashkëjetesën”…

Afrim Fanda

Jo faleminderit Albin, nuk duam ndihmën tënde për të mbrojtur “Maqedoninë e Veriut” nga ne, “destabilizuesit” e saj.

Arben FetaiPo, barazia e plotë e shqiptarëve me “maqedonasit”, ndryshimet kushtetuese, ndryshimi i karakterit unitar të shteti, e “destabilizojnë” ish IRJM-në, por neve nuk na bëhet hiç vonë Albin, sepse ne më shumë preferojmë lirinë, jetën dinjitoze, barazinë e plotë duke gëzuar të gjitha të drejtat kolektive.

Jo faleminderit Albin, nuk na duhet “ndihma” e mercenarëve të tu, vegla të pushetit antishqiptar të VMRO-së, të cilët me arogancën e denjë për bashkëpunëtorë të Udbës, krenohen para kamerave se kanë arrestuar 17 shqiptarë gjatë festimeve të 28 Nëntorit.

Saranda Imeri

Mercenarë pa vlerë dhe pa dinjitet, të cilët në emër të shqiptarëve kërkojnë falje nga padronët e tyre të VMRO-së për luftën e UÇK-së, për nxënësit e shkollave që festojnë 28 nëntorin të veshur me uniforma të UÇK-së, dhe premtojnë se nuk do të krenohen më as me falmurin e as me luftën e UÇK-së, as me dëshmorët e UÇK-së.

Jo faleminderit Albin, merri me vete këta që na i solle, dhe provo të marrësh vota në Kosovë duke kërkuar falje nga Vuçiçi për luftën e UÇK-së në Kosovë.
Afrim Fanda

Para dhe pas çlirimit (prej lirisë)!

Banda frymore e qytetit të TetovësBanda frymore e qytetit të Tetovës 1942  

Vetëm, brenda 3-4 viteve të administratës shqiptare, shqiptarët nën ish-Jugosllavi përjetuan rilindjen kombëtare në çdo fushë të jetës së tyre, e veçanërisht në arsim dhe kulturë, frytet e së cilës sot e kësaj dite i gëzojmë, edhe atë falë administratës të shtetit shqiptar dhe arsimtarëve të dërguar nga Ernest Koliqi si dhe më vonë edhe nga vetë gjenerata e arsimtarëve që ishin produkt shqiptar, të cilët  pas periudhës së çlirimit (prej lirisë) prej 1945- e deri më sot 2024, me moton avash-avash, nga pushteti sllav  u izoluan, u paralizuan dhe u shpërngulën !

Fatkeqësisht shqiptarët nën Maqedoni, ende nuk janë në gjendje të krijojnë institucione të mirëfillta, sepse nuk ka interes dhe mbështetje nga shtetit unitar i Maqedonisë.

Ju kujtohet se si funksionojnë firmat piramidale?…

Bujar OsmaniSa më lart je në piramidë, aq më pak dëmtohesh kur gjërat për të tjerët nuk ecin si duhet.

Nëse nuk të ecë karriera si politikan, i kthehesh mjekësisë. Kur je në majë të piramidës, herë je ministri më i mirë i jashtëm që ka parë njerëzimi, e herë je mjeku më i mirë që trajnohet për “kirurgji robotike për trajtimin e kancerit”.

Natyrisht, kur je në majën e firmës piramidës, nuk të mungojnë, as mjetet, as lidhjet për trajnim dhe punësim në institucionet në duart e partive piramidale konkurrente!

Sepse një fjalë e urtë popullore thotë: “Qeni qenin nuk e ha!”

Pse e them këtë? Sepse është koha që të këputet koka e sëmurë e piramidës, për të shpëtuar bazën e shëndoshë të piramidës!

Nëse ka një të tillë!

Afrim Fanda

Dy fitoret e rëndësishme të Mickovskit në mbledhjen e përbashkët të qeverive të Kosovës dhe ish IRJM

Micko aramijaPas miratimit që mori nga Albin Kurti në mbledhjen e përbashkët të qeverive të Kosovës dhe ish-IRJM, se gjuha shqipe nuk është zyrtare në ish IRJM e si pasojë nuk ka si të rrezikohet më shumë se kaq, dhe se pritet një vendim “i drejtë” nga Gjykata Kushtetuese e ish IRJM, Mickovski korri edhe një fitore tjetër e cila mbeti nën hijen e debatit për ligjin për gjuhët.

