Kategoritë: Shkenca

Parlamenti i BE-së voton për fundin e motorëve me djegie të brendshme

kolonaParlamenti Evropian dëshiron që pas 13 vjetësh në Evropë të mos regjistrohet më asnjë makinë e re me benzinë ​​a naftë. Por përpara se një rregullore e tillë të hyjë në fuqi, nevojiten negociata me shtetet e BE-së.

 

Në luftë për një mbrojtje më të madhe të klimës Parlamenti i BE-së dëshiron të ndalojë shitjen e makinave të reja me motorë me djegie të brendshme duke filluar nga viti 2035. Parlamentarët votuan me një shumicë të qartë pro një propozimi përkatës të Komisionit të BE-së. Sipas këtij propozimi duke nisur nga mesi i dekadës së ardhshme, prodhuesit pritet të lejohen të hedhin në treg vetëm makina dhe furgonë që nuk lëshojnë gazra që shkaktojnë efektin serrë dhe që janë të dëmshëm për klimën.

Para se një rregullore e tillë të hyjë në fuqi, Parlamentit i duhet të negociojë me shtetet e BE-së. Ende nuk është ende e sigurt, nëse vendet anëtare të BE-së do të bien dakord, por kjo konsiderohet si e mundshme. Deri në fund të muajit vendet anëtare duan të përcaktojnë qëndrimin e tyre për ndalimin e shitjes së makinave me benzinë ​​dhe naftë dhe pastaj dy institucioneve të BE-së do t’u duhet të gjejnë një kompromis në mënyrë që rregullorja të hyjë në fuqi.

 

Gjermania dhe koncernet e mëdha të automobilëve janë gati

Gjermania ka deklaruar prej disa kohësh se duke filluar nga viti 2035 do të ndalojë shitjen e makinave të reja me motorë me djegie të brendshme. Këtë e bëri të qartë në mars në Bruksel edhe ministrja Federale e Mjedisit, Steffi Lemke, e cila theksoi në emër të qeverisë federale, se Gjermania mbështet ndalimin e përdorimit të motorëve me djegie të brendshme në Evropë duke filluar nga viti 2035.

Edhe një numër prodhuesish të mëdhenj automobilësh, si Mercedes, Ford dhe Volvo, e kanë mbështetur publikisht ndalimin e shitjes së makinave me djegie të brendshme duke nisur nga viti 2035. Kurse prodhues të tjerë si Volkswagen kanë njoftuar se nga ky vit nuk do të ofrojnë më në tregun evropian motorë me djegie të brendshme.

Eurodeputeti gjerman i të Gjelbërve, Michael Bloss tha pas votimit, se ne vendosëm pro të ardhmes së Evropës, sepse në të ardhmen makinat elektrike më të mira dhe bateritë më moderne do të prodhohen në Evropë.

Kurse eurodeputeti demokristian, Jens Gieseke, e kritikoi vendimin duke thënë se: “Për fat të keq të Gjelbrit, Liberalët dhe Social-Demokratët preferojnë t’i vendosin të gjitha në kartën e elektro-mobilitetit”. Ai u shpreh se ka frikë për aftësinë konkurruese të Evropës si dhe për sigurinë e shumë vendeve pune, por pranoi se ndalimi i motorëve me djegie të brendshme në vitin 2035 duket se nuk do të mund të pengohet më.

dpa

 

Lufta elektronike i jep formë betejës Rusi-Ukrainë

Lufta elektronikeNë fushat e betejës në Ukrainë, akti i thjeshtë i ngarkimit të një celulari mund të sinjalizojë një breshëri vdekjeprurëse nga qielli. Radarët e artilerisë dhe telekomandat për mjetet ajrore pa pilot mund të shkaktojnë gjithashtu sulme ajrore të armikut.

 

Kjo është një luftë elektronike, një aspekt kritik, por kryesisht i padukshëm i betejës së Rusisë kundër Ukrainës. Komandantët ushtarakë kryesisht shmangin diskutimin e tij, nga frika se do të rrezikojnë operacionet duke zbuluar sekrete.

Teknologjia e luftës elektronike synon sistemet e komunikimit, navigimit dhe udhëzimit për të lokalizuar, verbuar dhe mashtruar armikun dhe goditjet e drejtpërdrejta vdekjeprurëse. Ajo përdoret kundër artilerisë, avionëve luftarakë, raketave të lundrimit, dronëve dhe pajisjeve të tjera. Ushtritë e përdorin atë gjithashtu për të mbrojtur forcat e tyre.

Është një fushë ku Rusia mendohej se kishte një avantazh të qartë në fillim të sulmit në Ukrainë. Megjithatë, për arsye jo plotësisht të qarta, aftësia e saj e shumëpërfolur e luftës elektronike mezi u pa në fazat e hershme të luftës në dështimin kaotik për të marr kontrollin e kryeqytetit ukrainas të Kievit.

Lufta elektronike është bërë shumë më tepër një faktor në luftimet e ashpra në Ukrainën lindore, ku linjat e furnizimit më të shkurtra dhe më të lehta për t’u mbrojtur, i lejojnë Rusisë të lëvizë pajisjet e luftës elektronike më pranë fushës së betejës.

“Ata po bllokojnë gjithçka që sistemet e tyre mund të arrijnë,” tha një zyrtar i Aerorozvidkas, një ekip zbulimi ukrainas i mjeteve ajrore pa pilot, i cili foli në kushte anonimiteti për shkak të shqetësimeve të sigurisë. “Nuk mund të themi se ata dominojnë, por na pengojnë shumë”.

Një zyrtar i zbulimit ukrainas e quajti kërcënimin rus të një shkalle “shumë të rëndë” kur bëhet fjalë për ndërprerjen e përpjekjeve të zbulimit dhe komunikimit të komandantëve me trupat. Bllokimi rus i rrjetit GPS në dronët që Ukraina përdor për të lokalizuar armikun dhe për të drejtuar zjarrin e artilerisë është veçanërisht intensiv “në vijën e kontaktit”, tha ai.

