Kategoritë: Shkenca

SHBA, një aplikacion ofron informacion të menjëhershëm për zjarret

zjarret AppKur zjarret dogjën së fundmi një zonë të Los Anxhelosit, banorët shfrytëzuan një aplikacion që ofron informacion të menjëhershëm për zjarrin.

 

Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Michelle Quinn, aplikacioni “Watch Duty” është një qendër virtuale operacioni për emergjenca që jep informacione të çastit, lagje pas lagje, ndërsa një zonë përjeton një krizë.

Momentalisht ai ofron shërbime në 22 shtete ndërsa planifikohet zgjerimi i shërbimeve edhe për fatkeqësi të tjera natyrore si stuhitë, tërmetet dhe cunamët.

 

Ndërsa zjarret dogjën Los Anxhelosin, banorët dhe ekipet e emergjencave kishin nevojë për informacion që mund ta shfrytëzonin menjëherë. Informacioni kishte të bënte me zonat e evakuimit, drejtimin e erës dhe tymit, si dhe zonat me ndërprerje të energjisë elektrike e të tjera.

Shumë prej njerëzve përdorën aplikacionin “Watch Duty”, i drejtuar nga një ekip qindra kilometra larg në Kaliforninë Veriore.

Aplikacioni u ofron banorëve informacione thelbësore rreth zjarreve të reja, ndryshimit të erës dhe shqetësime të tjera. Aplikacioni duhet kuptuar si një qendër virtuale operacioni për emergjenca që jep informacione të çastit, lagje pas lagje, ndërsa një zonë përjeton një krizë.

“Emergjencat e mia dhe të fqinjit tim, që jeton mbi 400 metra larg meje, janë të ndryshme. Kështu ndodh me komunitetet kudo dhe për këtë arsye teknologjia ndihmon”, thotë për Zërin e Amerikës Nike Russell nënpresident i operacionve te “Watch Duty”.

Informacionet me detaje lokale të aplikacionit ‘Watch Duty’ janë një nga arsyet pse ai pëlqehet nga 7 milionë përdoruesit e tij, shumica e të cilëve e kanë shkarkuar atë së fundmi.

Suksesi i tij ka lidhje me faktin se teknologjitë që shfrytëzojnë Inteligjencën Artificiale u japin banorëve dhe ekipeve të emergjencave informacione në kohë reale që janë të nevojshme për të luftuar fatkeqësitë natyrore dhe për t’i mbijetuar ato.

Një nga partnerët e aplikacionit “Watch Duty” është “ALERTCalifornia” që drejtohet nga Universiteti i Kalifornisë në San Diego. Rrjeti i saj me mbi 1 mijë kamera përgjatë gjithë shtetit, që shfrytëzojnë Inteligjencën Artificiale, shpesh zbulojnë tymin e zjarreve para se njerëzit të thërrasin ekipet e emergjencës.

“Së bashku jemi bërë sytë dhe veshët për informacione që më pas i shpërndajmë si njoftime për publikun në platformën tonë”, thotë zoti Russell.

Një tjetër partner i “Watch Duty” është firma në Merilend, “N5 Sensors”. Pajisjet e saj të vendosura në tokë zbulojnë tymin, të nxehtin dhe shenja të tjera për zjarre.

“Këto pajisje që funksionojnë si hunda e njeriut, zbulojnë tymin dhe përmbajtje të ndryshme helmuese në ajër”, thotë zoti Russell nga “Watch Duty”.

Aplikacioni ofron shërbime në 22 shtete, kryesisht në pjesën perëndimore të Shteteve të Bashkuara ndërsa hartohen planet për të zgjeruar shërbimet. Ndërsa vëmendja kryesisht është përqendruar në zbulimin e zjarreve, “Watch Duty” planifikon të hulumtojë edhe për fatkeqësi të tjera natyrore si stuhitë, termetet dhe cunamit.

“Ne duam të bëhemi aplikacion që i ofron të gjitha shërbimet, ku njerëzit kanë një burim në kohë krize që e bën të qartë dhe me saktësi atë që po ndodhë”, thotë zoti Russell.

voa

Teleskopët vëzhgojnë një valë radioje masive nga një objekt i ndritshëm dhe i hershëm në univers

skice ilustrueseSkicë ilustruese e valës së radios

Teleskopët në mbarë botën kanë vëzhguar një valë gjigande radioje që rrjedh nga një kuazar që daton në 1 miliard vitet e para të universit.

Kuazari është një lloj i rrallë galaktike jashtëzakonisht i ndritshëm me një vrimë të zezë tejet masive në qendër.

Sa dyfishi i shtrirjes së galaktikës tonë, Rruga e Qumështit, kjo valë radioje është më e madhja e zbuluar ndonjëherë kaq herët në historinë e universit, thanë astronomët të enjten.

Valë të tilla radioje nuk janë diçka e rrallë në hapësirën kozmike. Por kanë qenë të pakapshme në universin e largët të hershëm, deri më tani, për shkak të sfondit të errët të mikrovalëve të mbetura nga fenomeni i krijimit, që quhet Big Bang.

“Arsyeja pse mund të vëzhgohet nga Toka, edhe pse është kaq larg, është madhësia ekstreme e objektit”, tha përmes një deklarate Anniek Gloudemans me “NoirLab” pranë Fondacionit Kombëtar të Shkencës.

Observatorët në Evropë, Havai dhe Teksas kontribuuan në studimin e publikuar në “Astrophysical Journal Letters”. Vala e radios me dy tehe vlerësohet të ketë një shtrirje prej të paktën 200,000 vite dritë. Një vit dritë është rreth 9.3 trilion kilometra.

I zbuluar disa vite më parë, kuazari që lëshon këtë valë gjigande radioje u formua kur universi kishte rreth 9% të moshës aktuale, ose brenda 1.2 miliardë viteve të para.

