Kategoritë: Shqipëria

Lajmet nga Shqipëria

Nuk pastruan rrugët, procedim penal tre zyrtarëve të bashkisë Kukës

Indiferenca ndaj pastrimit të rrugëve, në kushtet e një moti të keq e me reshje dëbore, ka sjellë hetimin e dytë ndaj zyrtarëve lokalëve. Pas atyre të Korçës, janë shoqëruar në polici drejtues të Bashkisë së Kukësit.Burime zyrtare bëjnë me dije se janë shoqëruar tre drejtues të nivelit të dytë të kësaj bashkie, ndaj të cilëve ka nisur edhe procedimi penal në gjendje të lirë. Shoqërimi i tyre dhe hetimi ka si shkak mosmarrjen e masave për pastrimin e rrugëve.

Dy ditë më parë, policia ka arrestuar në Korçë, 4 punonjës të firmës “RD-2″ pasi nuk kriposën rrugët. Bëhet fjalë për mirëmbajtjen e aksit Qafë-Thanë-Pogradec, aks ku mungon edhe sinjalistika.

(m.k/BalkanWeb)

Rrugët, ARRSH: Në disa akse prezencë ngricash, kujdes gjatë orëve të natës

Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor janë duke ndjekur me kujdes të veçantë situatën e akseve rrugore pas reshjeve të dëborës që kanë rënë gjatë ditëve të fundit. Autoriteti Rrugor Shqiptar kërkon mirëkuptimin e të gjithë drejtuesve të mjeteve, për të zbatuar rregullat e qarkullimit dhe njoftojnë sot për gjendjen e akseve rrugore dhe kalueshmërinë e mjeteve në to. Në zonat kryesore të vendit vazhdon të ketë vështirësi në qarkullim për shkak të motit të keq dhe temperaturave të ulëta, por përgjithësisht gjendja e akseve nacionale paraqitet e përmirësuar. Bëhet me dije se deri në orën 15:00 situata e kalueshmërisë së akseve rrugore paraqitet si më poshtë:Qarku Tiranë
Në akset Trau Dajt-Qafë Mollë-Bizë, Trau Dajt-Antena, Qafë Priskë-Shëngjergj kalimi kryhet normalisht. Qarkullimi rekomandohet të kryhet me kujdes me afrimin e mbrëmjes, pasi formohen ngrica në rrugë nga ulja e temperaturave.
Qarku Durrës
Nuk ka probleme në akset e këtij qarku. Të bëhet kujdes në qarkullim, pasi ka trafik në akset e këtij qarku.
Qarku Elbasan
Aksi Librazhd-Steblevë është i hapur, por ka ngrica dhe kalimi kryhet me zinxhirë. Aksi Elbasan-Gjinar kalohet normalisht, por për shkak të shembjes në Shelcan është i pakalueshëm për mjetet e rënda. Duhen përdorur zinxhirët sidomos në segmentin Lunik-Steblevë. Në akset e tjera të bëhet kujdes në orët e mbrëmjes nga ngricat në rrugë.
Qarku Berat
Në segmentin Kthesa Gllavë-Antena ka prani të ngricave. Qarkullimi në segmentin Kthesa Gllavë-Antena duhet të bëhet me zinxhirë. Nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve në akset e tjera të këtij qarku. Të bëhet kujdes për shkak të fluksit të makinave dhe në segmentet rrugore ku punohet.
Qarku Vlorë
Nuk ka probleme për qarkullimin në të gjitha akset e këtij qarku. Qarkullimi kryhet normalisht në të gjitha akset. Por në orët e mbrëmjes të bëhet kujdes nga ngricat në aksin e Llogorasë, të merren masa për kalim me zinxhirë.
Qarku Gjirokastër
Nuk ka probleme për qarkullimin në të gjitha akset e këtij qarku. Rekomandohet ecja e kujdesshme, sidomos në orët e mbrëmjes, pasi me uljen e temperaturave mund të formohen ngrica në akse të ndryshme.
Qarku Korçë
Po vazhdon puna për hedhjen e kripës në ato akse ku ka prezencë të ngricave, pasi temperaturat ulen ndjeshëm me afrimin e mbrëmjes. Qarkullimi aktualisht kryhet pa zinxhirë në të gjitha akset e qarkut të Korçës. Por në orët e mbrëmjes, nga temperaturat e ulëta ka segmente rrugore ku formohen ngrica. Prandaj rekomandohet që mjetet të jenë të pajisur me zinxhirë.
Qarku Kukës
Është bërë pastrimi i rrugëve, spërkatja me kripë dhe skorje. Disa akse qarkullohen pa zinxhirë. Në akset K.Domaj-Draj Reç dhe Bajram Curri-Kam, ka prani ngricash. Në aksin Bajram Curri-Qafë Morinë, ka ngrica në rrugë nga erërat e forta dhe temperaturave të ulëta. Qarkullimi rekomandohet të bëhet me zinxhirë në këto akse: Bajram Curri-Kam dhe K.Domaj-Draj Reç (Rruga e Rinisë), për shkak të temperaturave shumë të ulëta dhe ngricave në rrugë. Qarkullimi në aksin Bajram Curri-Qafë Morinë rekomandohet të kryhet me zinxhirë.
Qarku Dibër
Vazhdon hedhja e kripës dhe skorjeve, për shkak të temperaturave shumë të ulëta gjatë natës. Ka prani ngricash në akset Ura e Cerenecit-Steblevë, Peshkopi-Qafë Draj, Qafë Bualli-Krastë. Qarkullimi rekomandohet të kryhet me zinxhirë në segmentin Ostren i Vogël-Steblevë, në aksin Qafë Bualli-Krastë dhe në segmentet Muhurr-Qafë Draj (Rruga e Rinisë) dhe Sllovë-Kalaja e Dodës.
Qarku Shkodër
Me afrimin e mbrëmjes temperaturat ulen dhe në zona të caktuara ulen ndjeshëm. Në akset Qafë Mali-Flet dhe Qafë Mali-Qafë Shllak formohen ngrica në orët e mbrëmjes. Edhe në aksin e Razmës ka prani ngricash në orët e mbrëmjes. Qarkullimi aktualisht kryhet pa zinxhirë në të gjithë akset. Të bëhet kujdes nga ngricat në orët e mbrëmjes, pasi temperaturat ulen.
Qarku Fier
Nuk ka probleme për qarkullimin. Të bëhet kujdes në lëvizje, vazhdon fluksi i madh i lëvizjeve të makinave në superstradën Fier-Lushnjë.
Qarku Lezhë
Nuk ka probleme për qarkullimin. Të gjitha akset janë të pastruar. Të gjitha akset aktualisht qarkullohen pa zinxhirë.Në aksin Rrëshen-Qafë Bënë, ka formim ngricash në orët e mbrëmjes. Qarkullimi rekomandohet të kryhet me zinxhir në orët e mbrëmjes në aksin Rrëshen-Qafë Bënë

(ma.ar/mi.k/BalkanWeb)

PS: Buzë liqenit të Pogradecit, vetëm parqe e pemë, jo fshatra turistikë

Partia Socialiste ka deklaruar sot se ndërtimet që po prishen në vijën liqenore të Pogradecit do të zëvendësohen me parqe dhe pemë dhe jo me fshatra turistikë. PS-ja i ka kthyer kështu përgjigje, akuzave të PD-së se shembjet në Udënisht e më gjerë po bëhen me qëllimin për t’i hapur vend, ndërtimit të fshatit turistik të deputetit socialist Ilir Xhakolli.Çmenduria e Partisë Demokratike nuk ka fund, – tha sot deputetja Blerina Gjylameti nga selia rozë. – E duket se viti i ri e ka zënë opozitën edhe më keq se 2014. Më shumë gënjeshtra, më shumë shpifje. Akuzojnë sot deputetin e Partisë Socialiste se gjoja do ndërtoka fshat turistik m’u aty ku po prishen ndërtimet e shpronësuara në vijën liqenore të Pogradecit, por e vërteta është se ndërtimet po prishen jo për të ndërtuar fshatra turistike, por për ta kthyer hapësirën publike tek qytetarët, për të mbjellë më shumë pemë, më shumë parqe.

