Kategoritë: Shëndeti

Përgatitjet për pandemitë e ardhshme

VirusShkencëtarët thonë se nuk ka dyshime që bota do të goditet nga një pandemi e re dhe se kjo është thjeshtë çështje kohe. Ndaj ata u bëjnë thirrje vendeve në të gjithë botën që të përgatiten për të parandaluar një infeksion të ri vdekjeprurës.

Sipas tyre urbanizimi dhe zgjerimi i habitatit tonë në afërsi të kafshëve vetëm sa shton mundsinë e përhapjes së ndonjë virusi të ri tek njerëzit.

Në këtë laborator të Londrës mostrat e marra nga persona të ndryshëm testohen për rreziqet më të mëdha që i kanosen njerëzimit.

Vullnetarë të shëndetshëm ekspozohen ndaj patogjenëve në mënyrë që shkencëtarët të mësojnë më shumë rreth sëmundjeve dhe të testojnë vaksinat.

SARS-COV-2, virusi që shkakton COVID-19, është një nga viruset që studiohet këtu.

Shkencëtarët thonë se pandemia është larg fundit, pasi ndërsa vaksinat po arrijnë në disa vende, të tjera vende po përjetojnë rritje të infeksioneve.

Për më tepër, shkencëtarët paralajmërojnë se COVID-19 nuk është pandemia e fundit që bota sheh.

“Në të ardhmen do të ketë pandemi tjera. Është e qartë se gjithçka ka ndryshuar, kjo e fundit ndryshoi mënyrën se si e shohim një pandemi dhe se si duhet të përgatitemi”, thotë Lawrence Young, Profesor i Onkologjisë Molekulare në Shkollën e Mjekësisë në Universitetin Warwick.

Shkencëtarët thonë se COVID-19 i zuri të papërgatitur sepse u bazuan në përvojën e fituar nga sëmundjet SARS dhe MERS, që ishin menaxhuar dhe nuk përbënin kërcënim për shëndetin në gjithë botën.

“Ne të gjithë u zhytëm në një ndjenjë false të sigurisë nisur nga fakti se sëmundjet SARS dhe MERS përhapeshin nga njerëzit që kishin simptoma dhe ajo që ne nuk prisnin ishte shfaqja e një koronavirusi të ri që muind të përhapet nga individë të cilët nuk e dine se janë infektuar. Pra përhapja e virusit nga njerëz pa simptona, diçka e ndryshme që na zuri në befasi dhe të gjithë ishim pak naivë”, thotë AI.

Ndërsa spitalet përballen me shtim të numrit të pacientëve, në botë po hartohen plane për shmangjen e një infeksioni tjetër të kësaj natyre.

“Duhet të shfrytëzojmë aftësinë tonë të grumbullimit dhe vlerësimit në kohë reale të të dhënave për patogjenë . Duhet të bëjmë shumë më shumë të kuptojmë se cilat specie mund të shkaktojnë probleme për ne”, thotë Danny Altmann, Profesor në Kolegjin Imperial të Londrës.

Çdo vit Organizata Botërore e Shëndetësisë harton një listë me patogjenët që kërcënojnë më shumë njerëzimin.

Para vitit 2020 ethet hemorragjike dhe Ebola kryesonin këtë plan.

AstraZeneca: Studiuesit gjermanë zbulojnë shkaktarin e trombozës

AstraZenecaZbulimi i shkakut të mpiksjes së gjakut te disa persona të vaksinuar me AstraZeneca do të thotë që mund të zhvillohet një mjekim i përcaktuar.

Studiuesit në spitalin mësimor Greifswald në Gjermaninë veriore thanë të premten se ata kishin zbuluar shkakun e problemeve të pazakonta të mpiksjes së gjakut të gjetura në disa të vaksinuar me vaksinën e koronavirusit AstraZeneca, njoftoi transmetuesi publik Norddeutscher Rundfunk (NDR).

Studimi tregoi se si vaksina shkaktoi mpiksjen e gjakut në tru në pak pacientë. Zbulimi do të thotë që trajtimi për këtë problem mund të zhvillohet për të parandaluar pasojat.

