Kategoritë: Shkenca

Fuzioni, energjia e së ardhmes

Energy Fusion ExplainerShkencëtarët në mbarë botën po reagojnë ndaj lajmit se hulumtuesit në Shtetet e Bashkuara për herë të parë kanë prodhuar më shumë energji gjatë procesit të shkrirjes (fuzionit) sesa u përdor për krijimin e saj/tij. Por prodhimi i kësaj energjie, më e madhe se harxhimi i energjisë për krijimin e saj pavarësisht se në shkallë të vogël, shihet si një arritje kolosale në përpjekjet dhjetravjeçare për të kopjuar procesin që ndodh në diell. Sidoqoftë, do të duhen më shumë përpjekje që kjo teknologji të futet në zbatim.

Studiuesit në Laboratorin Kombëtar Lawrence Livermore në Kaliforni janë pionerët e arritjes së fundit të njoftuar nga Departamenti amerikan i Energjisë.

Objektivi është përftimi i energjisë neto, të paarritshme sepse fuzioni (procesi i shkrirjes) ndodh në temperatuara dhe presione kaq të larta saqë është tejet e vështirë të mbahet nën kontroll.

Përftimi i enegjisë, në sasi më të madhe sesa i asaj të harxhuar për krijimin e saj, ofron mundësinë për prodhimin e energjisë së pastër bërthamore pa mbejte radioktive në centralet bërthamore.

“Për herë të parë ata realizuan këtë eksperiment në mënyrë që lënda djegëse për fuzionin të qëndronte në temperaturën dhe densitetin e duhur dhe për një kohë të caktuar të përftonin më shumë energji nga sa ishte krijuar nga rrezet lazër për krijimin e procesit. U përftuan tre megaxhaulë ndërsa u harxhuan dy”, thotë Dr Marvin Adams me agjencinë kombëtare amerikane për sigurinë bërthamore. (Një llambë 60 vatëshe përdor 60 xhaulë për sekondë).

Shkencëtarët krijuan një reaksion që prodhoi 1.5 herë më shumë energji sesa u harxhua për përftimin e saj. Jill Hruby drejton agjencinë kombëtare amerikane për sigurinë bërthamore (NNSA).

“Kemi ndërmarrë hapat e parë eksperimentalë drejt një burimi të pastër energjie që mund të revolucionarizojë botën”, thotë ai.

Shkencëtarët thonë se i presin sfida të mëdha. Duhen ndërtuar dhe testuar materiale që mund t’u rezistojnë temperaturave ekstreme që krijohen gjatë procesit të fuzionit. Ky reaksion përfton më shumë energji sesa procesi i prodhimit të enegjisë në centralet bërthamore, ku realizohet ndarja e atomeve të rënda për të krijuar energji.

Një kompani në Oxfordshire të Anglisë thotë se synon që deri në vitin 2030 të arrijë të prodhojë energji elektrike nga procesi i fuzionit. Kompania shënoi një rekord historik duke arritur temperaturën e barabartë me 100 milionë gradë Celsius në qendër të reaktorit, ose gjashtë herë më të lartë se në diell. Kur kjo makineri është në punë, laboratori Oxford është vendi më i nxehtë në sistemin diellor.

Profesoresha Steffi Diem drejton hulumtimet në “Eksperimentin Pegasus-III” pranë Universitetit Wisconsin-Madison. Ajo thotë se ndërtimi i materialeve që i qëndrojnë temperaturave të lara është vetëm një prej sfidave.

Tjetër sfidë është mbajtja nën kontroll e procesit të fuzionit dhe pastaj transferimi i energjisë së përftuar për përdorim nga konsumatorët.

“Duhet të zhvillojmë materiale që u rezistojnë kushteve ekstreme brenda centraleve të fuzionit. Duhet të provojmë se mund të prodhojmë energji”, thotë profesoresha Steffi Diem.

Në jug të Francës gjendet Reaktori Ndërkombëtar Eksperimental Termonuklear, shkurtimisht ITER. Ky është reaktori me fuzion më i madhi në botë. Synimi është që t’u mundësojë vendeve që të krijojnë dhe instalojnë centralet e tyre të fuzionit duke mësuar përmes shkencëtarëve aty se çfarë funksionon.

Dr. Richard Pitts, kryeshkencëtari i këtij reaktori, thotë se studiuesit amerikanë ende nuk janë afër përftimit të sasisë së energjisë së nevojshme.

“Ata janë shumë larg për të prodhuar energji të shkallës së nevojshme nga pajisjet e tyre. Ata duhet të jenë në shkallën ku është sot reaktori ITER. Kur je në këtë shkallë, jeta bëhet edhe më e komplikuar”.

Ndërsa ndryshimet klimatike janë një problem në rritje për mbarë botën, shkencëtarët shpresojnë se novacionet për prodhimin e energjisë së pastër do të tërheqin investime për të çuar përpara hulumtimet.

voa

A mund të furnizohet bota me energji nga shkrirja e atomeve?

Projekti studimor ndërkombëtar ITER - Reaktor i shkrirjes bërthamoreMe energjinë e krijuar nga shkrirja e atomeve mund të prodhohet energji e padëmshme për mjedisin. Por sasia e energjisë është e pamjaftueshme. Pas dekadash studime në SHBA u arrit tani një sukses i rëndësishëm.

 

Ministria e Jashtme amerikane njoftoi arritjen e një suksesi të madh në teknologjinë e shkrirjes atomike. Shkencëtarët e National Ignition Facility (NIF), impiantit për shkrirjen me rreze lazer të atomeve, në laboratorin kalifornian, Lawrence Livermore National Laboratory kanë arritur të prodhojnë në laborator energji me ndihmën e shkrirjes së atomeve.