Ukraina ka shënuar disa suksese në kundërshtimin e përpjekjeve të luftës elektronike të Rusisë. Ajo ka kapur pjesë të rëndësishme të pajisjeve dhe ka shkatërruar të paktën dy njësi të luftës elektronike të lëvizshme me shumë automjete.

Kapacitet e saj të luftës elektronike është e vështirë të vlerësohen. Analistët thonë se janë përmirësuar dukshëm që nga viti 2014, kur Rusia pushtoi Krimenë dhe nxiti një revoltë separatiste në Ukrainën lindore. Por ka pengesa. Javën e kaluar, Rusia pretendoi se shkatërroi një qendër elektronike të zbulimit ukrainas në qytetin juglindor Dniprovske. Pretendimi nuk mund të konfirmohej në mënyrë të pavarur dhe zyrtarët ukrainas nuk iu përgjigjën një kërkese për koment.

Ukraina gjithashtu ka përdorur me efikasitet teknologjinë dhe të dhënat e zbulimit nga Shtetet e Bashkuara dhe anëtarët e tjerë të NATO-s. Një informacion i tillë ndihmoi Ukrainën të fundoste kryqëzorin Moskva. Satelitët e aleatëve dhe avionët e vëzhgimit ndihmojnë nga qiejt, ashtu si edhe rrjeti i komunikimit satelitor Starlink i dhuruar nga miliarderi Elon Musk.

Lufta elektronike ka tre elemente bazë: hulumtimin, sulmin dhe mbrojtjen. Së pari, mblidhen të dhënat e zbulimit duke lokalizuar vendndodhjen e sinjaleve elektronike të armikut. Në sulm, bllokimi përmes “zhurmës së bardhë” çaktivizon dhe degradon sistemet e armikut, duke përfshirë komunikimet me radio dhe celularë, mbrojtjen ajrore dhe radarët e artilerisë. Pastaj vjen procesi i mashtrimit, i cili ngatërron dhe mashtron sinjalet. Kur funksionon, predhat humbasin objektivat e tyre.

“Të operosh në një fushë beteje moderne pa të dhëna është vërtet e vështirë,” tha Kolonelja në pension Laurie Buckhout, një ish-shefe e luftës elektronike të Ushtrisë Amerikane. Bllokimi “mund të verbojë dhe të shurdhojë një avion shumë shpejt dhe shumë rrezikshëm, veçanërisht nëse humbet rrjetin GPS dhe radarin dhe ke një avion që fluturon me 600 milje në orë”.

E gjithë kjo shpjegon fshehtësinë rreth luftës elektronike.

“Është një fushë tepër e klasifikuar sepse është shumë e varur nga teknologjitë e evoluuara, të avancuara, ku përfitimet mund të kopjohen dhe fshihen shumë shpejt,” thotë James Stidham, një ekspert i sigurisë së komunikimit që është konsulent për departamentet e Shtetit dhe Sigurisë Kombëtare në SHBA.

Ukraina mori mësime të vështira për luftën elektronike në 2014 dhe 2015, kur Rusia përdori fuqishëm aftësitë e saj kibernetike ndaj forcave ukrainase. Rusët rrëzuan dronët nga qielli dhe çaktivizuan armatime, depërtuan në rrjetet e telefonave celularë për operacione psikologjike dhe bllokuan paisjet ukrainase.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu përjetuan luftën elektronike të Rusisë në veprim në Siri, ku kundërshtarët kanë mbështetur palë kundërshtare në luftën civile. Në vitin 2018, shefi i Operacioneve Speciale të SHBA-së, gjenerali Raymond Thomas, shpjegoi se si komunikimet e pilotëve amerikanë u “ndërprenë” rregullisht në Siri në mjedisin “më agresiv” të luftës elektronike në planet.

Në betejën aktuale, lufta elektronike është kthyer në një teatër të furishëm grindjesh.

Aerorozvidka ka modifikuar dronët e pajisur me kamera për të identifikuar pozicionet e armikut dhe për të hedhur mortaja dhe granata. Hakerimi përdoret gjithashtu për të çaktivizuar elektronikën e armikut dhe për të mbledhur të dhëna zbulimi.

Zyrtarët ukrainas thonë se aftësitë e tyre të luftës elektronike janë përmirësuar shumë që nga viti 2015. Ato përfshijnë përdorimin e pajisjeve të koduara amerikane dhe turke të komunikimit. Ukraina ka avancuar aq shumë saqë eksporton një pjesë të teknologjisë së saj.

Rusia është angazhuar në bllokimin e rrjetit GPS nga Finlanda e deri në Detin e Zi, tha nënkoloneli Tyson Wetzel, një bashkëpunëtor i Forcave Ajrore në Këshillin Atlantik. Një transportuesi rajonal finlandez, Transaviabaltica, iu desh të anulonte fluturimet për një javë si rezultat i këtij veprimi. Bllokimi rus ka ndërprerë gjithashtu transmetimin e televizionit ukrainas, tha Frank Backes, një zyrtar i lartë me kompaninë Kratos Defense me bazë në Kaliforni, e cila ka stacione tokësore satelitore në rajon.

Megjithatë, në ditët e para të betejës, përdorimi i luftës elektronike nga Rusia ishte më pak efektiv se sa pritej. Kjo mund të ketë kontribuar në dështimin e saj për të shkatërruar mjaft njësi radarësh dhe anti-ajrore për të fituar epërsi ajrore.

Ministria ruse e mbrojtjes nuk iu përgjigj një kërkese për koment për këtë artikull.

Disa analistë besojnë se komandantët rusë nuk i përdorën njësitë e pajisjeve teknologjike nga frika se do të kapeshin.

Problemet e komunikimit ishin të dukshme me shumë trupa ruse që flisnin në kanale radioje të hapura dhe të pasigurta, të monitoruara lehtësisht nga të huajt.

Është e paqartë se sa avantazh mund të ofrojnë tani pajisjet elektronike të Rusisë. Forcat e Ukrainës tani janë më të përqendruara se në fillim të luftës, gjë që mund t’i bëjë më të lehta për t’u shënjestruar.

