Kategoritë: Shqipëria

Lajmet nga Shqipëria

Lidhjet ruse të Monika Kryemadhit, Balla: Është prekur siguria kombëtare, duhet të kishte dalë dhe t’i sqaronte këto çështje

BallaKreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka reaguar në lidhje me financimet dhe pagesat e dyshimta të Monika Kryemadhit nga kompani off shore të kontrolluara nga biznesmenë rusë të naftës.

 

Balla shprehet se përfshirja e një prej politikanëve të vendit tonë në financime ruse prek sigurinë kombëtare.

Kryemadhi duhej të kishte dalë që në mëngjes dhe të sqaronte këtë cështje, sipas socialistit, i cili shton se përfshirja e politikanëve në lidhje me oligarkë rusë është skemë e  mirëfilltë e përdorur nga Kremlini për të krijuar një front pro rus në këto vende.

 

Balla: Rreth 5 vite më parë kam dalë në mënyrë të rregullt para jush për një  çështje që ka të bëjë me sigurinë kombëtare, edhe Shqipëria ka qenë vulnerabël dhe ka qenë target i financimeve nga kompani guackë, off shore të cilat financonin parti politike apo le të themi politikanë të caktuar. Ajo që ka vijuar Top Channel, e djeshmja është një panoramë e plotë është skema e mirëfilltë e përdorur nga Kremlini që përmes oligarkëve, biznesmenëve të fondeve nga bordorotë e Putinit të kenë financuar politikanë të caktuar në Evropë, një rast është zbuluar në Itali, Austri edhe në vende të rajonit të vendit tonë apo vende të ish bllokut komunist. Kjo është lidhja me politikanë për të dëmtuar demokracinë dhe për të krijuar një front pro rus në këto vende. Tek dokumentet e publikuara në Top Channel, unë mendoj vetë, që në orën 8 të mëngjesit duhej të kishte dalë dhe t’i sqaronte këto çështje. Si ka mundësi që gjendesh në dokumente, kur je përfitues dividenti je aksioner, por me kë aty, dalin emrat dhe media juaj ka thënë është ky, është ky, që janë të njohur se i ke nëpër listat e zeza të Amerikës për shkak të sanksioneve prej Ukrainës. Në deklarojmë çdo llogari bankare brenda dhe jashtë vendit. Ju mbani mend që doli Panama Papers se ç’tërmet shkaktoi vetëm të qenit emri i një politikani, dhe ata dhanë dorëheqjen. Në këtë rast është edhe shteti, a është prekur siguria kombëtare në këtë rast? Unë mendoj që po.

Në adresën zyrtare të Top Channel, ka mbërritur prej disa ditësh një e mail me të dhëna sensitive, të cilat tregojnë detajet dhe provat e lidhjeve ruse, të Kryemadhit me kompanitë që janë denoncuar si sponsorë të partisë së Vladimir Putinit në Rusi.

Dosja përmban fakte të pagesave të dyshimta, të bëra dhe të marra nga Monika Kryemadhi. Faktet e zbuluara tregojnë se në vitin 2017, Kryemadhi ka bërë dhe ka marrë këto pagesa të dyshimta nga llogaria e saj bankare offshore për kompanitë e kontrolluara nga biznesmenët rusë të naftës.

Top Channel

Ç’po ndodh me temperaturat në vend? Parashikimi nga Meteoalb

motiDita e sotme do karakterizohet nga temperatura disi më të larta nga ditët e kaluara, ku përmirësimi është vënë re që në orët e para të mëngjesit.

Sipas meteorologut Hakil Osmani i cili ishte në një lidhje direkte me “Breaking” në Top News, u shpreh se temperaturat në ditët në vazhdim do përsojnë një rritje ku do jenë temperature pranë vlerave normale.

“Dita e sotme do të jetë në mbizotërimin e temperaturave disi më të larta, ku në orët e para të mëngjesit kemi patur përmirësim të tyre duke bërë që të kemi rritje me 2 apo 3 gradë celsius ku vlerat minimale janë ngjitur në -1 gradë në qytetet e zonave malore. Do të ketë rritje të temperaturave të ajrit edhe në orët e mesditës, do të regjistrohet vlera 17 apo 18 gradë celsius. Vijon të kemi rritje të temperaturave edhe gjatë ditës së premte duke bërë që maksimumet të ngjiten në vlerën 20-21 gradë celsius që në fakt janë temperatura shumë pranë vlerave normale, po ashtu edhe temperaturat e mëngjesit do të kenë rritjen e tyre.

 

Gjatë fundjavës parashikohet të kemi rritje të temperaturave të ajrit në orët e para të mëngjesit duke bërë që vlerat minimale të ngjiten në zonat malore në orët e para të mëngjesit në 3-4 gradë, ndërsa në orët e mesditës do të kemi rënie të temperaturave të ajrit me 2-4 gradë celsius duke bërë që maksimumet të zbresin në vlerën 17 gradë celsius.