“Ky është një sukses i rëndësishëm për studiuesit dhe bashkëpunëtorët e National Ignition Facility, që ia kanë dedikuar karrierën e tyre shkrirjes së atomeve dhe ky sukses do të pasohet me siguri nga zbulime të tjera,” tha ministrja amerikane e Energjetikës Jennifer M. Granholm. “Shprehur thjeshtë, kjo është një nga arritjet shkencore më impresionuese të shekullit të 21-të.”

Dekada me radhë shkencëtarët kanë shpenzuar më shumë energji për reaktorët eksperimentalë të shkrirjes atomike se sa kanë fituar energji të re nga i gjithë procesi në përgjithësi. Këto humbje kanë bërë që jo bashkimi i atomeve por ndarja e atomit të kthehet në proces standard për prodhimin e energjisë së pakufizueshme dhe të padëmshme për mjedisin, megjithëse ky proces është i lidhur me rreziqe për shëndetin dhe sigurinë.

Më 5 dhjetor 2022, shkencëtarët e NIF zhvilluan për herë të parë në histori eksperimentin e kontrolluar me të cilin nga shkrirja e atomeve fitohet më shumë energji se sa harrxhohet për të arritur deri aty. Në këtë mënyrë studiuesit e prodhimit të energjisë në sasi të madhe kanë bërë një hap të rëndësishëm drejt arritjes së synimit të tyre.

 

“E ardhmja e energjisë “

Kush punon në sektorin e energjisë atomike e di me siguri që: Prodhimi i rrymës me ndihmë të shkrirjes së atomeve është larg 30 vjet, kjo ka vlejtur për studiuesit si para dhjetë vjetësh ashtu edhe sot. Megjithë kompleksitetin e kësaj teknologjie, ata që punojnë me të janë shumë të bindur se mundimi ia vlen.

Po pse? Shkrirja e atomeve ka potencial më të madh energjie se sa të gjithë burimet e tjera të njohura të energjisë. Me anë të saj mund të prodhohet katër milionë herë më shumë energji se sa energjia që prodhohet nga reaksionet kimike si përshembull djegia e qymyrit, naftës ose gazit dhe katër herë më shumë energji se sa energjia e prodhuar nga ndarja e atomeve, procesit që përdoret aktualisht në gjithë centralet atomike të botës.

Shkrirja atomike, zbuluar në fund të shekullit të 20-të shihet nga shumë vendimmarrës politikë sidomos të Europës si energjia e së ardhmes.

Por a është shkrirja atomike vërtet një alternativë “e gjelbërt” për metodat tona të deritanishme dhe deri ku kemi arritur të shkojmë për prodhimin e rrymës me këtë metodë?

 

Si “djegia e druve të zjarrit”

Për të kthyer përgjigje për këtë pyetje, reaktori ndërkombëtar termobërthamor, ITER, një projekt i madh i përbashkët ekpertësh bërthamorë nga 35 vende, ofron mundësi për ta vizituar.

ITER ndodhet disa orë larg bregdetit jugor të Francës, në mes të një peisazhi idilik. Territori i projektit është plot me salla metalike, punishte dhe pajisje. Studiuesit, tekniket dhe teknikët qarkullojnë në këtë terren me helmeta mbrojtëse, çizme gome dhe jelekë ngjyrë neoni.

Në mes të këtij peisazhi industrial, Pietro Barabashi, Drejtori i përgjithshëm i ITER thotë, se e ardhmja e energjisë së shkrirjes së atomeve është shumë shpresëdhënëse. Ai e krahason prodhimin e energjisë nga shkrirja atomike me djegien e druve të zjarrit. “Në fillim ndizet zjarri që ngroh drutë dhe dikur fillon një reaksion kimik. Ky reaksion mjafton për të djegur pjesën tjetër të drurit.”  

 

Fitim energjie nga shkrirja atomike  

Atomet përbëhen nga një bërthamë (me protone dhe neutrone) dhe elektrone. Gjatë shkrirjes së atomeve dy atome shkrihen duke prodhuar një atom nëpërmjet goditjes së bërthamave të tyre. Nga shkrirja prodhohet energji e madhe dhe këtë energji shkencëtarët duan ta kthejnë në energji elektrike. Kjo energji do të ndriçojë një ditë shtëpitë tona.

Parë nga pikëpamja teknike ne përdorim tashmë energji nga neutronet fluturuese të centraleve të energjisë atomike. Pse nuk qëndrojmë këtu por kërkojmë më shumë?  

 

shkrirja bërthamoreStudiuesit në Britaninë e Madhe në shkurt 2022 njoftuan një rekord energjie nga shkrirja bërthamore. Ky imazh tregon pusin e plazmës në brendësi të impintit të shkrirjes bërthamore JET (Joint European Tours)

Shkrirja përballë ndarjes 

Ndryshe nga shkrirja e atomeve, gjatë ndarjes nuk shkrihen dy atome të lehta me njëri-tjetrin, por një atom i rëndë ndahet në dy ose më shumë atome. Të gjitha centralet atomike të botës përdorin reaktorë ndarës për të prodhuar rrymë.

Franca, në të cilën ndodhet ITER, prodhon 70 përqind të energjisë së saj nga ndarja e atomeve. Në pjesën më të madhe të vendeve të botës ndarja e atomeve nuk është burim i kënaqshëm energjie, sepse publiku ka frikë nga rrezatimet e dëmshme, frikë që ushqehet nga incidentet si katastrofa e Çernobilit, shkrirja atomike e Fukushimës dhe shkrirja atomike e pjesshme në centralin atomik amerikan,”Three Mile Island”.