Ndërtimet po prishen në bazë të legjislacionit, duke kryer të gjitha veprimet e shpronësimit ndaj pronarëve. Ndaj, qytetarët të jenë të sigurt, – përfundoi Gjylameti, – se nuk ka asnjë pallat, asnjë fshat turistik, asnjë ndërtim, jo të ndonjë deputeti të maxhorancës, por të askujt, që do të ndërtohet aty ku INUK po prish ndërtimet që kanë zaptuar hapësirat publike.

Shembjet e ndërtimeve të paligjshme dhe shpronësimet që Qeveria është duke bërë buzë liqenit të Pogradecit kanë qënë gjatë dhjetorit, një temë e nxehtë debati ndërmjet Qeverisë dhe opozitës. Pavarësisht debateve, rehabilitimi i bregut ka nisur dhe në mbledhjen e saj të fundit për vitin 2014, Qeveria miratoi kompensimin për banorët e Udënishtit.

(ar.sh/BalkanWeb)

Aslaidon, fituesi i “The Voice of Albania 4″

Fiton këtë edicion të “The Voice of Albania 4″, si zëri më i mirë i të gjithë shqiptarëve kudo që janë, Aslaidon, me trajner Genc Salihun. Në finalen e madhe ishin në konkurrim Aslaidon, Albina nga skuadra e Elsa Lilës, Olsa nga skuadra e Alma Bektashit dhe Semi nga skuadra e Sidrit Bejlerit.

Mbrëmja ishte plot emocione, me të papritura, ndërsa gara e fortë, duke qenë se katër finalistët ishin mjaft të përgatitur.

Perfomancat e konkurrentëve ndoqën njëra-tjetrën për t’u mbyllur me bashkëpunimet e secilit garues me trajnerin ose trajneren respektive.

Vota e publikut zgjodhi si zërin më të mirë të këtij edicioni, të vetmin djalë konkurrent që mbërriti deri në finale.
/ Top Channel

Ngjarjet dhe reformat që u shënuan në 2014

Nga marrja e statusit të vendit kandidat, në ndërhyrjen e policisë në Lazarat. Nga shembjet e ndërtimeve të paligjshme, e deri tek aksioni për energjinë elektrike. Skandali në Bankën e Shqipërisë me supervjedhjen e të paktën 713 milionë lekëve, e deri tek vizita e kryeministrit Edi Rama në Beograd. Ja ngjarjet më të rëndësishme që u shënuan në vitin 2014 dhe reformat e qeverisë Rama.Statusi
Viti 2014 është shoqëruar me ngjarje të rëndësishme për shqiptarët, siç ishte marrja e statusit të vendit kandidat, një lajm dhe vendim i shumëpritur. Vendi ynë ishte refuzuar tre herë radhazi, për shkak të mos plotësimit të kritereve të vendosura nga Brukseli. Në 23 qershor, Komisioni Europian rekomandoi në mesditë dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, një vendim për të cilin komisioneri për Zgjerimin Stefan Fule udhëtoi drejt Tiranës zyrtare, për t’ua deklaruar këtë shqiptarëve dhe krerëve të politikës. E ndërsa do të shprehte qartë në Tiranë, se ky vendim ishte për njohjen e reformave, por që duhen edhe më shumë përpjekje, kjo do të ishte edhe vizita e tij e fundit në postin e komisionerit për Zgjerimin.
Lazarati
Betejat e qeverisë Rama për këtë vit do të nisnin fillimisht me ndërhyrjen në Lazarat, një aksion i cili zgjati për disa ditë, ku u angazhuan qindra forca policore, dhjetëra të arrestuar, dhe me një jehonë brenda dhe jashtë vendit. Kryeministri Edi Rama nuk e ka fshehur krenarinë për këtë sukses te qeverise, e cila sipas tij, ndryshoi nje realitet 20-vjeçar te paprekshmërisë se krimit ne fshatin e famshëm te Lazaratit. Edhe pse ne dy dekadat e fundit shteti ka tentuar disa here te luftoje fenomenin e lendeve narkotike ne Lazarat; ky është i pari aksion i suksesshëm ne këtë fshat. Lufta kundër prodhimit të drogës vendase e bëri Shqipërinë që të dalë nga harta e vendeve që e prodhojnë atë dhe që e luftojnë fenomenin.
INUK
Shkatërrim pa kompromis i të gjitha ndërtimeve që kanë dëmtuar territorin, trashëgiminë kulturore e sidomos bregdetin e vendit. Do të ishte kjo deklaratë e shefit të qeverisë, që do të vijonte më pas me shembjet e këtyre ndërtimeve nga Inspektorati Ndërtimor Urbanistik për muaj më radhë. Një nismë e kundërshtuar fort nga opozita, por që nuk kanë munguar as zërat kritikë brenda së majtës. Ndryshimi i kodit penal, ku ashpërsohen masat për ata që ndërtojnë në mënyrë të paligjshme ka krijuar jo pak pakënaqësi, deri në debate të deputetëve të majtë me kryetarin e tyre për përdorimin e fjalës burg..në çdo nismë apo reformë. Aksioni ka vazhduar në Tiranë dhe në qytete të ndryshme të vendit. Godina të tëra, lokale, ndërtime anësh rrugëve nacionale dhe kudo tjetër gjetkë janë hedhur në erë ose janë shembur.
Energjia
Aksioni për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike, do të ishte nisma tjetër në këtë fundvit, e kundërshtuar dhe brenda radhëve të mazhorancës, e ndërkohë që nuk mungoi paralajmërimi për ujin. Aksioni i nisur nga policia e Shtetit dhe Operatori i shpërndarjes së energjisë bëri që të përfundojnë në pranga shumë qytetarë për lidhje të paligjshme, apo ata që nuk paguanin prej vitesh energjinë elektrike. Problemi që dilte përpara qeverisë shqiptare ishte se gropa që krijohej mes shitjes së energjisë që shteti apo privatët prodhonin dhe pagesës që i bëhej asaj shkonte në rreth 150 milionë euro në vit. Një numër prej 49 personash u arrestuan vetëm në ditën e parë të aksionit kombëtar kundër vjedhjes së energjisë elektrike. E ndërsa cdo aksion shoqërohen nga një ministër i qeverisë, Kryeministri Rama do të artikulonte sërish fjalën burg…. e me kalimin e kohës, të gjithë kujtojnë frazën e famshme të Ramës, “Dale, dale se nuk keni parë asgjë akoma!”,
Skandali në Bankën e Shqipërisë
Në këtë vit, në ditët e nxehta të fundkorrikut do të shënohej edhe Skandali në Bankën e Shqipërisë, me supervjedhjen e të paktën 713 milion lekëve nga thesari i saj. Ndoshta nuk kishte për të dalë në shesh ky skandal, por vjedhja e bankës u denoncua nga vetë Ardian Bitraj. Kjo, duke qenë se për katër vjet me radhë, askush nuk kishte arritur të konstatonte mungesën e parave që vidheshin nga Bitraj. Vetë Banka e Shqipërisë pretendon se ka qenë ajo që ka konstatuar vjedhjen dhe më pas bëri denoncimin. Ky skandal pati impakt në opinionin publik. Shoqëria civile kërkoi dorëheqjen e ish guvernatorit Ardian Fullani, nisi mbledhjen e firmave për ti kërkuar kuvendit shkarkimin e tij. 44 ditë pas bërjes publik të lajmit për supervjedhjen në Bankën e Shqipërisë, më 5 shtator është arrestuar edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, si dhe Inspektorja e Përgjithshme e këtij institucioni, Elivar Golemi. Me arrestimin e Ardian Fullanit dhe Elivar Golemit, shkoi ne 19 numri i personave të ndaluar për vjedhjen e 713 milion lekëve nga Banka e Shqipërisë. Dy muaj pas arrestimit spektakolar, Gjykata e Lartë vendos detyrim paraqitje për Fullanin, megjithëse prokuroria e akuzon për shpërdorim detyre, pasi veprimet dhe mosveprimet e tij sollën grabitjen nga Thesari i Shtetit. Ceshtja është në duart e prokurorëve të cilët po përpiqen të zbardhin skemën e mashtrimit në rreth 4 vite, si dhe personat përgjegjës. I Gjithë ky skandal u shoqërua me debate të ashpra, ndërkohë gara për guvernator. Në seancën e fundit plenare u miratuan dy tre kandidatura për Këshillin Mbikëqyrës, ndërkohë ende nuk është zgjedhur guvernatori i Bankës së Shqipërisë.

