Kategoritë: Shqipëria

Lajmet nga Shqipëria

Komisionerët e Helsinkit, thirrje për zgjedhje të lira dhe të drejta në Shqipëri

Kryetari dhe një nga anëtarët e Komisionit amerikan të Helsinkit thanë në prag të zgjedhjeve lokale se “populli i Shqipërisë meriton një shans për të zgjedhur një qeverisje lokale të përgjegjshme dhe të ndershme që është jetike për t’i ndihmuar të realizojnë aspiratat për shtet ligjor dhe mirëqenie”.

Kongresmenët republikanë Chris Smith dhe Robert Aderholt thonë në deklaratën e tyre se “qytetarët shqiptarë duhet të jenë në gjendje të kenë besim se po marrin pjesë në një process zgjedhor transparent, pa frikësime, ngacmime ose sulme ndaj kandidatëve, medias, zyrtarëve zgjedhorë apo votuesve”.

“Për fat të keq, këto janë shqetësime të vazhdueshme në Shqipëri dhe shpresojmë që këto zgjedhje të vëzhgohen nga afër nga komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe nga grupet lokale në Shqipëri”.

Për 25 vjet, Komisioni amerikan i Helsinkit ka ndjekur dhe inkurajuar Shqipërinë për zbatimin e angazhimeve të OSBE-së. Përveçse  anëtar i Komisionit të Helsinkit, kongresmeni Aderholt është edhe zëvendëspresident i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. (voa)

TAP hap tenderin për tubacionin detar, si lidhet me Italinë

gazsjellesi-tapGazsjellësi TAP ka shpallur hapjen e tenderit për pjesën inxhinierike, prokurimin, ndërtimin dhe instalimin të pjesës detare të projektit si tubacion nënujor me diametër 36 inç në detin Adriatik mes brigjeve të Shqipërisë dhe Italisë jugore me gjatësi rreth 105 km. Në tender pritet të marrin pjesë kompanitë e kualifikuara në muajin shkurt, ndërsa kontrata pritet të lidhet në fund të këtij vit, bëjnë të ditur burimet zyrtare të TAP-it.

Sipas tyre, punimet do të përfshijnë punimet përkatëse në vend dalje dhe vend hyrje në Shqipëri dhe Itali bashkë me mikrotunelin nënujor, instalimin në pjesën detare, ndërhyrjet në fundin e detit, instalimin dhe furnizimin e kabullit me fibër optike dhe aktivitetet e testimit dhe kontrollit. Ndërtimi i pjesës detare të tubacionit është planifikuar të nisë në vitin 2017.

TAP pritet të nisë së shpejti punën për ndërtimin e rrugëve dhe urave ku do të kalojë tubacioni në tokën shqiptare, pasi ndërtimi i tyre përbën hap vendimtar në përgatitjet për ndërtimin e tubacionit, të parashikuar që të nisë në vitin 2016. Dy muaj më parë, TAP përzgjodhi kontratën e parë për ndërtimin e rrugëve ndihmëse dhe urave në Shqipëri. Sipas kontratës, në Shqipëri do të ndërtohen dhe rehabilitohen mbi 100 kilometra rrugë përgjatë trajektores së tubacionit në Vishocicë, Trestenik, Vithkuq dhe Shtyllas në rajonin e Korçës, Çorovodë, Kakruk, rrethinat e Potomit në rajonin e Beratit dhe Seman e Topojë në rajonin e Fierit. Gjithashtu do të ndërtohen dy ura të reja dhe do të rehabilitohen rreth 50 ura ekzistuese në rajonet e Korçës, Beratit dhe Fierit.

Ndërtimi i Gazsjellësit në Shqipëri parashikon një gjurmë të TAP-it në rreth 210 kilometra në pjesën tokësore dhe 37 km në pjesën detare në ujërat territoriale shqiptare të Detit Adriatik. Seksioni fillon në Bilisht Qendër, në Qarkun e Korçës në kufirin shqiptar me Greqinë dhe mbërrin në Detin Adriatik 17 km në veriperëndim të Fierit, 400 metra në tokë nga vija bregdetare. Në afërsi të Fierit do të ndërtohet një stacion kompresor dhe është planifikuar një stacion tjetër në afërsi të Bilishtit, nëse kapaciteti i gazsjellësit zgjerohet në 20 miliardë metra kub.

Përgjatë kësaj gjurme do të ndërtohen nëntë stacione valvulash bllokimi. Në zonat malore do të ndërtohen afërsisht 51 kilometra rrugë të reja dytësore, ndërsa 41 kilometra ekzistuese do të përmirësohen, 42 ura do të rehabilitohen dhe do të ndërtohen tre të reja. Puna për ndërtimin e çdo “segmenti” zakonisht llogaritet të zgjasë nga tre në gjashtë muaj. TAP do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Deniz II në Azerbajxhan për në Evropë me një gazsjellës me gjatësi rreth 870 km, që do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në afërsi të kufirit turko-grek në Kipoi, do të përshkojë Greqinë, Shqipërinë dhe Detin Adriatik dhe do të dalë përsëri në tokë në Italinë e Jugut.
Shekulli

Britanikët: Shtatë mrekullitë e një vizite në Shqipëri

Borsh

Shqipëria është një ndër vendet ende të pazbuluara, më të mrekullueshme në Ballkan. Portali britanik “Saga” sugjeron anglezët se përse duhet vizituar vendi ynë dhe cilët janë qytetet apo vendet më piktoreske që nuk duhen humbur gjatë verës.

