Kategoritë: Shkenca

Teknologjia kundër dronëve mbron objektet e rëndësisë së veçantë

dronNdërsa dronët ushtarakë dhe civilë po bëhen gjithnjë e më të pranishëm, ka shqetësime në rritje se disa prej tyre mund të rrezikojnë aeroportet, burgjet apo rrjetin energjitik.

 

Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Julie Taboh, njofton rreth një kompanie që prodhon teknologjinë kundër dronëve, e cila mund të identifikojë dhe të ndalë dronët e rrezikshëm.

Në vitin 2013, Kancelarja gjermane Angela Merkel po merrte pjesë në një aktivitet në mjedise të jashtme, kur një dron që po qëndronte mbi zonë u ul papritmas pranë saj, duke ndërprerë shkurtimisht edhe aktivitetin që po zhvillohej.

Askush nuk u lëndua, por incidenti ngriti shqetësime për sfidat e sigurisë nga dronët në zona të ekspozuara, ndërkohë që këto mjete të telekomanduara sapo kishin filluar të zinin vend në treg.

“Nuk ndodhi asgjë, por ishte një dron që tërhoqi vëmendjen. Mund ta imagjinoni se çfarë mund të ndodhte në një situatë të tillë pa masat e duhura mbrojtëse”, thotë Mary-Lou Smulders, drejtuese e marketingut në kompaninë “Dedrone”.

Incidenti u bë shkak për krijimin e kompanisë “Dedrone”, e cila është shndërruar tashmë në një ndër kompanitë kryesore për teknologjinë kundër dronëve dhe ka klientë në mbi 35 vende të ndryshme.

“E pikasim dronin kryesisht nëpërmjet sinjaleve të frekuencave të radios që kapen nga sensorët tanë. Mund të mbledhim edhe të dhëna nga sensorë të tjerë, si radarë, sensorë akustikë dhe madje edhe me kamera”, thotë zonja Smulders.

Klientët e kompanisë “Dedrone” instalojnë programe vëzhguese që lajmërojnë personelin e sigurisë kur një dron i dyshimtë ndodhet në hapësirën e tyre ajrore.

Nëse një dron konsiderohet i rrezikshëm, pajisjet monitoruese…i mundësojnë personelit të sigurisë të gjejë edhe vendndodhjen e drejtuesit të dronit.

Në rrethana ekstreme, si në rast lufte, klientët kanë mundësinë që ta çaktivizojnë vetë dronin me një “armë” që bllokon frekuencat.

“Quhet DroneDefender, dhe është një transmetues me frekuenca radiofonike. Kur e kemi pikasur dronin, ia drejtojmë armën, tërheqim këmbëzën dhe kështu ndërpritet sinjali mes dronit dhe kontrolluesit të tij”, thotë John Knag, zëvendëspresident për teknologjinë në kompaninë “Dedrone”.

Industria e teknologjisë kundër dronëve po rritet së bashku me industrinë e prodhimit të dronëve, thonë ekspertët.

“E konsiderojmë teknologjinë kundër dronëve si një pjesë shumë integrale të ekosistemit të dronëve komercialë. Na nevojitet teknologjia kundër dronëve për të mbrojtur objekte të posaçme, dhe që kështu të vazhdojë të rritet edhe industria e dronëve komercialë”, thotë Miriam McNabb, nga kompania “Dronelife”.

Ndërsa vazhdon të shtohet përdorimi i dronëve, po kështu do të rriten edhe përpjekjet për të mbrojtur hapësirat e ekspozuara ndaj atyre që kanë qëllime keqdashëse.

voa

Tre shkencëtarë marrin Nobelin në kimi për procesin e bashkimit të molekulave

nobel kimiTre shkencëtarë u nderuan të mërkurën me çmimin Nobel të këtij viti në kimi, për zbulimin e një mënyre për të “bashkuar molekulat” që mund të përdoret për të prodhuar ilaçe më të mira.
Amerikanët Carolyn R. Bertozzi dhe K. Barry Sharpless, dhe shkencëtari danez Morten Meldal u nderuan për punën e tyre në kiminë e bashkimit të molekulave me njëra-tjetrën dhe kiminë bio-ortogonale, që u referohet reaksioneve kimike brenda sistemeve të gjallesave.