Rama në Beograd
U deshën plot 68 vjet që një kryeministër shqiptar të zhvillonte një vizitë zyrtare në Serbi. Por kjo vizitë u parapri nga “kronika” e një ndeshjeje të ndërprerë Serbi-Shqipëri, një ndeshje që krijoi tension mes palëve, në një kohë që pritej të thyheshin akujt. Droni, i cili u lëshua në stadiumin e Beogradit, dhe ngjarjet që rrodhën më pas, do të pasoheshin nga qëndrimet e dy palëve. E përsos kësaj, vizita e Ramës dhe pritja nga pala serbe u negociua nga europianët. Dhe në 10 nëntor, Serbia do të shtronte tapetin e kuq për kryeministrin Edi Rama, nën një klimë të tensionuar dhe me masa të rrepta sigurie – të parin kryeministër shqiptar që vizitoi Beogradin pas shtatë dekadash. Pas takimeve dypalëshe, pika kulmore e kësaj vizite do të ishte konferenca për shtyp në pallatin Serbia, i njohur si vendtakimi i përfaqësuesve më të lartë të gjashtë republikave dhe dy krahinave autonome të ish-Jugosllavisë, nga ku Rama do të kërkonte njohjen e një realiteti tashmë të ri për Kosovën.
Nga Lugina e Preshevës, e cila ishte dhe ndalesa e kryeministrit Rama në ditën e ditë të vizitës historike në Serbi, Rama dha mesazhe të forta për komunitetin shqiptar atje, duke i ofruar mbështetjen e qeverisë shqiptar përballë të drejtave të munguara nga pala serbe. Duket se akujt u thyen, teksa për herë të dytë brenda një muaji, kryeministri shqiptar do të vizitonte Beogradin më 16 dhjetor, për të marrë pjesë në ne Samitin Ekonomik Kine-Ballkan. Këtë herë vizita e Ramës nuk kishte në vëmendje çështjet politike, por ato ekonomike, që kanë të bëjnë me gjigandin e investimeve aziatike ne rajonin e Ballkanit.

(m.k/BalkanWeb)

Renzi: Shqipëria është në Europë. Takimi me Ramën: Po punojmë për pensionet

Kryeministri italian, Matteo Renzi mbërriti në Tiranë në një vizitë zyrtare prej disa orësh. Ndalesa e parë e tij dhe e delegacionit që e shoqëronte ishte selia e Këshillit të Ministrave, ku u prit nga kryeministri shqiptar, Edi Rama. Të dy delegacionet zhvilluan një takim të përbashkët në të cilin, siç tha kryeministri Rama në konferencën për shtyp, u ra dakord për heqjen e një take 50-vjeçare për transportin mes dy vendeve.

Një vëmendje të posaçme në bisedime iu dha edhe çuarjes përpara nga pala italiane të njohjes së ndërsjelltë të pensioneve të emigratëve tanë në Gadishullin Apenin.

“Biseduam edhe për hapjen e negociatave për njohjen e pensioneve. Një punë e admirueshme e bërë nga ministri ynë i Mirëqënies Sociale, që ka sjellë në njohjen e pensioneve nga disa vende. Sot ne ramë dakord që projekti i vendosur në tavolinën e përbashkët të dy ministrave të kalojë në fazën e negociatave. Kjo, pasi nuk është vetëm pala shqiptare që kërkon njohjen e pensioneve, por edhe ajo italiane për rreth 20 mijë shtetas italianë që punojnë në Shqipëri”, deklaroi Rama.

Nga ana e tij, kryeministri Renzi e vuri theksin në rëndësinë që merr zgjerimi familjes europiane me vende të tjera.

“Pasi kemi punuar si kryebashkiakë, sot kemi ndryshuar punë dhe po ashtu duhet të ndryshojmë të dy vëndet tona, në mënyrë që të jenë të afta të ndërtojnë idealin europian. Po. Shqipëria është tashmë në Europë. Nuk bëhet fjalë thjesht për ta futur Shqipërinë brenda në Europë, pasi ajo është tashmë në Europë, por bëhet fjalë për ta zgjeruar familjen e madhe europiane. Duhet ta bëjmë këtë se është e drejtë dhe e dobishme. Para së gjithash, kjo i shërben Europës shumë më parë sesa t’i shërbejë Shqipërisë apo vendeve të tjera që kanë statusin e vendit kandidat. E pra, me këtë frymë ne sot po përfundojmë semestrin 6-mujor të Presidencës Italiane dhe zgjodhëm ta bëjmë këtë në Tiranë dhe jo në Romë, sepse kjo është si të thuash një copëz e tregimit të Europës që do të vijë një ditë. Ne jemi të kënaqur për statusin e vendit kandidat të Shqipërisë, por na duhet të vrapojmë në mënyrë që negociatat të jenë të shpejta dhe është me rëndësi që populli shqiptar ta dijë se Italia do të jetë gjithmonë e sidoqoftë sponsori i parë dhe kryesor për këtë projekt të Shqipërisë”, deklaroi Renzi.

35 italiane u interesua të dinte më shumë detaje për zjarrin që përfshiu tragetin “Norman Atlantic”. “Natyrisht, ne jemi pranë familjeve të atyre që humbën jetën në tragetin “Norman Atlantic”. Ishte një e dielë e vështirë. Për sa përket shkaqeve për atë që ndodhi u takon organeve të drejtësisë të hedhin dritë mbi to. I jam mirënjohës kryeministrit Rama pasi bashkëpunimi ishte i menjëhershëm në ato orë të vështira”, u përgjigj kryeministri Renzi.

Ndërsa kryeministri Rama tha se ai i detyrohej shumë homologut Renzi për udhëheqjen e një operacioni të vështirë e në kushte të jashtëzakonshme që mund të krijonte një tragjedi.

Gjithashtu, Rama u shpreh se ndihej krenar për Forcat e Armatosura dhe ato të rendit që ishin në lartësinë e detyrës. Më pas, kreu i qeverisë italiane u takua me kryeparlamentarin Meta dhe presidentin e Republikës, Nishani. / Top Channel

Rama: Përmirësuam marrëdhëniet me Presidentin, me opozitën duhet të kishim qënë më të duruar

Kryeministri Rama e ka nisur me falenderime fjalimin e tij të fundit për vitin 2014. Nuk la njeri pa përmendur, nisi me aleatat e bashkëpuntorët, përmendi Presidentin, por nuk i kurseu falenderimet edhe për opozitën.Posaçërisht falenderoj Ilir Metën që më ndihmoi pa u kursyer në përpjekjen për të rikthyer shtetin në detyre, krerët e grupeve, Rucin e Vasilin. Falederoj Prseidentin për përmirësimin e marrëdhënieve pas një dekade, kemi ende mosdakordësi por nuk do na pengojnë të punojmë së bashku, vendosëm një shembull të ri mes dy institucioneve, tha Rama.

