Kategoritë: Shkenca

NASA publikon fotot e plota të marra nga teleskopi më i fuqishëm hapësinor

nasa 1Agjencia Hapësinore amerikane (NASA) publikoi sot grupin e plotë të fotografive të para me ngjyrë, të realizuara nga teleskopi hapësinor “James Webb”, duke përfshirë fotografinë e një ylli që po shuhet. Një ditë më parë NASA ndau vetëm një fotografi, ku shfaqeshin si kurrë më parë, yjet dhe galaktikat që ndodhen në thellësi të universit. 

Fotografitë e publikuara sot nga agjencia hapësinore NASA:

nasa 2“Mjegullnaja e Unazës Jugore”, që njihet edhe si “Tetë-Shpërthimet”. Rreth 2500 vjet-drite larg, në fotografi shihet një re gazi në zgjerim që rrethon një yll që po shuhet. Një vit-drite është rreth 9 trilionë kilometra.

nasa 3 “Mjegullnaja Carina”, rreth 7 mijë e 600 vjet-drite larg. Një vit-drite është rreth 9 trilionë kilometra.

 

nasa 4“Pesë galaktikat në kërcim kozmik”, 290 milionë vjet-drite larg. “Stephan’s Quintet” u diktuan për herë të parë para 225 vjetësh në yjësinë Pegasus.

Gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Joe Biden tha se teleskopi ishte “një dritare e re në historinë e universit”.

Teleskopi me një vlerë prej 10 miliardë dollarësh, më i madhi dhe më i fuqishmi i lëshuar ndonjëherë në hapësirë, arrin të vëzhgojë më në thellësi të universit se kurrë më parë.

Shkencëtarët i krahasojnë imazhet që teleskopi arrin të kapë “me një vështrim pas në kohë”. Kjo për shkak se ai mundëson të shihen galaktika që ndodhen aq larg, sa që dritës që vjen prej tyre, i duhet miliarda vjet për të arritur tek teleskopi.

Teleskopi “Webb” mund të kapë dritën që u krijua menjëherë pas asaj që njihet në astronomi si teoria e “Big Bang-ut”, “Shpërthimit të Madh”, e cila shënoi momentin e krijimit të universit.

nasa 5“Webb”, pasardhës i teleskopit hapësinor “Hubble”, është rreth 100 herë më i ndjeshëm se paraardhësi i tij 30-vjeçar.

Teleskopi është aq i përpiktë, sa shkencëtarët do të jenë në gjendje të shohin përbërjen kimike të planetëve që ndodhen në thellësi të hapësirës e të përcaktojnë nëse ata janë të jetueshëm ose jo.

Gjatë konferencës për shtyp Nënpresidentja Kamala Harris tha se teleskopi do të “forconte njohuritë që shkenca ka sot lidhur me origjinën e universit, sistemit tonë diellor dhe ndoshta vetë jetës”.

nasa 6Teleskopi u lëshua më 25 dhjetor nga Guiana franceze në Amerikën e Jugut. Ai përshkoi 1.6 milionë kilometra, përpara se të fillonte të kapte imazhet e para.

Administratori i NASA-s Bill Nelson tha se imazhet e ardhshme do të sigurojnë një vështrim edhe më të thellë në origjinën e universit me pamje që i takojnë 13.5 miliardë viteve më parë.

Shkencëtarët do ta përdorin teleskopin “Webb” për të studiuar yjet, galaktikat dhe planetet që ndodhen në skaje të kozmosit, si dhe do të ofrojnë pamje më të detajuara të objekteve që ndodhen më pranë nesh, duke përfshirë sistemin tonë diellor.

voa

Kamion mallrash me bateri dhe hidrogjen

kamion me bateriNjë kompani britanike po hedh në treg atë që e cilëson si kamionin e parë në Mbretërinë e Bashkuar që punon me hidrogjen dhe bateri. Kompania Tevva thotë se sistemi me hidrogjen e ka zgjatur në 500 kilometra distancën që mund përshkojë kamioni shtatë tonë e gjysëm.

 

Duke filluar nga viti 2030, të gjitha makinat e reja në Mbretërinë e Bashkuar do të duhet të jenë elektrike. Kamionët e tonazhit të lartë duhet të përmbushin këtë standard deri në vitin 2040. Por bateritë e tyre janë të rënda dhe distancat, që ata mund të përshkojnë janë të kufizuara.