 

Në kulmin e ngazëllimit të Albin Kurtit për fqinjësinë dhe bashkëpunimin e mirë me ish IRJM, Mickovski në mes të Prishtinës, për krah Albin Kurtit dhe para gjithë shqiptarëve ju kërcënua gjithë atyre shqiptarëve të Kosovës të cilët gjatë luftës së 2001”guxuan” të ndihmonin dhe luftonin krah për krah me vëllezërit e tyre në ish IRJM. Ju tha shkurt dhe qartë: “po erdhët në shtetin tim, do t’ju arrestoj”. Mu në mes të Prishtinës, me miratimin e Albin Kurtit, Mickovski duke ndjekur strategjinë e vjetër serbe, ndau shqiptarët e Kosovës në “dobri i loshi shiptari” (shqiptarë të mirë dhe të këqij). Dhe natyrisht, pasi kërcënoi “shqiptarët e këqij”, u tregua falënderues dhe mikpritës ndaj atyre “shqiptarëve të mirë” që janë në një mendim me te se ish IRJM bashkë me shqiptarët brenda saj janë pronë e tij dhe çështje e tij, duke i ftuar të vijnë në “shtetin e tij” për të shëtitur në qendrat tregtare të Shkupit. Dhe për këtë, nuk kishte ku të gjente shembullin më të përshtatshëm dhe më bindës se Albin Kurtin “radikal”, i cili nuk e kundërshtoi Mickovskin në asnjë moment, për asnjë qëndrim të tij.

Njëkohësisht Mickovski, duke marrë edhe miratimin e heshtur të Albin Kurtit, i shpalli edhe njëherë të paligjshëm dhe armiq të shtetit të gjithë shqiptarët në ish IRJM të cilët kanë bërë burgje, kanë luftuar, dhe akoma luftojnë për të ndryshuar kushtetutën dhe ligjet diskriminuese për shqiptarët. E me këtë, me Albinin përkrah, dha mesazh të qartë për gjithë shqiptarët në ish IRJM të pakënaqur me kushtetutën dhe ligjet diskriminuese që e bëjnë Mickovskin pronar të shtetit dhe ata pakicë të ardhur, se tani e tutje do të jenë vetë, pa përkrahje nga “agresorët nga veriu”. Dhe nuk kishte ku të gjente vend më të përshtatshëm se Prishtina, për ta dhanë këtë mesazh!

E si të mos ishte i kënaqur Mickovski!? Nëse shqiptarët në ish IRJM kishin pak shpresa për përkrahje dhe inkurajim nga dy gjysmë shtetet shqiptare për ndryshimin e kushtetutës diskriminuese që i trajton ata pakicë që përbën së paku 30% të popullsisë, ato definitivisht u shuajtën këto ditë në Prishtinë.

Sidoqoftë, Mickovski nuk është aq “zemërgur”. Për “shqiptarët e këqij” të Kosovës që do të arrestohen në ish IRJM, edhe mund të gjeje zgjidhje – me ndihmën e mercenarëve të VLEN, do ti kalojë në arrest shtëpie, për të ikur në ditët në vijim në Kosovë. Por shqiptarët në ish IRJM, duhet t’i thirrin mendjes – të heqin dorë nga gjuha zyrtare dhe të gjitha të drejtat e tjera kolektive që ju takojnë, duke respektuar kushtetutën dhe ligjet diskriminuese dhe duke treguar lojalitet ndaj pushtetit të VMRO-së, më së miri duke u anëtarësuar në V-LEN.

Afrim Fanda

Me duhej vetëm të zëvendësoja fjalën Serbi me Maqedoni e Veriut…

BislimiMe duhej vetëm të zëvendësoja fjalën Serbi me Maqedoni e Veriut, për të zbuluar se sa kuptim do të kishte ky shqetësim i qeverisë Kurti, sikur të ishte adresuar edhe për shqiptarët në ish IRJM. Për të kuptuar dyfytyrësinë e qeverisë së Albin Kurtit në qasjen që ka ndaj çështjes kombëtare të shqiptarëve në ish IRJM!