Ndryshimi kryesor midis ndarjes së atomeve dhe bashkimit të tyre është tek radioaktiviteti i lëndës djegëse që prodhohet gjatë dy proceseve, shpjegon Akko Maas, punonjës i ITER-it.  Ai është pjesë e ekipit që kur ITEL ka filluar me kërkimet.

“Gjatë ndarjes së atomit si urani i përdorur edhe platini i prodhuar janë radioaktive. Edhe kur prej tyre merret energjia, materiali radioaktiv mbetet. “Nga dy lëndët e para që shihen si më efektivet për energjinë që prodhohet nga shkrirja e atomeve, deuteriumi nuk është radioaktiv kurse tritiumi është. Megjithatë rrezatimi është relativisht i dobët dhe jetëshkurtër.

“Nëse materialet zgjidhen si duhet, radioaktiviteti i krijuar nga shkrirja e atomeve edhe nëse bëhet prodhim industrial, mund të kufizohet në 100 deri 200 vjet, që është shumë më pak se sa 40 mijë vjetë, që vërejmë tek ndarja e atomeve,” thotë Maas.  

 

Përfitimi i “gjelbër” 

Përkrahësit e energjisë atomike pretendojnë jo vetëm që kjo energji është shumë eficiente, por edhe se ajo ul shumë varësinë tonë nga lëndët djegëse me bazë fosile. Vetë energjia atomike shihet si mënyrë tjetër për të prodhuar energji, përveç asaj prodhuar me lëndë djegëse me bazë fosile, sepse gjatë prodhimit të saj nuk prodhohet dioksod karboni, por prodhohet si produkt dytësor heliumi, një gaz jo helmues që nuk shkakton reaksione.

Përveç kësaj, deuteriumi ndodhet në sasi të mëdha në ujërat detare dhe studiuesit kërkojnë që të prodhojnë tritiumin në vend, me ndihmën e litiumit.

Burimet e energjive të renovueshme si energjia diellore dhe energjia e erës nuk mund të mbulojnë nevojat për energji të botës. Shkrirja atomike, nëse është e suksesshme mund të prodhojë më shumë energji se sa nevojat. E gjitha tingëllon bukur, megjithatë ka qenë deri tani një ëndërr e parealizueshme. Në mënyrë që shkrirja atomike të kthehet në realitet, duhet që të arrihet progres teknologjik në fizikën e plazmës. “Parë teknikisht është e vështirë të arrish një reaktion shkrirjeje atomike, që të jetë i qendrueshëm dhe stabil,” thotë Barabashi.

 

 

Pietro Barabaschi, drejtor i pëgjithshëm i ITERPietro Barabaschi, drejtor i pëgjithshëm i ITER

 

Plazma “shuhet”

Rrezatimet e Diellit dhe të ngrohtësisë që ndiejmë në Tokë, janë rezultat i një reaksioni shkrirës atomik. Ky proces zhvillohet në bërthamën e Diellit nën temperatura të larta dhe presion të madh. Sfida ka të bëjë me riprodhimin e këtyre proceseve që zhvillohen në zemër të Diellit, por pa presionin që krijohet nga forca e rëndesës së masës së madhe të Diellit.

Për të arritur shkrirjen atomike në Tokë, duhet që gazi të nxehet në temperatura shumë të larta prej 150 milionë gradësh celsius, që është dhjetëfishi i temperaturës së bërthamës së Diellit. Kur arrin kjo pikë, gazi është kthyer në plazmë, e cila është një milion herë më e lehtë se ajri që ne thithim.

Studiuesit e shkrirjes atomike kanë parë, se prodhimi i plazmës nëpërmjet nxehjes së një përzierje deuteriumi dhe tritiumi është rruga më e thjeshtë për të krijuar një ambient ku mund të zhvillohet shkrirja e atomeve dhe mund të prodhohet energji.

Plazma e përdorur nga ITER-i për eksperimentet e shkrirjes atomike mbahet në një impiant, që quhet Tokamak, duke u kufizuar nga një fushë e fortë magnetike. Nën këto kushte ekstreme pjesëzat e plazmës përplasen shpejt duke prodhuar ngrohje. Por paradoksalisht, kur temperaturat rriten bie niveli i përplasjes dhe bashkë me të edhe efekti nxehës. “Pra është plazma që mbas një momenti të caktuar shuhet,” thotë Barabashi.

Po t’i kthehemi analogjisë me drutë e zjarrit: Është njësoj sikur të mos dihej si të mbahej zjarri për të mbajtur të qendrueshme “plazmën që digjet”. Kjo është sfida më e madhe para së cilës ndodhen eksperimentet e shkrirjes së atomeve në gjithë botën.  

 

 

Prerje tërthore e reaktorit të shkrirjes bërthamore nga projekti ITERPrerje tërthore e reaktorit të shkrirjes bërthamore nga projekti ITER

 

Siguria gjatë shkrirjes 

Ajo që është mallkim për dikë, mund të jetë urim për dikë tjetër. “Shuarja” e plazmës kur kushtet janë të pafavorshme do të thotë edhe se, reaksioni ndalon kur ka mungesë stabiliteti. Kjo gjë e bën shkrirjen e atomeve më të sigurt se ndarja e atomeve, thonë ekspertët.

Një shkrirje atomike si ajo e Fukushimës është e pamundur që të ndodhë, thotë Gilles Perrier, drejtor i sektorit për sigurinë dhe cilësinë tek ITER-i. Në një reaktor ndarës kemi bërthamën radioaktive, e cila duhet të ftohet në rast se fiket reaktori.