Janë disa nga këto vende, që e bëjnë Shqipërinë tepër interesante, për ta vizituar. Janë rreth 7 qytete apo resorte të mrekullueshme shqiptare, të cilët janë përzgjedhur dhe u sugjerohen turistëve anglezë, në prag të sezonit veror për të kaluar pushimet e verës.

 

Shëngjini

ShenginShëngjini është një qytet bregdetar në veri-perëndim të Shqipërisë, i pasur me histori të lashtë dhe me një kulturë të vjetër. Plazhet dhe rëra e bregdetit janë të jashtëzakonshme, sepse akomodimi është i lehtë. Vizitorët mund t’i gëzohen paqes së afruar nga ky qytet i vogël, por në rritje, prej turizmit dhe tregtisë përgjithësisht nëpërmjet detit.

 

Shkodra

ShkodraShkodra, i konsideruar qyteti shpirtëror i Shqipërisë, është një ndër vendet më të vjetra dhe me histori të pasur në Europë. Liqeni i Shkodrës është spektakolar teksa ai shtrihet nga Shqipëria në Malin e Zi, si dhe konsiderohet vendlindja e Nënë Terezës. Ujëvarat e mrekullueshme të Shurdah mund të gjenden në një ishull në rezervuarin e Vaut të Dejës dhe mund të vizitohen vetëm me anije.

 

Durrësi

durres

Durrësi është qyteti i dytë më i madh, pas Tiranës dhe porti më i madh në Shqipëri. Qyteti është themeluar në shekullin e 7-të para Krishtit dhe ka amfiteatrin më të madh në Ballkan. Qyteti me mure Antike dhe Kështjella, e bëjnë atë një vend fantastik për ta vizituar.

 

Vlora

JalaVlora është një ndër bregdetet më të zhvilluara në tërë rivierën shqiptare dhe gjatë viteve të fundit ka njohur një rritje të dukshme të turizmit për plazhet e saj të shumta. Kultura e kafesë është e njohur në Vlorë, si dhe është vendi perfekt për t’u qetësuar, mund të bisedosh me banorë të zonës dhe Plazhi ka një pamje tepër të bukur. Vlora gjithashtu shënon edhe fillimin e Rivierës Shqiptare, me një bregdet që shtrihet gjatë Jonit dhe Maleve të Karaburunit.
Riviera Shqiptare

Riviera Shqiptare është e mbushur me fshatra Mesdhetare, kështjella të lashta, gjen edhe breshka uji, rrethohet nga malet, ka kanione përgjatë detit, si dhe lumenj të rrjedhshëm që derdhën në të. Ndërsa deti ka një faunë të pasur, bregdeti është i mbushur me portokall, limona dhe ullinj. Nga Parku Kombëtar i Llogarasë, tek fshatrat e Borshit, Himarës, Qeparos, Piqerasit, dhe në fund të Lukovës, kjo pjesë e Shqipërisë është absolutisht befasuese.

 

Saranda

Albania SarandaSaranda është pjesë e Shqipërisë së Jugut, afër ishujve grekë të Korfuzit, me një destinacion tepër të preferuar nga ana e turistëve me një klimë tepër të përshtatshme dhe me akses për të dalë shpejt në det. Afër Sarandës ndodhet edhe qyteti i lashtë të Butrintit, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO.

 

Ksamili

ksamilKsamili është pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit dhe plazhi i tij është i vogël, por i pastër dhe i gjelbër, ndërsa pranë tij ndodhet edhe ishulli i Ksamilit që i jep një pamje edhe më mahnitëse këtij bregdeti. Ksamili afron pjesë të pazbuluara të Shqipërisë dhe shansin që kalosh pushimet në një zonë nga më të mrekullueshme, por ende të panjohura të Europës.

/Shekulli Online/

Kotzias: Greqia, paketë propozimesh për zgjidhjen e problemeve me Shqipërinë

Kotzias GrekuMinistri i Jashtëm grek Nikos Kotzias ka deklaruar se shumë shpejt, Greqia do të ketë një paketë propozimesh për zgjidhjen e të gjitha problemeve me Shqipërinë. Ai ka folur në Ligjëratën vjetore SEESOX, në Kolegjin St. Antony, të Universitetit të Oksfordit.

“Greqia dhe Shqipëria janë të lidhura me një të shkuar të pasur, ëndrra të përbashkëta dhe perspektivë. Ka dhe disa probleme nga e shkuara, nga disa pikëpamje të udhëheqësve të vendit, si moszbatimi i marrëveshjeve, refuzimi i zbatimit të së drejtës ndërkombëtare, shkelja e të drejtave të minoritetit grek autokton. Ne kemi dëshirën dhe vullnetin për të zgjidhur problemet dhe për të tejkaluar vështirësitë. Ndaj po planifikojmë të propozojmë, në një të ardhme të afërt, një paketë zgjidhjesh për të gjitha problemet. Me realiz137m dhe në interes të të dy vendeve, larg nga stili nacionalist ballkanik, dhe që prodhon më shumë histori se sa mund të mbajë”, ka thënë ministri i Jashtëm grek, Kotzias.

