Kategoritë: Shkenca

Si u përgatit raketa e re që NASA do të nisë drejt Hënës

raketa nasaRaketa e NASA-s “Artemis 1″

Kur raketa e NASA-s “Artemis I” të niset për në hapësirë të hënën, më 29 gusht, ky do të jetë kurorëzimi i viteve të tëra të punës së qindra personave. Shumë prej tyre janë në pjesën jugore të Shteteve të Bashkuara, në disa objekte që u krijuan fillimisht nga NASA për projektimin dhe testimin e raketave të programit Apollo.

Raketa e re hënore e NASA-s bën javën e ardhshme nisjen e saj të parë për një provë pa astronautë në bord. Raketa rreth 100 metra e lartë do të përpiqet të dërgojë një kapsulë pa ekuipazh në një orbitë të largët të hënës. Nisja bëhet të hënën në mëngjes nga Qendra Hapësinore Kennedy në Florida.

Nëse çdo gjë shkon mirë, udhëtimet me astronautë mund të fillojnë që në vitin 2024.

Ky do të jetë udhëtimi i parë i NASA-s drejt Hënës që prej një gjysmë shekulli dhe kostoja i kalon 4 miliardë dollarë. Kur të realizohet i gjithë programi i NASA-s për rikthimin e astronautëve në Hënë, kostoja do të ketë arritur në 96 miliardë dollarë.

Do të jetë kurorëzimi i viteve të punës së qindra njerëzve.

“Kjo nuk ishte punë e një apo dy vetave. Këtu pati ekipe prej qindra njerëzish që u mblodhën së toku nga fusha të ndryshme, eksperienca të ndryshme që e mundësuan realizimin e kësaj së bashku”, thotë Nicholas Nugent, inxhinier projektimi në Qendrën Hapësinore “Stennis”.

Shumë prej tyre janë në pjesë jugore të Gjirit të Meksikës dhe punojnë të shpërndarë në disa objekte që NASA i ngriti fillimisht për misionin Apollo.

“Do të nisim raketën që ndërtuan këta njerëz. A nuk është kjo fantastike? Mund të thonë që ‘punova për këtë raketë’, dhe ata do të punojnë edhe për të dytën, të tretën, të katërtën dhe të pestën”, thotë Lonnie Dutreix, drejtor i objektit të NASA-s në Nju Orleans.

Mbi 50 vite më pas, misioni Apollo ende dallon si arritja më e madhe e NASA-s.

Duke përdorur teknologjinë e viteve 1960, pas vetëm tetë vitesh nga dërgimi i astronautit të parë Alan Shepard, NASA arriti të zbresë në Hënë edhe astronautët Neil Armstrong dhe Buzz Aldrin.

Ndërsa për të përgatitur raketën e re Artemis u desh të paktën mbi një dekadë punë, megjithë ekzistonte edhe eksperienca e krijuar nga një program eksplorues në Hënë, që u quajt Konstelacion, por që nuk zgjati shumë. 12 astronautë të misionit Apollo ecën në sipërfaqen e Hënës gjatë periudhës 1969-1972, me qëndrim jo më të gjatë se tre ditë për secilin.

Raketa e re Artemis është më e shkurtër dhe më e hollë se raketa që dërgoi gjithsej 24 astronautë drejt Hënës gjysmë shekulli më parë. Megjithatë ajo është më e fuqishme. Versionet e saj të ardhshme që do të quhen Sistemi i Nisjes në Hapësirë, do të jenë edhe më të mëdha.

Për të plotësuar stafin për raketën Artemis, NASA do të përzgjedhë ndër 42 astronautë, të cilët do të munden të qëndrojnë në Hënë për të paktën një javë.

Objektivi është krijimi i një pranie afatgjatë në Hënë, që do të përgatisë terrenin për dërgimin e njerëzve drejt Marsit.

voa

Transporti detar i rikthehet energjisë së prodhuar nga era

transporti detarBota varet nga anijet e mallrave për shpërndarjen e shumë prej produkteve të përdorimit të përditshëm.

 

Por sipas Organizatës Ndërkombëtare Detare, anijet djegin karburant në masë e lëshojnë rreth një miliard ton metrikë dioksid karboni në atmosferë çdo vit.

Me përforcimin e rregulloreve ndërkombëtare që synojnë të reduktojnë dioksidin e karbonit, disa kompani detare të transportit të mallrave po u rikthehen një burimi falas që prodhon energji, i cili dikur vinin në punë të gjitha mjetet lundruese: erës.

“Pothuajse çdo mjet lundrues mund të marrë një lloj shtytjeje nga era”, thotë Gavin Allwright, i “International Windship Association”

Gavin Allwright drejton një kompani, anëtarët e të cilës po ri-studiojnë mënyrat për ta përshtatur energjinë e përftuar nga era me shekullin e 21-të.

Anijet janë nga më të ndryshmet, nga ato me vela të përkulshme, tek ato me vela më të ngurta, si dhe anijet me kolona rrotulluese, të quajtura helikat rrotulluese “Flettner”.

Disa anije të reja po prodhohen që të përdorin tërësisht energjinë e prodhuar nga era, por kjo teknologji mund t’i instalohet edhe anijeve ekzistuese për të reduktuar një përqindje të karburantit që përdorin.

“Ata djegin qindra ton karburant në ditë. Nëse arrijmë të kursejmë 5 deri në 10 për qind (karburant) në një anije të madhe konteinerësh, kjo është një sasi shumë e madhe”, thotë Gavin Allwright, International Windship Association.

Velat “WISAMO”, të cilat mbushen me ajër, janë një produkt i kompanisë së gomave Michelin.

“Është shumë e thjeshtë. Është si të kesh dy butona: një për ta ndezur dhe fikur, e një për të orientuar direkun, në drejtimin e erës. Pra, në thelb, nuk ka asnjë ndikim tek ekuipazhi”, thotë Benoît Baisle Dailliez, përfaqësues i kompanisë Michelin.

