Kategoritë: Uncategorized

Vargje të djeshshme/sotme…?!

UTUROJNE LUGJET

Frynë erë.Shtrëngatë
që shkul dhe përplas,
që pret si një shpatë
njeriun e pafat…

Frynë erë. Shtrëngatë,
shkul njeriun nga toka,
e rrëmben e çon larg
sa e përpinë bota…

Uturojnë lugjet,
malet dridhen e mërdhinë.
Kosova lulekuqe
lart ti mbaje ballin.

Bejtullah Sadiku

Lugina tregon ditën kur do ta themelojë Asociacionin e Komunave Shqiptare

ragmi mustafaPërfaqësuesit politikë shqiptarë në Luginë të Preshevës kanë paralajmëruar se këtë të shtunë do ta shpallin themelimin e Asociacionit të Komunave Shqiptare në Serbi, si kundërpërgjigje ndaj krijimit të Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë.

Këtë e ka konfirmuar për KTV-në kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa, i cili ka thënë se për këtë do të vendoset në mbledhjen e Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Mustafa ka thënë se këtë ua garanton edhe rezoluta e miratuar në Kuvendin e Kosovës në maj të 2013-ës.

“Ne kemi mbështetjen e Kosovës dhe të Shqipërisë, pasi këtë na e garanton rezoluta e Kuvendit të Kosovës dhe deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili në Preshevë pati deklaruar se shqiptarët e Luginës duhet t’i gëzojnë të drejtat sikur serbët në Kosovë”, ka thënë kryetari i Preshevës, duke shtuar se është e drejtë e shqiptarëve në këtë pjesë që të vendosin për vete.

“Ne presim mbështetjen dhe njohjen e Asociacionit nga autoritetet e Kosovës dhe të Shqiptarisë si dhe më pas edhe të bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë Mustafa.

Mediat në Serbi e kanë cilësuar si plan të ferrit mundësinë që shqiptarët të krijojnë Asociacionin e Komunave Shqiptare në Serbi. (ktv)

NASA dhe shkenca diellore

dielliNë intervale pothuajse të rregullta, dielli shfaq disa njolla që në fakt janë stuhi diellore. Shkencëtarët e vëzhgojnë nga afër këtë aktivitet pasi ai mund të ketë ndikim negativ në mjetet e komunikimit dhe në rrjetet e shpërndarjes së energjisë elektrike. Por intensiteti i pakësuar e dy cikleve të fundit diellore i lë shkencëtarët në mëdyshje.

Njollat diellore janë shpërthime të zjarrta të shkaktuara nga stuhi të mëdha elektromagnetike. Kur ato ndodhin, ne i shohim tetë minuta më vonë, aq kohë sa i duhet dritës për të arritur në Tokë.
Grimcat e para të stuhisë marrin 20 deri në 30 minuta kohë për të arritur. Ato janë të rrezikshme për njerëzit, kështu që nëse stuhia është intensive, astronautët në bordin e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës janë këshilluar për të lëvizur në zonat e mbrojtura.
Pas një ose dy ditësh, vjen pjesa më e madhe e stuhisë, në formë kurore masive.

“Kurora përbëhet nga miliarda ton material diellor. Ndonëse ajo udhëton miliona kilometra në orë, kjo është një shpejtësi relativisht e ngadaltë”, thotë shkencëtari i NASA-s, Alex Young.
Disa agjenci qeveritare, si dhe Forcat Ajrore Amerikane, vëzhgojnë motin në hapësirë, 24 orë në ditë. NASA e bën këtë për të mbrojtur astronautët e saj, pajisjet e ndjeshme elektronike dhe anijet, por edhe për shkak se shumë pyetje rreth Diellit kanë mbetur pa përgjigje.  Një prej pyetjeve është; pse njollat diellore ndjekin një cikël 11-vjeçar, përmes intensitetit të lartë dhe atij të ulët?
“Gjithashtu, nganjëherë intensiteti është i lartë dhe nganjëherë i ulët. Cikli i tanishëm diellor është shumë më i ulët se ai i mëparshmi.”
Një tjetër pyetje është, pse atmosfera e diellit është më e nxehtë se sipërfaqja e tij?