Shumë varet nëse grupet taktike të batalionit të Rusisë “janë të konfiguruara në realitet ashtu siç janë në letër”, tha James Rands, i zbulimit ushtarak. Çdo grup, i përbërë nga afërsisht 1000 trupa, supozohet të ketë një njësi të luftës elektronike. Pentagoni thotë se në Ukrainë janë 110 grupe të tilla.

Kremlini gjithashtu pretendon se ka më shumë se 1,000 mjete ajrore të vogla, të gjithanshme Orlan-10 që përdor për zbulimin, shënjestrimin, bllokimin dhe përgjimin e celularëve.

Rusia ka humbur rreth 50 nga pajisjet Orlan-10 në këtë luftë.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania furnizojnë gjithashtu pajisje bllokimi, por është e paqartë sa ndihmojnë ato. Asnjë vend nuk ka ofruar detaje. Aftësia e të dyja palëve për të çaktivizuar dronët e tjetrit është thelbësore.

Sistemi Starlink i Elon Musk-ut është një pajisje e provuar të ketë dhënë ndihmë. Më shumë se 2,200 satelitët e tij me orbita të ulëta ofrojnë internet me bazë të gjerë për më shumë se 150,000 stacione tokësore të Ukrainës. Ndërprerja e këtyre lidhjeve është një sfidë për Rusinë. Është shumë më e vështirë të bllokosh satelitët në orbitën e ulët të tokës sesa ato gjeostacionare.

Elon Musk ka marrë lëvdata nga Pentagoni për të paktën mposhtjen përkohësisht të bllokimit rus të lidhjeve të satelitëve ukrainas me një përshtatje të shpejtë të programeve kompjuterike.

voa

Kamionët epërsi ndaj makinave të vogla në garën e automjeteve pa shofer

Në garën për automjete pa shofer, kamionët komercialë mund të kenë epërsi përballë automjeteve të vogla. Ekspertët thonë se arsyeja është se kamionët bëjnë shpesh të njëjtën rrugë, por veprimtarë të sigurisë në autostrada shprehin shqetësim për këtë prirje.

 

Ky kamion nuk ka drejtues në sediljen e shoferit. Mjeti përshkoi kohët e fundit distancën prej 128 kilometrash nga qyteti Tucson deri në Phoenix të shtetit Arizona.

Kamionët pa shoferë ndoshta do të jenë në autostrada shumë më herët se njerëzit që udhëtojnë me makina të vogla, thonë ekspertët.

Cheng Lu është shef ekzekutiv i kompanisë TuSimple.

“Sepse kamioni bën shpesh të njëjtën rrugë. Udhëtime të mërzitshme për shoferët në autostradat amerikane”, tha ai për Zërin e Amerikës.

Transporti autonom i kamionëve po merr vrull ndërsa shtohen nevojat për të transportuar mallra në të gjithë vendin dhe bie numri i shoferëve të kamionëve, thonë kompanitë.

Por jo të gjithë janë të kënaqur kur shohin kamionë pa shoferë në korsinë pranë tyre.

Cathy Chase është me organizatën “Veprimtarët për Sigurinë e Autostradave dhe Automjeteve.

“Ne jemi në autostrada me këto automjete dhe publiku tani është pjesëmarrës pa dashje në një eksperiment shkencor të teknologjisë së lartë”, i tha ajo Zërit të Amerikës.

Por ka shqetësime se kamionët pa shoferë do të eliminojnë vendet e punës në sektorin e transportit komercial me mbi 3 milionë shoferë.

Steve Viscelli studion industrinë e kamionëve në Universitetin e Pensilvanisë.

“Shoferët janë të shqetësuar për të ardhmen e vendeve të tyre të punës. Ende nuk janë të bindur rreth mundësisë për të përmëruar punën”, thotë ai për Zërin e Amerikës.

Shumica e sensorëve të jashtëm në sistemin autonom të drejtimit të këtij kamioni janë ndërtuar në pasqyrat anësore, duke bërë të mundur që kamioni të përshtatet me automjetet e tjera në rrugë.

“Sistemi ynë nuk përgjumet kurrë, nuk lodhet, nuk e humb kurrë vëmendjen. Bën përllogaritje monitoruese disa herë në sekondë, duke bërë të mundur reagimin në një mënyrë të sigurt ndaj situatave që lindin në rrugë”, thotë Don Burnette me firmën “Kodiak Robotic”.

Ndërsa firmat e kamionëve që ngasin vetë po përpiqen të bëhen pjesë e komunikacionit, këto mjete tërësisht të pavarura së pari duhet të marrin miratimin nga organet përkatëse.

voa

Kaliforni, lugina e litiumit përgatitet për një të ardhme me energji të pastër

lugina e litiumitNjëmbëdhjetë centrale gjeotermike funksionojnë pranë një liqeni të kripur në shkretëtirën e Kalifornisë.

Kompania australiane “Controlled Thermal Resources” do të shtojë edhe një tjetër central që prodhon energji duke përdorur ujin e ngrohtë nga nëntoka. Krahas substancave të tjera do të nxirret edhe një metal i çmuar.

“Duke ulur temperaturën e ujit të kripur, prodhojmë energji të rinovueshme 24 orë në ditë, nxjerrim litiumin dhe minerale të tjera”, thotë Rod Colwell, drejtor i kompanisë “Controlled Thermal Resources”.

Litiumi është përbërës jetik për bateritë moderne elektrike.

Është i pranishëm në shtresën e jashtme të tokës, thotë një analist i kësaj industrie.

“Ka me bollëk edhe këtu në Shtetet e Bashkuara. Nuk përbën sfidë vetëm gjetja dhe nxjerra e tij, por edhe purifikimi”, thotë Chris Berry, president i kompanisë “House Mountain Partners”.

Tre kompani, ndër to edhe Berkshire Hathaway Energy, po testojnë se si ta nxjerrin dhe ta purifikojnë litiumin nga uji i kripur nëntokësor.

Secila kompani përdor teknologjinë e saj në një mjedis të mbyllur që nuk dëmton mjedisin.

Shumica e litiumit të botës tashmë vjen nga Bolivia, Argjentina dhe Kili, ku avullon në pishina që krijojnë probleme mjedisore, si ndotje të tokës dhe mbetje toksike.