Por prodhuesit e këtij kamioni shtatë tonë e gjysmë pretendojnë se e kanë gjetur zgjidhjen.

Ata thonë se duke kombinuar elektricitetin dhe hidrogjenin, këta kamionë mund të përshkojnë rreth 500 kilometra me një ngarkesë 2.7 tonë. Firma Tevva e prezantoi kamionin në Ekspozitën e Transportit Rrugor në Stoneleigh.

Prodhimi i enegjisë përmes kombinimit të teknologjisë me hidrogjen dhe baterive nuk e ndot mjedisin. Por hidrogjeni është i kushtueshëm.
Shefi i departamentit të hidrogjenit në firmën Tevva, Harsh Pershad, thotë se hidrogjeni tani mund të prodhohet duke përdorur energjinë e përftuar nga panelet diellore dhe era, me një kosto më efikase.

“Mendojmë se tani është koha e duhur për të hedhur në treg kamionët. Ka investime të shumta në mbarë botën për prodhimin e hidrogjenit me kosto të ulët që nuk e dëmton mjedisin. Investime po bëhen në Angli dhe Evropë. Kompanitë po përpiqen të jenë pjesë e valës së teknologjisë me hidrogjen”.

Kompanitë e transportit, që marrin mallra nga qendrat e shpërndarjes, janë objektiv i firmës Tevva, e cila thotë se ka plane të instalojë pajisje të furnizimit me hidrogjen nëpër këto qendra për kamionët.

Zoti Harsh thotë se furnizimi me hidrogjen merr të njëjtën kohë si furnizimi me naftë. Gjatë natës, thotë ai, kamionët mund të karikohen me energji elektrike.

“Kamionët karikohen gjatë natës dhe duke kombinuar teknologjinë me hidrogjen shtojmë distancën që mund të përshkojë një kamion me tonazh të lartë dhe aftësitë e ftohjes së mallrave, kur nevojitet. Hidrogjeni ka një kapacitet të lartë energjitik, çfarë mund të shtojë kilometrazhin e kamionit. Nga ana tjetër, bateritë janë të mira por shumë të rënda. Duke përdorur hidrogjenin shtohen aftësitë e kamionit për ngarkesa më të mëdha”.

Kamioni mund të kushtojë ndërmjet 190 dhe 230 mijë dollarë. Shtimi i prodhimit do të ulë koston. Zoti Harsh beson se edhe çmimi i hidrogjenit do të ulet ndërsa shtohen kërkesat.

Anthony Kucernak, profesor në Kolegjin Imperial të Londrës, thotë se në të ardhmen automjetet elektrike dhe me hidrogjen do të ekzistojnë krah për krah, sikurse kanë ekzistuar makinat me naftë dhe benzinë dhe se vetëm bateritë nuk do të përmbushin nevojat për uljen e ndotjeve.

“Bateritë zënë shumë vend, sidomos nëse kërkon të vësh bateri në kamionët që udhëtojnë në distanca të largëta, duke zvogëluar ngarkesën e transportit. Por kur kombinon një sasi më të vogël baterish me një burim energjie si hidrogjeni, rritet rendimeti”.

Lufta në Ukrainë dhe rritja e çmimeve të karburanteve ka nxjerrë në pah nevojën që bota të shkëputet nga varësia prej naftës dhe benzinës. Kjo kërkon edhe një infrastrukturë të re. Analistët thonë se me kalimin e kohës, çmimi i kamionëve me hidrogjen do të ulet dhe se bota do të përfitojë nga eleminimi i ndotjes nga djegia e lëndëve fosile.

 

voa

Samsung njofton platformën e re të videolojërave për televizorët

Samsung platformaKompania koreanojugore e teknologjisë, Samsung, njoftoi një aplikacion të ri për televizorët dhe ekranet inteligjente, që do të shërbejë vetëm për lojërat në rrjet. Tashmë nuk do të nevojitet më njësia qendrore elektronike që duhej tradicionalisht për të përdorur këto videolojëra. E gjithë industria e lojërave elektronike po zhvendoset tashmë gradualisht drejt modelit me pagesë mujore.

Videolojërat në një ekran televiziv nuk janë diçka e re. Por mos kërkoni për njësinë elektronike, pasi ajo nuk ekziston më. Tashmë ato luhen drejtpërsëdrejti në rrjet nëpërmjet një serveri të fuqishëm qendror.