Sikur qeveria e Kurtit në mënyrë të sinqertë të shqetësohej po aq sa shqetësohet deklarativisht për shkeljen e të drejtave themelore të shqiptarëve që jetojnë në jugun e Serbisë, nuk do të bënte mbledhje të përbashkët me qeverinë e Mickovskit, duke folur gjithë kënaqësi dhe entuziazëm për “fqinjësi, miqësi, partneritet, tregti në rritje…”. Në vend të kësaj do të kërkonte që 30% shqiptarëve në këtë shtet t’u jepej jo vetëm e drejta e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe me ligj, por përmes ndryshimeve të menjëhershme të kushtetutës, të gjithe të drejtat kolektive që u takojnë, si grupi i dyte më i madh etnik në shtet. Në vend se Albini të mjaftohej me sqarimin e zellshëm se gjuha shqipe nuk ka qenë kurrë zyrtare në pushtetin që e pezulloi atë me dhunë dhe gjak më 1945, bashkë me të gjitha të drejtat e tjera kolektive të shqiptarëve, dhe me besim të plotë të priste nga Gjykata Kushtetuese e ish IRJM “vendim të drejtë për Ligjin për gjuhët “ku s’ka diskriminim dhe as përjashtime për shqiptarët”, ai do të kërkonte që shqiptarët si grupi i dytë më i madh në këtë shtet, të jenë plotësisht të barabartë me grupin etnik të “maqedonasve”, përmes ndryshimeve urgjente kushtetuese e jo me ligje tallëse për shqitparët në ish IRJM.

Sa kuptim do të kishin këto fjalë në foto për situatën e shqiptarëve në ish IRJM, sikur qeveria Kurti të kishte një qasje të sinqertë, vëllazërore për çështjen kombëtare të shqiptarëve në ish IRJM!

Afrim Fanda

“Ju akuzoj, se bashkë me programet tuaja jeni përgjegjësit kryesorë të kalbëzimit kulturor të vendit tonë!”

tv

Unë e kam për ju,

“Politikan”- të koruptuar, “Analistë”, “Klerik”- shpirtshitur tek djalli , TV -të shitura, Pseudopatriotë, Pseudointelektual me grada dhe tituj të blerë, …. dhe gjithë hordhinë tuaj në llogoret e këtij ferri …

 

Marco Galice:

Këto fjalë të mia, nuk do të ndryshojnë asgjë, por shpresoj që të ndaj zemërimin tim, që të mund të përhapet më shumë se një pandemi.

Unë Ju akuzoj.

 

Ju akuzoj, se jeni ndër përgjegjësit kryesorë të kalbëzimit kulturor të vendit tonë, barbarisë shoqërore, korrupsionit dhe gërryerjes të tij morale, shkatërrimit mendor të gjeneratave të reja, varfërimit etik të të rinjve, shtrembërimit të edukimit të fëmijëve tonë.

Ju me televizionet tuaj plehra, me programet e tuaja të pista, shfaqjet tuaja artificiale, pseudo, false, mashtruese, keni kontribuar në dorën e parë dhe të paskrupullt në dekadentizmin e mijëvjeçarit të tretë, i cili kësaj here, për fat të keq, nuk sjell asnjë vlerë, por vetëm atë asgjënë kozmike.

Ju jeni bashkëpunëtorë dhe promovues të vetëdijshëm të këtij procesi pervers mediatik , që përfshin bindjen për një vetë-realizim të bazuar ekskluzivisht në pamjen e jashtme, në shfaqjen e famës, suksesit dhe bukurisë, në kërkimin e vazhdueshëm të duartrokitjeve, në miratimin e publik, ndërtimin e asaj që duan të tjerët dhe jo të asaj që jemi.

Kjo është bota juaj, kjo është ajo që ju keni vjellur nga studiot tuaja televizive për vite me radhë.

Ju keni promovuar vrazhdësinë, injorancën, varfërinë morale dhe kulturore si modele të marrëdhënieve dhe njohjes shoqërore, sepse programet tuaja janë të mbushura, me sharlatanë, injorantë dhe të paedukuar. U keni dhënë famë dhe i keni shndërruar në modele për t’u imituar personazhe që nuk kanë vlera, nuk kanë kulturë, nuk kanë asnjë busull morale.

Ju përfaqësoni poshtërimin e të diplomuarve, përuljen e atyre që studiojnë, të atyre që investojnë kohë dhe burime në kulturë, të atyre që janë të frustruar dhe më në fund braktisin vendin, sepse  vëmendja është per teatrot e programeve tuaja.

