Kategoritë: Uncategorized

Vuçiq takon djalin e Trumpit në Beograd

trump vucicPresidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të martën se ka zhvilluar një bisedë të përzemërt me Donald Trump Jr. djalin e presidentit amerikan, Donald Trump, lidhur me marrëdhëniet dypalëshe midis Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara, dhe për temat aktuale me rëndësi politike dhe ekonomike në botë.

 

“Theksova rëndësinë e marrëdhënieve ekonomike dhe politike ndërmjet Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe theksova rëndësinë e bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve dhe projekteve të përbashkëta në vitet e ardhshme. Ky takim simbolizon angazhimin për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe punën së bashku për të adresuar sfidat globale”, ka thënë Vuçiq përmes një postimi në Facebook.

Trump Jr. ka qenë në Beograd në shtator të vitit 2024, kur ka diskutuar me një grup biznesmenësh nga Serbia për investimet potenciale.

Dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, veçse ka nisur të bëjë biznes në Beograd.

Me kompaninë e tij është nënshkruar një kontratë në maj të vitit 2024 për të ndërtuar një kompleks biznesor dhe rezidencial të një ish-shefi të Shtabit të Përgjithshëm, pjesë të të cilit janë shkatërruar si pasojë e intervenimit të NATO-s më 1999.

Përpara takimit, Vuçiq u ka bërë thirrje të gjitha aktorëve politikë në Serbi që të shmangin dhunën.

“Të mos sillen në mënyrë jokushtetuese, të mos pengojnë lëvizjen e njerëzve tjerë, që të mos krijojnë kriza pengjesh duke ia parandaluar dikujt punën dhe jetesën, që të mos sulmojnë policinë, siç e kanë sulmuar para ndërtesës së Radiotelevizionit të Serbisë një natë më parë, të cilët nuk e kanë prekur askënd, dhe që të sillen në mënyrë të civilizuar, në përputhje me ligjet e këtij shteti”, ka thënë Vuçiq.

Në mbrëmjen e së hënës, studentët kanë bllokuar hyrjen e ndërtesës së RTS-së në Beograd.

Për pasojë ka pasur përleshje mes forcave policore dhe protesutesve.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se policia nuk ka vepruar kundër protestueseve, por që ajo është sulmuar, ndonëse në pamjet në rrjetet sociale shihet qartë se policia i ka sulmuar dhe rrahur studentët dhe qytetarët tjerë.

Një zyrtar policor është plagosur, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se plaga e tij e rëndë në sy është shkaktuar nga protestuesit, të cilët i ka quajtur “anëtarë të pleniumit bolshevik”.

Megjithatë, pamjet në rrjetet sociale tregojnë se zyrtari policor i plagosur ka qenë me veshje civile në protesta dhe ka mundësi të jetë plagosur nga kolegët e tij në uniformë.

Përmes bllokadave dhe protestave, studentët po kërkojnë që autoritetet të mbahen përgjegjëse për vdekjen e 15 personave, si pasojë e rrëzimit të një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor të vitit të kaluar.

Qeveria pretendon se i ka plotësuar kërkesat e studentëve, derisa një grup ekspertësh i formuar nga Senati i Universitetit të Beogradit i ka mohuar këto pretendime përmes një raporti.

Studentë prej shumë pjesëve të Serbisë veçse janë nisur drejt Beogradit, në një protestë të re që është planifikuar për 15 mars.

rel

Von der Leyen njofton planin “Riarmatimi i Evropës”

Von der LayenPresidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen njoftoi sot një plan, që ajo e quajti “Rarmatimi i Evropës”, të cilin ajo do ta paraqesë në takimin e udhëheqësve të vendeve të Bashkimit Evropian këtë javë. Komentet e saj pasojnë përpjekjet në rritje të Bashkimit Evropian për paqe mes Ukrainës dhe Rusisë. Njoftimi shkaktoi një rritje të aksioneve të kompanive evropiane të prodhimit të armëve.