Këto procese përdoren për të prodhuar ilaçe kundër kancerit, për të hartuar ADN-në dhe për të krijuar materiale, që janë të përshtatura posaçërisht për të arritur një objektiv të caktuar.

“Bëhet fjalë për procesin e bashkimit të molekulave,” tha Johan Aqvist, një anëtar i Akademisë Mbretërore Suedeze të Shkencave, që shpalli fituesit të mërkurën në Institutin Karolinska në Stokholm të Suedisë.

81 vjeçari Sharpless, ka fituar çmimin Nobel edhe në vitin 2001, duke u bërë personi i pestë që e merr çmimin dy herë.

68 vjeçari Meldal i Universitetit të Kopenhagës në Danimarkë dhe zoti Sharpless, studiues në institucionin kërkimor Scripps në Kaliforni, zbuluan secili në mënyrë të pavarur molekulat e para të tilla që do të bashkoheshin lehtësisht me njëra-tjetrin, por jo me molekula të tjera, duke sjellë si rezultat përdorimin e këtij procesi në prodhimin e ilaçeve dhe polimereve, materiale që përbëhen nga molekula të mëdha, të quajtura makromolekula.

55 vjeçarja Bertozzi, në Universitetin Stanford të Kalifornisë, e ngriti këtë lloj procesi në “një nivel të ri,” tha Komiteti Nobel.

Ajo gjeti një mënyrë për ta bërë kiminë e mbërthimit të molekulave me njëra-tjetrën të funksionojë brenda organizmave të gjallë, pa i dëmtuar ato, duke krijuar një metodë të re të njohur si reaksione bio-ortogonale. Reaksione të tilla përdoren tani për të eksploruar qelizat, për të gjurmuar proceset biologjike dhe për të krijuar mjekime më preçize për sëmundje të tilla si kanceri.

“Përdorimi i proceseve kimike brenda pacientëve për t’u siguruar që ilaçet të shkojnë në vendin e duhur dhe të qëndrojnë larg pjesës së gabuar të trupit,” tha shkencëtarja Bertozzi.

Duke folur me telefon në një konferencë shtypi pas njoftimit, ajo tha se ishte “absolutisht e befasuar” nga marrja e çmimit.

“Ende nuk më besohet, por po bëhet më e vërtetë minutë pas minute,” tha ajo.

Zoti Meldal tha se mori një telefonatë nga komiteti i Nobelit rreth gjysmë ore para shpalljes së çmimit.

“Më thanë të mos i tregoja askujt. Kështu që u ula brenda zyrës sime dhe prita plot emocion,” i tha ai agjencisë Associated Press. “Është një nder i madh.”

voa

Tre shkencëtarë marrin çmimin Nobel në fizikë, për arritjet e tyre në teknologjinë kuantike

fizike nobelTre shkencëtarë fituan të martën çmimin Nobel të këtij viti në fizikë për punën e tyre në teknologjinë kuantike që ka përdorime të rëndësishme në disa fusha.
Francezi Alain Aspect, amerikani John F. Clauser dhe austriaku Anton Zeilinger u nderuan nga Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave për zbulimin e mënyrës se si grimcat e njohura si fotone mund të lidhen, ose ndërveprojnë me njëra-tjetrën edhe kur janë shumë larg njëra-tjetrës.

“Shkenca e informacionit kuantik është një fushë e gjallë dhe në zhvillim të shpejtë,” tha Eva Olsson, anëtare e komitetit të çmimit Nobel.

“Ajo përdoret gjerësisht edhe në fusha të tilla si transferimi i sigurt i informacionit, llogaritja kuantike dhe teknologjia e sensorëve.”

“Origjina e saj i ka rrënjët tek mekanika kuantike,” tha ajo. “Parashikimet e lidhura me të, i hapin dyert një bote të re dhe transformojnë vetë themelet e mënyrës se si interpretojmë matjet.”