Sipas tij, Greqia ka mirëpritur më shumë shqiptar se çdo vend tjetër në botë: “Një përqindje e madhe e GDP-së së vendit vjen prej tyre. Jemi me fat që i kemi pjesë të shoqërisë sonë. Në universitetet tona fëmijët nga emigrantët shqiptarë janë studentët më të mirë çdo vit. Së fundi, kemi kaluar një ligj që u jep atyre shtetësinë. Vendi ynë, qeveria jonë, është një nga më miqësoret dhe më të drejtat në botë, referuar emigrantëve”.

/ Top Channel

Marinza, “Bankers” avancon procesin e dëmshpërblimeve

demshperblim BankersKompania “Bankers” po ecën shpejt me procesin e dëmshpërblimit të banorëve të prekur nga incidenti i çlirimit të gazit, më 1 prill të këtij viti, në zonën e Marinzës.

Pas miratimit të raportit nga Komisioni i Vlerësimit të Dëmeve, “Bankers” ka dëmshpërblyer 45 shtëpi nga zona B, që është zona me dëme më të pakta.

Ndërkohë, 44 shtëpitë e tjera që i përkasin zonës A, që do të dëmshpërblehen 100%, do të nisin të marrin shumë shpejt pagesat.

“Brenda javës, pritet që Komisioni të miratojë raportin përfundimtar të dëmeve në zonën A dhe do të nisim menjëherë dëmshpërblimin e banorëve. Ne po ecim shpejt me procesin e dëmshpërblimeve dhe me rehabilitimin e rrugëve. Rehabilitimi i rrugëve publike dhe kanaleve ka përfunduar plotësisht, ndërkohë që kemi nisur rehabilitimin edhe të tokave private të banorëve”, tha Adriatik Golemi, menaxher i marrëdhënieve me komunitetin në kompaninë “Bankers Petroleum”.

Këtë e konfirmojnë edhe banorët. Dritan Nurka, shtëpia e të cilit u dëmtua nga çlirimi i gazit më 1 prill, tregon se tashmë e ka marrë dëmshpërblimin: “Komisioni erdhi në shtëpinë time, vlerësoi dëmet dhe menjëherë pasi raporti u miratua, ne morëm dëshpërblimin nga kompania ‘Bankers’. Jemi të kënaqur me ecurinë e procesit. Ka qenë i shpejtë dhe korrekt”. (tch)

Skema e mashtrimit, sipas prokurorisë: Becchetti, fatura fiktive dhe vjedhje me rimbursimin e TVSH-së

becchettiTop Channel zbardh argumentat e Prokurorisë që është ngritur akuza, në bazë të të cilave gjykata ka vendosur masën e sigurisë për presidentin e Agon Channel, Francesco Becchetti dhe disa shtetas të tjerë italianë dhe shqiptarë, të dyshuar si të përfshirë në pastrim parash dhe evazion fiskal.

Në dokument grupi hetimor thotë se, “ka provuar skemën përmes të cilës biznesmeni italian ka kryer rreth 770 milionë lekë evazion në dëm të shtetit”. Sipas tyre, “në qendër të kësaj skeme evazioni, por njëkohësisht edhe pastrimi parash qëndron hidrocentrali i Kalivaçit dhe dy shoqëri të zotëruara nga Becchetti, koncesionarja “KGE” dhe ajo “Energji”.

Por si ka funksionuar skema?

Prokurorët thonë se kompania “Energji” ka blerë punime nga nënkontrakorë privatë për ndërtimin e hidrocentralit. Më pas këto punime ja ka shitur shoqërisë tjetër të Becchetti-t të quajtur KGE, por me çmime dhe sasi të fryra në mënyrë artificiale. Sipas dokumentave, përgjatë periudhës 2007-2013, “Energji” ka blerë në total 14.5 milionë euro punime nga nënkontraktorët privatë, por ja ka shitur ato shoqërisë “KGE” me vlerë dy herë më të lartë, ose 28.6 milionë euro.

Përmes kësaj skemë, Prokuroria thotë se, “kompania ka rritur në mënyrë fiktive kreditimin e TVSH-së dhe vetëm në vitin 2009 ka kërkuar rimbursim për 45 milionë lekë TVSH duke mashtruar shtetin”. Kjo skemë është përsëritur vit pas viti dhe prokurorët e kanë ilustruar atë me shifrat përkatëse për çdo vit, që nga viti 2007.

Paralelisht, sipas grupit hetimor, një tjetër fakt i provuar që përfshin Becchetti-n dhe kompanitë e tij në mashtrim financiar, është ai i ndërtimit të digës së hidrocentralit. Sipas prokurorëve, kompania ka dorëzuar dokumenta sikur ka ndërtuar një digë në vlerën 3.4 milionë euro. Por sipas tyre, diga nuk ekziston dhe nuk është ndërtuar kurrë. Prokurorët thonë se transaksionet e dyshimta për pastrim parash datojnë që në vitin 2007, kur “KGE” dhe “Energji” filluan të kryenin veprime financiare me njëra-tjetrën.