Disa nga objektet më të ndritshme në univers, kuazarët janë bërthama galaktike me gaz dhe pluhur që bien në një vrimë të zezë, duke çliruar një sasi të jashtëzakonshme energjie që i bën ata jashtëzakonisht të ndritshëm. Masa e këtij kuazari është sa 450 milionë herë masa e diellit tonë me një vrimë të zezë që nuk është veçanërisht masive.

voa

Robotë shtatzënë? Shpikja e radhës e Inteligjencës Artificiale ndez debate

robotBota e robotikës po përparon me shpejtësi dhe robotët humanoidë po bën dalëngadalë pjesë e të përditshmes tonë.

 

Në Konferencën e fundit për Mësimin e Robotëve, u zbuluan mjete të reja për t’i bërë robotët me Inteligjencë Artificiale më të zgjuar dhe më të aftë. Këta robotë tashmë janë duke u projektuar për të trajtuar detyra si kujdesi për fëmijët dhe kryerja e punëve. Por tani, një ide e re e guximshme po ndez debate: robotët shtatzënë.

Ky koncept mund të duket si fantashkencë, por mund të jetë një mundësi e madhe. Imagjinoni një robot të krijuar për të vepruar si një mitër artificiale, duke mbajtur një fëmijë, që nga konceptimi deri në lindje.

Për gratë që përballen me shtatzëni me rrezik të lartë, kjo shpikje mund t’ju ndryshojë jetën. Për të tjerët, mund të ofrojë lirinë për të balancuar karrierën, qëllimet personale dhe prindërimin.

Megjithatë, kjo ide ngre gjithashtu pyetje të rëndësishme. Nëse një teknologji e tillë bëhet e disponueshme, a do të jetë e aksesueshme vetëm për ata që mund ta përballojnë atë? A mund të thellojë pabarazitë midis atyre që kanë akses në robotikë të avancuar dhe atyre që nuk kanë?

Dhe përtej barrierave financiare, po në lidhje me aspektin emocional të shtatzënisë? Shumë njerëz e shohin shtatzëninë jo vetëm si një proces biologjik, por një udhëtim thellësisht personal dhe emocional që forcon lidhjen midis prindit dhe fëmijës. A mund ta zëvendësojë ndonjëherë një robot?

Ekziston gjithashtu shqetësimi më i gjerë se si kjo mund të riformojë konceptin e prindërimit. A do të merrnin robotët role më intime në jetën familjare, përtej ndihmës për lindjen e fëmijëve? A mund të çojë kjo në një botë ku lidhja njerëzore zëvendësohet nga teknologjia, madje edhe në aspektet më personale të jetës?

Ndërsa ideja e robotëve që mbajnë shtatzëni është emocionuese për disa, është gjithashtu thellësisht shqetësuese për të tjerët. Është një paraqitje e shkurtër e një të ardhmeje, ku teknologjia mund të ripërcaktojë se çfarë do të thotë të jesh prind. Nëse kjo e ardhme është fuqizuese apo tepër artificiale, është ende për debat.

tch

Cila është kompania kineze e inteligjencës artificiale që trazoi tregjet financiare?

AIVëmendja e tërhequr nga programi i inteligjencës artificiale të krijuar nga kompania e re kineze e teknologjisë DeepSeek trazoi tregjet e aksioneve të hënën dhe ndezi debate mbi konkurrencën ekonomike dhe gjeopolitike ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës në zhvillimin e teknologjisë së inteligjencës artificiale.

 

Programi ndihmës i kësaj kompanie u bë të hënën aplikacioni nr. 1 i shkarkuar në telefonat iPhone të kompanisë Apple, i nxitur nga kurioziteti për këtë konkurrent të programit ChatGPT. Një pjesë e shqetësimit për disa vëzhgues të sektorit amerikan të teknologjisë është ideja se një kompani e re kineze mund t’i arrijë kompanitë amerikane në krye të novacionit për inteligjencën artificiale, me shumë më pak kosto.

Kjo, nëse është e vërtetë, vë në pikëpyetje shumat e mëdha të parave që kompanitë e teknologjisë amerikane thonë se planifikojnë të shpenzojnë në qendrat e të dhënave dhe mikroqarqet kompjuterikë që nevojiten për të mbështetur përparimet e mëtejshme për inteligjencën artificiale.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump tha të hënën se teknologjia e kompanisë së re kineze DeepSeek duhet të veprojë si nxitje për kompanitë amerikane dhe tha se ishte gjë e mirë që kompanitë në Kinë kanë dalë me një metodë më të lirë dhe më të shpejtë të inteligjencës artificiale.

“Prezantimi nga DeepSeek, i inteligjencës artificiale nga një kompani kineze, duhet të shërbejë si një thirrje për industritë tona, që ne duhet të jemi të përqendruar për të konkurruar për të fituar”, tha Presidenti Trump në Florida.

Por zhurma dhe keqkuptimet rreth përparimeve teknologjike të kompanisë kineze DeepSeek gjithashtu mbollën konfuzion.

“Modelet që ata ndërtuan janë fantastike, por nuk janë as ndonjë mrekulli”, tha analistja Stacy Rasgon, e cila ndjek industrinë e gjysmëpërçuesve dhe ishte një nga disa analistët e aksioneve që e përshkruan reagimin e bursës Wall Street si të tepruar.

“Ata nuk po përdorin asnjë risi që janë të panjohura apo sekrete apo diçka të tillë”, tha zonja Rasgon. “Këto janë gjëra me të cilat të gjithë po eksperimentojnë”.

Çfarë është “DeepSeek”?