Kompania Samsung po e shton tashmë platformën e saj të re të lojërave tek disa prej televizorëve të saj. Nga aplikacioni i ri mund të fillohen lojërat e rrjeteve Utomik, Nvidia GeForce Now, Google Stadia, si dhe Xbox.

Përdoruesit duhet të jenë të regjistruar me këto rrjete, dhe të kenë një lidhje interneti me shpejtësi minimale prej 20 Mbps në sekondë. Për ata që kanë fatin të kenë internet të mirë, kjo eksperiencë e re rivalizon eksperiencën e deritanishme të lojërave me pajisje qendrore.

“Disa njerëz as nuk dalluan dot nëse loja ishte nëpërmjet rrjetit apo një pajisjeje lojërash. Pra, eksperienca është tepër e ngjashme dhe ajo që po mundohemi të arrijmë me produktin tonë është që ta hapim sektorin e videolojërave për të gjithë. Madje edhe nëse njerëzit kanë një paisje lojërash në dhomën e ndenjes, mund ta vazhdojnë lojën më vonë në ekranin e Samsungut që mund të kenë në dhomën e gjumit”, shpjegon Gus Grimaldi, drejtues për degën në Evropë të kompanisë Samsung.

Kompania Samsung do të përpiqet të ruajë rezolucionin e lartë të lojërave, si p.sh. ato të platformës Xbox. Përdoruesit do të kenë mundësinë që në një monitor inteligjent Samsung të aktivizojnë modalitetin e videolojërave dhe madje edhe të ndërlidhin paisje të tjera.

Por, krahas kësaj platforme për të ndërlidhur shërbimet e videolojërave të kompanive të tjera, a do të futet vetë në garë një ditë kompania Samsung?

“Ndoshta. Kurrë nuk i dihet. Bisedojmë gjithnjë me partnerët tanë dhe jemi gjithnjë novatorë. Po sjellim këtë përvojë të re për pajisjet tona televizive. Jemi të hapur për përvoja të reja dhe për të marrë njerëz të rinj. Ndoshta mund të jetë një alternativë”, thotë zoti Grimaldi.

Aplikacioni i lojërave Xbox është për momentin i disponueshëm në televizorët Samsung, por nuk është e qartë nëse do të zgjasë kjo marrëveshje.

“Për shumë konsumatorë kjo nuk do të përbënte interes nëse nuk do të kishte patur Xbox-in. Prania e aplikacionit Xbox e legjitimon të gjithë këtë platformë të re”, thotë Dominic Preston, redaktor në botimin për teknologjinë “Tech Advisor”.

Ndërsa kompania Samsung po përqëndrohet tek rritja e cilësisë për platformën e saj të videolojërave Gaming Hub, zoti Preston thotë se kufizimet teknologjike janë të pashmangshme.

“Loja në rrjet nuk ka arritur ende të ofrojë plotësisht cilësinë që ofrojnë videolojërat me njësi qendrore. Nuk di nëse do t’ia arrijë ndonjëherë pasi gjithnjë do të jetë faktori i vonesave të rrjetit”, thotë zoti Preston.

Platforma “Samsung Gaming Hub” doli në qarkullim më 30 qershor për televizorët dhe monitorët inteligjentë Samsung, dhe mund të instalohet automatikisht nëpërmjet sistemit operativ, Tizen.

voa

Metaverse, e ardhmja në një univers virtual

metaverseMetaverse mendohet se do të jetë zhvendosja e madhe dixhitale e së ardhmes – një hapësirë tredimensionale ku njerëzit do të bëjnë pazar, do të luajnë dhe do të shkojnë në koncerte. Korrespondetja e Zërit të Amerikës, Michelle Quinn, i hedh një vështrim kësaj të ardhmeje të mundshme dhe formës që ajo mund të marrë.

“Është një mënyrë për t’u përfshirë në një botë të krijuar virtualisht që për momentin ofron pak gjëra, por mund të ofrojë shumë më tepër në të ardhmen”, jep përkufizimin e tij piloti Derrick Stamos, i cili është regjistruar në Metaverse.

Kompanitë e teknologjisë, punonjësit e marketingut dhe fantazistët po e përdorin termin “Metaverse” për të përshkruar një zhvendosje të madhe dixhitale të së ardhmes, një vend ku bota reale dhe bota dixhitale do të ndërthuren shumë më tepër se tani. Mos ndoshta do të jetë diçka më shumë se kaq?