Përsa i përket kushteve atmosferike sot dhe nesër do të kemi dominim të kthjellimeve, kalimeve të pakta të vranësirave të cilat më të fokusuara do të jenë në zona malore dhe më së shumti do të jenë gjatë ditës së premte, kryesisht në veri të territorit shqiptar gjatë mbrëmjes. Dita e shtunë dhe e diel do të sjellë shpeshtim të vranësirave të cilat do të krijojnë mundësi për momente të pakta me reshje shiu kryesisht në zonat veriore dhe pjesërisht në zonat qendrore”, është shprehur meteorologu Hakil Osmani.

tch

 

 

 

 

 

 

“PD në situatë kaotike”, Alibeaj për kandidatët: Rama zvarriti procesin gjyqësor, Berisha zaptoi selinë e PD dhe çdo degë!

AlibeajTeksa Partia Socialiste, por edhe koalicioni Meta-Berisha, kanë depozituar listat e kandidatëve për kryetar bashkie dhe këshilltarë bashkiakë në të 61 bashkitë, Partia Demokratike e Enkelejd Alibeajt është ende e paqartë se në sa bashki do të kandidojë për zgjedhjet vendore të 14 majit.

Përmes një konference për mediet, Alibeaj shprehet se PD-ja ndodhet në një situatë kaotike dhe përgjegjës  për këtë është Sali Berisha me Edi Ramën.

Sipas kryedemokratit, zaptimi i “Kështjellës” së PD-së në qendër dhe selive në rrethe nga Sali Berisha, pati efektin e vet në mbarëvajtjen e procesit organizacional për zgjedhjet. Sakaq, Edi Rama – sipas tij – është fajtor sepse zvarriti procesin gjyqësor për vulën e PD-së.

Alibeaj i qëndron idesë se forca politike që ai drejton duhet të ketë 61 përfaqësues në zgjedhje.

“Pas shume vitesh po zhvillohet nje debat ne nje forum drejtues te nje partie per kandidatet. Nje debat i dobishem per situaten kaotike ne te cilen ndodhet aktualisht PD. Kush fshihet pas gishtit per te verteten e situates se demokrateve, duke e shitur ate si normale apo frymezuese, ose eshte i kapur nga verberia politike ose thjesht deshiron qe kjo “status quo” ne opozite te vazhdoje pa fund dhe pa zgjidhje.

Eshte e qarte qe PD eshte e percare dhe situata e vitit te fundit vetem se ka ndihmuar ne ndarjen e metejshme te demokrateve. Duke nisur nga manovrat e Edi Rames per ta sterzgjatur procesin e gjyqit e deri tek gjuha tribale dhe banale e Sali Berishes ndaj pjeses se PD qe mendon ndryshe nga ai.

Eshte e qarte per te gjithe qe çdo dege e partise demokratike duke perfshire edhe seline kryesore eshte zabtuar nga Berisha dhe njerezit e tij dhe kjo ka pasur efektin e vete ne organizimin normal te nje partie qe po pergatitet te hyje ne zgjedhje

Me vjen keq qe ne kete periudhe nje pjese e mire e drejtuesve te PD dhe deputeteve, perfshire dhe mua, kemi kaluar kohe me se shumti me debate mes njeri-tjetrit ne forume, studio televizive apo ne kuvend, nderkohe qe duhet te kishim kaluar me shume kohe me demokratet. Ne mbledhjen me drejtuesit lokale te PD kam kuptuar qarte se baza e PD eshte e qarte ne orientimin politik. Per fat te keq me e qarte se ata qe duhet te orientonin bazen e sot perpeliten per te gjetur cfare drejtimi do marrin ne rruget e ndara te kesaj partie.

Vazhdoj ti mbetem mendimit dhe qendrimit se duhet te kishim 61 perfaqesues ne bashkite per zgjedhjet lokale. Por sterzgjatja e procesit gjyqesor per PD, vendimi I KQZ dhe cuarja ne limite kohore na kushtezoi ne kete proces. Pertej faktit qe deri ne momentin e fundit, dora jone ka qene e shtrire per ata kandidate te foltores qe kane dashur dhe jane penguar ne forma te ndryshme te kandidojne ne siglen e PD.

Eshte e qarte per ju te gjjthe se nje pjese e deputeteve dhe kryesise kane qene te ndare lidhur me vendimin per tu prezantuar me kandidate ne zgjedhje. Kjo eshte e bukura dhe e vecanta e rralle e nje force polititke ne Shqiperi. Diskutimet ne forume dhe respektimi i vendimit te shumices. Uroj te jemi shembull per cdo formacion politik qe organizon votime ku rezultati dihet para se te nise procesi apo preferenca kryetaresh qe shiten si proces perzgjedhjeje. Jam po kaq i sigurt se ne rast se Kryesia do te kishte votuar kunder ketij propozimi do ta kisha respektuar.

Persa i perket Tiranes me duhet te them dhe njehere se Belind Kellici e ka patur mundesine te perfaqesohej me siglen e PD. Pavaresisht asaj qe mendoj une personalisht, asnje inat apo preference personale, asnje mllef apo akuze e padrejte ndaj meje nuk me ka penguar te ngrihem mbi to dhe te zgjas doren e bashkepunimit per nje demokrat. Por mesa duket interesat meskine te zgjatimeve te politikes se vjeter vazhdojne me lojrat dhe pazaret duke i kerkuar demokrateve qe ne 14 maj te votojne per listen e LSI-se. E pate besoj sesi nen logon e kesaj partie do te jete dhe Belind Kellici dhe nje liste qe demokrateve do tu shitet si bashkepunim apo aleance.