Unë flas si mësues, i cili sheh me zemërim si nxënësit e tij imitojnë arrogancën, gënjeshtrën, pamjen e jashtme, provokimin, vrazhdësisë që përhapin personazhet në televizionin tuaj. Flas si ai që sheh të njëjtën dinamikë në një realitet të trishtë që përsëritet në klasat e mia, me nxënës që besojnë se kjo dhe vetëm kjo është mënyra për tu lidhur me bashkëmoshatarët e tyre dhe për tu pranuar prej tyre dhe për t’u vlerësuar prej tyre. Si mësues i cili sheh hutim, frikë, izolim në sytë e atyre fëmijëve që nuk përshtaten, që nuk i dorëzohen më joshjes së kësaj bote të tmerrshme, por që për këtë shpërblehen me veçim dhe tallje.

Unë kam parë në vitet e mia të mësimdhënies së pari me hutim, pastaj me shqetësim, tani me terror qindra nxënës sillen si kopje të personazheve të turpshëm që mbushin programet tuaja, duke u përpjekur të jenë si ata. Dhe unë jam i neveritur nga vetëkënaqësia që ju kullon në programet tuaja në prani të personazheve të caktuara.

Unë ju akuzoj, sepse ju jeni personalisht përgjegjës për të gjitha këto.

Shpresoj në fundin tuaj profesional dhe në zhdukjen tuaj mediatike, sepse këto janë ndëshkimet e duhura për dëmet e pariparueshme që i keni shkaktuar vendit.

Marco Galice

Ashtu është, tanimë të gjithë e dimë se sa i afërt është Arben Taravari me VMRO.

TaravariAshtu është, tanimë të gjithë e dimë se sa i afërt është Arben Taravari me VMRO. Aq sa kjo afërsi me VMRO, Taravarin e bëri me shtëpi dhuratë nga VMRO në Shkup, në zonën elitare Taftalixhe. Dhe këtë nuk e thonë armiqtë e tij, por edhe miqtë e tij të sotshëm.

Ajo që nuk e kemi ditur është se sa të afërt janë LVV dhe Albin Kurti me VMRO dhe Mickovskin, vëllaun e Vuçiçit!

Për dallim nga Albin Kurti, shqiptarët në ish IRJM nuk presin nga Gjykata Kushtetuese “vendim të drejtë për Ligjin për gjuhët, ku s’ka diskriminim dhe as përjashtime për shqiptarët”. Sepse vetë kushtetuta diskriminon dhe përjashton shqiptarët nga të gjitha të drejtat kolektive, duke i përjashtuar fillimisht si pronarë të shtetit.

Për Albinin situata është e qartë dhe e thjeshtë: gjuha shqipe nuk ka qenë gjuhë zyrtare, ndaj tani nuk po rrezikohet. Ndaj Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë mosmarrëveshje, dhe si pasojë, nuk ka asnje pengesë që marrëdhëniet të jenë “të shkëlqyera”.

Përjashtuar Arben Taravarin me drejtorët e tij të punësuar në qeverinë e Mickovskit, shqiptarët nuk bëhen dot të afërt me VMRO, sepse vet lideri i saj Mickovski, ata bashkë me shqiptarët e Kosovës i quan “agresorë nga perëndimi dhe veriu”, ndaj anëtarësia e VMRO mendojnë se shqiptarët është më mirë të jenë të vdekur, ndaj dhe tradicionalisht, në të gjitha tubime e tyre kërkojnë komora gazi për ta.

Shqiptarët nuk bëhen dot si Albini, të afërt me VMRO, e besa, nga dita në ditë po largohen gjithnjë e më shumë edhe nga ai dhe LVV, pasi u bindën se Albin Kurti i shiti për interesa të tij karrieriste. Dhe që të jetë akoma më keq dhe më e dhimbshme, ai i shiti, në emër të Kosovës, për lirinë e së cilës luftuan dhe dhanë jetën shumë shqiptarë të ish IJRM!

E si ti besojnë më shqiptarët në ish IRJM Albin Kurtit, kur pikërisht ai që shprehej me aq ngulm kundër ndarjes dhe shkëmbimit të territorit të Kosovë, me aq lehtësi shiti territorin ku banojnë shqiptarët në ish IRJM, me madhësi sa Kosova!?