Duke folur me telefon në një konferencë shtypi pas njoftimit, profesori i Universitetit të Vjenës, 77 vjeçari Zeilinger tha se ishte emocionuar kur mësoi se kishte marrë çmimin.

Tre fizikanët Clauser, Aspect dhe Zeilinger shpesh trajtojnë probleme që në pamje të parë duket të jenë shumë larg shqetësimeve të përditshme – grimcat e vogla dhe misteret e mëdha të hapësirës dhe kohës – por puna e tyre kërkimore hedh bazat për shumë përdorime praktike të shkencës.

Komiteti Nobel tha se 79 vjeçari Clauser zhvilloi teoritë kuantike të paraqitura për herë të parë në vitet 1960 në një eksperiment praktik. 75 vjeçari Aspect arriti të mbyllte një hendek në ato teori, ndërsa prof. Zeilinger demonstroi një dukuri të quajtur teleportim kuantik që lejon në mënyrë efektive transmetimin e informacionit në distanca të gjata.

“Përmes ndërthurjes, mund të zhvendosësh të gjithë informacionin që bartet nga një objekt në një vend tjetër ku objekti si të thuash, riformohet,” tha prof. Zeilinger. Ai shton se kjo funksionon vetëm për grimcat e vogla.

Ai tha se kur filloi kërkimet e tij, eksperimentet ishin “plotësisht filozofike pa ndonjë përdorim apo zbatim të mundshëm praktik.”

Që atëherë, puna e laureatëve është përdorur për të zhvilluar fushat e kompjuterëve kuantikë, rrjeteve kuantike dhe komunikimit të sigurt të koduar kuantik.

Java e shpalljes së çmimeve Nobel filloi të hënën kur shkencëtari suedez Svante Paabo u nderua me çmimin në fushën e mjekësisë për punën e tij në zbulimin e sekreteve të ADN-së së Neandertalit që sjell njohuri jetike për sistemin tonë imunitar.

Të mërkurën shpallet çmimi për kiminë dhe të enjten ai për letërsinë. Çmimi Nobel për Paqe 2022 shpallet të premten dhe çmimi në fushën e ekonomisë më 10 tetor.

voa

Shkencëtari Svante Paabo merr çmimin Nobel për Mjekësi

Svante PaaboShkencëtari suedez Svante Paabo u nderua me çmimin Nobel në Mjekësi këtë vit për zbërthimin e kodit gjenetik të Neandertalëve, specia më e afërt me njeriun modern.
Në një deklaratë të hënën, Organizata Nobel tha se shkencëtari Paabo po nderohet “për zbulimin e një qasjeje të re për të studiuar historinë tonë evolucionare.”

67-vjeçari suedez kapërceu sfida të skajshme teknike në trajtimin e kampionëve të brishtë dhe të lashtë të ADN-së për të siguruar me sukses sekuencën e gjenomit, tha organizata.

“Kjo u pasua nga zbulimi spektakolar nga ana e tij e një specieje tjetër të zhdukur, Denisova, realizuar tërësisht nga të dhënat e gjenomit të marra nga një ekzemplar i një kocke të gishtit të vogël”, thuhet në deklaratë.

Ky zbulim më pas arriti në përfundimin se Neandertalët dhe Denisovanët ishin grupe motra që u shkëputën nga njëri-tjetri rreth 600,000 vjet më parë.

Gjenet e Denisovanëve janë gjetur në deri në 6% të njerëzve modernë në Azi dhe Azinë Juglindore, gjë që tregon se ndërveprimi ka ndodhur edhe atje.
Puna e shkencëtarit Paabo vërtetoi se Homo Sapiensët, Neandertalët dhe Denisovanët kishin ndërvepruar “gjatë periudhave të bashkëjetesës”, gjë që rezultoi në përfshirjen e ADN-së arkaike tek njerëzit e sotëm.”

Megjithëse kockat e Neandertalit u zbuluan për herë të parë në mesin e shekullit të 19-të, vetëm duke zbërthyer ADN-në e tyre, shkencëtarët kanë qenë në gjendje të kuptojnë plotësisht lidhjet midis specieve.