Suksesi ishte rezultat i bashkëpunimit midis spitalit Greifswald, rregullatorit shtetëror të shëndetit Instituti Paul Ehrlich (PEI), si dhe mjekëve nga Austria – ku një infermiere vdiq nga tromboza në tru pasi u vaksinua me vaksinën AstraZeneca.

Mjekimi kur shfaqet tromboza

Studiuesit theksuan se mjekimi do të ishte i mundur vetëm te pacientët ku shfaqen mpiksjet e gjakut, jo si mjekim parandalues.

Informacioni është shpërndarë te spitalet e të gjithë Evropës.

Gjermania, si dhe disa shtete të tjera anëtare të BE, pezulluan përdorimin e vaksinës AstraZeneca të hënën pas raporteve të mpiksjes së pazakontë të gjakut.

Të enjten Agjencia Evropiane e Medikamenteve (EMA) tha se nuk ka asnjë lidhje të provuar midis vaksinës dhe mpiksjes së gjakut, bazuar në informacionin që ata kishin. Ata gjithashtu deklaruan se përfitimet nga vaksinimi kapërcejnë çdo rrezik të mundshëm.

Gjermania vendosi të rifillojë vaksinimet me vaksinën AstraZeneca të premten. Deri të enjten Gjermania kishte injektuar mbi 10 milionë doza të vaksinave COVID-19, përfshirë vaksinën AstraZeneca.

dw

Çfarë thotë shkenca për rreziqet e vaksinës së AstraZenecas?

Exterior of EMA, European Medicines Agency is seen in AmsterdamEnti rregullator evropian i ilaçeve arriti të enjten në përfundimin se vaksina e AstraZenecas kundër koronavirusit ofron një përfitim shumë më të madh se rreziqet që paraqet, pas analizimit të raporteve për çrregullime të rralla të mpiksjes së gjakut, por tha se kjo agjenci do të shtonte një paralajmërim në broshurën e produktit.

“Një lidhje shkak-pasojë nga kjo vaksinë nuk është provuar, por është e mundur dhe meriton analizë të mëtejshme”, tha Agjencia Evropiane e Barnave (EMA).

OBSH kishte thënë më parë se nuk është vërtetuar ndonjë lidhje mes përdorimit të vaksinës dhe se përfitimet prej saj ishin shumë të mëdha krahasuar me rreziqet.

Të paktën 13 vende të BE-së, përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Italinë kishin pezulluar imunizimet me këtë vaksinë në pritje të raportit të EMA-s.

Ja çfarë dihet deri tani:

ÇFARË KA NDODHUR?

Në mbarë BE-në dhe zonën e bashkëpunimit ekonomik në Evropë janë bërë 45 milionë vaksina të kompanive të ndryshme brenda afro tre muajsh. 5 milionë banorë të BE-së janë imunizuar me vaksinën AstraZeneca.

EMA tha se kishte analizuar shtatë raste me mpiksje gjaku në disa pika të trupit dhe 18 raste me trombozë në persona që kishin bërë vaksinën AstraZeneca, pjesa më e madhe gra.

Në Gjermani u regjistruan tetë raste me trombozë brenda dy javësh pasi kishin bërë vaksinën ndër 1.6 milionë vetë që ishin vaksinuar me këtë variant deri të mërkurën, sipas ministrisë së shëndetësisë. Gjatë një periudhe dy javëshe normalisht priten 1 deri në 1.4 raste me trombozë, shtoi ministria.

Instituti Paul Ehrlich, që mbikqyr vaksinimet në Gjermani, tha se shumica e rasteve u regjistruan në gra të reja deri në moshë të mesme dhe se ka pasur tre vdekje.

ÇFARË KANË THËNË ASTRAZENECA DHE VENDE TË TJERA?

Në Britani, ku janë bërë më shumë e 11 milionë doza të AstraZenecas, strukturat mbikqyrëse thanë të enjten se po hetojnë pesë raste me trombozë ndër të vaksinuarit, por theksuan se përfitimet janë shumë më të mëdha se rreziqet.

Kanadaja tha se ekspertët e saj të shëndetësisë kanë shprehur bindjen se vaksinat që po përdoren në vend, përfshirë atë të AstraZenecas, janë të parrezikshme.

AstraZeneca tha të dielën se një analizë e të dhënave nga më shumë se 17 milionë të vaksinuar në Britani dhe BE me vaksinën e saj nuk nxori prova për shtimin e rrezikut nga mpiksja e gjakut.