Ose nga Australia dhe Kina, ku mblidhet nëpërmjet gërmimit minerar.

“Ka më shumë kuptim ta nxjerrim litiumin këtu në Shtetet e Bashkuara, ku kemi rregulla të forta mjedisore dhe kështu nuk e dëmtojmë mjedisin”, thotë Michael McKibben, profesor në Universitetin e Kalifornisë në Riverside.

Administrata e Presidentit Biden shpreson të sigurojë furnizimin për Shtetet e Bashkuara, në një treg të dominuar nga Kina.

Prodhimi komercial i litiumit mund të fillojë në Detin Salton për dy deri në katër vite, me potencialin për t’u zgjeruar në mënyrë që të plotësojë pjesën më të madhe të kërkesave të Amerikës, thonë gjeologët.

“Nëse arrin në 400 mijë tonë metrikë në vit karbonat litiumi, kjo është e barabartë me prodhimin e tanishëm botëror”, thotë zoti McKibben.

Ndërsa vazhdojnë të rriten çmimet e litiumit, perspektiva e vendeve të reja të punës është tërheqëse, thotë drejtuesi i një organizate jofitimprurëse, i cili është edhe anëtar i Komisionit të Luginës së Litiumit.

Por, ai do që kompanitë energjitike të zotohen me shkrim për atë çfarë do të përfitojë komuniteti rural.

“Qoftë për ujin, ajrin, tokën, mineralet dhe shumë gjëra të tjera. Nuk po marrim në këmbim një investim për komunitetet tona”, thotë Luis Omeldo, drejtor ekzekutiv i organizatës “Comite Civico del Valle”.

Nëse teknologjia që po testohet tani do të funksionojë sipas planit, kjo luginë në shkretëtirë mund të shndërrohet në një pikë kyçe të ekonomisë së gjelbër, duke prodhuar energji, litium, dhe madje edhe bateri, në një pjesë të izoluar të Shteteve të Bashkuara që mund të rezultojë jetësore për të ardhmen energjitike të vendit.

voa

Misioni “Psyche” nga NASA do të studiojë një asteroid të rrallë

asteroidPas vitesh përgatitjeje dhe testimi, një anije e re hapësinore e NASA-s është pothuajse gati për misionin e saj në një asteroid, me orbitë midis Marsit dhe Jupiterit. Shkencëtarët shpresojnë se misioni do të zbulojë të dhëna mbi origjinën e Tokës. Gazetarja e Zërit të Amerikës, Verónica Villafañe, ishte në Pasadena të Kalifornisë, në laboratorin ku NASA po ndërton anijen hapësinore.

Në këtë laborator të NASA-s, inxhinierët janë në fazat e fundit të montimit të anijes hapësinore Psyche.

Nëse gjithçka shkon sipas planit, kjo do të jetë anija e parë hapësinore, që do të rrotullohet rreth një asteroidi, ndërsa shkencëtarët shpresojnë të zbulojë të dhëna mbi origjinën e Tokës.

Asteroidi i quajtur Psyche, ndodhet midis Marsit dhe Jupiterit, rreth 2.4 miliardë kilometra larg Tokës. NASA është përgjegjëse për menaxhimin e përgjithshëm të misionit, të udhëhequr nga Universiteti Shtetëror i Arizonës.

Zëri i Amerikës bisedoi me Lundy Elkins-Tanton, e cila drejton kërkimet e misionit hapësinor.

“Është moment shumë emocionues. Pas meje ndodhet anija hapësinore që është plotësisht funksionale dhe është gati për t’u integruar në një raketë dhe për t’u lëshuar në hapësirë. Janë dashur 11 vite punë për të arritur deri këtu.”

Anija i është nënshtruar testimeve rigoroze. Misioni i saj është të hartojë dhe të studiojë moshën dhe karakteristikat e asteroidit.

Ekspertët thonë se asteroidi Psyche duket të jetë bërthama e ekspozuar me përbërje nikeli dhe hekuri, e një planeti të hershëm, një bllok kyç përbërës i sistemit diellor.

“Ka një teori se kjo është bërthama e një planeti. Si rezultat i përplasjeve me trupa të tjerë, shtresa rrethuese është shkëputur duke e lënë bërthamën të ekspozuar. Ne po eksplorojmë atë. Studimi i asteroidit do të na mundësojë të kuptojmë më mirë se si u formua, dhe cila është origjina e tij. Kjo do të na lejojë gjithashtu të kuptojmë origjinën e Tokës dhe të sistemit diellor”, thotë për Zërin e Amerikës inxhinierja María de Soria.

Shkencëtarët besojnë se bërthama e Tokës është e ngjashme. Por meqenëse bërthama e Tokës nuk mund të shihet, ose matet drejtpërdrejt, misioni Psyche mund të ofrojë njohuri të rëndësishme për formimin e sistemit tonë diellor dhe planeteve të tjera shkëmbore si Mërkuri, Afërdita dhe Marsi.

“Gjithmonë shtrojmë pyetjen se çfarë e bën të banueshëm një planet? Pse është e mundur jeta në të? Asteroidët ofrojnë përbërësit e asaj që sot është planeti Tokë. Mendojmë se në asteroidin Psyche do të gjejmë pjesë përbërëse që njerëzimi nuk i ka parë kurrë. Duam të gjejmë një tjetër përbërës të krijimit të një planeti shkëmbor në të cilin ka jetë”, thotë për Zërin e Amerikës Lindy Elkins-Tanton.

Anija hapësinore do të lëshohet në muajin gusht nga Cape Canaveral në Florida. Do të fluturojë përtej Marsit për të arritur asteroidin Psyche. Udhëtimi pritet të zgjasë rreth tre vjet e gjysmë. Pasi të arrijë, anija do të rrotullohet rreth asteroidit në një hark kohor prej 21 muajsh.