Sistemi autonom përdor sensorë për të vlerësuar kushtet e erës dhe për të rregulluar velat.

“Kur arrini nën një urë, ose për të gjitha operacionet në port është shumë e lehtë për ta ulur velën”, thotë Benoît Baisle Dailliez.

Velat WISAMO janë vënë fillimisht në provë në një jaht, por kompania planifikon t’i instalojë këtë vit në një anije mallrash.

voa

Samsung prezanton modelet e reja të telefonave dhe orëve inteligjente

SamsungFirma Samsung ka prezantuar linjën e re të telefonave që palosen dhe orëve inteligjente. Modelet e reja ofrojnë përmirësime nga ana e efikasitetit si dhe elegancës. Telefonat që palosen, të prodhuar nga gjigandi jugkorean Samsung, së bashku me brezin e ri të orëve inteligjente tashmë kanë dalë në treg.

 

Modelet e telefonave Zflip4 dhe Fold4 kanë një menteshë të re dhe procesor më të fuqishëm. Linja e re ka përmirësuar disa të meta si karikimi i ngadaltë, jetëgjatësia e shkurtër e baterisë dhe kamera.

“Është një linjë e mirë sa i përket dy telefonave të saj të palosshëm. Modelet e reja dalin çdo dy vite. Firma Samsung vitin e kaluar i përmirësoi ndjeshëm këto dy modele. Telefonit më të madh që paloset, iu shtua përdorimi i lapsit elektronik. Këtë vit kemi një përparim më të vogël”, thotë Dominic Preston me faqen elektronike “Tech Advisor” e cila analizon pajisjet elektronike për konsumatorët.

Modeli Fold4 paloset vertikalisht, sikurse një libër, duke u tjetërsuar në një tablet kur hapet plotësisht. Telefoni nuk ka ndryshuar ekranin e përkulshëm me një gjatësi diagonale prej 20 centimetra, por ka përmirësuar raportin e pamjes.

Ky model do të jetë telefoni i parë inteligjent që do të përdorë programin operues Android 12L, një variant i modifikuar i Android 12. Ky sistem operimi i jep përdoruesit më shumë hapësirë veprimi, si rezultat i ekranit të madh, dhe shton një shirit në fund të ekranit çka ofron një mënyrë më të shpejtë për hapjen e aplikacioneve të preferuara.

Firma Samsung thotë se kjo është një veçori e re në ndihmë të përdoruesit. Modeli në fjalë ka sjellë përmirësime të mëdha edhe për të apasionuarit e fotografisë.

Firma Samsung po përdor kamerat e suksesshme nga modeli Galaxy S22. Ka përdorur pothuajse të njëjtën strukturë. Tre kamerat kanë qartësi tejet të lartë dhe lente që kapim imazhe në distanca të largëta.

Telefoni tjetër, Zflip4, paloset horizontalisht si një guaskë. Kjo veçori u ofron përdoruesve t’i bëjnë fotografi vetes nga distanca, pasi telefoni qëndron vetë, dhe kamera mund të aktivizohet me gjeste me dorë. Modeli i ri ka një përmirësim në bateri prej afro 3 orësh më shumë jetëgjatësi para se të karikohet përsëri.

Në rrafshin e orëve inteligjente, firma Samsung ka nxjerrë dy modelet e reja Watch5 dhe Watch5 Pro. Sikurse në rastin e telefonave, edhe orët nuk kanë përmirësime të mëdha.

“Samsung-u është përqendruar tek jetëgjatësia e baterisë, materialet me të qëndrueshme, ekrani më rezistent ndaj gërvishtjes dhe sistemi më i saktë i gjurmimit”, thotë zoti Preston.

Modelet e reja të telefonave dhe orëve intelgjente nga firma Samsung tashmë kanë dalë në treg.

voa

Përparim në rritjen e embrionit sintetik, por rritja e organeve njerëzore mbetet larg për t’u arritur

FILE - Qin Jinzhou deposits an embryo into a microplate after injecting it with Cas9 protein and PCSK9 sgRNAShkencëtarët e qelizave embrionale thonë se kanë krijuar për herë të parë “embrione sintetike” pa përdorur spermën, vezët apo fekondimin, por perspektiva e përdorimit të një teknike të tillë për rritjen e organeve njerëzore për transplantim mbetet e largët.
Lajmi u përshëndet si një hap i madh përpara, megjithëse disa ekspertë thanë se rezultati nuk mund të konsiderohet plotësisht si embrion dhe paralajmëruan për mundësinë e shkeljeve etike në të ardhmen.
Në hulumtimin e botuar këtë javë në revistën Cell, shkencëtarët në Institutin e Shkencës Weizmann në Izrael thanë se gjetën një mënyrë për t’i bërë qelizat embrionale të miut të vetë-bashkohen në struktura të ngjashme me embrionin në laborator.
Ata filluan duke mbledhur qeliza nga lëkura e minjve, dhe më pas i bënë ato të ktheheshin në gjendjen e qelizave embrionale.

Qelizat embrionale më pas u vendosën në një inkubator të posaçëm të krijuar nga studiuesit, i cili lëvizte vazhdimisht për të imituar barkun e nënës.
Shumica dërrmuese e qelizave nuk arritën të formonin asgjë.

Por 50 – 0.5 përqind e 10,000 qelizave në total – u mblodhën në sfera, e më pas në struktura të ngjashme me embrionin, thanë studiuesit.

Pas tetë ditësh – rreth një e treta e periudhës 20-ditore të shtatzënisë së miut – kishte shenja të hershme të trurit dhe rrahjes së zemrës, shtuan studiuesit.
Ato u përshkruan si 95% të ngjashëm me embrionet normale të miut.

 

‘Koha do ta tregojë’
Nëse organet e njeriut mund të rriteshin një ditë në laborator, teknika mund të sigurojë transplante që do të mund t’u shpëtonin jetën mijëra njerëzve çdo vit.