Rama u zotua se, “do ta përdor pushtetin për të bërë ndryshime dhe punët që nuk janë bërë në 20 vite. Nuk do zgjas qendrimin në pushtet duke u konsumuar nga pushteti deri në pikën që të bëhem si paraardhësi im, që iua solli në majë të hundës të gjithë shqiptarëve”

Ndërsa duke u ndalur tek opozita, Rama u shpreh se me të duhet të kishin qënë më të duruar. Ai nuk nguroi të kërojë ndjesë për atë që e quajtu sjelle të vjetër ndaj opozitës, e shfaqur përmes shumicës.

“Duhet të kishim qënë më të duruar, nuk e zgjedhim ne opozitën, e kemi sado e mbrapshtë të jetë. Ky ka qënë viti më i mirë i një qeverie dhe një shumice në këtë drejmtim por nuk mjafton. Mandati na është dhënë që të punojmë përditë si forca shtytëse e të mirës së këtij populli. Ndjesë, kur përmes nesh është shfaqur sjellja e vjetër ndaj opozitës. Do kisha dashur të ishte e para në falenderimet e mia, por do ishte hipokrizi, jo se nuk na ka ndihmuar me çoriditjen e saj, bërtet por nuk merr seriozisht as vetë atë që totë. Problemi i saj nuk është sip o ecën Shqipëria, por thjesht humbja e pushtetit me të cilën nuk arrin të pajtohet. Mirëpresim çdo denoncim për të pastruar administratën shtetërore të mbërthyer nga korrupsioni dhe të mbërthyer deri në palcë, faleminderit për propagandën e padenjë ndaj policisë së shtetit pas operacionit në Lazarat”.

Ndërsa nuk ka lënë pa falenderuar sa ambasadorin e SHBA-ve Aleksandër Arvizi në fund të mandatit të tij, Ram është shprehur se nuk është dakord me të kur thotë se Shqipëria duhet të ulë ritmin.

“Shqipëria vitin tjetër nuk duhet të ulë ritmin se punët e sotme i ka lënë për nesër, mjaft me këtë situatë, duke u kënaqur me pak dhe duke u varfëruar në aspirata”.

Rama fton: Më pyesni, sot në 12:30 ju përgjigjem në TV e rrjetet sociale
Kryeministri Rama do t’i përgjigjet direkt sot para 35ve, pyetjeve të dërguara nga qytetarët në rrjetet sociale, dërguar që nga data 22 dhjetor e në vazhdim, pasi ai hodhi ftesën në publik.

Në ftesën e 9 ditëve më parë e të rikujtuar herë pas here, Rama shkruante:” Të mërkurën, më 31 dhjetor, ora 12:30, konferenca e fundvitit LIVE në televizion, Twitter dhe Facebook. Dërgoni pyetjet që keni me hashtag ‪#‎PyetKryeministrin.

Ky ka qenë një vit i vështirë, i gjallë, i mbushur me sfida e përpjekje të mëdha. Le të bëjmë së bashku një bilanc të përmbledhur përmes bashkëbisedimit të fundvitit, ku do të mundohem t’i përgjigjem të gjitha pyetjeve tuaja…,”- përfundon Rama.

(ma.ar/ar.sh/BalkanWeb)

Shqipëria gjatë vitit 2014

Nga vjedhja në Bankën Qendrore te ndërhyrja ne Lazarat, nga tensionet politike te statusi kandidat në BE dhe vizita e Papës… ngjarjet që shënuan muajt që lamë pasViti 2014 ishte i ngarkuar me zhvillime te vrullshme në Shqipëri dhe jo vetëm politike. Një ngjarje e cila do të trondisë opinionin është ajo e vjedhjes në Bankën Qendrore.

VJEDHJA NË
BANKËN QENDRORE

Më 23 korrik përmes vetëm pak radhëve në faqen e saj online Banka e Shqipërisë njoftoi se dy ditë më parë kishte bërë kallzim ndaj dy punonjësve në departamentin e Emisionit, për përvetësim të vlerave monetare, duke saktësuar se informacioni i detajuar rreth ngjarjes është i klasifikuar. Por ngjarja ishte shumë e madhe për t’u mbajtur brenda mureve të Bankës
Të nesërmen u arrestuan dy punonjësit e akuzuar Ardian Bitraj dhe Mimoza Brusia. 5 ditë më vonë Banka do të konfirmojë se ishin vjedhur 713 milion lekë. Këshilli MBikqyrës dhe guvernatori Ardian Fullani do të këmbëngulin se të gjitha aktet dhe procedurat ishin të plota dhe sipas standarteve, ndonëse vjedhja kishte vazhduar për katër vite me radhë. Më 30 korrik guvernatori deklaroi se “ka ceduar personi, njeriu”.

Jehona e ngjarjes sa vjen e bëhet me e fortë. “Eshtë cënuar rëndë, imazhi I Bankës së Shqipërisë, dhe më tej edhe vetë imazhi I vendit”, u shpreh Erion Brace, kryetari i komisionit të Ekonomisë. Ai ishte i pari zyrtar që reagoi me forcë duke thirrur në seancë dëgjimore guvernatorin. Zoti Brace do të këmbëngulë në nxjerrjen e përgjegjësive të plota.
Qeveria do të shprehet publikisht vetëm dy javë pas ngjarjes, më 6 Gusht, me anë të një deklarate. Ajo flet për një akt kriminal dhe kërkon hetime të shpejta. Të njejtave tone të kujdesshme kryeministri Edi Rama, do i përmbahet edhe dy javë më pas: “Cështja e parë është të konkludojmë në mënyrë objektive dhe konstruktive se ku qëndrojnë problemet në sistem”.
Trysnia e publikut ndërkohë sa vjen e rritet dhe zërat për shkarkimin e guvernatorit apo dhe Këshillit ndjehen edhe brenda shumicës. Një valë arrestimesh prekën gjatë muajit gusht punonjës të ndryshëm të Bankës, përfshi edhe drejtorin e departamentit të Emisionit, Dorian Collaku. Ato do të kulmojnë në fillim të shtatorit me arrestimin e Guvernatorit Fullani dhe Inspektores së Përgjithshme Elivar Golemi mbrëmjen e 5 Shtatorit.
Pas 24 orësh, Këshilli Mbikqyrës, i cili më parë kishte refuzuar shkarkimin, mblidhet këtë herë për të vendosur largimin e Guvernatorit. Katër ditë më pas jep dorëheqjen dhe anëtari Ardian Civici.
Zoti Fullani do të qëndrojë në qeli 10 ditë. Gjykata e Apelit do ta lerë në arrest shtëpie, ndërsa më pas Gjykata e Lartë do të caktojë për të vetëm detyrim paraqitje. “Unë jam i pafajshëm”, do të deklaronte më vonë zoti Fullani, në përfundim të njërës prej seancave të pyetjeve që Prokuoria zhvillon me të, ndërsa hetimet ndaj tij ende nuk janë mbyllur.
Ndërkaq skena politike vihet në lëvizje. Kryeministri Rama bisedon me Presidentin Nishani dhe takon stafin e Bankës së Shqipërisë për t’i dhënë mbështetje duke garantuar më pas se “stabiliteti financiar i vendit është tërësisht i pacënuar dhe i garantuar”, nënvizoi zoti Rama më 8 Shtator.
Lidhur me pasuesin e zotit Fullani, kryeministri deklaroi se ai nuk do të ishte nga politika, por një profesionit i fushës. Gjetja e Guvernatorit të ri do të rezultojë një procesi jo shkurtër. Presidenti Nishani hapi më 19 Shtator, një garë për kandidaturat, duke nxitur dhe një polemikë lidhur me procedurën, duke qenë se ligji parashikon zgjedhjen mes anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës. Megjithatë ai do t’i shkojë deri në fund idesë së tij dhe me 7 dhjetor do të propozojë emrin e Gent Sejkos, një emër me eksperiencë bankare dhe aktualisht nëndrejtor i bankës franceze Societe Generale. Rreziku i përplasjes me shumicën është i dukshëm. Kryetari I komisionit të Ekonomisë Brace deklaron se do të kërkojë interpretimin e Komisionit të ligjeve lidhur me dekretin e Presidentit.
Kompromiset politike do të shpëtojnë situatën. Më 19 dhjetor Këshilli Mbikqyrës e propozon zotin Sejko për anëtar të tijin në emër të kapërcimit të ngërcit dhe konsensusit politik, sic do të shpjegonte vetë Këshilli përmes një deklarate. Ai do të marë me shpejtësi aprovimin e Parlamentit së bashku me dy emra të tjerë, duke u zgjedhur kështu anëtarë të Këshillit Mbikqyrës. Zgjidhja e cështjes së guvernatorit mbylli vetëm një kapitull. Ndërsa fati i miliona dollarëve të vjedhur mbetet ende një mister.