Misioni Psyche do të testojë gjithashtu teknologjinë e re të komunikimit me rreze lazer, që do të mundësojë transmetimin më të shpejtë të një sasie më të madhe të dhënash mes një sonde hapësinore dhe Tokës.

voa

Sigurim ushqimi në hapësirë: kultivim sallate në Hënë

bima ne token e henesShkencëtarët kanë mbjellë bimë në dheun e marrë nga sipërfaqja e Hënës. Kjo është një shenjë që tregon se njerëzit mund të jetojnë një ditë në Hënë, mund ta sigurojnë atje ushqimin dhe të prodhojnë ujin.

Studiuesit e Universitetit të Floridës thonë se kanë mbjellë bimë në dheun e marrë nga Hëna dhe kanë zbuluar atë, që një nga studiuesit e quan “bazën e ëndërrave eksploruese”. Është hera e parë, që shkencëtarët tregojnë se jeta mund të krijohet nga regolith-i, materiali i marrë nga sipërfaqja e Hënës.

Ata thonë se zbulimi i tyre, i publikuar në revistën Communications Biology (Biologji komunikative), mund të ketë ndikim në eksplorimet e ardhshme në Hënë.

Rob Ferl, një nga bashkëautorët e studimit, thotë, se zbulimi i tyre mund të ndihmojë austronautët që ndodhen me mision në Hënë, të nxjerrin ushqimin e tyre dhe të ulin

nevojën për furnizime të shpeshta nga Toka. “Kur njerëzit zhvendosen si civilizim, jo për të eksploruar për disa ditë, por kur shkojmë diku për të qendruar, ne gjithmonë marrim me vete agro-kulturat tona”, thotë Ferl.

Përveç përmirësimit të nivelit të sigurimit të ushqimit në hapësirë, studimi sjell edhe përfitime të tjera. Ai mund të ndihmojë astronautët të pastrojnë ajrin, të mënjanojnë dioksidin e karbonit nga atmosfera dhe të prodhojnë ujë të pastër.

Si mbillen bimët në dhè Hëne

Studiuesit mbollën fara Arabidopsis (një lloj bari guri) në dhè Hëne marrë rreth 50 vjet më parë, gjatë tre misioneve të veçanta Apollo në Hënë: Apollo 11 dhe 12 në vitin 1969 dhe Apollo 17 në vitin 1972.

Ata e ndanë dheun në pjesë 1 gramëshe dhe e hodhën në enë. Aty shtuan ujë, dritë dhe ushqim për bimët. Ata mbollën po ashtu një pjesë tjetër fare në hi vullkanik, një subtancë që është e ngjashme me dheun hënor, për të shërbyer për kontroll.

Shkencëtarët panë në më pak se 48 orë mbirje të bimëve në të dy grupet, por disa ditë më vonë vërejtën se bimët në dheun e Hënës ishin të stresuara. Bimët në regolith dukeshin të mpira krahasuar me ato në hirin vullkanik.

Por Ferl thotë, se fakti që bimët ishin në gjendje të mbinin në përgjithësi është një zbulim pozitiv. “E rëndësishme është se para se të bëhej ky eksperiment, askush nuk e dinte nëse bimët, sidomos ato me rrënjë do ishin në gjendje të ndërvepronin me dheun shumë djegës, shumë antagonist siç është regolithi hënor”, thotë Ferl.

Vështirësia mbetet tek sigurimi i provave

Ekspertimenti në vetvehte ishte i lehtë, por gjetja e materlialit të nevojshëm për të bërë eksperimentin ishte e vështirë. Ekzistonte vetëm një sasi e vogël dheu hënor për të bërë eksperimentin, 12 gram gjithsej, sa një lugë gjelle, dhe duhej bërë kërkesa disa herë gjatë një dekade rresht, për ta marrë nga Agjencia Amerikane e Hapësirës, NASA.

“Këto prova janë thesare natyrore me vlera të mëdha”, thotë bashkëautorja e studimit, Anna-Lisa Paul. “Kur punojmë me to ne i ndryshojmë ato. E para prej ajrit (ato vendosen në kontakt me ajrin) dhe ujin, ato nuk janë më origjinale dhe humbasin natyrën e tyre arkivore, e cila është shumë, shumë e mbrojtur.”

Përfitime për misionet e ardhshme në Hënë

Zbulimi është me rëndësi, mbase më me rëndësi se kurrë ndonjëherë, kur kihet parasysh se NASA dhe Agjencia Europiane e Hapësirës shpresojnë që të rikthejnë njeriun në Hënë me programin e tyre, Artemis.

Ekzistojnë plane për të bërë nisjen e parë të misionit Artemis pa ekuipazh në vitin 2022 dhe misionin me ekuipazh një dekadë më vonë. Edhe vende të tjera janë duke bërë plane të vizitojnë Hënën vitet e ardhshme, përfshirë këtu Japoninë dhe Kinën.

Por shkencëtarët ende nuk e dinë se si do të reagojnë bimët e Tokës në mjedisin hënor, real, të pasimuluar. Hëna është shumë e thatë në krahasim me Tokën dhe kjo mund të ndryshojë aftësinë e bimëve për të mbirë.

dw

Gjenetika ofron të dhëna për shkaqet e kancerit tek secili pacient

Cancer genomeCancer Genome

Shkencëtarët kanë analizuar hartën e plotë gjenetike të më shumë se 18,000 mostrave të kancerit, duke gjetur të dhëna të reja për shkaqet e zhvillimit të kancerit që mund të ndihmojnë mjekët të ofrojnë trajtim më të mirë dhe më të personalizuar për pacientët e tyre. Studiuesit në Mbretërinë e Bashkuar kanë zhvilluar gjithashtu një mekanizëm për të ndihmuar mjekët të zbatojnë atë që shkencëtarët mësuan përmes një studimi.

Duke kuptuar përbërjen e plotë gjenetike të një kanceri, mjekët shpresojnë se do të jenë në gjendje të trajtojnë çdo lloj kanceri individualisht. Studimi i botuar së fundmi në revistën Science mund t’i ketë sjellë ata një hap më pranë këtij qëllimi.