Cfaredo emri te perdorin, nuk do ja fshehin dot demokrateve dhe shqiptareve qe pazari mes Ilir Metes dhe Sali Berishes eshte menyra per te mbajtur peng demokratet dhe per ti detyruar qe dhe njehere tjeter te votojne per nje parti te majte qe permes pazareve solli Edi Ramen ne pushtet”- tha Alibeaj.

I pyetur mbi akuzat për pazare me Edi Ramën, kreu i PD-së thekson se këto nuk janë as më shumë e as më pak sesa shpifje të pabaza nga politikanë që janë puthur dhe pështyrë me çdo kundërshtar politik këto 30 vjet.

“Kam zgjedhur qe mos ti pergjigjem shpifjeve te pabaza te atyre qe ne keto 30 vite jane puthur dhe peshtyre me cdo politikan te partise se vet apo kundershtar politik. Kam zgjedhur gjithashtu te jem etik dhe mos te perdor kurre banalitete apo epitete te shemtuara as per kundershtaret politike. Kjo eshte menyra qe kam zgjedhur sepse pervec akuzave te pabaze deri me sot, nuk kam pare apo lexuar nje fakt qe te vertetoje se kam bashkepunuar me Edi Ramen apo dike tjeter nga Rilindja. Kam zgjedhur te jem transparent dhe i hapur ne vend te makinacioneve te fshehta dhe pazareve qe jane kaq te dukshme ne arkiven e politikes shqiptare. E keni pare gjate gjjthe kesaj periudhe se kush ka qene agresiv ne media apo rrjete sociale? Se kush ka financuar takime te perditshme, regji qendrore, media dhe analiste per te perbaltur ata qe mendojne ndryshe ne nje parti politike. Mendoni se do lejonte Edi Rama qe parate te derdheshin lume nese nuk do ti interesonte e gjithe kjo tymnaje dhe sherr i panevojshem mes demokrateve? Une nuk mund te ngre gishtin dhe te akuzoj pa fakte konkrete nese dikush nga foltorja eshte bashkepunetor i Edi Rames. Por ndonjehere ajo qe thone prokuroret “ndiq parane” vlen dhe ne politike. Sidomos per politiken shqiptare. Ndiq parane, shih kush shton te ardhurat dhe shpenzon pa i justifikuar parate dhe te jeni te sigurte se rruget te cojne tek Edi Rama.

Ju ftoj te shihni cdo shpenzim tonin gjate vitit te fundit dhe do ta kuptoni se ku fshihet djalli. Dhe kete here jo ne detaje te vogla, por ne thesin e atyre qe shpenzojne dhe arketojne ne ate qe per demokratet dhe shqiptaret e thjeshte eshte regjimi i Edi Rames”, tha Alibeaj.

Top Channel

 

Bisedimet Shqipëri-Greqi/ Klima pozitive, pritet vetëm dhënia e lejes nga dy presidentët

RamaKryeministri Rama mbyll sot vizitën e tij zyrtare në Greqi, pas takimeve me kryeministrin Kyriakos Mitsotakis, presidenten e vendit dhe kreun e parlamentit.

 

Gazetari i Top Channel Artur Bibe raportoi pas takimit të zhvilluar me palëve se ishte një vizitë me klimë pozitive politike.  Dy palët janë më afër se kurrë për adresimin dhe zgjidhjen e një sërë problemesh që kanë me njëri-tjetrin.

“Ka qenë klimë pozitive e vizitës së Ramës në Greqi. U prit me shumë respekt dhe dashamirësi nga presidentja, kryetarja e parlamentit, ministri i jashtëm dhe kryeministri grek. Është një klimë që rrallë e kemi parë në marrëdhëniet dy paleshë, çka tregon se gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur. Do jetë vijimi i një  i një procesi të gjatë, që duket se po konkretizohet hap pas hapi”- raportoi gazetari Bibe nga Greqia.

Në takimin mes kryeministrit Rama dhe presidentes se Greqisë u shfaq optimizëm për zgjidhjen e problemeve te mbetura pezull.

Temat kryesore të marrëdhënieve shqiptare-greke janë marrëveshja e detit dhe heqja e ligjit të luftës. Presidenti është ai që do të firmosë në dy rastet, dhe duket se kanë një rol të madh që do të kulmojë me dhënien e autorizimit nga Begaj për ekipin negociator.

Ka nisur rrugëtimi i çështjes, ku deti do të shkojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.

Zgjidhja e këtij problemi të çlirojë tepër energji pozitive dhe këtë e ka konfirmuar pala greke e ajo shqiptare.

Palët flasin, dialogojnë dhe në këtë dialog ka produkte të tjera siç janë marrëveshjet e karakterit rajonal dhe klima e investimeve greke në Shqipëri.

