Luis TanushiPas shkarkimit nga detyra në dhjetor të vitit me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, Kundëradmiral Kudret Çela, ish Komandant i Forcave Detare, denoncon emërimet dhe procesin e gradimeve të reja në ushtri. Nëpërmjet një interviste për gazetën, ushtaraku i lartë denoncon praktikën e ndjekur deri më tani për gradimet brenda Forcave të Armatosura, ku deklaron se ministri ka emëruar të preferuarit e tij, pavarësisht renditjes së kandidatëve. Në jo pak raste, sipas Kundëradmiral Çelës, në radhët e ushtrisë janë vendosur në pozicione të rëndësishme, individë që mbajnë grada më të ulëta. Duke komentuar shkarkimin e tij nga detyra dhe padinë në Gjykatën e Tiranës, ish Komandant i Forcave Detare shprehet se nuk ka marrë asnjë përgjigje zyrtare rreth shkaqeve që çuan në një vendimmarrje të tillë nga Ministria e Mbrojtjes. Kudret Çela hedh dyshimet se nxitimi për ta shkarkuar nga detyra mund të lidhet me mllefe të drejtuesve të lartë. Sipas tij, pavarësisht nxitimit për shkarkimin, ende në Forcat e Armatosura nuk janë emëruar zëvendësuesit e rinj.
Në dhjetor ju bashkë me tre kolegë tuaj jeni shkarkuar nga detyrat që mbani. A keni një arsye zyrtare të largimit tuaj?
Jo. Nga ministria e mbrojtjes nuk kam marrë asnjë arsye zyrtare, por kam kërkuar nga presidenti dhe më ka dërguar një përgjigje që në bazë të propozimit të Ministrisë së Mbrojtjes. Pra, dekreti i Presidentit dhe nga presidenca kam marrë një informacion pasi kam bërë një kërkesë me shkrim. Urdhri i ministrit më ka ardhur më datë 5 kur duhet të kisha lënë detyrën. Pra, po atë ditë që doli urdhri, po atë ditë do dorëzoja detyrën. E kuptoni se sa flagrante është ?! I lihet kohë tjetrit që të bëjë edhe një procesverbal mbi dorëzimin e detyrës, jo më për ceremonitë e tjera. Kjo ka qenë ndonjë tendencë, për të mos thënë ndonjë mllef . Që këtu duken veprimet tendencioze, se nuk janë veprime ligjore.
Përse vendosët që të padisni Presidentin dhe Ministrinë e Mbrojtjes?
Sepse dua të prek edhe urdhrin e Ministrit të Mbrojtjes që ka dhënë urdhrin për shkëputjen e marrëdhënieve financiare. Dhe dekreti i presidentit që më nxjerr në rezervë në kundërshtim me ligjet për Forcat e Armatosura, sidomos për ligjin “Për gradat dhe karrierën në Forcat e Armatosura të Shqipërisë.
Besoni se do të arrini të fitoni çështjen në Gjykatë dhe do të riktheheni në detyrën që keni mbajtur?
Unë do të them që ne me ligjet që ka shteti shqiptar dhe ma do mendja se edhe drejtësia do të jetë e ndjeshme ndaj këtyre padrejtësive që bëhen me jetën familjare të një ushtaraku madhor, sepse është në kundërshtim të plotë me ligjin që unë ju citova problemi shkarkimit tonë. E dyta , nëse ne kemi plotësuar sipas ligjit kriteret dhe na ka ardhur radha për tu liruar apo për të dalë në rezervë, Ministria e Mbrojtjes do të organizonte një ceremoni dhe të na thoshte faleminderit për punën dhe kontributin që keni dhënë. Unë sipas ligjit dhe rregullores duhet të bëj ceremoni të dorëzimit të detyrës. Sot nuk kanë caktuar as kush do të emërohet në vendin tim. Unë duhet të dorëzoj flamurin, të rreshtoj trupat dhe tu them atyre faleminderit që keni punuar. Do t’i jap flamurin atij që do të vij. Pra, janë ca gjëra të tjera dhe kjo duket se është shumë e shpejtë, shumë e padrejtë.
Ju trajtim financiar merrni?
Tani trajtimi im do të jetë si gjithë të tjerët me gjysmën e pagës.
Ju folët për ligjit për “Gradat”. Në komisionin e Sigurisë është ngritur shqetësimi lidhur me mënyrën e emërimeve dhe të gradimit në ushtri. Ju si e gjykoni, a ka problem në ushtri me emërimet?