Kompania e re DeepSeek u themelua në vitin 2023 në Hangzhou, Kinë dhe nxori modelin e saj të parë të inteligjencës articiale më vonë atë vit. Drejtuesi i saj Liang Wenfeng më parë bashkëthemeloi një nga fondet më të mëdha të investimeve të Kinës, “High-Flyer”, i cili fokusohet tek tregtimi i drejtuar nga inteligjenca artificiale.

Kompania DeepSeek filloi të tërhiqte më shumë vëmendje në industrinë e inteligjencës artificiale muajin e kaluar kur nxori një model të ri të inteligjencës artificiale, për të cilin mburrej se ishte në të njëjtin nivel me modelet e ngjashme të kompanive amerikane, si programi ChatGPT i kompanisë OpenAI, dhe se ishte me kosto më efektive në përdorimin e mikroqarqeve të shtrenjtë të kompanisë Nvidia për ta trajnuar sistemin me sasi të mëdha të dhënash. Aplikacioni i kompanisë kineze u bë më i disponueshëm kur u shfaq në platformat e aplikacioneve të kompanive Apple dhe Google në fillim të këtij viti.

Por ishte një studim kërkimor që u botua javën e kaluar – në të njëjtën ditë me inaugurimin e Presidentit Donald Trump – që vuri në lëvizje panikun që pasoi. Studimi kishte të bënte me një model tjetër të inteligjencës artificale të kompanisë DeepSeek të quajtur R1, që tregonte aftësi të avancuara “arsyetimi” – të tilla si aftësia për të rimenduar përqasjen ndaj një problemi matematikor – dhe ishte dukshëm më i lirë se një model i ngjashëm i shitur nga kompania OpenAI, i quajtur o1.

“Pavarësisht nga botëkuptimi i tyre për ekonominë”, tha zonja Rasgon, “unë mendoj se niveli i çmimeve i trembi njerëzit”.

Një moment ‘Sputnik’?

Pas dramaticitetit rreth aftësive teknike të DeepSeek është një debat brenda Shteteve të Bashkuara mbi mënyrën më të mirë për të konkurruar me Kinën për inteligjencën artificiale.

“Deepseek R1 është momenti Sputnik për inteligjencën artificiale”, tha sipërmarrësi Marc Andreessen në një postim të dielën në platformën sociale X, duke iu referuar lëshimit të satelitit të vitit 1957, që nisi një garë të eksplorimit të hapësirës gjatë Luftës së Ftohtë, ndërmjet Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara.

Zoti Andreessen, i cili ka këshilluar Presidentin Trump për politikën e teknologjisë, ka paralajmëruar se vendosja e rregullave të tepruara për industrinë e inteligjencës artificiale nga qeveria amerikane, do të pengojë kompanitë amerikane dhe do t’i mundësojë Kinës të ecë përpara.

Por vëmendja ndaj DeepSeek kërcënon gjithashtu të minojë një strategji kyçe të politikës së jashtme amerikane në vitet e fundit, për të kufizuar shitjen në Kinë të gjysmëpërçuesve të inteligjencës artificiale të prodhuara nga Amerika. Disa ekspertë të marrëdhënieve SHBA-Kinë nuk mendojnë se kjo është një aksident.

“Inovacioni i teknologjisë është real, por koha e prezantimit është e natyrës politike”, tha Gregory Allen, nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare. Zoti Allen e krahasoi njoftimin e kompanisë DeepSeek javën e kaluar, me nxjerrjen e një telefoni të ri nga kompania kineze Huawei, e sanksionuar nga SHBA, gjatë bisedimeve diplomatike mbi kontrollet e eksportit të administratës të ish-Presidentit Biden në vitin 2023.

“Përpjekja për të treguar se kontrollet e eksportit janë të kota ose kundërproduktive është një qëllim vërtet i rëndësishëm i politikës së jashtme kineze tani”, tha zoti Allen.

Presidenti Trump nënshkroi një urdhër në ditën e tij të parë në detyrë javën e kaluar ku thuhej se administrata e tij do të “identifikonte dhe eliminonte boshllëqet në kontrollet ekzistuese të eksportit”, duke sinjalizuar se ai ka të ngjarë ta vazhdojë dhe ta forcojë përqasjen e ish-Presidentit Biden.

Aksionet e kompanisë Nvidia ranë 18% të hënën, por kompania në një deklaratë përgëzoi punën e kompanisë DeepSeek si “një avancim i shkëlqyer i inteligjencës artificiale” që përdori “modele dhe përllogaritje të disponueshme gjerësisht që janë plotësisht në përputhje me kontrollin e eksportit”.

 

Çfarë e dallon kompaninë DeepSeek?

Një gjë që e dallon kompaninë kineze DeepSeek nga konkurrentët si kompania OpenAI është se modelet e saj janë me “burim të hapur” – që do të thotë se komponentët kryesorë janë të disponueshëm për këdo që të ketë qasje dhe që t’i modifikojë, megjithëse kompania nuk ka zbuluar të dhënat që ka përdorur për trajnimin e algoritmit.

Por ajo që ka tërhequr më shumë admirim në lidhje me modelin R1 të DeepSeek është ajo që Nvidia e quan një “shembull perfekt të Shkallëzimit të Kohës së Testit” – ose kur modelet e inteligjencës artificiale demonstrojnë në mënyrë efektive vazhdën e tyre të arsyetimit dhe më pas e përdorin atë për trajnime të mëtejshme, pa pasur nevojë t’i ushqejnë me burime të reja të dhënash.

“Është thjesht si të mendosh me zë të lartë”, tha Lennart Heim, studiues në Rand Corporation.

Modelet e arsyetimit të OpenAI, duke filluar me o1, bëjnë të njëjtën gjë dhe ka të ngjarë që konkurrentët e tjerë me seli në Shtetet e Bashkuara, si Anthropic dhe Google, të kenë aftësi të ngjashme që nuk janë bërë ende të disponueshme, tha zoti Heim.