Shkencëtari i qelizave embrionale Jacob Hanna, i cili udhëhoqi hulumtimin, i tha agjencisë AFP se “Problemi i madh me transplantimin është se duhet të gjesh një donator me të cilin të përputhen parametrat dhe ADN-ja nuk është kurrë identike me pacientin”.
Por duke përdorur teknikën e re, një ditë shkencëtarët mund të marrin qeliza nga mëlçia e një pacienti, për shembull, dhe t’i përdorin ato për të krijuar qeliza embrionale, për të rritur një embrion sintetik dhe pastaj “i transplanton ato përsëri te pacienti”, tha shkencëtari Hanna.

“Qeliza do të krijohet nga pacienti, kështu që do të jetë ADN-ja e njëjtë – pa patur nevojë për të gjetur donatorë dhe organizmi nuk do të ketë refuzim,” shtoi ai.

Ndërsa ato janë strukturat më të avancuara sintetike të ngjashme me embrionet e rritura ndonjëherë, disa shkencëtarë që nuk u përfshinë në kërkim paralajmëruan që të mos i quanin ato “embrione”.
“Këto nuk janë embrione,” tha për AFP-në shkencëtari francez i qelizave embrionale Laurent David.
Ai preferoi t’i quante ato embrioide, emërtimi për një grup qelizash që i ngjajnë embrionit.
Megjithatë, zoti David mirëpriti hulumtimin “shumë bindës”, për të cilin ai tha se mund të lejojë eksperimente të mëtejshme për të kuptuar saktësisht se si formohen organet.
Përveç organeve, shkencëtari Hanna tha se embrioidet mund të ndihmojnë gjithashtu në identifikimin e objektivave të rinj për barnat dhe potencialisht të ndihmojnë në gjetjen e zgjidhjeve për një sërë çështjesh si humbja e shtatzënisë, infertiliteti, endometrioza dhe preeklampsia.
“Koha do ta tregojë”, tha ai.

Hanna, një palestinez që drejtoi kërkimin në institutin në Izrael, tha: “Shkenca është largimi im nga realiteti i ashpër me të cilin përballem ndërsa jetoj në atdheun tim.”
“Dhe unë jam një nga ata me shumë ‘fat’”, shtoi ai.
Autori i studimit është një student i doktoraturës nga territori palestinez i Gazës, që ka nevojë për një leje speciale që rinovohet rregullisht për ta lejuar atë të punojë në institutin në qytetin izraelit të Rehovotit.

 

Implikimet etike

Jacob Hanna ka themeluar kompaninë, Renewal Bio, për të cilën tha se “do të përqëndrohet në testimin e aplikacioneve të mundshme klinike të embrioneve sintetike njerëzore”.
Ai tha se ata kishin miratimin për një testim të tillë në Izrael dhe se ai ishte i ligjshëm në shumë vende të tjera si SHBA dhe Britani.
“Duhet të kujtojmë se embrionet sintetike janë embrioide dhe jo embrione reale dhe nuk kanë potencial për t’u bërë të zbatueshme,” tha ai.
Por studiuesit që nuk u përfshinë në studim thanë se ishte shumë herët për të konsideruar përdorimin e një teknike të tillë për njerëzit.
Alfonso Martinez Arias i Universitetit Pompeu Fabra të Spanjës tha se zbulimi “hap derën për studime të ngjashme me qelizat njerëzore, megjithëse ka shumë pengesa rregullatore për të kaluar në fillim dhe, nga pikëpamja e eksperimenteve, ato të kryera tek sistemet njerëzore mbeten prapa atyre të kryera tek minjtë”.

Synimi për të marrë rezultate të ngjashme nga qelizat njerëzore ka të ngjarë të hapë një debat të ashpër etike.

“Megjithëse perspektiva e embrioneve sintetike njerëzore është ende e largët, do të jetë thelbësore të përfshihemi në diskutime më të gjera rreth ndërlikimeve ligjore dhe etike të një kërkimi të tillë,” tha James Briscoe nga Instituti britanik Francis Crick.

voa

Japoni, prodhimi i betonit nga mbetjet ushqimore

BetonBetoni është një material ndërtimi jetik, por prodhimi i tij çliron gazra të dëmshëm serrë. Tani, studiuesit japonezë thonë se kanë gjetur një mënyrë alternative të prodhimit të tij nga mbetjet ushqimore. Japonia ka një problem të madh me mbetjet ushqimore, kështu që “çimentoja alternative” mund të jetë një zgjidhje e dobishme. Megjithatë, ka pengesa që duhen kapërcyer sepse substanca e re nuk është e papërshkueshme nga uji dhe mund të dëmtohet nga brejtësit dhe insektet.

 

Në laboratorin e Universitetit të Tokios, studiuesit kanë një ide që mund të zgjidhë disa probleme. Njëra prej tyre është prodhimi i betonit nga materiale që nuk i shkaktojnë dëm mjedisit përmes çlirimit të karbonit.

Studiuesit Kota Machida dhe Yuya Sakai po zhvillojnë një teknologji për të transformuar mbetjet ushqimore në beton që është miqësor ndaj mjedisit.

“Betoni ka një ndikim të madh negativ mbi mjedisin sepse prodhimi i tij çliron dioksid karboni. Gjithashtu, materialet parësore për betonin, si guri gëlqeror, janë duke u pakësuar në mbarë botën. Doja të krijoja disa materiale që mund ta zëvendësojnë betonin dhe e nisa këtë studim”, thotë zoti Sakai.

Sipas organizatës studimore Chatham House dhe një studimi të publikuar në revistën shkencore, “Nature”, prodhimi i çimentos shkakton rreth tetë për qind të nivelit të përgjithshëm të çlirimit të dioksidit të karbonit në botë.

Studiuesit shpresojnë të ndihmojnë në reduktimin e ngrohjes globale, duke lehtësuar problemet që lidhen me materialet ushqimore të hedhura që lëshojnë metan kur kalben.