“Grimcat janë shumë larg njëra tjetrës, por temperatura, që është shpejtësia e lëvizjes së këtyre grimcave, rritet shumë shpejt, nga dhjetëra mijëra gradë,  në miliona gradë,” shpjegon zoti Young.

Disa satelitë vëzhgojnë vazhdimisht  diellin dhe mjedisin midis diellit dhe tokës, duke dërguar fotografi dhe të dhëna të tjera.

“Kjo është një tabelë, që  tregon se çfarë ndodh në mjedisin diellor, dhe në gjithë sistemin diellor dhe se çfarë shohim ne këtu në Tokë.”

Shkencëtari i NASA-s, Alex Young thotë se Dielli është rreth 4 miliardë vjet i vjetër, ndërsa  vëzhgimet e hollësishme nga Toka filluan 40 vjet më parë, që është vetëm një pjesë shumë e vogël e jetës së tij të gjatë. (voa)

Eliot Engel në Parlamentin e Kosovës

eliot engel kuvendLigjvënësi amerikan u bëri thirrje institucioneve të përmbushin detyrimet përfshirë ngritjen e Gjykatës së Posaçme

Ligjvënësi amerikan, Eliot Engel tha sot se para Kosovës ndodhen mjaft sfida të vështira që duhet të përmbushen, ndërsa bëri thirrje që këto të zgjidhen nga institucionet e vendit. Ai i bëri këto komente gjatë një seance solemne të Parlamentit të Kosovës, për të shënuar 25 vjetorin e miratimit të deklaratës Kushtetuese të Kosovës. Zoti Engel, që po qëndron në një vizitë disa ditëshe në Kosovë, u bëri thirrje institucioneve që të krijojnë Gjykatën e Posaçme e cila do të trajtojë pretendimet për krime lufte.

“Mënyra se si e shoh gjendjen dhe e di që është një vendim i vështirë, nuk është cështja nëse do të ketë Gjykatë të Posaçme apo jo. Për mua cështja është se a do të ketë gjykatë të Posaçme apo do të jetë Gjykatë e Kombeve të Bashkuara sepse unë besoj që nëse nuk do të ketë Gjykatë të Posaçme, Kombet e Bashkuara do të kenë gjykatë”, tha zoti Engel duke nënvizuar se një gjykatë e krijuar nga Kombet e Bashkuara nuk do të ishte e mirë për Kosovën.

“Unë nuk besoj se Kombet e Bashkuara do të kenë trajtim të drejtë kur është në pyetje Kosova dhe unë besoj që ajo do të jetë alternativa për Gjykatën e Posaçme, nëse nuk formohet. Besoj që do të jetë gjykatë e Kombeve të Bashkuara dhe mendoj se kjo do të jetë problem i madh për Kosovën”, tha ai duke nënvizuar se si një mik i Kosovës e ndjen detyrim të shpjegojë këtë çështje.

Ligjvënësi Engel bëri thirrje ndërkaq që Kosova të vazhdojë fuqizimin e saj të brendshëm duke zhvilluar ekonominë dhe sundimin e ligjit.

“Ka shumë çështje dhe gjëra që duhet të bëhen. Dje jam takuar me gjykatës dhe sundimi i ligjit është shumë i rëndësishëm, luftimi i korrupsionit është i rëndësishëm dhe ka gjëra që duhet të bëhen këtu me ekonominë dhe kjo është e rëndësishme”, tha zoti Engel.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të jenë partneri kryesor i Kosovës në rrugën e saj drejt integrimeve euro-atlantike.

“Nuk ka arsye që Kosova të mbetet jashtë Bashkimit Evropian, nuk ka arsye që të mos ketë liberalizim të vizave dhe kjo duhet të ndodhë”, tha zoti Engel.

Zoti Engel, është anëtar i Dhomës Përfaqësuese të Kongresit të Shteteve të Bashkuara,  demokrat nga Nju Jorku. Zoti Engel, njihet si mbështetës i fuqishëm i çështjes shqiptare në Ballkan e posaçërisht i çështjes së Kosovës. Përfaqësuesit e institucioneve dhe organizatave joqeveritare thonë se zoti Engël, është një mik i vërtet e shqiptarëve në kongresin Amerikan për më shumë se 25 vjet dhe gjatë kësaj kohe luajti një rol me rëndësi në të gjitha proceset që çuan në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

Në seancën e sotme ai u tha deputetëve se në Kosovë, ndjehet sikur në shtëpi. Ai kujtoi se për Kosovën kishte mësuar në një takim me mikun e tij Harry Bajraktari.