Por “është hera e parë që shohim një kompani kineze t’i afrohet kaq shumë, brenda një periudhe relativisht të shkurtër kohore. Unë mendoj se kjo është arsyeja përse shumë njerëz po i kushtojnë vëmendje”, tha zoti Heim. “Unë besoja se OpenAI ishte në krye, se ishte mbreti dhe se askush nuk mund ta arrinte. Rezulton se nuk është plotësisht kështu”.

voa

Besim i madh te shkenca – për sa kohë ajo nuk të bezdis

ShkencaShumë njerëz u besojnë studiuesve dhe duan që shkenca të ketë më shumë ndikim në shoqëri dhe politikë, zbulon një sondazh global. Por vetëm për aq kohë sa studimi nuk kufizon liritë e tyre.

 

Sipas një sondazhi global me afro 72.000 vetë në 68 vende, nuk ka krizë të përgjithshme besimi në shkencë. Me gjithë masat drastike të marra për të luftuar pandeminë e Coronas, njerëzit nuk janë larguar nga shkenca, siç pretendohej.

Studimi i TISP është sondazhi më i madh i besimit te shkencëtarët që nga pandemia. Duket se shumë të anketuar duan që shkenca të përfshihet më shumë në shoqëri dhe politikë.

Në përgjithësi, 78% e të anketuarve besojnë se shkencëtarët janë të kualifikuar për të kryer kërkime cilësore. 57% i perceptojnë si të ndershëm dhe 75% besojnë se metodat shkencore janë mënyra më e mirë për të zbuluar të vërtetën.

Pandemia e Coronas - provë për politikën e shkencën

Sipas studimit, besim më të madh te shkencëtarët kanë gratë, të moshuarit, personat me arsim të lartë, me të ardhura më të larta dhe që jetojnë në zona urbane. Qëndrimet politike liberale dhe religjioziteti kanë gjithashtu efekt pozitiv te besimi te shkenca.

Në të kundërt, orientimi i dominimit social ka një efekt negativ. Orientimi i dominimit social (SDO) përshkruan dëshirën që grupet më të forta të kontrollojnë grupet më të dobëta dhe lidhet negativisht me vlera të tilla si barazia dhe drejtësia sociale.

Presion masiv ndaj shkencës nën Trumpin

Sondazhi i përgjithshëm u publikua për të përkuar me marrjen e detyrës nga Trumpi. Presioni mbi kërkimin dhe shkencën në SHBA do të vazhdojë të rritet. Që nga mandati i tij i parë, Trumpi është ndeshur me një pjesë të madhe të shkencës dhe ka vënë në dyshim zbulimet shkencore.

Presidenti Trump mohon krizën klimatike dhe i ka vendosur miqtë e tij kritikë ndaj shkencës në pozicionet kyçe vendimmarrëse: ministri i Shëndetësisë, Kennedy është kundërshtar i vaksinave, ministri i Energjisë, Wright vjen nga industria e naftës dhe fracking, Ministri i Mbrojtjes Hegseth nuk beson në infektimet, ministrja e Arsimit, McMahon dëshiron t’ua lërë arsimin prindërve, sepse shumë mësuesve dhe profesorëve, sipas saj, nuk mund t’u besosh.

Janë veçanërisht fushat shkencore si kërkimet klimatike dhe gjinore ose etnologjia që i frikësohen ndikimit masiv politik, sepse ato konsiderohen si shkenca të majta ose “vigjilente ndaj diskriminimit”(“woke)”) në qarqet nacionaliste të djathta. Ekziston frika se kërkimet e padëshiruara do të pengohen, se studiuesit do të kufizojnë veten ose do t’i kthejnë shpinën vendit të rëndësishëm të kërkimit shkencor, SHBA.

Nocioni i “besimit” është në radhë të parë i turbullt. Prandaj ekspertët mirëpresin faktin se, për sondazhin global, u shqyrtuan katër aspekte të ndryshme të besueshmërisë së studiuesve  duke përdorur dymbëdhjetë pyetje të ndryshme: kompetenca e perceptuar e studiuesve, sinqeriteti i tyre, qëndrimi i tyre i hapur ndaj kritikave dhe interesi i tyre për mirëqenien e shoqërisë.

Studiues të tillë si Hans Peter, profesor në Institutin e Shkencave të Komunikimit dhe Gazetarisë në Universitetin e Lirë të Berlinit, e konsiderojnë veçanërisht pozitiv që sondazhi “përgënjeshtron mitin e një krize globale të besimit te shkenca”.

Po kështu mendon edhe Mathias Frisch, profesor në Institutin e Filozofisë në Universitetin Leibniz të Hanoverit: “Kohët e fundit, diskursi publik shpesh ka krijuar përshtypjen se besimi te shkenca ka rënë ndjeshëm, veçanërisht pas pandemisë COVID-19. Rezultatet e këtij studimi ndërkombëtar, mbresëlënës në përmasat e tij, e kundërshtojnë këtë tregim të përhapur.

A duhet të përfshihet shkenca më shumë në politikë dhe shoqëri?

Megjithatë, ekspertët janë të befasuar kur zbulojnë se shumica e të anketuarve në mbarë botën janë në favor të përfshirjes së studiuesve në politikë. Kjo është e jashtëzakonshme, shpjegon Mathias Fritsch, veçanërisht pasi shumë studiues “janë mjaft kritikë ndaj idesë që shkencëtarët të mbështesin aktivisht pozicionet politike, sepse kanë frikë (…) se mund të keqpërdoren për të ushtruar ndikim politik”.