ÇFARË KA ANALIZUAR EMA?

Ekspertët e agjencisë rregullatore evropiane, EMA, analizuan nëse përqindjet e rasteve të regjistruara pas vaksinimit ishin më të larta se rastet me trombozë apo mpiksje të tjera gjaku në popullatën e gjerë gjatë një periudhe normale.

Përqindjet në kushte normale nxirren nga statistikat shëndetësore ose të dhënat që kanë kompanitë e sigurimeve. Këto të dhëna kombinohen me një analizë mjekësore të rasteve specifike dhe me studimet mjekësore të fushës.

Shefi për sigurinë e vaksinave pranë EMA-s, Peter Arlett tha të martën se fakti që rastet me trombozë janë mjaft të rralla e bën të nevojshme një analizë specifike të këtyre rasteve individuale, se sa të të dhënave të përgjithshme statistikore, për të kuptuar se çfarë ka ndodhur.

Një zëdhënëse për entin rregullator gjerman të vaksinave, i cili është përfshirë në punën analitike, tha para se të bëhej rishikimi i të dhënave se EMA nuk do të deklarohet se nuk ekziston një lidhje shkak-pasojë mes vaksinës dhe rasteve me mpiksje gjaku.

Por ajo shtoi se EMA do të analizojë mundësinë që ka pasur shtim të rrezikut për këtë problem dhe ta peshojë këtë rrezik me kërcënimin që përbën koronavirusi dhe përfitimet e vaksinimit.

Për shembull, pas imunizimit me vaksinat e Pfizer-it dhe Modernas janë raportuar raste të anafilaksisë (reagim i fortë alergjik), por megjithatë këto vaksina vazhdojnë të rekomandohen për përdorim pasi përfitimet prej tyre janë shumë më të larta krahasuar me efektet anësore, të cilat janë të kurueshme.

ÇFARË TREGUAN PROVAT KLINIKE?

AstraZeneca dhe rregullatorët evropianë kanë thënë se nuk u diktuan shqetësime për mpiksje gjaku gjatë provave me njerëz.

Mbikqyrja për pasoja anësore pas miratimit të vaksinave është shumë e rëndësishme, pasi ekziston rreziku i efekteve të rralla anësore, ose simptomave në një grup të vogël të popullatës, që është thuajse e pamundur të diktohen gjatë provave klinike thanë ekspertët gjermanë.

SI KRAHASOHEN KËTO SHQETËSIME ME RASTE TË TJERA TË PËRDORIMIT TË VAKSINAVE TË REJA?

Në Japoni, është pezulluar që në qershor 2013 vaksinimi kundër patogjenit HPV që shkakton kancer të organeve gjenitale, pas raportimeve në media të rasteve kur disa të vaksinuar kishin patur dhimbje. Ky vendim është kritikuar nga OBSH.

Një studim i botuar në revistën mjekësore Lancet vjet arriti në përfundimin se nëse vazhdon ky pezullim i vaksinimeve do të shkaktojë mijëra vdekje nga kanceri gjatë dekadave.

Në Ukrainë, skepticizmi i spikatur ndaj vaksinave ka rezultuar në përhapjen e fruthit që tani ka marrë përmasat e një epidemie. Kjo rezistencë ndaj vaksinave në Ukrainë ushqehet nga korrupsioni dhe mungesa e besimit tek autoritetet, por edhe nga vendimi i qeverisë në 2018 për të pezulluar përkohësisht vaksinimet, kur një 17-vjeçar vdiq pak pasi kishte bërë vaksinën kundër fruthit dhe rubelës.

voa

Moderna teston vaksinën tek fëmijët

ModernaKompania farmaceutike amerikane Moderna ka filluar testimin e vaksinës së saj me dy doza tek fëmijët, për të përcaktuar nëse vaksinimet duhet të përfshijnë edhe personat e moshës nën 18 vjeç.

Kompania do të vaksinojë rreth 6,750 fëmijë në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada midis moshave nga gjashtë muaj deri në 12 vjeç. Dozat do të jepen me 28 ditë diferencë, që studiuesit të mund të vëzhgojnë efektet anësore të vaksinës dhe të përcaktojnë efektivitetin e saj përfundimtar.