„Ai takim e ndryshoi jetën time, por besoj edhe jetët e shumë prej jush, meqë sa më shumë kam dëgjuar për padrejtësitë që ndodhnin atëbotë, aq më shumë kam dashur të jem pjesë e luftës për lirinë dhe demokracinë e këtij vendi të mrekullueshëm. Shume vjet kam folur në Washington e New York për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. U kam thënë të gjithëve që kanë dashur të dëgjojnë se do ta kemi Kosovën e lirë e të pavarur dhe ja ku jam sot në Kosovën e lirë dhe të pavarur“.

Ai tha se shumëkush kishte dyshuar në këtë, duke kujtuar periudhën kur kishte dashur të ndiqte zgjedhjet e shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve të 90-ta.

„Më ndaluan në kufi. Nuk donin të më linin. Millosheviçi kishte thënë se jam problem. Mbajta konferencë për shtyp në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë.  I kisha humbur syzet dhe nuk shihja gjë, por fola nga zemra. Thashë se dua të hyjë në Kosovë, por Millosheviçi nuk më lë. Por, thashë se kam një lajm për të. Një ditë do të jemi të gjithë në Kosovën e lirë dhe të pavarur dhe atëherë atij nuk do t’i lejojmë të hyjë“, tha zoti Engel.

Në ditën e sotme të vitit 1990, parlamenti i atëhershëm i Kosovës, miratoi në gjendje shtetrrethimi, një deklaratë të posaçme kushtetuese për Kosovën si njësi e pavarur dhe e barabartë në federatën e atëhershme jugosllave, e cila u bë e njohur si deklarata e pavarësisë.

Tri ditë më pas autoritetet serbe shpërndanë Parlamentin e Kosovës dhe mbyllën mjetet kryesore të informimit në Kosovë. 25 vjet më pas, Kosova ka hyrë në vitin e tetë të pavarësisë së saj të njohur nga mbi 100 vende të botës.

Dy korriku edhe sot e kësaj dite cilësohet si një nga ngjarjet me të rëndësishme që shënuan kthesë historike në përpjekjet e Kosovës për pavarësinë e saj. (voa)

Kuvendi i kthehet Gjykatës Speciale, revoltohet opozita

skenderbeu prishtineKuvendi i Kosovës pritet të nxjerrë për miratim, të premten më 26 qershor, amandamentin kushtetues për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte.

Ky amandament i propozuar nga Qeveria e Kosovës, është ri-proceduar për miratim në Kuvend, pasi që më 29 maj, ishte shtyrë për një seancë tjetër.

Në atë kohë, shtyrja ishte arsyetuar me faktin se amandamenti do të miratohej bashkë me projektligjin e negociuar me Bashkimin Evropian për dhomat e specializuara.

Projektligji për dhomat e specializuara tashmë është final. Ai i është dorëzuar Qeverisë së Kosovës nga Brukseli pa të drejtën e ndërhyrjes në të.

Por, ky projektligj nuk është proceduar për seancën e 26 qershorit, ngase qeveria ua kishte përcjellë deputetëve vetëm si informatë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se Kosova ka mbërritur deri në këtë fazë të pavarësisë duke bashkëpunuar me faktorin ndërkombëtar, andaj ai është vënë në favor të themelimit të Gjykatës Speciale, pavarësisht sfidave.

“Historia e çlirimit dhe krijimit të shtetit të Kosovës është histori e partneritetit me bashkësinë ndërkombëtare dhe ne duhet në mënyrë të vendosur ta ruajmë këtë partneritet me bashkësinë ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, kisha apeluar veçanërisht që në gjithë këtë situatë të cilën do ta kalojë populli ynë, një pjesë e historisë, e luftëtarëve të UÇK-së, të mos na ndaj, të mos na përçaj”, ka thënë Veseli.