“Gjatë ndarjes së atomeve rreziqet për incidente janë shumë më të mëdha. Gjatë shkrirjes së atomeve ato janë shumë të vogla,” thotë Perrier. Sipas mendimit të tij, siguria e një impianti për shkrirjen e atomeve përbëhet nga tri pjesë: Përfshirja e plazmës, ulja e rrezatimeve dhe shmangia e kontaminimit të tritiumit. Plazma mbahet në një enë vakuumi. “Edhe në rastin më të keq po qe se plazma del jashtë, pasojat nuk përhapen më shumë se tek vendi ku ka ndodhur,” thotë ai.

 

Nga eksperimenti tek elektriciteti 

Deri tani studiuesit e shkrirje së atomeve kanë prodhuar maksimumin e energjisë prej 54 megaxhuli për pesë sekonda. Kjo është e barabartë me rrymën që duhet për të mbajtur ndezur një llampë për dy muaj rresht. Sfida para së cilës ndodhen tani studiuesit është si të prodhohet rrymë në sasi të madhe.

Barabashi thotë se kalimi nga eksperimenti i shkrirjes së atomeve tek reaktori për prodhimin e energjisë është si kalimi nga djegia e drurit tek centrali elektrik me qymyrgur. Megjithëse sfida është e madhe, ai është optimist, se reaktori eksperimental i ITER-it, do të bëhet funksionues deri në fund të dekadës dhe do të kontribuojë që brenda 30 viteve të ardhshme të arrihet të ngrihet një central demostrimi.

Në fund të fundit teknologjia e shkrirjes së atomeve ka nevojë për kohë, por sipas disa shkencëtarëve ne nuk kemi kohë. Energjia e shkrirjes së atomeve nuk mund të zgjidhë krizën energjetike të këtij dimri, dhe ajo nuk do të kontribuojë për të ulur emisionet e dioksdit të karbonit në të ardhmen e afërt.

Në librin e tij “The Fairy Tale of Nuclear Fusion” (Përralla e shkrirjes së atomeve) shkencëtari bërthamor LJ Reinders, thotë se energjia e shkrirjes së atomeve do të arrijë vonë për të zgjidhur problemet tona akute me klimën. Kurse Barbashi është i mendimit se investimet tek shkrirja e atomeve nuk bëhen për të mbuluar nevojat e sotme energjetike, por të atyre të gjysmës së dytë të shekullit tonë.

dw

SHBA pritet të njoftojë një arritje të madhe në fushën e energjisë

laboratori kaliforniDepartamenti i Energjisë i Shteteve të Bashkuara pritet të njoftojë të martën se shkencëtarët amerikanë kanë arritur të krijojnë një reaksion të fuzionit bërthamor që prodhon më shumë energji sesa konsumon, një arritje historike kjo në kërkimet prej dekadash për një mënyrë për të gjeneruar energji bërthamore të pastër dhe pa mbetje.

 

Njoftimi i pritshëm, i raportuar fillimisht nga gazeta Financial Times dhe i konfirmuar më pas nga organizata të tjera mediatike, do të identifikojë Laboratorin Kombëtar “Lawrence Livermore” në Kaliforni si vendin ku është bërë eksperimenti.

Të hënën, departamenti njoftoi se Sekretarja e Energjisë Jennifer Granholm do të shpallte “një zbulim të madh shkencor” në një konferencë shtypi të martën.

Njoftimi vjen në një kohë kur administrata e Presidentit Biden ka shtuar përpjekjet dhe financimin për zhvillimin e prodhimit të energjisë së pastër, me një theks të veçantë në energjinë nga fuzioni. Ligji i miratuar së fundmi për Reduktimin e Inflacionit përmbante fonde të konsiderueshme për kërkime në këtë fushë.

Vetëm për shkak se shkencëtarët kanë arritur të krijojnë një proces fuzioni që prodhon energji, kjo nuk do të thotë se janë të afërta ndryshimet domethënëse në mënyrën se si njerëzit gjenerojnë energji. Ekspertët thanë se ndërkohë që puna kërkimore është e rëndësishme, vazhdojnë të ekzistojnë pengesa të mëdha teknologjike për krijimin e sistemeve që mund ta vënë në shfrytëzim në masë energjinë nga fuzioni.

 

Një rrugëtim i gjatë

Shkencëtarët e kanë ditur prej kohësh se kur dy atome shkrihen së bashku për të formuar një element të ri, çlirohen sasi të mëdha energjie. Dielli, për shembull, është në thelb një reaktor i madh fuzioni në të cilin grimcat e mbinxehura bashkohen me forcë të jashtëzakonshme, duke formuar grimca të reja dhe duke çliruar energjinë e tepërt në formën e nxehtësisë.

Që në vitet 1940, shkencëtarët filluan të eksperimentojnë me reaktorët e fuzionit. Megjithëse kanë arritur prej kohësh të krijojnë reaksione të fuzionit, deri më tani ato reaksione kanë kërkuar gjithmonë furnizim me energji që tejkalon sasinë që ata prodhonin.

kapsulaArsyeja pse arritja e një reaksioni të fuzionit që prodhon energji ka qenë kaq e paarritshme është kryesisht sepse shkencëtarët duhet të krijojnë kushte ekstreme në laborator në mënyrë që të ndodhin reaksionet. Zakonisht, lazera të mëdhenj përdoren për të nxehur izotopet e hidrogjenit në temperatura në miliona gradë Celsius. Plazma që përftohet më pas kufizohet nën presion jashtëzakonisht të lartë, duke bërë që izotopet të bashkohen me forcë të mjaftueshme që të shkrihen në një element tjetër, duke çliruar energji kur kjo ndodh, në formën e nxehtësisë.