Top Channel

Mbipeshkimi dhe ndotja dëmtojnë habitatin detar të Shqipërisë

MbipeshkimiNë bregdetin shqiptar, ndotja e ujërave dhe peshkimi pa kriter ka sjellë rënien e sasisë së peshkut dhe dëmtimin e gjallesave detare, ndërsa Ministria e Bujqësisë thotë se po merr masat e duhura për të minimizuar dëmet. Në bregdetin shqiptar, ndotja e ujërave dhe peshkimi pa kriter ka sjellë rënien e sasisë së peshkut dhe dëmtimin e gjallesave detare, ndërsa Ministria e Bujqësisë thotë se po merr masat e duhura për të minimizuar dëmet.

 

Në luginën e Patokut buzë detit Adriatik, peshkatarët kanë gjetur mënyra të reja për të nxjerrë peshkun në breg.

Boshti i këtij automjeti të vjetër të markës “Benz” shërben për të vënë në lëvizje litarët, ku janë mbërthyer rrjetat e peshkimit. I gjithë procesi drejtohet nga kabina e makinës.

Praktikat primitive të peshkimit nuk janë problemi i vetëm i peshkatarëve të kësaj zone. Shqetësim kryesor është minimizimi i stokut të peshkut. Në lagunën Kune Vain, ulja e sasisë së peshkut lidhet me shumë faktorë.

Një ndër më të rëndësishmit është ndotja që vjen nga qyteti i Lezhës apo nga kimikatet që përdoren për tokat bujqësore, të cilat mbërrijnë në lagunë përmes hidrovoreve.

“Problemi i ndotjes është hidrovori, i cili bjen të gjitha mbeturinat e zonave përreth. Të gjithë detergjentet dhe helmet kalojnë në lagunë dhe peshku detyrimisht që nuk hyn. Vetë laguna është cekur nga hyrja e Drinit që futet brenda. Ka ra me shumë- shumë hyrja e peshkut dhe prodhimi i peshkut”, thotë Çelë Gjetja, Organizata e Menaxhimit të Peshkimit në Kune-Vain.

Rënia e stokut të peshkut nuk është e kufizuar vetëm në luginën e Patokut, por është e shpërndarë në të gjithë vijën bregdetare të Shqipërisë. Sipas studiuesve të fushës, kjo ka ndodhur për shkak të peshkimit pa kriter dhe të paligjshëm, por edhe nga kompanitë e mëdha që operojnë në këtë biznes.

“Pranohet gjerësisht që në tre dekadat e fundit, ka një ulje të stokut të peshkut. Nëse kapnim 100 peshq, 100 ngjala sot kapim 25. Kohët e fundit vëret një shqetësim i të gjithë peshkatarëve, që quhet peshkim në nivel të vogël. Ata ndeshen me faktin që kompani të mëdha, të cilat kanë anije të fuqishme, gjuajnë jo në zonën e përcaktuar disa milje larg bregut, por ato futen edhe në pjesën fundore duke gjuajtur në këtë mënyrë edhe në hapësira që nuk iu përkasin atyre. Kjo ka efekte shumë negative”, thotë Spase Shumka – profesor i Akuakulturës në Universitetin Bujqësor të Kamzës.

Sipas të dhënave të Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë, FAO, deti Mesdhe ka një shkalle të lartë të mbipeshkimit dhe vetëm 36.6% e specieve janë të shfrytëzuara në mënyrë të qëndrueshme.

Bazuar në rekomandimet e FAO, Shqipëria ka ndaluar dhënien e lejeve të reja për peshkim tregtar profesional prej vitit 2020 si dhe i ka pajisur anijet e mëdha të peshkimit me sistem monitorimi satelitor për të ndaluar aktivitetin e tyre përtej distancës prej 3 milje detare ose 50 metra thellësi.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, peshkimi tregtar me anije të mëdha është sektori më i formalizuar i ekonomisë, ndërsa sistemi i monitorimit mundëson vëzhgimin e tyre në kohë reale nëpërmjet satelitit.

“Që nga fundi i janarit 2022 deri më sot, asnjë anije peshkimi nuk ka hyre në zonë të ndaluar dhe nuk është marrë asnjë masë administrative”.

Ekspertët e Akuakulturës i vënë në dyshim rezultatet e ministrisë, pasi në ekspeditat e tyre kanë gjetur dëme në habitatin e detit, që sipas tyre nuk mund të shkaktohen kurrsesi nga peshkatarët e vegjël dhe mjetet e tyre primitive.

“Gjithnjë e më pak ne ndeshim molusqe që janë specifike për zonat e thella, të cilat gjuhen me trata. Ose sfungjerët e detit pothuajse po shkojnë drejt niveleve minimale. Yjet e detit, iriqët e detit, kastravecët e detit por edhe grupe të tjera siç janë knedarët… Si rezultat i përdorimit të tratave, ato nuk janë dëmtuar jo vetëm në zonën e tyre të cilën ne e quajmë zona cirkalitorali, zonë që shkon mbi 40 metra thellësi, por edhe në zona të tjera të cilat janë më të cekëta“, thotë zoti Shumka.