“Tani po dëgjojmë vetëm të pëshpëritet për një Metaverse dhe ka shumë pak material për të thënë se kjo do të jetë e ardhmja. Mendoj se jemi në fazën e rrahjes së mendimeve, se si duhet të shëmbëllejë”, thotë Sayon Deb, nga Shoqata e Konsumatorëve të Teknologjisë.

Metaverse, një term fantastiko-shkencor, nënkupton se njerëzit do të ndërveprojnë në një botë gjithëpërfshirëse tre-dimensionale dhe jo më në një botë ekranesh si ajo që përjetojmë sot.

“Nuk është thjesht që do të shohim video apo një realitet virtual në ekrane, por do të jetë një mbulesë e vërtetë dixhitale mbi të gjithë botën tonë”, thotë zoti Deb.

“Është fantastike që Metaverse përçon mesazhin se gjithçka është e ndërlidhur. Është një lloj interneti në të cilin futesh më këmbë”, thotë Catherine Allen, nga kompania “Limina Immersive”.

Ndër kompanitë që kanë investuar shumë në Metaverse është kompania Facebook. Madje, Mark Zuckerberg ia ndryshoi emrin kompanisë vitin e kaluar në Meta. Rishtazi, ai inauguroi edhe një dyqan të quajtur Meta, në jug të San Françiskos.

Vizitorët provojnë aty paisjet për realitetin virtual, luajnë dhe marrin një shije fillestare se si mund të jetë Metaverse.

“Ndoshta doni të shkoni në Hënë? E vështirë që ta bëjnë njerëzit këtë. Por në Metaverse, për pak sekonda je në Hënë”, thotë Jun Lee, që vizitoi dyqanin “Meta”.

“Nuk mendoj të kem parë akoma diçka që të të ndryshojë jetën apo realitetin. Nuk e di se çfarë forme do të merrte diçka e tillë, por jam vërtet i interesuar se çfarë do të jetë”, thotë vizitori Mark Kwan.

Seth Nuzum imagjinon se mund t’i japë ndjesinë se do të jetë së bashku me shokët, në internet.

“Do të doja të isha në një mjedis të përbashkët duke biseduar me shokët për mbi katër orë. Nëse do më jepet ky lloj niveli përfshirjeje të menjëhershme, si p.sh. nga dhoma ime ose kudo tjetër, kjo do të ishte një gjëja më tërheqëse për mua”, thotë ai.

Ndërsa Metaverse po shoqërohet me ekzaltim, por edhe skepticizëm dhe pikëpyetje, njerëzit po analizojnë se çfarë forme do të marrë jeta e tyre dixhitale në të ardhmen.

voa

Magjia e kapjes dixhitale të lëvizjeve

dixhitalTeknologjia e regjistrimit të lëvizjeve e ka përfshirë të gjithë Hollivudin. Producentët kanë tashmë mundësinë ta bëjnë botën fantastiko-shkencore të duket si realitet. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Genia Dulot, na sjell prapaskenat në Los Anxhelos të realizimit të momenteve të tilla. 

“Kostumi i regjistrimit të lëvizjeve, si pjesët që ka veshur Robin tani, shërben si baza mbi të cilën unë do të vendos këto shenja të mbuluara me bojë, e cila reflekton. Kamerat tona do të dërgojnë rreze infra drejt tyre dhe kur drita të kthehet pas, kamerat do të regjistrojnë pozicionin e shenjave”, shpjegon Pasha Sol, artist teknik për regjistrimin e lëvizjeve.

“Siç e shikoni, ka 69 kamera që shikojnë drejt Matthew-t tani. Në monitor unë mund të shoh se 68 kamera po i kapin shenjat, të cilat kanë marrë ngjyrë të ndezur”, thotë zoti Sol.

“Regjistrimi i lëvizjeve erdhi në fushën e argëtimit nga fusha e mjekësisë. Përdorej në terapitë fizike dhe nga trajnerët e sportit për njerëzit që donin të përmirësoheshin, apo të kuroheshin nga traumat”, thotë zoti Sol.

“Unë mundem ta gjurmoj lëvizjen, ta analizoj dhe të zbuloj se si mund t’i realizoni gjërat më mirë, apo se në çfarë faze gjendet terapia. Nëse keni për shembull një lëndim në gju, nuk do të ecni në mënyrë simetrike. Dhe unë mundem ta ndaloj këtë duke përdorur teknologjinë e regjistrimit të lëvizjeve me shumë preçizion”, thotë zoti Sol.