Studimi po kryhet në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive, i cili ndihmoi Modernën për krijimin e vaksinës.

Që nga muaji dhjetor, Moderna po kryen një studim të veçantë mbi sigurinë dhe efektivitetin e vaksinës tek moshat e reja. Në studim përfshihen 3,000 fëmijë mes moshave 12 dhe 18 vjeç.

voa

Pezullohet vaksinimi me AstraZeneca në disa vende; Ekspertët: nuk ka arsye për shqetësim

AstraZenecaNjë panel këshillimor i Organizatës Botërore të Shëndetësisë po analizon aktualisht vaksinën e kompanisë AstraZeneca kundër COVID-19, pasi disa vende evropiane pezulluan imunizimet me këtë vaksinë pasi ka pasur raportime për mpiksje gjaku në disa individë pas vaksinimit. Por një zëdhënëse e OBSH-së theksoi të premten se nuk ka arsye për shqetësim.

Zhgënjim dhe konfuzion përfshin turmën që pret në radhë në Kozenca të Italisë pasi një kolonel njofton se kjo pikë vaksinimi do të ndalte imunizimet. Vendimi, thotë ai, është marrë nga agjencia farmaceutike e vendit, AIFA, e cila ka nxjerrë urdhër për të ndaluar përdorimin e një sasie të vaksinës AstraZeneca.

Italia, Danimarka, Norvegjia dhe Islanda janë disa nga vendet që kanë pezulluar imunizimet me vaksinën AstraZeneca pas njoftimeve për mpiksje gjaku në disa individë pas vaksinimit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë po analizon tani vaksinën, por një zëdhënëse e organizatës tha të premten se nuk ka arsye për shqetësim. Për momentin, thotë zëdhënësja, nuk është vërtetuar ndonjë lidhje shkak-pasojë mes vaksinës dhe problemeve të vërejtura. Për ata që ishin regjistruar të bënin këtë vaksinë dhe që prisnin në radhë në Kozencë, njoftimi ka shkaktuar konfuzion:

“Na vjen keq për ata para nesh. Nëse kjo vaksinë prishet tani e duhet hedhur, nuk di se ç’mund të bëhet. Duhet të kontaktohen ata që bënë vaksinën sa më parë të jetë e mundur,” thotë një italian që priste në radhë për vaksinim.

Në Britani, ku vaksina e kompanisë AstraZeneca u miratua për përdorim në fund të dhjetorit vjet, një anëtar i komisionit për vaksinimet dhe imunizimet shprehet se nuk ka prova që tregojnë se vaksina është shkaktare e problemeve të vërejtura:

“Për momentin nuk duhet të shqetësohet njeri. Kemi bërë 11 milionë doza vaksine të AstraZeneca-s dhe agjencia jonë rregullatore, e cila mbikqyr raportet mbi sigurinë po analizonte nëse këto raste me mpiksje gjaku në grupin e të vaksinuarve dallojnë nga ato të vërejtura në popullatën e gjerë. Nuk ka prova për shkak pasojë mes të vaksinës dhe këtyre simptomave,” thotë Profesor Anthony Harnden.

Eksperti shton se këto simptoma mund të jenë të rastësishme ose mund të jenë shkaktuar nga sëmundja që po përpiqet të luftojë vaksina:

“E dimë se COVID-i shkakton mpiksje gjaku dhe e dimë se kjo sëmundje shkakton probleme vaskulare. Njerëzit duhet të jenë të qetë se në Britani nuk ka sinjale serioze për probleme sigurie,” thotë Prof. Anthony Harnden.

Profesor Harnden shton se do të ketë raste kur individë që sapo janë vaksinuar do të preken nga sëmundje të rënda, por kjo nuk do të thotë se shkaku i sëmundjes ishte vaksina.

Edhe ekspertë të tjerë nënvizojnë se pas dhjetëra miliona dozave të bëra me këtë vaksinë në mbarë botën, deri tani nuk ka pasur njoftime për probleme shëndetësore.