Presidentja e Komisionit të Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen tha sot se do të informojë vendet anëtare të martën për planet për të forcuar industrinë evropiane të mbrojtjes dhe aftësitë ushtarake të BE-së.

“Nesër do të informoj vendet anëtare përmes një letre për planin Riarmatimi i Evropës. Nuk ka asnjë dyshim se ne kemi nevojë për një rritje masive në mbrojtje. Ne duam paqe të qëndrueshme, por paqja e qëndrueshme mund të ndërtohet vetëm përmes forcës, që fillon me forcimin e vetes sonë”, tha ajo.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian do të zhvillojnë bisedime urgjente të enjten për të siguruar mbështetje ushtarake për Kievin dhe për të përgatitur një force paqësore për dislokim të mundshëm në Ukrainë.

Njoftimet për rritjen e shpenzimeve në fushën e mbrojtjes, shkaktuan një rritje të aksioneve të kompanive të prodhimit të armëve në Evropë.

Monedha evropiane Euro u forcua, duke shënuar një rritje në tregun e këmbimit të valutave kundrejt dollarit, ndërsa investitorët u dyndën në tregun evropian të aksioneve, ku një indeks i kompanive të hapësirës ajrore dhe mbrojtjes “.SXPARO” arriti nivele rekord.

Evropa është përballur me trysni për të shpenzuar më shumë për sigurinë e saj pas sulmit në shkallë të gjerë të Rusisë ndaj Ukrainës tre vjet më parë dhe nevoja për të vepruar është bërë urgjente, pasi evropianët, përfshirë Ukrainën, janë lënë mënjanë në bisedimet midis Uashingtonit dhe Moskës.

Agjencia e lajmeve Reuters njoftoi të dielën se palët në bisedime për të formuar qeverinë e re të Gjermanisë po shqyrtojnë krijimin e një fondi të mbrojtjes.

Në mesditë, aksionet në kompaninë më të madhe të mbrojtjes në rajon “BAE Systems” u rritën me rreth 15%, ndërsa ato të kompanisë gjermane “Hensoldt”, e cila prodhon sisteme elektronike për avionët luftarakë “Eurofighter”, u rritën me 22%, duke arritur në një nivel rekord.

Aksionet e prodhuesit të tankeve “Leopard 2”, “Rheinmetall” u rritën me 12%, ato të kompanisë italiane të mbrojtjes “Leonardo” me 11% dhe aksionet e kompanisë më të madhe evropiane të teknologjisë së mbrojtjes “Thales” u rritën me rreth 13%.

Analistët e kompanisë “JPMorgan” thonë se ngjarjet e dy javëve të fundit kanë “forcuar” tezën e tyre për një cikël riarmatimi të Evropës.

Bashkimi Evropian beson se 500 miliardë euro investime janë të nevojshme gjatë dekadës së ardhshme. Por rritja e shpenzimeve të mbrojtjes në nivel 3% të prodhimit të brendshëm do të kërkonte gati 200 miliardë euro në vit më shumë.

voa

Taravari: Nëse Kosovës i merret një copë tokë, mund të jetë shkak i fillimit të një konlikti të madh!

Screenshot_20250228_193302_Facebook

Taravari: Nëse Kosovës i merret një copë tokë, mund të jetë shkak i fillimit të një konlikti të madh!

 

Për ta kuptuar më mirë Taravarin… fjalën e ka se ai, bashkë me Albin Kurtin dhe bashkëpartiakët e tjerë të LVV-LEN-it, janë të gatshëm të japin pa problem “copën e tokës” (pothuajse sa Kosova) të shqiptarëve në “Maqedoni”, Erdoganit dhe miqve të tij Putinit, Vuçiçit dhe Mickovskit.
Këtë e bënë të qartë kur Mickovski në Washington deklaroi se “Maqedonia” është shtet i “maqedonasve shumicë” që përfaqësojnë “2/3 e banorëve”, dhe asnjeri nga këta nuk patën as edhe të vetmen vërejtje. Për këtë shkoi Izet Mexhiti bashkë me Mickovskin tek Erdogan. E për këtë janë njëzëri dakord edhe “faktorët relevant, vendimarrës” Erdogani dhe Albin Kurti.
Por meqë janë “trima” dhe “patriotë, nuk e japin në asnjë mënyrë atë “copë toke” të Veriut të Kosovës, sepse plas lufta keq!