Paralelisht, thonë prokurorët, në vitin 2013 përmes këtyre dy kompanive është realizuar një tjetër manovër, në sajë të të cilës janë lëvizur në mënyrë të paligjshme shuma të mëdha parash. Më konkretisht, Prokuroria thotë se, “dy kompanitë e të njëjtit pronar kanë sajuar mes tyre një konflikt, sipas saj, të rremë për zgjidhjen e të cilit i janë drejtuar Gjykatës së Arbitrazhit në Tiranë.

Sipas prokurorëve, në këtë konflikt të sajuar, shoqëria “Energji” e Becchetti-t pretendonte se kishte kryer punime për shoqërinë tjetër “KGE”, po në zotërim të Becchetti-t, por kjo e fundit nuk e kishte paguar.

Pra, sipas prokuroreve, Becchetti kishte paditur Becchetti-n për t’i marrë para Becchetti-t për një punë që Becchetti kishte kryer për Becchetti-n, e për të cilën Becchetti nuk kishte paguar, po Becchetti-n.

Prokurorët thonë se, “konflikti fiktiv u sajua për të shmangur një tjetër konflikt real që Becchetti kishte me bankën e njohur “Deutche Bank”, partneren e tij në koncesionin e Kalivaçit. Prokuroria thotë se dy kompanitë kanë dorëzuar në gjykatë dokumenta të falsifikuara dhe në bazë të tyre, gjykata ka marrë vendim për të zgjidhur konfliktin duke detyruar shoqërinë “KGE”, që të paguajë për shoqërinë “Energji” 48 milionë euro.

Sipas grupit hetimor, kjo manovër dëmtoi “Deutche Bank” dhe mundësoi që të qarkullonin shuma të mëdha parash në mënyrë të paligjshme për punime të rreme që nuk u kryen asnjëherë.

/ Top Channel

Donald Lu: Së shpejti ndalimi i vizave për zyrtarët e korruptuar

Donald LuNë Shqipëri ambasadori amerikan Donald Lu, vlerëson procesin e deritanishëm të pastrimit të listave të kandidatëve për zgjedhjet vendore të 21 qershorit, nga persona me të kaluar kriminale, pavarësisht se në to kanë mbetur ende të tillë. Në një intervistë eskluzive për Zërin e Amerikës, ambasadori amerikan, jep  konsideratat e tij për fushatën zgjedhore. Ai flet dhe për korrupsionin dhe nismën e administratës amerikane që zyrtarëve të korruptuar shqiptarë t’u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara. Ambasadori Lu komenton dhe procesin e reformës në Drejtësi, rëndësinë e saj dhe mungesën e përfshirjes së opozitës.

Zëri i Amerikës: Zoti ambasador, së pari ju falenderoj për mundësinë e kësaj interviste. Do të doja ta nisja me një pyetje rreth situatës zgjedhore. SHBA-të janë angazhuar në këto zgjedhje edhe me vëzhgues, por edhe përmes financimeve. Po mbërrijmë në pjesën e fundit, në numërimin mbrapsht drejt ditës së votimit. Ju si do ta vlerësonit ecurinë deri tani të fushatës zgjedhore?

Amb. Donald Lu: Momentet e mia të preferuara në këtë fushatë zgjedhore kanë qenë kur kam parë kandidatët të diskutojnë dhe debatojnë për çështje me të vërtetë të rëndësishme për votuesit. Kohët e fundit në Fier, Berat dhe sot në Shkodër, kemi parë forume të shkëlqyera kandidatësh për çështje të politikave vendore, përfshirë çështjet e grave dhe të fëmijëve. E ardhmja e demokracisë në Shqipëri nuk janë as politikanët kriminelë dhe as blerja e votimeve. Janë OJQ-të dhe gazetarët ata që i ndihmojnë votuesit të marrin vendime më të mira e më të informuara mbi kandidatët.

Zëri i Amerikës: Zoti ambasador, ju sapo përmendët politikanë kriminelë. Në të vërtetë kjo është një cështje debati mjaft të zjarrtë. Ju në fund të muajit prill, thatë se keni identifikuar kandidatë me një të kaluar të dyshimtë. Javën e shkuar përshëndetët një veprim të Partisë demokratike, për tërheqjen e një kandidati. A jeni të kënaqur me masat që kanë marrë partitë politike, për të përjashtuar kandidatët me një të kaluar kriminale në këto zgjedhje?

Amb. Donald Lu: Një person i mençur më tha kohët e fundit se përparimi i bërë për largimin e kriminelëve nga politika është mbresëlënës. A mund ta kishim imagjinuar dy vite më parë që do të diskutonim sinqerisht mbi rolin e kriminelëve në politikë? Udhëheqësit politikë nga e djathta dhe e majta kanë hequr kriminelë prej listave të kandidatëve. Për ata kriminelë që ende janë në lista, ka një diskutim publik në rritje për aktivitetin e tyre kriminal. Votuesit shqiptarë janë të zgjuar. Jam besimplotë se ata do të marrin vendime të mira.

Zëri i Amerikës: Zoti ambasador, disa ditë më parë ju ishit dhe në KQZ. A u diskutua me drejtuesen e këtij komisioni rreth kandidatëve me një të kaluar të dyshimtë?