Shkencëtarët kanë analizuar hartën e plotë gjenetike të më shumë se 18,000 mostrave të kancerit përmes një procesi të quajtur “sekuenca e të gjithë gjenomit”. Shkencëtarët kanë tani të gjitha gjenomet e 19 llojeve të ndryshme të kancerit.Ky është studimi më i madh i të gjithë gjenomit mbi mostrat e kancerit i kryer deri më sot.

Qëllimi përfundimtar është gjetja e të dhënave të reja për shkaqet e kancerit që mund të ndihmojnë mjekët të ofrojnë trajtim më të mirë dhe më të personalizuar për pacientët. Kanceri i gjirit, zorrës së trashë dhe prostatës i ndihmuan shkencëtarët të identifikonin 58 të dhëna të reja për shkaqet e kancerit.

Serena Nik-Zainal është profesore e Mjekësisë së Gjenomit dhe Bioinformatikës në Universitetin e Kembrixhit dhe një nga autoret kryesore të studimit.

“Të dhënat e reja të zbuluara japin informacion shtesë për kancerin e çdo personi. Është diçka që ne nuk mund ta shihnim në të kaluarën. Ne thjesht shikonim për gjene specifike dhe thjesht dinim se shumë njerëz kishin të njëjtin mutacion të gjenit. Tani që mund të shohim këto modele mund t’ju tregojmë për gjërat që nuk shkojnë si duhet”, thotë Serena Nik-Zainal.

Studiuesit ishin në gjendje të analizonin një numër kaq të madh gjenomesh të plota për shkak të përmirësimeve në teknologjinë e sekuencës gjenetike që kohët e fundit i lejoi shkencëtarët të përfundonin plotësisht deshifrimin e të gjithë gjenomit njerëzor.

Shërbimi Shëndetësor në Mbretërinë e Bashkuar thotë se kanceri është një “sëmundje e gjenomit”, ose çrregullimi i udhëzimeve për funksionimin e qelizave, që ndodh kur ndryshimet në ADN-në e një personi bëjnë që qelizat të rriten dhe ndahen në mënyrë të pakontrolluar.

Në vitin 2020, kishte rreth 19 milionë raste të reja me kancer në mbarë botën. Disa modele mutacioni lindin për shkak të problemeve brenda qelizave të një personi; të tjerat ndodhin nga ekspozimet mjedisore si rrezatimi ultravjollcë, tymi i duhanit ose kimikatet.

Sekuenca gjenetike tashmë është duke u ndërthurur në praktikën onkologjike si pjesë e prirjes në rritje të “mjekësisë së personalizuar” ose kujdesit të bazuar në gjenet e pacientit dhe sëmundjen specifike.

Tani mjekët do të kenë shumë më tepër informacion për të nxjerrë, kur të analizojnë kanceret individuale.

“Kur bën sekuencën e të gjithë gjenomit, mund të shohësh të gjitha mutacionet në gjenom, çdo mutacion, duke përfshirë edhe ato jashtë gjeneve në sekuencat jokoduese. Kjo do të thotë që mund të marrësh një pamje të peizazhit të mostrës së kancerit të çdo pacienti”, thotë studiuesja Nik-Zainal.

Ajo thotë se teknikat e reja janë thelbësore:

“Me metodën e vjetër të analizës së gjenomit, ku thjesht shikonim një gjen dhe kërkonim për mutacione të gjenit, nuk sheh se disa nga ato tumore janë në të vërtetë shqetësues. Pra, kjo mënyrë e përdorimit të informacionit të plotë të gjenomit, ndihmon në zbulimin e pacientëve që mund të kenë anomali, dhe që mund të jenë të ndjeshme ndaj barnave për të cilat nuk do të kishin dijeni pa informacionin e plotë të gjenomit”.

Studiuesja Nik-Zainal thotë se të ekzaminosh të gjithë gjenomin e një kanceri do të thotë se mund të gjurmosh origjinën e sëmundjes.

“Mund të shohësh pacientë që kanë mutacione të trashëguara, kanceri i të cilëve ka karakteristika të njëjta. Pra, mund të zbulosh arsyen kryesore pse dikush ka kancer nga mutacione të trashëguara. Dhe e njëjta gjë mund të thuhet edhe për agjentët mjedisorë. Mund të shohim shenja të forta të tymit të duhanit në kancerin e mushkërive, apo dëmtime të forta të rrezeve violetë në kanceret e lëkurës”.

Studiuesit kanë zhvilluar gjithashtu një algoritëm kompjuterik të cilin po e publikojnë me studimin e tyre. Qëllimi i tij është të lejojë mjekët ta zbatojnë atë për të gjetur modele të zakonshme të mutacioneve dhe për të kërkuar për ato që janë shqetësuese.

Nëse kanceri i një pacienti ka një model të caktuar mutacioni, kjo mund të nënkuptojë se ata janë njerëzit e duhur për një ilaç të ri si imunoterapia apo një provë klinike. Studiuesit shpresojnë se shkencëtarët në vendet e tjera do të ndjekin shembullin e tyre dhe do t’i shtojnë njohuritë që mund të ndihmojnë në trajtimin e suksesshëm të kancereve.

voa

Çfarë zbulon zëri për personin?

lajm zanorKur dërgjojmë zërin e një personi, krijojmë automatikisht edhe përshtypjen për karakterin e tij. Çfarë zbulon në të vërtetë zëri? Për këtë janë bërë shumë studime.

Shumica prej jush ndoshta e njihni këtë situatë: Kur flasim me një person në telefon ose dëgjojmë ndonjë podcast edhe pa e parë kurrë atë automatikisht krijojmë përfytyrimin për këtë person.

Ne nuk krijojmë vetëm një ide për moshën dhe gjininë e personit, për edhe për dukjen e tij, gjatësinë apo forcën. Ne nga zëri i tij dallojmë po ashtu edhe nëse dikush është i mërzitur, miqësor, i interesuar ose me nerva. E besojmë se vetëm përmes zërit mund të krijojmë një përshtypje edhe për personalitetet e njerëzve të tjerë.

Zërat e thellë konsiderohen më tërheqës

Studimet psikologjike kanë treguar në të kaluarën se zëri i një personi luan një rol të rëndësishëm edhe në përzgjedhjen e një partneri, e në rastin e një politikani mund të ndikojë edhe votimin e tij apo jo.