“U shndërrua në një revolucion për shkak të industrisë së argëtimit. Ka ekzistuar prej kohësh, por vetëm rishtazi industria e argëtimit filloi ta përdorë kaq shumë”, thotë ai.

“Këtu në kompaninë Rouge, kemi krijuar skena për filmat Black Panther, Spiderman, Guardians of the Galaxy, etj. Pra filma të tillë, si dhe kemi punuar me disa video lojëra”, thotë Vince Argentine, drejtues i kompanisë “Rouge MoCap”.

“Në filma kemi përdorur shumë ato që i quajmë dublantë dixhitalë. Pra, bëjmë skanim tredimensional të aktorëve realë dhe ndërtojmë një lloj kukulle 3D. Pastaj i veshim, siç veprohet me një marionetë. Dhe regjistrimi i lëvizjeve udhëzon marionetën”, thotë ai.

“Për shembull, mund të marr një aktor si Tom Cruise dhe një aktor dublant, dhe mundem të krijoj një version të tij real fotografik, ndërkohë që lëvizjet i bën një tjetër aktor”, thotë zoti Argentine.

“E bëjmë këtë shpesh edhe me regjistrimin e lëvizjeve të fytyrës, nëpërmjet kamerave. Pra regjistrojmë shprehitë, lëvizjet e trupit dhe të gishtërinjve. Të gjitha këto pastaj vendosen së bashku në një mishërim personi dixhital (avatar)”, thotë ai.

voa

Makinë me panele diellore

makina me panel diellorNjë makinë e pajisur me panele diellore pritet ⁠të udhëtojë rreth 620 kilometra pa ndalim.

 

Kompania holandeze Lightyear ka njoftuar se këtë vjeshtë do të fillojë të prodhojë makinën e parë në botë të pajisur me panele diellore.⁠

Kompania thotë se makina do të jetë në gjendje të udhëtojë rreth 620 kilometra pa ndalim dhe mund të vazhdojë të udhëtojë edhe deri në 70 km plus në ditë falë energjisë së mbledhur nga panelet diellore.

Karikimi i baterisë së makinë përmes paneleve diellore mundëson furnizimin edhe për udhëtime të gjata. Por gjithashtu kjo do të thotë që drejtuesit e automjeteve do të shpenzojnë edhe më pak kohë në pikat e karikimit – ose mund të mos kenë nevojë fare për to.

dw

Studimi: Moti ekstrem lidhet me ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njerëzit

moti ekstremShkencëtarët më në fund kanë konfirmuar lidhjen midis ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu dhe disa ngjarjeve ekstreme të motit, në një studim të ri

Hulumtimi tregon se aktivitetet njerëzore kanë një efekt të drejtpërdrejtë në disa lloje të motit ekstrem duke përfshirë valët e të nxehtit dhe reshjet në formë stuhie.

Vala e të nxehtit që prek aktualisht Evropën, për shembull, ka të ngjarë të jetë nga një deri në tre gradë më e nxehtë për shkak të ndryshimeve klimatike.

“Unë mendoj se mund të themi me shumë besim se çdo valë e të nxehtit që ndodh sot është bërë më intensive dhe më e mundshme për shkak të ndryshimeve klimatike”, thotë shkencëtarja klimatike Dr Friederike Otto, e cila është bashkautore e studimit.

Studimi paralajmëron gjithashtu se boshllëqet e mëdha në të dhënat nga shumë zona në botë ende fshehin shkallën e plotë të dëmit të ndryshimeve klimatike, ndërsa valët e të nxehtit po bëhen deri në 10 herë më të mundshme në disa zona .

Top Channel

Kompania “Starlink” e Elon Musk-ut ndihmon Ukrainën në luftën me Rusinë

StarlinkKompania “Starlink” e Elon Musk-ut ka vendosur në dispozicion të Ukrainës mijëra paisje për lidhje satelitore. Kjo i ka shërbyer së tepërmi vendit që po lufton ndaj agresionit të Rusisë. Ekspertët thonë se Moska ka treguar interes të veçantë që në fillim të luftës për të ndërprerë sistemet ukrainase të komunikimit.

 

Terminalet e kompanisë “Starlink” për lidhjen satelitore të internetit shërbejnë si një sistem rezervë kur rrjetet e internetit në Ukrainë dalin nga përdorimi.