Profesor Shumka e konsideron gjithashtu shqetësuese gjuetinë e peshqve në madhësi shumë të vogël dhe apelon për më shumë kontroll ndaj operatorëve të peshkimit.

voa

Polarizimi politik në Ballkanin perëndimor dhe Europën lindore, studiuesit theksojnë rreziqet

polarizimi politik BallkanNë Tiranë, polarizimi politik vlerësohet nga studiuesit si një dukuri, që frenon fuqizimin e demokracisë. Akademikë perëndimorë dhe vendas theksuan gjatë një konference të Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, që shembuj si Rusia tregojnë shumë mbi rrezikun rrëshqitjes në autokraci.

 

Akademiku i njohur Wolfgang Merkel theksoi sot gjatë konferencës në Tiranë se polarizimi politik është një sfidë e demokracive, dhe vende të Europës Lindore dhe të Ballkanit perëndimor duhet të bëjnë shumë kujdes për ta shmangur këtë dukuri.

Ai ka studiuar burimet e polarizimit politik bazuar në të dhënat nga 34 vende të ndryshme demokratike dhe në tranzicion.

Studiuesi kujtoi se nga vitet 1950 të shekullit të kaluar dhe deri sot kanë ndodhur vetëm rritje të polarizimeve politike, dhe këto u zbehën disi vetëm në vitet 90 për shkak të kolapsit të perandorisë sovjetike dhe regjimeve autoritare të Europës lindore.

Në Europën lindore dhe në Ballkanin perëndimor, ku ndikoi Sllobodan Millosheviç me luftërat e tij, shtoi akademiku Merkel, sipas ekspertëve, nuk mund të flitet për ndonjë demokraci cilësore në dy dekadat e fundit.

“Serbia është pak a shumë në nivelin e Ukrainës së paraluftës, ndërsa Rusia është segmenti më i ulët në kriteret e demokracisë. Në Rusi polarizimi politik ka vazhduar të rritet nga vitet ‘90 të shekulli të kaluar e deri sot, por edhe opozita është më e fortë, ndonëse jo aq mjaftueshëm e fortë që të fuqizojë demokracinë pas luftës. Në gjendjen e sotme opozita atje nuk duket e përgatitur për të zhvilluar demokracinë. Rusia nuk kanë qenë ndonjëherë në një sistem demokracie, sepse ajo kaloi robërinë e pasurive kolektive, që solli autokraci dhe anarki, mungesë të shtetit, e më pas sollën drejtues si Putini që rindërtoi një shtet autoritar”, thotë akademiku Merkel.

Ai theksoi se në Europën lindore dhe rajone të ngjashme mund të kapërcehet lehtë nga demokratizimi në autokratizim.

“Në Shqipëri, Serbi dhe Ukrainë ekziston një nivel i lartë i polarizimit politik. Polarizimi shënon distancën midis dy kampeve politike, që nuk komunikojnë, nuk bashkëpunojnë. Polarizimi dëmton qasjen konstruktive në këto shoqëri. Shqipëria ende ka një hendek mjaft të konsiderueshëm ndaj demokracive me performancë të mirë”, tha zoti Merkel.

Studiuesit vlerësuan se këtyre vendeve u nevojitet demokraci gjithëpërfshirëse në shërbim të mirëqeverisjes dhe në pjesëmarrjen e forcave opozitare.

Qytetarët duhet të kërkojnë frytet e punës së sistemit politik përmes llogaridhënies së partive dhe të ndikojnë, që polarizimi të mos ketë përhapje, theksuan ata.

Akademikët pohuan se në Europën lindore ekzistojnë polarizimet asimetrike, ndërkohë që në vendet perëndimore kanë ndodhur transformime të thella në dy dekadat e fundit në ekonomi, teknologji dhe fusha të tjera, duke kapërcyer krizat mëdha financiare, që ndodhën në fillim të viteve 2000.

Ata theksuan se vendet me demokraci të reja duhet të mbajnë larg militantizmin dhe polarizimin, dhe të zgjedhin demokratikisht politikanët e tyre, në mënyrë që të shmangin autokracinë, siç ndodh në vendet me demokraci të konsoliduara liberale.

voa

Autoritetet e Shqipërisë përshëndesin pajtimin Kosovë-Serbi mbi zbatimin e planit europian

Presidenca e ALBNë Shqipëri autoritetet më të larta të vendit përshëndetën pajtimin e arritur në Ohër, mes Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e planit europian, duke falenderuar njëkohësisht Bashkimin europian dhe Shtetet e Bashkuara për angazhimn e tyre të fortë.

 

Presidenti Bajram Begaj deklaroi se “ky dakordësim është një garanci më shumë për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e rajonit në Bashkimin Evropian”, shkruajti ai në një postim në Facebook duke u shprehur “besimplotë se garantët e këtij dakordësimi do ta bëjnë atë të detyrueshme e të zbatueshme nga palët”.

 

Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama, që pak pas njoftimit të dakortësimit të palëve afër mesnatës së mbrëmshme, reagoi duke shkruar se shpresonte “që djalli të mos fshihet në detaje sonte dhe që marrëveshja e rënë dakord por e pa nënshkruar të mos jetë një tjetër mashtrim ballkanik”. Në rast të kundërt, sipas tij “kjo do të ishte një arritje historike që do të shpallte një pranverë të shumëpritur në marrëdhëniet mes dy kombeve më të mëdha të Ballkanit, shqiptarëve dhe serbëve”.