Procesi me tre hapa i tharjes, thërrmimit dhe ngjeshjes u krye duke përdorur përzierës dhe kompresorë të thjeshtë që mund të blihen në internet.

“Pastaj, fillova të përdorja materiale të tjera me bazë bimore, si gjethet e çajit. Ky ishte një proces i suksesshëm, kështu që vendosëm ta zgjeronim provën tonë me mbetje perimesh që gjithashtu rezultoi të jetë i suksesshëm”, thotë studiuesi Sakai.

Profesor Sakai dhe studenti i tij Machida vendosën të përqëndrojnë studimin e tyre tek mbetjet ushqimore.

Ky proces ishte i ndërlikuar. Pas muajsh dështimi, studiuesit mësuan se mund ta ngjisnin betonin duke ndryshuar nivelin e temperaturës dhe atë të presionit.

“Qëllimi ynë përfundimtar është që kjo çimento të zëvendësojë produktet e plastikës dhe çimentos tradicionale, pasi është më miqësor ndaj mjedisit. Në procesin e prodhimit, plastika kërkon naftë bruto. Procesi i tanishëm i prodhimit të betonit çliron sasi të madhe të dioksidit të karbonit në atmosferë. Një tipar veçanërisht tërheqës i këtij materiali është se ai mund të ripërdoret pafundësisht. Ne synojmë që ta bëjmë çimenton e prodhuar nga mbetjet ushqimore një produkt të riciklueshëm”, thotë studiuesi Machida.

Studiuesit Sakai dhe Machida thonë se kanë prodhuar me sukses çimento duke përdorur gjethe çaji, lëvore portokalli, qepë, llum kafeje, lakër, madje edhe mbetje të pakove ushqimore.

Studiuesit thonë se betoni mund të bëhet i papërshkueshëm nga uji dhe mund të mbrohet nga brejtësit dhe insektet përmes lyerjes me llak japonez.

Mbetjet ushqimore janë një problem i madh në Japoni dhe në mbarë botën.

Japonia prodhoi rreth 5.7 milionë tonë mbetje ushqimore në vitin 2019, qeveria e vendit synon ta reduktojë atë në rreth 2.7 milionë tonë deri në vitin 2030.

Betoni i prodhuar me mbetje ushqimore mund të ripërdoret dhe mund të tretet biologjikisht, kështu që ai mund të groposet kur nuk është më i nevojshëm.

voa

Presidenti Biden do të nënshkruajë ligjin për teknologjinë dhe shkencën

BidenMikroprocesorët nevojiten për të prodhuar gjithçka, nga automjetet tek pajisjet elektronike. Në vitet 1990, Shtetet e Bashkuara kryesonin tregun global, por tani renditen pas Kinës e cila zotëron 24% të tregut, e pasuar nga Tajvani, Koreja e Jugut dhe Japonia, sipas shoqatës së mikroprocesorëve.

 

Presidenti Biden dëshiron të ndryshojë këtë tablo.

 

„Ky projektligj e bën të qartë se risia kryesore në botë do të ndodhë në Amerikë. Inovacionet dhe prodhimi do të ndodhin në Amerikë”, tha Presidenti Biden.

Pas miratimit nga Kongresi të projektligjit për prodhimin e mikroprocesorëve, Presidenti Biden bisedoi në rrugë virtuale me guvernatoren e Miçiganit Gretchen Whitmer, shteti i së cilës është një qendër kryesore e industrisë së automobilëve, e goditur rëndë nga mungesa e mikroprocesorëve.

“Projektligji nënkupton fabrika që gumëzhijnë dhe kosto më të ulët për pajisje elektronike, mjekësore, bujqësore dhe makinat për familjet”, tha guvernatorja Whitmer.

Legjislacioni prej 280 miliardë dollarësh përfshin 52 miliardë dollarë për të nxitur hulumtimet dhe prodhimin në vend të mikroprocesorëve, thotë për Zërin e Amerikës Bonnie Glick, drejtoreshë e Institutit Krach për Diplomaci Teknike në Universitetin Purdue.

“Gjërat që nuk prodhohen në vend, për shkak të kostos ose nëse vendet aleate e bëjnë më mirë, ne mund të krijojmë aleanca për manifakturën dhe ta mbështesim atë”.

Administrata amerikane ka shfrytëzuar partneritetet me Korenë e Jugut dhe Japoninë, vende që Presidenti Biden i vizitoi në maj. Në Seul ai vizitoi fabrikën e procesorëve të firmës Samsung. Një fabrikë e ngjashme prej 17 miliardë dollarësh po ndërtohet në Shtetet e Bashkuara nga firma Samsung.

Shtetet e Bashkuara dhe Japonia po krijojnë një qendër të përbashkët kërkimore të prodhimin e procesorëve deri në vitin 2025.

Zëri i Amerikës bisedoi me zotin Volker J. Sorger, drejtor i Laboratorit të Pajisjeve dhe Sistemeve Inteligjente në Universitetin George Washington.

“Strategjia e Uashingtonit ka qenë mjaft e qartë, fitorja e autonomisë dhe eliminimi i varësisë politike nga zinxhiri i furnizimit global”.

Por qendra e rivalitetit teknologjik SHBA-Kinë qëndron në Tajvan, një ishull i vetëqeverisur për të cilin Pekini pretendon se është provincë e shkëputur nga Kina. Tajvaneze

Firma tajvaneze TMSC prodhon 92% të mikropocesorëve më të avancuar në botë. Një konflikt në Tajvan do të kishte pasoja katastrofike në tregun global.

Aksionet e firmës TMSC ranë gati 3% të martën ndërsa Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Nancy Pelosi shkoi në Taipei në një vizitë që ajo tha se tregon solidaritetin amerikan, duke sfiduar paralajmërimet e ashpra të Kinës.