AVIONI I DROGËS NE DIVJAKE
BIE MITI I LAZARATIT

Ndërsa në vend një seri atentatesh dhe shpërthimesh me eksploziv kishin ngritur shqetësime serioze mbi gjendjen e rendit, një fjali, e cila u duk sikur ishte hedhur aty thjesht si garniturë e nje polemike të fortë në parlament mes ish ministrit të Mbrojtes Arben Imami dhe pasueses së tij socialiste Mimi Kodheli, shënoi preludin një fronti të ri akuzash që do të zgjasin disa javë

“Infrastruktura ushtaraka e një ushtrie të Natos, po përdoret rregullisht në infrastrukturë të transportit të lëndëve narkotike”, deklaroi zoti Imami gjatë seancës së 10 Prillit.
Në ditët që do të pasojnë polemikat do të përqëndrohen vetëm në këtë pikë. Opozita do të shtrojë në mënyrë të përsëritur të njejtën pyetje. “Keni apo jo dijeni për përdorimin e strukturave të forcave të armatosura për transportin e lëndëve narkotike?”, pyet kreu i opozitës Lulzim Basha gjatë mbledhjes së grupit parlamentar demokrat më 17 prill.
Një javë më pas në parlament kjo do të jetë tema e debatit. Por sipas ministres së MBrojtjes Mimi Kodheli “nuk ka asnjë provë, asnjë fakt. Zero”. Zoti Imami do të avancojë më tej duke folur për avion të ulur në bazën e Gjadrit: “Më 19 mars, një avion i bardhë, i cili vjen e ulet shpesh herë…” Gjithshka e ka burimin te një informacion i Shërbimit Informativ Kombëtar, i cili më vonë do të dalë e të sqarojë se nuk ka asnjë fakt të vërtetuar që të implikojë ushtrinë.
Sipas opozitës avionë janë ulur edhe në zona të tjera të vendit, në Gjirokastër apo dhe në Divjakë. Por në parlament kryeministri Edi Rama do të ironizonte duke thënë se “nuk janë avionë, janë mushkonjat, që janë kthyer si avionë të droguar që pickojnë azhdimisht opozitën”.
E ndërsa shkëmbimi i replikave vazhdoi, tre javë pas kësaj deklarate të kryeministrit, një avion i vogël, i bardhë, do të ngecë gjatë uljes në plazhin e Divjakës. Piloti është italian. Në zonë gjenden mbi 400 kilogram marijuanë në thaës. Arrestohet dhe një shqiptar.
Opozita i rikthehet më me forcë akuzave, ndërsa këmbëngulte se paralajmërimet e saj u vërtetuan. “Avioni iu ka rënë në prehër, droga ju ka mbetur në derë”, deklaron zoti Basha. Opozita kërkoi dhe dorëheqjen e kryeministrit e zhvilloi dhe protesta. Zoti Rama hodhi poshtë me forcë akuzat për përfshirjen e qeverisë në trafikun e drogës. Me kalimin e ditëve tensioni vjen e shuhet.
Pak javë më vonë, më 16 qershor, policia do të ndërmarrë një operacion të gjerë në Lazarat, një territor i konsideruar i paprekshëm për vite me radhë. Mbi 500 forca policie u angazhuan dhe mbajtën fshatin të rrethuar, duke fituar territor ditë pas dite, ndërsa nuk mungoi rezistenca e armatosur. “Mos mendoni kurrë se ka zot në tokë, që mund t’I dali zot atyre që qëllojnë kundër policisë”, u shpreh ministri Brendshëm Saimir Tahiri.
Opozita u shfaq dyshuese ndaj operacionit. “Ky aksion apo cdo aksion tjetër kundër narkotrafikut, të mos I lihet në dorë këtij kryeministri, apo atij që ka si ministër të Brendshëm”, than ë parlament kryetari I grupit parlamentar democrat, Edi Paloka. Ndërsa ish kryeministri Sali Berisha do të akuzonte se “të gjithë bosët e drogës së Lazaratit, janë përjashtuar nga lista e kërkimit”.
Gjatë ndërhyrjes një polic dhe dy barinj u plagosën ndërsa një trupë e televizionit A1 Report u sulmua.
Më 19 qershor policia hyri në qendër të fshatit. Kontrollet shtëpi më shtëpi zbuluan arsenale të tëra armësh, mbi 130 mijë rrënjë cannabis sative, 70 ton hashash, e laboratore droge.
“Ajo republikë e turpit politik dhe shtetëror nuk ekziston më”, deklaroi kryeministri në përfundim të operacionit. Dy muaj më vonë një aksion i ngjashëm përfshiu dhe veriun e vendit, ku gjithashtu pati rezistencë të armatosur. Një helikopter i policisë u detyrua të bëjë edhe ulje emergjence pasi u qëllua.