Për fat të keq, tani më, Albin Kurtin, me veprimet e fundit, nuk e dallon me asgjë nga Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Isa Mustafa, Ali Ahmeti…

Afrim Fanda

Përse u shërben shqiptarëve politika?

Sapo kishte filluar të ngjitej në hierarkinë e BDI-së, e cila po akomodohej në pushtetin që i ndau partneri i koalicionit të parë bashkëqeverisës pas themelimit saj. Erdhi dhe u ul në tavolinë serioz, me pamjen e një njeriu që ishte menduar gjithë natën për të gjetur përgjigjen e një sekreti të madh jetësor, dhe më në fund e kishte gjetur: “Kemi patur një bindje të gabuar, naive për politikën Afrim” tha, duke vazhduar më tej, ”politika nuk është për të jetësuar ideale dhe për të arritur synime politike siç kemi menduar ne, por thjesht për të bërë para…kështu është në gjithë botën”.

E tha me një qëndrim pompoz, por njëkohësisht edhe i lehtësuar sepse më në fund kishte gjetur arsyetimin për të qetësuar ndërgjegjen dhe për të përligjur atë që po bënte. I ndodhur para dilemës morale migjeniane: “Derr I kënaqur me atë trupin e majmun e të shndoshë e me andje zhigatuni, dhe në fund ai bisht i përclluem në flakën e bukurisë hyjnore” apo “Sokrat i vuejtun, me dy sytë të tretun në rrashtë, disa shkarravina të palexueshme dhe një trup me do gjymtyrë të zhgatrrueme e pa asnjë vijë harmonike”, natyrisht, e kishte zgjedhur atë të parën. Nuk është se ishte i pasigurtë apo i pakënaqur me “mençurinë” dhe “shkathtësinë” e tij për zgjedhjen që kishte bërë, por i mungonte edhe fytyra maskë e “Sokratit të vuejtun” për ta vendosur para neve të tjerëve që “nuk e kuptonim” se përse shërbente politika.

Më tregoi për “zbulimin” e tij, i pavetëdishëm se në fakt sapo kishte përshkruar mendësinë e shqiptarit egoist, servil dhe mizor, i gatshëm për të shkelur mbi bashkëkombasit e tij për përfitimet nga të shërbyerit pushtetit në duart e të huajve, duke filluar që nga bjelerët dhe pashallarët shqiptarë që shërbyen sulltanëve të Perandorisë Osmane, duke vazhduar me ata që shërbyen krajlit, Titos, e deri ata që sot shërbejnë Mickovskit histerik antishqiptar. Kishte përshkruar mendësinë e klasës politike të korruptuar, të shitur dhe të blerë – monstra të gatshëm për të shkatërruar të sotmen dhe të nesërmen e miliona shqiptarëve, për milionat dhe miliardat e dollarëve që nuk do ti gëzojnë kurrë. Kishte përshkruar mendësinë e shqiptarit, egoist edhe ndaj fëmijëve të tij, që futet në parti jo për të ndryshuar të nesërmen e fëmijëve të tij, por për t’u futur sot, vet ai në punë.

Në fakt, i pavetëdishëm, ai po përshkruante shoqërinë shqiptare, për të cilën, për fat të keq edhe sot vlen me saktësi përshkrimi i Migjenit, që ai e bëri në prozën e tij të njohur “Sokrat i vuejtun apo një derr i kënaqur”. Po përshkruante të gjithë ata shqiptarë “derra të majmë, të zgjuar dhe të shkathët” që me kompromisin moral që kishin bërë, vërtetë kishin fituar nga politika, kush vilat dhe makinat e luksit e kush një copë bukë për lëmoshë, por të gjithë me të njëjtën nevojë të dëshpëruar për ndërgjegje të pastër dhe respektin e të tjerëve, atë që Migjeni e përshkroi si fytyrën maskë të Sokratit në trupin e derrit të majmë.

Biseda me këtë mikun tim, mu kujtua këto ditë, kur në një moment po mendoja, athua edhe këta politikanë dhe pushtetarë që sot përballen, dhe të tjerët që padyshim do të përballen nesër me drejtësinë, e kanë menduar kështu politikën… se shërben për të bërë “pak para”!?

Afrim Fanda