Amb. Donald Lu: Nuk kemi diskutuar çështje të veçanta që janë duke u shqyrtuar prej KQZ-së. E kam përgëzuar KQZ-në për punën e saj në respektimin e Kodit Zgjedhor dhe u thashë atyre se KQZ-ja luan një rol jetik në mbrojtjen e demokracisë shqiptare. I kemi informuar ata, gjithashtu, për planet e SHBA për vëzhgimin e zgjedhjeve, asistencën e SHBA-së në mbështetje të KQZ-së dhe për përpjekjet tona për nxitjen e partive politike për të kandiduar persona me rekorde të pastra.

Zëri i Amerikës: Përveç këtyre personave në politikë, me rekorde kriminale, një tjetër çështje shqetësuese për Shqipërinë, është korrupsioni. Pak kohë më parë në një intervistë ju deklaruat se SHBA-të po shohin mundësinë që t’i ndalojnë hyrjen në territorin e tyre, zyrtarëve të korruptuar. Kur pritet një vendim i tillë?

Amb. Donald Lu: Shpallja Presidenciale Nr. 7750, i jep Sekretarit të Shtetit autoritetin të ndalojë lëshimin e vizave amerikane zyrtarëve, gjykatësve, prokurorëve dhe deputetëve të huaj të korruptuar. Ne e përdorim këtë kompetencë anembanë botës për të promovuar luftën kundër korrupsionit. Presim që së shpejti të shqyrtojmë rastet e para në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Zoti ambassador, dhe një pyetje të fundit. Korrupsioni është I lidhur shumë dhe me sisitemin gjyqësor. Aktualisht kemi një nismë për një reformë në Drejtësi. Por sa e plotë do të ishte një reformë e tillë, ndërkohë që opozita nuk është bërë pjesë e këtij procesi?

Amb. Donald Lu: Procesi aktual i reformës në drejtësi ka mundësinë të krijojë një sistem për largimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar. Për ta bërë këtë, Shqipërisë i duhet pjesëmarrja e ekspertëve më të mirë të saj ligjorë, përfshirë ata nga opozita. Një reformë në gjyqësor që ruan standardet ndërkombëtare pa opozitën, është e mundur. Megjithatë, ne e dimë se me pjesëmarrjen e opozitës kjo do të ishte një reformë më e mirë dhe më e qëndrueshme për Shqipërinë.

 

Energjia, zyrtarja e DASH-it në Tiranë

Zëvendës Ndihmës Sekretarja amerikane për Diplomacinë Energjitike Robin Dunnigan takon ministrin shqiptar Gjiknuri. Diskutohet projekti TAP. Dunnigan: Eshtë me rëndësi strategjike për SHBA-të”.

proekti tapZëvendës Ndihmës Sekretarja amerikane për Diplomacinë Energjitike Robin Dunnigan zhvilloi sot në Tiranë disa takime me anëtarë të kabinetit të Qeverisë shqiptare, ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati dhe Ministrin e Industrisë dhe Energjisë Damian Gjiknuri. Zyrtarja e Lartë e Departamentit të Shtetit, diskutoi me ministrin Gjiknuri për zhvillimet në sektorin energjitik, duke u ndalur vecanërisht në projektin e gazsjellësit TAP, i cili do të bëjë të mundur furnizimin e Europës perëndimore me gaz nga vendburimet e Shah Deniz II në Azerbajxhan. Gazsjellësi kalon përmes Greqisë dhe Shqipërisë, për të përfunduar pëmes një tubacioni nënujor në brigjet e Pulias në Itali.

Sipas një njoftimi nga ministria shqiptare e Energjisë “zonja Dunnigan deklaroi se ky projekt ka një rëndësi strategjike për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa konfirmoi mbështetjen edhe për mundësinë e degëzimit me gazsjellësin Adriatiko-Jonian (IAP) dhe më tej procesin e gazifikimit të Shqipërisë”.

Zyrtarja e SHBA, bën të ditur më tej njoftimi, “e njohu ministrin me zhvillimet rajonale energjitike dhe se si ato të harmonizohen më mirë me interesat e Shqipërisë dhe rajonit në sigurinë energjitike. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mund t’i ofrojnë Shqipërisë mbështetje teknike për kuadrin rregullator sa i takon energjisë elektrike por edhe në fushën e shfrytëzimit të hidrokarbureve. Zonja Dunnigan deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të luajnë gjithashtu një rol aktiv për të harmonizuar qëndrimet me Bashkimin Evropian, me synim nxitjen e investimeve që çojnë në forcimin e lidhjeve të interkonjeksionit në energji elektrike dhe gaz mes vendeve të Evropës Juglindore”.

Autoritetet shqiptare synojnë të afrojnë kompani serioze ndërkombëtare dhe në fushën e kërkimit të naftës dhe gazit. Zyrtarja e Departamentit të Shtetit “konfirmoi interesin e kompanive amerikane për tu njohur nga afër me potencialet që ofron Shqipëria edhe në këtë fushë”. (voa)

Shqipëri: Qytetarët të pakënaqur me mënyrën e bërjes së politikës

Një zyrtar i lartë i Institutit Demokratik Kombëtar, thotë se shqetësimet kryesore të qytetarëve shqiptarë kanë të bëjnë me ekonominë dhe punësimin dhe se korrupsioni mbetet një problem madhor që pengon shanset e tyre. Drejtori për Evropën Qendrore dhe Lindore i kësaj organizate amerikane, Robert Benjamin, thotë se politikanët në Shqipëri duhet t’u përgjigjen interesave të qytetarëve dhe jo të merren vazhdimisht me luftën politike kundër kundërshtarëve dhe se ai shpreson që këta lloj politikanësh të zgjidhen në votimet lokale. Zoti Benjamin foli në një intervistë për Zërin e Amerikës për një studim-anketë të fundit të Institutit të tij, ku u pyetën qytetarët shqiptarë për çështjet që i shqetësojnë ata. 