Postimin e tij në Twitter, kryeministri e mbylli duke uruar “që së shpejti marrëveshja e panënshkruar të kthehet në një realitet të ri të pakthyeshëm mes Kosovës dhe Serbisë, shqiptarëve dhe serbëve, Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian”.

Për kryetaren e parlamentit shqiptar Lindita Nikolla “normalizimi i marrëdhënieve dypalëshe midis Kosovës dhe Serbisë shënoi një hap të qëndrueshëm përpara, me dakordësimin në takimin e Ohrit për hapat praktikë për zbatimin e marrëveshjes, sipas aneksit të planit evropian”.

Në postimin e saj në Facebook ajo shprehet më tej se “pajtimi me propozimet, zbatimi i këtij plani dhe dialogu mes dy vendeve do t’i kontribuojë prosperitetit e paqes në rajon dhe avancimit të tyre drejt familjes evropiane”.

voa

Shqipëri – Pasaportat e arta? Borell dhe Rama qëndrime ndryshe

Rama Borell VarhelviA është nisma e Shqipërisë për “pasaportat e arta” – vetëm e pezulluar apo çështje e mbyllur? Borrell dhe Rama me deklarata të ndryshme.

 

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Çështjet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borell, deklaroi në Tiranë, të enjten (16.03) në një konferencë të përbashkët shtypi me Kryeministrin Rama dhe komisionerin e BE-së për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyi se nisma e qeverisë Rama për dhënien e shtetësisë shqiptare investitorëve të huaj, në këmbim të një pagese apo të një projekti të paracaktuar, e njohur si nisma e “pasaportave të arta”, nuk do të ndiqet më tej.

“Ne patëm mundësinë të mirëpresim deklaratën e zotit kryeministër që skema e pasaportave të arta nuk do të ndiqet më tej,” tha Josep Borell, që mori pjesë bashkë me komisionerin Varhelyi në takimin XII të Këshillit të Stabilizim-Asocimit mes Shqipërisë dhe BE-së.

 

Rama: Procesi vetëm është pezulluar

Konferenca e përbashkët për shtyp u zhvillua në përfundim të këtij takimi. Në këtë konferencë, kryeministri i Shqipërisë, Rama, tha lidhur me “pasaportat e arta” që procesi vetëm është pezulluar.

 

“Përsa u përket pasaportave të arta kemi bërë të qartë që e kemi pezulluar procesin deri kur të sqarohet në nivel evropian qëndrimi. Ne nuk e shpikëm këtë, e morëm nga vendet e BE-së që e kanë zbatuar me sukses. Ka një çështje në Gjykatën Evropiane, ne nuk do ta nxjerrim më këtë iniciativë në tavolinë pa parë si do të përfundojë çështja në Gjykatën Evropiane. Nëse Gjykata Evropiane vendos kundër pasaportave të arta, kjo është një çështje e mbyllur. Nëse Gjykata Evropiane vendos pro, atëherë çdo vend do të bëjë zgjedhjen e vet.” theksoi Rama.

Në një intervistë ekskluzive të DW me zëdhënësen e Komisionit Evropian, Ana Pisonero-Hernandez, lidhur me “pasaporta e arta” ajo theksoi që ” BE-ja respekton të drejtën e vendeve sovrane për të vendosur mbi mënyrën e dhënies së shtetësisë. Konteksti aktual i agresionit rus kundër Ukrainës, nxjerr më tej në pah, rreziqet që paraqesin skemat e shtetësisë për investitorët e huaj si infiltrimin e krimit të organizuar, pastrimin e parave, evazionin fiskal dhe korrupsionin nëpërmjet aplikantëve të mundshëm nga vendet e treta.”

Rama: Nuk heqim dorë nga amnistia fiskale

Këshilli i Stabilizim-Asocimit mes BE-së dhe Shqipërisë përbën nivelin më të të lartë të dialogut politik mes tyre. Për herë të parë që nga viti 2003, kur Shqipëria filloi bisedimet lidhur me Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit me BE, ky takim, i dymbëdhjeti, u zhvillua në Tiranë.

“Jemi në Tiranë për t’i treguar popullit shqiptar se Shqipëria po afrohet gjithnjë e më tepër dhe BE-ja është gjithmonë e më tepër pranë jush. Duam të japim një sinjal të fuqishëm politik për angazhimin e BE-së ndaj rrugëtimit shqiptar drejt integrimit evropian” tha në konferencën e përbashkët për shtyp Josep Borell.

Ai nuk u ndal në kundërshtimin e Komisionit Evropian ndaj projektligjit për amnisti fiskalë të qeverisë Rama dhe ekspertizën ligjore që po jep për përmirësimin e projektligjit në fjalë.

Komisioni Evropian ka rezerva ndaj amnistisë fiskale pasi sipas tij ajo “do të dobësonte kontrollet e Shqipërisë kundër pastrimit të parave dhe mund ta kthejë Shqipërinë në një “parajsë fiskale” për pastrimin e parave”

Kryeministri Rama njoftoi se amnistia fiskale ka qënë një temë diskutimi në bisedimet e kësaj radhe në Tiranë.