 

huazuar nga Afrim Fanda – Facebook

Si të mbrohet Deti Baltik nga flota në hije e Rusisë?

BaltikuNë 18 muajt e fundit ka pasur në Detin Baltik, ku janë dëmtuar kabllot e telekomunikimeve dhe të energjisë elektrike, si dhe tubacionet e gazit.

 

Disa nga incidentet mund të kenë qenë edhe aksidentale, por ka pasur zyrtarë evropianë që e kanë drejtuar gishtin edhe drejt flotës në hije të Rusisë.

Kjo flotë u referohet afërsisht 350 anijeve me pronësi të errët, të cilat besohet se u shmangen sanksioneve perëndimore ndaj naftës ruse, duke transportuar rreth 80 për qind të furnizimeve – prej të cilave gati 50 për qind nisen nga portet ruse në Detin Baltik.

Bashkimi Evropian ka vendosur masa për gjysmën e këtyre anijeve, duke ua ndaluar të ankorojnë në portet e BE-së ose të marrin shërbime – në çfarëdo mënyre – nga kompanitë e BE-së.

Në janar, vendet e BE-së rreth Detit Baltik kanë vendosur të krijojnë një grup ekspertësh, për të hetuar rrugë të ndryshme ligjore për parandalimin e incidenteve që kanë në shënjestër infrastrukturën nënujore.

Këto shtete bregdetare – Danimarka, Estonia, Finlanda, Gjermania, Letonia, Lituania, Polonia e Suedia – kanë pothuajse kontroll total të ujërave të tyre territoriale, të cilat shtrihen në 12 milje detare.

Por, incidentet nuk kanë ndodhur aty.

Ato kanë ndodhur në “zonat ekskluzive ekonomike” të shteteve baltike – zona që shtrihen deri në 200 milje detare.

Në to, shtetet bregdetare kanë të drejta nën sipërfaqen e detit, p.sh. për eksplorimin e burimeve detare, por ujërat sipërfaqësore janë ujëra ndërkombëtare.

Dhe, për ujërat ndërkombëtare vlen Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat në Det (UNCLOS).

Kjo do të thotë se është flamuri i anijes – që tregon se ku është regjistruar zyrtarisht – ai që përcakton se cili shtet ka autoritet ligjor mbi anijen.

kufijte baltik

Autoriteti ligjor këtu nënkupton që një vend ka të drejtë të ndalojë ose të hyjë në një anije të dyshimtë.

“Deri më tani, liria e lundrimit është pothuajse absolute; kështu e shohin shtetet”, thonë zyrtarë të Bashkimit Evropian për Radion Evropa e Lirë.

“Por, [kjo] nuk përfshin të drejtën për të sulmuar infrastrukturën kritike në rrugë e sipër”, sipas tyre.

Pikërisht, kjo çështje – sesi liria e lundrimit ndërthuret me të drejtat e shteteve bregdetare për të kapur anije të dyshimta – është ajo në të cilën janë duke punuar ekspertët nordiko-baltikë.

Ekspertët ligjorë kanë filluar tashmë disa takime, për të diskutuar se çfarë mund të bëhet përtej vendimit politik për rritjen e pranisë së anijeve ushtarake, me shpresën për të parandaluar incidentet e ardhshme.

Plani është të organizohet një konferencë e madhe në fillim të prillit, e cila do të mblidhte zyrtarë nga ministritë e Jashtme, të Mbrojtjes dhe të Brendshme të të gjitha vendeve të BE-së dhe të NATO-s, për të shqyrtuar çështjen nga këndvështrime të ndryshme.

Të gjitha opsionet janë të ndërlikuara, pasi do të kishin efekte globale.