Procedimi me themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, ka revoltuar partitë opozitare. Përfaqësuesit e këtyre partive, në mënyrë demonstrative kanë lëshuar mbledhjen e kryesisë duke u zotuar se nuk do të votojnë themelimin e saj.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka thënë se ndryshimi i kushtetutës me ndërhyrje në sovranitetin e Kosovës është i papranueshëm.

Kështu që sipas tij, një veprim të tillë duhet ta refuzojnë të gjithë deputetët e Kosovës.

“Po kërkohet që Kushtetuta të ndryshohet dhe që sistemi gjyqësor të gjymtohet në tri nivelet e tij, që të krijohen hapësira të reja juridike të udhëhequra nga të huajt, nga ndërkombëtarët, dhe në të cilat nuk do të ketë kurrfarë ingerence Republika e Kosovës”, ka theksuar Konjufca.

Kundërshtimi i opozitës u përshkua edhe me nervozë dhe emocione. Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj Bujupi, ka shqyer me këtë rast para mediave të pranishme letrën ku ishte shtypur projektligji për gjykatën speciale.

“Përgjigja e jonë në këtë projektligj do të jetë që ne, ashtu sikurse sot që simbolikisht po e shqyejmë para mediave dhe opinionit atë, edhe në ditët e ardhshme do t’i bëjmë të gjitha veprimet e duhura që këto veprime bizare nga ana e qeverisë dhe mazhorancës, të ndalen”, ka theksuar Kadaj – Bujupi, ndërsa shqyente letrën ku ishte shtypur projektligji për Gjykatën Speciale.

Përballja me Gjykatën Speciale për krime lufte, e cila pritet të ketë në shënjestër disa nga figurat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk e do të jetë e lehtë ka thënë, në nën tjetër, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Por, ai ka shprehur edhe bindjen e tij se me këtë gjykatë do t’u jepet fund edhe spekulimeve dhe dyshimeve të ngritura për luftën e UÇK-së.

“Kemi një situatë në të cilën jemi mes emocioneve dhe arsyes. Emocionet janë ato të cilat neve na bëjnë krenar me luftën e lavdishme të UÇK-së. Të njëjtën kohë kemi arsyen ngase janë shumë akuza e mjegulla të cilat janë vënë mbi këtë luftë dhe bartësit e luftës së UÇK-së”, ka thënë Veseli.

Gjykata Speciale për krime lufte, apo siç do të emërohet me ligj si Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, pretendon që të hetojë supozimet në raportin e Këshillit të Evropës lidhur me dyshimet për krime lufte të disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së ndaj disa civilëve serbë gjatë luftës së fundit.

Këto dhoma do të jenë nën kompetencë të plotë të prokurorëve e gjykatësve ndërkombëtar. (rel)

Bota rrotullohet rreth boshtit të vet, boshti rreth parasë!

Shkruajti: Bejtullah Sadiku
Poema e parasë
“Historia e gjithë shoqërisë ekzistuese është historia e luftës së klasave.”- Karl Marx
Si duket edhe në demokraci po vazhdon lufta e klasave…!?

“Ah moj paraja murdare
që e bëre botën avare
e gjezdis po si zagare“

Pa ty asgjë
me ty çdo gjë.
Paraja rezil
paraja vezir.

Pa ty prishen
me ty ndreqen.

“Sa pati çura e çurana
pati miq dhe jarana.“

Me ty blehet e shitet
pa karar
sa dikush bëhet si hambar
e po duket maskarar.

Për ty rrihen
për ty mashtrohen,
sa që morali
deri n´palcë u shkatrohet.

O bo bo, kjo para
Ç´është ka bo?
Jo veç njerzimin
por edhe shtete ka shkatru,
që vështirë n´këmbë t´mbesin e mbijetu.

Shumë mirë që moti
Zuko kishte thënë:
„Se pa para, dukesh ahmak
e me para shkohet edhe n´parajs“…?!

Sa mendja shkrihet
hollohet e stërhollohet,
duke vrarë mendjen me ide
se si ne para të afrohet,
e gjithësesi të fitohet.

Mallra e produkte
prodhime të llojllojshme,
veç me mbushur kontot
me mundësi sa më t´bollshme.

Kuku,fukaraja lufton për kafshatë,
kur siguron bukën
i lumtur këndon uratë.