Zëri i Amerikës: Zoti Benjamin a mund të na thoni se cilat janë disa nga përfundimet kryesore të anketës suaj të fundit në Shqipëri?

Robert Benjamin: Përfundimet e anketës së këtij fundi, përputhen përgjithësisht me ato të viteve të kaluara, por me disa ndryshime. Përfundimi kryesor për këtë vit është se ekonomia dhe papunësia mbeten shqetësime të mëdha mes qytetarëve dhe i lidhur me këtë shqetësim është një pakënaqësi e vazhdueshme për korrupsionin.

Dhe nga intervistat për anketën shohim se njerëzit shohin një lidhje direkte mes nivelit të korrupsionit, atij të zhvillimit ekonomik dhe ndjesisë për mirëqenien e vet. Në të njëjtën kohë, në mendimet e qytetarëve reflektohet një lloj vlerësimi për përpjekjet e qeverisë për të vendosur rregull në disa nga drejtimet e ekonomisë dhe se në disa drejtime shpërndarja e shërbimeve po përmirësohet.

Zëri i Amerikës: Kur erdhi në fuqi qeveria e re pati një ndjesi optimizmi ose me saktë shprese për atë që do të bënte. Cili është vlerësimi juaj pas dy vjet më pas?

Robert Benjamin: Duke u nisur nga ato që po thonë qytetarët në intervista, ka ende një ndjesi të përgjithshme optimizmi nga disa këndvështrime. Njëri është se vendi doli nga zgjedhjet e vitit 2013, më i qëndrueshëm politikisht, sepse në Shqipëri kishte pasur një paqendrueshmëri të konsiderueshme politike para atyre zgjedhjeve. Së dyti Shqipëria mori statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian dhe mendoj se kjo u dha njerëzve një ndjesi të forte përparimi.

Gjithashtu njerëzit e vlerësojnë punën e qeverisë për zbatimin e sistemit rregullator. Por njëkohësisht ka një ndjesi të vazhdueshme shqetësimi dhe pakënaqësie për ekonominë dhe korrupsionin. Dhe përpjekjet e qeverisë për të marrë masa për ndërtimet e paligjshme dhe për të vendosur rregull në arsimin e lartë shihen si positive por njerëzit njëkohësisht kanë përshtypjen se zbatimi i këtyre rregullave nuk është njëlloj për të gjithë dhe kjo i shqetëson ata.

Zëri i Amerikës: Korrupsioni vazhdon të jetë një nga shqetësimet kryesore dhe ndjesia është se është i përhapur gjithandej: në administratën publike, në biznes në sistemin e drejtësisë. Pse sipas mendimit tuaj, kjo dukuri vazhdon të jetë kaq e përhapur?

Robert Benjamin: Njerëzit që folën në intervistat e anketës sonë, e rikonfirmuan që korrupsioni është një nga problemet kryesore. Ata e shohin, e përjetojnë në ekonomi, në tregun e punës, kur shohin se kush i merr vendet e punës, kur kërkojnë qasje në shërbimet qeveritare, qoftë për kujdesin shëndetësor, kur kërkojnë një rregullim të një çështje në sistemin e drejtësisë. Administrata publike u kritikua ashpër. Nga ana tjetër njerëzit vlerësojnë përpjekjet për të marrë masa ndaj ndërtimeve të paligjshme.

Por në përgjithësi njerëzit bëjnë një lidhje mes korrupsionit dhe zhvillimit ekonomik sepse shohin se korrupsioni pengon zhvillimin ekonomik, në kuptimin që rryshfetet që shkojnë në xhepat e dikujt, janë para që mund të përdoreshin për gjëra të tjera që mund të ndihmonin për ndërtimin e ekonomisë. Personi që nuk merr një punë megjithëse ai apo ajo mund të jetë më i kualifikuar po të nisesh nga një sistem meritokracie, do të thotë që ajo kompani, apo zyrë e administrates publike nuk do të funksionojë aq mire.

Zëri i Amerikës: Ju i keni ndjekur prej kohësh zhvillimet në Shqipëri. Pse sipas mendimit tuaj, shoqëria dhe klasa politike nuk kanë mundur ta luftojnë më fuqishëm korrupsionin?

Robert Benjamin: Për shumë vite, Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit u është dashur të rindertojnë shoqëritë, ekonomitë, politikën dhe sistemin qeverisës. Dhe ajo që kemi parë në 5-10 vitet e fundit, pas këtij rindërtimi, tani pyetja bëhet se si duhet të jetë ky sistem i suksesshëm. Kërkesat e publikut me kalimin e kohës rriten për përmirësimin e gjendjes dhe luftës kundër korrupsionit, ata duan qasje të barabartë tek mundësitë dhe shërbimet dhe i takon qeverisë që t’i plotësojë këto kërkesa. Por nga ana tjetër vetë njerëzit duhet të veprojnë.