Diplomatët e BE-së tërheqin vërejtjen se, sido që të reagojnë vendet nordike-baltike, ato duhet ta kenë parasysh se anijet evropiane në dete të tjera, mund të trajtohen në mënyrë të ngjashme – domethënë të ndalohen dhe të kontrollohen paraprakisht.

Vendet e mëdha detare, si Danimarka dhe Greqia, janë të etura për t’i shmangur pengesat shtesë gjetkë – për shembull, në Detin e ngarkuar të Kinës Jugore.

Një çështje e rëndësishme këtu është nëse shtetet do të kenë autoritet për të hyrë me forcë në një anije dhe në çfarë rrethanash? A mund të bëhet kjo në mënyrë parandaluese apo vetëm pas ndonjë incidenti?

Deri më tani, hyrja në një anije varej nga bashkëpunimi i autoriteteve të posaçme shtetërore me kapitenin e një anijeje të caktuar.

Diplomatët thonë se janë duke i shqyrtuar mundësitë nëse Konventa për Mbrojtjen e Kabllove Telegrafike Nëndetëse – një traktat shumëpalësh i nënshkruar në vitin 1884, që penalizon dëmtimin e kabllove të komunikimit – mund të zbatohet në këtë kontekst.

Por, një zgjidhje mund të jetë edhe detyrimi i anijeve që hyjnë në Detin Baltik, për t’u siguruar siç duhet. Shumë anije që janë akuzuar për dëmtimin e infrastrukturës nënujore në Detin Baltik kohët e fundit, kanë qenë në gjendje të keqe. Ndaj, këtu mund të dalin në pah ligjet për mbrojtjen e mjedisit, pasi anijet e tilla mund të shkaktojnë derdhje nafte.

rel

Hiqen tabelat pa gjuhën shqipe në autostradën Shkup – Tetovë

ska tabela“NDËRMARRJA PUBLIKE PËR RRUGËT SHTETËRORE” ENDE PA SQARIM!

 

Klan Macedonia sot regjistroi pamje të reja ku shihet se tabelat nuk ishin përmirsuar ose rivendosur, por të njëjtat ishin hequr fare.

 

Tabelat në autostradën Shkup-Tetovë kanë ngjallur reagime të shumta në opinion dhe mbarë vendin tonë, por edhe nga partitë politike në opozitë pasi në pikëpagesën rrugore në “Gllumovë”, tabelat në të cilat qëndronte gjuha shqipe u zëvendësohen me tabela vetëm në gjuhën maqedonase.

 

Klan Macedonia dërgoi pyetje deri tek ndërmarrja shtetërore e rrugë për të pyetur se pse u anashkalua gjuha shqipe dhe a do të rivendosen tabelat përsëri me mbishkrim në gjuhën shqipe, por deri më tani asnjë reagim nuk kemi nga “Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore”.

 

Ndryshe, qytetarët e RMV janë ballafaquar shpesh me provokime të tilla, ku muaj më parë e njëjta ndodhi edhe në vendkalimin kufitar të Bllacës por pas reagimeve të shumta ato u larguan dhe u vendosën sërish tabelat ku qëndron edhe gjuha shqipe.

tvklan

Nisin punimet në rrugën Prizren – Kufiri me Maqedoninë e veriut (Tetovë)! Po rruga Tetovë – Kufiri me Republikën e Kosovës (Prizren)?

KurtiKurti inspekton punimet në rrugën Prizren–Tetovë: Të kryhet sa më shpejtë 

Kanë nisur punimet e projektit të rrugës Prizren – Tetovë, përkatësisht në segmentin Struzhë – Kyçja në autoudhën “Ibrahim Rugova” në Prizren. Nisjen e punimeve e ka përcjell sot nga afër edhe kryeministri Albin Kurti.

Siç njoftojnë nga qeveria, kryeministri tha se ky projekt është i rëndësisë së jashtëzakonshme për qytetarët dhe për ekonominë.