DEBATI PËR REFORMAT
DHE STATUSI NË BE

Një ndër reformat më të rëndësishme ishte ajo e riorganizimit të ri administrative-territorial, një proces në të cilin opozita nuk mori pjesë. Qeveria ndërkohë ndërmorri reforma në sistemin universitar e të pensioneve si dhe nisi një ndërhyrje të fortë në sektorin e energjisë, me një operacion të gjerë kundër vjedhjeve. Ndërsa në muajt e fundit të viti mori jetë një tjetër process, ai i reformës në Drejtësi
Për ndarjen e re administrative shumica premtoi një komision dy palësh, ku opozitës i njihej e drejta “e bashkëkryesimit të komisionit, përfshirë edhe veton”, deklaroi kryeministri Edi Rama, më 22 janar.
Por për opozitën vetëm barazia në komision nuk ishte e mjaftueshme. “Ta implementojmë parimin e votës me konsensus në aulën e parlamentit”, u kundërpërgjigj kryetari demokrat Lulzim Basha, me në krah të gjithë aleatët e vet.
Komisioni parlamentar i miratuar në 23 Janar do të mblidhet për herë të parë pas dy javësh. Mungesa e opozitës do e shtyjë disa muaj punën. Kryeministri dhe kreu i opozitës shkëmbejnë letra publike, e ftesa për takime që nuk do të realizohen.
Në Prill shumica deklaron se nuk do të presë pa fund opozitën. Kjo e fundit paralajmëron protesta.Për të zhbllokuar punën e komisionit ndryshon përbërja e tij. Procesi i reformës ka marrë ndërkohë dhe mbështetjen dhe ekspertizën e disa organizmave dhë partnerëve ndërkombëtarë të vendit. Më 16 Maj, qeveria ofron 5 variante, me nga 30 deri 63 bashki në të gjithë vendin. Në fund, do të miratohet një tjetër model i rishikuar, me 61 bashki pasi plotësohen disa kërkesa të PDIU-së, e cila theu betimin e opozitës, duke i dhënë shumicës qetësinë e numrit të votave.
Opozita e cila në qershor bën disa propozime të saj vlerëson se “kjo ndarje nuk i shërben as vendit dhe as qytetarëve”, u shpreh zoti Basha. Reforma do të kalojë në seancën e fundit të sesionit parlamentar, ku në mungesë të opozitës i vetmi debat do të jetë për Himarën
Opozita e cilëson një hartë elektorale dhe të papranueshme. Ajo e con cështjen në gjykatën kushtetuese, ndërsa presidenti Nishani ja riktheu më parë parlamentit. Gjykata rrëzon ankimin e demokratëve më 15 dhjetor. Në të njejtën ditë Kreu i shtetit dekreton 21 qershorin 2015, si datën e zgjedhjeve vendore që do të mbahen sipas ndarjes së re. Demokratët nuk ndryshojnë qëndrim. “Partia demokratike nuk e pranon dhe nuk do ta pranojë kurrë këtë hartë të turpshme të dyshes Rama- Meta”, nënvizoi më 15 dhjetor kryetari I PD-së.

ENERGJIA
Në janar Qeveria vendosi ngritjen e një task-force për të vënë rregull në sektorin e energjisë, i dërrmuar ndër vite nga vjedhjet e shumta dhe mospagesat. “Historia se kush nuk paguan mund të vjedhë gjithnjë e më shumë, duhet dhe do të marrë fund”, paralajmëroi kryeministri.
Por vrulli i task-forcës zgjati vetëm pak javë. Ndërhyrja e vërtetë do të nisë vetëm në fund të tetorit, ndërsa më parë parlamenti kishte miratuar ndryshime dhe në kodin penal ku përvec dënimit me burg nuk ka më alternativë tjetër. “Kanë 5 ditë kohë, që të rikthehen në binarët e ligjit”, deklaroi kryeministri më 22 Tetor.
Qindra persona, mes të cilëve pronarë biznesesh të vogla, por dhe punonjës të operatorit të shpërndarjes u arrestuan. Qeveria ndërkohë ofroi mundësinë e pagesës me këste për faturat e vonuara. Sportelet u përballën me një dyndje njerëzish.
Që më herët qeveria kishte parlajmëruar një ndërhyrje të thellë në këtë seltor. Në qershor u mbyll me mirëkuptim mosmarrëveshja me cekët e CEZ. Opozita do flasë për një aferë korruptive, por sipas autoriteteve, sektorit ju hap rruga e investimeve. Në 3 nentor firmoset kredia 150 milion dollarëshe me Bankën Botërore, ndërkohë që debate të forta shkaktoi paralajmërimi për ndërhyrje në strukturën e cmimit përmes heqjes së fashës prej 300 kilowatësh me tarifë favorizuese. “Eshtë tek fasha që ne do të synojmë të celim rrugën e reformës”, shpjegoi zoti Rama. Por opozita kërkoi që “të ndalë cdo tentativë për rritjen e cmimit të energjisë elektrike”, deklaroi zoti Basha.
Më 26 Dhjetor Enti Rregullator I Energjisë cakton cmimin e ri fiks prej 9.5 lekësh.

DREJTËSIA
Drejtësia si gjithnjë ishte temë e debatit të zjarrtë. Deklarimeve të shumicës për nisjen e një reforme të drejtësisë Presidenti Nishani i parapriu më 16 janar, me paralajmërimet se “marrja e sistemit të drejtësisë nën kontrollin politik është forma më e lartë e korrupsionit”. Shumica asnjëherë nuk e fshehu mosbesimin ndaj tij. “Nuk besoj se ka njeri në këtë sallë se hamendëson se sot ne kemi një President të Republikës, që gdhihet e ngrys ditën duke u përpjekur të reformojë e për mirësojë me rrënjë sistemin e Drejtësisë”, deklaroi më 31 janar në parlament, kryetari i komisionit të Ligjeve Fatmir Xhafaj.
Me radhë kandidaturat e tij për anëtarë të gjykatës së lartë do të rrëzohen përgjatë gjithë vitit, ndërsa përplasjet do të jenë të shumta, kurdoherë që do të paraqitet rasti.
Ministri i Drejtësisë Nasip Naco do të jetë në përplasje të përhershme me Këshillin e Lartë të Drejtësisë. “sistemi i Drejtësisë në Shqipëri është kthyer në një rrjet ku gjyqtarët mbrojnë njëri-tjetrin në kundërshtim me ligjin”, u shpreh në 8 korrik ministri Naco. “Ministri gënjeu publikisht kur tha se nuk ka trasparencë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë”, u kundërpërgjigj në të njejtën ditë zëdhënësi I KLD-së.
Shumica ndërmerr ndryshime në ligjin për KLD-në, të cilat miratohen në fund të Korrikut. Në Shtator një grup deputetësh kërkojnë shkarkimin e nënkryetarit të KLD-së Elvis Cefa dhe të anëtarit Lulzim Lelcaj. Më pas ngrihet një komision hetimor. Polemikat janë të shumta, por shumica pas një muaji, më 23 tetor do të votojë shkarkimin e tyre.
Ndërkohë duket se merr udhë dhe reforma në Drejtësi. Një tryezë e presidentit Nishani mbledh më 6 Tetor, të gjithë aktorët. “Në Shqipëri ka një korporatë e cila shet e blen Drejtësinë”, u shpreh zoti Rama. Ndërsa kreu i opozitës, nga e njejta tryezë do të kërkojë që “Qeveria të mbajë duart larg nga gjyqësori”.
Pas disa tryezave të tjera, në dhjetor do të ngrihet edhe komisioni parlamentar për reformën

STATUSI KANDIDAT
Pas katër refuzimesh radhazi qershori i 2014 ishte provimi i radhës për cështjen e statusit të vendit kandidat. Lëvizjet mes Tiranës dhe Brukselit do të jenë të shpeshta. Ndërsa kryeministri dhe ministrat e tij ndërmarrin një tur vizitash në kryeqytetet e vendeve të cilat dhjetorin e kaluar kishin shfaqur skepticizëm të hapur. Në Berlin, më 1 Prill, ai merr mbështetje të hapur nga kancelarja gjermane Angela Merkel.
Në qershor nga Tirana, komisioneri Fyle rikonfirmon “rekomandimin se shtetet anëtare duhet t’i japin Shqipërisë statusin kandidat”. Këtë herë “është një rekomandim i pastër, pa asnjë presje pas PO-së”, nënvizon kryeministri Rama.
Vendimi pritet në fund të muajit. Në Paris kryeministri Rama merr dhe mbështetjen e Francës nga presidenti Francois Hollande.Më 24 qershor, pasi janë kapërcyer dhe pengesat e fundit me Spanjën dhe Cekinë, ministrat e jashtëm të vendeve anëtare konfirmojnë dhënien e Statusit.
Për vendin do të nisë një sfidë e re