Për shembull një koalicion organizatash me të cilët ne punojmë për vëzhgimin e zgjedhjeve, vitin e kaluar përdori metodologjinë e dërgimit të vëzhguesve në qendrat e votimit në sistemin e kujdesit shëndetësor. Ata ngritën një grup klinikash dhe në një ditë dërguan njerëz të shihnin se si funksiononin ato: a ishte i qartë sistemi i pagesës, a kishte personel të mjaftueshëm, a ishin higjienike e të tjera. Pastaj ngritën një model që ia prezantuar Ministrisë së Shendetësisë dhe ishte një shembull shumë i mirë sepse bazohej tek të dhënat konkrete positive apo negative dhe tek nevojat për përmirësim.

Zëri i Amerikës: A ekziston vullneti politik për t’i zgjidhur këto probleme, sidomos po të kesh parasysh se klima politike ka mbetur e ashpër dhe e politizuar?

Robert Benjamin: Mendoj se gjetjet e anketës ishin interesante. Ashtu siç ishin të shqetësuar për ekonominë dhe korrupsionin, qytetarët nuk janë të kënaqur me mënyrën si bëhet politikë në Shqipëri. Njerëzit e intervistuar, të gjithë bien dakord se sjellja e deputetëve është e papëlqyeshme, se deputetët shpenzojnë më shumë kohë duke sulmuar kundërshtarët politikë sesa për të zgjidhur çështjet që shqetësojnë njerëzit, çështjet për të cilat po flasim.

Në raportin që doli nga intervistat, del qartë një program të qartë për reformimin e politikave, tek të cilat duhet të përqendrohen të gjithë ata që janë në partitë politike dhe në sistemin politik. Njerëzit duan që udhëheqësit e zgjedhur të sillen me dinjitet, të përqendrohen tek çështjet që i shqetësojnë ata. Dhe politikanët vetë po reagojnë. Ka pasur disa fjalime në parlament, besoj nga të gjitha palët që thonë se ky raport ka rëndësi, dhe se ata duhet të sillen ndryshe.

Zëri i Amerikës: Por nuk duket se kjo po ndodh. Si e shihni ju këtë hendek mes asaj që do publiku dhe asaj që po ndodh në realitet?

Robert Benjamin: Po është e vërtetë që shpesh ekziston ky hendek. Ka njerëz që janë të zgjedhur në një post që po bëjnë atë që duhet, apo të paktën përpiqen. Ne kemi punuar me një grup grash të zgjedhura dhe ato kanë bërë mjaft jo vetëm për të zgjidhur problemet në interesin e publikut, por edhe për të ndryshuar tonin e politikës ndërsa punojnë përtej ndasive politike. Dhe këtë e dinë edhe njerëzit, sepse kërkimet e anketës tregojnë se qytetarët janë të interesuar të shohin më shumë gra në procesin politik.

Ne në Institutin Demokratik e mbështesim këtë dhe shpresojmë të shohim më shumë gra të zgjedhura, veçanërisht duke pasur parasysh se po vijnë zgjedhjet lokale. Pra mendoj se ka elementë në politikë dhe në parti që u kushtojnë vëmendje shqetësimeve të njerëzve. Të njëjtën gjë mund të themi për disa politikanë të rinj me të cilët po punon Instituti Demokratik.

Zëri i Amerikës: Por nuk janë këta elementë që marrin vendimet, apo jo?

Robert Benjamin: E vërtetë, sepse në fund të fundit vendimet i merr publiku, qytetarët me të cilët ne flasim sepse sa më shumë ata i shprehin ato që duan të realizohen nga forcat politike dhe sa më shumë marrin hapa për ato që duan, aq më shumë do të reagojnë politikanët. Kjo është formula e procesit demokratik. Përsa kohë njerëzit janë në gjendje të formulojnë kërkesat e tyre dhe marrin hapa për t’i plotësuar këto kërkesa, qoftë përmes votes, përmes ngritjes së zërit për çështje të ndryshme dhe mbikqyrjes së punës së qeverisë, politikanët do të përgjigjen sepse duan mbështetjen e votuesve.

Mendoj se zgjedhjet që po vijnë dhe fakti që do të ketë një numër të ri bashkish më të mëdha dhe më të pakta, do ta vërë theksin tek kjo sepse njerëzit që do të zgjidhen si kryebashkiakë – dhe përsëris që ne shpresojmë që të shohim gra mes tyre – do të kenë më shumë fonde dhe burime që t’u përgjigjen nevojave të njerëzve. Dhe ajo që ata duan të shohin është politika të reja për krijimin e vendeve të punës, zbatimin në mënyrë të drejtë të ligjit dhe duan shanse të barabarta për njerëzit për punësim, ekonomi dhe qasje në shërbimet qeveritare.

Zëri i Amerikës: Një problem tjetër në Shqipëri është kriminalizimi në politikë, që u shfaq dukshëm me rastet e fundit të implikimit apo dyshimeve për implikim të anëtarëve të parlamentit dhe familjarëve të tyre. Çfarë tregon kjo përsa i takon klasës politike?