Organizata Botërore e Shëndetësisë vuri në dukje vendimin e disa vendeve evropiane për të pezulluar përdorimin e kësaj vaksine, por shtoi se Agjencia Evropiane për Mjekësinë ka vendosur që përfitimet nga vaksina tejkalojnë rrezikun dhe se deri tani asnjë nga vaksinat kundër COVID-it nuk ka shkaktuar vdekje.

voa

Vaksina Pfizer-BioNTec mund të zvogëlojë ndjeshëm transmetimin e virusit

Pfizer BioNTech COVID-19 vaccineKompania amerikane farmaceutike “Pfizer” dhe partneri i saj gjerman “BioNTech” bënë të ditur të mërkurën se sipas të dhënave në terren që vijnë nga Izraeli, vaksina e tyre kundër COVID-19-s është 94% efektive në parandalimin e infeksioneve asimptomatike, pra mund të zvogëlojë ndjeshëm transmetimin e virusit.

Kompanitë thanë gjithashtu se nga një analizë e fundit e të dhënave që ofrojnë autoritetet izraelite, del se vaksina ishte 97% efektive në parandalimin e rasteve simptomatike të sëmundjes, rasteve të rënda që çojnë në vdekje. Në parim, të dhënat përputhen me efikasitetin prej 95% të raportuar në dhjetor nga Pfizer-BioNTech, sipas të rezultateve të provave klinike të fazës së fundit.

Të dhënat në terren tregojnë gjithashtu se vaksina është efektive edhe ndaj një varianti tejet ngjitës të COVID-19-s të zbuluar për herë të parë në Britani.

Izraeli kryeson në nivel botëror për sa i takon vaksinimit të popullatës, pjesërisht për shkak të një marrëveshjeje për të ndarë të dhëna me Pfizer-BioNTech-un. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë deri të mërkurën, rreth 55% nga 9 milionë banorë që ka vendi kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës së Pfizer/BioNTech-ut, dhe 43% kanë marrë të dyja dozat.

Nga analiza e të dhënave, personat e pavaksinuar kishin 44 herë më shumë gjasa të zhvillonin sëmundje me simptoma dhe 29 herë më shumë të ngjarë të vdisnin nga COVID-19 sesa ata që ishin vaksinuar.

Të dhënat e mbledhura mes 17 janarit dhe 6 marsit, nuk janë shqyrtuar ende nga ekspertë të tjerë të fushës.

Sipas gjetjeve të mëparshme të Ministrisë së Shëndetësisë së Izraelit vaksina e Pfizer/ BioNTech-ut zvogëlon infeksionet, përfshirë rastet asimptomatike, me 89.4% dhe rastet simptomatike me 93.7%. Këto sipas të dhënave të mbledhura mes 17 janarit dhe 6 shkurtit.

voa

SHBA, studentët dhe shkollat ende përballen me pasojat e COVID-it

safe choiseNdërsa komunitetet në mbarë Shtetet e Bashkuara përballeshin me shifrat tronditëse të infektimeve nga koronavirusi marsin e kaluar, qindra universitete dhe kolegje mbyllën kampuset, duke sjellë çrregullime në jetën e profesorëve dhe studentëve.

“Mendoja gjithë kohës se nuk dija se ku do të shkoja. Ishte vërtet stresuese”, thotë Tae Ayodeji, studente nga Nigeria.

Studentët e ciklit të lartë, shumica nën moshën 29 vjeçare, janë ndër më pak të rrezikuarit nga sëmundja e rëndë që shkakton virusi, sipas të dhënave të CDC-së (Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve). Megjithatë, studiuesit në Kolegjin Imperial në Londër konstatuan se të rinjtë janë ndër përhapësit më të mëdhenj në komunitete dhe se përbëjnë rrezik për personat me sistem imunitar të dobësuar.

Në mungesë të një strategjie kombëtare se si duhet të reagojnë shkollat, institucionet arsimore patën përqasje të ndryshme dhe disa prej tyre ndryshuan kurs me kalimin e kohës. Fillimisht, ata i dërguan studentët në shtëpi. Në vazhdim i rikthyen, vetëm për t’i dërguar sërish në shtëpi.

“Ishte vërtet me hope, pasi shkollat po ndryshonin me shpejtësi”, thotë Frederick Lawrence, ish-President i Universitetit Brandeis, në Masaçusets.

Deri nga fundi i semestrit të pranverës, shumica e shkollave kishin përqafuar modelin online ose hibrid të mësimdhënies.