Pasanaiku gjithëmon i “uritur”
kurri s´ju bo boll duke “grabitur”.
Kur grabitjet u pakësohen
nisin luftën të shkatrohen.

Ah moj paraja murdare
Që gjezdisë po si zagare
Kur tërë botën e bëre avare…!

Kur dikur këmbehej malli me mall
njerëzit si loti,
Ishin plot moral.

Kur u arijt zhvillimi,
këmbimi
mall – para,
para – mall,
prap njerzimi mbeti pa hiç moral.

Konkurenca e rivaliteti
shkatroi vetëdijen dhe lojalitetin,
Sa që shitën edhe sovranitetin.

Andaj, s´ka udhëheqës s´ka parësi
Ku gjithë botën e shpien n´huti…?!

“Mos Zot më keq”!
Bejtullah Sadiku
Krefeld,04.06.2015
Germany

Vargje satirike

Vargje: Bejtullah Sadiku

GRINDAVECI

Grindaveci , grindaveci
Ishte ky rrenaveci.
Bisedonte e kuvendonte
Për vendime pa fjalë nënshkronte.

I shiqonte i kontrollonte,
por grindaveci
përherë si rrenaveci:
Te nesërmen i nënshkronte,
por edhe i mashtronte.

Lut njëherë, lut shumë herë,
duke thëne se s´është e para herë…
Ai nënshkruante me dhelpëri,
se s´kishte besim në qëndrim të tij
ku edhe shumë burra i futi n´huti!…

Grindaveci përherë si rrenaveci,
e rrenaveci ishte ai grindaveci.
Vallë medet ç´po na ngjet,
koha… që skifteri t´ia ngjet.1)

Grindaveci, prap pa turp si rrenaveci,
u largu, qe skifteri mos me e sulmu.
Zogj e pula i la gjoja t´lirë,
strofullën që ju prishi, vetë me e dlirë.

E dlirën, por me mundime e pastruan,
kashta bari grumbulluan e plot ofruan,
dhe si deshtën vetë e rregulluan dhe ndertuan.
E lanë grindavecin të grindur e të hutuar,
ne fund hiç pa e konsultuar,
e drejtuan mirë, që atje n´kafez gjatë me qendruar!…

Kështu ishte dje, e kështu mbeti sot,
të shpresojm se e nesërmja të ndryshon o Zot.
Edhe ky milet e njerzim, kërkon liri e barazi,
Mjaft më me të çmendur, në kështu soji udhëheqësi?!…

Krefeld, 30.05.2015

Personi më i moshuar në botë

116Personi më i moshuar në botë, Jeralean Talley, festoi 116-vjetorin e lindjes, me një ceremoni në kishën ku ajo është anëtare, në shtetin verior amerikan  të Miçiganit.

Talley, e cila jeton në lagjen Inkster në periferi të Detroitit, ja dedikon jetëgjatësinë e saj ndjenjës së besimit të thellë që ka. Ajo u përcaktua si njeriu më i moshuar i botës nga Grupi Kërkimor i Gerontologjisë, që vlerëson moshën e njerëzve që jetojnë më gjatë.

Jeralean Talley thotë se nuk ka pirë kurrë cigare dhe alkool dhe ndërhyrja e vetme kirurgjike që ka patur në jetën e saj të gjatë është heqja e bajameve. (voa)

Kosovë, gati për autopsinë e dytë të viktimave të “Kumanovës”. Priten ende raportet e para

ardhja-trupave-pajeteProkuroria e Shtetit në Kosovë ka miratuar kërkesën e familjarëve të kosovarëve të vrarë në Kumanovë, që trupave të pajetë t’u kryhet një autopsi e re nga Mjekësia Ligjore kosovare.

Top Channel ka mësuar se, 3 nga 9 të vrarët janë masakruar deri në shpërfytyrim dhe do të jetë pikërisht autopsia e re, ajo që pritet të japë përgjigje ndaj dyshimeve të familjarëve, nëse ndonjë prej tyre është vrarë dhe masakruar, pasi është kapur i gjallë.