Kjo përfshin kohën kur njerëzit modernë dhe Neandertalët u ndanë si specie, rreth 800,000 vjet më parë, tha Anna Wedell, kryetare e Komitetit të Çmimit Nobel.
“Paabo dhe ekipi i tij zbuluan gjithashtu se kishte patur kalim gjenesh nga Neandertalët te Homo Sapiensët, gjë që dëshmon se ata kishin pasur fëmijë së bashku gjatë periudhave të bashkëjetesës,” tha ajo.

Ky transferim i gjeneve midis specieve ndikon në mënyrën se si sistemi imunitar i njerëzve modern reagon ndaj infeksioneve, siç është koronavirusi. Njerëzit jashtë Afrikës kanë 1-2% të gjeneve të Neandertalit.

Prof. Paabo bashkëpunon me Institutin Max Planck për Antropologjinë Evolucionare, në Leipzig, Gjermani, dhe Institutin e Shkencës dhe Teknologjisë Okinawa, në Okinawa, Japoni.

Çmimi për Mjekësi është i pari nga pesë Nobelët që do të jepet këtë javë, duke përfshirë Çmimin Nobel për Paqen të premten. Çmimi i Ekonomisë shpallet më 10 tetor. Është i vetmi çmim që nuk është krijuar nga shpikësi suedez Alfred Nobel.
Ceremonia zyrtare e çmimit Nobel do të mbahet në dhjetor në Stokholm.

voa

Sonda e NASA-s përplaset me sukses me astereoidin

Illustration of NASA's DART spacecraft prior to impact at the Didymos binary asteroid systemNASA përplasi me sukses një sondë në një astereoid, gjatë një prove të paprecedentë për të parë nëse është i mundur devijimi i kursit të një shkëmbi hapësinor. Përplasja galaktike ndodhi në një asteroid që ndodhet rreth 11 milionë kilometra larg Hënës.

 

Sonda “Dart” u përplas në shkëmbin e vogël hapësinor me një shpejtësi prej 22,530 kilometrash në orë. Shkencëtarët thonë se përplasja duhet të ketë krijuar një krater në astereoidin e goditur dhe një grumbull gurësh dhe pluhuri në hapësirën rreth tij.

Shkencëtarët shpresojnë që përplasja të ketë ndryshuar orbitën e asteroidit. NASA nuk do ta dijë për disa ditë ose javë se deri në çfarë mase sonda e saj ka ndryshuar kursin e asteroidit.

voa

A do të jetë mishi i prodhuar në laborator e ardhmja e ushqimit?

MISHPopullsia e botës po rritet, dhe bashkë me të, kërkesa globale për mish pule dhe prodhime deti. Në këto kushte disa kompani po shpresojnë të ofrojnë prodhime me bazë mishi të rritur në laborator me të njëjtën shije dhe cilësi si mishi i kafshëve. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Julie Taboh njofton.

Në pamje të parë ky salmon duket sikur është kapur në det, ose rritur në një rezervuar.

 

Në të vërtetë, ai është krijuar nga një grumbull qelizash salmoni dhe kultivuar në një laborator të kompanisë Wildtype në Kaliforni.

Kemi zbuluar një mënyrë për të përftuar qeliza salmoni, dhe e kombinojmë atë me një bazë bimore që ndihmon për t’i dhënë qelizave strukturën e duhur për disa nga mënyrat e njohura sesi gatuhet dhe serviret“, thotë Justin Kolbeck, bashkëthemelues i kompanisë Wildtype.

Synimi është që të plotësohen mungesat në furnizimet me salmon që janë në rënie të shpejtë, mes kërkesës në rritje.

Pra, ideja jonë ishte që të ofronim një alternativë tjetër për të lehtësuar trysninë ndaj peshkimit ose mbështetjes tek peshqit e rezervuarëve”, thotë zoti Kolbeck.

Ndërkohë, kompania Upside Foods po bën prova për shijen e mishit të pulës të kultivuar nga qelizat e pulës.