Një element i rëndësishëm i njoftimit të së martës do të jetë mënyra se si qeveria e përkufizon një rezultat me bilanc pozitiv energjitik. Zakonisht, kjo do të thotë se reagimi që matet prodhon më shumë energji sesa rrezet lazer të drejtuara tek hidrogjeni. Megjithatë, lazerët e përdorur në eksperiment nuk kanë efikasitetet të plotë, çka do të thotë se duhet më shumë energji për t’i furnizuar ato, sesa energjia që ata transmetojnë tek objektivat e tyre.

Që një reaksion fuzioni të jetë me bilanc pozitiv, në kuptimin e gjenerimit të më shumë energji se energjia totale e shpenzuar për eksperimentin – përfshirë mbetjet – reaksioni do të duhet të prodhojë në thelb më shumë energji sesa ajo e konsumuar nga rrezet lazer të drejtuara ndaj hidrogjenit.

voa

NASA, kapsula Orion përfundoi me sukses misionin

kapsula OrionKapsula Orinon e NASA-s bëri një kthim të shpejtë nga hëna të dielën, duke zbritur me parashutë në Paqësor, pranë brigjeve të Meksikës. Kjo i jep fund fluturimit provë që mendohet se do t’u hapë rrugën fluturimeve me astronautë në bord në orbitën hënorë.

 

Kapsula hyri në atmosferë me një shpejtësi 32 herë më shumë se shpejtësia e zërit ndërsa i rezistoi temperaturës 2,760 gradë Celsius, që krijohet nga futja në atmosferë, para se zbriste pranë ishullit Guadalupe në perëndim të shtetit Baja California të Meksikës.

Një anije e marinës amerikane tërhoqi nga oqeani anijen hapësinore dhe pajisjet testuese për vëzhdimin e dridhjeve dhe matjen e rrezatimit. NASA tha se zbritja ishte pothuajse e përsosur.

Shefi i NASA-s, Bill Nelson tha nga Hjustoni se, “Kjo është një ditë e jashtëzakonshme. Është historike sepse tani po rikthehemi në hapësirë, dhe më tutje, me një gjeneratë të re”.

Suksesi i këtij fluturimi testues u hap rrugën fluturimeve të tjera me astronautë në bord. Në vitin 2024 është planifkuar fluturimi tjetër përreth hënës me katër astronautë në bordin e kapsulës Orion. Kjo do të pasohet me zbritjen e dy astronautëve në hënë në vitin 2025.

50 vjet më parë astronautët zbritën në hënë për herë të fundit, më 11 dhjetor të vitit 1972. Astronautët Eugene Cernan dhe Harrison Schmitt të misionit Apollo 17 eksploruan për tre ditë luginën “Taurus-Littrow”. Ata ishin dy njerëzit e fundit, nga 12 syresh, që ecën në hënë.

voa

Sonda e re e NASA-s Artemis nis anijen kozmike Orion drejt Hënës

Nasa ArtemisSonda e re e NASA-s Artemis, nisi fluturimin debutues për në Hënë, të mërkurën herët, me tre manekinë në bord, duke i sjellë Shtetet e Bashkuara një hap më afër rikthimit të astronautëve në sipërfaqen hënore për herë të parë që nga përfundimi i programit Apollo, 50 vjet më parë.

 

Sonda e gjeneratës së ardhshme të NASA-s u nis herët në mëngjes për një udhëtim pa ekuipazh rreth hënës, gjysmë shekulli pas misionit të fundit hënor Apollo.

“Këtë mëngjes, në orën 1:47 sipas kohës lokale, raketa e Sistemit të Nisjes Hapësinore të NASA-s dhe anija kozmike Orion u ngritën nga platforma historike e nisjes 39B nga Qendra e Fluturimeve Kenedi”, tha sekretarja e Shtypit të NASA-s, Jackie McGuinness.

Fluturimi i misionit Artemis, synon kthimin e astronautëve në Hënë këtë dekadë dhe krijimin e një baze të qëndrueshme atje si një gur themeli për eksplorimin e ardhshëm njerëzor të Marsit.

Sistemi i lëshimit në hapësirë (SLS) është raketa më e fuqishme e ndërtuar ndonjëherë nga NASA.

Administratori i NASA-s Bill Nelson e pa nisjen me një grup astronautësh.

“Është një fluturim provë. U desh shumë kohë për të mbërritur këtu. Herën e fundit që ishim në hënë, ishte me Apollo 17 dhe ne kemi ende një rrugë të gjatë për të bërë”.

Pas vitesh vonesash dhe miliarda dollarësh shpenzime, raketa e Sistemit të Nisjes Hapësinore gjëmoi drejt qiellit, duke u ngritur nga Qendra Hapësinore Kennedy me një force shtytëse prej 4 milionë kilogramësh duke arritur shpejtësinë 160 km/h brenda pak sekondave.

Kapsula Orion doli nga orbita e Tokës pas dy orësh për të vazhduar fluturimin drejt Hënës.

Nisja u anulua dhe shty katër herë këtë vit – dy herë për shkak të problemeve teknike dhe dy herë të tjera për shkak të motit.

Menaxheri i Misionit Artemis, Mike Sarafin tha se raketa kryesisht po funksionon ashtu siç duhet.

Ai tha se kishte disa çështje të vogla por shtoi se të gjitha sistemet “po funksiononin”.

Menaxheri i programit Orionit, Howard Hu tha se NASA do të vazhdojë të testojë motorët dhe funksionet e tjera të Artemis, veçanërisht në kushtet e Hapësirës.

Misioni prej 4.1 miliardë dollarësh do të lejojë NASA-n të verifikojë mburojën e nxehtësisë së kapsulës gjatë rihyrjes në atmosferën e Tokpës. Nëse do të ketë sukses, katër astronautë do të jenë në gjendje të nisen me misionin e ardhshëm drejt hënës në vitin 2024, i cila do të pasohet nga një ulje në Hënë e dy astronautëve një ose dy vjet më vonë.

voa

Peshqit e artë kanë kujtesë të mirë

peshku i arteNjë studim i ri hedh poshtë idenë e vjetër se peshqit e artë kanë pak, ose aspak kujtesë.