“Në rastin e pandemisë Corona, pamë në mënyrë tipike të kundërtën, që politika përdor shkencën dhe shkencëtarët që të mos vendosë vetë. Në vend që të merrej publikisht, si qeveri, përgjegjësia për një vendim, kur politika nuk binte dakord, pretendohej se “shkenca” kishte konkluduar se ishte e nevojshme të veprohet në këtë mënyrë dhe jo ndryshe,” shpjegon Kohring, studiues i komunikimit në Universitetin e Manheim-it.

Frank Marcinkowski nga Universiteti Heinrich Heine në Düsseldorf e interpreton këtë dëshirë si “pakënaqësi me politikën demokratike. Ata që kërkojnë që të ashtuquajturit ekspertë, shkencëtarë ose teknologji inteligjente të kenë më shumë ndikim, zakonisht e bëjnë këtë sepse nuk u besojnë më politikës e partive për zgjidhjen e problemeve”, shpjegon specialisti i medias.

Megjithatë, vetëm populistët premtojnë zgjidhje të thjeshta, të cilat rrallë ekzistojnë. Sipas Marcinkowskitt, “ne jemi përballur më tepër, në nivel global dhe kombëtar, me situata problematike gjithnjë e më komplekse, të cilat janë gjithnjë e më të vështira për t’u ‘zgjidhur’ ose të paktën për t’u paqëtuar. Për shumë probleme, “as shkenca dhe as politika nuk kanë ‘zgjidhje’, por natyrisht nuk e pranojnë këtë. Në përputhje me këtë, edhe më ashpër shpalosen konfliktet politike dhe në mënyrë më të papajtueshme përplasen grupet e interesit.”

Besimi merr fund kur preket liria personale

Kur politikanët marrin vendime jopopullore bazuar në rezultate shkencore, të cilat kufizojnë, për shembull, liritë personale ose standardin e jetesës, integrimi i dëshiruar i shkencës në procesin e vendimmarrjes arrin shpejt në kufi.

Kjo nuk është e dukshme vetëm në fushën e ndryshimeve klimatike, thotë Matthias Kohring nga Universiteti i Manheim. “Periudha e Coronës ka treguar se shumë njerëz kundërshtojnë pikërisht këtë angazhim, për shembull  mbajtjen e maskave, qëndrimin në shtëpi ose mosvajtjen me pushime”, vëren mediatologu. Në fund të fundit, shkenca ofron vetëm bazën për vendimmarrje, por i takon politikës që të marrë vendimet. “Natyrisht është e arsyeshme që politikanët të marrin vendime bazuar në dijet më të mira në dispozicion – dhe këto janë zakonisht dijet shkencore,” përfundon specialisti i komunikimit Marcinkowski.

 

Burimi: Cologna V et al. (2025): Trust in scientists and their role in society across 68 countries. Nature Human Behaviour. DOI: 10.1038/s41562-024-02090-5. 

 

dw

SHBA kufizon eksportin e mikroprocesorëve në mbarë botën

mikroprocesorQeveria amerikane njoftoi të hënën se do të kufizojë më tej eksportet e mikroprocesorëve që përdoren për inteligjencën artificiale, me synimin për ta mbajtur teknologjinë e avancuar brenda Shteteve të Bashkuara, apo ndarë atë vetëm me vendet aleate.

 

Kufizimet e reja shihen si përpjekje për të balancuar shqetësimet që paraqet Inteligjenca Artificila ndaj sigurisë kombëtare, me interesat ekonomike të prodhuesve si dhe vendeve të tjera.

Rregullat e reja kufizojnë numrin e mikroprocesorëve që mund të eksportohen në një numër të madh vendesh dhe do të lejojë qasje të pakufizuar ndaj kësaj teknologjie për aleatët më të afërt të Uashingtonit. Eksportet e këtyre produkteve janë të ndaluara për në Kinë, Rusi, Iran dhe Korenë e Veriut.

Por kufizimet e reja, që u bënë publike në ditët e fundit të administratës së Presidentit në largim Joe Biden, shkojnë përtej Kinës dhe synojnë të ndihmojnë Shtetet e Bashkuara të ruajë statusin dominues në fushën e inteligjencës artificiale, duke kontrolluar flukset e mikroprocesorëve në mbarë botën.

“SHBA-të kryesojnë tashmë në fushën e inteligjencën artificiale – si në zhvillimin e kësaj teknologjie ashtu edhe në prodhimin e mikroprocesorëve për Inteligjencën Artificiale. Është e rëndësishme që ta ruajmë këtë gjë”, tha Sekretarja amerikane Tregtisë Gina Raimondo.

Rregullorja e re është produkt i përpjekjeve katërvjeçare të administratës Biden për të penguar Kinën që të sigurojë mikroprocesorë të avancuar që mund t’i përdorë për të forcuar aftësitë e saj ushtarake.

Ndërsa aktualisht është e paqartë se cila do të jetë qasja e administratës së ardhshme të Presidentit të zgjedhur Donald Trump ndaj rregullores së reja, ajo që dihet është se të dyja administratat, ndajnë pikëpamje të ngjashme mbi kërcënimin që paraqet Kina.

Rregullorja është parashikuar të hyjë në fuqi 120 ditë nga publikimi i saj, duke i dhënë kohë administratës Trump që ta shqyrtojë atë.

Por disa nga zërat e fuqishëm të industrisë e kritikuan planin e administratës Biden edhe para bërjes publik të tij.