“Qëndrimi ynë është i ditur. Ne e vlerësojmë shumë angazhimin e Komisionit dhe të delegacionit për të na ofruar ekspertizë. Duam të vazhdojmë punën me ekspertët. Nuk heqim dorë thjesht, sepse kjo nuk është një gjë e mirë në parim, sepse ne kemi të gjitha arsyet tona për të menduar që kjo është gjëja e duhur për Shqipërinë, por ama nga na tjetër ne duam që këtë gjë ta bëjmë së bashku,” tha kryeministri Rama në konferencën e përbashkët për shtyp.

 

Konvergjenca ekonomike me BE? Hendek marramendës

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Çështjet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borell, rikonfirmoi mbështetjen ndaj Shqipërisë dhe në tërësi ndaj Ballkanit Perëndimor në rrugëtimin e tyre drejt hyrjes në BE.

 

“Angazhim ynë është i patundur. Kemi përfshirë të gjithë partnerët dhe vendet e Ballkanit Perëndimor në politikat tonë për zbutjen e ndikimit negativ të luftës ruse kundër Ukrainës. Kjo luftë ka shkaktuar goditje në të gjithë botën dhe ndikim në shumë vende, në gjithë botën, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor. Duhet të mobilizojmë mbështetje urgjente,” tha ai në konferencën e përbashkët për shtyp.

Borell foli për mbështetje konkrete prej 80 milion eurosh të KE ndaj Shqipërisë në fushën e energjisë që ”do të vihen në dispozicion së shpejti”

Komisioneri për Zgjerimin e BE-së dhe Fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyi e cilësoi Ballkanin “një përparësi gjeo-politike të BE, gjë që nënkupton dëshirën tonë që ky rajon të jetë pjesë e BE sa më shpejt të jetë e mundur. Për këtë reformat duhen përshpejtuar, ” tha ai.

Por përtej kësaj dëshire, mbështetjeje dhe kërkesës për përshpejtim reformash, në kontekstin e një realiteti të ri gjeo-politik nga agresioni rus ndaj Ukrainës, kryeministri Rama e quajti të domosdoshme që “BE të bëjë një hap të konsiderueshëm përpara lidhur me afrimin e Ballkanit me BE në aspektin financiar”.

“Ballkani nuk mund t’u rezistojë gjithë këtyre goditjeve pa pasur një mbështetje, qe buron nga koha ku jetojmë. Hendeku mes Ballkanit dhe vendeve të tjera të BE që janë rrotull, si Greqia, Kroacia etj në përfitimin e mbështetjes evropiane është marramendës. Ballkani Perëndimor nuk e përballon dot këtë hendek që zgjerohet në kushtet kur jemi të sfiduar nga vendet e mëdha që marrin njerëz dhe i paguajnë më mirë,” theksoi kryeministri Rama duke sjellë në vëmendje fenomenin e emigrimit nga Shqipëria dhe rajoni të profesionistëve të kualifikuar që janë të pakënaqur me nivelin e pagave dhe largohen nga rajoni drejt vendeve të BE-së.

 

Borell: Shpresa në takimin e nivelit të lartë Kosovë-Serbi, në Ohër

Josep Borell e konsideroi marrëveshjen e arritur mes Prishtinës dhe Beogradit si marrëveshje që ”sjell shumë shpresë për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit”.

 

Duke folur për pritshmërinë në takimin e nivelit të lartë që do të zhvillohet këtë të shtunë, më 18 mars, në Ohër ai tha: “Shpresoj të dyja palët të vijnë në këtë takim me një qasje konstruktive, me vullnetin për t’u angazhuar, për të rënë dakord, jo për vetë marrëveshjen sepse tashmë për atë është rënë dakord, por për modalitetet dhe afatet e zbatimit të saj. Nëse kjo ndodh, atëherë besoj se Ballkani Perëndimor do të festojë një hap të jashtëzakonshëm përpara drejt rrugëtimit europian për të gjitha vendet e tij”.

Borrell tha se Komisioni Europian po punon për zatimin e marrëveshjes. “Marrëveshja siguron vazhdimin e dialogut me synim normalizimin e marrëdhënieve, përtej menaxhimit të krizave, që duhet të mbarojnë. Ka pasur marrëveshje në të shkuarën të cilat nuk janë zbatuar ndonjëherë dhe kjo nuk mund të ndodhë përsëri në këtë rast. Po punojmë për zbatimin e marrëveshjes, që është përbërëse e saj, gjë që do të detyrojë të dyja palët të sigurojnë dhe të kenë të njëjtin kuptim lidhur me afatet dhe modalitetet,” theksoi në Tiranë, Josep Borell.

dw

Lobimet e Metës dhe Kryemadhit/ Historia me paratë ruse nisi që nga investigimi i gazetës austriake Kronen Zeitung

MetaDhjetë muaj më parë, “Kronen Zeitung” media më e madhe austriake publikonte një artikull ku sipas një dëshmitari shqiptar që strehohej në Austri, Ilir Meta përshkruhej si thelbësisht i korruptuar.