Në prag të vizitës së saj, Pekini publikoi një video të manovrave ushtarake me sloganin: “Varrosni të gjithë armiqtë që guxojnë të pushtojnë”.

voa

Gjurmuesi i lëngshëm në trajtimin e kancerit të gjirit

gjurmues kanceriTeknologjia e re që ndihmon për të zbuluar nëse një tumor është përhapur tek pacientët me kancer gjiri, mund të ndihmojë në transformimin e trajtimit të këtij kanceri, duke eliminuar nevojën për trajtimin me rreze dhe kimioterapi në disa raste.

 

Teknologjia gjithashtu nënkupton se kirurgët që heqin qelizat kancerogjene kanë më pak gjasa të heqin indet e shëndetshme.

Në shkurt të këtij viti Anita Harding u diagnostikua me kancer në gji.

Ajo u zbulua në një kontroll rutinë në një klinikë të gjirit, në një takim që ishte një vit me vonesë.

Takimi i saj i mëparshëm ishte anuluar për shkak të pandemisë.

Harding mendon se shtyrja ishte me fat. Ajo beson se mjekët mund të mos e kishin diktuar kancerin më herët sepse ishte shumë i vogël.

Mjekët e kapën tumorin herët, ishte vetëm milimetra i gjerë.

Megjithëse humbi burrin nga kanceri i ezofagut një vit më parë, Harding thotë se nuk ndihej tepër e shqetësuar.

Ajo thotë se mjekët në Spitalin Saint Georges në Londër shpjeguan se si do të vazhdonte operacioni duke përdorur një teknologji të re gjurmimi.

Unë kam një prerje rreth 5 cm ku ishte kanceri dhe më pas një prerje pak më të gjatë ku nyjet limfatike u kontrolluan për të parë nëse kanceri ishte përhapur. Plagët u shëruan shumë shpejt, vërtet nuk ishin problem fare. Dy ose tre javë pothuajse nuk mund t’i dalloje më“, thotë zonja Harding.

Ajo thotë se shërimi i saj ka qenë i shpejtë dhe pa efekte anësore.

Ishte e çuditshme sepse nuk kam bërë kurrë një operacion më parë. Nuk kam pasur asgjë problem mjekësor më parë. Me të vërtetë kam qenë shumë me fat. Kështu që ishte mjaft interesante për të parë se si funksionoi gjithçka,” thotë zonja Harding.

Ajo kaloi një procedurë të ngjashme me këtë pacient të paidentifikuar në këtë sallë operacioni.

Spitali po përdor një sistem të tërë të quajtur Endomag.

Tumori i gjirit hiqet me operacion, radioterapi, kimioterapi ose ndoshta një kombinim terapish.

Më pas është thelbësore që mjekët të kontrollojnë nëse kanceri është trajtuar ose nëse është përhapur.

Ata e bëjnë këtë duke i injektuar një pacienti Magtrace, një gjurmues i lëngshëm magnetik që përmban hekur.

Magtrace vepron si një shënues magnetik dhe një ngjyrues vizual dhe pasi injektohet në indin rreth një tumori, grimcat në të përthithen në sistemin limfatik.

Grimcat ndjekin të njëjtën rrugë të ndjekur nga qelizat e kancerit të cilat mund të përhapen nga tumori primar në nyjet limfatike.

Ai vepron si një udhërrëthyes, duke i udhëhequr kirurgët drejt nyjeve limfatike që kanë më shumë gjasa të sulmohen nga kanceri.

Nyje të veçanta të quajtura nyje sentinel janë në gjendje të identifikojnë nëse tumori ka lëshuar metastaza.

Gjendrat limfatike janë të lidhura me nyjet të cilat filtrojnë substancat e dëmshme nga trupi ynë.

Brenda nyjeve janë qelizat e bardha të gjakut të cilat veprojnë si një pjesë e rëndësishme e sistemit tonë imunitar.

Ato sulmojnë dhe shpërbëjnë bakteret, viruset, qelizat e dëmtuara ose qelizat e kancerit.

Lëngu nga këto gjëndra sjell mbetje në qarkullimin e gjakut dhe përfundimisht ato kalojnë përmes mëlçisë ose veshkave dhe largohen si mbeturina

Përpara se kjo procedurë të bëhej më e përdorur, kirurgët duhej të hiqnin të gjithë sistemin limfatik të një gruaje me efekte anësore potencialisht të rënda, siç shpjegon kirurgja Sarah Tang.

Përpara se të bënim biopsi të nyjeve sentinel, ishte procedurë standarde të hiqeshin të gjitha nyjet limfatike dhe kjo i linte pacientët me efekte anësore potencialisht mjaft serioze. Pra, një e çarë më e madhe, më shumë dhimbje, mpirje të shpatullave. Disa pacientë mund të zhvillonin limfademë, e cila është enjtje e të gjithë krahut, dhe kjo mund të ndikojë vërtet në cilësinë e jetës. Pra, hyrja e biopsisë së nyjeve sentinel ishte me të vërtetë revolucionarizuese për kirurgjinë e gjirit, sepse do të thotë që duhet vetëm të kontrollojmë disa nyje limfatike dhe nëse ato janë normale, nuk ka pse të heqim të gjitha nyjet limfatike nën sqetull, që do të thotë më pak dhimbje, shërim më të shpejtë dhe mundësi më të ulëta për limfademë”, thotë ajo.

Kirurgia Tang thotë se ky informacion është shumë i rëndësishëm, sepse tregon nëse një kancer është shumë i hershëm, vetëm në gji apo pak më i avancuar sepse ka shkuar në sqetull dhe ky informacion ndihmon për prognozën e pacientit në të ardhmen, mbijetesën dhe nëse ata kanë nevojë për trajtim të mëtejshëm si kimioterapia apo radioterapia.

Përparimi më i madh i këtij gjurmuesi është se eliminon nevojën për mjekësi bërthamore.

Deri tani mjekët përdornin gjurmues radioaktivë me ngjyrë blu për të gjetur nyjet limfatike.

Sipas kirurges Tang, boja blu mund të shkaktojë anafilaksi dhe nuk mund të përdoret për pacientët e pambrojtur, siç janë gratë shtatzëna.