Ato duken dhe me sa duket shijojnë, ashtu siç duhet të shijojë pula.

Është mish i vërtetë, prodhuar drejtpërdrejt nga qelizat e kafshëve, kështu që nuk ke nevojë të rrisësh apo të vrasësh kafshë, por ndërkohë mund të vazhdosh të shijosh mishin e preferuar”, thotë Amy Chen, shefe operative e kompanisë Upside Foods.

Me rritjen e popullsisë së planetit, rritja e kërkesës për mish dhe ushqim deti po ndikon gjithashtu tek mjedisi.

Ndikimi i përgjithshëm i gazit serrë, konsumimi i tokës dhe ujit, për të mos folur për miliarda kafshë që theren çdo vit për nevojat tona për mish. Kështu që ne jemi të entuziasmuar që mishi i kultivuar ofron një alternativë më të mirë për njerëzit, që u jep atyre mishin që duan pa pasoja“, thotë zonja Chen.

Përveç ushqimeve të rritura në laborator, disa kompani po krijojnë alternativa me bazë bimore për ushqime tradicionale si vezë, dhe proshutë.

MyBacon është një alternative e shijshme për proshutën e derrit, e cila imiton strukturën dhe shijen që merr nga proshuta, por përdor rrënjë 100% të pastër kërpudhash për ta bërë këtë“, thotë për Zërin e Amerikës, Eben Bayer, shef ekzekutiv dhe bashkëthemelues i kompanisë MyForest Foods.

Ricardo San Martin, i cili drejton laboratorin e Mishrave Alternativë në universitetin UC Berkeley, thotë se hyrja masive e prodhimeve me bazë qelizash në treg mund të mos jetë një synim realist së shpejti.

Prodhimi masiv i qelizave për të prodhuar mish, mund të mos jetë i realizueshëm. Na duhet të dimë se sa e përballueshme do të jetë kjo. A do të jetë kjo një zgjidhje për të gjithë apo vetëm për elitën?

Kompanitë alternative të mishit e pranojnë se koncepti i tyre është ende në fazat e para.

Të paraqesim prodhimin e parë të shkëlqyeshëm të këtij lloji, që të mund të tregojë se çfarë është e mundur me këtë teknologji dhe më pas, të gjejmë çdo mënyrë të mundshme për ta zgjeruar dhe për ta bërë atë sa më të përballueshëm“, thotë zoti Kolbeck.

Është absolutisht një proces në zhvillim e sipër. Do të duhen vite që ne të zhvillojmë realisht infrastrukturën për të siguruar sa më shumë mish që do të duan njerëzit“, thotë zonja Chen.

Është një proces që po ecën ngadalë, por që një ditë mund të ndryshojë mënyrën se si ushqehet bota.

voa

Apple prezanton iPhone 14

Apple iPhone 14Kompania Apple prezantoi modelet e reja të iPhone 14, të aftë për të përdorur satelitët për të dërguar mesazhe urgjence dhe një orë Ultra të fokusuar në aventura për sporte si zhytja dhe triathlon.

 

“Siç mund ta shihni, iPhone 14 është më i madh dhe akoma më i madh është iPhone14+”

“Ne projektuam dhe ndërtuam komponentë të personalizuar dhe programe specifike në mënyrë që antenat e iPhone14 të mund të lidhen me frekuencat unike të satelitëve”.

Gjatë prezantimit – Apple tha se veçoria e saj e re satelitore SOS do t’i ndihmojë përdoruesit të dërgojnë dhe të marrin mesazhe me përgjigjen e parë edhe nëse nuk ka shërbim celular.

“Ne krijuam një algoritëm të personalizuar të tekstit të shkurtër për të zvogëluar madhësinë mesatare të mesazheve. Falë këtij algoritmi, mund të duhen më pak se 15 sekonda për të dërguar një mesazh nëse keni një pamje të qartë të qiellit”.

Aksionet e kompanisë Globalstar u rritën me 20% të mërkurën pasi njoftoi se do të jetë operatori satelitor për shërbimin emergjent SOS të Apple-it.