“Jemi këtu tek LOT-i 3, i projektit të rëndësisë së jashtëzakonshme infrastrukturore Prizren – Tetovë, që lidh këto dy qytete, që lidh këto dy shtete, me rëndësi të veçantë si për qytetarët ashtu edhe për ekonominë dhe ky loti 3 të cilin ne po i fillojmë punimet tash ka gjatësinë prej afër 7 kilometrave në vlerë prej 8.3 milionë euro”, ka deklaruar Kurti.

Ndërkaq, pas vizitës së LOT-it të parë, Kurti tha se synimi është që t’i jepet mbështetja maksimale këtij aksi rrugor, që të kryhet sa më shpejtë.

“Këtu jemi bashkë me punëtorët edhe me punëkryesin e LOT-it të parë, që sikurse LOT-i 3 që e vizituam më herët e ka gjatësinë e njëjtë, përafërsisht shtatë kilometra dhe përderisa atje vlera e investimit ishte 8.3 milionë euro, këtu është 8 milionë euro. Punët po shkojnë fare mirë dhe jemi shumë të gëzuar që po marrim pjesë në këtë fillim të punimeve për një aks kaq të rëndësishëm e jetik për Prizrenin e për Tetovën, për Kosovën e për Maqedoninë e Veriut, për shqiptarët në të dy anët e Malit të Sharrit. Jam me ministrin Liburn Aliu, zëvendësministrin Hysen Durmishin, zëvendësministrin tjetër, Jeton Rakën, me deputetë të zonës Artan Abrashi dhe Arbër Rexhaj”, ka thënë Kurti.

rruga Prizren kufiri TetoveMinistri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu u shpreh se ky projekt përpos që e lidh Autostradën “Ibrahim Rugova” me koridorin Jon-Adriatik dhe me koridorin 8 nga ana tjetër që është Tetova, shërben edhe për turizëm malor nga të dyja anët dhe kontribuon në zhvillimin ekonomik të dy vendeve.

Projektin për ndërtimin e kësaj rruge që përfshinë njërën rrugë në dalje të autostradës “Ibrahim Rugova” dhe tjetra në afërsi të Fshatit Struzhë, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e ka tenderuar që në muajin prill të këtij viti në 3 llote. Në LOT-in 1 dhe LOT-in 3, punimet filluan sot. Vlera totale e projektit është paraparë të jetë 35 milionë euro, me gjatësi prej 20.3 km.

 

Rikujtesë

Punimet për ndërtimin e Autostradës R6 ( ose Autostrada Arbën Xhaferi) e gjatë rreth 60 km që lidh Prishtinën me kufirin maqedonas te Hani i Elezit, rreth 20 km larg kryeqytetit maqedonas Shkupit, filluan në Korrik 2014 dhe përfunduan më Maj 2019

Ndërsa rruga Shkup – Bllacë kanë përfunduar 2 km e parë, e cila ende nuk është lëshuar në qarkullim, ndërsa 10 km e mbetur ende është në fazën e përpilimit të dokumentacionit për projektim.

Përfundimi projektit të rrugës Shkup Bllacë pritet të përfundojë gjatë vitit 2025!?

Lexo:

Rruga Shkup – Bllacë përplas përsëri BDI-në dhe VLEN-in

 

Rustemi ZekolliRUSTEMI: VMRO-JA ME NDIKIMIN E SAJ KA NDRYSHUAR PRIORITETET INFRASTRUKTURORE

 

 Ejup Rustemi ish drejtori i Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetëore”, për Klan Maqedoni ka thënë se gjatë mandatit të tij, është  përfunduar dy kilometërshi i pare I rrugës Shkup-Bllacë dhe se është përcaktuar traseja për 10 kilometërshin e mbetur.

Sipas Rustemit, nëse udhëheqësia aktuale e Ndërmarrjes Publike punon si duhet, nga fundi i shtatorit pritet të zgjidhet edhe kompania që do të ndërtojë dhe mbikqyrë pjesën e dytë, 10 kilometërshin e mbetur të  kësaj autostradës që sipas tij është shumë e rëndësishme. Këto komente Rrustemi I bëri pas akuzave të zv ministres së Transportit Kalltrina Zekolli e cila ka shprehur dyshime mbi punët e kësaj autiostrade dhe paralajmëroi revision të këtij projekti.