Prodhuar nga kompania “SpaceX” e Elon Musk-ut, mijëra nga këto paisje të lëvizshme, që mundësojnë lidhjen me internetin, janë dërguar në Ukrainë.

Nëpërmjet tyre koordinohet zjarri i artilerisë, drejtohen dronët, por edhe mundësohet komunikimi videofonik me programin “Zoom” në zonat e largëta të vendit.

Terminalët e parë “Starlink” u aktivizuan në Ukrainë në 26 shkurt, vetëm dy ditë pasi filloi lufta.

Sipas Zëvendës Kryeministrit ukrainas Mykhailo Fedorov, vetëm në Chernihiv u shkatërruan nga lufta mbi 10 kilometra lidhje kabllore të komunikacioneve. Kompania lokale e internetit arriti të rikthejë shërbimin me vetëm një terminal Starlink.

Sot, mbi 14 mijë terminale Starlink, po funksionojnë në mbarë Ukrainën, thotë Todd Humphreys, shkencëtar në Universitetin e Teksasit që shërbeu si konsulent me kompaninë SpaceX. Ai thotë se këto terminale janë jetike, pasi rrjeti në Ukrainë vazhdon të sulmohet nga forcat ruse.

“Që nga fillimi i luftës, Rusia ka treguar interes të veçantë për ndërprerjen e linjave të komunikimit. E filluan luftën me një sulm kibernetik ndaj terminaleve Viasat në mbarë Ukrainën. Sulmi i tyre ndikoi madje tek terminalet Viasat në mbarë Evropën”, thotë zoti Humphreys.

Hakerët rusë u përpoqën të sulmonin edhe terminalet “Starlink”, njoftoi në muajin maj zoti Musk. Por, sulmet nuk patën sukses.

“Rezulton se aftësia e Rusisë për të lokalizuar terminalet ‘Starlink’, përfshirë ato aktive, është nën nivelin që pritej”, thotë zoti Humphreys.

Terminalet “Starlink” u shërbejnë edhe civilëve.

“Ukrainasit e përdorin sistemin Starlink si lidhje Wi-Fi”, thotë Konstantin Naumenko, nga kompania Vodafone në Ukrainë.

Sipas faqes së lajmeve “Politico”, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy gjithashtu e përdor sistemin “Starlink” për të publikuar informacion jetik në internet dhe për të biseduar nëpërmjet programit Zoom me udhëheqësit botërorë, si me Presidentin francez Emmanuel Macron dhe me Presidentin amerikan Joe Biden.

Ukrainasit e përdorin gjithashtu sistemin “Starlink” për të publikuar fotografi dhe video të zhvillimeve në vend, duke iu kundërvënë kështu pretendimeve false të propagandës ruse.

“Komunikimi në këto kohëra ndihmon shumë; u mundëson njerëzve të kuptojnë se cila është e vërteta”, thotë zoti Naumenko.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara mbështet ofrimin e terminaleve Starlink për Ukrainën. USAID-i ka bashkëpunuar me kompaninë SpaceX për të transportuar rreth 5 mijë terminale Starlink drejt Ukrainës.

voa

Garë e re armatimi në fushën e mjeteve ajrore pa pilot

drohnePërdorimi në shkallë të gjerë i dronëve në luftën në Ukrainë po nxit një garë të re armatimesh mes prodhuesve të sistemeve ajrore pa pilot, si dhe inxhinierëve që zhvillojnë programet operuese të komunikimit dhe mbrojtjes.

 

Kompanitë pjesëmarrëse në panairin ndërkombëtar ushtarak në Paris thonë se pilotët dhe njësitë e tyre në fushën e betejës po eksperimentojnë gjerësisht me teknologjinë e mjeteve ajrore pa pilot.

Shtimi i përdorimit të pajisjeve që bllokojnë ose ndërhyjnë në komunikimin mes dronëve dhe njësive telekomanduese po ndikon ndjeshëm tek aftësitë në fushën e betejës.

“Dronët, që kushtojnë rreth 2 mijë dollarë, dërgohen me mision për të gjetur vendndodhjen e armikut, pra objektivin, duke ofruar të dhëna në kohë reale për njësitë e artilerisë që të godasin. Pas goditjeve me artileri, dronët ofrojnë të dhëna nëse është arritur qëllimi, apo nëse nevojitet një valë tjetër goditjesh. Kjo është arsyeja pse këta dronë kaq të vegjël janë kaq të rrezikshëm në fushën e betejës”, thotë Red McClintock me firmën Droneshield.