IPhone 14 gjithashtu vjen edhe me një kamerë të përmirësuar.

Por a do të dynden përdoruesit drejt modeleve të reja përballë inflacionit në rritje? iPhone 14 ka një çmim fillestar prej 799 dollarëshe dhe iPhone Plus 899 dollarë.

Tre stile të reja orësh u zbuluan gjithashtu, duke përfshirë Apple Watch Ultra të nivelit të lartë, që synon sportet ekstreme dhe zhytjet në skuba, me një çmim fillestar prej 799 dollarë.

Ndërsa privatësia mund të jetë një problem për disa, Apple thotë se nuk ka aftësinë për të deshifruar të dhënat shëndetësore të përdoruesve.

voa

Shkencëtarët, nuk ka një ngadalësim të mjaftueshëm të Covid-19

covid 19A PO ELIMINOHET KORONAVIRUSI?

Ju mund të mendoni se kjo po ndodh. Vaksinat e reja përforcuese po shpërndahen për të ofruar mbrojtje më të mirë kundër varianteve që qarkullojnë tani. Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve kanë hequr vetëizolimin dhe rekomandimet për distancim fizik për personat e infektuar me COVID-19. Më shumë njerëz kanë hequr dorë nga maskat dhe kanë rifilluar aktivitetet si në periudhën para pandemisë. Por, Covid-19 vazhdon të shkaktoj vdekjen e mbi 400 amerikanëve në ditë dhe mund të ndryshojë duke u bërë më i shkathët në përpjekjet për të shmangur imunitetin e krijuar nga vaksinat ose infeksionet e mëparshme.

Shkencëtarët thonë se koronavirusi nuk po eliminohet. Ata parashikojnë se Covid-19, që tashmë ka zgjatur më shumë se pandemia e gripit e vitit 1918, do të vazhdojë të jetë i pranishëm.

Një arsye që Covid-19 ka zgjatur kaq shumë është aftësia e tij për të shmangur imunitetin e fituar nga vaksinimi dhe infeksionet e mëparshme. Sipas shkencëtarëve, studimet e reja sugjerojnë se varianti më i fundit, Omicron, po fiton terren në Shtetet e Bashkuara. Rreth 8% e infeksioneve të reja në Shtetet e Bashkuara ishin me variantin BA.4.6 javën e kaluar. Ky variant është më i shkathët në shmangien e sistemit imunitar sesa varianti dominues BA.5.

Shkencëtarët shqetësohen se virusi mund të vazhdojë të evoluojë në mënyra shqetësuese.

 

SA DO TË ZGJASË PRANIA E TIJ?

Koordinatori i Shtëpisë së Bardhë për pandeminë e koronavirusit, Dr. Ashish Jha thotë se COVID-19 ka të ngjarë të jetë i pranishëm për gjithë jetën tonë.

Ekspertët presin që COVID-19 një ditë të bëhet endemik, pra të shfaqet rregullisht në zona të caktuara sipas modeleve të përcaktuara. Por ata nuk mendojnë se kjo do të ndodh shumë shpejt.

Megjithatë, jeta me COVID-19 “nuk duhet të jetë domosdoshmërisht një koncept i frikshëm ose i keq”, pasi njerëzit po përmirësohen në luftimin e tij, tha Dr. Jha gjatë një seance të fundit pyetje-përgjigjesh me senatorin amerikan Bernie Sanders. “Natyrisht nëse nuk tregohemi të kujdesshëm, nëse nuk vazhdojmë të pëmirësojmë vaksinat dhe trajtimet, atëherë mund të bëjmë hapa mbrapa”, tha ai.

Ekspertët thonë se COVID-19 do të vazhdojë të shkaktojë sëmundje serioze tek disa njerëz. Qendra e Modelimit të Skenareve të COVID-19 bëri disa parashikime për periudhën gusht 2022-maj 2023, duke marrë parasysh vaksinat e reja përforcuese që do të shtonin mbrojtjen për nënvarientet e variantit Omicron në vjeshtë dhe dimër. Sipas skenarit më pesimist, me një variant të ri dhe doza përforcuese të vaksinave, ata parashikuan 1.3 milionë shtrime në spital dhe 181,000 vdekje mes gushtit të vitit 2022 dhe majit të vitit 2023. Në skenarin më optimist, me asnjë variant të ri dhe doza përforcuese të disponueshme në një periudhë më të hershme, ata parashikuan rreth 700 mijë raste të shtrimeve në spital dhe 111,000 vdekje në të njejtën periudhë.