DRONI DHE RAMA
NË BEOGRAD

Një nga meritat që Shqipërisë i është njohur gjithnjë, është roli i saj në Ballkan. Kryeministri Edi Rama i kushtoi një vëmendje të posacme rritjes së peshës së vendit në rajon. Në konferencën e udhëheqësve ballkanik, organizuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel, ku Tirana ishte propozuesja e dokumentit bazë të takimit, zoti Rama njoftoi dhe vizitën e tij të ardhshme në Beograd, e para pas 68 vitesh

Por në Ballkan paqja ende nuk mund të merret si e mirëqenë. Ndeshja e futbollit mes Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd rindezi nacionalizimin e egër. Në stadium thirrjet për të vrarë shqiptarët nuk rreshtën. Ndërsa loja ishte ndërprerë për shkak të objekteve të hedhura në fushë, shfaqja në qiellin e stadiumit, të një droni me simbole shqiptare e ktheu ndeshjen në një sulm të paprecedentë ndaj lojtarëve shqiptarë.
Propaganda serbe veproi me shpejtësi për ta përkufizuar gjithshka si një provokim për shkak të dronit, i cili madje sipas tyre ishte komanduar nga vëllai i kryeministrit. Për Zërin e Amerikës, nga Bostoni, zoti Rama tha se “ne jemi krenar që nuk kemi asnjë lidhje me cfarë u shfaq në formën e vet më të egër dhe më negative si një shëmbëlltyrë e së shkuarës, të cilën ne jemi të vendosur ta lëmë prapa”.
Dhe pavarësisht retorikës së rënduar serbe dhe shkëmbimeve të notave të protestave mes palëve, kryeministri nuk hoqi dorë nga vizita në Beograd. Ajo vetëm do të shtyhet me tre javë, pas trysnisë ndërkombëtare mbi kryeministrin serb.
Tensioni është në ajër në mjediset e pallatit Srbia, më 10 Nëntor, ku deklaratat e zotit Rama për Kosovën do të shfaqen si një dron i dytë për serbët. “Pavarësia e Kosovës e ka bërë Ballkanin më të qëndrueshëm. Cdo perceptim i ri i Serbisë lidhur me këtë cështje, është më shumë se sa i mirëpritur prej nesh”. Kryeministri Vucic, i skuqur në fytyrë deklaron se “dua të shpreh pakënaqësinë time të thellë për këtë provokim në këtë konferencë shtypi”.
Gjakrat do të zbuten me kalimin e orëve dhe në mbrëmje të dy kryeministrat do të darkojnë së bashku. Të nesërmen zoti Rama do të jetë në Preshevë ku shqiptarët e atjeshëm i rezervojnë një pritje tejet entuziaste, ndërsa në të gjithë trevat shqiptare në rajon, vizita në Serbi shihet gati si fitorja e një beteje.

BOJKOTI DHE
ZGJEDHJET NË PD

Por ndërsa zoti Rama i mëshon paqes së qëndrueshme në Ballkan, në shtëpinë e tij, paqja politike nuk është aspak e lehtë. Në pjesën e parë të vitit, opozita braktisi disa herë punimet e parlamentit, dhe nisi një bojkot të gjatë në korrik pasi deputeti i saj Gent Strazimiri u sulmua në korridoret e parlamentit nga dy deputetë socialistë.

Edhe fillimi i sesionit të ri parlamentar e gjen opozitën jashtë parlamentit. “Ne nuk do të shkojmë në një vend ku opozita, nuk dëgjohet, nuk replikohet por dhunohet fizikisht”, deklaron kreu democrat më 1 Shtator.
E djathta akuzon shumicën se ka përfshirë në parlament element me të kaluar kriminale dhe e kushtëzon rikthimin e saj dhe me cështje të tjera të ngritura prej kohësh si respektimi i vendimeve të gjykatës kushtetuese dhe ngritja e komisioneve hetimore të kërkuara prej saj. Kryeministri thotë më 29 Shtator se është i gatshëm për plotësimin e tyre “por vetëm askush të mos na kërkojë të bëjmë babysitterin e opozitës”.
Në tetor parlamenti do të miratojë ngritjen e komisioneve hetimore dhe bie dakort edhe për ndryshimin e rregullores, për kohën në dispozicion të opozitës.Por as kjo lëvizje nuk i bind demokratët të cilët kërkojnë garanci ndërkombëtare. Më 22 nëntor opozita do të organizojë një protest të madhe në Tiranë. “Kur shkelet kontrata me popullin, nuk është populli ai që bie, por jepet dorëheqja ose rrëzohet qeveria”, deklaron zoti Basha në fjalën e tij gjatë protestës.
Në dhjetor, për ndërmjetësimn mes palëve përfshihet parlamenti europian. Përfaqëuesit e dy grupeve kryesore vijnë njëri pas tjetrit në TIranë. Në fillim eurodeputeti Knut Fleckenstein, e pak ditë më pas Eduard Kukan, i cili i paraqet palëve dhe një propozim konkret, i cili përmban shqetësimet e ngritura nga opozita në këmbim të rikthimit të saj në parlament. Kur u duk se gjithshka ishte përmbyllur demokratët kërkojnë të bëjnë shtesa në tekst dhe vetëm në mesnatë e firmosin pa ndryshime.Të nesërmen opozita rikthehet në parlament, në limitet kohore për mosdjegien e mandateve.
Pati mjaft analiza sipas të cilave bojkoti i zgjatur ishte një mënyrë e kryetarit Basha për të mbajtur të shtrënguar radhët e partisë, ku zërat kundër po dilnin më hapur. Procesi i zgjedhjeve dhe rinovimit të strukturave zgjati gati një vit e gjysëm nga zgjedhja e tij si kryetar. Pas shumë shtyrjesh kuvendi i demokratëve u mblodh në shtator, ku u fol dhe për ndjesë ndaj gabimeve në vitet e pushtetit. “Një pjesë e përfaqësuesve tanë në qendër e në periferi u lodhën nga qeverisja”, tha zoti Basha.
Zoti Basha ndryshoi modelin e strukturave drejtuese, duke i zgjeruar në numër, ndërsa shtyu në kohë edhe zgjedhjen, më 30 Nëntor, të kryesisë së re, e re thuajse në të gjitha kuptimet, në formë dhe në emrat e përfaqësuar në të. Një përpjekje për të vendosur qartë gardhin rreth shtëpisë së cilës i ka dal për zot.

VIZITA E PAPES

Përtej debateve, ka një moment të vecantë gjatë 2014, vizita e Papa Francescut, I cili zgjedh të vijë në Shqipëri, në të parën vizitë të tij në Europë. Për 24 orë, Shqipëria do të jetë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare

Ati i Shenjtë do të zbresë në tokën shqiptare mëngjesin e së dielës 21 shtator. Rruga nga aeroporti deri në qendër të Tiranës do të jetë e mbushur me njerëz, të të gjitha besimeve, të cilët kanë dalë për të parë nga afër dhe për të përshendetur Papa Franceskun.
Në bulevardin qëndror ku ai kalon janë vendosur portretet e 40 klerikëve të martirizuar nga regjimi komunist. Dëshmitë e dy të mbijetuarve nga tmerret e diktaturës do të përlotin Atin e Shenjtë.
Mes entuziasmit të mijërave shqiptarëve Papa bën dy herë xhiron e Sheshit Nënë Tereza ku ai do të mbajë më pas dhe meshën e së dielës. Ati i Shenjtë vlerëson tolerancën fetare në Shqipëri dhe duke iu referuar shqiponjës, simbolit të flamurit shqiptarë, u kujton shqiptarëve që ashtu si shqiponja të fluturojnë lart, ndërsa i uron atyre “Paqe në zemrat tuaja, Paqe në kombin tuaj. PAQE”. (voa)

FMN: rritja në 2014 në 2 përqind

Shqipëri, në përfundim të bisedimeve me autoritetet, misioni I FMN-së u shpreh se mbështeste reformat dhe politikat e ndërmarra. Përfundon rishikimi i dytë e i tretë i marrëveshjes, pritet lëvrimi i 53 milion eurove të tjeraNë Shqipëri Fondi Monetar Ndërkombëtar rikonfirmoi parashikimet e tij se rritja ekonomike për vitin 2014 pritet të jetë rreth dy përqind. Kjo u deklarua nga drejtuesi i misionit të Fondit Monetar Nadeem Ilahi në përfundim të bisedimeve me autoritetet shqiptare përgjatë tetë ditëve. Zoti Ilahi njoftoi se programi ekonomik kishte ecur sipas planit dhe se misioni do t’I kërkojë bordit të Fondit Monetar miratimin e rishikimit të dytë dhe të tretë të marrëveshjes gjë e cila do të cojë në lëvrimin e 53 milion eurove të tjera, pjesë e huasë prej afër 330 million euro të parashikuar për një periudhë tre vjecare.