Në veçanti lartësia e zërit duket të jetë vendimtare. Në studimet e shumta thuhet se zëri i thellë shpreh dominimin, atraktivitetin, inteligjencën dhe ndershmërinë.

E nëse kjo tingëllon si një lajm jo i mirë për personat me zë më të hollë, me zërat kërthitës, atëherë duhet thënë se deri më tani janë studiuar në radhë të parë se çfarë asociacionesh ngjall tingulli tek dëgjuesit. Kjo tregon shumë pak për karakterin e vërtet të personit.

Çfarë domethënie ka vërtet zëri?

Psikologu Christoph Schild nga Universiteti i Siegenit thekson se njerëzit mund të gabojnë edhe me interpretimet e zërit: “Mike Tyson, për shembull, njihet për zërin e tij mjaft të lartë, por në të njëjtën kohë është ndoshta më shumë një person dominues.”

Schild ishte pjesë e një ekipi kërkimor të udhëhequr nga psikologia Julia Stern. Ata së bashku kanë bërë kërkime në Universitetin e Göttingen dhe kanë dashur të zbulojnë se çfarë tregon vërtet zëri për personalitetin e një personi?

Thënë shkurt: Po. Disa tipare të personalitetit mund të lexohen edhe nga zëri, por vetëm disa.

Dominant, të ekstrovertuar, më aktivë në seks

Studiuesit kanë bërë kërkime me 2.217 burra dhe gra, ndërsa studimin e kanë publikuar në vitin 2021. Numri i grave në studim ka qenë më i lartë – 1.299. Stern dhe ekipi i saj donin të dinin nëse një zë i lartë apo i ulët pasqyron tipare të karakterit. Njerëzit me zë më të thellë janë më dominues, më ekstrovertë, më pak të shoqërueshëm dhe seksualisht më aktivë – këto ishin hipotezat e studiuesve që donin t’i testonin.

Për këtë qëllim u bënë regjistrime audio të të gjithë personave, për të përcaktuar lartësinë e saktë të zërave. Si mosha ashtu edhe gjinia u morën parasysh. Studiuesit mblodhën të dhëna edhe për sjelljen dhe dëshirën seksuale – sa dominantë, ekstrovertë, neurotikë, të shoqërueshëm, të hapur ndaj përvojave të reja dhe sa të ndërgjegjshëm vlerësohen pjesëmarrësit.

Stern dhe ekipi i saj konfirmuan disa nga hipotezat e tyre. Sipas studimit, njerëzit me zë më të thellë janë më dominues, më ekstrovertë dhe më shpesh të interesuar për seksin jashtë lidhjeve të rregullta. “Në rastin e thellësisë së zërit, studiuesit aktualisht supozojnë se ndryshimet në thellësinë e zërit mund të jenë rezultat i përzgjedhjes seksuale”, thotë Christoph Schild. “Këtu supozohet se thellësia e zërit funksionon si një sinjal “i ndershëm” që synon të pengojë konkurrentët e mundshëm dhe të tërheqë partnerë të mundshëm.” Bazuar në këtë supozim, sipas Schild, mund të ketë kuptim që një zë i thellë të lidhet me një tipar personaliteti që ndërlidhet edhe me përzgjedhjen e partnerit, siç është dominimi.

Zëri nuk sqaron të gjitha

Tiparet e tjera të personalitetit lidhen më pak me zërin: Sa neurotik, i ndërgjegjshëm, i shoqërueshëm ose sa i hapur është një person, ka më pak gjasa të na tregojë zëri i një personi. Ndoshta kjo është një prehje për të gjithë ata që luftojnë me zërin e tyre më të lartë dhe më të hollë. Zërat e thellë nuk janë tregues i tipareve se një person është vetëm joshës. Ndërkohë që zëri nuk jep ndonjë informacion të besueshëm as për shumë tipare të tjera të rëndësishme të karakterit.

dw

Mendoni se 8 orë gjumë janë mjaftueshëm? Mendohuni sërish!

gjumiPrej kohësh tetë orë gjumë ka qenë rregulli i artë për një pushim të mirë gjatë natës. Por studiuesit nga Kina dhe Mbretëria e Bashkuar thonë tani se njerëzit e moshuar kanë nevojë për më pak gjumë.

Shumica prej nesh e kanë përvetësuar këtë rregull: Një natë e plotë me gjumë do të thotë tetë orë për të rriturit. Por kjo mund të mos jetë më e vërtetë, pasi njerëzit arrijnë një moshë të caktuar.

Një ekip studiuesish nga Universiteti i Kembrixhit në Mbretërinë e Bashkuar dhe Universiteti Fudan në Kinë zbuluan se shtatë orë gjumë mund të jenë koha ideale e gjumit për njerëzit e moshës së mesme dhe të moshuar.

Në një studim të botuar në revistën “Nature Aging”, studiuesit thanë se shtatë orë gjumë ishin më idealet për shëndetin mendor.

Pjesëmarrësit në studim raportuan sjelljet e tyre të gjumit dhe gjithashtu iu përgjigjën pyetjeve në lidhje me mirëqenien dhe shëndetin e tyre mendor. Ata iu nënshtruan një sërë ushtrimesh që lidheshin me aftësitë konjitive, të cilat testuan shpejtësinë e tyre të përpunimit të informacionit, vëmendjen vizuale, kujtesën dhe aftësitë e zgjidhjes së problemeve. Ata që kishin pasur shtatë orë gjumë të pandërprerë, ia dolën më mirë.

Megjithatë, duhet qartësuar diçka: 94% e pjesëmarrësve ishin të bardhë, kështu që është e paqartë nëse rezultatet janë të vërteta për njerëzit me ngjyrë dhe prejardhje të tjera etnike ose kulturore.

Një faktor tjetër i rëndësishëm është qëndrueshmëria. Rezultatet më të mira u panë tek njerëzit që treguan vetëm pak luhatje në rutinën e tyre të gjumit për periudha të gjata kohore dhe që ishin besnikë të periudhës shtatë-orëshe.