Eric Topol, kreu i organizatës “Scripps Research Translation Institute”, tha se bota ka të ngjarë të vazhdojë të shohë vale të përsëritura rritjesh të rasteve me Covid-19 derisa “të bëjmë gjërat që duhet të bëjmë”, si zhvillimi i vaksinave të gjeneratave të reja dhe shpërndarja e tyre në mënyrë të barabartë.

Zoti Topol thotë se virusi “thjesht ka shumë mënyra për të shmangur strategjitë tona aktuale të krijimit të imunitetit, dhe ai thjesht do të vazhdojë të infektojë njerëzit, dhe të shumëzohet”.

 

ÇFARË NDRYSHIME GJENETIKE MUND TË PËSOJË VIRUSI?

Shkencëtarët presin më shumë ndryshime gjenetike që prekin pjesën e proteinës që mbulon sipërfaqen e virusit, duke e lejuar atë të ngjitet mbi qelizat njerëzore.

“Sa herë që mendojmë se kemi parë kulmin e transmetimit, kulmin e veçorive të shmangies së sistemit imunitar, virusi e tejkalon atë me një nivel tjetër të madh”, thotë zoti Topol.

Por virusi ndoshta nuk do të vazhdojë të bëhet më i transmetueshëm përgjithmonë.

“Unë mendoj se ka një kufi”, thotë Matthew Binnicker, drejtor i virologjisë klinike në Klinikën Mayo në Roçester të Minesotës. “Megjithatë, ende po përballemi me shumë njerëz në mbarë botën që nuk kanë imunitet. Ata nuk janë infektuar me Covid-19 ose nuk kanë qasje tek vaksinat.”

Ndonëse shkencëtarët shpresojnë që numri i rasteve do të vazhdojë të bie, ata gjithashtu theksojnë se imuniteti gradualisht zbehet.

 

A DO TË KETË NJË VARIANT TJETËR TË NGJASHËM ME ATË TË OMICRONIT?

Omicroni ka qenë i pranishëm që nga fundi i vitit të kaluar, me një seri nënvariantesh me nivel të lartë transmetimi dhe zoti Binnicker beson se “kjo do të vazhdojë të paktën edhe për disa muaj të tjerë”.

Por, më vonë ka të ngjarë të shfaqet një variant i ri i ndryshëm nga omicroni.

Vala e fundit e infeksioneve dhe ri-infeksioneve, tha ai, “i jep virusit më shumë shanse për t’u përhapur dhe ndryshuar, dhe për të shfaqur variante të reja”.

voa

NASA do ta provojë sërish të shtunën të nisë raketën drejt Hënës

NasaNASA do të përpiqet përsëri të shtunën të nisë raketën e saj të re drejt Hënës në një fluturim provë, pasi problemet me motorin ndalën nisjen më herët këtë javë.

 

Drejtuesit thanë të martën se po ndryshojnë procedurat e furnizimit me karburant. Një sensor difektoz gjithashtu mund të jetë bërë shkak për braktisjen e lëshimit të së hënës, vunë në dukje ata.

Raketa 98 metra e gjatë – më e fuqishmja e ndërtuar ndonjëherë nga NASA – mbetet në platformën e saj në Qendrën Hapësinore Kennedy, me një kapsulë ekuipazhi të zbrazët.

Raketa “Space Launch System” do të përpiqet ta dërgojë kapsulën përreth Hënës dhe ta rikthejë në Tokë. Askush nuk do të jetë në bord, përveç tre manekinëve të provës. Nëse del me sukses, kjo do të jetë kapsula e parë që do të fluturojë në Hënë që nga koha e programit të NASA-s, “Apollo”, 50 vjet më parë.