Gjurmuesit radioaktivë mund të përdoren vetëm në spitale me njësi speciale të mjekësisë bërthamore.

Kjo e bën trajtimin të shtrenjtë dhe ka pak qendra të tilla, shumica janë të vendosura në spitalet më të mëdha.

Ajo thotë se “një nga përfitimet e Magtrace është se nuk është radioaktiv, është një lëng inert.

Në thelb është hekur i lëngshëm, kështu që mund të ruhet për një kohë të gjatë, dhe pa probleme. Pra, ndryshe nga radioaktiviteti, ai nuk ka nevojë për ndonjë pajisje të veçantë.”

Kjo do të thotë që pacientëve mund t’u jepet një injeksion shumë përpara operacionit të tyre dhe mjekët mund të planifikojnë operacionin në mënyrë më efikase.

Duke mbajtur një shishe me lëngun Magtrace dhe sondën Sentimag, kirurgia Tang tregon se si lëngu gjurmues dhe makina skanuese funksionojnë së bashku.

Ndërsa afrohen, makina Sentimag lëshon një zhurmë të mprehtë dhe vlera numerike në monitorin e saj rritet me shpejtësi.

Megjithëse përbërësit e lëngut nuk janë të rrallë dhe të vështirë për t’u marrë, prodhimi i tij nuk është i thjeshtë thotë drejtori ekzekutiv i kompanisë Endomag, Eric Mayes.

Materiali në vetvete nuk është veçanërisht i shtrenjtë, por është shumë i ndërlikuar për t’u prodhuar dhe gjithashtu, ai injektohet në trup, dhe duhet të jetë shumë steril, duhet të kalojë nëpër një proces shumë të sofistikuar prodhimi. Megjithatë, gjëja e rëndësishme në lidhje me materialin është se ai mund të qëndrojë në raft, për vite përpara se të përdornet dhe kështu, mund të transportohet kudo” shpjegon Mayes.

Sistemi Endomag po përdoret në spitale në 43 vende të botës.

Është miratuar tashmë për përdorim në BE dhe është miratuar nga rregullatori amerikan, Administrata e Ushqimit dhe Barnave.

Zoti Mayes thotë se sistemi Endomag po përdoret në spitale në 43 vende të botës.

tashmë është duke u përdorur nga disa kirurgë për të gjurmuar përhapjen e tumoreve në sistemet e tjera limfatike të trupit.

Një vendim përfundimtar nëse sistemi është me kosto efektive për përdorim në Shërbimin Shëndetësor Kombëtar pritet në tetor.

Kompania thotë se teknologjia mund të zbusë gjithashtu mbështetjen në gjurmuesit e izotopëve radioaktivë të dërguar nga jashtë Britanisë së Madhe.

voa

Tërheqja e Rusisë nga Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës

Stacioni hapsinorRusia do të tërhiqet nga Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës pas vitit 2024 dhe do të përqëndrohet në ndërtimin e stacionit së saj orbitale.

 

Njoftimi vjen mes tensioneve në rritje midis Rusisë dhe Perëndimit lidhur me operacionin ushtarak të Kremlinit në Ukrainë.

Megjithë përçarjen, agjencia amerikane NASA dhe ajo ruse Roscosmos bënë një marrëveshje në fillim të këtij muaji që astronautët të vazhdojnë të përdorin anijet ruse dhe që kozmonautët rusë të arrijnë në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor me anijen SpaceX duke filluar nga kjo vjeshtë.

Bashkëpunimi amerikano-rus në bordin e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës do të përfundojë pas vitit 2024.

Rusia do të tërhiqet nga Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor pas vitit 2024 dhe do të përqendrohet në ndërtimin e stacionit së saj orbitale, tha të martën (26 korrik) shefi i sapoemëruar i hapësirës ruse.

Yuri Borisov, i cili u emërua në fillim të këtij muaji për të udhëhequr korporatën hapësinore Roscosmos të kontrolluar nga shteti, tha gjatë një takimi me presidentin Vladimir Putin se Rusia do të përmbushë detyrimet e saj ndaj partnerëve të tjerë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës përpara se të largohet nga projekti.

Deklarata e zotit Borisov rikonfirmoi deklaratat e mëparshme të zyrtarëve rusë të hapësirës për synimin e Moskës për të hequr dorë nga stacioni hapësinor pas vitit 2024.

Njoftimi vjen mes tensioneve në rritje midis Rusisë dhe Perëndimit lidhur me veprimet ushtarake të Kremlinit në Ukrainë.

NASA dhe Roscosmos ranë dakord në fillim të këtij muaji që astronautët amerikanë të vazhdojnë të udhëtojnë me raketa ruse dhe që kozmonautët rusë të përdorin anijet SpaceX për në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës duke filluar nga kjo vjeshtë.

Sipas NASA-s dhe zyrtarëve rusë, marrëveshja siguron që stacioni hapësinor të ketë gjithmonë të paktën një amerikan dhe një rus në bord për të siguruar funksionimin pa probleme të dy sektorëve të stacionit hapësinor.

Marrëveshja kishte kohë që negociohej dhe u finalizua pavarësisht fërkimeve mbi Ukrainën si shenjë e vazhdimit të bashkëpunimit amerikano-rus në hapësirë.

Pas rivalitetit intensiv gjatë ditëve të para të eksplorimit të hapësirës në vitet 1950 dhe 60, marrëdhënia midis Bashkimit Sovjetik dhe SHBA-së u përmirësua ngadalë duke çuar në misionin e parë të përbashkët në vitin 1975.

Të nisur në dy fluturime të veçanta – me anijen Apollo dhe Soyuz – astronauti Tom Stafford dhe kozmonauti Alexei Leonov ankoruan anijet e tyre kozmike së bashku dhe shtrënguan duart.

Një gjest simbolik që shënoi përfundimin e mirë të garës hapësinore dhe fillimin e një periudhe bashkëpunimi.