“Shkolla që kishin prezencë shumë të pakët online, po transformoheshin në institucione të arsimimit online. Po transferonin online qindra kurse, ndonjëherë mijëra”, thotë zoti Lawrence.

Por studentët u ankuan se mësimi virtual ofron një eksperiencë arsimore më të dobët, të mbizotëruar nga probleme teknike dhe me mungesë mbështetjeje dhe burimesh.

“Është irrituese pasi më duket sikur paguaj kaq shumë për të mësuar veten në YouTube”, thotë Precious Adetayo-Oguntade, studente e Universitetit të Merilendit.

Regjistrimet për semestrin e pranverës ranë. Shkollat humbën të ardhura.

“Në shumë drejtime u mungon kapaciteti për të mbledhur fonde, për të organizuar aktivitete të mëdha, për të zhvilluar ndjeshje futbolli dhe aktivitetet për mbledhjen e fondeve që i shoqërojnë”, thotë Lynn Pasquerella, Presidente e Shoqatës së Kolegjeve dhe Universiteteve Amerikane.

Në vjeshtë, shumë shkolla rihapën konviktet dhe rifilluan pjesërisht operacionet në kampus, por disa u detyruan të mbyllen sërish me shpejtësi, për shkak të përhapjes së koronavirusit.

Megjithatë, disa nga studentët që u rikthyen thanë se jeta në kampus e justifikonte rrezikun. Për studenten ndërkombëtare Tae Ayodeji, 10 muaj mësimi në distancë nga Nigeria ishin vërtet të lodhshme.

“Ishte shumë e vështirë me ndryshimin e orës. Gjithashtu në Nigeri Wi-Fi nuk është shumë i mirë, kështu që kishte probleme teknologjike gjithë kohës”, thotë ajo.

Në shkollat që vazhduan të qëndrojnë të hapura, masat parandaluese janë bërë mënyrë jetese.

“Këtë mars kam një kosh me maska në dhomë dhe dizinfektant duarsh. Në shkollë duhet të testohemi dy herë në javë dhe duhet të plotësojmë formularë për monitorimin e COVID-it. Pra tani sikur u mësova”, thotë studentja Adetayo-Oguntade.

Me vaksinat e disponueshme dhe me më pak raste me COVID-19 në Shtetet e Bashkuara, ekspertët parashikojnë rikthimin në vjeshtë tek një program disi normal mësimdhënieje. Kjo do të mirëpritet nga studentët që thonë se virusi u ka vjedhur nga eksperienca e tyre në kolegj.

“Ideja që të kesh mundësinë të jetosh në kampus, të kesh lidhje të mira me profesorët dhe një sens komuniteti që është shumë ndryshe nga ç’ofrojnë shkollat në Kolumbi. Tani duket sikur nuk ka ndonjë dallim”, thotë Isabela Linares, studente ndërkombëtare nga Kolumbia.

Ekziston një zhvillim pozitiv për studentët e ardhshëm. Disa kolegje dhe universitete kanë hequr detyrimin për testim, duke eliminuar kështu një ndër pengesat për regjistrimet e vitit të ardhshëm.

voa

Fëmijët italianë kryesojnë listën e mbipeshës në Evropë

mbipeshaProduktet e gatshme dhe mungesa e gjumit shkaktojnë mbipeshë tek fëmijët, sikurse tregon rasti i atyre në Itali.

Kuzhina mesdhetare konsiderohet si jashtëzakonisht e shëndetshme: fruta, perime, peshk dhe vaji ulliri. Këto ushqime mendohet se parandalojnë mbipeshën dhe sëmundje të ndryshme.

Por janë pikërisht fëmijët dhe të rinjtë italianë që kryesojnë listën e mbipeshës të këtyre grupmoshave në Evropë.

“Kuzhina mesdhetare vërtet është shumë e shëndetshme, por problemi është se pak vetë ushqehen edne në atë mënyrë. Makaronat e bëra në shtëpi janë të mira, por lazanja nga ngrirja e frigoriferit nuk i shërben një diete të ekuilibruar. Produktet e gatshme shkaktojnë dëmtime të hershme tek fëmijët, dëme që vazhdojnë edhe në moshë të rritur. Obeziteti përbën edhe një rrezik në rritje për zhvillimin e sëmundjeve kronike ose të problemeve psiqike.” – thotë Roland Kupka, ekspert për ushqimin pranë Unicefit.