 

Më parë mendohej se peshqit e artë që zbukurojnë akuarimet e shumë shtëpive, hoteleve apo lokaleve kanë një hapësirën kujtese prej vetëm tre sekondash.

Por shkencëtarët nga Universiteti i Oksfordit kanë vërtetuar se peshqit e artë kanë kujtesë të mirë dhe sens orientimi gjatë lundrimit.

Për studimin e tyre studiuesit stërvitën nëntë peshq që të përshkonin një distancë të caktuar duke i shpërblyer ata në fund.

 

Shkencëtarët zbuluar se peshqit e artë mund të kujtojë gjëra që u kanë ndodhur deri në pesë muaj më parë. Kurse lloje të tjera peshqish, si krapi, kanë një hapësirë ​​edhe më të gjatë memorie. Në eksperiment ata shmangën për tre vjet një lloj karremi, sepse një nga peshqit kishte rënë pre e tij.

dw/dpa

Panelet diellore pluskuese

panele pluskuesePanelet diellore janë shtuar në çatitë e ndërtesave dhe në tokë në shumë pjesë të botës. Por ato gjithashtu mund të vendosen edhe në sipërfaqw ujore. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Steve Herman, teknologjia diellore lundruese është rritur në një shkallë të madhe në Azi dhe Evropë dhe tani po fillon të përdoret edhe në Amerikën e Veriut.

 

Një nga risitë më të mëdha për prodhimin e energjisë elektrike janë fotovoltaikët lundrues, ose teknologjia FPV që përfshin ankorimin e paneleve diellore në sipërfaqe uji, duke përfshirë liqenet, rezervuarët dhe detet. Disa projekte në Azi përdorin mijëra panele për të gjeneruar qindra megavat energji.

Teknologjia FPV mori hov në Azi, ku ka më shumë kuptim ekonomik pasi toka është më shumë e vlefshme për tu përdorur për bujqësinë. Sipas Sika Gadzanku, një studiuese në Laboratorin Kombëtar të Energjisë së Rinovueshme në Kolorado, projektet diellore lundruese janë edhe më tërheqëse kur mund të ndërtohen në sipërfaqe ujore pranë hidrocentraleve me linja ekzistuese transmetimi.

“Në vendet që përdorin shumë hidrocentralet, ka shqetësime rreth prodhimit të energjisë gjatë thatësirave, për shembull, dhe me ndryshimet klimatike, ne presim që të shohim më shumë ngjarje ekstreme të motit. Kur mendojmë për thatësirat, ekziston mundësia që të kemi teknologjinë FPV si një opsion tjetër të energjisë së rinovueshme. Pra, në vend që të vareni kaq shumë tek hidrocentralet, tani mund të përdorni më shumë fotovoltaikët dhe të zvogëloni varësinë tuaj nga hidrocentralet gjatë sezoneve shumë të thata”, thotë studiuesja Gadzanku.

Panelet diellore lundruese sjellin një tjetër përfitim: ato pakësojnë ekspozimin ndaj dritës dhe ulin temperaturën e ujit, duke minimizuar rritjen e dëmshme të algave.

E gjithë kjo dukej mjaft premtuese për zyrtarët në qytetin Windsor në Kaliforninë veriore. Pesë mijë panele diellore janë tani duke lundruar në një nga pellgjet e ujërave të zeza të qytetit.

Panelet lundruese janë miqësore për mjedisin dhe buxhetin e Windsor-it, ku fatura elektrike e impiantit të ujërave të zeza ishte më e larta, thotë anëtarja e këshillit të qytetit Deborah Fudge, e cila nxiti projektin e 1.78 megavatëve ndaj një alternative tjetër për vendosjen e paneleve diellore në vendet e parkimit të makinave.

“Ata mënjanojnë 350 tonë metrikë dioksid karboni në vit. Dhe ofrojnë gjithashtu 90 për qind të energjisë që na nevojitet për të gjitha operacionet për trajtimin e ujërave të zeza, dhe gjithashtu për pompimin e ujërave të zeza nga një fushë gjeotermale, rreth 64 kilometra në veri”.

Qyteti i merr me qira panelet lundruese nga kompania që i instaloi, gjë që i jep një çmim të caktuar për energjinë elektrike me një kontratë afatgjatë, që do të thotë se Windsor-i po paguan rreth 30 për qind të asaj që shpenzoi më parë për të njëjtën sasi energjie.

Kjo e bëri të lehtë marrjen e miratimit të votuesve, thotë kryetari i bashkisë së qytetit, Sam Salmon.

“Nuk është se kemi investuar në diçka ku nuk do të marrim një përfitim. Ne po marrim përfitim ndërsa flasim. Dhe kjo do të vazhdojë për 25 vjet.”

Një liqen në Virxhinia është një nga gati 25,000 sipërfaqet ujore të krijuara nga njeriu në Shtetet e Bashkuara të identifikuara nga një studim qeveritar si të përshtatshme për vendosjen e FPV-ve. Panelet lundruese në një të katërtën e sipërfaqes së secilit rezervuar të tillë, do të gjeneronin gati 10 për qind të nevojave të Amerikës për energji.

voa

Elon Musk, pronari i ri i kompanisë Twitter

elon muskElon Musk është pronari i ri i kompanisë Twitter. Pas muajsh pritjeje, të enjten vonë ai përmbylli marrëveshjen për blerjen prej 44 miliardë dollarësh të kompanisë Twitter. Zoti Musk e nisi drejtimin e kompanisë me vendimin për largimin nga puna të disa prej drejtuesve më të lartë të saj, ndërsa ka paralajmëruar edhe shkurtime tjera të stafit. Kjo ka shkaktuar frikë dhe pasiguri mes punonjësve, ndërsa ekspertët thonë se planet amibicioze të zotit Musk janë të paqarta.