Dhe një nga pikat e para në rendin e ditës ishte krijimi i Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS).

Stacioni hapësinor, një partneritet ndërkombëtar i pesë agjencive hapësinore nga 15 vende, duke përfshirë Kanadanë, disa vende në Evropë, Japoni, Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara, u nis në vitin 1998 dhe u shndërrua në një kompleks që është pothuajse i gjatë sa një fushë futbolli, me 13 kilometra instalime elektrike, një hektar panele diellore dhe tre laboratorë të teknologjisë së lartë.

Më 20 nëntor të vitit 1998, një raketë përforcuese ruse Proton çoi në orbitë pjesën e parë të stacionit ndërkombëtar, duke paralajmëruar fillimin e një epoke të re në kolonizimin ndërkombëtar të hapësirës.

Ky projekt çoi në një epokë të re bashkëpunimi midis ish-rivalëve të garës hapësinore.

Deri në vitin 2008, ishin duke u vendosur komponentët përfundimtarë, që përfshinë një laborator gjigant japonez miliarda dollarësh.

Astronautët, duke punuar nga brenda, përdorën krahun robotik të stacionit për të tërhequr laboratorin nga anija dhe për ta ankoruar atë në stacion.

Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës ishte shtëpi dhe vendi i punës për kozmonautin Mikhail Kornienko dy herë në dekadën e fundit, fillimisht në vitin 2010 dhe më pas një periudhë prej 340 ditësh së bashku me astronautin amerikan Scott Kelly.

Në kohën kur kapsula me Kelly-n dhe Korinenkon u ul në Kazakistan, çifti kishte udhëtuar 144 milionë milje nëpër hapësirë, kishte rrotulluar botën 5,440 herë dhe kishte përjetuar 10,880 lindje dhe perëndim të diellit në hapësirë.

Agjencia Evropiane e Hapësirës ka konfirmuar se është duke pezulluar pafundësisht misionin e saj rover ExoMars me Roscosmos për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë.

Më 18 mars, tre kozmonautë rusë mbërritën në stacion të veshur me kostume fluturimi me ngjyrë të verdha dhe blu, ngjyrat e flamurit ukrainas.

Kozmonauti Oleg Artemyev tha se çdo ekuipazh zgjedh ngjyrën e kostumeve të fluturimit rreth gjashtë muaj përpara nisjes, sepse ato duhet të qepen individualisht.

Dhe duke qenë se të tre ishin të diplomuar në Universitetin Teknik Shtetëror Bauman të Moskës, ata zgjodhën ngjyrat e universitetit të tyre prestigjioz.

NASA dëshiron të mbajë stacionin hapësinor në funksionim deri në vitin 2030, ashtu si edhe agjencitë hapësinore evropiane, japoneze dhe kanadeze.

SHBA dhe Rusia kanë qënë operatorët kryesorë të stacionit orbital për 21 vjet.

Derisa anijet e kompanisë SpaceX filluan të transportonin astronautët në vitin 2020, amerikanët rregullisht bënin udhëtime me kapsulat ruse Soyuz duke paguar dhjetëra miliona dollarë për çdo vend.

voa

Kompania e energjisë diellore synon uljen e varësisë nga gazi rus

energjia dielloreSipas një eksperti të energjisë në Berlin, Gjermania mund të përballet me një krizë energjetike këtë dimër, nëse furnizimet me gaz nga Rusia pakësohen më tej, ose shkurtohen tërësisht.
Në të njëjtën kohë, një sipërmarrëse ukrainase ka krijuar panele diellore që mund të instalohen në çdo ballkon, për të cilat ajo thotë se mund të ndihmojnë në pakësimin e varësisë nga energjia ruse.

Gazi natyror është burimi kryesor i energjisë në Gjermani. Sipas departamentit gjerman të energjisë, rreth gjysma e familjeve përdorin gaz për ngrohje, dhe disa industri të mëdha janë plotësisht të varura nga gazi.

Një pjesë e madhe e gazit ende vjen nga Rusia. Por kjo mund të ndryshojë. Ka patur një ulje të furnizimeve me gaz që shpërndahet përmes gazsjellësit Nord Stream 1 – burimi kryesor i gazit rus në Gjermani.

Gazsjellësi është planifikuar të jetë jashtë funksionit deri më 21 korrik për riparime rutinë që operatori thotë se përfshin “testimin e elementeve mekanike dhe sistemeve të automatizimit”.

Zyrtarët gjermanë dyshojnë tek qëllimet e Rusisë, veçanërisht pasi Gazpromi muajin e kaluar uli fluksin e gazit me 60%. Politikanët gjermanë kanë hedhur poshtë shpjegimin teknik të Rusisë për reduktimin e muajit të kaluar, duke thënë se vendimi ishte një lojë politike për të mbjellë pasiguri dhe për të rritur çmimet.

Të gjithë janë të shqetësuar për këtë. Është e qartë se fillimisht ata nuk do të dërgojnë më gaz. Por kur të përfundojë periudha e mirëmbajtjes, atëherë duhet ta kthejnë rrjedhën e gazit në 40 për qind të kapacitetit të plotë. Por çfarë ndodh nëse nuk e bëjnë këtë? Problemi me gazin bëhet vërtet i madh. Dhe atëherë ne kemi edhe më pak shanse për ta kaluar dimrin“, thotë Fabian Huneke, ekspert i firmës “Energy Brainpool”, një kompani e analizave të energjisë me qendër në Berlin.

Nëse gazsjellësi mbyllet, çmimet e energjisë në Gjermani ka shumë të ngjarë të rriten.

Një sipërmarrëse ukrainase me bazë në Berlin mendon se produkti i saj mund të ndihmojë.

Karolina Attspodina themeloi kompaninë “WeDoSolar” vitin e kaluar – përpara se të fillonte sulmi rus në Ukrainë. Kompania prodhon panele diellore që veprojnë si një mburojë privatësie në ballkon, por gjithashtu prodhojnë energji.