Sipas të dhënave të Unicef-it më shumë se 40 përqind e fëmijëve nga dy deri në dhjetë vjeç në Itali janë mbipeshë ose të dhjamur. Por edhe në Greqi, Qipro dhe Spanjë gjendja nuk është më e mirë.

Mungesa e gjumit të shëndosh

Një problem tjetër pak i njohur që ndikon në mbipeshë është mungesa e gjumit. “Ekziston një lidhje e qartë midis kohëzgjatjes së gjumit dhe mbipeshës. Nëse fle pak metabolizmi ndryshon, ndjeshmëria ndaj insulinës zvogëlohet dhe rreziku i diabetit rritet.”

Nëse fëmijët e moshës së shkollës fillore flenë më pak se nëntë orë në natë, ata janë dy herë më të prirur ndaj mbipeshës sesa fëmijët që flenë njëmbëdhjetë orë, kanë zbuluar studiuesit. Dhe sipas studimit “Fëmijët italianë flenë më së paku nga të gjithë, kurse fëmijët suedezë më gjatë”.

dw

OBSH-ja, thirrje autoriteteve t’u kushtojnë vëmendje vuajtësve me pasoja afatgjata të COVID-it

KlugeOrganizata Botërore e Shëndetësisë tha të enjten se një në 10 pacientë me COVID-19 përjetojnë probleme shëndetësore edhe 12 javë pasi kanë patur virusin dhe u bëri thirrje autoriteteve shëndetësore ta shqyrtojnë me seriozitet situatën e tyre.

Në një konferencë virtuale për shtyp të enjten, dega e OBSH-së për Evropën publikoi një raport që dokumenton se si vendet e ndryshme në rajon u janë përgjigjur pacientëve që vuajnë simptoma afatgjata të COVID-19.

Drejtori për Evropën i OBSH-së Hans Kluge tha se i ashtuquajturi “COVID i gjatë” mund të shkaktojë simptoma që përfshijnë lodhje të rëndë, dhimbje gjoksi, inflamacion të zemrës, dhimbje koke, harresë, depresion, humbjen e nuhatjes, ethe të përsëritura, diarre dhe zhurmë në veshë.

Në raport thuhet se të dhënat e disponueshme tregojnë se rreth një në katër persona me COVID-19 shfaqin simptoma rreth një muaj pas testimit pozitiv, ndërsa një në 10 përjetojnë simptoma pas 12 javësh.

Zoti Kluge tha, “vuajtësit e simptomave pas COVID-it duhet të dëgjohen nëse duam të kuptojmë pasojat afatgjata dhe rimëkëmbjen nga COVID-19″. Ai tha se është e rëndësishme për politikëbërësit të marrin në konsideratë pacientë të tillë afatgjatë si pjesë të përgjigjes për të zbutur ndikimin e pandemisë.

Zoti Kluge shtoi se të sëmurët afatgjatë janë një përparësi për OBSH-në dhe duhet të jenë për çdo autoritet shëndetësor.

Ai tha gjithashtu se në Evropë për të dytën javë radhazi, numri i rasteve të reja ka qënë më pak se një milion, gjë që tregon se transmetimi i virusit vazhdon të ngadalësohet. Zoti Kluge tha se rastet e reja kanë rënë gati përgjysëm që nga fillimi i vitit, si rezultat i zbatimit të masave të reja të ndërmarra nga vendet për ngadalësimin e transmetimit.

Por zoti Kluge paralajmëroi se COVID-19 vazhdon të përhapet me ritme shumë të larta në të gjithë Evropën, me dy variante shqetësuese që vazhdojnë të dominojnë mbi variantet e tjera.

voa

Kaliforni, studiuesit zbulojnë një variant më ngjitës të COVID-it

23virus-CAvariant4-jumboSipas dy studimeve të reja paraprake një variant i ri i COVID-19, zbuluar kohët e fundit në Kaliforni, është më ngjitës se variantet e tjera të virusit.