Vazhdimi i punës për një nisje të shtunën do të sigurojë të dhëna të mëtejshme, edhe nëse problemi rishfaqet dhe numërimi mbrapsht ndalet përsëri, tha drejtuesi i programit të raketave të NASA-s, John Honeycutt. Kjo është më mirë “se të rrimë ndenjur duke kruajtur kokën, a ishte mjaftueshëm mirë apo jo”, tha ai.

“Bazuar tek ato çfarë kam dëgjuar nga ekipi teknik sot, ajo që duhet të bëjmë është të vazhdojmë të shqyrtojmë të dhënat dhe të përmirësojmë planin tonë të fluturimit”, tha ai.

Gjatë përpjekjes së nisjes që u bë ditën e hënë, parametrat treguan se një nga katër motorët kryesorë në fazën bazë të raketës nuk mund të ftohej mjaftueshëm përpara ndezjes së planifikuar për ngritjen. Edhe tre motorët e tjerë ishin pak më të ngrohtë se ç’duhej.

Të gjithë motorët duket se janë në rregull, tha zoti Honeycutt.

Operacioni ftohës do të kryhet gjysmë ore më herët për tentativën e nisjes të së shtunës pasdite, pasi të fillojë furnizimi me karburant atë mëngjes. Zoti Honeycutt tha se ky motor pati një kohë ftohjeje më të shkurtër gjatë provave të suksesshme vitin e kaluar dhe se ndoshta kryerja e procesit më herët mund të mjaftojë.

Zoti Honeycutt gjithashtu vuri në dyshim integritetin e një sensori të motorit, duke thënë se mund të kishte dhënë të hënën të dhëna të pasakta. Ndryshimi i këtij sensori, vuri në dukje ai, do të nënkuptonte tërheqjen e raketës përsëri në hangar, duke rezultuar në javë të tëra vonesash.

Ndërsa duhet të ishte realizuar vite më parë sipas planit, fluturimi provë me kosto prej 4.1 miliardë dollarësh është hapi i parë i programit të NASA-s për eksplorimin e Hënës. Programi është quajtur Artemis, sipas motrës binjake të Apollonit në mitologjinë greke. Astronautët mund të bëhen pjesë e udhëtimeve që në vitin 2024 për një xhiro rreth Hënës dhe në vitin 2025 për të tentuar një ulje në sipërfaqen e saj.

voa

Shtyhet nisja e raketës së NASA-s drejt Hënës

Moon NasaNjë problem me motorin e ka detyruar NASA-n të shtyjë lëshimin e raketës së re drejt hënës, në një fluturim prove pa ekuipazh. Një provë e dytë pritet të bëhet të premten.

 

Raketa e njohur ndryshe si “Space Launch System”, rreth 100 metra e lartë, kishte si mision të çonte një kapsulë në orbitë rreth Hënës.

Një nga drejtuesit e NASA-s, Jeremy Graeber tha se fillimisht inxhinerët kishin vërejtur rrjedhje dhe më pas kishte nisur puna për furnizimin me hidrogjen dhe oksigjen të lëngshëm të raketës.

“Space Launch System” është raketa më e fuqishme e ndërtuar ndonjëherë nga NASA, duke tejkaluar edhe “Saturn V” që çoi astronautët e misionit “Apollo” në Hënë.

Asnjë astronaut nuk ishte brenda kapsulës së raketës, të njohur ndryshe si “Orion”. Brenda kapsulës ishin vendosur disa aparatura që do të masnnin dridhjet, rrezatimin kozmik dhe kushte të tjera në fluturimin gjashtë-javor.

Më pas, në muajin tetor, kapsula do të rrëzohej në oqeanin Paqësor.

Ky do të jetë udhëtimi i parë i NASA-s drejt Hënës që prej një gjysmë shekulli dhe kostoja i kalon 4 miliardë dollarë. Kur të realizohet i gjithë programi i NASA-s për rikthimin e astronautëve në Hënë, në vitin 2025, kostoja do të ketë arritur në 96 miliardë dollarë.

voa