 

Artikulli mes të tjerave citonte dokumentet e siguruara nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA për lobimin ndër vite të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit në Uashington.

Gazeta referonte edhe një pagesë prej 700 mijë dollarësh të bërë në 2016-të dhe fillim të 2017-s përmes kompanisë Dorelita Limited, e regjistruar në Qipro.

Sipas kontratës së dorëzuar në Departamentin e Drejtësisë, qëllimi ishte mbrojtja e interesave të personave dhe klientëve të kompanisë qipriote, që përfaqësohej nga avokati Iraklis Fidetzis, i cili dyshohet në njohje e Vangjel Tavos, ish-deputet i LSI-së në qarkun e Gjirokastrës.

Dokumentet tregojnë se janë paguar rreth 700 mijë dollarë te kompania McKeon Group. 90 mijë dollarë janë paguar nga avokati Iraklis Fidetzis, ndërsa 600 mijë të tjera sërish nga Fidetzis por përmes kompanisë “Dorelita Limited”.

Pyetja që nuk merr përgjigje në artikullin e medias austriake është burimi i këtyre parave. Dyshimet u ngritën në dy pista, ose janë para korrupsioni, ose financim nga vende të treta si pjesë e fushatës së tyre për influencë në Ballkan.

Përgjigjen për me sa duket e ka artikulli i EuReporter, media e themeluar që në 2001 me bazë në Bruksel.

Në një artikull të ditës së mërkurë, EuReporter solli dokumente të siguruara nga inteligjenca amerikane, që tregojnë transaksione monetare të Monika Kryemadhit me kompani guaskë të regjistruara në parajsa fiskale. Pagesat janë marrë nga kompania offshore “Holdem Holdings”, e cila kontrollohet nga oligarkët rusë të naftës Alexander Smuzikov dhe Alexander Kaplan.

Monika Kryemadhi dyshohet se është aksionere në kompaninë offshore të kontrolluar nga rusët, pasi në mandat pagesat thuhet se shuma prej 13 mijë e 500 euro është marrë si divident për aksioneren.

Kryemadhi gjithashtu ka bërë një pagesë për një kompani offshore, “Vradus Holdings”, e cila kontrollohej nga Vitaly Savvin, një oligark rus nafte, që sikurse u zbulua nga Forbes ishte një nga donatorët më të mëdhenj të Putinit.

Investigimi i EuReporters ngre dyshime se dy kompanitë në fjalë të regjistruara në parajsa fiskale nuk kanë asnjë aktivitet, por shërbejnë si maskim në këtë rast për të shpërndarë paratë ruse për politikanët e korruptuar në Evropën Lindore si pjesë e strategjisë së Moskës për të rritur influencën në këto vende.

Top Channel

KQZ, Celibashi nuk regjistron në zgjedhjet vendore PD-në me kryetar Lulzim Bashën

CelibashiNë Shqipëri, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi vendoi sot të mos pranojë regjistrimin e Partisë Demokratike me kryetar zotin Lulzim Basha, si pjesëmarrëse në zgjedhjet vendore të 14 majit.

 

Sipas zotit Celibashi, kërkesa për t’u regjistruar nuk ka bazë ligjore e nuk duhet të pranohet, duke sjellë në vëmendje çështjen e ngritur prej tij dhe në seancën e parë të datës 9 mars, lidhur me deklaratën solemne që çdo parti paraqet mes dokumentacionit të kërkuar për rregjistrim. Deklarata nga ana e Partisë Demokratike është e firmosur nga zoti Enkelejd Alibeaj, si person i autorizuar nga zoti Basha, tre ditë përpara dorëheqjes së tij në mars të vitit të kaluar.

Zoti Basha rezulton ende si kryetar i PD-së në rregjistrin e partive politike në Gjykatën e Tiranës. Dhe për këtë arsye, sipas zotit Celibashi, duhet që të jetë ai që ta nënshkruajë, duke nënvizuar se ky është një përcaktim ligjor që nuk mund të delegohet.

Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike Indrit Sefa e kundërshtoi vendimin e marrë sot nga zoti Celibashi, duke folur për një akt politik. Vendimi i Komisionerit shtetëror, është megjithatë i apelueshëm. Ndaj tij, Partia Demokratike njoftoi se do të bëjë ankim në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve, ndërsa fjala e fundit, në çdo rast, i takon Kolegjit zgjedhor.

Edhe zoti Gazmend Bardhi, që po ashtu ka autorizimin e zotit Basha reagi ashpër ndaj vendimit të zotit Celibashi i cili sips tij “shkeli rëndë ligjin, për qëllime politike”, shkroi ai në një postim në Twitter, i pasuar nga një i dytë ku e akuzon Komisionerin shtetëror se është kthyer në “zëdhënës të interesave politike” dhe se është “një njeri I shantazhueshëm që nuk ka lidhje me ligjin dhe me zgjedhjet”.

Ndërsa për zotin Alibeaj “vendimi i paralajmëruar i Komisionerit të Zgjedhjeve është qartas i ndikuar politikisht nga aktorët politikë të interesuar që PD të mos regjistrohet në procesin e zgjedhjeve vendore të 14 majit”, shkroi ai në një postim në Facebook.

voa