 

Pak pasi mori pronësinë e kompanisë Twitter, Elon Musk pushoi nga puna disa nga drejtuesit kryesorë të saj, shefin ekzekutiv Parag Agrawal, shefin e financave Ned Segal dhe shefen e çështjeve ligjore dhe politikave Vilaya Gadde, njoftojnë burime brenda kompanisë.

Më herët zoti Musk i kishte akuzuar ata se e kanë mashtruar lidhur me numrin e llogarive të rreme në platformë.

Menjëherë pas përmbylljes së marrëveshjes ai shkroi në Twitter se “zogu është i lirë”, një postim që mesa duket i referohet zogut blu në logon e kompanisë që ai e bleu për 44 miliardë dollarë.

Kompania Twitter, zoti Musk dhe udhëheqësit e pushuar nga puna nuk dhanë ndonjë koment të menjëhershëm.

Ekspertët thonë se afër 7 mijë e 500 punonjësit e tjerë të Twitter-it janë të shqetësuar për të ardhmen e tyre, pasi zoti Musk ka paralajmëruar planet e tij për shkurtimet e vendeve të punës dhe ndërtimin e një të ashtuquajturi “super aplikacion”.

“Twitter me një pronar si Elon Musk ka mundësi të shkaktojë edhe më shumë kaos. Punonjësit tashmë janë të shqetësuar për largimet masive nga puna dhe ky është një shqetësim i vlefshëm. Por, sektorët ku do të ndodhin shkurtimet e punëtorëve do të na japin një ide më të qartë se çfarë synon të bëjë Elon Musk me kompaninë Twitter”, thotë ekspertja Jasmine Enberg.

Vetëm më pak se 10 për qindëshi i 266 punonjësve të kompanisë Twitter që morën pjesë në një sondazh të aplikacionin Blind, presin që gjatë tre muajve të ardhshëm të vazhdojnë ta kenë vendin e tyre të punës. Blind është një aplikacion që u mundëson punonjësve të shprehin ankesat e tyre në mënyrë anonime.

Shefi i kompanisë prodhuese të makinave elektrike “Tesla” dhe asaj hapësinore “Space X”, ka paralajmëruar se në Twitter do të ofrohet gjithçka, nga tansfertat e parave, deri tek blerjet online dhe udhëtimet me makinë.

Në të ardhmen e afërt, zoti Musk ka thënë se dëshiron të “heqë qafe” llogaritë e rreme në platformë, të krijojë algoritmet që përcaktojnë mënyrën se si përmbajtja u shfaqet përdoruesve dhe të parandalojë që platforma të kthehet në një hapësirë për shfaqje të urrejtjes dhe shkaktimit të përçarjeve, edhe pse ai është shprehur kundër cenzurimit të përmbajtjes.

Kjo ka nxitur spekulime se ai mund ta anulojë vendimin për përjashtimin e ish-presidentit amerikan Donald Trump nga rrjeti social Twitter.

Ai u shpreh i kënaqur që Elon Musk mori kontrollin e Twitter-it, por nuk tha nëse do të kthehet apo jo në platformën që e ka përjashtuar pas sulmit të 6 janarit në Kapitol.

“Ka mundësi që një nga gjërat e para që ai do të donte të bënte është të kthejë të gjithë ata që janë përjashtuar ose të rikthejë të gjithë njerëzit kontrovers. Sigurisht kjo mund të ndodhte me ose pa Elon Muskun. Gjërat ndryshojnë sikur edhe opinionet e njerëzve. Duhet të presim dhe shohim nëse kjo do të jetë pjesë e politikave”, thotë Omar Akhtar, hulumtues në kompaninë Altimeter.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer tha se çdo kompani që vepron në bllokun prej 27 anëtarësh duhet të respektojë rregullat e lirisë së shprehjes të përcaktuara sipas ligjeve të Bashkimit Evropian.

“Ka disa aktivitete që nuk janë në përputhje me rregullat, rregulloret dhe ligjet e vendeve anëtare, gjëra që lidhen me gjuhën e urrejtjes, aktivitetet kriminale, terrorizmin e të tjera”, tha ai.

Njeriu më i pasur në botë tha se nuk e bleu kompaninë Twitter për t’u pasuruar edhe më shumë, por siç u shpreh ai “për të ndihmuar njerëzimin”.

“Ai e ka thënë vazhdimisht se nuk është për përdorimin e mburojave për të kontrolluar përmbajtjen. Unë mendoj se kemi prova të pafundme që pa mburoja në një platformë si Twitter ose kudo në median sociale, përfundon me urrejtje, përbuzje e paragjykim ndaj grave dhe teori konspirative. Kjo nuk është në të mirën e askujt”, thotë Claire Diaz-Ortiz, ish punonjëse e kompanisë Twitter.

Zoti Musk ende nuk ka dhënë detaje se si do t’i arrijë të gjitha planet e tij ambicioze për platformën Twitter dhe se kush do ta drejtojë kompaninë.

voa

Çmimi Nobel në Ekonomi për tre ekonomistë amerikanë

cmimi nobelÇmimi Nobel në Ekonomi i jepet këtë vit ish-kryetarit të Rezervës Federale të SHBA Bernanke dhe dy ekonomistëve amerikanë, Diamond dhe Dybvig. Ata shpërblehen për kërkimet e tyre mbi bankat dhe krizat financiare.