“Si drejtor i NP. Rrugët Shtetërore, kam realizuar 100% rikonstruimin e rrugës magjistrale. Në këtë periudhë kohore kanë mbaruar edhe punimet ndërtimore për dy kilometërshin e parë të autostradës, e cila tani pritet të ketë edhe pranim teknik për ta lëshuar në përdorim. Gjithashtu në këtë periudhë kohore është bërë edhe përcaktimi i trasesë, për 10 kilometërshin e autostradës, në të cilën është bërë edhe projektimi nga kompania amerikane si grant i komisionit europian për projektime, kemi marrë të gjitha lejet për ndërtim dhe gjithashtu kemi filluar procedurat për zgjedhjen e kompanisë ndërtimore dhe zgjedhjen e kompanisë për mbikqyrjen e punimeve. Shpresoj që menaxhmenti i aktual i NP. Rrugët Shtetërore, deri në fund të shtatorit do kemi zgjedhjen e kompanive dhe asaj për mbikëqyrje që më pastaj të filloj edhe realizimi”, ka deklaruar Rustemi.

Reagimi i Rustemit vjen pas akuzave të Kaltrina Zekollit se dy kilometërshi i parë pritet të lëshohet në përdorim edhe pse Qeveria aktuale ka dyshime për mënyrën dhe aspektin e realizimit të punimeve.

Zekolli gjithashtu tha se për këtë çështje me raport ka dalë edhe revizioni shtetërorë për investime kapitale.

“Kemi dyshimet tona në aspektin e realizimit të punëve që janë bërë nga Qeveria paraprake të cilat janë prolonguara mjaft, por revizioni shtetërorë për investime kapitale ka bërë një raport dhe aty, kemi dyshime për realizimin e punës. Kështu që, pas të gjitha këtyre shtyrjeve të lëshimit në përdorim, së shpejti neve si qeveri do të punojmë që të mbyllet kjo si fazë dhe qytetarët të mund ta shfrytëzojnë këtë aq të nevojshme dhe aq të frekuentuar. Sa i përket 10 kilometërshit tjetër, ende është në fazën e përpilimit të dokumentacionit për projektim”,ka deklaruar Zekolli.

Ndryshe ish drejtori Rustremi thotë se VMRO-ja duke shfrytëzuar ndikimin absolut mbi VLEN-in, ka ndryshuar edhe prioritetet në pjesën infrastrukturore dhe ka bërë shkurtime enorme në disa projekte të rëndësishme infrastrukturore.

“Posaçërisht me ribalancin e buxhetit dhe me shkurtimin enorm të Korridorit 8, nga 15.2 miliard denarë 4.2 miliard denarë është tregues se kemi ndryshimin e prioriteteve të infrastrukturës që është Korridori 8 dhe 10D. Do të kisha apeluar tek të gjitha institucionet që të vazhdohet me të gjitha ato prioritete të cilat kanë qenë në programën për rrugë në RMV”, deklaroi Rustemi.

Përfundimi projektit të rrugës Shkup Bllacë pritet gjatë vitit 2025.

tvklan

Protestë e serbëve kundër hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë

protestaQindra pjesëtarë të komunitetit serb protestuan të mërkurën kundër hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër, që shënon vijën ndarëse të Mitrovicës, ndërmjet veriut të banuar me shumicë serbe dhe jugut me shumicë shqiptare, mes paralajmërimeve të qeverisë së Kosovës për hapjen e saj dhe kundërshtimeve të KFOR-it dhe diplomatëve perëndimorë.

Oratorët thanë se nuk ndjehen të sigurt nëse hapet ura, ndërsa akuzuan qeverinë në Prishtinë se po synin “spastrimin etnik të serbëve”.

Ish gjyqtari nga Mitrovica e Veriut, Nikolla Kabashiç, tha se pretendimet e autoriteteve në Prishtinë se hapja e urës do të bëhej për hir të bashkëjetesës, nuk janë të qëndrueshme.