Varianti i ri, i quajtur “B.1.427 / B.1.429”, u zbulua nga studiuesit e Universitetit të Kalifornisë në San Francisko ndërsa po ndiqnin përhapjen e mundshme të variantit “B.1.1.7”, zbuluar për herë të parë në Britani vitin e kaluar.

Ekipi zbuloi se “B.1.427 / B.1.429” është shndërruar në variantin mbizotërues në këtë shtet pas testimit të mostrave të virusit të mbledhura nga i gjithë shteti mes shtatorit të vitit të kaluar dhe muajit janar.

Ekipi i ekspertëve thotë se njerëzit e infektuar me variantin “B.1.427 / B.1.429” prodhuan një ngarkesë virale dy herë më të madhe se ajo e varianteve të tjera, gjë që mund ta bëjë virusin që ata mbartin më ngjitës për të tjerët.

Varianti i ri ka më shumë të ngjarë të shkaktojë një formë të rëndë të sëmundjes “përfshirë një rritje të rrezikut për marrjen e sasive të mëdha të oksigjenit prej personave të prekur”. Varianti i ri është pjesërisht rezistent ndaj antitrupave që mund ta luftojnë dhe neutralizojnë virusin.

Sipas një tjetër studimi të po këtij universiteti, ekspertët zbuluan se varianti është përhapur me shpejtësi në të gjithë lagjen historike të San Franciskos, në Mission District, duke i rritur nga 16 në 53 për qind infeksionet e konfirmuara me COVID-19 të gjurmuara nga nëntor në deri në janar.

Virologu Charles Chiu, që drejtoi studimin e UCSF-së, tha se varianti “B.1.427 / B.1.429” duhet konsideruar si “një variant shqetësues” e që meriton shqyrtime të mëtejshme.

Ndërsa numri i amerikanë që vaksinohen po rritet doktor Anthony Fauci, drejtori i Institutit Kombëtar për Alergjitë dhe Sëmundjeve Infektive, thotë se për ata që janë vaksinuar do të dalin “së shpejti” udhëzimet e reja nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

Disa ndryshime janë publikuar tashmë. Për shembull të vaksinuarit nuk kanë nevojë të futen në karantinë nëse bien në kontakt me një person të infektuar.

Ndërkohë rrjeti kabllor i lajmeve CNBC njoftoi se furnizimi me vaksina pritet të rritet gjë që është konfirmuar nga vetë prodhuesit.

Në një dëshmi të shkruar drejtuar Kongresit, një nga drejtuesit kryesorë të kompanisë “Pfizer”, John Young, shkruante se nga mesi i marsit kompania ka në plan të dyfishojë prodhimin në 13 milionë doza në javë.

Kompania “Moderna” shpreson të ofrojë 40 milionë doza në muaj deri në prill.

Ngarkesa e parë me vaksina e COVAX për Ganën

Gana ka marrë dërgesën e parë të vaksinave që luftojnë COVID-19 përmes programit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë që siguron qasje të barabartë tek vaksinat.

Sipas një deklarate të përbashkët të OBSH-së dhe UNICEF-it, në kryeqytetin e vendit Akra, mbërritën të mërkurën 600,000 doza të vaksinës së zhvilluar nga universiteti i Oksfordit dhe kompania AstraZeneca. Vaksinat janë prodhuar nga Instituti Serum i Indisë, prodhuesi më i madh i vaksinave në botë.

Vaksinat e dërguara në Ganë janë blerë përmes programit COVAX, një iniciativë që udhëhiqet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në bashkëpunim me Koalicionin për Risi e Gatishmëri gjatë Epidemive si dhe Gavi, Aleanca Globale për Vaksinat dhe Imunizimin, një organizatë e themeluar nga filantropët Bill dhe Melinda Gates, që merret me vaksinimin e fëmijëve në vendet më të varfra të botës. Projekti siguron vaksina me ndihmën e vendeve më të pasura dhe i shpërndan ato në mënyrë të barabartë në të gjitha vendet. Javën e kaluar Presidenti amerikan Joe Biden premtoi 4 miliardë dollarë për programin “COVAX”.

Në dhjetor OBSH-ja njoftoi se “COVAX-i” ka arritur një marrëveshje për sigurimin e rreth dy miliardë dozave të disa vaksinave kandidate “premtuese”.

voa