Robert Benjamin: Sigurisht që nuk reflekton mirë përsa i takon klasës politike dhe kjo është më e pakta që mund të thuhet. Mendoj se ka rëndësi që publiku të ketë një ide të qartë se për çfarë po flasim, sepse është e rëndësishme që kur ndodhin gjëra të tilla, të hetohen që njerëzit të mos goditen pa të drejtë. Megjithatë është mjaft e qartë se në politikë ka shumë mundësi për korrupsion, përfshirë akte kriminale dhe kësaj duhet t’i jepet fund. Kjo duhet të fillojë me partitë politike sepse ato i zgjedhin njerëzit, dhe duhet të caktojnë jo vetëm njerëz që ndajnë idetë e partisë por edhe që përfaqësojnë interesat e qytetarëve.

U takon këtyre partive që të sigurohen vetë dhe të sigurojnë publikun që kandidatët të kenë kualifikimet e duhura dhe të jenë përfaqësuesit e udhëheqësve më të mire të mundshëm që ka Shqipëria. Gjithashtu duhet parë edheçfarë parashikon ligji qoftë ai zgjedhjeve, procesi i verifikimit të listës së kandidatëve dhe cilido qoftë ligji duhet të reflektojë interesat e publikut shqiptar. Dhe mendoj se këtë çështje kanë parasysh qytetarët kur flasin për nevojën e eliminimit të korrupsionit në procesin politik.

Shqipëria nis përgatitjet për master planin e gazit

Masterplani gazi ALNë kuadrin e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), Banka Evropiane e Investimeve ka autorizuar përgatitjen e një Master Plani Gazi për Shqipërinë dhe një Plan Projekt Identifikimi. Projekti i financuar nga Komisioni Evropian me një buxhet prej 1.1 milionë euro, do të përgatisë një master plan gjithëpërfshirës afatmesëm për gazin natyror që shqyrton gjithë aspektet (teknike, ligjore dhe rregullatore, ekonomike, të tregut, sociale etj.) që lidhen me futjen e gazit në disa rajone të Shqipërisë.

Projekti përputhet me synimet strategjike të Shqipërisë në sektorin e energjisë. Në vijim të përgatitjes dhe marrëveshjes për Master Planin e gazit, do të përgatitet dhe do të miratohet një portofol përparësish për projekt investimin për gazin, me qëllim që t’i bëhet e mundur qeverisë së Shqipërisë të tërheqë burime financiare për të zbatuar këto projekte të rrjeteve të gazit.
Ky projekt po ndërmerret me kërkesën e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, me sponsorizim projekt në ËBIF nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD), që mund të veprojë si financiere e mundshme për projekte parësore dhe që do të përfshihet në përgatitjen e studimit. Përveç ministrive përkatëse, përfitues të tjerë të këtij projekti do të jenë Enti Rregullator i Energjisë dhe Albpetrol. Zhvillimi i njohurive vendore, aftësive dhe ekspertizës brenda këtyre institucioneve në Shqipëri lidhur me zhvillimin e sistemit të gazit është një aspekt kyç i asistencës teknike që do të sigurohet.

Studimi do të shqyrtojë burime potenciale gazi në Shqipëri dhe përfshin eksplorimin e brendshëm, gaz nga Tubacioni Jon-Adriatik (pas ndërtimit), furnizimet përmes TAP / TANAP, një magazinim potencial nëntokësor gazi, si dhe terminalin e Gazit Natyror të Lëngëzuar. Parashikimi i kërkesës për konsumimin e ardhshëm të gazit në vend do të shqyrtojë çdo sektor të madh të vendit, përfshirë shërbimet dhe industrinë, si dhe do të vlerësojë përfitimet nga stimujt për kalimin nga energjia elektrike te gazi, me gjasë vendosjen e çmimit të gazit (në tregjet me pakicë dhe me shumicë), si dhe iniciativat për eficiencën e përdorimit final të energjisë.

Do të kryhet gjithashtu një itinerar dhe plan i mirë urbanistik i sistemit të transmetimit dhe shpërndarjes së gazit me synim rrjetin e gazit teknikisht me kosto më të ulët dhe në mënyrën më efikase të mundshme nga ana ekonomike, si dhe me ndikim sa më të paktë në mjedis.

Projekti është programuar të përfundojë në nëntor 2016, dhe me qëllim që të ndahet dhe të diskutohet me palët e interesuara kyçe plani për zhvillimin e studimit, më 2 qershor 2015, në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë u mbajt një takim prezantues. Gjatë këtij takimi grupi i ekspertëve të WBIF / IPF paraqiti një përmbledhje të përqasjes së tyre për projektin.
Ky projekt lidhet me studimin e fizibilitetit përfunduar më parë nga WBIF për Tubacionin Jon-Adriatik (Kroaci – BH – Mali i Zi – Shqipëri), me Studimin e Fizibilitetit për një Terminal GNL në Krk të Kroacisë, me projektin në vazhdim të KE-së për Unazën e Gazit, si dhe me studimin e Master Planit të Gazit në Malin e Zi që nisi në nëntor 2014 dhe po kryhet nga asistenca teknike e Njësisë së Projektit për Infrastrukturën (IPF3) që zbatohet nga Konsorciumi COWI. (shekulli)