 

Gjumë i ndërprerë: rrezik për demenca

“Të bësh një gjumë të mirë gjatë natës është e rëndësishme në të gjitha fazat e jetës, por veçanërisht teksa plakemi” – tha Barbara Sahakian, profesore në Universitetin e Kembrixhit dhe bashkëautore e studimit.

Studiuesit thanë se mungesa e gjumit ka të ngjarë të pengojë procesin e trurit për të çliruar veten nga toksinat. Ata gjithashtu thonë se një ndërprerje e gjumit të ngadaltë ose të thellë mund të jetë përgjegjës në përkeqësimin e aftësive konjitive.

Trazimi i gjumit të thellë ndikon në dëmtimin e kujtesës dhe kjo mund të çojë në akumulimin e amiloidit, një proteinë që – nëse nuk funksionon siç duhet – mund të shkaktojë “konfuzion” në tru, pra çon drejt demencës.

Gjumi i pamjaftueshëm ose i tepërt mund të jetë një faktor rreziku për plakjen e trurit.

“Nuk mund të themi përfundimisht se pak gjumë ose shumë gjumë shkakton probleme me aftësitë konjitive”  – thotë Jianfeng Feng, studiues i trurit dhe profesor në Universitetin Fudan. “Por arsyet pse njerëzit e moshuar kanë gjumë më të dobët duket të jenë komplekse, të ndikuara nga një kombinim i përbërjes sonë gjenetike dhe strukturës së trurit tonë.”

 

truriKohëzgjatja e gjumit ndikon në strukturën e trurit 

Studiuesit analizuan gjithashtu imazhet e trurit dhe të dhënat gjenetike, por ato të dhëna ishin të disponueshme vetëm për më pak se 40.000 pjesëmarrës.

Këto të dhëna treguan se sasia e gjumit mund të lidhet me ndryshimet në strukturën e rajoneve të trurit si hipokampusi, i cili konsiderohet qendra e kujtesës dhe mësimit në tru, dhe korteksi precentral, i cili është përgjegjës për kryerjen e lëvizjeve të vullnetshme.

Meqenëse rreziku i Alzheimerit dhe demencës – sëmundjet e plakjes që vijnë me dëmtime të aftësive konjitive– është i lidhur me kohëzgjatjen e gjumit, studiuesit thanë se puna e mëtejshme në fushën e shkencës së gjumit është thelbësore.

“Gjetja e mënyrave për të përmirësuar gjumin për njerëzit e moshuar mund të jetë vendimtare për t’i ndihmuar ata të ruajnë shëndetin dhe mirëqenien e mirë mendore dhe të shmangin rënien e aftësive konjitive, veçanërisht për pacientët me çrregullime psikiatrike ” – tha Sahakian.

dw

Një teknologji e re po ndihmon në eliminimin e mbetjeve ushqimore

mbetjet ushqimoreNë Shtetet e Bashkuara rreth 40 për qind e ushqimit hidhet poshtë. Në një përpjekje për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi një kompani në Holandë ka shpikur teknologjinë që mund të ndihmojë në reduktimin e mbetjeve ushqimore. Korrespondetja e Zërit të Amerikës Julie Taboh njofton.

Sipas Agjencisë të Mbrojtjes së Burimeve Natyrore, 40 për qind e ushqimit që gatuhet në Shtetet e Bashkuara hidhet poshtë.

Pjesa më e madhe e tij përfundon në vende mbeturinash, ku çlirohet një sasi masive metani.

Për të ndihmuar në trajtimin e këtij problemi global, një kompani holandeze ka prodhuar një sistem monitorimi të mbetjeve ushqimore e cila përdor inteligjencën artificiale për të ndihmuar kuzhinierët e restoranteve të identifikojnë dhe masin sasinë e ushqimit që hidhet nga kuzhinat e tyre.

Ne i vendosim koshit të mbeturinave një peshore poshtë dhe një kamera sipër dhe sa herë që hidhet diçka, bëjmë fotografi dhe falë Inteligjencën Artificiale arrijmë të dallojmë llojin e ushqimit që hidhet“, thotë Olaf van der Veen, drejtor ekzekutiv i Orbisk.

Informacionet mblidhen dhe hidhen menjëherë në një bazë të dhënash për të ndihmuar kuzhinierët të shohin ato që mund të jenë probleme të përsëritura.

Ta zëmë se hidhni 10 kilogramë domate çdo të martë në mëngjes, makineria do t’ua ofrojë këtë informacion. Ose sallatën të premteve, pasi njerëzit preferojnë ushqime të tjera më tradicionale, dhe çoni dëm një sasi të konsiderueshme sallate”, thotë Olaf van der Veen.

Ky është lloji i informacionit që u ofrohet shefave të kuzhinës në mënyrë që të ulin sasinë e mbeturinave që hedhin, me synimin për të përmirësuar qëndrueshmërinë dhe përfitimet prej tyre.

Nuk ka një kuzhinier në botë që do t’i pëlqente të gatuante për koshin e mbeturinave“, thotë zoti van der Veen.

Pra, ajo që kjo teknologji është në gjendje të bëjë për një restorant është t’i mundësojë atij, nëpërmjet inteligjencës artificiale, të parashikojnë dhe të gatuajë sasinë e duhur të ushqimit“, thotë Vonnie Estes, e Shoqatës Ndërkombëtare të Prodhimeve të freskëta.

Restorantet nuk e blejnë makinën, por paguajnë një tarifë abonimi mujor për informacionin që mbledh dhe shpërndan makina. Që kur u vu në përdorim në vitin 2019, shërbimi ka ndihmuar rreth 100 restorante në Evropë të kursejnë mbetjet ushqimore dhe paratë, thotë kompania.

Ne kemi kursyer 200 deri në 300 mijë kilogramë deri më sot dhe kjo ka një vlerë prej rreth 1.2 deri në 1.8 milionë dollarësh“, thotë Olaf van der Veen.

Kompania planifikon të zgjerohet duke u futur edhe në tregun amerikan e shpreson që një ditë të eliminojë plotësisht mbetjet ushqimore nga kuzhinat industriale.

voa