Ka probleme në Forcat e Armatosura për gradimet, lidhur me gradat madhore. Sepse për gradat madhore ngrihet një komision i veçantë ku kryetar është shefi i Shtabit të Përgjithshëm, bashkë katër gjeneralë të tjerë, gjithsej pesë vota. Sipas udhëzimit duhet të bëhet klasifikimi me pikë i këtyre njerëzve që kandidojnë dhe renditen nga i pari tek i fundit sipas pikëve. Pastaj për tu bërë gjeneral apo marrë gradë madhore, i pari bëhet i pari, i dyti dhe deri sa nevoja ka. Kjo praktikë nuk është ndjekur. Mund të jetë bërë listimi, por është marrë sipas preferencave nga ministri.
Ju keni gradë madhore bashkë me kolegët tuaj që u liruat nga detyra. Shkarkime të tilla janë bërë edhe më parë. Sa përgjegjës ndiheni sepse në opinion publik është krijuar perceptimi sikur ju nuk flisni për problematikat që ka ushtria deri në moment që liroheni nga detyra?
Problemi qëndron që ne e kemi ngritur zërin tonë për padrejtësitë. Mund të ketë edhe probleme të tjera në Forcat e Armatosura përveç këtyre të gradave, edhe nuk kemi heshtur. Por, sigurisht çdo gjë vendoset nga politika në Ministrinë e Mbrojtjes. Ndonjëherë edhe nuk pyeten titullarët. Edhe në emërime. Mund të ketë gjeneralë që punojnë në vend të kolonelit dhe është koloneli që punon në vend të gjeneralit. Ka edhe të tilla gjëra në ushtrinë shqiptare. Se ka qejf, se çon. Vladimir Qirjazi që ishte gjeneral, mund të punonte komandant i Brigadës Logjistike por, atje vunë një kolonel në vend të gjeneralit. Ka edhe padrejtësi të këtij lloji.
Padia e dy gjeneralëve ndaj MM dhe Presidentit
Dy gjeneralë të ushtrisë shqiptare kanë paditur Ministrinë e Mbrojtjes dhe Presidentin për shkarkimin e tyre. Në kërkesë paditë e tyre, ish-komandantin e Forcave Detare, kundëradmiralin Kudret Çela dhe ish-këshilltarin ushtarak të ministrit të Mbrojtjes, gjeneralmajor Arian Zaimi, pretendojnë se shkarkimi ka qenë I padrejtë dhe kërkojnë rikthimin në detyrë. Dy gjeneralët shprehen se gjykata duhet të shfuqizojë dekretin dhe urdhrin për shkarkimin e tyre, si dhe mosndërprerjen e pagës së tyre deri në momentin e riemërimit në një detyrë tjetër të lartë ushtarake. “Shfuqizim i dekretit 7188, datë 16.12.2011, i Presidentit të Republikës. Shfuqizim i urdhrit nr. 2091, datë 29.12.2011, i ministrit të Mbrojtjes. Detyrimi i palës së paditur, Ministria e Mbrojtjes, për t’i paguar pagën e plotë paditësit deri në emërimin një detyrë të përshtatshme për gradën ushtarake”, thuhet në objektin e padisë së dy ushtarakëve të lartë të cilët kanë dalë në rezervë.
Dhënia e Gradave, Imami: Ka probleme
Problematika e dhënies së gradave në ushtrinë shqiptare është pranuar edhe nga Ministri I Mbrojtjes Arben Imami. Në seancën dëgjimore në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, ministri u shpreh se në jo pak raste komisionet e vlerësimit të karrierës së ushtarakëve kanë gabuar duke bërë të nevojshme ndërhyrjen e ministrit dhe të Shefit të Shtabit për vlerësimin real të kandidatëve. “Të flasim hapur, është e vërtetë që kur është bërë komisioni i gradave të gjeneralëve vendosi grada në mënyrë të paarsyeshme. Dhe kur një komision vendos në mënyrë të paarsyeshme, çdo kryeministër, çdo ministër, çdo titullar shteti, edhe presidenti është i detyruar të bëjë balancat e nevojshme. Unë në të gjithë këto dy vjetët kur kam pasur ndonjë rast flagrant, ose kur kam pasur ndonjë informacion kam ndërhyrë në çështjet e drejtpërdrejta të emërimeve apo gradave apo të kurseve. Fakti është që komisionet, po ju them edhe këtë gjë, një bisedë që kamë bërë me shefin e shtabit dje, komision aktual ka dhënë nota që janë në diferencë më tepër 2 për lidership për disa oficerë. Kam thënë të kthehet prapa, e nëse ata nuk do ta bëjnë, do të krijojmë një komision të ri”, është shprehur ministri në Komisionin e Sigurisë Kombëtare.