 

Çmimi Nobel në Ekonomi u jepet këtë vit tre ekonomistëve amerikanë Ben Bernanke, Douglas Diamond dhe Philip Dybvig. Kjo u bë e ditur nga Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave në Stokholm.

Ish-kryetari i Rezervës Federale (Fed) Bernanke dhe dy ekonomistët e tjerë e marrin nderimin prestigjioz “për kërkimet e tyre mbi bankat dhe krizat financiare”, tha në konferencë Sekretari i Përgjithshëm i Akademisë Hans Ellegren.

Tre studiuesit kanë hedhur themelet e kërkimeve moderne mbi bankën, rregullimin dhe menaxhimin e krizave, tha Akademia në nderimin e shkencëtarëve. Ata treguan “pse është absolutisht e nevojshme të shmangen dështimet e bankave”.

 

Çmimi ofrohet nga Riksbanka suedeze

Ndryshe nga çmimet e tjera, Çmimi Nobel në Ekonomi nuk rrjedh drejtpërdrejt nga vullneti i Alfred Nobel, themeluesit të çmimit. Ai u themelua në vitin 1968 nga Banka e Suedisë në kujtim të Alfred Nobelit dhe është dhënë që nga viti 1969. Këtë vit, të gjitha çmimet Nobel janë të pajisura sërish me dhjetë milionë korona suedeze.

Kjo aktualisht është e barabartë me afro 914.000 euro. Çmimet Nobel ndahen tradicionalisht më 10 dhjetor, ditën kur vdiq Nobeli .

Vitin e kaluar, çmimi prestigjioz iu dha David Cardit, Joshua Angristit dhe Guido Imbensit, tre ekonomistë që punojnë në Shtetet e Bashkuara. Në përgjithësi, çmimi Nobel në Ekonomi u jepet ekonomistëve që janë nga ose bëjnë kërkime në Shtetet e Bashkuara. Deri tani, i vetmi fitues gjerman në këtë kategori ka qenë shkencëtari i Bonn-it Reinhard Selten. Ai e mori çmimin në 1994 së bashku me John Nash dhe John Harsanyi për punën e tyre pioniere në teorinë e lojërave jobashkëpunuese.

aud (tgsch)

 

Çmimi i energjisë dhe tregu i makinave elektrike

makina elektrikeKriza globale energjetike e shkaktuar nga sulmi rus ndaj Ukrainës po ndikon edhe tregun e makinave elektrike. Për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë elektrike, kostoja e funksionimit të makinave elektrike po u afrohet atyre që operojnë me karburant. Sipas ekspertëve, kjo mund të vonojë tranzicionin nga makinat me karburant tek ato elektrike.

 

Një nga argumentet më të forta në favor të makinave elektrike ka qenë kostoja e ulët e operimit të tyre krahasuar me ato që funksionojnë me karburant. Deri më tani, mendohej se kostoja e karikimit të makinave elektrike ishte shumë më e ulët se mbushja e atyre që operojnë me benzinë ose naftë.

Për shkak të krizës globale të energjisë, kostoja e energjisë elektrike në Britani është tetëfishuar që nga shkurti, thotë Zyra e Tregut të Karburantit dhe Energjisë Elektrike (Ofgem).

Si në pikat publike të karikimit në rrugë, autostrada dhe qendra tregtare, ashtu edhe në shtëpi, karikimi e një makineje elektrike ka qenë gjithnjë e më i shtrenjtë këtë vit.

Sipas kompanisë “RAC”, kostoja e karikimit të makinave elektrike u rrit me 42 për qind që nga maji në Britani.

“Në disa nga pikat më të sofistikuara, karikimi me energji elektrike mund të kushtojë më shumë sesa mbushja e një makine me naftë ose benzinë. Një nga arsyet e rritjes eksponenciale të shitjeve të makinave elektrike ka qenë kostoja më e ulët e operimit të tyre”, thotë Jim Holder nga kompania Haymarket Automotive.

Ai thekson se karikimi i një makine elektrike në shtëpi do të vazhdojë të jetë më i lirë se mbushja me benzinë ose naftë, pavarësisht rritjes së kostos së energjisë.

“Çmimi i makinave elektrike është i lartë, por ju mund përfitoni nga masa të ndryshme stimuluese, si lehtësimet tatimore dhe kostoja me e ulët e funksionimit të tyre. Nëse e karikoni makinën elektrike në shtëpi, tani është pothuajse e sigurt që do të paguani më pak sesa për mbushjen e një makine që funksionon me benzinë ose naftë. Por sigurisht, nëse përdorni pikat publike të karikimit me shpejtësi të lartë, atëherë kostoja do të jetë shumë më e lartë”, thotë ai.

Problemet nuk ndalojnë këtu.

Për shkak se kriza e energjisë mund t’i shkurajojë njerëzit të blejnë makina elektrike, kjo mund të ngadalësojë edhe tranzicionin e tregut drejt makinave elektrike.

“Mendoj se vështirësia reale është se kompanitë e prodhimit të makinave duhet të vazhdojnë të shesin makina elektrike në shifra shumë të larta për të qenë në gjendje të krijojnë tregun e makinave të përdorura, që më pas do t’u krijonte mundësitë për blerje të këtyre llojeve të makinave edhe familjeve me të ardhura më të ulëta. Ky është rreziku real. Çdo pauzë tani nuk po vonon vetëm tranzicionin në një afat të shkurtër, por edhe krijimin e një inventari të makinave elektrike me çmime më të përballueshme”, thotë zoti Holder.

Sipas një sondazhi të organizatës “AA”, 63 për qind e 12,500 shoferëve të pyetur thanë se rritja e çmimeve të energjisë do t’i pengonte ata nga blerja e një makine elektrike.

voa