Por teknologjia që bllokon apo manipulon sinjalet e komunikimit mes pilotëve dhe dronëve përbën një problem madhor në fushën e betejës. Është një garë midis prodhuesve të sistemeve kundër dronëve dhe prodhuesve të dronëve në përgjithësi, thotë Thomas Duroyon i cili drejton kompaninë Traak që ofron teknologji të gjurmimit të vendndodhjes dhe sensorë që përdoren në dronët luftarakë.

“Në Ukrainë kemi vënë re sfidën që paraqet bllokimi i sinjaleve të komunikimit me dronët. Nëse rrit në maksimum valët që bllokojnë sinjalin, kuptohet që bllokon edhe sinjalet për komunikimet e tjera. Prandaj është shumë e nevojshme gjetja e një ekuilibri”, thotë ai.

Por, këto pajisje që nxjerrin jashtë loje dronët, luajnë një rol të rëndësishëm në luftën kundër qindra dronëve të vegjël, jo-ushtarakë, që në disa raste përdoren për të zbuluar vendndodhjen e armikut me qëllim goditjet preçize me artileri.

Pajisjet me teknologji të lartë për bllokimin apo hakerimin e valëve të komunikimit mes dronit dhe komandës po luajnë një rol vendimtar në fushën e betejës.

voa

Përparimet teknologjike në fushën e robotikës

robotikaRobotët janë përdorur në linjat e prodhimit të fabrikave që nga fillimi i viteve 1960. Ata janë kryesisht të rëndësishëm në punët që kërkojnë preçizion të lartë, veprime të shpejta dhe që përsëriten. Por për të ndërtuar robotë me aftësi inteligjente fillimisht nevojitet krijimi i programeve kompjuterike që zhvillojnë këto aftësi.
Mund të duket diçka krejt e thjeshtë, por duhet shumë zotësi që krahu i robotit të kapë me kujdes objektin e dëshiruar, thotë për Zërin e Amerikës Nathan Brooks, me firmën PickNik Robotics.

“Procesi kërkimor dhe i zhvillimit fillon që nga sendet që mbajmë në raft, zamkë dhe shirit ngjitës“.

Makineritë janë të mira për veprime preçize dhe që përsëriten. Firmat e programeve kompjuterike po u shtojnë atyre aftësi inteligjente, duke krijuar udhëzime për krahët robotikë për punë në bujqësi, në thellësi të detit etj, thotë për Zërin e Amerikës ekspertja e robotikës Kat Scott.

“Synimi është që duart e robotëve të veprojnë si dora e njeriut. Po përpiqemi të ndërtojmë robotë që kanë aftësi më të mira në kapjen dhe lëvizjen e gjërave”.

Kompania “PickNik Robotics” në Boulder të shtetit Kolorado, shkruan programe kompjuterike që lehtësojnë komandimin e një krahu robotik nga distanca apo stërvitjen për të kryer detyra.

“Në thelb ky softuer mund të përdoret për çdo krah robotik që gjendet sot në treg dhe të ofron mundësinë ta përdorësh në çdo fushë pa patur nevojë të mendosh për programimin”, thotë për Zërin e Amerikës ekspertja e robotikës Kat Scott.

Gjatë një vizite pas orarit të mësimit në firmën “PickNik Robotics”, inxhinierët e ardhshëm shohin nga afër mundësitë.

“Është interesante të kesh një robot që mund të bëjë gjithçka për ty”, thotë një nxënëse.

Zakonisht, kompanitë e teknologjisë e mbajnë sekret kodin e softuerit të tyre. Por PickNik është ndër ato që ofrojnë softuer me burim të hapur, kodim që përdoruesit mund ta lexojnë dhe përmirësojnë.

Inxhinierja Abishalini Sivaraman thotë se firma PickNik ofron falas programin bazë të softuerit me burim të hapur.

“Gjendet në internet dhe ka shumë instruksione. Mund ta provoni në shtëpi. Nuk keni nevojë as për një robot pasi mund të bëni shumë gjëra në simulim.”

Ndërsa inxhinierët në mbarë botën bëjnë përmirësime në kodin robotik, këto makineri do të ofrojmë më shumë përdorime në ardhmen.