“Paketa e politikave ekonomike ka qenë në rrugën e duhur dhe Fondi Monetar sheh me optimizëm ecurinë e tyre edhe në të ardhmen” vlerësoi drejtuesi i misionit Nadeem Ilahi, i cili mbërriti në Tiranë javën e shkuar. Ai deklaroi mbrëmë, në përfundim të komsultimeve më autoritetet shqiptare, se i qëndronte të njejtave parashikime sipas të cilave “rritja ekonomike pritet të jetë rreth 2 përqind. Kjo rritje – shpjegoi ai – ka ardhur kryesisht nga rritja e eksporteve, prodhimit të naftës, dhe shlyerja e detyrimeve dhe nga një rimëkëmbje modeste e kërkesës së brendshme”.

Për të njejtën pritshmëri foli edhe ministri shqiptar i Financave Shkëlqim Cani, ndërkohë që ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj ishte pak më optimist dhe sipas tij do të ishte e mundur që rritja ekonomike të ishte në nivelet e 2.1 e 2.2 përqind. E vetmja që ju shmang një deklarimi më shifra të parashikimit për ecurinë e aktivitetit ekonomik ishte zëvendës guvernatorja e Bankës së Shqipërisë, Elizabeta GJoni e cila aktualisht është drejtuesja e këtij institucioni në mungesë të guvernatorit. Në fakt Banka është shprehur publikisht, në raportin e politikës monetare për tremujorin e tretë, se sipas të vlerësimeve të saj ” rritja ekonomike e këtij viti do të jetë lehtësisht mbi nivelin e regjistruar një vit më parë”, pra pak më shumë se 0.4 për qind. Në pjesën e parë të vitit ekonomia u rrit me afër 1 përqind, pas 1.7 përqind në tremujorin e parë dhe rritjes negative me -0.6 përqind në tremujorin e dytë. Në mënyrë që të arrihet objektivi prej 2 përqind duhet që në pjesën e dytë të vitit ekonomia shqiptare të rritet mesatarisht 3 përqind.

Ministri i Financave megjithatë u shpreh optimist ndërsa deklaroi se “ekonomia ka nisur të rimëkëmbet dhe se reformat janë në drejtimin e duhur, se është përmirësuar besimi i e konsumatorit dhe klima e biznesit”. Ministri Cani tha se pas vlerësimit të auditit ndërkombëar të procesit të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura, prej afër 260 milion dollarësh, deri në fund të viti do të shlyhet edhe shuma tjetër prej afër 90 milion dollarësh të tjerë sipas parashikimit.

Lidhur me buxhetin e vitit të ardhshëm zoti Cani deklaroi se ai “është i rakorduar deri në detaje me misionin e FMN-së” dhe se “synon t’i japi një tjetër shtysë rritjes ekonomike të qëndrueshme dhe punësimit në dy drejtime kryesore. Së pari, duke siguruar financim për investimet publike në një masë rreth 5.4% të PBB-së, nivel i përshtashëm ky për të mbështetur rritjen ekonomike. Së dyti, duke mbështetur konkretisht reformat e thella, që përballen me rreziqet që i kanosen ekonomisë”.

Drejtuesi i misionit të FMN-së u shpreh se “Misioni mbështet punën e autoriteteve për reformat strukturore dhe politikat dhe konsideron se kjo punë përbën bazën e besueshme për rimëkëmbjen e rritjes ekonomike dhe ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe financiar”. Ai shpjegoi se gjatë bisedimeve me autoritetet shqiptare një vend të rëndësishëm kishte zënë situata e sektorit energjitik. “Nevojiten urgjentisht reforma në sektorin e energjisë elektrike, për t’i dhënë fund barrës fiskale të këtij sektori. Autoritetet kanë filluar të bëjnë hapat e parë të rëndësishëm në zbatimin e planit të tyre për reformimin e sektorit të energjisë elektrike, i hartuar në konsultim me Bankën Botërore. Ky plan përfshin kufizim të vjedhjeve të energjisë elektrike, propozime për të ristrukturuar tarifat brenda fundit të vitit 2014 (që do të zbatohet në tremujorin e parë të vitit 2015) dhe një reformë institucionale të ndërmarrjeve shtetërore që ushtrojnë aktivitet në këtë sektor. Stafi i FMN-së e mirëpret planin për t’u dhënë kompensim shtresave të varfra përmes një kompensimi në të holla të përcaktuar mire”, deklaroi zoti Ilahi.

Ai vlerësoi pozitivisht angazhimin e qeverisë shqiptare për të nisur, nga viti i ardhshëm, përpjekjet për uljen e borxhit publik nga 70.09 përqind në 70.06 përqind të Prodhimit të brendshëm bruto. “Pavarësisht shpenzimeve të konsiderueshme të lidhura me sektorin e energjisë elektrike, buxheti i vitit 2015 pritet të arrijë një zvogëlim të borxhit publik i shprehur si përqindje e PBB-së, për herë të parë që prej vitit 2010″, u shpreh drejtuesi i misionit të FMN-së. (voa)

Shqipëri-Turqi, raporte më të ngushta

Kryetari i parlamentit turk Cemil Çiçek vizitë në Tiranë, “Forcimi i marrëdhënieve tona i shërben sigurisë së rajonit të Ballkanit”Në Shqipëri, kryetari i parlamentit shqiptar Ilir Meta dhe homologu i tij turk Cemil Çiçek, theksuan sot se forcimi i marrëdhënieve mes dy vendeve është në dobi të sigurisë të rajonit të Ballkanit

Këto komente të dy përfaqësuesit e lartë i bënë në përfundim të takimit mes tyre. Kryetari i parlamentit turk tha se “rajoni i Ballkanit është i brishtë për shkak të sigurisë dhe të qetësisë prandaj sa më të fuqishme që të jenë marrëdhëniet midis dy vendeve, aq më të fuqishme do të jenë siguria, paqja dhe qetësia në rajon”.

Në të njejtën linjë u shpreh edhe zoti Meta duke kujtuar se “Shqipëria dhe Turqia, si dy vendeve anëtare të NATO-s, kanë peshën dhe përgjegjësinë e tyre për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit”.

Zoti Çiçek vuri theksin te marrëdhëniet e vecanta që ekzistojnë mes dy vendeve të cilat sic nënvizoi ai “nuk janë marrëdhënie dosido, të rëndomta, por marrëdhënie të ngushta nga populli te populli dhe janë marrëdhënie të qëndrueshme”.

Nga ana e tij zoti Meta u shpreh se “të dy parlamentet do të duhet të intensifikojnë edhe më tej bashkëpunimin midis tyre në mbështetje të qeverive respektive dhe partneritetit strategjik mes dy vendeve”. (voa)