“Ne këtu nuk ndjehemi të sigurt”, tha ai, duke theksuar se ura mund të hapet vetëm nëse palët bien dakord në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Javën e kaluar, qeveria e Kosovës u paraqiti diplomatëve perëndimorë në Prishtinë planin për hapjen e urës për lëvizjen e makinave. Aktualisht ura shfrytëzohet vetëm nga këmbësorët. Qeveria tha se “liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi. Ura është simbol i lëvizjes së lirë, e që është vlerë dhe liri themelore e Bashkimit Evropian”.

Por, diplomatët nuk e mbështesin synimin e qeverisë ndërsa të martën forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja paralajmëruan se “do të trajtojnë çdo zhvillim që ndikon mbi sigurinë dhe qëndrueshmërinë rajonale”.

Diplomatët perëndimorë dhe forcat e NATO-s, thanë se çdo vendim për hapjen e urës, duhet të merret në kuadër të bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian.

Marrëveshja për lëvizje të lirë që ishte arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në vitin 2014 bëri të mundur që në gusht të vitit 2016 të fillojnë punimet për zhbllokimin e urës. Bashkimi Evropian investoi 1.2 milion euro për revitalizimin e urës, e cila megjithatë mbeti e mbyllur për lëvizjen e makinave.

voa

Lamtumirë Ismail Kadare! Përcillet me nderime kolosi i letërsisë shqipe, në homazhet e mbajtura në TKOB interpretohen poezitë e tij

kadare HomazheI jepet sot lamtumira e fundit shkrimtarit të madh Ismail Kadare, i cilësuar si kolosi i letërsisë shqipe që futi Shqipërinë në hartën botërore letrare.

 

Homazhet po mbahen në Teatrin të Operas dhe Baletit, ku marrin pjesë familjare, miq, figura dhe personalitete të larta e dashamirës. Gjatë ceremonisë, në sfond interpretohen poezitë e tij ikonike që do të jenë të pavdekshme.

Kortezhi pritet të niset drejt varrezave të Tufinës në orën 12:30, ndërsa në orën 13:00 do të mbahen një minutë heshtje për nder të Kadaresë.

 

Shqipëria dhe Kosova janë në zi kombëtare në nder të shkrimtarit Ismail Kadare, i cili mbylli sytë përgjithmonë sot në moshën 88-vjeçare. Edhe ditën e sotme flamujt në institucionet shtetërore dhe publike janë ulur në gjysmështizë.

kadare HomazheKolosi i letrave në gjuhën shqipe, Ismail Kadare ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare. Ai lindi në Gjirokastër, më 28 janar të vitit 1936. Ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popullor (1970-’82), zv/kryetar i Frontit Demokratik dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë.

Si shkrimtar u shqua kryesisht për prozë, por kontributi i tij u shtri edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime. Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.

Në vitin 1996, Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilëve Çmimin “Man Booker International” më 2005, çmimin “Princ i Asturias” për Artet më 2009 dhe Çmimin “Jeruzalem” më 2015. Viteve të fundit, ai e ndante kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë.

 

 

Top Channel

Serwer ngre pikëpyetje: Çfarë duhet bërë me Asociacionin?

Daniel-ServerAnalisti dhe profesori amerikan i universitetit John Hopkins, Daniel Serwer, thotë se pyetja e pashmangshme sot sa herë që përmendet Ballkani është se çfarë do të bëhet me Asociacionin?

 

Ai thotë se “Beogradi dëshiron që ai të formohet brenda Kosovës. Amerikanët dhe evropianët po insistojnë gjithashtu. Por, autoritetet e Kosovës po rezistojnë. Çfarë duhet bërë?”.

 

Në një tekst autorial në “peacefare” analisti amerikan dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit, Serwer, thotë se “Prishtina u pajtua ta formonte Asociacionin në vitin 2013, në atë që u quajt “Marrëveshja e Parë mbi parimet që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve”.