“Nvidia” kompania më e njohur e prodhimit të mikroprocesorëve për Inteligjencën Artificiale tha se rregullat e reja të Shtëpisë së Bardhë, do t’i vinin kufizime firmave amerikane për një teknologji që tashmë është e disponueshme në treg. Kompania tjetër e njohur për ruajtjen e të dhënave, Oracle, tha se rregullat e reja për kufizimin e eksporteve amerikane do t’ia jepnin tregun global për këto artikuj firmave konkuruese nga Kina.

voa

Ndryshon programi i verifikimit të fakteve për rrjetet sociale Facebook dhe Instagram

faceinstaKompania Meta, në pronësi të së cilës janë rrjetet sociale Facebook dhe Instagram, njoftoi të martën se po heq programin e saj për verifikimin e fakteve nga një palë e tretë dhe se do ta zëvendësojë atë me Shënimet nga Komuniteti (Community Notes), të shkruara nga përdoruesit. Ky do të jetë një model i ngjashëm me atë të platformës sociale X të miliarderit Elon Musk.

 

Duke e filluar nga Shtetet e Bashkuara, kompania Meta do ta mbyllë programin e saj për verifikimin e fakteve në bashkëpunim me ekspertë të jashtëm. Kompania tha se vendosi t’i japë fund këtij programi, pasi vetë ekspertët që verifikonin faktet kishin paragjykimet e tyre dhe sepse ishte shtuar shumë sasia e materialeve që duheshin verifikuar.

Në vend të këtij programi, kompania Meta do të zhvendoset drejt modelit të Shënimeve të Komunitetit, që shfrytëzon mekanizmin e verifikimit të fakteve nëpërmjet mbledhjes së informacionit të kontribuar nga përdoruesit.

“E kemi parë këtë përqasje të funksionojë në X – ku ata fuqizojnë vetë komunitetin e tyre për të vendosur se kur postimet janë ndoshta mashtruese dhe kur kanë nevojë për më shumë kontekst”, tha drejtuesi për çështjet globale në kompaninë Meta, Joel Kaplan.

Zoti Kaplan tha se sistemi i ri do të futet gradualisht gjatë muajve në vazhdim dhe se kompania do të vazhdojë të punojë për ta përmirësuar atë gjatë vitit në vazhdim. Gjatë tranzicionit, kompania Meta do të përdorë etiketimin (labels), në vend të paralajmërimeve të vendosura mbi postime të caktuara.

Agjencia e lajmeve Associated Press merrte pjesë në programin e kompanisë Meta për verifikimin e fakteve, por i dha fund pjesëmarrjes një vit më parë.

Kompania e mediave sociale njoftoi gjithashtu se synon të lejojë më shumë “shprehje të mendimit” duke hequr disa nga kufizimet për tematika janë bërë pjesë e diskutimit konvencional, si emigracioni dhe gjinia, në mënyrë që të fokusohej tek shkelje të rënda dhe të paligjshme, si p.sh. terrorizmi, shfrytëzimi seksual i fëmijëve dhe drogat.

Kompania Meta tha se përqasja e saj për të ndërtuar sisteme më komplekse për të menaxhuar përmbajtjen e materialeve në platformat e saj e ka “tejkaluar cakun” dhe se pati “bërë gabime të shumta” duke censuruar përmbajtje më shumë se ç’duhet.

Drejtori ekzekutiv Mark Zuckerberg pranoi se ndryshimet janë pjesërisht të nxitura nga zhvillimet politike, përfshirë fitoren në zgjedhjet presidenciale të Presidentit të zgjedhur Donald Trump.

“Zgjedhjet e fundit të japin gjithashtu ndjesinë e një pike kthese kulturore, duke u riorientuar sërish për t’i dhënë përparësi lirisë së shprehjes”, tha zoti Zuckerberg në një mesazh me video.

Bordi gjysëm i pavarur i mbikëqyrjes së kompanisë Meta, që ishte krijuar për të shërbyer si një arbitër për vendimmarrjen për çështje të debatueshme, tha se mirëpriste ndryshimet dhe se pret me padurim të bashkëpunojë me kompaninë “për t’i kuptuar ndryshimet me më shumë detaje, për t’u siguruar që përqasja e re të jetë sa më efektive dhe në mbështetje të lirisë së shprehjes, që të jetë e mundur”.

voa

Las Vegas, panairi i teknologjisë 2025 sjell risitë për inteligjencën artificiale

CES25Ekspozita e përvitshme e teknologjisë, CES, hapet të martën, më 7 janar. Shtypi u lejua aty gjatë dy ditëve të mëparshme.

 

E njohur më parë si Consumer Electronics Show, CES sjell pjesëmarrës dhe ekspozues nga e gjithë bota.

Në vitin 2024, ekspozita pati mbi 138,000 pjesëmarrës. Organizatorët, Shoqata e Konsumatorëve të Elektronikës, presin të shohin një pjesëmarrje edhe më të madhe në ekspozitën e këtij viti.

Mbi 4,500 kompani pjesëmarrëse, përfshirë 1,400 kompani të reja, pritet të vendosen në një sipërfaqe prej 232 mijë metrash katrorë.

Panairi CES nuk është vetëm i rëndësishëm në kalendarin e konventave, por është edhe një ngjarje e madhe për Las Vegasin. Është vërtet konventa jonë e parë e madhe e vitit kalendarik. Dhe ne e presim me padurim çdo vit, jo vetëm nga pikëpamja e konventës, por edhe nga pikëpamja e vizitorëve nga jashtë vendit. Hapësira që zë është mbi 232 mijë metra katrorë. Për fat të mirë, Vegasi e ka këtë hapësirë. Ky panair zhvillohet në tre qendra të ndryshme në të gjithë qytetin”, thotë Molly Castano, nga Autoriteti i Konventave të Las Vegasit.

Ndër kompanitë e mëdha që marrin pjesë këtë vit janë Nvidia, Sony, Samsung, LG dhe L’Oréal.

Dhe teknologjia për të cilën do të interesohen të gjithë do të jetë inteligjenca artificiale.