Në ballkone ka shumë panele që pothuajse nuk shfrytëzohen. Përmes paneleve diellore ne mund të prodhojmë më shumë energji nga ballkonet. Energji të vlefshme për mjedisin“, thotë zonja Attspodina.

Karolina Attspodina filloi të prodhojë panelet në fillim të këtij viti dhe thotë se të gjitha janë shitur.

Kompleti i plotë për ballkon kushton 1299 euro dhe lidhen direkt në rrjetin elektrik të banesës.
Zonja Attspodina thotë panelet ulin me rreth 25 për qind faturën e energjisë elektrike.

Pasi filloi sulmi rus në Ukrainë, ajo thotë se kompania e saj mori një rol të ri.

Që kur filloi lufta në Ukrainë, ka qenë një mision shumë i madh për mua që të ulë varësinë nga gazi dhe nafta ruse. Jo vetëm në Gjermani, por në përgjithësi në të gjitha vendet. Thjesht dua pavarësi, pavarësi energjetike për njerëzit dhe të sigurohemi që të mos financojmë luftëra“.

Në Gjermani, rreth 21 për qind e energjisë vjen nga gazi.
Qeveria ka vendosur tashmë të vërë përsëri në punë disa centrale me qymyr për të ulur përdorimin e gazit.
Që nga fillimi i luftës në Ukrainë më 24 shkurt, Gjermania ka pasur njëfarë suksesi në uljen e varësisë nga energjia ruse.
Por është një proces i ngadaltë, thotë analisti Huneke, që ka të ngjarë të marrë vite.

Nuk është aq e lehtë pasi çdo gjë varet nga infrastruktura, tubacionet e gazit, terminalet e gazit të lëngshëm, sasitë që mund të prodhohen në vendet nga vjen. Këto janë të gjitha procese të ngadalta dhe kërkon kohë për të ndërtuar këtë infrastrukturë. Thjesht nuk mund ta ndryshosh shumë shpejt“.

Qeveria gjermane ka vendosur tashmë të kthejë në punë disa centrale me qymyr për të ulur përdorimin e gazit.

voa

Çfarë tregojnë imazhet mahnitëse të teleskopit hapësinor James Webb

teleskopi hapsinor James WebbPartneriteti ndërkombëtar që qëndron pas teleskopit hapësinor James Webb po shijon triumfin pas një jave publikimi të imazheve mahnitëse të universit tonë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Arash Arabasadi, na sjell më shumë hollësi.

Kjo javë filloi me imazhe mahnitëse nga teleskopi hapësinor James Webb. Ato janë, deri më sot, imazhet më të gjalla dhe më të qarta të universit. Webb përdor teknologjinë infra të kuqe për të shtuar ngjyrat duke përdorur filtra për të krijuar imazhe verbuese që sytë tanë të zhveshur nuk mund t’i shohin. Atë që paraardhësit të tij, teleskopit Hubble, iu deshën dy ditë për të kapur për çdo ngjyrë, teleskopi Webb mund ta bëjë në dy orë.

“Ne pamë më thellë se sa ka shkuar Hubble gjatë gjithë jetës së tij në këtë lloj projekti. Ne po afrohemi gjithnjë e më shumë për të parë gjërat e para që u formuan pas Big Bengut. Tani, pas disa muajsh, ne do të shkojmë 10 herë më thellë, dhe më pas mund të afrohemi edhe më shumë, kështu që kemi gjëra të tjera në të ardhmen”, thotë Marcia Rieke, me teleskopin Webb.

Webb u nis nga Amerika e Jugut ditën e Krishtlindjes, 2021. Ai dërgoi imazhe provë gjatë rrugës për në destinacionin e tij përfundimtar në hapësirë, por asgjë në krahasim me atë që pamë këtë javë.

“I gjithë ky imazh është vetëm fillimi. Pra, ajo që ne po shikojmë është një pjesë e vogël, fare e vogël e qiellit. Në atë copëz të vogël në atë imazh ka mijëra galaktika dhe secila prej tyre është strehë e dhjetëra apo edhe qindra miliarda yjeve”, thotë Ray Jayawardhana, profesor astronomie në Universitetin “Cornell”. Dhe pastaj ishte ky imazh i hapësirës Carina Nebula.

“Jeni duke parë një rajon ku janë formuar disa yje të rinj, dhe në pjesën e sipërme të imazhit që duket si qielli blu, ka disa yje shumë të nxehtë, drita e të cilëve hyn në re, në pjesën portokalli më poshtë… Webb është kaq i aftë për të zbuluar galaktika të largëta, saqë duket sikur ato hyjnë në çdo foto që bën Webb-i”.

Teleskopi Webb gjithashtu kapi këtë spektër të një planeti jashtë sistemit tonë diellor dhe zbuloi praninë e ujit, pavarësisht se planeti ishte shumë i nxehtë për të mbështetur jetën njerëzore. Zbulimi dhe ajo që pritet përpara po mahnisin edhe vetë ekspertët që punojnë në Webb.

“Ja ku jemi në këtë botë të vogël shkëmbore që rrotullohet rreth një ylli të mesëm në periferi të një galaktike, dhe kemi nisur një teleskop – një observator – që është në gjendje të shikojë aq larg në univers dhe kaq larg në kohë duke na njohur me disa nga galaktikat më të reja në ekzistencë. Pra, me të vërtetë, është një ndjenjë përulëse, por edhe vërtet mjaft emocionuese dhe na bën krenarë që jemi në gjendje të bashkohemi – dhjetëra mijëra njerëz kanë punuar për dekada për të arritur në këtë pikë – dhe mund të them se ia ka vlejtur pritja”, thotë Ray Jayawardhana.

Ekspertët që intervistuam japin një parashikim të përbashkët: sapo kemi gërvishtur sipërfaqen e asaj që Webb-i mund të na mësojë për universin tonë dhe historinë tonë me shumë më tepër fakte që do të vijnë më pas.

voa