Sipas tij, kjo marrëveshje e panënshkruar parashikonte që Asociacioni të kishte “përmbledhje të plotë të fushave si ekonomia, arsimi, shëndetësia, planifikimi urban dhe ai rural”. Gjithashtu, thuhej se autoritetet qendrore mund t’i delegojnë edhe kompetenca shtesë.

“Marrëveshja e vitit 2013 parasheh integrimin e serbëve në Policinë e Kosovës dhe institucionet gjyqësore, si dhe aplikimin e kornizës ligjore të Kosovës në të gjitha komunat me shumicë serbe.  Ajo parashikon që asnjëra palë nuk do të bllokojë ose inkurajojë të tjerët të bllokojnë, përparimin e palës tjetër në rrugën drejt BE-së. Deri më tash, as Beogradi e as Prishtina nuk e kanë zbatuar pjesën e tyre të marrëveshjes”, shkruan Serwer, transmeton Telegrafi.

Profesori amerikan i universitetit John Hopkins, thotë se Albin Kurti, tani kryeministër i Kosovës, kundërshtoi formimin e Asociacionit ndërsa ishte në opozitë. “Edhe tani në pushtet, ai po vazhdon t’i rezistojë zbatimit të tij. Ndryshe nga Kurti, presidenti serb Aleksander Vuqiq, vazhdon të insistojë në formimin e tij”.

Por, sipas tij, krijimi i një “bote serbe” në Kosovë, ka ngritur dyshime.

“Popullata në Kosovë shqetësohet se Serbia me anë të Asociacionit po përpiqet të krijojë një zonë të veçantë, autonome, jashtë autoritetit të Kosovës. Kjo pasi një i ngjashëm ka çuar edhe në luftë në Bosnjë gjatë viteve të 90-ta. Ndërkohë, Beogradi asnjëherë nuk ka hequr dorë nga përpjekjet për të bllokuar përparimin e Kosovës drejt BE-së. Kjo përfshin përpjekjet e fundit të tij për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, shkruan Serwer.

Ai thotë se “serbët janë tërhequr edhe nga institucionet e Kosovës në katër komunat veriore. Shteti serb gjithashtu ka bojkotuar zgjedhjet atje, ka rrëmbyer tre policë të Kosovës dhe ka shkaktuar trazira nga të cilat mbetën të plagosur paqeruajtësit e NATO-s, si dhe organizoi një sulm terrorist shtatorin e kaluar. Secila nga këto përpjekje llogaritet sfidë ndaj kornizës ligjore për të cilën Beogradi kishte rënë dakord se do të zbatohej në Kosovë”.

 

 

Siç thekson Serwer, deri më tash nuk ka asgjë të re për marrëveshjet e dështuara mes Kosovës dhe Serbisë. Shumë nga marrëveshjet teknike të para vitit 2013 arritën zbatim të pjesshëm ose të vonuar”.

Për arsye që ende nuk dihen, Serwer shton se amerikanët dhe evropianët i premtuan Beogradit zbatimin e Asociacionit pa asnjë kusht. “Por, ata premtuan se ai nuk do të bëhet një nivel i ri qeverisjeje. Megjithatë, ata nuk kanë qenë të gatshëm të angazhohen për këtë në një marrëveshje zyrtare qeveritare”.

Serwer thotë se evropianët kanë sjellë pasoja për dështim në themelimin e Asociacionit dhe kanë vonuar shqyrtimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Ai këtë e quan “keqpërdorim diplomatik”, duke theksuar se nuk ka kuptim që pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës të kushtëzohet me zbatimin e Asociacionit.

“Përveç presionit ndaj Kosovës, SHBA-ja dhe BE-ja duhet t’i kujtojnë Serbisë detyrimet e saj sipas marrëveshjes së vitit 2013. Ndër tjera, serbët duhet të rikthehen në institucionet e Kosovës dhe të marrin pjesë në zgjedhje, Beogradi duhet ta përfundojë fushatën kundër anëtarësimit të Kosovës në institucionet evropiane dhe Serbia duhet t’i dorëzojë terroristët e saj në Kosovë për gjykim si dëshmi që e pranon kornizën ligjore të Kosovës”, ka shkruar Serwer.