Nëse viti 2023 ishte një vit befasish në lidhje me inteligjencën artificiale, 2024 ishte viti për t’u përpjekur për ta përdorur inteligjencën artificiale për funksione të dobishme, pa kosto të larta.

Teknologjia e inteligjencës artificiale është futur në një numër në rritje shërbimesh teknologjike, pavarësisht nëse e dëshirojmë apo jo – për shembull, nëpërmjet përgjigjeve të hartuara nga inteligjenca artificiale në rezultatet e kërkimit në internet, ose teknikave të reja të inteligjencës artificiale për përpunimin e fotografive.

Produktet me inteligjencë artificiale pritet të dominojnë në panairin CES 2025.

Nvidia, në veçanti, pritet të tërheqë vëmendje të lartë me kartën e saj të re grafike për lojërat elektronike, të shumëpriturën GeForce RTX 50.

Mendoj se ky mund të jetë viti që inteligjenca artificiale fillon të përmbushë potencialin e saj. Mendoj se pati disa vite kur kompanitë nxituan ta vendosin inteligjencën artificiale kudo dhe thjesht provuan shumë gjëra për të parë se çfarë qëndron. Shpresoj se do të jetë më e përhapur, se nuk do të jenë vetëm disa veçori që mezi i gjeni, por do të jenë të vërteta. Gjëra që do të jenë thelbësore për produktet që njerëzit përdorin çdo ditë”, thotë Anyron Copeman, redaktor në faqen e teknologjisë “Tech Advisor”.

Do të ketë gjithashtu pajisje për teknologjinë personale, transportin, klimën dhe të tjera.

Në panairin CES do të jenë të pranishëm edhe kompanitë më të mira të prodhimit të automjeteve, duke zbuluar gjithçka, që nga sistemet informuese dhe argëtuese të fuqizuara nga inteligjenca artificiale, projektimin holografik në të gjithë xhamin e përparmë të makinës, apo deri tek taksitë fluturuese dhe automjetet elektrike më të fundit.

Shumë nga pajisjet e paraqitura në panairin e Las Vegasit nuk do të dalin dot ndonjëherë në treg, por eksperti Copeman thotë se është një lloj “vështrimi në të ardhmen”.

Do të thoja se panairi CES vazhdon të jetë shumë i rëndësishëm për të parë se si do të jetë e ardhmja. Mendoj se shohim shumë pajisje konceptuale dhe gjëra që ndoshta nuk do të dalin domosdoshmërisht në treg. Por ajo që shihni janë shumë gjëra që më pas do të përfshihen në produktet në vazhdim, megjithëse ndoshta jo në të njëjtën formë. Do të shihni gjëra për të cilat nuk e kishit menduar më parë, diçka të ndryshme, që mund të ketë sukses”, thotë eksperti Copeman.

Panairi CES hapet të martën, më 7 janar, pas dy ditësh fushatash informimi në media.

voa

Helikopterë pa pilot për përdorim në sektorin e bujqësisë

helikoptere pa pilotNjë kompani e re amerikane po zhvillon një helikopter gjysmë autonom i cili mund të përdoret për spërkatjen e të korrave, transportin e dërgesave në det të hapur dhe që mund të fluturojë në mjedise të tjera të rrezikshme. Synimi i firmës së re është siguria e pilotit në misione që paraqesin rrezik të lartë.

 

Një firmë amerikane ka ndërmarrë hapat e parë për të ulur rreziqet e fluturimit me helikopter, ndërsa prezanton prototipin e parë i cili fluturon pa pilot. Synimi është transformimi i disa nga operacioneve më vdekjeprurëse në këtë industri.

Helikopteri “Sprayhawk” është i pajisur me sisteme të sofistikuara të inteligjencës artificiale, AI, ndjesorë dhe mjete komunikimi që mundësojnë drejtimin e mjetit fluturues nga toka. Ky mjet ajror po zhvillohet nga firma “Rotor Technologies Inc.” në partneritet me gjigandin e njohur të prodhimit të helikopterëve për aviacionin civil, “Robinson Helicopters Company”.

“Pas meje mund të shihni procesin e ndërtimit të një helikopteri që peshon 1,134 kilogram dhe mund të transportojë një ngarkesë me peshë sa gjysma e tij. Kjo do ta ndryshojë botën dhe jemi krenar që po i prodhojmë në Nashua të shtetit Nju Hampshire”, thotë Hector Xu, shefi i kompanisë “Rotor Technologies”.

Hector Xu, themelues i firmës, u nxit për sipërmarrjen nga disa “përvoja të këqija” ndërsa mësonte të drejtonte një helikopter në kushte të dobëta shikueshmërie. Në atë kohë, ai po studionte në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets në degën e inxhinierisë hapësinore dhe aviacionit.

Tre vjet më vonë, firma e tij synon të ofrojë mjetin pa pilot për përdorim të gjerë në treg ndërsa pret miratimin nga Administrata Federale e Aviacionit.

“Po ndërtojmë mjetin ajror pa pilot me aftësi të larta. Po instalojmë sisteme të inteligjencës artificiale brenda një helikopteri të zakonshëm”, thotë zoti Xu.

Firma synon të ofrojë mjetin fluturues për të kryer disa nga operacionet më të rrezikshme ajrore, ndërsa ka ambicie më të mëdha.

“Këta helikopterë mund të përdoren për misione kritike në bujqësi, transportin bregdetar apo reagim në raste fatkeqësish. Këto mjete pa pilot do të ndikojnë në shumë industri”.

Këto operacione janë disa nga më të rrezikshmet për pilotët për shkak të lartësive të ulëta dhe terrenit me pengesa të padukshme dhe të paparashikueshme si linjat e tensionit të lartë, kullat e komunikimit, pemët apo pengesa të tjera.