“Medoemos, që autopsia tregon çdo gjë. Çdo gjë do të filmohet, çdo gjë do të shenjëzohet dhe ajo do të tregojë gjithçka. Ajo që do të mësohet, në formën e një raporti të autopsisë së dytë, do t’i prezantohet prokurorit të Shtetit të Republikës së Kosovës”, tha Arsim Gërxhaliu, drejtor i Departamentit të Mjekësisë Ligjore.

Gërxhaliu tha se, ekipet e tij janë gati për nisjen e autopsisë, por shtoi se janë duke pritur raportet mjekoligjore maqedonase, për të parë dhe krahasuar ndërhyrjet, që kanë bërë gjatë autopsisë së parë.

“Stafi  i mjekëve të Departamentit të Mjekësisë Ligjore, sapo mori vendimin që, me të ardhur raportet e autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Shkup, ne jemi të gatshëm në çdo minutë, të hyjmë dhe t’i kryejmë brenda ditës, autopsitë e të gjithëve, në departamentin tonë”, tha më tej Arsim Gërxhaliu.

Mësohet se Ambasada e Kosovës në Maqedoni është duke punuar me autoritetet në Shkup, që të merren sa më parë raportet e Institutit të Mjekësisë Ligjore atje, e t’u dorëzohen mjekëve në Departamentin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Trupat e pajetë të 9 të vrarëve në Kumanovë u kthyen në Kosovë mëngjesin e së premtes, ku u pritën me flamuj kombëtare nga të afërm dhe shumë qytetarë, në pikën kufitare në Hanit të Elezit.

/ Top Channel

 

Përbërja e re e propozuar e Komisionit për Antikorrupsion nesër në seancë kuvendore

kuvendi-maqedoniseKuvendi i Republikës së Maqedonisë nesër duhet ta mbajë seancën e 43-të në rend dite të së cilës janë më shumë ratifikime, raporte vjetore dhe plane financiare, ligje në leximin e parë dhe të dytë si dhe vendime.

Në këtë seancë është edhe propozim vendimi për emërimin e anëtarëve të Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit. Komisioni kuvendor për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve para festave të Pashkëve propozoi emërimin e anëtarëve të Komisionit për Antikorrupsion prej të cilëve vetëm dy janë të përbërjes ekzistuese.

Për anëtarë të Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit u propozuan Goran Milenkov, avokat nga Shkupi, Igor Tanturovski, ekonomist i diplomuar dr. i shkencave ekonomike nga Shkupi, Najdo Spasevski, avokat nga Shkupi, Suzana Taskova Axhikotareva, magjistre e shkencave juridike për të drejtë penale nga Shkupi, Zhaklina Dançevska, juriste e diplomuar, magjistre e së drejtës afariste nga Prilepi, si dhe ata aktual Seidi Halili, ekonomist i diplomuar nga Tetova dhe Farije Aliu, ekonomiste e diplomuar dhe doktoreshë e shkencave ekonomike nga Gostivari.

Para deputetëve nesër janë edhe propozim – vendimet për emërimin e një anëtari të Komisionit për mbrojtjen e konkurrencës dhe për emërimin e kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit drejtues të Agjencisë për aviacion civil.

Duhet të shqyrtohen edhe propozim-ratifikimet e Marrëveshjes për bashkëpunim financiar ushtarak midis Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë dhe Protokolli për zbatimin e mbështetjes financiare midis Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë dhe të Marrëveshjes midis Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe Qeverisë së Republikës Socialiste të Vietnamimit për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe për mbrojtjen e evazionit fiskal në lidhje me tatimet e të ardhurave.

Në rend dite janë edhe propozim ligjet për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për siguri në ushqim, të Ligjit për tokë bujqësore, të dy në lexim të parë, të Ligjit për Inspektoratin shtetëror të tregut në lexim të dytë dhe plotësimi i Ligjit për inspeksion teknik, gjithashtu në lexim të dytë.

Raporti vjetor i Avokatit të popullit për shkallën e sigurimit, respektimit, zhvillimit dhe mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut në vitin 2014 gjithashtu është në rend dite të seancës, ndërsa deputetët duhet të votojnë edhe për Propozim vendimet për dhënien e pëlqimit për Propozim Programin vjetor për punën dhe zhvillimin e Agjencisë për aviacion civil për vitin 2015./MIA