Të dhënat nga Bordi Kombëtar i Transportit tregojnë se 13 pilotë humbën jetën gjatë operacioneve të aviacionit bujqësor midis prillit dhe shtatorit të vitit 2024.

“Helikopteri ka aftësitë që të marrë vendime gjatë fluturimit por gjithashtu mund të telekomandohet nga toka. Në çdo rast, piloti nga toka mund të marrë drejtimin e mjetit fluturues. Pra jemi përqendruar tek siguria”, thotë zoti Xu.

Firma ka zhvilluar dy helikopterë autonomë dhe po kryen fluturime provë. Ajo shpreson që deri vitin tjetër të ketë gati për treg rreth 20 helikopterë për përdorim në sektorin e bujqësisë. Kompania ka siguruar miratimin për të filluar operacionet bujqësore në pjesën perëndimore të vendit.

Lukas Koch është me firmën “Heinen Brothers” e cila ofron shërbime nga ajri për sektorin bujqësor dhe operacionet kundër zjarrit.

“Duam t’i përqendrojmë sistemet autonome në zonat që kërkojnë më shumë vëmendje ose që janë të vështira për pilotët. Kjo teknologji sjell përfitime në të gjitha aspektet”, thotë zoti Koch.

Ndërkohë, një ekip teknikësh të aviacionit po punojnë në Nashua të shtetit Nju Hempshire për të zhvilluar helikopterët pa pilotë të pajisur me teknologjinë e inteligjencës artificiale.

voa

Senati thirrje Dhomës së Përfaqësuesve të miratojë projektligjin mbi sigurinë e fëmijëve në internet

internetiNdërsa kanë mbetur pak ditë nga fundi i vitit, një projektligj, që e ka mbështetjen e të dy partive, për të mbrojtur fëmijët nga dëmet që shkaktohen nga rrjetet sociale ende nuk është miratuar. Nëse miratohet, Projektligji mbi Sigurinë e Fëmijëve në Internet do të vendoste masa mbrojtëse për të dhënat personale të të miturve në internet. Megjithatë, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Katherine Gypson, aktivistët që mbrojnë lirinë e të shprehurit dhe disa republikanë janë të shqetësuar se ligji mund të çojë në censurë.

Rrjetet sociale janë sërish në qendër të vëmendjes në Kapitol. Ndërsa kanë mbetur pak ditë nga fundi i vitit, senatorë nga Partia Republikane dhe ajo Demokrate po i kërkojnë Dhomës së Përfaqësuesve të miratojë Projektligjin mbi Sigurinë e Fëmijëve në Internet.

“Ne kemi ligje që mbrojnë fëmijët nga alkooli, duhani, armët, nga bullizmi kibernetik, kemi ligje që i mbrojnë nga pornografia. Në hapësirën virtuale, nuk i kemi këto ligje”, thotë Marsha Blackburn, senatore republikane.

Zonja Balckburn është një nga hartuesit e projektligjit, i pari që nga viti 1998 që ofron mbrojtje për të miturit në internet.

Megjithatë, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Mike Johnson thotë se ai është i shqetësuar se projektligji do të kufizojë lirinë e të shprehurit.

“Të gjithë e mbështesim parimin e projektligjit. Megjithatë, duhet kujdes për këtë gjë, pasi nuk duhet tepruar me masa kur bëhet fjalë për fjalën e lirë”, thotë zoti Johnson.

Organizatat konservatore, që kërkojnë të kufizojnë kompetencat e qeverisë, janë dakord me zotin Johnson.

“Nuk kam besim që zyrtarët e qeverisë janë në gjendje të marrin vendime të drejta sepse ata janë politikanë dhe ne e kemi parë se çfarë ndodh kur ata e shfrytëzojnë lirinë e fjalës si armë ndaj kundërshtarëve. Kjo është e rrezikshme dhe duhet të ndalohet. Prandaj, ne duhet të gjejmë një mënyrë më të mirë për këtë projektligj dhe të shtojmë masa mbrojtëse te pjesa e zbatimit”, thotë Richard Manning nga organizata “Amerikanët për një Qeverisje të Kufizuar”.

Sipas senatorit demokrat Richard Blumenthal, njërit prej hartuesve të projektligjit, pronari i rrjetit social X, miliardieri Elon Musk ka bashkëpunuar me ligjvënësit për të trajtuar shqetësimet në lidhje me projektligjin.

“Ajo që kemi sqaruar është se nuk ka censurë në këtë projektligj. Nuk parashikohet bllokimi i ndonjë lloj publikimi. Bëhet fjalë për t’u dhënë të rinjve mundësinë për të zgjedhur dhe prindërve të tyre garanci, mjete për të mbrojtur fëmijët e tyre”, thotë senatori Blumenthal.

Kompanitë e teknologjisë Meta dhe Google e kundërshtojnë projektligjin. Presidenti i zgjedhur Donald Trump nuk ka bërë një deklaratë mbi këtë çështje, por djali i tij, Donald Trump Jr., shkroi në X: “Ne mund të mbrojmë fjalën e lirë dhe fëmijët tanë në të njëjtën kohë”.

Zoti Manning thotë se legjislacioni që po shqyrtohet nuk do të funksiononte në praktikë.

“Prokurorët e shteteve të ndryshme do t’i shfrytëzonin udhëzimet që vendosen nga Komisioni Federal i Tregtisë (FTC) për të përcaktuar fjalën e lirë në shtetin e tyre. Si përfundim, në 50 shtete amerikane do të kishim 50 rregulla të ndryshme për përdorimin e internetit”, thotë zoti Manning.

Një version i mëparshëm i projektligjit u miratua në Senat me 91 vota pro dhe 3 kundër. Mbështetësit po inkurajojnë Dhomën e Përfaqësuesve ta miratojë projektligjin përpara fundit të vitit.

 

voa